“Zgjidhja”, mundësia për një të nesërme më të mirë

“Zgjidhja”, mundësia për një të nesërme më të mirë

ARDIT XHAFAJ
Në bashkëbisedimin me socialistë të Tiranës, u prezantua zyrtarisht “Zgjidhja” si një lëvizje politike për reformimin e Partisë Socialiste dhe të sistemit politik në Shqipëri.
E pagëzuar tashmë me një emër të ri, me emrin “Zgjidhja”, për disa prej nesh, përmbajtja dhe platforma e kësaj lëvizjeje është e njohur prej kohësh. Janë po të njëjtat parime dhe ide që u kërkuan dhe tentuan të implementoheshin me reformën strukturore të Partisë Socialiste në rajonin Vlorë-Gjirokastër. Tani “Zgjidhja”, si lëvizje politike brenda PS-së ofron e përdor instrumentë të tjera peer realizimin e ideve tee saj. “Zgjidhja” ka iniciuar dhe përkrah çdo nismë ligjore apo iniciativë qytetare që kanë për qëllim përmirësimin e kulturës politike dhe demokratike në vend dhe të bëjee primaret shtyllën kryesore të kësaj kulture.
“Unë e zgjedh deputetin që dua” është njëra prej këtyre nismave. Kjo lëvizje është një mundësi për të gjithë zërat që kërkojnë dhe ndiejnë nevojën për përmirësimin e funksionimit të partisë dhe qeverisjes që të bashkohen dhe në këtë mënyrë do të mund të dëgjohen më fort në veshët e shurdhër të pushtetit. Nëse ne mendojmë se e kemi një mundësi për të ngritur zërin tonë dhe t’i përmirësojmë gjërat, ditën e zgjedhjeve, atëherë gabohemi rëndë. Ne thjeshtë bëhemi bashkëfajtorë në vjedhjen e të drejtave tona, që sistemi dhe drejtuesit i kanë bërë monopol të tyre. Duke marrë pjesë vetëm në ditën e votimit ne thjeshtë u njohim vjedhjen si një të drejtë të tyre të ligjshme dhe demokratike. Nuk kemi mundësi që të bëjmë një zgjedhje të mirë kur alternativat që na serviren janë: keq dhe më keq akoma. Duhet që të marrim pjesë më aktive në vetëqeverisje, në të gjitha nivelet dhe në çdo hap të përzgjedhjes së atyre që do t’u besojmë përfaqësimin.
Është për të ardhur keq që në Partinë Socialiste, e cila ka patur një historik pozitiv të demokracisë së brendshme sot nuk ka garë, nuk ndihet as nevoja për t’u pasur dhe më keq akoma luftohen dhe zërat që e kërkojnë atë. Edhe e ardhmja nuk duket më premtuese. Provë për këtë janë proceset e zgjedhjeve në forumet e të rinjve në mbështetje të PS-së, si FRESSH-i apo Profesionistët e Rinj. Nëse sot themi që ka punë, por nuk ka profesionistë është për shkak se edhe të rinjve po u jepet një frymë dhe qasje jo pozitive ndaj vlerave.
Profesionistët e rinj nuk u zgjodhën në krye duke vënë në garë impenjimin, aftësitë apo vlerat, por u emëruan në bazë të njohjeve, simpatisë apo interesave personale të drejtuesve. Me këtë kulturë për punën dhe vlerat që po i jepet brezit më të ri që i është afruar PS-së edhe në vazhdim do na duhet të përdorim të njëjtin refren: punë ka, por nuk kemi përgatitur dot profesionistë! Nëse do të duam një të nesërme më të mirë, nuk duhet të presim që të vijnë vetë “të nesërmet që lëvdojnë”. Ne sot duhet të bëjmë detyrat që i takojnë secilit prej nesh që e nesërmja të jetë më e mirë. “Zgjidhja” është një mundësi për t’ia arritur…
*Autori është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së
4

Leave a Reply