“Zgjidhja”, lëvizja për të mbrojtur Partinë Socialiste

“Zgjidhja”, lëvizja për të mbrojtur Partinë Socialiste

TED NASTO
Organizimi i brendshëm i partive politike ka nevojë që të përshtatet me parimet demokratike të kushtetutës së Shqipërisë përsa i përket të drejtës së të zhedhurit dhe të zgjedhjes.
Çdo parti e cila aspiron që të drejtojë vendin duhet që të ketë ne statutin e saj institutin e zgjedhjeve paraprake në mënyrë që çdo anëtar të ketë mundësinë që të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së përfaqesuesve në kuvend dhe institucione të tjera përfaqesuese të pushtetit. Kjo e drejte aktualisht është rrëmbyer në mënyrë të padrejtë nga kryetarët e partive, të cilët nuk mund të mendojnë kurrsesi se mund të jenë më të aftë në përzgjedhje se gjithë anëtarësia e forcës politike. Për këtë arsye kultura e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme duhet të vendoset në çdo parti politike. Një parti nuk mund të pretendojë qeverisjen e vendit në mënyrë demokratike nëse fillimisht nuk ka demokraci brenda saj, pasi ekziston parimi që nuk mund të japësh atë çka nuk e ke. Aktualisht klima në PS është shumë represive dhe diktatoriale kundrejt individëve të cilët kërkojnë më shumë të drejta për bazën dhe e njëjta klimë reflektohet dhe në qeverisje ku nëse vihen në dukje problematika këto trajtohen me arrogancë e mospërfillje deri në censurë mediatike. Pra është shumë e qartë se pasja e një demokracie të brendshme në parti, sjell një qeverisje më të mirë për vendin dhe një klime shumë herë më zhvilluese për të.
Për të vënë në vend të drejtat e shkelura të anëtarësisë dhe mundësimin e një klime të brendshme demokratike në partitë politike është filluar nisma ligjore nëpërmjet mbledhjes së firmave të nevojshme për propozimin e projektligjit, i cili bën të mundur zhvillimin e zgjedhjeve paraprake brenda partive politike. Ky projektligj krijon mekanizma mbrojtës për të gjithë ata anëtarë që ju shkelen të drejtat statutore, duke i ngritur çështjet e tyre deri në gjykatë mbasi nuk do të gjenin zgjidhje në organet e brendshme partiake. Projektligji gjithashtu kërkon që regjistri i anëtarësesë të depozitohet në Gjykatën e Tiranës dhe të përditësohet çdo tre muaj. Një pikë tjetër është edhe njohja në mënyrë statutore e mendimit ndryshe në parti duke bërë që të mos ketë më presione dhe largime nga partia të personave të cilët e mendojnë ndryshe nga kryetari. Projektligji parashikon kontrollimin e financimeve të partive politike përpara fushatave zgjedhore në mënyrë që të krijohet një mbrojtje e veçantë dhe shanse konkurimi të barabarta edhe për partite të cilat nuk kanë financime të mëdha. Lëvizja “Zgjidhja” është angazhuar për firmosjen e projektligjit nga të gjithë qytetarët dhe anëtarët e PS-së në të gjithë vendin.
“Zgjidhja” përfaqëson një lëvizje e cila ka lindur vetvetiu, brenda PS-së, si pasojë e mungeses së nivelit të nevojshëm të demokracise dhe lirisë së shprehjes apo të mendimit ndryshe. “Zgjidhja” gjithashtu lindi si nevoja që ka një forcë politike që të korrigjojë gabimet e saj dhe jo thjesht t’i fshehë me anë të mbytjes mediatike apo aparatit të propagandës. Mungesa e korrigjimit të vetvetes sjell që gradualisht forca politike të humbasë besimin te votuesit dhe rrjedhimisht të humbasë ushtrimin e pushtetit.
“Zgjidhja” përfaqëson socialistet e thjeshtë që ndihen të papërfaqësuar dhe mendojnë që gjerat nuk shkojnë siç duhet dhe kanë nevojë për ndryshim, përfaqëson socialistet të cilëve nuk u jepet zgjidhje për problemet e tyre të vogla dhe të medha sepse janë të lënë mënjanë.
“Zgjidhja” është energjia e vetë socialistëve të cilët sa herë partia ka pasur nevoja të brendshme për t’u korrigjuar kanë qenë aty për të mbrojtur atë pasuri të përbashkët që quhet Partia Socialiste dhe që nuk është pronë e askujt. Kjo energji reaguese rritet edhe më shumë kur anëtarësia shpërfillet dhe trajtohet thjesht si mekanizëm për të ardhur në pushtet e jo si pjesë e pandarë dhe përfituese e drejtpërdrejtë e pushtetit. Qëllimi i vetëm i “Zgjidhjes” është forcimi i Partisë Socialiste nëpërmjet demokratizimit të brendshëm si dhe nëpërmjet përballjes me gabimet e qeverisjes dhe riparimit të tyre në favor të qytetarëve sepse vetëm kështu forca jonë do të mund të qëndrojë në pushtet si e vetmja alternativë serioze për drejtimin afatgjatë të Shqipërisë.
Unë besoj te “Zgjidhja” sepse është kjo frymë që reformoi Partinë Socialiste në rajonin Vlorë-Gjirokastër. Për herë të parë u bënë zgjedhje të lira dhe të ndershme në organizata dhe sruktura drejtuese. Për herë të parë filluan të funksiononin organet statutore. Shumë të rinjve iu kthye shpresa dhe besimi se me anë të konkurencës së ndershme dhe të aftësive personale do të mund të bënin një karrierë të pavarur nga ndikimet e klaneve dhe metodat poshtëruese të servilosjes. Për herë të parë u degjuan dhe ju dha zgjidhje me mijëra kërkesave dhe ankesave të socialistëve me anë të sistemit të zyrave të deputetëve që u hapën në të gjithë rajonin. Ky është një sistem i testuar tashmë në rajonin Vlorë-Gjirokastër, i cili u ndërpre pikërisht në kohen kur filloi të hidhej teza e primareve në parti. U ndërpre pikërisht sepse kryesia e PS-së nuk do ta lëshoj pushtetin që ia ka marrë padrejtësisht bazës. Bashkimi me Lëvizjen “Zgjidhja” është e vetmja mënyrë dhe mekanizëm që kemi për t’i treguar kryetarit të Partise Socialiste se ne jemi këtu, ekzistojmë dhe mbas zgjedhjeve, duam të drejtat tona dhe duam që të dëgjohemi dhe të zgjidhemi, duam që të vendosim vetë deputetët që na përfaqësojnë, duam një mirëqenie më të lartë për të gjithë.
*Autori është anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së

 

4

Leave a Reply