Vladimir  Lulaj: Të rikthejmë kushtetutën dhe shtetin juridik

Vladimir  Lulaj: Të rikthejmë kushtetutën dhe shtetin juridik

Historia 29-vjeçare e shtetit ende të pakonsoliduar juridik të Shqipërisë ka prova dhe fakte të shumta, që tregojnë destruktivitetin e pandëshkuar të pushteteve të përkohshëm politikë, që kanë shkelur cakun ku fillon kufiri strategjik i interesave të shtetit ligjor. Ata e kanë bërë këtë dëm nga vendit, jo vetëm se janë të paditur dhe injorantë politikë, por se kanë vepruar me paramendim dhe me dashje, duke mbivendosur pushtetin e përkohshëm politik mbi pushtetet e pavarura shtetërorë.

Shqiptarët e dinë se partitë e vjetra politike nuk janë ‘shteti dhe sundimtarët e tij’, por ushtria politike e militantëve dhe e shërbëtorëve të pushtetit. Partia ‘Zgjidhja’ këmbëngul që partitë politike të jenë ligjërisht të ndara nga shteti, që të mos kenë asnjë shans ligjor për të patur struktura paralele brenda institucioneve strategjike funksionale të shtetit juridik.

Që nga marrëveshja antikombëtare e 9 marsit 1997, klasa e sotme politike, gjithmonë i ka fituar të gjitha betejat me Republikën; sepse Sovrani popull asnjëherë nuk është lejuar prej tyre që të vendosë me votën e tij kontrollin dhe diktaturën e demokracisë ligjore mbi alternativat partiake.

Referuar nenit 2, pika 2 të Kushtetutës, ku përcaktohet: “2. Populli e ushtron sovranitetin nëpërmjet  përfaqsuesve të tij ose drejtërsëdrejti.”; si dhe duke mbajtur qartasi parasysh nenin 70/1 të Kushtetutës , ku sanksionohet dispozita: “1. Deputetët përfaqësojnë popullin dhe nuk lidhen me asnjë mandat detyrues.”; vetëkuptohet se parlamenti nuk ka karakter të përgjithshëm politik dhe as për mision të merret drejtpërsëdrejti me qeverisjen ekzekutive të shtetit. Partia ‘Zgjidhja’ ka bindjen e plotë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është pasuria më e madhe juridike e oopullit, por, për fat të keq, gjatë 21 viteve, nga 28 nëntori i vitit 1998 deri në tetor të vitit 2019, (konkretisht në vitin 2007, më 21 prill 2008, në vitin 2012 dhe 2016,) pushtetet politike destruktive të triadës PD-PS-LSI katër herë i kanë “çarë” muret e shenjta mbrojtëse të ‘kështjellës’ Kushtetutë, por nuk janë ndëshkuar asnjëherë. Prandaj ‘Zgjidhja’ kërkon që të përkufizohet me nen kushtetues ndarja e partive politike nga shteti.

Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e dinë faktin se pas 21 prillit 2008 Shqipëria nuk ka asnjë deputet të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, ndaj kanë kërkuar dekriminalizimin e parlamentit dhe të forcave politike, duke ushtruar presion për ndryshimin racional të Kushtetutës. Por Kuvendi i Shqipërisë thjesht aktivizoi një komisionin të posaçëm parlamentar me Ekspertë të Nivelit të Lartë; të cilët, më datën 24 shtator 2015, paraqitën materialin shpjegues për ndryshimet e reja kushtetuese që, në brendinë  e vet, duket goxha më i mirë se 58 nenet e hartuara për ndryshimet e miratuara kushtetuese në vitin 2016.

Teorikisht këto dispozita të reja kushtetuese kanë ‘ndëshkuar e përmirësuar’ vetëm strukturat e sistemit të korruptuar të pushtetit shtetëror gjyqësor, por nuk marrin në mbrojtje shtetin tonë ligjor, sepse prurjet e gjetura s’janë në gjendje të ringrenë një kushtetutë solide dhe të aftë për të çliruar kuvendin nga “zgjedha” e pushteteve të përkohshëm politikë joshtetërorë.

Vetëm partia ‘Zgjidhja’ zotëron dhe ofron alternativën racionale për “asgjësimin” e partive antipopullore dhe destruktive, ndërtimin dhe funksionimin në standarde të larta demokratike të shtetit të munguar juridik të Shqipërisë.

Ajo ka kërkuar, përmes ‘Paktit Kombëtar’, që përveç reformës zgjedhore, të bëhet edhe një reformë e thellë kushtetuese. Këtë duhet ta bëjë një qeveri teknike me bazë të gjerë dhe s’mund ta bëjë as komsioni aktual i drejtuar nga PS-ja dhe as propozimet që PD-ja bën nga SHQUP-i. ‘Zgjidhja’ ka kërkuar që të mandatohet nga parlamenti një komision i ri i Reformës së Kushtetutës dhe Reformës Zgjedhore, që duhet të jetë gjithëpërfshirës, i drejtuar  nga një konstitucionalist pa parti, me përfaqësues të partive politike parlamentare dhe joparlamentare, konstitucionalistë, intelektualë të shquar nga diaspora, përfaqësues të shoqërisë civile, të medias, gjyqësorit dhe të Akademisë së Shkencave.

Vetëm duke ringritur kushtetutën, ne do të arrijmë që të ringrejmë edhe shtetin juridik, atë që sot e kanë ende pronë të tyre partitë e vjetra, duke u mohuar shqiptarëve të drejtat elementare kushtetuese në një demokraci reale.

*Nënkryetar i partisë ‘Zgjidhja’

0

Leave a Reply