Vladimir Lulaj: Rikthimi i Republikës na shpëton nga qeveritë antipopullore

Vladimir Lulaj: Rikthimi i Republikës na shpëton nga qeveritë antipopullore

 

Nënkryetar i partisë ‘Zgjidhja’

 

Pse u përdor policia politikisht te Unaza e Re? Policia nuk është e pushtetit politik, por e shtetit të munguar juridik. Keqpërdorimi i saj është kundër misionit që ka si garantuese e sigurisë së shtetasve, qoftë edhe kur ata janë protestues, sepse protesta është një e drejtë kushtetuese.

Protestuesit e Astirit nuk janë kundër shpronësimit të shtëpive të tyre të ligjshme për hir të interesit publik, por, bazuar në nenet 168 dhe 169 të Kodit Civil, kërkojnë që, përpara se t’u prishen shtëpitë, të legalizohen ato, të çmohen me vlerën e tregut imobiliar dhe t’u jepen lekët për të blerë shtëpi të reja.

Dhuna barbare ndaj protestuesve tregon se në Shqipëri nuk ka demokraci, por diktaturë të pushtetit të përkohshëm politik të despotit të Rilindjes antisocialiste, që ka instaluar regjimin antipopullor të partisë-shtet.

Partia ‘Zgjidhja’ ka kërkuar me forcë që prishjet e ndërtimeve me apo pa leje, duhen vlerësuar me çmimin e tregut. Ndërtimet pa leje u bënë nën hundën dhe me miratimin e qeverive të tranzicionit për qëllime elektorale, ndaj ato duhen legalizuar dhe shpronësuar një më një.

Për partinë ‘Zgjidhja’ këto ngjarje të rënda për jetën e qindra banorëve tregojnë domosdoshmërinë e ndërtimit të diktaturës së ligjit, për të hedhur në koshin e plehrave të historisë partitë-shtet, të cilat duhet të mos kenë më të ardhme në shtetin ligjor.

Por për t’ia arritur kësaj dite të demokracisë duhet çliruar sistemi politik nga zgjedha e kryetarëve të partive të vjetra politike, që emërojnë deputetët-lakej dhe nuk lejojnë që populli t’i zgjedhë vetë përfaqësuesit e vet, me zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Marrëveshja antikushtetuese Berisha-Rama e 21 prillit 2008 e rrëzoi Republikën. Ajo duhet rikthyer përmes reformës zgjedhore dhe kushtetuese, duke ua marrë pushtetin e pamerituar kryetarëve të 2-3 partive të vjetra e duke ia kthyer popullit. Ndryshe do të jemi të gjithë, për gjithë jetën, viktima të qeverive antipopullore që shpronësojnë dhe dhunojnë shtetasit e tyre të pambrojtur.

0

Leave a Reply