Shqiptarët do ta firmosin nismën “Unë zgjedh deputetin që dua”

Shqiptarët do ta firmosin nismën “Unë zgjedh deputetin që dua”

IRENA TOSHKALLARI
Duke marrë shkas nga zhvilllimet e fundit, dëshiroj që fjalën time ta nis me një prej shprehjeve të Musine Kokalarit: “Vetëm se mendoj ndryshe nga ju, nuk do të thotë se e dua vendin tim më pak se ju!”.
Natyrshëm reflekton se sa aktuale është gjendja e privimit të lirisë së mendimit dhe fjalës ende sot në Shqipëri. Se si të gjitha rastet e përmendura dhe të denoncuara nga z. Kokëdhima, vijnë si rrjedhojë e një mentaliteti të ndryshkur të atyre që përfitojnë drejtpërdrejt nga ky privim. Por edhe më shqetesuese është heshtja ndaj kësaj shtypjeje dhe legjitimimi: “Se ata e dinë më të mirën! Po gabim e kanë por s’kemi çfarë t’i bëjmë se kjo është linja e udhëheqjes së partisë”.
Sot ne jemi ndër të vetmet vende demokratike, të cilat e konsiderojnë veten si të tillë, ku nëse mendon ndryshe për zhvillimet apo qëndrimet politike gjendesh përpara dy zgjedhjeve: ose do të duhet të heshtësh, ose do të përjashtojnë nga partia politike. E kjo ndodh në rastin më të mirë të mundshëm, sepse rëndom të bëjnë edhe një gjyq publik! Nëse partitë politike do të ishin më demokratike, sot Shqipëria nuk do të ishte një vend me rreth 2.8 milionë banorë dhe 128 parti politike. Sot nuk do të kishim një parti të re të krijuar prej Ben Blushit, Ilir Metës, Bamir Topit e një sërë emrash të tjerë. Mos vallë partitë politike në Angli, që njohin fragmentarizimin, janë më pak demokratike se ne? Kjo pyetje duket po aq qesharake sa edhe mendimet dhe arsyet e atyre që e kundërshtojnë këtë nismë. Kur nisi firmosja e nismës ligjore qytetare: “Unë zgjedh deputetin që dua”, për ndryshimin e ligjit mbi partitë politike, natyrshëm kishte edhe shumë skeptikë. Zgjedh këtë takim për t’ju kthyer përgjigje disa prej pyetjeve dhe qëndrimeve të tyre.
Shqiptarët do ta firmosin këtë nismë:
Sepse askush nuk dëshiron përfaqësues që t’ju shkojnë për vizitë si “mik” në lagjen, fshatin, qytetin e shtëpinë e tij, vetëm gjatë një fushate elektorale. Kjo nismë synon që të pajis qytetarët me intrumenta për të vlerësuar performacën e deputetëve, kryetarëve, këshilltarëve e përfaqësuesve të kujdo niveli.
Shqiptarët do ta firmosin këtë nismë ligjore, sepse çdo individ, dëshiron që t’i garantohet e drejta për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Kushdo që ka ambicie duhet të ketë mundësi reale për të konkurruar, pa patur nevojë që të jetë “Njeriu i një biznesmeni apo politikani”. Pikërisht këto deformime të demokracisë synon që të shmangë, propozimi për transparencë financiare të partive politike dhe të kandidatëve në garë.
Po kaq transparente duhet të jetë edhe lista e antarësisë së partive poltike. Kushdo që dëshiron që të konkurojë nëpërmjet një kërkese zyrtare duhet që të ketë mundësi të pajiset me listen e antarësisë të rregjistruar në Gjykatën e Tiranës. Pa patur nevojë që t’u “lutet” kryetarëve, apo të negociojë me persona që “kane nga pas 200 vetë”. Mjafton që ai të fitojë besimin e anëtarësisë, për t’i përfaqësuar.
Shqiptarët do ta firmosin këtë nismë ligjore, sepse çdo anëtar i një organizimi vullnetar sikurse janë partitë politike, duhet të ndihet i mbrojtur nga shkeljet e statutit dhe të rregulloreve të organizatës ku ai aderon, ku shkelja e të drejtave të anëtarëve të mund të ankimohet edhe në Gjykatë pas ezaurimit të të gjitha instancave brenda partive politike. Sot përjashtimet nga gara janë aq të shpeshta sa janë kthyer në diçka normale. Argumenteve se “ne ta nisëm emrin, por nuk të erdhi në konkurim nga Tirana!”, apo “se nuk e dimë çfarë të themi, ata lart e vendosin!”, apo “se për unitetin e të mirën e partise duhet që të votojmë e të konfirmojmë vetëm një emër”, duhet t’u vijë fundi!
Këto janë disa prej arsyeve për të cilat shqiptarët do ta firmosin nismën ligjore qytetare ‘Unë zgjedh deputetin që dua”. Ndaj ju ftoj të gjithëve që të marrim të drejtat që na takojnë dhe t’i ushtrojmë ato me përgjegjshmëri qytetare! Sepse ne do ta zgjedhim vet deputetin tonë!
4

Leave a Reply