Rinia të jetë në krye të ndryshimeve të vendit

Rinia të jetë në krye të ndryshimeve të vendit

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Sot është Dita Ndërkombëtare e Rinisë, e shpallur nga OKB-ja, me qëllim ndërgjegjësimin e saj për çështjet me të cilat përballet. Tema e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë për vitin 2019 është të “Shndërrojmë Arsimin”, duke kërkuar që të rinjtë të përfitojnë arsimim më të rëndësishëm, të barabartë dhe gjithëpërfshirës.

Kjo moto, më shumë se për të gjitha vendet,  vlen për arsimin në Shqipëri. Për fat të keq, vit pas viti, të rinjtë nuk përfitojnë arsimim të barabartë dhe gjithëpërfshirës. Qeveritë e tranzicionit e shkatërruan arsimin publik, e kthyen në biznes dhe, si në të gjitha punët, ndajnë paratë me klientët e tyre në arsimin privat. Dhjetra mijëra të rinj detyrohen të paguajnë për një arsim që nuk u ofron dijet e duhura, nuk kanë mjete didaktike, laboratorë, literaturë bashkëkohore, jetojnë në kushte skandaloze nëpër konvikte dhe detyrohen të paguajnë për çdo shërbim që nuk e marrin. Qindra të tjerë, falë kursimeve të prindërve, shkollohen jashtë dhe ndërtojnë punën dhe jetën atje sepse shteti i militantëve partiakë dhe i të korruptuarve nuk ka nevojë për ta.

Problemet që ngritën studentët gjatë protestës së tyre në dhjetor 2018 treguan se arsimi është një plagë e pashëruar, e mbajtur hapur nga korrupsioni në qeverisjen qendrore dhe drejtuesit e  universiteteve publike, që shpërdorojnë fondet shtetërore për arsimin dhe buxhetet e familjeve shqiptare për shkollimin e fëmijëve.

‘Pakti për universitetin’ ishte një mashtrim nga qeveria e Ramës që nuk do të garantojë rritjen e cilësisë së jetës dhe të arsimimit të studentëve. Lëvizja e fuqishme e dhjetorit 2018 alarmoi elitën e vjetër politike ndaj ajo u bë bashkë për ta mbytur.

Në këtë ditë botërore, ‘Zgjidhja’ i bën thirrje rinisë që të mos rreshtë së luftuari dhe së ëndërruari për arsim cilësor, të barabartë dhe për të gjithë. Ajo duhet të jetë në krye të shndërrimeve të mëdha që kërkon vendi.

#ZgjidhjaPerRinine

0

Leave a Reply