Qeveria të ndërtojë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti

Qeveria të ndërtojë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

 

Banorët e Korçës po përjetojnë  situata dramatike për shkak të tërmeteve të vazhdueshëm.

Pas dy tërmeteve të fortë prej 4.7 dhe 3.4 ballësh të rënë pak pas orës 16:00 të së mërkurës, një tjetër shkundi Korçën në mbrëmje dhe një tjetër sot paradite, ndërsa Instituti i Gjeoshkencave numëroi të paktën 20 të tillë brenda një dite.

‘Zgjidhja’ shprehet e shqetësuar që as këto lëkundje të forta nuk e tundën qeverinë. Ajo është angazhuar ditët e fundit që të bëjë lojë deklaratash me presidencën. Përmes ministres së Mbrojtjes, Xhaçka , qeveria u shpreh se kapacitetet reaguese të qeverisë janë sot shumë më të mëdha dhe me profesionalizëm të jashtëzakonshëm.  Si shembull për këtë ministrja përmendi përballimin e tërmetit në Korçë, më 1 qershor.

Fakt është se banorët e fshtrave Floq, Vidohovë dhe Qafzez, të dëmtuar nga tërmeti i dy muajve më parë, janë lënë në mëshirën e fatit. Dje në fshatin Qafzez u dëmtuan më tej edhe 12 shtëpi, duke u bërë plotësisht të pabanueshme. Qeveria nuk ka marrë asnjë masë për të riparuar 184 banesat e dëmtuara, apo ndërtuar një pjesë të tyre, siç premtoi, duke angazhuar edhe bashkitë e tjera. Qindra banorë jetojnë në kushte mizerabël në çadrat kolektive të ngritura nga emergjencat civile dhe forcat e armatosura, apo në shkolla.

‘Zgjidhja’ u bën thirrje autoriteteve që të lënë lojën e fjalëve dhe të mbajnë premtimet e dhëna përpara votimeve të 30 qershorit, nëse nuk i dhanë ato thjesht për të marrë votat, siç ndodh zakonisht me qeveritë tona.

0

Leave a Reply