Primaret në parti janë shpresa jonë e vetme

Primaret në parti janë shpresa jonë e vetme

ARBER DERVISHAJ
Në këtë vend ka një shumicë dhe një pakicë. Një shumicë absolute që ka një Shqipëri të lirë dhe kërkon të marrë në dorë fatin e saj, ndërsa nga ana tjetër kemi një pakicë që e ka marë peng këtë vend.
Kjo shumicë mund të jetë e heshtur, e gunjëzuar, mund të jetë e dhunuar, por e vërteta është se kjo shumicë ekziston. Dhe e vërteta është se kjo shumicë kërkon një vend më të lumtur, një vend të lirë dhe demokratik, ku populli të zgjedhë vetë përfaqësuesin e tij nëpërmjet primareve. Në këtë mënyrë ne si rini dhe si njerëz të këtij vendi marim në dorë fatet tona duke ia hequr të drejtën kësaj kaste të vendosë për ne. Kjo që sapo thashë është një e drejtë e jona që kjo pakicë na e ka mohuar pa të drejtë. Kjo pakicë është pa moral. Kjo pakicë po detyron shumicën ta pranojë atë pa e zgjedhur. Kjo pakicë është arsyeja përse ne nuk jemi si gjithë bota e zhvilluar, sepse kjo pakicë është shkëputur nga populli nuk e do popullin, e përbuz popullin e lë në skamje për tre vite dhe vitin e fundit e gënjen për t’i marë votën. Kjo është Shqipëria sot.
Një Shqipëri e marrë peng nga një kastë që nuk njeh vlera, nuk njeh parime, nuk do t’ia dijë dhe tallet me popullin. Në këtë vend të lumtur janë vetëm kryetarët e partive. Kryetarët vendosin gjithçka. Ata vendosin kush do të përfaqësojë popullin në qeverisjen vendore. Ata vendosin kush është ligjore dhe kush jo. Ata gëzojnë një pushtet që populli nuk ia ka dhënë, por ia kanë vjedhur. Unë si njeri i këtij vendi nuk dua të jem pjesë e kësaj marrëzie që po merr peng ëndrrat dhe rininë tonë.
Sot, askush nuk do t’ia dijë për ne. Ne nuk përfaqësohemi. Nuk jemi në gjendje të marim fatet tona, sepse kjo kastë i ka fatet tona. Ne të rinjtë nuk pranojmë që kjo gjendje të vazhdojë kështu. Ne të rinjtë do të jemi të tërë bashkë në një zë të vetëm që kërkon disa gjëra të thjeshta që t’i japin fund kësaj të keqeje që ka marë peng vendin. Ne duam primaret, që të zevendësojnë këtë sistem të kalbur partitokratik. Unë dhe gjithë moshatarët e mi jemi bashkë për ta refuzuar këtë sistem.
Primaret janë shpresa jonë e vetme. Ato do të garantojnë një vend ku populli ta zgjedhë vetë përfaqësuesin e tij dhe të mos zgjedhë ai që ka lidhje me kryetarin. Të zgjidhësh nga kryetari dhe jo nga populli do të thotë të mos ia dish për popullin, por për humorin e kryetarit. Mjafton ta kesh mirë me kryetarin dhe çdo gjë është në rregull. Kjo nuk është Shqipëria që duam. Kjo është Shqipëria që është rrëmbyer nga një kastë dhe kjo kastë ka marrë peng këtë vend dhe po na çon në humnerë. Primaret dhe vetëm primaret i japin fund kësaj marrëzie. Ato ia heqin pushtetin kësaj kaste dhe ia japin popullit. Dua t’u them diçka.
Jam rritur me bindjen se dy janë ditët më të rëndësishme në jetën e çdo njeriu. E para, është dita kur ka lindur dhe e dyta është dita kur ai kupton se përse ka lindur. Unë besoj se të gjithë ne që jemi këtu sot dhe të gjithë ata që mbështesin qëllimet tona kemi ardhur në këtë jetë për të mbrojtur amanetin e të parëve tanë, për një atdhe të lirë dhe ku të luftohet për lumturinë e të gjithëve. Dua t’ju them të gjithëve ju që jeni prezent sot, se gjërat në këtë vend kanë për të shkuar mirë, në veçanti falenderoj z. Koço Kokëdhima që është në krye të kësaj lëvizje për reformimin e Partisë Socialiste dhe gjithë partive të tjera. Dua t’ju falenderoj z. Koço që jeni me ne, jeni me popullin e thjeshtë të këtij vendi. Shqipëria do të jetë mirënjohëse ty dhe të gjithëve ne që punojmë dhe besojmë dhe i duam të mirën këtij vendi.
*Autori është maturant në gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë
0

Leave a Reply