Preç Zogaj: Jam 100% dakord me Paktin Kombëtar të partisë “Zgjidhja”, partitë t’i bashkohen

Preç Zogaj: Jam 100% dakord me Paktin Kombëtar të partisë “Zgjidhja”, partitë t’i bashkohen

Analisti dhe shkrimtari Preç Zogaj, në një intervistë për gazetën “Shekulli” analizon Projekt-Paktin Kombëtar të propozuar nga kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, për të cilën thotë se është shumë i dobishëm për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri. Zogaj tha se e ka lexuar me shumë vëmendje dhe e mbështet atë 100%, pasi trajton të gjitha fenomenet negative që prekin zgjedhjet në vendin tonë, por kërkon vullnet politik dhe mbështetje nga gjitha partitë. “Ky pakt kërkon bashkëpunim. Pikënisja është vullneti për bashkëpunim me të gjitha palët. Unë mendoj, se është e udhës që të testohet me takime bilaterale fillimisht, vullneti, gatishmëria, duke shkëmbyer mendime reciproke për të shkuar drejt një tryeze”- u shpreh Zogaj.

Z. Zogaj, si e vlerësoni Paktin Kombëtar të propozuar nga kreu i Partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, që synon nxjerrjen e vendit nga kriza?

E kam lexuar me shumë vëmendje propozimin e Kokëdhimës për një Pakt Kombëtar mes partive për zgjedhjet. Por më shumë sesa për zgjedhjet, për reformimin e politikës. Mendoj se Kokëdhima e kap demin për brirësh, (siç thotë një shprehje e popullit), përsa i përket zgjedhjeve si themeli demokratik dhe institucioneve që mbështeten mbi zgjedhjet. Unë jam pothuajse 100% dakord me propozimet e tij, Por në thelb, ajo që më ka bërë përshtypje pozitive, është qasja. Pra, ka një qasje për zgjidhje në themel të krizës dhe krizave, që vazhdon të prodhojë tranzicioni i stërzgjatur shqiptar. Unë po mendoja këto kohë, për nevojën e një reflektimi të thellë rreth fenomenit të shitblerjes së votës dhe manipulimit të zgjedhjeve. Ky është një fenomen, që na shoqëron nga zgjedhjet në zgjedhje prej 20 e ca vitesh. Këtë pyetje duhet ta bëjmë të gjithë, sepse kur flasim për shitblerje, nënkuptojmë dy palë; një palë që e blen dhe një që e shet. Ne merremi më shumë me palën që e blen. Dhe mirë bëjmë, por nuk është shteruese analiza. Ne për arsye populiste nuk flasim për palën që e shet. Shqipëria ka njerëz që e shesin votën. Ky është pohimi dramatik. Kjo nuk ka ndodhur më parë, që me fillimet e demokracisë në Shqipëri. Nuk imagjinohej që vota është një gjë që shitej. Sikurse shitblerja e votës nuk është shpikur në Shqipëri, por me kalimin e kohës, nga zgjedhjet në zgjedhje fenomeni ka fituar terren, për të kulmuar në zgjedhjet e vitit 2017-të. Pse e shesin votën njerëzit? Kjo është pyetja e pyetjeve. Dhe përgjigja na çon pak a shumë te analiza e Kokëdhimës. Dhe ndonjëherë edhe te e tjerëve, sepse nuk ka shumë përgjigje për një fenomen. Përgjigjet janë aty, nëse duam t’i kërkojmë me realizëm. Dhe përgjigja është; zgjedhjet nuk prodhojnë ndryshim. Nga zgjedhjet në zgjedhje, partitë kanë konkurruar me premtime dhe me programe. Kanë konkurruar si të ndryshme, por kur vjen puna për të qeverisur, qeverisin njëlloj. Korrupsion, autoritarizëm, mosdelegim kompetencash, centralizim, etj. Janë fenomene, që në produktin e tyre i krijojnë zgjedhësit të thjeshtë, (jo zgjedhësit partiak-militant), përshtypjen se zgjedhjet nuk ndryshojnë gjë. Dhe në momentin kur përhapet dhe bëhet dominues opinioni se zgjedhjet nuk ndryshojnë gjë, vota humbet vlerën!

Sipas jush, pse e gjykon të arsyeshme z.Kokëdhima që të shtyhet afati i zgjedhjeve të 30 qershorit?

Për t’i dhënë kohë zgjidhjes së krizës. Mendoj, se ka parasysh nevojën për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Ky është një problem që nuk mund të lërë indiferent asnjë njeri që merret me politikë.

Si mund të implementohet në praktikë pakti i “Zgjidhja”?

Kjo i takon autorit të Paktit. Mendoj, se ai i ka bërë punët që duhen bërë. Besoj, se ua ka nisur kryetarëve të partive. Duhet ta testojë, qoftë dhe me vizita me grupin e tij, që lidhet me partinë respektive. Propozimet të mos dërgohen me postë, as me gazetë, por me takime. Kokëdhima ka prodhuar një dokument. Dhe kjo është shumë e rëndësishme në Shqipëri. Ky pakt kërkon bashkëpunim. Pikënisja është vullneti për bashkëpunim me gjitha palët. Unë mendoj, se është e udhës që të testohet me takime bilaterale fillimisht, vullneti, gatishmëria, duke shkëmbyer mendime reciproke për të shkuar drejt një tryeze. Këtu, partitë e mëdha nuk janë shumë të vëmendshme për propozimet që vijnë nga partitë e patestuara elektoralisht. Kjo ndodh nga zakoni dhe kryelartësia e partive të mëdha.

Si e komentoni, pikën 1/c të paktit të Zgjidhjes”, që thotë: Të ndalohen me kushtetutë kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe kryeministri që të zgjidhen për më shumë se dy mandate?

Kjo është një gjë që edhe mund të diskutohet. Nëse zgjidhim problemin e garës së hapur me rregulla loje, është vetë gara që e zgjidh edhe çështjen e mandateve. Sepse, mandatet që nuk meritohen, nuk përsëriten. Nuk mund të rifitohen. Këtu, shkojnë te disa mandate se nuk ka zgjedhje. Pra, zgjedhjet i zgjidhin këto probleme, por janë çështje që mund të diskutohen. Zgjedhja e presidentit nga populli. Edhe kjo është një temë e ndjeshme, e diskutueshme edhe më parë. Duhen diskutuar në një tryezë të gjerë për të parë, se në arkitekturën e republikës sot, a na duhet një president i zgjedhur nga populli apo nga Parlamenti, me një ripërcaktim të kompetencave të tij. Përndryshe, duhet të ulim profilin e kryeministrit në rastin konkret, i cili duke dalë nga një parlament i zgjedhur me votë direkte, sigurisht që është një kryeministër ndryshe nga ai që është sot; padron absolut i listës së tij!

Pse PS-PD hezitojnë që të pranojnë idetë e “Zgjidhjes” për ndryshim të sistemit politik?

Pengesat e opozitës lidhen me qëndrimin e partive të mëdha të opozitës. Nëqoftëse nuk ka një reagim dhe hapje ndaj paktit, pse jo dhe një pasurim të paktit nga PD-LSI, atëherë kjo ngelet në kuadrin e një nisme të një partie, e cila mund të rritet në zgjedhje, por ngelet që ta ndajë këtë me partitë që e mbështesin. Nga ana tjetër, lipset një reagim edhe nga partia në pushtet, sepse ky është një pakt që përfshin edhe partinë qeverisëse. Kjo është pozitive dhe logjike. Edhe në propozimin për qeveri teknike, ndihej hapur që nuk mund të bëhej pa maxhorancën, dhe nuk kishte vend kushti i vetëm, për largimin e kryeministrit Rama. Ky është një pakt fleksibël, që kërkon të dalë matanë, kërkon të shkohet drejt zgjidhjes, jo drejt një gjendje stacionare që i lë palët në llogore, duke u shtyrë pa kërkuar zgjidhje. Por dua ta nënvizoj këtë moment, që guri i provës për partitë politike të opozitës dhe qeverisë, në lidhje me zgjidhjen e krizës në themel, që thamë janë zgjedhjet. Pra, guri i provës është qëndrimi ndaj ligjit zgjedhor. Do kalojmë në një ligj zgjedhor maxhoritar apo jo? Një ligj maxhoritar në 70 zona. Jam dakord me këtë propozim. 30 të tjera i lihen për kuotën proporcionale dhe kjo krijon mundësi për një garë, iu jep mundësi qytetarëve që të zgjedhin deputetin e tyre, të përfaqësohen, i jep zë zgjedhësve, jo partive. Partitë kanë nderin e tyre, sepse bëjnë propozime, por i jep zë zgjedhësve, rrit dinjitetin e përfaqësuesit të popullit për rrjedhim përfaqësuesve të popullit. Ul dhe koston e politikës në zgjedhjet parlamentare. Nga ana tjetër, mendoj se dekurajon dhe çon drejt tejkalimit dhe konkurrimit në zgjedhjet e individëve, që vijnë me shpresën e vetme për të blerë vota. Nuk blihen kaq shumë zgjedhjet. Është një ofendim që i bëhet masës së zgjedhësve, por të mendojmë se blihen të gjithë me para. Fenomeni është shqetësues. Pra, familjet, grupet vulnerabël të shoqërisë që shesin votën, shumë prej tyre kanë humbur besimin e votës. Por familja shqiptare është e organizuar në mënyrë të tillë, që kanë kulturën e shembullit për fëmijët. Dhe nuk ndodh që kryefamiljari t’i thotë familjes, se do e japim votën në këmbim të disa lekëve. Kuptohet që ai ka bërë një Pazar për të ndryshuar kahun e votave. Dua të them, se ligji maxhoritar është një gur provë. E përsërisim disa herë, se nuk besojnë njerëzit nëse vazhdohet me këtë politikë, që të ikë një palë nga pushteti, të vijë pala tjetër me të njëjtin ligj, me të njëjtin sistem, me të njëjtën filozofi qeverisëse. Bëhet pakuptim! Edhe po të ndodhë rotacioni, në këto kushte nuk sjell ndryshim. Sjell ndryshim në karriget e pushtetit, por nuk ndryshon gjendjen.

3

Leave a Reply