Poli Hoxha: Pakti i Kokëdhimës, rruga e vetme për zgjidhjen e krizës

Poli Hoxha: Pakti i Kokëdhimës, rruga e vetme për zgjidhjen e krizës

Gazetari dhe analisti Poli Hoxha në një intervistë për gazetën “Shekulli” flet për situatën politike në vend. Ai thotë se rruga për zgjidhjen e krizës është krijimi i një pakti të përbashkët kombëtar. Sipas tij, një pakt i tillë është propozuar nga Kokëdhima dhe është mbi tryezë

Analisti Poli Hoxha në një intervistë për “Shekulli”-n komenton krizën politike në vend pas dështimit të negociatave Shqipërisë. Teksa flet për reformën zgjedhore, Hoxha shpreh se partitë e vjetra nuk e duan ndryshimin e sistemit zgjedhore, ndërsa fajëson kryeministrin Rama për dështimin e negociatave.

Z.Hoxha, si e komentoni situatën politike brenda vendit pas refuzimit të BE-së?

Situata politike pas dënimit që na dha BE është njësoj siç ka qenë. Rama nuk ka pse të shqetësohet, sepse në fakt ai nuk e donte fare hapjen e negociatave. Se çfarë mendon populli pas asaj që ndodhi, nuk pyet njeri. Nuk ja japin shansin që të “japin mendimin e tyre” nëpërmjet votës, siç po ndodh në Maqedoninë e Veriut. Opozita po sillet sikur i ka shkrehur të gjithë fishekët dhe po kuptohet që e vetmja strategji e saj është që presë “prapa gëmushës”, derisa Rama të bjerë vetë nga pushteti, apo me ndihmën e ndonjë të shtyre nga ndërkombëtarët. Kjo është situata politike, ndërkohë shqiptarët e ndershëm vazhdojnë të jetojnë me valixhe të bërë gati, për t’ia mbathur nga ky vend.

Sipas jush, a ka një marrëveshje të fshehtë Rama-Basha për të mos ndryshuar Kodin Zgjedhor?

Nuk besoj që të ketë marrëveshje të fshehtë. Jo se nëse ka, do të jetë ndonjë çudi, por nuk ka sepse të gjitha partitë tradicionale (kryetarët më saktë) nuk e duan ndryshimin e sistemit zgjedhor. Brenda muajit Dhjetor ndoshta do të kryejnë një Reformë Zgjedhore, duke hedhur në letër disa nga rekomandimet e OSBE-ODHIR, por kjo nuk ka për të zgjidhur gjë nëse kjo reformë nuk do të jetë e thellë dhe e dakordësuar nga të gjithë faktorët e spektrit politik, shoqëria civile dhe klasa intelektuale.

A mendoni se duhet një pakt Kombëtar për zgjidhjen e krizës?

Jo duhet, por është domosdoshmëri dhe e vetmja rrugë për të ndalur turravrapin që ka marrë vendi drejt greminës. Por nuk duan të ndryshojnë statukuonë e rotacioneve. E kanë një projekt-pakt mbi tavolinë, që ju ka nisur prej kohësh Zgjidha dhe Kokëdhima, por nuk ju intereson.

Pse dështuan negociatat me Shqipërinë?

Ishte një vendim i pritshëm, sepse ishte paralajmëruar me kohë. Korrëm atë që kjo qeveri kishte mbjellë me plan dhe ndërgjegje të plotë për 6 vite rresht. Qeverisë shqiptare i ishte bërë e qartë edhe në vitin 2016, edhe vitin e shkuar, se duhej që të plotësonte kushtet reale të vendosura nga Këshilli i BE-së dhe jo të merrej me procedurat burokratike të Komisionit, plotësim formularësh. Duke luajtur me rëndësinë që ndërkombëtarët i japin Reformës në Drejtësi, Rilindja, ka shpresuar se do të mbyllej njëri sy për korrupsionin galopant në nivele të larta, krimin e organizuar që ka kapur jo vetëm shtetin por edhe ekonominë, e mbi të gjitha për çështjen bazë të një demokracie funksionale, kapjen e votës së lirë. Kjo ishte edhe arsyeja pse parlamenti Gjerman dha një “Po” me një “Por” prapa, duke i çuar kushtet nga shtatë në nëntë. Në fakt kushdo e kuptoi qartë që Gjermania i tha “Po” popullit shqiptarë dhe “Jo” kësaj qeverie dhe elite politike. Nga na tjetër edhe Holanda kishte paralajmëruar më herët, me votimin që bëri në parlament për çështjen e vizave, për Shqipërinë. Nuk është çështja se krimi në Holandë mban vetëm emrin “shqiptarë”, por problemi, ajo çfarë i alarmon ata, është se organizatat kriminale atje përdorin vendin tonë si bazë për të pastruar dhe investuar produktet e krimit dhe kështu bëhen të paprekshëm dhe më të rrezikshëm. Kurse Franca nga ana e saj, ka dërguar disa ministra të Brendshëm në Tiranë gjatë këtyre viteve të fundit, për çështjen e inflacionit të azilkërkuesve shqiptarë në atë vend. Por asgjë nuk ka lëvizur. Nuk bëhet fjalë thjesht për “emigrim spontan” siç po e paraqet propaganda e qeverisë, por për një trafik njerëzor të organizuar i cili e ka kokën këtu dhe nuk goditet nga policia dhe drejtësia, siç theksoi edhe ministria e Jashtme Franceze. Pra kupa ishte mbushur dhe nëse ka pasur një debat mes krerëve të shteteve në takimin e Luksemburgut, ai kishte të bënte vetëm me strategji gjeo-politike për rajonin tonë. Kurse për korrupsionin, krimin e organizuar dhe kapjen e votës të gjithë kanë qenë unanim. Siç ishin unanim se Maqedonia e Veriut, nuk kishte në këtë nivel, probleme të tilla. Pra faji nuk është as i Francës, Hollandës e Danimarkës, e as jetim. Është i kësaj qeverisje në radhë të parë dhe klasës politike që na sundon nëpërmjet tjetërsimit të vullnetit të lirë, për të zgjedhur alternativa të reja.

Çfarë mund të bëjë BE nëse mungon vullneti politike për reforma?

Po çfarë mund të bëjë BE më shumë se kaq?! Nëse lexohen me vëmendjen “9 kushtet” e Bundestangut që u pranuan nga të gjitha vendet anëtare, ato në fakt nuk janë fare kushte por një skanim i realitetit në Shqipëri. BE nuk rrëzon qeveri, sado të kriminalizuara qofshin ato. Këtë e bën vetëm populli i vendit që i ka. Ata vetëm të hapin sytë. Brenga e vendeve që ishin për një “Po” të kushtëzuar kishte të bënte vetëm me shpërblimin e popullit më proevropian në botë, si dhe me frenimin e ambicieve të Rusisë dhe aktorëve të tjerë jashtë euro-atlantizmit në rajonin tonë.  Kurse për krimin e organizuar, korrupsionin, kapjen e ekonomisë dhe të pasurive të vendit nga një çetë në pushtet (nuk është PS-ja) nuk ka më asnjë mëdyshje dhe dilemë. Dy ditë më parë gazeta prestigjioze `Spigel` shkruante: Shqipëria ka një kryeministër në detyrë, që nga viti 2013, i dyshuar për mbajtjen e partisë së tij në pushtet përmes krimit të organizuar, veçanërisht mafies së drogës. Këtë në fakt më mirë se të huajt e dinë vetë shqiptarët, të cilët po braktisin vendim masivisht edhe “kur janë mirë” këtu. Kjo ndodh sepse ka humbur shpresa, se realiteti mund të ndryshojë. E vetmja shpresë është rritja e presionit ndaj kësaj klase të korruptuar e tashmë, edhe të kriminalizuar deri në asht, nga ana e miqve të mëdhenj të popullit shqiptarë siç janë SHBA dhe Gjermania. Presioni më i madh duhet të jetë tek çlirimi i votës, sepse vetëm kështu i kthehet Zgjidhja dhe Zgjedhja qytetarëve; vetëm zgjedhjet e lira mund të lejojnë qarkullimin e elitave; daljen në skenë të forcave të reja që e duan Shqipërinë si mëmë dhe jo si një lopë që duhet mjelë.

 Si e parashikoni gjykimin e BE-së kundrejt Shqipërisë dhe qeverisjes së partive?

BE është një union gjigant, që ka edhe hallet e veta dhe po hyn në një proces reformimi. Lajm i mirë në këto kohë është se tashmë anëtarët e saj e kanë kuptuar, se nuk mund të ketë “qetësi” në vendet e tyre nëse në Shqipëri nuk rikthehet demokracia funksionale dhe shteti ligjor. Mafia që ka një qeveri të vetën nuk ka frikë që të “pushtojë” edhe vendet e tyre.  Kanë kuptuar gjithashtu, se partitë e vjetra janë shndërruar në biznese fitimprurëse. Qerthulli është; bli e manipulo vota, merr pushtetin; grabit shtetin e gjithë pasuritë e Shqipërisë; me paratë që fiton bli sërish vota për të blinduar pushtetin qeverisës a politik, e kështu pambarim. Të gjitha këto në bashkëpunim tashmë, edhe me krimin e organizuar. Kanë kuptuar se Shqipëria është shndërruar në një “minë me sahat”, sepse është kriminalizuar jo vetëm qeveria por edhe ekonomia. Qeveria Rama po kalon vijën e kuqe të “stabilokracisë” dhe mund të kthehet shumë lehtë në një faktor destabiliteti. Krimi i organizuar edhe pse vesh kostumin e qeveritarit, nuk njeh BE e SHBA. Ndaj në Uashington e në Berlin, tashmë është ndezur drita e kuqe për Shqipërinë.

A po merr masa qeveria për zgjidhjen e problemeve që ka vendi

Po natyrisht, që po merr masa!!! Ndërkohë që opinioni vendas dhe ai evropian ziente për çështjen e mos hapjes së negociatave, kjo qeveri firmosi edhe dy koncesione të tjera krejtësisht abuzivë e mafiozë. Askush të mos presë më nga një qeveri e një kryeministër, që nuk bën as gjoja sikur reflekton. Që mund të fajësojë edhe bashkëshorten e Macron, por gishtin nuk e kthen kurrë nga vetja. Të vetmet masa që po marrin është përshpejtimi i projekteve për të grabitur Shqipërinë, sepse dinë që koha po ju mbaron. Nëse Rama “zbuloi” në sistemin e drejtësisë organizatën `KÇK` (kap çfarë të kapësh), ai vetë drejton organizatën `GÇG` (Grabit çfarë të grabitësh)

Si e shikoni të ardhmen e negociatave? A kemi shpresa për vitin tjetër?

Negociata mund të hapen vitin tjetër për arsye gjeopolitike të BE-së dhe SHBA-së, por për atë që mund të shpresojmë se mund të bëjë kjo qeveri si reflektim, nuk asnjë shpresë. Përkundrai deri atëherë gjërat kanë për të qenë edhe më keq, nëse vazhdon kjo mënyrë qeverisje.

1

Leave a Reply