Një kafe më pak për Shqipërinë tonë!

Një kafe më pak për Shqipërinë tonë!

Silvana Begaj

Netët janë të gjata e dimri ka filluar të mbulojë vendin me temperatura gjithnjë e më të ftohta. Qielli,  nuk ka më ndriçimin e zakonshëm. Mendimet tani i kemi grumbulluar të gjithë në një pikë!

Pika e takimit të rrathëve të meridianeve dhe paraleleve shqiptare nga e mbarë bota takohen në një pikë. Në një vend. Në Shqipëri! Fëmijë të pashpresë, të moshuar, nëna që me trupat e tyre mbulojnë fëmijët nga i ftohti! Trishtuese! E rëndë. Është gjaku ynë!

Përderisa shumë nga ne po përgatitemi për festat e fundvitit, a mund tē ndalemi për një sekondë dhe të pyesim veten:  Po si ndjehen fëmijët në Shqipëri? Si ndjehen kur shikojnë një atmosferë festive ku supozohet që babagjyshi i Vitit të Ri të plotëson dëshirat?

Shumë nga ata në vend të bredhave kanë tendat e në vend të dritave të bredhit kanë yjet e qiellit!

Askush, asnjë fëmijë, asnjë nënë, asnjë i moshuar, asnjë njeri në tokë nuk e meriton vuajtjen, por vuajtja e popullit tonë na dhemb më shumë!

Shteti, qeveria dhe institucionet shqiptare kanë mundësi të kufizuara buxhetore. Korrupsioni, keqpërdorimet i zvogëlojnë edhe më shumë mundësitë për rindërtim, për të kthyer sadopak normalitetin në zonat e goditura. Dikush edhe bënë llogaritë e fitimeve, por populli po shikon dorën e shtetit dhe të të gjithë neve se ka nevojë për ndihmë sot!

Kjo fatëkeqësi ka treguar edhe njëherë fuqishëm shpirtin e bardhë të kombit tonë, ka treguar gjithashtu sa shum miq kemi në botë.

Por a mjaftojnë?

Miliona euro po dhurohen nga njerëzit e mirë, fonde të udhëhequra nga njerëz me shpirtin human si Elvis Naçi, Halil Kastrati, Marin Mema e të tjerë po bëjnë të pamundurën për të zbutur dhembjen.

Të famshmet botërore me gjak shiptar si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa, Eliza Dushku e tjerë tashmë e kanë kaluar edhe njëherë provën e lidhjes me tokën e prindërve të tyre! Shqiptarët e Amerikës na e sollën në mendje edhe njëherë vargjet e famshme të Nolit “Mbahu nëno mos ke frikë/ se ke djemtë në Amerikë”! Kosova, Kosova me plagët e saja ende të hapura po ndan edhe bukën. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi janë bashkuar më shumë se kurrë!

Çdo natë shohim shqiptarë anëembanë botës që këto ditë kanë harruar hallet e tyre personale, dhembjet, sëmundjet dhe po ndihmojnë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Sot me ne janë bashkuar edhe shumë popuj tjerë, duke treguar respektin, dhembjen dhe përkrahjen për popullin më të vjetër në Europë. Për bijtë e Pellazgëve e Ilirëve të lashtësisë!

Por a mjafton? Një lek, një dollar, një pako cigare më pak në një ditë, një kafe me pak, një dritë në bredhat e festës më pak, një…. shumë gjëra që në një ditë asnjërit nga ne nuk i prishin asnjë punë, thotë shumë për Durrësin, Thumanën, Lezhën… thotë shumë për Shqipërinë! Në këtë fundvit festash, Shqipëria është e para! Gjithmonë e gjithnjë, ajo, e bekuara tokë është e para!

Shqipëria na thërret! Këto ditë të zgjedhim njërin nga fondet e Elvisit apo Marinit, të qeverisë apo… secili nga ne shpenzimet e një paketë cigareje, të nje kafeje, të një drite festash t’i dërgojmë aty! Në Shqipërinë tonë që po lëngon! Një pako cigare, një kafe me pak… një dritë, një shpresë për fëmijët e Shqipërisë!

1

Leave a Reply