Modeli që dha Kokëdhima, ndryshe nga kjo kastë e korruptuar

Modeli që dha Kokëdhima, ndryshe nga kjo kastë e korruptuar

SOFOKLI DEDI
Paraardhësit tanë luftuan dhe dhanë gjakun për një Shqipëri të bashkuar, të lirë, sovrane e të begatë. Por a jemi ne sot të bashkuar?
Shqiptarët janë të ndarë në 6 shtete e të përçarë në secilin nga këto shtete. Në Shqipëri e Kosovë nuk kemi një politikë të jashtme të përbashkët. Në Maqedoni shqiptarët janë të ndarë në 7 parti, në Mal të Zi në 5 parti, në Luginë në 4 parti e në Greqi nuk ka asnjë parti megjithëse jetojnë 1 milion emigrantë shqiptarë dhe 3 milionë arvanitas të cilet përbëjnë 1/3 e popullsisë. Pasojat e kësaj ndarjeje janë emigrimi masiv, sepse vetëm dy vitet e fundit nga trojet shqiptare u larguan më shumë se gjysmë milion njerëz. Është asimilimi sepse shqiptarët e Malit të Zi dhe të Sanxhakut janë deklaruar si boshnjake ose komb mysliman. Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni janë deklaruar si sllavë, shqiptarët e Greqisë si grekë dhe madje deri para 4 vitesh edhe shqiptarët e Himares deklaroheshin si grekë pasi pushteti në Shqipëri as nuk interesohej e as nuk investonte në këtë zonë.
Shqipëria është vendi ku kemi lindur, jemi rritur dhe kemi dhënë gjakun. Është vendi ku ne me plot shpresë kemi ëndërruar një të ardhme të ndritur për familjet tona. Natyrshëm shtrohet pyetja: A i plotëson dot Shqipëria kërkesat tona? Sigurisht që po. Burimet natyrore, rezervat minerare, pozita gjeografike, deti, uji dhe mali janë pasuritë tona më të mëdha, të cilat shpeshherë kanë tërhequr dhe ushtritë pushtuese. Mirëpo si ka mundësi që Shqipëria është kaq e pasur dhe shqiptarët janë kaq të varfër? Keqmenaxhimi, korrupsioni, krimi i organizuar, koncesionet e pakuptimta dhe sistemi gjyqësor i padrejtë i kanë bërë shqiptarët më të varfër. Shtrohet pyetja kur shteti nuk është i aftë të menaxhoje e të përmbushë detyrat e veta, a mos do ishte më mirë të merrnim dhe ne një qeveri me koncesion? Krimi është forcuar aq shumë, sa qindra tonë me kanabis, por edhe kokainë po kapen nga autoritetet italiane. Ky forcim i krimit, natyrshëm nuk mund të bëhet pa mbështetje politike.
Një familje e papunë mund të marrë një asistencë vetëm 3000 lekë të reja në muaj, vende-vende shkon dhe 1000 lekë të reja dhe kushti është që nuk duhet të kesh pllaka dhe televizor. Kjo nuk të del as për të blerë bukë e jo më të mendosh diçka tjetër. Kjo është qesharake, është tallje me popullin e shkretë, por e vërtetë. Mjafton të shohim Greqinë që, megjithëse në krizë të thellë ekonomike, çdo familje e papunë përfiton 300 euro ndihme ose e thënë ndryshe 13-fishin tonë. Ne studentët nuk kemi asnjë mbështetje financiare nga shteti., Është për të ardhur keq që për çdo gjë duhet të mendojë familja, ndërsa sa i përket punës është shumë e vështirë për të gjetur një të tillë përveç call-center-ave. Kemi një sistem drejtësie që vetëm i tillë nuk është. Sa e sa vrasje kanë ndodhur për konflikte pronësie, për vendime gjykatash të padrejta, madje ka ndodhur që toka u është dhënë njerëzve të inkriminuar që i kanë falsifikuar dokumentet ose janë dënuar me burg për një vrasje 24 vjet.
Punonjësit e administratës jetojnë me stres, me ankth sepse nga momenti ne momenti mund t’i teket partisë ta pushojë nga puna. E për këto teka ne paguajmë nga xhepi plot 20 milionë euro nga taksat tona. Në partitë politike, çdo gjë ndodh sipas porosive të kryetarit ose më saktë të pronarit. Një sistem kaq i mbyllur sa vetëm me komunizmin mund të krahasohej. Një parti arrogante që nuk mban fjalën, me paturpësinë më të madhe që edhe pse 99% e popullsisë është kundër importit të plehrave se ne nuk jemi kosh mbeturinash i Europës; tenton ta miratojë në parlament këtë ligj. Kjo nuk është Shqipëria që ne kemi ëndërruar e Rilindja që i besuam. Po çfarë mund të bëjmë ne të gjithë së bashku? Ne mund ta ndryshojmë këtë vend, mjafton të bëjmë ndryshe të gjithë gjërat që kanë kryer.
Ne jemi forca e ndryshimit, ne mund të bëjmë më shumë për familjen tonë, për vendin tonë. Kjo fillon nga kërkesa legjitime që përfaqësuesit politikë të zgjidhen nga populli ose nga anëtarësia e thjeshtë dhe jo sipas tekave të kryetarit. Kërkojmë një sistem zgjedhor transparent dhe të ndershëm njëlloj si në vendet me demokraci të konsoliduar, si SHBA-të. Në këtë mënyrë ne do të kemi mundësi t’u kërkojmë llogaridhënie të zgjedhurve tanë, do të kemi një garë të ndershme ku gjithësecili prej nesh mund të garojë për çfarëdo lloj posti. Z.Koço Kokëdhima dha një model ndryshe nga kjo kastë e korruptuar. Zyra e tij e deputetit ishte e hapur për plot 3 vite rresht, gjithmonë përkrah qytetarëve. Sot deputetët arrogantë në 4 vjet nuk kanë denjuar t’u hapin telefonin popullit dhe për këtë arsye lëvizin nga deputet në Vlorë, deputet në Lezhë. Për të ardhmen tonë duhet të vendosim ne vetë dhe jo kjo kaste politike e korruptuar. Ndaj duhet t’i marrim fatet e vendit në dorë. Do ta mbyll fjalimin me një shprehje angleze: Çdo gjë është e mundur, asgjë nuk është e pamundur.
*Autori është student i Mjekësisë
6

Leave a Reply