Korrupsion me Pallatin e Drejtësisë!

Korrupsion me Pallatin e Drejtësisë!

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

Ditën e djeshme mediat zbuluan një lojë të madhe që është bërë me tokën publike dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë nëpërmjet qeverisë Rama dhe Dhomës së Avokatisë.

Kjo aferë e realizuar pikërisht me godinën e quajtur “Poli i Drejtësisë”, ku do të instalohen institucionet që do të dalin pas Reformës në Drejtësi, duket se “njollos” që në lindje edhe këtë të fundit. Vetë godina ku do të vendosen SPAK dhe njësitë e tjera të drejtësisë së re, përbën një objekt të mundshëm hetimi për një aferë të madhe korruptive, sipas të gjitha gjasave.

Pikërisht për këtë skandal në horizont ka shkruar ditën e sotme, edhe gazetari i njohur  Klodian Tomorri në faqen e tij në FB duke ngritur edhe disa pyetje retorike për qeverinë dhe Dhomën e Avokatisë.

“Kujt po i shkojnë 11 milionë eurot e Polit të Drejtësisë?

Në vitin 2013, qeveria i dha Dhomës Kombëtare të Avokatisë 25 mijë metra tokë shtetërore falas pranë fushës së Aviacionit. Sipas vendimit, toka u dha me qëllim ndërtimin e Korpusit të Avokatisë dhe nuk lejohej ndryshimi i destinacionit.

Dhoma e Avokatëve e ndërtoi Pallatin. Se me çfarë çmimi dhe se me çfarë parash e financoi, kjo nuk dihet, pasi Dhoma Kombëtare e Avokatisë është një OJF dhe jo Institucion Publik. Nën zë flitet se e gjithë ndërtesa ka kushtuar 2 milionë euro, por ky është informacion i pakonfirmuar, sepse nuk është publik.

Tani Pallatin e ndërtuar mbi tokën e falur shtetërore, qeveria po e ble si zyra për institucionet e reja të drejtësisë. Çmimi i blerjes edhe ky ende jo publik, flitet se është caktuar 11 milionë euro.

Pra 11 milionë euro do të paguajnë qytetarët shqiptarë për Dhomën e Avokatisë, për një pallat të ndërtuar në tokë të falur shtetërore.

1-Kujt po i shkojnë paratë?

2-Si do të përdoren ato?

3-Pse u shkel vendimi i qeverisë, që ndalonte shprehimisht ndryshimin e destinacionit për pronën e falur?

4-Me çfarë baze ligjore është blerë prona?

Sepse ligji nuk e lejon qeverinë të blejë prona private sipas qejfit, por e ka kushtëzuar vetëm me shpronësimet. Edhe këto me çmime të përcaktuara dhe vetëm kur përdoren për vepra publike që kanë rëndësi të veçantë. Nuk e lejon njeri qeverinë të blejë prona private si të dojë, sepse po të ishte ashtu buxheti i shtetit do të masakrohej nga pazaret.

Ky transaksion ka pikëpyetje të mëdha dhe shumë anë të errëta. Është biznes i rëndë, që do të plasë shumë shpejt në publik. Boll më me institucione hibride, që ngrihen për të devijuar paratë e taksapaguesve në llogari të paqarta dhe me mekanizma të dyshimtë”, shkruan gazetari Klodian Tomorri.

Partia ‘Zgjidhja’ fton mediat dhe gazetarët e pavarur të ndriçojnë deri në fund këtë triller korruptiv të qeverisë.

0

Leave a Reply