Koço Kokëdhima: Vota e shqiptarëve dhe presioni i munguar ndërkombëtar

Koço Kokëdhima: Vota e shqiptarëve dhe presioni i munguar ndërkombëtar

Pak ditë, përpara 30 qershorit, diplomatët e huaj nuk kursyen takimet, apo bisedat me qeverinë dhe opozitën. Të hënën, ministri i Jashtëm italian, Enzo Moavero, zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin Rama ashtu dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Basha. Sipas zyrës së shtypit, kreu i diplomacisë italiane theksoi se pavarësisht divergjencave të vlerësimeve mes forcave politike është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës dhe opinionet e qëndrimet përkatëse të shprehen në mënyrë demokratike.

Dy ditë më parë, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Shqipëri, Leyla Moses-Ones takoi në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Pas saj, edhe Ambasadori i BE-së Luigi Soreca i shkoi në zyrë kreut të PD-së, që u shpreh më pas se zgjedhje pa opozitën nuk ka më 30 qershor.

Nuk është e vështirë të kuptohet tema e bisedës së diplomatëve të huaj me kreun e PD-së. Ata janë të fokusuar te garantimi i 30 qershorit pa dhunë, duke frenuar militantët dhe drejtuesit qendrorë e vendorë të PD-së apo LSI-së që të bllokojnë me çdo mënyrë procesin e votimeve.

Partia ‘Zgjidhja’ e ka vlerësuar rolin e ndërkombëtarëve në reduktimin e dhunës gjatë protestave të PD-LSI-së. Ajo është deklaruar se protesta është një e drejtë kushtetuese, që nuk duhet njollosur nga lëndimi i njerëzve, aktet vandale, shkatërrimi i pronës publike dhe private dhe se asnjë pushtet i marrë me dhunë nuk ka të ardhme.

Por ‘Zgjidhja’ është e shqetësuar që diplomatët e huaj kanalizuan energjitë e tyre për të frenuar dhunën në protesta apo më 30 qershor, dhe ‘harruan’ gjatë viteve të shkuara për të bërë presionin demokratik ndaj partive të vjetra që ato ta heqin nga planet e tyre ‘rezervë’ dhunën fizike, apo atë institucionale ndaj votuesve shqiptarë.

E kam deklaruar shpeshherë se zgjidhja e krizës ciklike të Shqipërisë duhet të vijë nga brenda, nga ndërgjegjësimi i faktorit të brendshëm politik, apo i inteligjencës së vendit dhe se nuk mund të presim përjetësisht që të huajt t’i zgjidhin problemet e shtëpisë tonë. Por, nga ana tjetër, kam apeluar për presionin dhe rrethimin demokratik të autokracisë së Tiranës, që ajo të pranojë rregullat e lojës së demokracive perëndimore, të heqë dorë nga metodat staliniste të proceseve elektorale ku populli voton, partitë numërojnë. Ndaj i kam përdorur si referenca deklarimet e Departamentit të Shtetit, apo kushtin për reformën zgjedhore të Progres-raportit të BE-së në vitin 2018, nëse Shqipëria donte të merrte hapjen e negociatave.

Me këtë shqetësim qytetar dhe politik që në 18 korrik 2017 u dërgova një letër ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt; ambasadorit Peter Tejler, kreu i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të 25 qershorit si dhe për dijeni z.Donald Lu, ish-ambasador i SHBA-ve dhe Romana Vlahutin, ish-ambasadore e BE-së. Në letër shpreha shqetësimi për hapin prapa që u bë në zgjedhjet e 25 qershorit si dhe u kërkova partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të vendoseshin përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, sepse pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

E ilustrova këtë me rinumërimin e 64 kutive në Tiranë që ishte shembulli emblematik i asaj çfarë  ndodhi më 25 qershor 2017 në mbarë vendin. Vetëm në 7 kuti nuk ishte deformuar vullneti i zgjedhësve, ndërsa në 57 kutitë e tjera votat e partive të vogla u numëruan për llogari të katër partive që administruan zgjedhjet.

Thashë, me të tjerash, se zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit do të prodhonin deformime edhe më të thella, korrupsion, keqqeverisje, stanjacion ekonomik, kriminalitet, varfëri, papunësi, emigrim të madh dhe destabilizim.

Prej asaj kohe kanë kaluar dy vite. Nuk i kam rreshtur përpjekjet e mia për të ndërgjegjësuar faktorin ndërkombëtar, përmes letrave në kancelaritë e huaja, ashtu siç vijoja takimet dhe artikulimet e tezave që tashmë janë bërë aq popullore dhe perifrazohen nga partitë dhe shoqëria civile.

Tetorin e shkuar zhvillova një takim edhe me kreun e OSBE-së në Tiranë, z.Borchardt dhe tre muaj më parë edhe me Zëvendës Shefen e Delegacionit të Bashkimit Europian Monika Bylaite, në mungesë të z.Soreca.

U kam parashtruar të gjithëve një kërkesë minimaliste: ‘Na ndihmoni edhe ne që të bëjmë zgjedhje të lira dhe të barbarta, siç i bëni prej shekujsh dhe dekadash në vendet tuaja’. U kam kërkuar që të na ndihmojnë në përpjekjen tonë për të çliruar zgjedhjet nga administrimi i partive, që si askund në ndonjë vend demokratik, kontrollojnë gjithçka, nga procesi i votimit deri te numërimi dhe përfitojnë rezultatin që dëshirojnë.

Përmes Paktit Kombëtar kam kërkuar një reformë zgjedhore dhe kushtetuese, gjithëpërfshirëse, administratë zgjedhore jopolitike, siç është në çdo vend jashtë kufijve të Shqipërisë dhe jo të kapur nga dy-tre parti, nga KQZ-ja, deri te numëruesit e votave. Pra jo siç janë bërë zgjedhjet deri më sot dhe do të bëhen votimet e 30 qershorit.

Nuk ka tallje më të madhe me popullin, por edhe me vëzhguesit e huaj dhe miqtë e Shqipërisë se drama që gatuhet nga partitë nga KQZ-ja deri te grupet e numërimit të votave. Ja p.sh. dje, KQZ-ja  vendosi që të plotësojë grupet e numërimit të 30 qershorit, në mungesë të përfaqësuesve të PD-së dhe të LSI-së. Në vend të tyre do të jenë dy përfaqësues nga PS dhe dy “përfaqësues së shoqërisë civile” që do t’i gjejë sërish PS-ja. Këto trupa numëruesish me shumicë PS-je do të numërojnë votat e 30 qershorit, ku në 31 bashki ka kandidatë vetëm PS-ja.

Këto votime qesharake do të mbahen mend gjatë në Shqipëri, dhe jo prej dhunës parazgjedhore dhe asaj prej asaj që pritet të ndodhë më 30 qershor. E garantoj këtë. Do të jenë qesharake si paragrafët e raportit paraprak të misionit të OSBE/ODIHR-it që thotë si përherë se:‘Këto zgjedhje do të mbahen në një klimë tejet të polarizuar politike’, kur Shqipëria, në fakt, rrezikon përplasjen civile. Të shqetësuar për dhunën, ndërkombëtarët po presin të certifikojnë votimet që i organizojnë po ata që bënë maskaradën zgjedhore në Dibër në vitin 2016, duke blerë 120 mijë lekë katër vota, duke vënë në rresht administratën dhe duke i kërkcënuar ata dhe familjarët e tyre me bukën e gojës, pra duke ecur në rrugën e krimeve zgjedhore që kishte bërë ndër vite PD-ja dhe PS-ja. Po kështu edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Dhe po kështu edhe për votimet e 30 qershorit, ku, edhe pse pa kandidatë rivalë, PS-së i duhet pjesëmarrja e lartë në votime, duke shpërndarë formularë me personin e patronazhit, emrat e votuesve, qendrën e votimit e deri edhe vendet ku do të takohen për të siguruar votën.

Unë mbetem besnik i idesë se zgjidhja për krizën që rrotullohet mbi kokat e shqiptarëve prej vitesh duhet të vijë nga brenda. Por, sërish, nuk mund të rri pa apeluar miqtë e Shqipërisë: Na ndihmoni të shpëtojmë nga dhuna e partive të vjetra që kanë kapur për fyti Shqipërinë. Na ndihmoni, me presionin dhe rrethimin demokratik, që ato të lëshojnë zgjedhjet, që shqiptarët të votojnë si në çdo vend demokratik. Atëherë s’do të keni më nevojë të silleni si guvernatorë, sepse qeverisjen do ta ketë në dorë populli dhe jo partitë.

 

1

Leave a Reply