Koço Kokëdhima: Të çlirojmë zgjedhjet nga oligopoli PS-PD

Koço Kokëdhima: Të çlirojmë zgjedhjet nga oligopoli PS-PD

Fjala e kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’ në takimin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore

Shumë nga ju që jeni këtu në Komision ju njoh prej kohësh. Diskutimi i sotëm më duket se është kapur për bishti dhe jo për koke. Edhe ata persona që janë në nivelin Bachelor të edukimit e kuptojnë se ky diskutim fillon me hierarkinë e objektivave strategjike që dëshirojmë të arrijmë. Pyetja e parë është: Cilat janë objektivat që duhen arritur përmes reformës zgjedhore dhe reformës së sistemit politik? Si janë të lidhura dhe të kushtëzuara çështjet që diskutojmë sot me njërën ose tjetrën nga reformat në fjalë? Çfarë duam të zgjidhim ne? Në qoftë se halli jonë është vetëm që të kemi mirëkuptimin e OSBE/ODHIR-it, se ne po bëjmë disa gjëra që kërkojnë ata, unë do të thosha që nuk ia vlen mundimi.  Mund t’i bëni vetë ato qoka e përpjekje për t’u hedhur hi syve ndërkombëtarëve dhe ta kurseni kohën tonë.

Gjëja e parë që duam të rregullojmë është të çlirojmë zgjedhjet nga oligopoli PS-PD. Së dyti, kërkojmë të demokratizojmë partitë dhe t’u heqim dy-tre kryetarëve të partive të vjetra pushtetin abuziv, përmes të cilit ata po i marrin shpirtin dhe gjithçka popullit shqiptar dhe vendit tonë. Dy-tre kryetarë partie emërojnë e kontrollojnë parlamentin dhe të gjitha pushtetet e tjera në Shqipëri. Shqiptarët  janë penge të kësaj politike dhe të kryetarit tuaj. Ti kryetar (i drejtohet Damian Gjiknurit) nuk bëhesh dot deputet po nuk deshi kryetari yt. Ti je një hiç, nul, asgjë, sapo kryetari yt të vendosë kështu për ty. Kur them ty, nuk të kam parasysh vetëm ty si person, por kam parasysh çdo deputet. Deputetët e Shqipërisë janë punëtorë të emëruar dhe më vjen shumë keq nëse do të ma konsideroni këtë deklaratë si mungesë respekti. Deputetët tanë janë punëtorë të emëruar të 2-3 njerëzve dhe gjithë Shqipëria është në funksion të pushtetit dhe të pasurisë së këtyre 2-3 njerëzve. Gjithçka në këtë vend është në funksion të tyre. Sa do të vazhdojmë ne të gënjejmë njëri-tjetrin? Ç’nevojë kemi ne të manipulojmë dhe të gënjejmë njëri-tjetrin? Unë kam një paragjykim zotërinj. Shkoj me respekt në çdo debat dhe jam shumë i interesuar të mësoj nga të gjithë njerëzit që flasin, por kam një paragjykim të madh sa herë vij këtu. Kur nisem për këtu them me veten time: “Po vij, por nuk po flas me njerëzit e duhur”. Sepse ju këtu nuk keni gjë në dorë. Ky krahu këtej (tregon deputetët e PS-së) që shumica janë miqtë e mi, nuk do t’i donte hiç t’i kishte përballë këta ta tjerët (tregon deputetët e opozitës së re) dhe ju nuk i llogarisni fare këta të tjerët si faktor për bërjen e kësaj reforme. Ju thjesht po konsumoni show-n që duhet ta bëni, për funksionet që keni, ose se kështu është roli që ju ka ngarkuar kryetari.

I keni lënë veton PD-së. Pa dëshirën e saj, siç deklaroni ju nuk bëhet asgjë. Po përse diskutoni me ne të tjerët atëherë? Kë doni të mashtroni me këto diskutime? Ju keni vendosur ta bëni këtë punë vetëm me PD-në, vetëm me Lulzim Bashën. Ju nuk keni bërë asnjë hapje reale për të dëgjuar shoqërinë civile, grupet e interesit apo popullin shqiptar. S’keni asnjë interes, sepse as ju s’keni gjë në dorë. Lideri juaj e ka ndarë që këtë reformë do ta bëjë me Lulzimin (Bashën). Pse? Sepse nuk duan të reformojnë zgjedhjet. Nuk duan të demokratizojnë as zgjedhjet, as qeverisjen, as vendin. Shqipëria nuk sundohet nga ligjet, nuk sundohet nga kushtetuta. Shqipëria sundohet nga marrëveshja PS-PD, nga kjo marrëveshja e tyre që vazhdon të jetë në fuqi të plotë dhe diskutimi që bëjmë sot nuk është asgjë më shumë se një farsë e radhës, sepse ju keni dhënë të gjitha provat e mjaftueshme që edhe kjo çështje është mbyllur me marrëveshjen midis këtyre dy kryetarëve. Nuk ke vullnet Damian. Unë të kam dëgjuar ty. Nuk ke vullnet ti për të diskutuar sistemin. Sepse nuk kanë vullnet ata kryetarët tuaj që të diskutojnë sistemin. Ma thuaj ti që ke një kulturë të mirë menaxheriale se si mund të diskutohet një çështje kaq e madhe si reforma zgjedhore pa patur një projekt politik që shpjegohet me 10 fjali? Gjithë vizioni i opozitës do të përmblidhej me 10 fjali që duhet t’i deklarojë kryetari i PD-së. Kush është vizioni i tij për këtë krizë? Po vizioni dhe projekti i liderit të Partisë Socialiste? Dhe përpara se të nisim ne të disktutojmë këto episodet, jo këmba, jo këpuca, jo dega, duhet të kemi në tavolinë vizionin: Ku do të shkojmë dhe çfarë do të zgjidhim me këtë reformë?

Ne duam që të zgjidhim krizën që e mban peng vendin për vite e vite me radhë. Zotërinj të nderuar deputetë dhe anëtarë të këtij komisioni, ju doni ta zgjidhni këtë krizë? Jo, nuk doni ta zgjidhni. Sepse nuk keni lirinë të mendoni për të zgjidhur krizën. Të zgjidhësh krizën do të thotë t’i rrëzosh amendimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Të zgjidhësh krizën, zotërinj, do të thotë që të çlirosh zgjedhjet. Ju i vidhni zgjedhjet, sistematikisht. Partia Demokratike është kusari i parë i zgjedhjeve në të gjithë historinë e Shqipërisë dhe ju (Partia Socialiste) ndoqët modelin e saj. Jeni bërë njësoj, ia keni kaluar PD-së në të gjitha veset dhe punët e këqia që ka bërë. Zgjedhjet shqiptare nuk kanë integritet, nuk i beson askush. Si mund të vendoset integriteti i zgjedhjeve? Duke i transportuar kutitë e votimit akoma ju, shtigjeve, pyjeve, natën, andej-këtej? Apo duke u numëruar kutitë e votimit atje ku mbushen, atje ku votohet? Këto janë gjëra shumë të thjeshta që i kupton kushdo. Nëse do të kishim vullnet që t’i kthenim integritetin zgjedhjeve, kjo gjë do të ishte e mundur. Partitë tuaja nuk mund të rikthejnë zgjedhjet me integritet prandaj oligopoli i tyre mbi zgjedhjet duhet të shembet. Ne nuk duam zgjedhje të organizuara e administruara nga partitë tuaja.

Ne duam që me këtë reformë të rivendosim sovranitetin e popullit, deputetët të mos i emërojnë më kryetarët e partive, por t’i zgjedhë populli përmes zgjedhjeve me integritet të plotë. Por kush do t’ia japë këto zgjedhje popullit? Marrëveshja juaj me PD-në? Ja pra që ky diskutim është i nisur mbrapsht. Dhe ky komisioni këtu duhej të ishte i ndërtuar dhe i përbërë ndryshe. Ne e kemi propozuar. Duhet të ishte një konstitucionialist i paparti në vendin tuaj zoti Damian dhe ky komision duhet të kishte një përbërje gjithëpërfshirëse. Duhet të kishte aktorë të rëndësishëm në përbërje të tij. E tha z.Kume që ju duhet të ndiheni të barabartë me qytetarët e Shqipërisë. Ju  zotërinj duhet të zgjidhni me kë të bëheni palë. Me kryetarët tuaj? Ata kanë arsye që e mbrojnë këtë sistem, këtë status-quo. Ky komision duhet të ketë aktorë të vërtetë. Këta (u drejtohet deputetëve të opozitës së re), unë i besoj, jo se janë burra ose gra më të mirë se ju, por se kanë një qasje të ndershme ndaj reformave që diskutojmë. Janë të motivuar ndershmërisht. Karriera e tyre politike nuk është e lidhur as me PD-në, as me PS-në. Karriera e tyre politike është e lidhur me lirinë e zgjedhjeve, me lirinë e votës. Nëse populli do t’i vlerësojë për atë që po bëjnë, atëherë mund të kenë ndonjë shans që të ecin përpara në politikë, nëse populli nuk do t’i vlerësojë ata nuk do jenë më në politikë. Por jo ky populli i sotëm, ky populli i shtypur dhe i robëruar, por ai i çliruar nga sundimi i kryetarëve të partive tuaja.

 

 

0

Leave a Reply