Koço Kokëdhima: Tallja me Shkodrën

Koço Kokëdhima: Tallja me Shkodrën

Dje Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ndërpreu buxhetin për financimin e pagesave për bashkinë e Shkodrës që ende mbahet nga PD, ndërsa qeveria zgjodhi në gjysëmilegalitet këshillin e ri bashkiak, në mungesë të kryetarit të ri të bashkisë, që doli i dënuar në Itali, gati dy dekada më parë.

Konflikti i partive të vjetra do ta penalizojë Shkodrën dhe banorët e saj dhe ky është lajm i keq. Lajmi i mirë është se ato në këtë kryeqendër të Veriut janë diskredituar plotësisht, si organizata të kriminalizuara që tallen me këdo, vetëm për të përfituar politikisht dhe materialisht. Në të gjitha rangjet e pushtetit Rama imponon emrat dhe zgjedhjet e tij personale pa pyetur askënd.

Diskutimet e dy ditëve më parë në mbledhjen e zhvilluar në selinë e PS-së Shkodër, për zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak, nënkryetarëve dhe anëtarëve për këshill qarku, janë sa denoncuese, aq edhe neveritëse, tregojnë se ku ka përfunduar PS-ja nën thundrën e Ramës. Gati të gjithë përfaqësuesit e PS-së vendore janë kundër urdhrave politikë të ardhur nga Tirana. Lexoni në linkun http://www.gazetadita.al/ne-nuk-jemi-dele-ja-cfare-ka-ndodhur-ne-mbledhjen-e-ps-ne-shkoder/:

“Tereze Brigja: Ne nuk jemi dele që na vini me këta urdhëra. Së pari të vini e të kërkoni falje për kryetarin që kishim. Nuk kam gjë kundra emrit që propozoni! Por e njohu KM Valdrinin që na e solli pa pyet?? Po ashtu pa na pyet e pa e njohtë po na sjell dhe këtë herë! Na turpëruat. U detyrohemi falje njerëzve që përfaqësojmë e mos ta shtojmë turpin…

Senida Mesi:Të mirëkuptoj. Nuk të heq një presje. Por ky është një urdhër politik. Të tillë do të ndeshni shpesh edhe kur të jeni në Këshill Bashkiak.

Blediana Nika: Së pari të vinë të na kërkojnë falje. Edhe ju që jeni aty, po…po. Se nuk u morët vesh ju në këta 2.5 vite jemi në këtë gjendje që na katapultojnë njerëz pa na pyet. Unë flas e kam të drejtë të flas, se kam sjellë më shumë vota se secili në këtë sallë….Dhe mos më drejto gishtin mua kur flet!!….”

Partitë e vjetra nuk pyesin as për forume, as për mendimin e bazës dhe çdo emër del nga xhepi i kryetarit të partisë.

PS dhe PD janë kampione të autokracisë në drejtim dhe vendimmarrje, duke shkatërruar demokracinë dhe garën e brendshme në parti, duke imponuar drejtues pa meritë dhe përkrahje në popull.

Beteja për Shkodrën është qesharake dhe e dhimbshme. PS dhe PD nuk kanë hallin e popullit. Nuk e kanë patur asnjëherë. Duan të kenë apo të marrin një ‘kala’ më shumë për punësime, tendera, vjedhje, rritje taksash.

Shkodra ka patur fatin më të keq në tranzicionin e dhimbshëm shqiptar të këtyre 29 viteve. E ka paguar me gjakun e bijve të saj demokracinë, por nuk e jetoi atë. PD-ja, në emër të kartës së antikomunizmit, e ka mbajtur peng kryeqendrën e Veriut. Sali Berisha e përmbyti dy herë Shkodrën për biznesin e energjisë, në vitet 2010-2012, dhe ende nuk janë dhënë dëmshpërblimet për të përmbyturit. Zona përfitoi shumë pak prej financimeve shtetërore dhe një pedonale është tallje për shkodranët dhe rajonin që ka aq shumë resurse natyrore dhe tradita.

Rama, prej vitit 2013 në pushtet, i ka dhënë bashkisë së Shkodrës fonde qesharake dhe bashkia më e madhe e Veriut të Shqipërisë, ka qenë në fund të listës së financimeve nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, duke u renditur pas bashkive Patos, Roskovec apo Vorë. Shkodra ka përfituar 20 herë më pak fonde se Tirana, 9 herë më pak se Korça dhe Durrësi, 7 herë më pak se Elbasani dhe 5 herë më pak fonde se Divjaka.

Sot, qeveria sillet si ajo kuçedra që pret ujin e burimit, duke mos lëvruar thesarin, si beteja e pushtuesve me të rrethuarit, duke harruar se pasojat do t’i vuajnë banorët e bashkisë dhe jo drejtuesit e saj politikë, të cilëve u duket se do të dalin si heronj nga kjo betejë e ndyrë politike.

Zgjidhja për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë janë zgjedhjet e lira dhe të barbarta, kandidatët e zgjedhur nga populli dhe jo ata të nxjerrë nga xhepi i kryetarëve. Farsat zgjedhore, si ajo e 30 qershorit, do të lënë pas socialistë të turpëruar dhe demokratë që gënjehen ende me kartën e antikomunizmit.

1

Leave a Reply