Koço Kokëdhima: Si vjen fundi i mafies politike?!

Koço Kokëdhima: Si vjen fundi i mafies politike?!

Nëse ka një çështje penale tipike, nga e cila mund të merrej shtysa për të goditur njëherë e mirë krimin më të madh që i është bërë Shqipërisë dhe njëkohësisht, klasa politike të reflektojë që më në fund të hapet  një epoke e re për demokracinë funksionale, ajo është “Dosja 184”.

Aty brenda del qartë, se si, në bashkëpunim perfekt, mafiozët e zonës, shefat e policisë, drejtuesit e administratës lokale dhe deri te kryeministri e  ministrat kryesorë të qeverisë së tij, janë përfshirë në një plan për të blerë, vjedhur dhe marrë me dhunë votat e shqiptarëve.

Pas përgjimeve të publikuara nga `BILD` doli se “objektivat” e kryeministrit për të blerë vota ishin zbatuar me zell dhe përpikmëri; se kreu i fushatës, njëkohësisht ministër i Infrastrukturës, kishte bërë “një tërmet” me votat e mbledhura; se drejtori i Arsimit kërcënonin me vendin e punës mësuesit e drejtorët e shkollave; se shefi i policisë ishte koka e operacionit kriminal, me bekimin e kryetarëve të Komisionit të Sigurisë dhe atij të Ligjeve.

Nuk kishte se si të mungonte në krye të tavolinës që festonte dhe shpërndante “grada” për këtë masakër të votës, as vetë Kumbari Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, i cili nga ana e vetë siguronte “ushtarin” e tij në Dibër shef policie, që “të mos e rr….e”.

Kjo dosje tregon qartë, se si ka funksionuar mafia politike në Shqipëri gjatë këtyre 30 viteve, nëpërmjet skemës; bëj vota së bashku me krimin e organizuar për të kapur pushtet; shfrytëzo shtetin për të shpërblyer krimin e organizuar e atë “ekonomik” që këta të bëjnë pasuri; më pas me një pjesë të miliardave të grabitura bli zgjedhjet e radhës, për pushtetin e radhës dhe kështu pambarim.

E reja me rastin e “Dosjes 184” është se Edi Rama dhe organizata e tij po demonstron hapur dhe me arrogancë, se ka kthyer në shërbëtorë të bindur edhe ata që duhej ta hetonin dhe jo ta mbyllnin këtë krim të organizuar nga e gjithë kupola e shtetit dhe partisë në pushtet, siç po ndodh aktualisht.

Kapja e prokurorisë nga mafia politike nuk është një gjë e re, në këto 30 vite. Ajo ka menduar dhe ka investuar një pjesë të mirë të pushtetit dhe pasurisë të grabitur nga shqiptarët, që të mos rrezikohet nga drejtësia. Gangrena 30-vjeçare që ka lënë Shqipërinë në këtë derexhe varfërie dhe depresioni jo vetëm ekonomik, është pikërisht kjo mafie, që shfaqet herë me ngjyrë blu, herë si tani me ngjyrë mavi, e shpesh herë kur rrezikohen të bashkuar në NJË, blu e mavi. Fuqinë kjo organizatë kriminale e maskuar nën petkun e partive dhe të politikanëve, e ka pikërisht te tjetërsimi dhe kapja e votës së lirë të qytetarëve. Ky është thelbi i asaj që partia “Zgjidhja” qysh nga themelimi i saj, e ngre si alarm kombëtar.

Ditën e djeshme u mësua lajmi se organi i akuzës e varrosi “Dosjen 184” duke e quajtur kapjen në flagrancë të të gjithë kupolës së Rilndjes jo “krim i organizuar”, por “bashkëpunim i thjeshtë”.

Po ditën e djeshme në darkë, Lulzim Basha, në një intervistë me gazetarin, Çim Peka, deklaroi qartë për herë të parë se zgjidhja e kësaj krize të paprecedentë ku ka ngecur vendi dhe politika, arrihet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Por kushtet dhe mënyra se si e mendon dhe e ka në plan kreu i PD-së këtë, ishte po ajo që kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre kohëve’; vetëm zgjedhje pa Edi Ramën dhe me një qeveri tranzitore.

Sërish asnjë fjalë për përmbysjen e skemës që aplikon mafia politike në këto 30 vite; atë që prodhon “Dibra” e qeveri grabitqare e kriminale si kjo e Ramës prej 6 vitesh në pushtet. Asnjë reflektim për atë që opinioni i brendshëm dhe ndërkombëtarët po e kërkojnë me insistim, madje këta të fundit e kanë vënë si kusht të panegociueshëm (Paralel me instalimin e Drejtësisë së re), reformën kushtetuese dhe zgjedhore për të rrëzuar së pari paktin Berisha-Rama të vitit 2008.

PD nuk po reflekton për Paktin Kombëtar dhe Platformën e Lirisë që ka propozuar partia “Zgjidhja” dhe që është mbështetur nga shumica e shqiptarëve, faktorëve politik ëdhe intelektualë në vend.

Prandaj revolta e PD-së për “varrimin” që po i bëhet `Dosjes 184`, duket se është hipokrizia e radhës. Është fitim kohe derisa mafia politike që është maskuar si `partitë e mëdha`, të bëjë pazarin e radhës dhe jo t’i nënshtrohet Paktit Kombëtar për instalimin e demokracisë përfaqësuese e funksionale, që kërkojnë më në fund pas 30 vitesh shqiptarët;

T’i bëjmë funeralin mafies politike 30-vjeçare. Për këtë ka vetëm një rrugë: çlirimi përfundimtar i votës!

1

Leave a Reply