Koço Kokëdhima: ‘Shengeni me sllavët’ mbi ‘Shengenin shqiptar’

Koço Kokëdhima: ‘Shengeni me sllavët’ mbi ‘Shengenin shqiptar’

 

Çdo gjë do të mbetet peng në Ballkan, përderisa Kosova të mos njihet si shtet i pavarur. Edhe tregtia e lirë, edhe i ashtuquajturi ‘Shengeni ballkanik’ që duan të bëjnë presidenti serb, Vuçiç dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Zaev, siç vendosën të dielën në Ohër.

Kur një vit më parë, kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi taksën 100 për qind për mallrat që hynin nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, Kosova kishte kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe po organizonte takimin e radhës në Prishtinë. Serbia dhe Bosnje-Hercegovina refuzuan të dërgojnë ministrat e Tregtisë, në shenjë proteste për taksën.

Deri në dhjetor 2008, mallrat e Kosovës eksportoheshin në Bosnjë e Serbi pa probleme, meqë ato kishin vulat e Misionit të Kombeve të Bashkuara. Por u bllokuan tërësisht pas kalimit të përgjegjësive nga doganat e UNMIK-ut tek institucionet e vendit. Bosnje-Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa për Serbinë, ajo është ende pjesë e saj. Prej asaj kohe këto dy shtete ndaluan çdo prodhim “Made in Kosova”, ndërsa ato lejoheshin të fusnin prodhimet e tyre të shumta pa taksa.

Në nëntor 2018, qeveria ‘Haradinaj’ vendosi fillimisht taksën 10 për qind për këto dy shtete dhe më pas e bëri 100 për qind si kundërpërgjigje ndaj politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe të diplomacisë serbe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Kosova ishte shprehur me kohë kundër marrëveshjes së CEFTA-s, sepse vetëm në një dekadë (2005-2015) kishte importuar mbi 7 miliardë euro (7.259)  apo (88.2%) mallra dhe eksportoi më pak se një miliard euro, me një bilanc tregtar negativ prej rreth 6 miliardë eurosh. Kjo situatë vijoi edhe në vitet më pas, duke e bërë Kosovën shtet të mbytur nga mallrat sllave pa taksa.

Serbisë i kushtoi në një vit rreth 380 milionë euro vendosja e taksës 100 për qind nga Kosova, ndaj po kërkon ta kompensojë me ‘Shengenin ballkanik’, me të cilin Vuçiç thotë se do të kursehen 260 milionë euro, ku më shumë përfiton vendi i tij.

Mediat pranë qeverisë shqiptare thonë se vendi do të përfitojë më shumë se Serbia apo Maqedonia e Veriut nga lëvizja e mallrave dhe e njerëzve pa kufizime. Ato citojnë shifrat zyrtare të vitit 2018, ku Shqipëria eksportoi drejt Serbisë në total 315 milionë dollarë mallra, shumica minerale dhe karburant dhe importoi rreth 170 milionë mallra serbe.

Madje thuhet se do të fitojnë më shumë fermerët shqiptarë, sepse, nëse vitin 2018, Shqipëria eksportoi në Serbi 25 milionë dollarë perime dhe zarzavate, si dhe 6.2 milionë dollarë fruta, shalqi dhe pjepër, pas ‘shengenit sllav’, do të mund të tregtojnë produktet e tyre në një rajon shumë më të gjerë pa taksa doganore. Dhe më tej shtohen si përfitues operatorët turistikë, kompanitë që tregtojnë minerale, materiale ndërtimi si dhe fasonët, apo produktet e detit. Qeveria përllogarit se fermerët shqiptarë mund të përfitojnë deri në 30 milionë dollarë më shumë vetëm nga tregu serb dhe rreth 50 milionë  dollarë në të gjithë ‘minishengenin’.

‘Zgjidhja’ ka paralajmëruar që në korrik 2017, pas samitit të Triestes, kur u hodh ideja e ‘Minishengenit ballkanik’ se Shqipëria do të përmbytet nga produktet sllave të subvencionuara nga qeveritë e tyre ndryshe nga Shqipëria që e ka lënë bujqësinë dhe agropërpunimin në dorën e Zotit.

‘Shqyerja’ totale e tregjeve në rajon, me bujqësinë tonë të falimentuar e thellësisht të prapambetur do t’i shndërrojë konsumatorët shqiptarë në shtojca të tregut sllav, produktet e të cilëve do të mbysin tregun, duke falimentuar fermerët dhe duke i kthyer edhe ata që kanë mbetur në argatë në Greqi dhe Itali e duke lënë djerrë tokat këtu. Maqedonia e Veriut e subvencionon bujqësinë dhe ushqimin me 150 milionë euro në vit vetëm nga buxheti i saj i shtetit dhe e ka mbytur tashmë tregun shqiptar dhe po kështu edhe Serbia.

Partia ‘Zgjidhja e ka prioritet kryesor që Shqipëria ta prodhojë vetë ushqimin bazë të popullit. Rama i harxhoi vitet me spektakëlin ‘patriotik’ Shqipëri-Kosovë, me mbledhje qeverish pa asnjë rezultat. Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti mbi 50, por shkëmbimet mes dy vendeve mbeten minimale.

Barrierat kufitare mes dy vendeve shqiptare i kanë bërë këto marrëveshje të pavlera.  Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, tregtia me Shqipërinë, përveç tarifave doganore, ka kosto për shkak të tarifave në Rrugën e Kombit dhe një tarifë skanimi, koncesione të Ramës dhe të Berishës, të cilat nuk aplikohen nga vendet e tjera me të cilat Kosova ka bashkëpunim tregtar. Sipas një studimi për tregtinë e jashtme, Kosova ka barrierat më të larta tregtare me Shqipërinë, pasi duhet të plotësohen 8 dokumente, ndërsa me vendet e tjera nuk janë më shumë se 6 a 7 të tilla.

Një biznes shqiptar ka shumë kosto dhe i duhet shumë kohë për procesin e zhdoganimit. Specialistët e ekonomisë janë shprehur se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin modelin e BE për doganat, duke thjeshtuar procedurat dhe kostot deri te implementimi i sistemit fiskal të unifikuar mes dy vendeve dhe përgatitjen e kushteve për heqjen e pikave doganore.

Tregu unik, me pak vizion dhe përpjekje, tashmë mund të ishte krijuar, sepse të dy shtetet kanë struktura të ngjashme të ekonomisë si në bujqësi, industri apo tregti, plus mentalitetit të njëjtë në të dy anët e kufirit dhe, nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë, taksat dhe politikat ekonomike, tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë do të kishte rreth 5 milionë konsumatorë në një territor prej 39 mijë kilometrash katrorë. Do të ishte një ‘Shengen shqiptar’, shumë herë më përfitues për të dyja vendet, se sa ‘Shengeni me sllavët’ që kërkon Rama, për t’i ngulur një thikë pas shpine Kosovës dhe interesave shqiptare në rajon.

0

Leave a Reply