Koço Kokëdhima: Rruga e vetme, që shpëton Shqipërinë!

Koço Kokëdhima: Rruga e vetme, që shpëton Shqipërinë!

 

Pavarësisht se përfaqësuesit e dy partive, PD-LSI, në KQZ i firmosën dhe i njohën rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2017, për të gjithë ishte e qartë se Edi Rama dhe Rilindja, edhe pse pa asnjë program dhe madje pa asnjë premtim, i kishte fituar ato më së shumti, si shpërblim dhe pasojë e asaj që ndodhi në vitin 2016, me kanabizimin e vendit dhe lulëzimin e trafikut të drogës, me kapjen e shtetit dhe të zgjedhjeve. Nëse opozita parlamentare këtë gjë e deklaroi vetëm pasi pa që Edi Rama nuk po i përmbahej marrëveshjeve të fshehta me liderët e tyre, ZGJIDHJA, nëpërmjet thirrjes për bojkot që gjatë fushatës elektorale, ishte e qartë dhe e sigurt për atë që po ndodhte dhe pasojat që do të vinin nga një qeverisje e dalë nga votat e mbledhura, në bashkëpunim me krimin.

Në tryezën e Frontit Opozitar, mbajtur më 18 tetor 2017, në fjalën time si kryetar i “Zgjidhja” u kërkova Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, që vendi duhej të shkonte urgjentisht në zgjedhje të parakohshme pasi qeveria e drogës në vazhdim do të prodhonte vetëm kriza dhe fuqizim të krimit në çdo fushë, veçanërisht në ekonomi. Kërkova që ky Front Opozitar që vdiq po aq shpejt sa lindi, të rriste presionin nëpërmjet nisjes së një lëvizjeje popullore, për të ndërprerë qeverisjen e Edi Ramës dhe për futjen e vendit në zgjedhje të reja, por me një kusht madhor: Krijimin e një qeverie tranzitore që do të përgatiste një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse përgjatë vitit 2018, e cila do të çlironte zgjedhjet nga kthetrat e partive dhe rrjedhimisht edhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar.

Kërkova që atëherë atë që artikulon sot Gjermania zyrtare, krijimin e një dosjeje për bëmat kriminale dhe korruptive të Ramës dhe të organizatës që ai drejton në pushtet dhe vënien kështu të tij, nën hetim.

Nuk dëgjuan dhe ja ku jemi sot pas kaq kohësh të humbura kot nga opozita parlamentare, e cila nuk e mbështeti atë projekt të partisë “Zgjidhja”, duke shpresuar në lojëra dhe marrëveshje të fshehta dhe të hapura me Edi Ramën, siç ka ndodhur mes këtyre partive gjithmonë.

Vendi, parlamenti, sistemi, politika dhe ajo pak demokraci formale që kishim janë bllokuar dhe rrezikohet, që Shqipëria të përfshihet në kolaps dhe konflikte të mëdha sociale. Ne jemi deklaruar pro dhe e kemi përshëndetur vendimin e partive opozitare parlamentare, për të dorëzuar në bllok mandatet-fasadë. Por gjithashtu ne dimë dhe duhet ta dinë të gjithë shqiptarët që në këtë pikë u arrit, vetëm pasi u prishën zgjedhjet dhe liritë republikane u zëvendësuan me marrëveshjet e fshehta dhe të hapura të tri partive të vjetra.

Gjithsesi kur të shkruhet historia politike e tranzicionit shqiptar post-diktaturë, do të kemi një bilanc për atë që i kanë bërë në të vërtetë të gjitha këto parti vendit dhe ardhmërisë së shqiptarëve.

Shqiptarët, po veçanërisht krerët e opozitës ish-parlamentare, e dinë se marrëveshjet e fshehta tashmë, nuk pranohen as nga militantë e tyre më të thekur. Pra jemi në një situatë që Edi Rama, me ndihmën e disa segmentëve ndërkombëtarë të politikës dhe diplomacisë, pasi ka ngelur në çarkun që ngriti vetë, po bën gjithçka që të përsërisë diçka të ngjashme me “postçadrën”.

Pala tjetër nuk do duhej ta pranonte këtë ofertë, sepse jo vetëm që nuk do zgjidhnin dot asgjë, por revolta brenda forcave të tyre politike, do t’i çonte në shkrirje e shpërbërje.

Sot jemi në një pikë që mund të konsiderohet, edhe si një shans për t’i dhënë fund tranzicionit. Uji është qelbur dhe turbulluar deri në atë farë feje, sa që e vetmja rrugë që ka është të rrjedhë dhe të kthjellohet.

Por si, cilat janë rrugët?

Pas lëvizjes së paprecedentë të ish-partive parlamentare, situata është kjo.

Edi Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet nga rruga që ka zgjedhur vetë dhe ne i themi: Zoti ta shtoftë inatin!

Nga ana tjetër, ish-opozita parlamentare, pas mbledhjes së kryesisë së PD-së dhe Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, ka shpalosur një plan protestash afatgjata në çdo zonë të vendit.

Plani dhe retorika e tyre, përmblidhet vetëm në pikat: “Të largojmë Ramën dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike”.

Të gjitha këto janë të drejta dhe të domosdoshme, por krejtësisht të pamjaftueshme.

Duhet kuptuar se Shqipëria sot nuk është thjesht në një krizë politike dhe parlamentare, por në një bllokim dhe dështim total të sistemit politik.

Opozita ish-parlamentare ose ish-pushtetarët që tani janë në opozitë, duhet që në këto kohë të tejkalojnë veten si bashkëfajtorë në këtë tranzicion kriminal. Është koha që të tregojnë me vepra, se nuk synojnë thjesht një rotacion pushteti, një marrëveshje me Ramën dhe më gjerë për të siguruar imunitet penal për lidershipin e tyre nga Reforma në Drejtësi për krimet dhe korrupsionin që ata kanë kryer gjatë viteve që kanë qeverisur. Duhet të punojmë për hapjen e një epoke të re për Shqipërinë. E vërteta e hidhur është se PD dhe LSI nuk janë të gatshme të ndahen nga kjo e kaluar. Sa kohë që ato të përpiqen të ruajnë kontrollin partiak mbi zgjedhjet, asnjëherë nuk do t’i ndihmojnë dot kauzat e mëdha të popullit shqiptar. Përkundrazi, ata, së bashku me Rilindjen. do të vazhdojnë të mbajnë në shtypje, varfëri dhe keqqeverisje qytetarët tanë. Ne i ftojmë të reagojnë.

Vendi është në një situatë të jashtëzakonshme dhe reflektimi i të gjithë faktorëve, duhet të jetë i tillë.

Hapi i parë drejt kësaj është një projekt i qartë për një qeveri tranzitore së cilës i duhet dhënë kohë e mjaftueshme dhe mbështetje e plotë për një reformë përfundimtare elektorale dhe kushtetuese, për demokratizimin e zgjedhjeve dhe të partive politike shqiptare.

Kjo qeveri nuk duhet të ketë në gjirin e saj përfaqësues partish politike, por personalitete të spikatura të jetës akademike dhe publike të vendit, figura me integritet të plotë dhe ndershmëri personale dhe profesionale të gjithë-pranuar nga shqiptarët. Vendi ynë ka figura të lëna mënjanë nga politika e vjetër që janë të aftë dhe të gatshëm, për t’u angazhuar në këtë projekt historik për rithemelimin e një Republike ku elitat qarkullojnë dhe përtërihen normalisht.

Detyra themelore e kësaj qeverie, (edhe me një asistencë të kualifikuar ndërkombëtare) duhet të jetë çlirimi i votës, nëpërmjet ndryshimit total të Sistemit Zgjedhor, hapja e tregut për forcat e reja dhe për individët e pavarur, zhdukja e pabarazive dhe diskriminimit për partitë e reja; Garantimi i zgjedhjeve të ndershme ku vota të ketë të njëjtën peshë për të gjithë konkurentët, rikthimi i listave të hapura që populli të mund të zgjedhe drejtpërdrejt përfaqësuesit e tij; Renditja e deputetëve në propocional të bëhet nga lista emërore e mazhoritarit sipas votave që përfiton çdo kandidat i cili ka konkuruar, por nuk ka fituar në mazhoritar; Depolitizimin e KQZ dhe komisioneve partiake, që menaxhojnë procesin zgjedhor. Zgjedhjet duhet të administrohen nga një administratë jopartiake e përbërë nga punonjësit e bankave, noterët, gjykatësit, prokurorët, studentët e ekselencës së fakulteteve etj. Asnjë person që ka qenë komisioner dhe numërues i zgjedhjeve nga viti 1996 e deri sot nuk duhet të lejohet të përfshihet në administratën zgjedhore; Vendosjen e sistemit elektronik në votim dhe numërim, jo me teste dhe eksperimente, por njëherësh në të gjithë vendin. Nuk duhet lejuar më që të transportohen kuti të panumuruara për në ZAZ. Votat duhet të numërohen në qendrat e votimit; Forcimin e ligjit për financimin e partive dhe fushatave; Reformimin e plotë të ligjit të partive, i cili duhet t’i detyrojë forcat politike për zbatimin e rregullave të brendshme demokratike, primareve, debatit, fraksioneve, standartet e partive moderne demokratike etj; Vendosjen e referendumeve lokale e kombëtare si praktikë normale për çështje madhore që prekin drejtpërdrejt interesat e qytetarëve; Ndryshimet ligjore që do mundësojnë president të zgjedhur nga populli dhe deputetë pa asnjë imunitet në ligje ose në Regulloret e Kuvendit; Vendosjen e dënimeve shumë të forta në Kodin Penal për veprat kriminale të shitjes, blerjes, falsifikimit, shantazhit, ofrimit ose premtimit të vendeve të punës në shtet, etj, në funksion të mbledhjes së votës dhe manipulimit të procesit zgjedhor.

Kjo është e vetmja rrugë që Shqipëria të dalë nga kjo krizë dhe situatë e rëndë dhe komplekse.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

 

8

Leave a Reply