Koço Kokëdhima: Rënia e lirë në humnerë

Koço Kokëdhima: Rënia e lirë në humnerë

Dy vite më parë, në studion e gazetares Eni Vasili, shpreha shqetësimin për katastrofën ekonomike që rrezikon sot Shqipërinë: “Çfarë ndodh nëse vjen dita kur nuk do të mund të paguajmë rrogat dhe pensionet? Do të vijë dita që shteti nuk do të mund të japë ndihmë ekonomike. Kryeministri kujton se drejtimi i shtetit është si të shkruash broçkulla në Facebook. Çfarë ndodh nëse shteti nuk paguan dot policët? Çfarë ndodh nëse ky shtet e dëbon gjithë popullin?! Në këtë rast, ndryshimet që nuk mund t’i sjellim me dialog dhe mirëkuptim, do të bëhen me eksplozione sociale”.

Koha i vërtetoi shqetësimet e mia për rënien e lirë të ekonomisë së Shqipërisë në humnerë, që është e lidhur ngushtë me rënien e shtetit, lirive dhe të drejtave të njeriut.

Sot ekonomia është në një pikë kritike. Rritja ekonomike, sipas shifrave të qeverisë, është përgjysmuar krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në rreth 2.2%. Institucionet ndërkombëtare, si Banka Botërore, kanë rishikuar në ulje projeksionet për performancën ekonomike të vendit, ndoshta 3.5%, që vlerësohet shumë e ulët për një vend në zhvillim si Shqipëria, që ka të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë.

Prej vitesh nuk ka asjë investim madhor të huaj në vend. Gazsjellësi TAP, investimi më i madh në vend me vlerë 1.5 miliardë euro, po mbaron dhe bashkë me të edhe të hyrat në buxhet. Verën që lamë pas të ardhurat nga TVSH-ja e brendshme ranë me më shumë se 30% me bazë vjetore dhe në shtator me gati 50%, duke treguar mungesë të madhe konsumi. Sipas raportit për kontrollin e buxhetit faktik 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit  ka konstatuar se detyrimet e prapambetura të qeverisë llogariten në total në 610 milionë euro. Në fund të vitit 2018 borxhet e papaguara të sigurimeve shoqërore arritën në 14 miliardë lekë ose 110 milionë euro dhe një pjesë e konsiderueshme i përket pushtetit vendor.

Kjo qeveri nuk ka lidhje me rritjen ekonomike, nuk bën asnjë stimul fiskal. Edhe pse taksat i rriti, të ardhurat mbetën në nivelin e 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, që llogaritet më i ulëti në rajon. Borxhi ka mbetur në 70% të PBB-së, faturat e koncesioneve dhe të PPP-ve janë në rritje progresive dhe financat publike janë në alarm për mungesë fondesh për të bërë pagesat e rrogave dhe të pensioneve.

Kolapsin e ka pranuar së fundmi edhe ministrja e Financave, Anila Denaj, që deklaroi se për periudhën janar-shtator të ardhurat në buxhet ishin rreth 7.9 miliardë lekë më pak se plani.

Për partinë ‘Zgjidhja’ kjo panorama e zymtë e ekonomisë e ka burimin te mungesa e theksuar e lirisë së tregut dhe e barazisë së konkurencës, shkatërrimi i lirive politike, rënia e demokracisë dhe e shtetit ligjor. Nëse ne nuk çlirojmë liritë politike përmes zgjedhjeve të lira dhe të barabarta, vendi do të përfundojë keq e më keq. Nëse nuk reformohet sistemi i zgjedhjeve, ky vend nuk do të ketë asnjë ditë të bardhë.

Prandaj e kam ftuar shpesh popullin që t’i dalë për zot vendit dhe vetes. Kur ai rrezikon ekzistencën e tij, siç po ndodh sot, populli është në të drejtën e vet që të përdorë çdo lloj rruge që e shpëton nga humnera ku po e çojnë një grusht drejtuesish dhe zyrtarësh të lartë.

Prandaj, me durim dhe këmbëngulje i kam ftuar të gjithë palët në një ‘Pakt Kombëtar’, konsensual e gjithëpërfshirës për tejkalimin e krizës. Partitë e vjetra që e çuan vendin në këtë derexhe duhet të heqin dorë nga uzurpimi i zgjedhjeve dhe të lejojnë që ato të jenë të barabarta dhe të administrohen nga shteti, si në çdo vend tjetër të Europës dhe të rajonit.

Nuk kam për qëllim të nxis panik apo urrejtje, as motivime politike, por të ftoj opinionin e gjerë të kuptojë se në gjendjen ku kemi arritur sot, kur shumica e popullit nuk siguron dot as bukën e gojës dhe një grusht njerëzish kanë gllabëruar gjithçka në mënyrë të paligjshme, nuk mbetet rrugë tjetër veç të shkojmë në luftë e në eksplozion social me pasoja të rënda për të gjithë.

1

Leave a Reply