Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Aleatët e PD-së njoftuan të martën se janë tërhequr nga kushti për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pas disa vitesh me kërkesa gati ultimative drejtuar SHQUP-it. Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar tha se ata kanë rënë dakord me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha që të vijojë sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura, që ishte pjesë e puçit antikushtetues PD-PS në vitin 2008, duke refuzuar sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura. Ivi Kaso, përfaqësues i PD-së për çështjet zgjedhore deklaroi se çdo ndryshim kushtetues ku përfshihet edhe sistemi elektoral dhe çështja e listave do të jenë në një fazë të dytë diskutimi, pa dhënë ndonjë datë. Për PD-në tashmë më tepër rëndësi ka përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, për votimin dhe numërimin elektronik, për të arritur depolitizimin e administratës zgjedhore. Tani e vetmja çështje e pazgjidhur mes PD-së dhe aleatëve të saj ka mbetur ajo e financimit të partive politike, ku PD kërkon që të jetë 100% nga shteti, ndërsa LSI mbështet idenë e një formule miks, me financim nga shteti dhe privati. Drafti final për propozimet mbi reformën zgjedhore do të publikohet në fund të këtij muaji, por bathët duken që tani. Ndodhi si në fjalën e popullit “Ku ishe? Asgjëkundi. Çfarë bëre? Asgjë”.

Partia ‘Zgjidhja’ e kishte paralajmëruar se SHQUP-i dhe Rilindja janë bashkë për të mos lëshuar zgjedhjet, nga caktimi i kandidatëve për deputetë deri te administrimi zgjedhor, ndërsa disa kryetarë partish rrotull tyre blihen me një emër në listën e sigurtë të deputetëve.

Me kaq mbaron edhe kësaj radhe për SHQUP-in dhe Rilindjen ‘përpjekja titanike’ me të ashtuquajturën reformë zgjedhore, një farsë me kacafytje publike për votën e lirë të shqiptarëve dhe dorështrëngim pas perdes për të mos anuluar marrëveshjen antikushtetuese Berisha-Rama të 21 prillit 2008.

“Zgjidhja’, që në fundvitin 2016, kur ishte lëvizje politike, prezantoi nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua!”, si një përpjekje e organizuar e qytetarëve shqiptarë për të demokratizuar partitë politike, sistemin politik dhe qeverisjen dhe për t’i krijuar popullit mundësinë të përfshihet në qeverisje përmes zgjedhjes së njerëzve më të mirë me votë të drejtpërdrejtë.

Në prill 2019 ‘Zgjidhja’ prezantoi ‘Paktin Kombëtar’ dhe në qershor ‘Platformën e lirisë’. Në thelb ishte kërkesa për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, demokratizimin dhe depolizitimin e zgjedhjeve, shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, kufizimin e mandateve nga kreu i shtetit deri te kryetari i bashkisë, apo rregullat strikte për financimin e partive dhe ndëshkimet penale për abuzuesit me zgjedhjet.

‘Zgjidhja’ përshëndet edhe kontributin e shoqërisë civile në imponimin e ndryshimeve demokratike të zgjedhjeve shqiptare.

Në 29 vitet e shkuara janë mbajtur 17 herë zgjedhje parlamentare dhe vendore dhe janë bërë 12 ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.  Por jemi i vetmi vend në botën demokratike që nuk bëjmë zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe kjo gjendje dramatike është bërë në dijeni të plotë të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Prezencës së OSBE-së.

Ndërhyrja e radhës do të jetë e 13-a, por nuk do të ndryshojë asgjë. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka bërë disa tryeza pa bereqet, ku përfundimisht dështon edhe depolitizimi i administratës zgjedhore, sepse PS ka dalë në përfundimin se nuk ka njerëz jopolitikë për të qenë komisionerë zgjedhjesh, ndaj ato duhet t’i kenë PS-PD.

Bernd Borchardt, ambasador i OSBE-së në Tiranë, deklaronte pak muaj më parë se: ‘Ekziston një rekomandim shumë i fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet jo më vonë se sa një vit përpara zgjedhjeve’. PS dhe PD i tremben si djalli temjanit kësaj teme, edhe pse normalisht zgjedhjet parlamentare janë planifikuar në vitin 2021 dhe reforma zgjedhore është kusht i rëndësishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. ‘Zgjidhja’ i qëndron deklarimeve se Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme, që SHQUP-i dhe Rilindja nuk duan t’ia lejojnë sovranit në rrugë paqësore.

1

Leave a Reply