Koço Kokëdhima: Loja PS-PD për të mos lëshuar zgjedhjet

Koço Kokëdhima: Loja PS-PD për të mos lëshuar zgjedhjet

Mesditën e të martës do të jetë mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, që drejtohet nga PS dhe opozita e re parlamentare, me objekt diskutimi projektligjin  “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

Në mbledhjen e fundit të këtij komisioni, ‘Zgjidhja’ mori pjesë dhe shprehu qëndrimin e saj, por mbledhjet e tjera të komisionit kanë qenë të mbyllura, ku, siç tregojnë procesverbalet, nuk ka debate për reformën zgjedhore, por sharje dhe ofendime mes anëtarëve.

‘Zgjidhja’ është shprehur  se reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse, të udhëhiqet nga OSBE dhe të asdresojë të gjitha rekomandimet kyçe të OSBE/ODIHR-it. Është për të ardhur keq që mbledhja e radhës do të ketë si tematikë disa probleme fundore të reformës zgjedhore, duke i ikur me qëllim depolitizimit të administratës zgjedhore nga KQZ-ja deri te komisionet e numërimit, reformimit të ligjit për partitë politike apo ndëshkimit penal për hajdutët e votave.

Të njëjtin qëndrim si PS ka edhe PD-ja, edhe pse nuk është pjesë e këtij komisioni. Propozimet e saj për reformën zgjedhore kanë të bëjnë vetëm me financimin 100 për qind nga shteti të subjekteve politike dhe të fushatave zgjedhore apo që ato të mos paguajnë drejtpërdrejt për reklamat në media, por këtyre të fundit t’u hiqen nga detyrimet që i kanë  shtetit. Asnjë rresht për ndryshimin e kodit zgjedhor, demokratizimin e partive dhe depolitizimin e administratës zgjedhore, në të gjithë piramidën e saj.

Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore  e pranon se drafti për Kodin Zgjedhor është bazuar vetëm mbi rekomandimet e ODIHR-it, e Grupit të Punës për Barazi Gjinore, të  Këshillit të Europës dhe te puna e vet. Nuk janë marrë për bazë rekomandimet e bëra prej  muajsh nga shoqëria civile apo partitë politike, siç janë ‘Pakti Kombëtar’ dhe ‘Platforma e Lirisë’ të prezantuara nga partia ‘Zgjidhja’ dhe tryeza e partive që luftojnë për zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Çështjet që do të diskutohen tregojnë për një punë të përciptë që nuk i zgjidh problemet e  zgjedhjeve, të tilla si: financimet, ku është pozitiv vetëm kufizimi i të drejtës së donatorëve për të fituar fonde publike disa vite, ulja e pragut të deklarimit të partive në banka, krijimi i një portali të dedikuar nga KQZ, etj., por që nuk arrijnë të përmbushin kriteret e nenit 9 të Kushtetutës së Shqipërisë, sipas të cilit, burimet financiare të partive, si dhe shpenzimet e tyre bëhen kurdoherë publike; detyrimi absurd që partitë të ruajnë dokumentacionin financiar deri në 7 vjet, kur shumica prej tyre nuk kanë seli dhe mjedise pune; parandalimi për blerjen e votës me anë të financimeve informale, ku sipas nenit 7 mjafton një deklaratë e kryetarëve të partive politike, duke mos marrë deklarimin as të kandidatëve, për ta bërë të besueshëm; për përdorimin e burimeve shtetërore në fushata është lënë jashtë një rekomandim i ODIHR-it i vitit 2017, që tha se qeveria duhet të ngrinte një organ transparent, të pavarur dhe përfshirës me detyrën dhe kompetencën e veprimit dhe të ndjekjes nëse vihet në dijeni për çështje të tilla  në periudhën para dhe paszgjedhore.

Partia ‘Zgjidhja’ e konsideron lënien jashtë debatit publik të depolitizimit të administratës zgjedhore si lojë të partive të vjetra. Ky është një rekomandim i hershëm i OSBE/ODIHR-it, por PS brenda në komision dhe PD-ja jashtë kanë frikë të merren me rekomandime të tilla si ai i vitit 2017 se: ‘…Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin jopartiak të komisionerëve të zgjedhjeve dhe duke numëruar anëtarë të ekipit’, apo atë të vitit 2019 që “… konsideratë duhet t’i jepet formulave alternative për emërimin e anëtarëve të administratës zgjedhore, mbështetur nga masa mbrojtëse procedurale për pavarësinë e tyre”.

‘Zgjidhja’ ka bindjen se ikja nga rekomandimet kyçe të OSBE/ODIHR-it për reformën zgjedhore është pjesë e taktikës së partive të vjetra për të mos ndryshuar ligjin për zgjedhjet, por vetëm ta retushojnë atë, aq sa të mos u prishë skemën e uzurpimit të zgjedhjeve dhe të rotacionit të pushtetit. ‘Zgjidhja’ do të vijojë të këmbëngulë për një reformë zgjedhore të vërtetë dhe demokratike, e cila, sipas ‘Paktit Kombëtar’, duhet të nisë nga shfuqizimi i puçit antikushtetues Berisha-Rama i 21 prillit 2008, reformimin e sistemit politik dhe vendosjen e një demokracie funksionale; depolitizimin e KQZ-së dhe të administratës zgjedhore, një ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve dhe që eliminon favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja.

Këto reforma të mëdha nuk bëhen as me një komision të njëanshëm parlamentar të PS-së, as me propozimet hileqare të PD-së, por me një komision gjithëpërfshirës të Reformës së Kushtetutës dhe Reformës Zgjedhore, të aftë dhe të përgjegjshëm për të demokratizuar partitë politike, ndryshuar sistemin politik dhe demokratizuar Shqipërinë.

0

Leave a Reply