Gylsen Zhllima: Pranimi i ‘Paktit Kombëtar’ të partisë “Zgjidhja”, detyrë kombëtare për partitë e vjetra

Gylsen Zhllima: Pranimi i ‘Paktit Kombëtar’ të partisë “Zgjidhja”, detyrë kombëtare për partitë e vjetra

Marrëveshja famëkeqe e 21 Prillit 2008 ka dështuar plotësisht së bashku me elitën e vjetër politike, e cilat ka bërë pazare me kodin aktual zgjedhor. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin vërtetoi që asnjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar, nuk ka patur zgjedhje me standarde dhe se  raportet e mëparshme kanë qenë “pozitive” në çdo palë zgjedhje qendrore apo lokale,sipas interesave të partisë në pushtet.

Koha e vetmisë së kësaj klase politike ka arritur në fund. Tani është koha që nëpërmjet një reforme të thellë dhe e gjithanshme, t’i japim fund modelit të partitokracisë, korrupsionit dhe padrejtësisë që ka partia në pushtet. Rruga e vetme për në Bashkimin Europian kalon nga një marrëveshje, e cila do të garantojë stabilitet afatgjatë politik dhe ekonomik, duke sjellë demokracinë reale në çdo institucion shtetëror, që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe duke garantuar fundin e krizave ciklike.

Loja e Partisë Socialiste dhe e Partisë Demokratike, duke u bazuar te raporti skandaloz i OSBE/ODIHR-it, ka mbaruar. Pa reforma demokratizuese nuk mund të ketë demokraci reale. Elita politike aktuale ka dështuar plotësisht, si teorikisht ashtu dhe praktikisht nga mosveprimet me dashje për të reformuar  sistemin zgjedhor. Koha për veprim ka ardhur dhe duhet që secila nga palët të marrë iniciativa konkrete dhe koherente që përkojnë me interesat kombëtare. Asnjë marrëveshje midis dy apo tre partive nuk mund ta zgjidhë këtë situatë kaotike. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë përgjegjësi të barabarta me marrëveshjet e tyre të viteve 2008 dhe 2017.

Reforma zgjedhore është e pashmangshme. Palët duhet të përkrahin dhe të zbatojnë menjëherë projektin e propozuar nga Partia “Zgjidhja”, përmes “Paktit Kombëtar” dhe “Platformës së Lirisë”. Ky pakt është një detyrë kombëtare dhe duhet të bëhet realitet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i kthejw popullit shqiptar sovranitetin e munguar për gati 30 vite.

Zgjedhjet e lira dhe të barabarta do të krijojnë mundësinë e perspektivës dhe emancipimit. Jo më zgjedhje të parakohshme, por së pari një marrëveshje që ka si destinacion paqen sociale, politike dhe ekonomike, me qëllim që dialogu të jetë transparent dhe frymëzues për të mirën e vendit.

Ftoj Partinë Demokratike që të reflektojë për kërkesën që ka për zgjedhje të parakohshme, pa patur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton stabilitet. Është koha që të ndërgjegjësohen dhe të fillojnë të mendojnë realisht se si mund të zgjidhet kjo krizë. Një gabim i vogël do të jetë fatkeqësi për vendin dhe demokracinë e munguar. Kërkohet përgjegjshmëri, seriozitet dhe maturi për të arritur një pakt kombëtar me destinacion të qartë rikthimin e Republikës.

Detyra e çdo subjekti politik është që nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse të garantojnë që çdo reformë që do të vijë më pas të mos cenohet nga askush që ka interesa të caktuara për të penguar realizimin konkret të tyre. Roli ynë është që të jemi gardianë të çdo reforme që garanton katharsis-in në çdo fushë të jetës politike shqiptare.

*Anëtar I kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

 

0

Leave a Reply