Gylsen Zhllima: Duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të sjellë demokracinë reale

Gylsen Zhllima: Duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të sjellë demokracinë reale

 

Është koha që partitë e vjetra të lënë mënjanë projektet e tyre antikombëtare dhe të pranojnë e të përkrahin projektin kombëtar për të dalë nga kriza politike që ka pasoja të rënda për vendin. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, duhet të bëjnë propozime reale për të dalë nga kolapsi politik, institucional dhe juridik, që rrezikon paqen sociale dhe ekonominë e vendit.

Sekti i Rilindjes, që ka uzurpuar Partinë Socialiste, po qeveris përmes PPP-ve dhe koncesioneve korruptive, krimit të organizuar dhe blerjes totale të medias kritike. Në 6 vite në pushtet ekonomia është në duart e disa njerëzve të lidhur me qeverinë, që po plaçkitin pasuritë e mbetura shtetërore dhe pronën publike, duke bashkëpunuar ngushtë me të “fortët” e krimit të organizuar.

Marrëveshja famëkeqe e 21 Prillit 2008 shkatërroi parimin e përfaqësimit, parlamentarizmit, shtetin e të drejtës, balancat dhe ndarjen e pushteteve. Marrëveshja antidemokratike që forcoi rolin e dy kryetarëve shkatërroi rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ato janë  nën kontrollin e partisë në pushtet.

Ndryshimi i klasës politike në vend do të vijë vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Zgjidhja nuk mund të jenë zgjedhjet e parakohshme vendore apo të përgjithshme, që bazohen te sistemi aktual zgjedhor, por vetëm duke pranuar Paktin Kombëtar dhe  Platformën e Lirisë që ka propozuar partia ‘’Zgjidhja’’. Kështu do t’i jepet mundësi ripërtëritjes së klasës politike, ndërtimit të një sistemi të ri, i cili përkrah zhvillimin dhe alternativat e reja qeverisëse, duke instaluar demokracinë e brendshme në partitë politike, financimin transparent të tyre dhe të fushatave elektorale si dhe marrëdhëniet e tyre me shtetin. Vetëm me një sistem zgjedhjesh të lira e të barabarta, rikthehet sovraniteti i munguar te qytetarët. Realizimi i kësaj marrëveshje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse do të sjellë demokracinë reale, stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në vend.

Partia ‘Zgjidhja’ ofron platformën qeverisëse dhe vizionin politik që në themel ka interesat kombëtare.  Por, promovimi i saj kalon fillimisht nga një sistem i  drejtë, demokratik dhe transparent, i cili do të sigurojë shprehjen e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe me standard, sepse vetëm një sistem ri politiko-shoqëror jep emancipim të qartë në aspektin politik dhe juridik në vend.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0

Leave a Reply