Zgjedhja e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve, domosdoshmëri për PS-në

Zgjedhja e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve, domosdoshmëri për PS-në

PANDORA KUMANAKU
Të jesh anëtar në një grup vullnetar politik, duhet të ndihesh i lirë dhe krenar që i përket këtij grupimi.
Së pari më lejoni të shpreh falënderimin tim për të gjithë bashkëmoshataret e mi, anëtarë të FRESSH-it që megjithë situatën përjashtuese sot zgjodhën të jenë të lirë dhe të jenë këtu me ne. Vendosa të marr fjalën për të shprehur qëndrimin tim për disa çështje të trajtuara prej z. Kokëdhima, më pëlqen të them ende deputet, jo për shkak të forcës së zakonit, por se realisht e meritoni dhe besoj që shumë nga ju që jeni këtu mendoni po njësoj. Unë nuk përfaqesoj të gjithë të rinjtë e Partisë Socialiste, por jam një prej tyre dhe ka ardhur koha që çdo zë të dëgjohet po njësoj.
Mendoj se tanimë është kthyer në një domosdoshmëri për Partinë Socialiste dhe jo vetëm zgjedhja e drejtpërdrejtë e përfaqësuesve nga anëtarët e saj. Vetëm kështu do të mundet të shmanget fenomeni që tani është kthyer në një sjellje normale, i detyrimit për llogaridhënie vetëm ndaj kryetarit të partisë, kushdo qoftë ai. Sot gjendemi përballë një modeli deputetësh, që pa asnjë ndrojtje mund të cilësohet e dështuar. Më ndjeni, por unë nuk mund të quaj deputet një person i cili shfaqet në lagjen time,vetëm kur kërkon që unë të votoj. Për aq kohë sa deputetin nuk e zgjedh populli, si mund të presim që ai t’i përgjigjet këtij?!
Në politikën tonë mungon meritokracia. Nëse ne nuk luftojmë për meritokracinë si një kusht në shoqërinë tonë, ku do të shkojnë mijëra të papunët e harruar? Ku do të shkojnë njerëzit e shkëlqyer që ikin nga Shqipëria sepse nuk kontribuojnë dot këtu? Ku do të shkoj unë, si shume të rinj të tjerë, kur të perfundoj studimet?
* Autorja është studente për Drejtësi në Universitetin e Tiranës dhe anëtare në organizatat socialiste tematike të studentëve në Tiranë
4

Leave a Reply