Koço Kokëdhima: Hap kutitë, ose largohu!

Koço Kokëdhima: Hap kutitë, ose largohu!

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, i vënë në këtë post pas marrëveshjes okulte Rama-Basha, mesnatën e 18 majit 2017 për bashkëqeverisje PS-PD, por i lënë në minorancë pasi PS-ja ka katër anëtarë, propozoi një ditë më parë hetim administrativ të votimeve të 30 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit. Por socialistët ia rrëzuan me alibinë se “Ky propozim është hedhje në erë e të gjithë procesit zgjedhor”, edhe pse të dielën e kaluar vetëm proces zgjedhor nuk pati.

Në aspektin administrativ, kërkesa e Zgurit është e drejtë dhe mjaft minimaliste. Siç argumentoi ai, i gjithë procesi u vëzhgua vetëm nga 4 komisionerë të PS-së dhe të gjithë duhet të jenë mosbesues. Është minimalist sepse transparenca e kutive duhet të garantohet në çdo rast kur ka dyshime të arsyeshme dhe pretendime nga palët e interesuara. Kjo duhet të zgjidhet me ligj një herë e përgjithmonë. Është minimaliste edhe sepse kërkohen vetëm procesverbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat, ku tregohet qartësisht se kush dhe sa persona kanë votuar.

Shumica në KQZ u shpreh se mish-mashi i shifrave që rriteshin orë pas ore ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2017, për shkak se u bënë publike informacione paraprake dhe jo të zyrtarizuara.

Politikisht kërkesa e kryetarit të KQZ-së është korrekte dhe për ironi të faktit shkon me betejën e dikurshme të shumicës në pushtet, që çoi te greva e urisë dhe pajtimi me “Darkën e Krokodilit’.

Po kthehem gati një dekadë më pas.

Më 3 dhjetor 2009, kur PS-ja e Ramës ishte në opozitë, ai do të deklaronte, duke iu referuar Berishës, atëherë kryeministër: ‘Kuptoi më në fund se e vërteta e kutive të 28 qershorit nuk mund të asgjësohej më bashkë me kutitë dhe se opozita ka vendosur të sakrifikojë deri në fund, për t’i dhënë fund traditës së mbrapshtë të sakrifikimit të lirisë e ndershmërisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Nga njeriu që mori peng kutitë për të fshehur  vjedhjen e madhe të zgjedhjeve, Sali Berisha u ndje i gjithi peng i kutive që mban forcërisht mbyllur. Me sa duket edhe tentativat e bëra tinëz për të rregulluar kërdinë e kyçur në kuti deri këtu kanë dështuar’.

Rama e akuzoi Saliun se: ‘Harroi mësimin e vyer të vitit 1996, kur me prekjen e votës së popullit filloi në fakt fundi i sundimit të Saliut të Parë’, se ‘Tanimë për opozitën kutitë nuk janë i vetmi objektiv’ se ‘Hap kutitë ose largohu’-, kjo do të jetë kryefjala e protestës sonë’.

‘Hap kutitë ose ik. Deri në fund. Deri në ditën e lirisë  së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran’-e mbyllte fjalën e tij, në emër të votës së lirë dhe të paprekshme  të Sovranit, ish-kryetari i opozitës së atëhershme dhe kryeministri i sotëm, prej gati 6 vitesh.

Ai kishte plotësisht të drejtë në këtë kërkesë, sa ç’mund të ketë kreu i KQZ-së sotme dhe çdo shqiptar i pablerë prej qeverisë së tij, në të drejtën për të zbardhur farsën e votimeve të 30 qershorit, ku Rilindja ishte vetë organizatore, vetë votuese, vetë numëruese dhe vetë certifikuese.

Jam i bindur se Rama, siç ia kaloi Saliut në vjedhje, korrupsion, trafiqe, lidhje me krimin e organizuar, koncesione dhe marrëveshje antikombëtare, e la shumë mbrapa edhe në vjedhjen e hapur e të fshehtë të zgjedhjeve, jo vetëm më 30 qershor 2019, por edhe në vitin 2015, edhe në Dibër më 2016, edhe në 2017-ën.

Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë, përveç trutharëve, të verbërve e skllevërve, përveç të blerëve nga qeveria me një rrogë  administrate, me ndere e favore dhe me paratë e buxhetit. Në votimet e 30 qershorit morën pjesë deri në orën 18.00 të të dielës, sipas KQZ-së, rreth 670 mijë nga të cilët rreth 95 mijë vota ishin të pavlefshme. Në ditët që pasuan shtuan edhe 140 mijë votues.

Rama dhe Rilindja e tij e ka mbyllur në kuti këtë maskaradë dhe bashkë me materialet zgjedhore do t’i djegin në shtratin e lumit Erzen, siç ka mbyllur gjithë ndyrësirat që ka bërë këto 6 vite me Sovranin.

Partia ‘Zgjidhja’ i kujton sot thirrjen që ai ia bëri Saliut, një dekadë më parë: ‘Hap kutitë ose ik. Deri në fund. Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran’.

Rama bashkë me Saliun, janë pengmarrësit e Sovranit, të së sotmes dhe të së ardhmes së tij.

1
Koço Kokëdhima: Kosova, Shqipëria dhe BE

Koço Kokëdhima: Kosova, Shqipëria dhe BE

Drejtimi i ri në Bashkimin Europian do të jetë një sfidë veçanërisht për shqiptarët e  Kosovës. Edhe pse politika e Prishtinës i ka mirëpritur emrat e rinj, ka shumë skepticizëm për ndihmën që do të ketë Kosova nga Brukseli, veçanërisht në kohën  kur Shqipëria është e zhytur në krizë të thellë.

Shefi i ri i diplomacisë europiane, ministri i Jashtëm Spanjoll Josep Borrell, do të rikthehet në krye të politikës së jashtme të BE-së, pasi shërbeu si president i Parlamentit Europian në vitet 2004-2007.

Ai përfaqëson Spanjën, një nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe ndryshe nga paraardhësja, italianja Federica Mogherini, nuk shihet si ndihmues për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. E kuptoj përgjigjen diplomatike të Ministrit të Punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, kur thotë se qeveria e Kosovës nuk beson që politika e jashtme e BE-së të varet nga origjina kombëtare e një vendi apo politikani të BE-së. Por e paramendoj qëndrimin e diplomatit spanjoll ndaj Kosovës qoftë edhe me atë episod që tregoi Pacolli, se si Borrell, në Samitin e Sofjes për Ballkanin Perëndimor, refuzoi të ulet në një tavolinë me Presidentin e Kosovës, Thaçi.

‘Hidhërimi’ në Kosovë është, afërmendsh, gëzim në Serbi, edhe pse presidenti Vuçiç thotë se zgjedhja e Borrell “është një lajm i mirë për ne, por situata mbetet e vështirë dhe nuk zgjidhet çështja e Kosovës me atë që kemi një ose dy njerëz në anën tonë”.

Shpresat e Kosovës, megjithatë, mbeten te ardhja në krye të Komisionit Europian e gjermanes Ursula von Der Leyen, bashkëpunëtore e vjetër e kancelares Merkel dhe besohet edhe e politikës së saj në mbështetje të Kosovës.

Sipas mediave kosovare, me Josep Borrellin në krye të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, pozicioni i Kosovës në dialogun me Serbinë do të jetë më i vështirë, pasi diplomati spanjoll ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe, për më tepër, ai nuk ka kursyer as vendlindjen e tij, Katalonjën, duke u shprehur kundër ndarjes nga Spanja.

Në këtë kohë kur drejtimin e diplomacisë së BE-së, e merr një kundërshtar i Kosovës së pavarur, Prishtina zyrtare nuk mund të ndihmohet as nga Shqipëria. Kjo e fundit bën më shumë demagogji me mbledhjet e përbashkëta të qeverive, apo thirrjet intimiduese ndaj fuqive të mëdha se, po nuk iu dhanë vizat Kosovës dhe po nuk iu hapën negociatat Shqipërisë, ato do të bashkohen në një shtet.

Shqipëria sot është në pozitën më të keqe diplomatike në sytë e botës. Ka mbyllur një farsë votimesh monopartiake që qeveria të rrëmbejë edhe pushtetin vendor; ka paralajmërimin për rikthim të regjjimit të vizave nga Komisoneri për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos për shkak se numri i azilkërkuesve u rrit me 30 për qind në katër muajt e parë të vitit 2019; Brukseli sapo rrëzoi një kërkesë të Mbretërisë së Holandës për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë, pas shqetësimit për rritjen e krimit të organizuar dhe numrit të azilkërkuesve, ndërsa edhe Franca ka patur disa herë apele për të ndaluar fluksin e azilkërkuesve ekonomikë nga Shqipëria.

Me këtë imazh të rënë përtokë Shqipëria është e ftuar në Konferencën e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Poznan të Polonisë, në kuadër të nismës të njohur si Procesi i Berlinit, të iniciuar nga kancelarja Merkel. Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut të cilat duan anëtarësim në BE, radio shtetërore gjermane DË citonte vetëm kryeministrin Zaev, si më të preferuarin e zonjës Merkel për t’u marrë shembull në rajon.

Dy javë më parë ishte presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, që kërkoi ndarjen e vendit të tij nga Shqipëria në procesin e hapjes së bisedimeve me BE-në, në tetor, sepse ‘çiftëzimi’ me të do ta pengonte Shkupin zyrtar në këtë proces.

Një Shqipëri në kaos politik dhe institucional vetëm sa e dëmton Kosovën, aq më pak të pretendojë ta përfaqësojë dhe ta mbrojë. Prandaj, edhe për këtë arsye, në Tiranë duhet të nisë sa më parë zgjidhja e krizës së rëndë politike.

Partia ‘Zgjidhja’ e ka deklaruar shpeshherë se zgjidhja duhet të vijë nga brenda, me një marrëveshje konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, mes të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe intelektualëve të pavarur për reformimin e Kushtetutës e të zgjedhjeve dhe për demokratizimin e vendit.

Vetëm një Shqipëri demokratike dhe jo peng i partitokracisë dhe ambasadorokracisë do të ishte e zonja e vetes brenda dhe jashtë si dhe do të arrinte të mbronte kauzën e drejtë të Kosovës si një shtet i pavarur, me kufij të paprekshëm, e respektuar dhe e pranishme si e tillë në çdo tavolinë bisedimesh të diplomacisë së huaj, edhe pse aty nuk do të denjonte të ulej ndonjë ministër ‘antiseparatist’ edhe kur është fjala për vendlindjen e tij.

1
Frank Shkreli: 30 Qershori, poshtërsi e qeverisë dhe turp i ndërkombëtarëve

Frank Shkreli: 30 Qershori, poshtërsi e qeverisë dhe turp i ndërkombëtarëve

Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Ja erdhi dhe shkoi edhe 30 qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar. Gjatë viteve, nëpërmjet shkrimeve modeste, jam përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq – mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura, në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demokracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura. Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time. Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips. Në qoftë se këto fjalë të mia mund t’iu duken pakëz si të ashpra, iu kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Kombin e vet, dhe që mendon dhe beson, se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë – meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos reagimet e diasporës e, sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjendjen e krijuar në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjendje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakata në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?!

-Si mund të quhen zgjedhje, votimet me një pjesëmarrje prej më pak se 20% e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, ndërkohë që në shumicën e rasteve, kandidatët socialistë ishin pa asnjë kundërshtar?

-Çfarë qeverie, kudo qoftë, do të ndihej krenare për organizimin e një spektakli të tillë të shëmtuar?

Organizimi i tyre ishte i turpshëm dhe mbrojta e atij procesi, nga nivelet më të larta të qeverisë dhe të partisë në pushtet, është një ofendim i inteligjencës së shqiptarëve por edhe i ndërkombëtarëve, për të mos thënë poshtërsi për vetë procesin.

Ky ishte një ushtrim i kotë politik, krejtësisht pa asnjë vlerë. Një humbje e madhe për qeverinë dhe kryeministrin e saj! As opozita të mos festojë, se nuk ishte fitore as për opozitën e bashkuar. Mos mendoni se shumicën e 80% të shqiptarëve që nuk votuan të dielën që kaloi, i kini me vete, sepse unë e di dhe ju e dini mirë se nuk janë as me ju. Duhet ta dini gjithashtu se populli shqiptar është lodhur me të gjithë ju. Fatkeqësisht, me këto votime, kjo klasë politike i mbetet besnik trashëgimisë së saj edhe pas 30-vjet post-komunizëm: e “fikur dhe e koritur”, para Kombit dhe para botës.

Ç’të them për ndërkombëtarët dhe reagimin e tyre me këtë rast, përfshirë atë të OSBE/ODIHR-it?

Unë dua të rrëfej se që nga viti 1989 e këtej, si pjesë e punës kam ndjekur me kujdes dhe për nga afër misionet e OSBE-së anë e mbanë botës ish-komuniste dhe kam pasur gjithmonë respektin më të madh për punën e tyre. Kam pasur fatin, madje, të jem edhe disa herë anëtar i delegacioneve për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në vendet ish-komuniste, përfshirë edhe delegacionin e parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në zgjedhjet e para pluraliste në mars/prill 1991 në Shqipëri. Megjithëse me shumë të meta dhe mungesa serioze standardesh, me keqardhje më duhet të them se organizimi i atyre zgjedhjeve nga regjimi i Ramiz Alisë, pothuaj 30-vjet më parë, i plotësonte më shumë standardet e zgjedhjeve të përcaktuara nga OSBE-ja, në krahasim me votimet e organizuara nga qeveria Rama të dielën që kaloi – tre dekada pas shembjes së komunizmit.

Prandaj, deklarata e delegacionit të OSBE-së të hënën që kaloi ishte zhgënjyese, në krahasim me ato që vërtetë duhej të thoshin për votimet vendore në Shqipëri. Konstatuat se ishin të qeta! Është ky një prej standardeve, por të qeta ishin zgjedhjet edhe në kohën e komunizmit, por a mund të thoni se këto ishin të lira, të drejta dhe demokratike – standardet kryesore për cilësimin e zgjedhjeve në një vend që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s?! Unë nuk dua t’ju mësoj ju të nderuar Zonja e Zotëri, se cili duhej të kishte qenë raporti i juaj paraprak për këto zgjidhje, sepse ju jeni ekspertët ndërkombëtarë.

Por dua t’ju pyes:

-Në cilin vend tjetër të Evropës do e pranonin procesin e zhvillimit të votimeve si ky që u mbajt në Shqipëri fund javën që kaloi,

me një pjesëmarrje më pak se 20% dhe

në shumicën e rasteve vetëm me paraqitjen e kandidatit të Partisë Socialiste – pa kundërshtar?

Demokratike ishin këto?!

Unë si shtetas amerikan prej pothuaj gjysmë shekulli dhe si një shqiptaro-amerikan që, për arsye të ish-detyrës, kam pasur fatin të bashkëpunoj gjatë karrierës sime me shumë diplomatë amerikanë, jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës dhe për të cilët kam zhvilluar dhe ruaj gjithnjë respektin më të madh për punën e tyre në rrethana shpesh të vështira – më habiti edhe reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë për këto votime, ashtu siç ka habitur edhe shumë shqiptaro-amerikanë me të cilët kam biseduar kohët e fundit, e të cilët janë shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit atje, e sidomos me reagimet/mosregaimet ndërkombëtare ndaj atyre zhvillimeve.

“Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, citon deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave votimet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan, përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave”, thekson deklarata e cituar nga VOA shqip. “Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”. Deklarata e Ambasadës dakordësohet gjithashtu me OSBE/ODIHR-in se, “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve”, duhet të presin një ent juridik që, sot për sot, nuk ekziston, “Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë se do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”, thuhet në atë deklaratë.

Reagimet e ndërkombëtarëve ndaj votimeve të së dielës në Shqipëri po konsiderohen nga shumë ekspertë brenda dhe jashtë Shqipërisë si mbështetje prej tyre e një procesi ilegal dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Një mik i imi këtu në Amerikë më solli ndër mend kohën e fashizmit kur Italia dërgonte në Shqipëri njerëz gjysmakë, sidomos në fushën e mjekësisë, duke i arsyetuar si, “e buono per Albania”.

A mendojnë ndërkombëtarët se qeveria që kanë shqiptarët, “e buono për Albania”, sepse kaq meritojnë shqiptarët?

Pse deklaratat e juaja mbi aktualitetin politik nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në atë vend, përfshirë korrupsionin në të gjitha nivelet?

Thoni të vërtetën!

Kaq presin shqiptarët prej jush.

Unë nuk e kuptoj, se pse duhet të pritet dy muaj që OSBE/ODIHR të lëshojë një raport mbi këto votime, kur është tejet e qartë se çfarë ndodhi, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por mbi të gjitha, populli shqiptar e sheh mirë se ç’po ndodh në vendin e tij dhe janë duke votuar më këmbë, duke u larguar vazhdimisht nga trojet e veta mijëravjeçare.

Në qoftë se ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjendjen, atëherë do i këshilloja që të pakën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysmë deklarata, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjendjes në Shqipëri! Më mirë heshtni fare! Sepse në fund të fundit, është kjo një gjendje e krijuar nga vetë klasa aktuale politike dhe është detyrë dhe përgjegjësi morale dhe atdhetare e saj, që sa më shpejt – nëpërmjet dialogut politik dhe me pjesëmarrje të gjerë edhe të shoqërisë – të dalë nga ky qorrsokak politik, para se të bëhet vonë – me qëllim të mënjanimit të një fatkeqësie kombëtare, përballë të cilës gjendet sot Kombi Shqiptar – falë papërgjegjësisë së saj politike dhe kombëtare.

Klasa politike shqiptare duhet që sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e veta për gjendjen e krijuar në vend dhe, ndërkombëtarët duhet gjithashtu të reflektojnë thellë për rolin e tyre gjatë këtyre dekadave – ashtu që i vetmi fitues të jetë Kombi Shqiptar në marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tjerë atlantiko-veriorë.

Koha është tani, jo nesër, jo pas nesër, jo dy muaj pas sodit, në pritje të një raporti të OSBE-së, jo kur të krijohet ky ose ai ent juridik ose politik!

Shqiptarët kanë pritur mjaft dhe janë të lodhur. Por shqiptarët presin një fillim të ri. Në qoftë se jeni shqiptarë, dialogu gjithëpërfshirës për një fillim të ri duhej të kishte filluar dje – në interesin madhor të KOMBIT!

Marrë nga Telegraf

0
Platforma e Lirisë e prezantuar sot nga kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima

Platforma e Lirisë e prezantuar sot nga kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima

Platforma e Lirisë e prezantuar nga kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima

 

 

Partitë politike, shoqatat, grupet e interesit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe individë të pavarur, të mbledhur sot më 28 qershor 2019 konstatuan se vendi është i zhytur në një krizë ciklike politike dhe institucionale me pasoja shumë të rrezikshme afatshkurtëra dhe afatmesme për vendin.

Kjo krizë shumëdimensionale buron nga problemet e mëdha që ka legjislacioni ynë, nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nga cënimi i rëndë i sovranitetit të popullit, shkatërimi i integritetit të zgjedhjeve, keqpërdorimi i pushtetit, mungesa e vullnetit për të ndërtuar shtetin ligjor dhe mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, qeverisja joefektive që gjithmonë e më shumë po distancohet nga interesat e popullit, demokracia e munguar në jetën dhe organizimin e partive politike, kriminalizimi i zgjedhjeve dhe i politikës.

Deklarimet, sjellja dhe qëndrimet e dy blloqeve politike po kontribuojnë në ashpërsimin e kësaj krize.

Për të zgjidhur dhe për të parandaluar rishfaqjen e krizave të tilla në të ardhmen dhe për të bërë të mundur që kjo krizë të zgjidhet në favor të Shqipërisë, ne vendosëm të firmosim e ndjekim këtë Platformë të Lirisë (Pakt Kombëtar) gjithpërfshirëse dhe konsensuale, të domosdoshme për zhvillimin dhe për realizimin e objektivave që kemi si shtet anëtar i NATO-s dhe vend që aderon hapjen e negociatave për antarsim në BE:

Ky pakt nënkupton një dakordësi kombëtare dhe mes të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit, shoqërisë civile, trupave akademike, shtypit dhe inteligjencës, njerëzve të thjeshtë, rinisë, mëkatarëve dhe të tërë të tjerëve shqiptarë të interesuar.

Të gjithë pranojnë të angazhohen për realizimin e një reforme të thellë në gjithë korpusin legjislativ të vendit. Objekt i kësaj reforme duhet të jenë Kushtetuta dhe legjislacioni që rregullon çështje që janë të lidhura me sistemin qeverisës të vendit, Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjen e Presidentit nga populli, institucionin e Kryeministrit, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe Kodit zgjedhor, ligjin për referendumet, ligjin për partitë politike, etj.

Reforma legjislative konsensuale duhet t’i bëjë reale dhe të zbatueshme parimet e demokracisë përfaqësuese dhe të demokracisë së drejtëpërdrejtë, konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe forcimin e kapaciteteve që garantojnë kushtetutshmërinë dhe kapërcimin e konflikteve të mundshëm mes tyre.

Palët bien dakort të pranojnë, por duke mos u kufizuar vetëm që:

a) Reforma Legjislative të zhvillohet si një proces intensiv mbarëshoqëror me asistencë ndërkombëtare dhe brenda një periudhe kohe 3-4 mujore.

b) Të shfuqizohen ose korrektohen plotësisht ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Deputetët dhe këshilltarët bashkiakë të zgjidhen me sistem mazhoritar të korrektuar me propocional ose me sistem propocional të pastër kombëtar me lista të hapura.

c) Të ndalohen me kushtetutë kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri që të zgjidhen për më shumë se dy mandate.

d) Të garantohen zgjedhjet nga ndikimi i strukturave qeverisëse dhe funksionet e tyre shtetërore. Qeveria e zgjedhjeve të jetë e përkohshme dhe me bazë të gjerë.

e) Të vendosen me ligj postet politike në administratë, ku të përcaktohet se kush mund të largohet në rastet e ndryshimit të pushtetit.

f) Të demokratizohen dhe depolitizohen zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore tërësisht të pavarur;

me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja. Në administratën zgjedhore të përfshihen individë nga institucione që janë larg politikës, numëruesit e votave të mos jenë përfaqësues apo militantë të partive politike. Kutitë e votimit të mos transportohen më të panumëruara.

g) Të respektohen rregulla strikte për financimin e partive dhe të vendosen ndëshkime penale për rastet e abuzimit dhe shkeljes së rregullave.

h) Të hetohen individët e përfshirë në skandale të trafikut të votës dhe të forcohet legjislacioni penal për ndëshkimin e abuzuesve dhe të shkelësve të rregullave zgjedhore.

i) Të hiqen barrierat ligjore për referendumet. Për këtë të ndjekim modelet e vendeve demokratike europiane. Përmes referendumeve t’i jepet mundësi popullit që të vendosë në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështje nga më të ndryshmet që nuk cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Ne biem biem dakort që procesi i hartimit, negociimit dhe dakordësimit të Reformës Legjislative do të kryhet nga një komisjon politik gjithëpërfshirës që mund të udhëhiqet nga një ekspert i Kombeve të Bashkuara, KE ose OSBE-së.

Kjo Platformë Lirie kërkon krijimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, me kohëzgjatje deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme dhe me mandat të:

1) përfundojë implementimin e Reformës në Drejtësi;

2) implementojë Reformën Legjislative dhe Reformën Zgjedhore për demokratizimin e sistemit;

3) të përmbyllë detyrat dhe marrëveshjen për çeljen e negociatave të pranimit në BE;

4) përgatisë dhe zhvillojë zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe vendore të parakohshme.

Shqipëria nuk është vetëm e tre-katër njerëzve të gjithpushtetshëm. Ajo është e tërë shqiptarëve, prandaj pret t’i dalin për zot të gjithë ata që ndjejnë se ju rrjedh gjak shqiptar në zemër.

Tiranë më 28 qershor 2019

 

2
‘Air Albania’ ose ‘Hallall Airlines’ me pilotë e pasagjerë të bërë synet, që hanë bakllava dhe mallkojnë domuzin

‘Air Albania’ ose ‘Hallall Airlines’ me pilotë e pasagjerë të bërë synet, që hanë bakllava dhe mallkojnë domuzin

 

Enver ROBELLI

Çdo kompani serioze ajrore respekton rregullat e ushqimit të pasagjerëve. Nëse fluturoni me kompaninë zvicerane «Swiss» nga New Yorku në Zürich dhe nëse në avion ka pasagjerë hebraikë besimtarë, do të vëreni se ata marrin ushqim sipas rregullave hebraike të ushqimit. Si myslimanët edhe hebrenjtë e konsiderojnë derrin si kafshë të papastër. Është e lejueshme të hahet vetëm mishi i kafshëve gjitare ripërtypëse. Derri nuk është kafshë që ripërtyp ushqimin. Para uturimit pasagjeri mund të porosisë ushqimin në përputhje me bindjet e tij fetare ose ushqim vegjetarian, nëse beson në mrekullitë e gjetheve, kungullit dhe lakrave.

Kompania ajrore «Air Albania», e themeluar nga «Turkish Airlines», duket se ka vendosur që përmes një ete t’ia bëjë me dije paraprakisht çdo pasagjeri se ushqimet që shpërndahen në bord janë të përgatitura sipas «parimeve islame». Kjo është e pazakonshme dhe e panevojshme – madje edhe në qoftë parodi. Së pari: për shkak se «Air Albania» fluturon në një vend ku rreth një e treta e popullsisë nuk është myslimane. Së dyti: nuk duhet harruar edhe numri i ateistëve (edhe ata janë njerëz!). Së treti: fluturimi për në Tiranë nuk është uturim për në Riad. Së katërti: përjashtimi I gjuhës shqipe si gjuhë e komunikimit nga «Air Albania» është fyes ndaj shqiptarëve. Së pesti: ka mënyra shumë më diskrete për të treguar se një ushqim nuk ka mish derri – për shembull siç bën kompania zvicerane «Edelweiss», e cila në ambalazhin e ushqimit e bën transparente se një prodhim nuk ka mish derri.

Por duket se «Turkish Airlines» synon që përmes ilmihallëve mbi ushqimin të tregojë se Shqipëria është vetëm një krahinë e Anadollit. Çfarë udhëzimesh priten në të ardhmen në avionët e «Air Albania»? Mund të fluturojnë vetëm pasagjerët e bërë synet? Mund të fluturojnë vetëm motrat myslimane të mbuluara me shami dhe pasi në pistën e aeroportit në Rinas një zyrtar për çështje religjioze i Rexhep Taip Erdoanit të verikojë nëse gratë i kanë lidhur shamitë sipas rregullave të «Diyanet İşleri Başkanlığı» (presidencës turke për çështje fetare)? Edhe më mirë do të ishte që avionët e «Air Albania» ose «Hallall Airlines» të drejtohen nga pilotët e bërë synet. Kanë mundur përgjegjësit e «Turkish Airlines» t’u tregojnë shqiptarëve se në fluturimet e «Air Albania» menyja do të përbëhet na jahnia, sytliaçi dhe sidomos nga Yaprak Dolmasi, Arnavut Cigeri, Patlican Ezmesi, Kabak ve Patlican Kizartmasi, Seytinyagli Fasulya, Tarhana Corbasi, Patlicanli Cöp Kebabi, Bulgur Pilavi, Tel Kadayif, Peynir Helvasi, Tavuk Gögsü.

Në përpjekje për të imponuar agjendat e tij për islamizimin e çdo pjese të shoqërisë, regjimi i Rexhep Taip Erdoanit nuk njeh kufi. Së paku gjysma e turqve e hedhin poshtë këtë politikë. Ndonëse Erdoan ka lejuar bartjen e shamisë kudo në institucione, megjithatë fushata e tij nuk ka arritur suksesin e dëshiruar. Sipas institutit të njohur Konda para 10 vitesh çdo e dyta turke mes moshës 15 dhe 29-vjeçare nuk ka bartur shami. Sot janë gati 60 për qind që nuk bartin shami. Për të mos humbur votat e grave partia e Erdoanit madje tregon njëfarë mirëkuptimi për gratë që nuk bartin shami. E ngarkuara për çështje të grave në Diyanet, Ajshe Suçu, deklaroi së fundi se mbulimi i grave nuk është pjesë e pesë shtyllave të islamit. Por Erdoan i ka shpallur luftë rakisë, Yeni Rakisë së famshme dhe të gjitha pijeve të tjera të dala nga xhehenemi. Kur Erdoan erdhi në pushtet një shishe raki kushtonte rreth 1 euro, ndërsa sot kushton rreth 23 euro. Raki Skrapari në avionin e «Air Albania», i cili bart emrin e ortodoksit Lasgush Poradecit? E paimagjinueshme! Vetëm nëse e kontrabandon bektashiu Ilir Meta me ndihmën e katolikut Edi Rama.

Marrë nga dialogplus.ch

0
Intervista e kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, në emisionin “Të Paekspozuarit”

Intervista e kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, në emisionin “Të Paekspozuarit”

Z. Kokëdhima, ju sot keni ardhur në studion time për të bërë një deklarim shumë të rëndësishëm të jetës tuaj politike, por edhe një deklarim kurajoz do të thosha, në gjendjen dhe në kohën që jetojmë ne në këtë vend kaq të çuditshëm. Ju sfidoni kryetarin aktual të Bashkisë së Tiranës, që është kandidat për herë të dytë, pra shpallni kandidaturën për kryetar të Bashkisë së Tiranës, apo jo?

 

Unë kam vendosur t’i kërkoj mbështetje Kongresit të Partisë ZGJIDHJA në 4 Maj, pikërisht për të sfiduar Erion Veliajn, në garën për kryesimin e Bashkisë së Tiranës. Mendoj se kjo është diçka shumë e rëndësishme në dy plane. Së pari, për të ndryshuar rrënjësisht mënyrën e qeverisjes së Bashkisë së Tiranës dhe të drejtimit të saj. Për ta bërë Bashkinë e Tiranës një pushtet vendor të hapur për qytetarët, afër me ta, një pushtet njerëzor dhe efektiv. Së dyti, mendoj se është shumë e rëndësishme që të ndërpresim vazhdimësinë e Erion Veliajt, sepse është një përfaqësues tipik i sektit të Rilindjes. Ka të njëjtën filozofi qeverisëse si Rilindja dhe Edi Rama. Është bartës i kulturës korruptive në qeverisje dhe merret tërë kohën me manipulimin e opinionit publik. U ka mbirë njerëzve çdo natë në televizor. Ai është kasetaxhiu më i madh i të gjithë historisë politike të Shqipërisë! Besoj edhe bnë botë, është kasetaxhiu më i madh i historisë politike.

 

Pyetja ime konsiston, pikërisht në këtë që thoni ju. Ju po vini në dukje gjithë këto vese, që ka Lali Eri siç jemi mësuar t’a quajmë ne. Por pyetja ime e rëndësishme Z. Kokëdhima është, se si do të dilni ju përballë Lali Erit? Me të gjitha këto suksese që deklaron Edi Rama dhe me të gjithë median shqiptare që ai ka në mbështetje! Lali Eri e ka të gjithë median. As Rama nuk e ka. Ndërsa Lali Eri ka gjithçka. Si do të dilni ju tani përballë? Çfarë është ky guxim? Jam shumë i habitur.

 

E kam shpjeguar se projekti ynë është projekt lirie. Ne luftojmë për të shembur kastën, për të rikthyer lirinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar. Ne duam të rikthejmë republikën. Ne duam që të zhbëhet kapja e shtetit nga kryetarët e partive dhe zyrtarët e Rilindjes. Ta kemi parasysh, Rilindja dhe kryetari i saj kanë marrë peng shtetin shqiptar. Kanë shkatërruar çdo vlerë dhe çdo virtyt në institucionet e tij.

 

Kush? Sepse Rilindja nuk është Rilindja e Frashërllijve dhe e kohës së pavarësisë…

 

Unë flas për sektin e sotëm, që ka uzurpuar edhe shtetin, edhe qeverisjen, edhe liritë e popullit, edhe institucionet e shtetit, edhe ekonominë e vendit. Kanë uzurpuar edhe Partinë Socialiste, të majtën e Shqipërisë, sistemin politik, gjithçka. “Zgjidhja” është një projekt për të dalë nga ky qerthull dhe për të vendosur liritë në Shqipëri. Prandaj dëshiroj që ta godasim mu në zemër Rilindjen, duke ndërprerë mandatin qeverisës bashkiak të Erion Veliajt. Sepse Erion Velaj është princi i kurorës së Rilindjes.

 

Më duket se e ka thënë edhe Edi Rama këtë gjë. Është një nga Princat e Rilindjes.

 

Këtë e kam thënë unë.

 

Pse ti e ke thënë këtë?

 

Po, unë e kam thënë. E kam shkruar madje, që Rilindja kishte dy princa, por Saimirin e morën në qafë këta. Ndërsa tani Rilindja mbeti me një Princ.

 

Tani ti ke ardhur dhe mendon se mund ta rrëzosh Princin?

 

Ne do të bëjmë atë që është e domosdoshme për popullin tonë. Është e domosdoshme për vendin. Ju thoni që këta kanë të tëra mediat.

 

Lali Eri, se Rama nuk i ka.

 

Ata kanë të gjitha mediat, pushtetet, ndërmarrjet, pasuritë, paratë. Kanë gjithçka. Jam dakord me ju që i kanë të gjitha.

 

Në televizionet shqiptare sapo fillon mëngjesi, nëse do të dali Lali Eri për të mbjellë një pemë, madje edhe për të shkuar në banjë nesër, ndërpriten të gjitha programet ku transmetohet dhe menjëherë transmetohet Lali Eri. Si do ta mundësh ti këtë, sepse mua po më habit.

 

Po, jam dakord që i kanë uzurpuar të gjitha. Si të gjithë biznesmenët e ndershëm dhe njerëzit e punës në Shqipëri kanë bërë ato ndërmarrjet e tyre që i kanë ngritur me gjak, me djersë, me sakrifica; kanë bërë ato sh.p.k.-të apo sh.a.-të e tyre, këta kanë bërë mega ndërmarrjen Shqipëria Sh.p.k. “Shqipëria Shpk” është ndërmarrja më e madhe ekonomike  e këtij vendi. Me këtë ndërmarrje këta bëjnë biznes nga mëngjesi në darkë, që prodhojnë, pastrojnë e riciklojnë para në çdo sekondë për veten e tyre. “Shqipëria sh.p.k.”, përveç ekonomisë, buxhetit të shtetit, tregjeve, resurseve dhe të drejtave, ka edhe qeverinë, shtetin dhe pushtetet. “Shqipëria sh.p.k.” është pronë e Ramës dhe Veliajt, e kryetarëve të partive, zyrtarëve të lartë dhe një grushti oligarkësh. Këta bëjnë korrupsion galopant, të paparë dhe të padëgjuar ndonjëherë në histori.

 

Njeri më afër Edi Ramës deri dje, se ty nuk ka pasur. Ti ke qenë mentori i Edi Ramës. Ti e njeh shumë mirë. Çfarë ndryshimi ka Princi i Kurorës, Erioni nga Edi Rama?

 

Unë gjykoj politikisht. Nuk merrem me aspektet personale të këtyre njerëzve. Veliaj është përzgjedhur për të siguruar të ardhmen e kësaj oligarkie, të krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri. Veliaj është personi që duhet të garantojë të ardhmen dhe paprekshmërinë e interesave të këtyre njerëzve, vazhdimësinë e kësaj filozofie qeverisëse, të kësaj kaste sunduese. Veliaj është i zgjedhuri i së nesërmes së saj, për ta mbajtur këtë vend të robëruar, siç është sot. Vend pa liri  republikane. Një vend pa të drejta dhe pa sovranitet të popullit.  Shqipëria nuk ofron asnjë barazi shansesh; asnjë drejtësi për njerëzit.

 

Ti në fillim u prishe me Fatos Nanon. Pastaj me Ilir Metën. Pastaj me Saliun dhe tani me Edi Ramën. Pra ti, si mentor i Edi Ramës befas prishesh edhe më të. Mos e ke gabim këtë punë Koço, sepse edhe tani po bën një goditje, pra ke marrë pushkën dhe do të vrasësh Princin e Kurorës?

 

Nuk jam prishur me askënd. Sepse nuk kam pasur një pakt të tipit personal me askënd. Unë kam luftuar me të gjithë kryeministrat e këtij vendi. Sepse këta kryeministra kanë shkelur mbi interesat e larta të popullit dhe të atdheut tonë. Kane bërë vepra shumë të rënda dhe shumë të dënueshme. E kanë përdorur pushtetin kundër qytetarëve. Kam pasur përgjegjësi për tu artikuluar gjithmonë. Jo vetëm sepse jam qytetar i këtij vendi. Jo vetëm se jam shumë i përgjegjshëm si qytetar, por kam menduar se një person që bën media duhet të jetë shumë korrekt me interesat publike dhe mbrojtës i vendosur i tyre.

 

Koço këta të kanë larguar. Pra a ke besim se këtë radhë ti do t’ia dalësh?

 

Unë ia kam dalë gjithmonë.

 

D.m.th, po të mundi Veliaj, ti do t’i thuash, unë ia dola?

 

Edhe në këtë projekt që kam ndërmarrë, do t’ia dal patjetër, si në çdo lloj sfide tjetër, sepse unë eci me ide të mira, me një vizion shumë të qartë dhe duke i qëndruar besnik interesave të qytetarëve të Shqipërisë.

 

Unë u thashë disa miqve të mi, se Koço do të kandidojë për Kryetar të Bashkisë së Tiranës. Disa nga këta thanë, që mos ndoshta e fut Edi Rama. Sepse tek Edi Rama kanë filluar të kthehen shumë njerëz me mënyra të ndryshme. Njëri bëhet drejtor në filan vend, pra i merr një aset, tjetri merr diçka tjetër. Kthehen tek Edi Rama si djali plangprishës. Ti nuk je djali se ke qenë mentori i tij. Pra, mund tu thuash njerëzve se ky kandidim nuk ka lidhje me një kthim të mundshëm tek Edi Rama?

 

Unë e kam mentoruar Edi Ramën, kjo është e vërtetë. Por e kam këshilluar gjithmonë në mënyrë shumë parimore, krejtësisht profesionale dhe të suksesëshme. Kurrë nuk kam biseduar me të për çështje private, apo për çështje që nuk kanë të bëjnë me interesat e Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje jam shumë krenar për veten time. Sa herë ai dhe të tjerët kanë ndjekur këshillat e mia, aq herë kanë bërë gjënë e duhur për vendin. Nuk bëhet Koço Kokëdhima kurrë fasadë e pushtetit uzurpator të Rilindjes dhe e Kryeministrit.

Edi Rama dhe Sali Berisha janë armiq të betuar të lirive republikane në Shqipëri. Kanë shkatërruar liritë e një populli të tërë dhe mundësitë që njerëzit të ndërtojnë të ardhmen e tyre të lumtur në këtë vend. Unë nuk e luftoj politikën e tyre për arsye apo mllefe personale. S’kam asnjë të tillë. Jam shumë i qartë, që kjo është rruga që duhet të ndjekë Shqipëria. Së dyti, ai merak që ju thoni, është i lidhur me situatën politike aktuale. Në kushte të tjera, ky merak nuk do të ekzistonte. Kandidimi im përbën një kërcënim të madh për pushtetin. Hyrja ime në një garë normale ku do të konkurrojë edhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike, e bën shumë të dobët dhe e kafshon rëndë Erion Veliajn. Tani që Partia Demokratike dhe LSI janë jashtë parlamentit dhe jashtë procesit elektoral, mund të duket sikur lëvizja jonë e dëmton PD-në dhe favorizon qeverinë. Por nuk është ky qëllimi jonë, kjo nuk ndodh me ZGJIDHJA-n.

 

Në kohën që ke qenë me socialistët, a ke pasur njohje me Erion Velinë? Pra që ti i thoshe Veliajt bëjë këtë punë dhe ai të ju thoshte juve që bëj këtë punë?

 

Nuk kam pasur raporte të tilla me Veliajn.

 

Po Veliaj me ty?

 

Jo, absolutisht jo. Raportet e mia me Velian, kanë qenë raporte formale, në atë kohë që unë u përfshiva si deputet në Partinë Socialiste.

 

Por ndërkohë ai është shprehur në një gjë që ju të organizonit punën e kanabisit.

 

Jo, nuk kam pasur kurrë raporte personale me Velian. Kjo është mëse e sigurt.

 

Ju tani po hyni në një luftë të madhe, të them të drejtën. Ju e keni parë që në Tiranë po mbijnë kulla të mëdha. Si do të dilni ju? Ju do t’i vazhdoni këto kulla, apo dilni kundër Erion Velisë për kullat. Nëse do të dilni kundër kullave, do të dilni edhe kundër shumë njerëzve që i investojnë paratë në kulla. Pra çfarë mendon për kullat?

 

Erion Veliaj ka bërë një thes të paimagjinueshëm me premtime mashtruese elektorale.

 

Veliajt nuk ia fusim dot këtë të kullave. Kullat i bën Edi Rama.

 

Bashkëpunëtorët e mi kanë nxjerrë gati 11 faqe me premtimet  elektorale të Veliajt, të cilat janë të papërmbushura. Pra, janë hequr premtimet që janë mbajtur. Një person që premton hënën, ka vetëm një qëllim: të mashtojë dhe sundojë qytetarët, thjesht të grabitë liritë e tyre, nuk ka qëllim tjetër. Premtimet elektorale duhen bërë shumë serioze. Tani meqë më thoni për kullat. Ja çfarë ka thënë Erion Veliaj në fushatë: Nuk do të ketë ndërtime të reja në zonën me densitet të lartë.

 

Po këto i dimë. Tani ti, si Kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës, çfarë do të bësh me kullat? Këtë po pyes unë.

 

Kullat i kanë bërë tani.

 

Unë po flas për të rejat more. Sepse edhe ti do vazhdosh.

 

Për mua ndërtimi i Tiranës duhet të zhvillohet në një mënyrë shumë miqësore. Në periferi, në zonat rurale, me shumë pole, me ndërtime jo të larta, etj. Kjo është një histori që këta e kanë bërë baltë: Nuk lanë asnjë metër vend pa betonizuar. Bëjnë gjithë këto ndërtime në qendër. Kjo është një politikë pa krye, jo e mençur dhe e gabuar. Ne do ta ndryshojmë rrënjësisht këtë politikë. Kjo nuk duhet të vazhdojë më.

 

Unë e kuptoj se kjo manovër që po bëni ju Koço, është manovra e tipit të Zhak Shirakut. Ju, po morët Bashkinë e Tiranës, realizoni të gjitha gjërat dhe ambiciet tuaja politike. Sepse njeriu mund të ketë shumë ambicie. Unë t’i kam kuptuar këto ambicie. Kjo është puna jote, por ndoshta kjo është mënyra më e mirë, apo jo?

 

Partia Zgjidhja ka një projekt politik, që është zgjidhja e vetme për Shqipërinë. Koço është  një lojtar serioz dhe si i tillë, do të punojë shumë seriozisht. Por duhet ta kuptojmë, që kjo kulturë qeverisëse nuk duhet të vazhdojë më.  Shqipërisë i kanë ardhur gjërat atje ku nuk mbajnë më.

 

Zoti Koço, unë të kuptoj se çfarë do të thuash ti. Ti je një kockë e fortë dhe i njeh nga brenda. Sipas teje, ku ka dështuar Lali Eri në Tiranë?

 

Për ta kuptuar këtë duhet të analizojmë premtimet e tij elektorale të mandatit të kaluar: Ai tha se brenda 100 ditëve të para, do të shpërndaj 385 banesa sociale. U premtoi qytetarëve se si do t’i ndihmojë me banesa sociale, se nuk do të lejojë të pastrehë etj. Çfarë bëri në fakt? Shkatërroi shtëpitë e banorëve në Shkozë, në Bregun e Lumit dhe në Astir. Shkatërroi shtëpitë e banorëve kudo, në emër të “interesit publik”. Shkaktoi gjithë ato tragjedi. I morri gratë dhe fëmijët me dhunë dhe i hodhi brutalisht në rrugë.

 

Ti po thua gjëra të vërteta. Por me këto nuk e rrëzon dot Erion Velinë…

 

Edhe diktatura komuniste ishte shumë më njerëzore se pushteti i Erion Velisë dhe i Edi Ramës. Binin tërmetet, ato janë vepra të Zotit dhe të natyrës, por regjimi i kohës u a ndërtonte shtëpitë falas të gjithë banorëve. U meremetonte të gjitha pasojat. Këta shkojnë dhe sulmojnë gratë, pleqtë dhe fëmijët me forca speciale, me buldozerë, me armë, me skafandra, me autoblinda. I rrahin, i marrin zvarrë, i gjakosin, i nxjerrin në rrugën e madhe pa asnjë mbështetje dhe ju prishin shtëpitë. Kam insistuar gjithë kohën, që duhet të marrin fund përgjithmonë këto sjellje e praktika mizore.

 

Ti që i ke hyrë kësaj sfide, ke një plan të detajuar. Ti ato që po thua, do t’i thuash në fushatë, kudo që të vesh. Por ti po përpiqesh që të vrasësh djallin. Si mund ta vrasësh ti djallin pa pasur prova të mëdha në dorë.

 

Gjithë këto mashtrime, rritjet maramendëse të taksave, abuzimet me pasuritë dhe të drejtat publike janë provat. Me lejo të citoj një premtim të Veliajt: Do të bashkëpunoj me qeverinë që stadiumin kombëtar ta ndërtoj jashtë Tiranës.

 

Çfarë ke ti në dorë, ndonjë armë të madhe për t’i rënë Erion Velisë?

 

Po pse me teoritë konspirative do e bëjmë politikën?

 

Jo kjo nuk është teori konspirative. Pra, si do ta rrëzosh ti Princin e Kurorës?

 

Do ta rrëzoj populli shqiptar. E ke dëgjuar se çfarë thotë Erion Veliaj tek “Opinioni”? Dëgjoje: Unë i rrjep ata, i rrjep sipërmarrësit. Unë i rrjep biznesmenët.

 

Ka thënē të vërtetën në fakt. I ke parë taksat që ka vënë ai?

 

Le t’i themi gjerat konkrete. Po të shkosh në perëndim, në hotelin ku jeton, me 4 ose 5 yje, ke ujë të pijshëm. Këtu shitet uji i papijshëm me çmimin e ujit të pijshëm. Dhe ky është një popull që nuk e çan fare kokën.

Në vitin 2014-2015, banorët e Tiranës kishin 11 orë në ditë ujë. I rriti çmimet e ujit zotëria në vitin 2016-2017 me 40 për qind deri në 70 për qind. Pasi rriti çmimet me premtimin se do e furnizojë Tiranën me 24 orë ujë të pijshëm, e përkeqësoi situatën. E uli furnizimin me ujë nga 11 orë në ditë, në 10.2 orë në ditë mesatarisht në vitet 2017-2018. Këtej rrit tarifat dhe taksat, në mënyrë agresive dhe shumë agresive, nga ana tjetër ul cilësinë e shërbimeve. UKT ka nevojë për 900 punonjës. E di sa punonjës ka ky zotëria tani? Mbi 1700.

 

Koço e ke bërë llogari se sa para i jep Erion Veliajt, Edi Rama?

 

E kam bërë.

 

Por Edi Rama nuk të jep para ty.

 

Pra, 1764 e ka çuar numrin e punonjësve në UKT. Për një muaj e gjysmë do t’i bëjë 2000. Do të shtojë edhe nja 200 apo 300 punonjës të tjerë. Për çfarë arsye? Vetëm që të bëjë vota Erion Veliaj. Paguan populli i varfër që të garantojë e mbajë  pushtetin Erion Veliaj. Ky zotëria bën ndere me punët dhe me paratë e popullit. Ai mashtron dhe abuzon.

Në gjithë këto vite UKT prodhon diku tek 80 milionë metër kube ujë dhe faturon 37 milionë metër kub. Pra, nuk faturon as 50 për qind të sasisë së ujit që prodhon. Pse? Sepse e vjedhin. Mbifaturojnë fakirët.  Bizneset që e kanë lëndë të parë nuk e paguajnë ujin. Këta i rrisin taksat, sepse u duhet buxheti i madh, jo për ta mirë qeverisur por për ta abuzuar. Këta thonë bëjmë rrugë e kanale, mbjellim pemë, bëjmë këtë dhe atë. Në fakt bëjnë vetëm tenderë korruptivë. Veliaj duhet të përgjigjet për kostot e punëve dhe për cilësinë e tyre.

 

Supozojmë që ti fitove. Shqiptarët u ndërgjegjësuan, e morën dhe e hoqën Erion Velinë dhe fitove ti. Me Edi Ramën si do t’ia bësh. Ai nuk të jep ty asnjë qindarkë. Si do t’ia bësh?

 

Projekti ynë është për ta shembur këtë sistem politik dhe këtë qeverisje. Shqipëria nuk bashkëjeton dot me këtë politikë dhe me këta politikanë.

 

Pra ju mendoni se vini në pushtet dhe Edi Rama bie?

 

Ne do të luftojmë për liritë e vendit dhe të popullit, për mirëqenien e tij. Ne do të luftojmë për ta shembur këtë sistem dhe për t’i hapur rrugë punës, konkurrencës, begatimit të qytetarëve.

 

Unë dua t’i them gjerat drejtpërdrejt. Përshembull, Rama thotë që nuk ka bir kurve që të më thotë mua i korruptuar. Ti si mendon tani?

 

Rama është një autokrat i korruptuar. Nuk është thashetheme kjo. Shiko shtetin e tij si është. Shiko qeverinë dhe nxirr konkluzione. Çdo degë, çdo qelizë e qeverisjes dhe e shtetit që ai drejton është e korruptuar si kurrë më parë. Çfarë është qeverisja, ashtu është edhe lideri i saj. Rama është çfarë është qeverisja e tij.

 

Ju thoni se Edi Rama është një autokrat i korruptuar. Si shkulet kjo? Unë në këtë ide jam me ty, sepse nëse ti do të ishe një njeri i korruptuar, do ta kishe të vështirë të ndaheshe me Edi Ramën, sepse do t’i përmendnin të gjitha këto. Dje opozita thërriste për ju si Beu i Jugut. Edhe vije pak ti si Bej atje në Jug, në Sarandë apo Vlorë. Por ju tani u ndatë menjëherë. Si do t’ju ikësh ti edhe këtyre gjërave? Edhe pse ke ikur, ke pasur skizma që kanë pasur një farë dyshimi. Si do ti përgjigjesh ti, sepse do ta thonë këta nesër ty. Fushata do të jetë shumë e ashpër.

 

Ylli, këto janë shumë vulgare.

 

Por ne në një ambient vulgariteti jetojmë.

 

Unë kam bërë 30 muaj deputetin e Partisë Socialiste në Jug të Shqipërisë. Por kam qenë tërësisht deputet i popullit. Kam pasur një pavarësi që nuk e ka pasur asnjë deputet tjetër. Pavarësia nuk vinte për shkak të raportit tim me Edi Ramën. Pavarësia vinte nga personaliteti dhe përgjegjshmëria ime. I kam mbrojtur gjithmonë interesat e qytetarëve dhe kam qenë kurajoz të ngre në çdo nivel të qeverisjes dhe të shtetit çdo çështje të tyre, ta ngre dhe kërkoj me forcën e duhur zgjidhjen e saj. Unë luftova për përmbushjen e të drejtës së qytetarit nga çdo ministër apo zyrtar i lartë, nga Kryeministri dhe nga kushdo tjetër. Nuk ka një model e shembull të një deputeti të popullit, si shembulli im. Nëse ju dukem jo modest, atëherë pak rëndësi ka për mua. Kam qenë avokat i qytetarëve në atë mënyrë që nuk do të përsëritet më në këtë vend. Në qoftë se unë i hidhja kripë plagës së kësaj politike, e bëja sepse nuk pajtohem asnjë çast dhe asnjë sekondë, me ato fenomene të rënda, nga të cilat vuajnë të gjitha forcat politike në Shqipëri. Nëse atyre në Jug ju pëlqenin që të më quanin Pashai i Jugut, kjo nuk më ka vënë asnjë herë në siklet. Siç më ka thirrur mëma ime tërë jetën, Pasha, në punën e në jetën time jam ndier vërtet si i tillë. Sepse jam i lumtur me gjërat që bëj, jam shumë kurajoz dhe kërkoj me forcë e këmbëngulje gjithçka të drejtë. Në zonën time, nuk kam lejuar që të prishesh pothuajse asnjë shtëpi.

 

Mua më shkruajnë, që pyete Z. Kokëdhima që opozita ka dalë nga parlamenti dhe me gjasë ajo nuk do të shkojë në zgjedhjet lokale. Pra, mos ndoshta duke kandiduar ju ndihmoni Edi Ramën? Kështu thotë ky që më shkruan mua. Pra, ju legjitimoni garën.

 

Të mos ketë asnjë iluzion asnjë shqiptar.

 

Por, ai mund të thotë që kandidati të vijë nënkryetar, pra tju ftojë juve si nënkryetar.

 

Partia ‘Zgjidhja’ dhe unë nuk i kemi asnjë borxh Partisë Demokratike. E parë kjo në kuptimin e raporteve si dy parti, edhe në raportin tim si person me këtë parti dhe me lidershipin e saj. Ne edhe në vitin 2017 e mbështetëm Partinë Demokratike dhe e kemi deklaruar edhe atëherë që nuk do futemi në zgjedhje jo gjithëpërfshirëse. Pra këtë gjë e deklaroj solemnisht edhe sot. Ne nuk futemi në zgjedhje në të cilat nuk shkon Partia Demokratike e Shqipërisë. Për sa kohë që kjo parti është një parti e rëndësishme e opozitës.

 

Pra po nuk u fut opozita ti nuk do të futesh?

 

Kurrë nuk ndodh që ne të futemi dhe të përçajmë edhe më shumë Shqipërinë.

 

Pra po nuk u fut Partia Demokratike ti nuk do të futesh në zgjedhje?

 

Absolutisht që nuk do të futem.

 

Pra ju mendoni se do të futet Partia Demokratike dhe ju kandidoni?

 

Nuk mund të them se çfarë mund të bëjë Partia Demokratike. Por unë mund të them saktësisht se çfarë mund të bëjë Partia ‘Zgjidhja’.

 

Pra nëse opozita, Partia Demokratike nuk do të futet në zgjedhjet lokale, edhe ju nuk do të futeni?

 

Ne nuk futemi në zgjedhjet lokale jo gjithëpërfshirëse. Po nuk shkoi Partia Demokratike në zgjedhje, pavarësisht se ne nuk kemi asnjë borxh ndaj PD-së, ne nuk do të shkojmë në zgjedhje.

 

Po ky është një lajm shumë i rëndësishëm. Pra këtu bien të gjitha hamendësimet që Koço Kokëdhima mund të përdoret si fasadë. Këto bien sepse ti nuk hyn në këto zgjedhje, nëse nuk hyn opozita.

 

Në asnjë palë zgjedhje që nuk shkon opozita tjetër, ne nuk do të jemi pjesë e tyre. Për çdo parti është shumë e rëndësishme dhe jetike të konkurrojë në zgjedhje. Ne po përgatitemi për të marrë pjesë në zgjedhjet e viti 2019, në të paktën 20 bashki kryesore të vendit. Por ne nuk shkojmë në zgjedhje të pareformuara. Nuk do të shkojmë kurrë në zgjedhje që votat tona t’i numërojë PS dhe PD. Kjo nuk ndodh. Ne jemi këtu për të shkuar në zgjedhje të reformuara, të depolitizuar, të barabarta dhe të lira, që votën tonë ta numërojnë institucionet e pavarura të shtetit shqiptar. Por jo në zgjedhje që votat të na i numërojnë partitë e kusarëve, që kanë 30 vjet që i vjedhin zgjedhjet në Shqipëri. Partia “Zgjidhja” e ka ftuar shumë sinqerisht opozitën. Ne dëshirojmë të bëjmë një front me të gjitha partitë e opozitës. Ne duam të bëjmë një front me Partinë Demokratike dhe me LSI-në, me partinë Ambientaliste Agrare, me partinë Aleanca Kuq e Zi dhe me gjithë partitë e tjera. Ky front duhet për të bërë demokratizimin e Shqipërisë; Për ta bërë Shqipërinë një vend me standarde; Për të përmbushur atë ëndërr që u shpalos në 1990, por që nuk u realizua kurrë. Ajo rezultoi zhgënjim në tri dekada. Demokracia e munguar është një imperativ për Shqipërinë. Nuk ka paqe dhe stabilitet, nuk mund të vendoset zhvillim, nuk mund të ketë liri kurrë, nëse nuk reformohen sistemi politik dhe zgjedhjet. Ne i kemi ftuar partitë e opozitës parlamentare, pavarësisht mëkateve të rënda dhe krimeve që kanë bërë në kurriz të Shqipërisë të vijnë në qëndrimin e duhur, të distancohen nga e shkruara kriminale në menaxhimin e zgjedhjeve; të distancohen nga fajet e rënda në qeverisjen e Shqipërisë, të marrin përsipër projektin për reformën e sistemit politik, për riinstalimin e demokracisë parlamentare; Të pajtohen me standardet e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta që bën tërë bota demokratike dhe të vijnë të bëjmë një front kombëtar për të imponuar këto reforma të mëdha.

 

Pas deklaratës që bëtë ju se nuk do të hyni në zgjedhje, nëse nuk hyn opozita, tani mund të jenë vërtetë të frikësuar. Sepse votat që ju do të merrni po të hyjë edhe opozita, rrezikojnë seriozisht kandidatin Veliaj.

 

Ju e hapët bisedën sot në mënyre shumë deklarative. Nuk ishte ky qëllimi im.

 

Ti Koço po të bëhesh kryetar bashkie bëhesh më i fortë se kryeministri që kemi.

 

Unë shpalos gatishmërinë dhe investoj veten për t’i dhënë një grusht në zemër gjithë kësaj kaste. Nëse doni që ta thyejmë këtë pushtet, nëse doni t’i hapim rrugë një sistemi demokratik në Shqipëri dhe një sistemi lirish, atëherë duhet të bëjmë hapa konkretë dhe angazhime konkrete. Nuk erdha këtu për të shpallur kandidaturën. Situata ka shumë të pa njohura. Ju thashë që, unë do të kërkoj mbështetjen e Kongresit të “Zgjidhjes” në 4 Maj për tu përballur me Erion Veliajn, duke marrë në konsideratë të gjithë zhvillimin politik që do të ndodhë deri atëhere. Jemi shumë afër limiteve, sepse më 13 Maj janë afatet përfundimtare të regjistrimeve në KQZ. Do të jetë Kongresi që do vendosë për përfshirjen time në këtë garë. Pra, unë nuk kam shpallur një vendim që do futem në garë por vetëm gatishmërinë time për tu përfshirë në të. Së dyti, unë e kam diskutuar edhe në kryesine e partisë këtë çështje. Edhe drejtuesit e partisë “Zgjidhja” kanë qenë të ndarë në dy palë. Një pjesë e tyre e mbështet këtë iniciativë, një pjesë e sheh me rezervë në kushtet e sotme politike.

 

Pse kaq të madhe e keni partinë, sa janë ndarë në dy pjesë? Në Partinë Socialiste vetëm Edi Rama flet.

 

Ne jemi parti demokratike Ylli, nuk jemi parti autokratike. Ne nuk jemi një bandë ku flet vetëm kapobanda.

 

Z. Kokëdhima, ju e patë ngjarjen e fundit se sa para u nisën nga bankat në qendër të Tiranës. Ata shkuan me makina të maskuara dhe u futën në barkun e aeroplanit, i morën paratë dhe ikën. Nuk i gjen më njeri ata. Doli Rama dhe tha se fajin e ka kinezi. E bënë kinezin copa-copa. Kinezin nuk e kishim goditur as në kohën e kinezëve kaq shumë. Çfarë mendon për këtë ngjarje?

 

Kur ndodhi kjo, unë bëra një postim të vogël në Tëitter. I falënderova grabitësit që u kufizuan vetëm tek paratë dhe nuk morën edhe avionin! Ajo është një ngjarje shumë e rëndë që tregon kalbëzimin e plotë të këtij pseudo shteti. Ky shtet është uzurpuar dhe kapur nga një grup politikanësh të korruptuar që e përdor vetëm për përfitime. Siguria e një populli buron nga liria dhe ligjet. Ky është një vend që nuk ka rend të ligjit. Në vend të ligjit këtu sundon marrëveshja e këtyre partive të vjetra. Liritë këtu i kanë shkatërruar kryetarët e partive.

 

Bashkë e kemi shkatërruar. Edhe ata, edhe unë, edhe ti.

 

Jo unë jo. Unë kam luftuar njëzetë e ca vjet dhëmbë për dhëmbë me të gjitha qeveritë e këtij vendi. Nuk them që nuk kemi bërë gabime. Kam luftuar gjithë kohën për interesin publik dhe lirinë e vendit. Jam ndër të paktët zëra që e kam kundërshtuar vendosmërisht Konçensionin e Rinasit. Saliu shkoi dhe e votoi në heshtje. Abstenoi. Ndërsa Fatosi ishte iniciatori. Merrini të gjitha deklarimet e mia të kohës. Ju thashë që nuk duhet të bëhet ky konçension në dëm të sovranitetit kombëtar. I kam paralajmëruar të gjitha gjërat që do të ndodhnin. Oligopolin që u krijua në mënyrë të tillë do ta paguanin shqiptarët shumë shtrenjtë. Ju paralajmërova se do të kemi tarifat dhe çmimet më të larta në të gjithë Evropën. Koha i provoi qëndrimet e mia.

E dyta, ku shkonin ato para? Qeveria duhet të bëjë transparencën e parave. Deri tani nuk është shpjeguar se pse eksportoheshin ato para. Nuk ka nevojë që qeveria të flasë në media për koncensionarin. Ato që bën Edi Rama në media, janë propagandë për t’i hedhur hi syve shqiptarëve.

 

Opozita thotë se Rama nuk është mirë psiqikisht. Sepse janë edhe akuza që bëhen. Mos jemi të gjithë edhe ne nga pak kështu si jo mirë?

 

Nuk e mendoj këtë gjë. Populli ynë nuk është një popull që ka defekte mendore, por këtu kemi disa probleme që ne duhet t’i vëmë në dukje me kurajë dhe me vërtetësi. Përtej gjithë vlerësimeve që kam për popullin tonë, për tolerancën, vlerat, sakrificat dhe trashëgiminë e tij, ne e kemi korrupsionin epidemi. Një autor i kohës së luftës thoshte se shqiptarët e kanë korrupsionin romantik. Vulgu më i errët i Shqipërisë janë militantët e partive të vjetra që mbështesin mëkatet e këtyre partive. Ata janë lukunia që vazhdon të shkatërrojë shtetin tonë.

 

Z.Kokëdhima, në një përballje mes jush dhe Erion Velisë, sa për qind fiton Koço Kokëdhima?

 

Personaliteti dhe figura ime nuk ka asnjë lidhje me atë të Erion Veliajt. Unë nuk i jap as çelësat e mullarëve atij. Ai nuk është i zoti për të qeverisur. Është servili i Edi Ramës. Nuk është në gjendje të çojë përpara kauzat e popullit. Ai është manipulator, gënjeshtar dhe i korruptuar. Nuk është konkurrent për figura të denja që mund të drejtojnë bashkinë. Nuk ka profil, nuk ka kulturë, as dije, as aftësi, as karakter. Është një profan në politikë. Një parti serioze nuk kandidon njerëz si ky. Edi Rama nuk e kupton se politika është diçka shumë e madhe, nga e cila varet fati i një populli, dinjiteti, liria, siguria dhe mirëqenia e tij. Prandajë i bën popullit peshqesh figura të tilla për ta qeverisur. Kjo është çmenduri. Unë nuk e konsideroj këtë kandidat.

0
Politikanët: Të diskutohet Pakti i propozuar nga Kokëdhima!

Politikanët: Të diskutohet Pakti i propozuar nga Kokëdhima!

Ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, thotë se Paktin e propozuar nga Kokëdhima e mbështesin të gjithë, por ka çështje që kërkojnë diskutim më të gjerë. I përjashtuari i PD-së, deputeti Myslim Murrizi: PD-PS nuk duan ndryshim të sistemit zgjedhor. Komenton edhe ish-deputetja e PD-së, Grida Duma

 

Pakti Kombëtar i Partisë “Zgjidhja” me drejtues Koço Kokëdhima, vazhdon të jetë në fokusin e diskutimeve të politikës. Në një bashkëbisedim me “Shekulli”-n, ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, thotë se Paktin e mbështesin të gjithë, por ka çështje që kërkojnë diskutim më të gjerë politik. Në një mendim me të është edhe ish-deputetja e PD-së, Grida Duma. Së fundi, forumit të diskutimit i bashkohet edhe i përjashtuari i PD-së, deputeti Myslim Murrizi, i cili thotë për “Shekulli”-n, se PD-PS-LSI nuk duan ndryshim të sistemit zgjedhor, (ashtu si propozohet me Projekt-Paktin Kombëtar të Koço Kokëdhimës), pasi ju ikën monopoli i pushtetit.

Vangjel Tavo: Pakti duhet të diskutohet gjerësisht

“Jam pjesërisht dakord për Paktin Kombëtar të Partisë “Zgjidhja”. Arsyet janë këto: Nuk mendoj, se është dikush kundër paktit, përveç PS-së. Janë disa pika për të cilat duhet që faktorët politike të ulën për të diskutuar, se kush është e drejtë dhe cila jo. Unë them pjesërisht dakord, me pikën e kufizimit të mandatit. Në pakt thuhet, kufizim mandati kryetarit të bashkisë. Po pse? A janë të zgjedhur? A marrin votë nga populli? Pse nuk ia kufizon mandatin edhe kryeministrit, deputetëve. Ndërkohë që për presidentin është e shkruar edhe në kushtetutë kufizimi i mandatit të tij. Jam dakord me paktin. Tani, ideja e 100 zonave zgjedhore është diskutuar edhe më përpara, por që ka mbetur kështu sepse është çështje interesash elektorale të partive, që nuk është realizuar. Ndërkohë që nuk ka asgjë të keqe po të bëhen 100 zona për një vend me 3 milionë banorë. Është normale që të ketë 100 deputetë parlamenti. Është hedhur edhe ideja e dy dhomave, të cilën akoma e mbështes. Pastaj, se do të bëhet maxhoritar, proporcional apo me lista të hapura, jo të mbyllura siç është tani, është një çështje që i përket tryezës së partive”.

Grida Duma, ish-deputete e PD-së: Çdo propozim vlen të diskutohet!

Myslim Murrrizi, deputet i listës së PD-së: PS-PD nuk duan të ndryshojnë sistemin zgjedhor!

“Ne besojmë që Shqipëria është i vetmi vend që ka provuar, sajuar dhe provokuar në mënyrë të qëllimshme situata që nuk i kanë shërbyer kurrë qytetarëve shqiptarë, por vetëm politikanëve për interesa të ngushta të pushtetit. Kemi patur qeveri stabiliteti që kurrë nuk ka prodhuar stabilitet. Kemi bërë qeveri teknike, por me njerëz të varur totalisht nga padronët politikë. Kemi patur qeveri të pajtimit kombëtar, por që nuk është se kombi ka qenë i zëmëruar me njëri-tjetrin. Pra, për 29 vite postkomunizem, komunistë të etur për pushtet e pasuri, të ndarë, pse jo edhe me porosi, në të gjithë spektrin politik shqiptar, nuk kanë lënë gjë pa shpikur e pa sajuar, vetëm e vetëm për karrigen e pushtetit të rreth 50 individëve apo familjeve që prej 29 vitesh kanë qenë në një farë mënyrë sunduesit e kësaj pjesë të shqiptarëve që janë çdo ditë e më pak në këtë vend.

Ndaj unë qysh në fillim dua të them që ky vend nuk ka nevojë për pakte, për marrëveshje, për takime skuthash për pazare copash apo karrigesh, por vetëm për ligj, rregulla loje të qarta, institucione që zgjidhen nga qytetarët dhe drejtësi që ka munguar. Pakte, pajtime, marrëveshje, armëpushime e lloj-lloj shpikje hibride, janë vetëm mes kombeve në raste lufte apo gjatë saj. Si z Basha edhe z Rama nuk e duan ndryshimin e sistemit zgjedhor, sepse ju bie në fund të këmbëve pashallëku si pronarë partie, e për rrjedhojë nuk ju pëlqen demokracia. Ky pashallëk rrezatohet më shumë kur partia është në pushtet se sjell një kryeministër autoritar, por edhe për opozitën është vrasëse, sepse monopolizon nëpërmjet listave paçavure “elitën” politike të çdo force politike. Hipokrizia e Bashës dhe Ramës qëndron në pallavrat që artikulojnë çdo ditë për popullin dhe nga ana tjetër nuk e pyesin popullin, as për ata që në demokraci duhet t’i zgjedhë patjetër populli, pra për deputetët. Kjo ka sjellë prej 12 vitesh një rënie të dukshme të interesit të qytetarëve për votën dhe ka shtuar votat në treg, si dhe ka shkëputur përfundimisht deputetët nga qytetarët.

Basha të bëj koalicion me opozitën e re? Po pse kush është opozita e re? Po pse të gjithë deputetët që janë futur dhe do futen në Kuvend a nuk janë nga lista e Bashës?  Kur u bënë të rinj këta tani që nuk ju binden urdhrit patetik të udhëheqësit? Po kush qenkan të vjetër si opozitë? Këta që nuk janë fare anëtarë të PD? Këta që vijnë nga PPSH, PS apo nga rruga? (Qesh…) Nëse qenkan opozitarë të vjetër më shumë se gjysma e ish-grupit parlamentar të PD-së që kanë ardhur në Kuvend nga rruga, atëherë unë, Korab Lita, Arben Elezi, e të tjerë që vijmë nga një kontribut 29, 25, 20 vjeçar, i bie të jemi jo veteranë, por pronarë të opozitës me ligjin “7501”. Hipokrizia e ditëve të fundit e Bashës me gjoja primare brenda partisë që do t’i numërojë Bylyku, Gazi apo Seiti apo ata që “numëruan” votat për kryesinë e PD-së është një tallje tjetër që vetëm ai dhe ata që nuk i pjerdh askush në hyrje, lagje pallat apo fshat mund ta besojnë. Në statutin e PD-së, por edhe të PS-së apo çdo force politike, formalisht thuhet: se propozon anëtarësia dhe forumet dhe vendos qendra. Unë po pyes publikisht, se kush i propozoi nga anëtarësia gati gjysmën e deputetëve të PD-së, por edhe të PS-së? Po pse demokratët lushnjarë e propozuan Mesilën, Idrizin, Pollon? Apo e kishin propozuar ata të Beratit, Halimin? Apo ata të Gramshit, Gjiknurin? Pyesni kë të doni dhe do shihni se jo që nuk i ka propozuar njeri, por nuk i njeh askush dhe i urrejnë me shpirt”.

 

1
Koço Kokëdhima: Projekt-Pakt Kombëtar për zgjidhjen e krizës

Koço Kokëdhima: Projekt-Pakt Kombëtar për zgjidhjen e krizës

 

Për një fillim të ri për shtetin dhe për popullin tonë

Kriza ciklike 10-vjeçare që po përjetojmë mund të zgjidhet vetëm me reformimin e sistemit tonë politik. Për këtë nuk duhet të presim nga jashtë. Zgjidhja duhet të vijë nga brenda vendit.

Kjo është krizë e sistemit politik, e mungesës së përfaqësimit të popullit dhe e sistemit zgjedhor, të cilën nuk mund ta zgjidhin vetëm partitë e vjetra që e kanë krijuar dhe shtresëzuar vit pas viti. Ato janë përgjegjëse për shkatërrimin e demokracisë dhe zëvendësimin e sovranitetit të popullit me pushtetin e kryetarëve të tyre. Këta të fundit shkatërruan interesin e përbashkët, liritë dhe shtetin, sundimin e ligjit dhe burimet e ekonomisë vetëm për pushtetin, pasurimin dhe privilegjet e tyre personale. Një popull servil dhe i korruptuar, militant dhe mbështetës i verbër ndaj liderëve autokratë e të gjithëpushtetshëm të partive është i prirur të bjerë nën tirani dhe ta humbi lirinë e vet. Mjerisht, kjo ndodhi me popullin tonë. Shqipëria ka një sistem politik, që nuk ngjason me asnjë tjetër në botë. Rifitimi i lirisë së humbur tashmë duket i pamundur paqësisht dhe pa luftë. Uzurpatorët nuk e lëshojnë më pushtetin. Liderët e tri partive të vjetra e mbajnë fort me thonj, në marrëveshje e në bashkëpunim këtë sistem tek i cili ata ndihen si sulltanë që alternohen çdo 8 vite në qeveri. Mjafton të mbajnë në kontroll partitë e tyre që i kanë kthyer në bashkësi parapolitike jo demokratike dhe në struktura të kriminalizuara. Shumica e shqiptarëve të leshtë, dinakë apo të papërgjegjshëm qofshin, për fat të keq, janë të pavetëdijshëm se çfarë kanë humbur dhe çfarë të keqe të madhe i kanë bërë vendit dhe brezave që vijnë duke mbështetur këto parti në mëkatet e tyre.

Kriza jonë zgjidhet vetëm përmes kurimit në themel të shkaqeve të saj. Kjo kërkon sinqeritet dhe ndershmëri nga të gjitha palët.

Për të zgjidhur krizën aktuale dhe të tjerat që do të pasojnë në mënyrë të pashmangshme, propozoj një Pakt Kombëtar për një sistem të ri politik, për një fillim të ri për të gjithë, për qytetarët e urtë, për rininë dhe për pensionistët, për militantët e papërgjegjshëm dhe për vulgun, për elitën drejtuese, për ata që e çmojnë lirinë mbi gjithçka dhe për të tjerët që nuk e kanë problem të jetojnë në shtypje e robëri.

Për të kapërcyer krizën është akute, që vendi të dalë nga sistemi i partitokracisë, kërkohet çmontimi i pushtetit absolutist të kryetarëve dhe rivendosja e Republikës. Duhet t’i jepet fund regjimit hibrid që ka prodhuar marrëveshja PS-PD dhe autokracia e krimit dhe korrupsionit. Tejkalimi i krizës kërkon një Pakt Kombëtar konsensual, përndryshe ky vend nuk ka shpëtim, do të vazhdojë të thahet edhe më shpejt nga çdo burim. Nën diktaturën komuniste ishim pa liri, por kishim shpresa dhe besim te e ardhmja demokratike e vendit. Tani jemi më të pashpresë se kurrë, jemi një shtet dhe një vend që po zhbëhemi çdo ditë. Qeveria bën gjithçka për të na mbajtur në gjumë e në errësirë dhe për të mos e lejuar popullin të kuptojë humnerën ku ka rënë. Na duhet një pakt kombëtar për një fillim të ri që të kthejë shpresën dhe besimin, punën dhe përkushtimin, zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe demografik, virtytin dhe shëndetin e gjithanshëm të shoqërisë, jetën, gëzimin dhe entusiazmin e popullit dhe rinisë. Ky pakt duhet të na bëjë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, pavarësisht mllefeve, xhelozive, përçarjes dhe urrejtjes që na kanë mbuluar me nxitjen dhe planin e atyre që e sundojnë, e shtypin dhe e vjedhin këtë popull si të ishin pushtues të huaj.

Na duhet që të punojmë me mençuri për të rizgjuar ëndrrën dhe vetëdijen tonë kombëtare, për të ushqyer respektin ndër ne dhe për të ndaluar që të ndjekim e ndihmojmë qëllimet e armiqve tanë. Urrejtja, mllefi dhe zemërata nuk na shpien askund. Edhe mashtrimet e zyrtarëve të lartë që e paraqesin situatën si normale, vetëm e zgjasin dhe e përkeqësojnë agoninë, e bëjnë akoma më të rrezikshme gjendjen tonë. Nuk duhet të humbasim më kohë. Mjaft kemi humbur.

 

Pakti Kombëtar që propozoj në emër të Partisë ‘Zgjidhja’, përfshin:

  1. l) Të eleminohen shkatërrimi i lirive republikane dhe kapja e shtetit nga kryetarët e partive, si burimi kryesor i krizave dhe keqqeverisjes së Shqipërisë. Të drejtat e uzurpuara prej tyre t’i kthehen popullit dhe institucioneve kushtetuese. Për këtë:
  2. a) Të shfuqizohen ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008 dhe të bëhen amendimet e reja kushtetuese që do mundësonin reformimin e sistemit politik të Shqipërisë dhe vendosjen e një demokracie funksionale.
  3. b) Të kalohet në një parlament me 100 deputetë dhe në një sistem mazhoritar të hapur me 70 zona, të korrektuar me propocional kombëtar për 30 deputetët e tjerë.
  4. c) Të ndalohen me kushtetutë kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri që të zgjidhen për më shumë se dy mandate.
  5. II) Të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli Presidenti i Republikës. Kompetencat e tij kushtetuese të rishikohen në funksion të balancimit të pushteteve.

III) Të demokratizohen dhe depolitizohen zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore të depolitizuar e tërësisht të pavarur,

me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja.

Votat duhet të ketë të njëjtën peshë për çdo subjekt apo individ dhe të numërohen në Qendrat e Votimit. Kutitë e votimit të mos transportohen të panumëruara.

Të përfshihet teknologjia minimalisht për identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe për numërimin elektronik të votës në QV.

Emigrantët duhet që të kenë mundësinë të votojnë në konsullatat dhe ambasadat tona në botë, por jo në distancë.

  1. IV) Të ushtrohet lirisht sovraniteti i popullit dhe pjesëmarrja e tij në qeverisje përmes votës së drejtpërdrejtë.
  2. a) Të hiqen të gjitha pengesat ligjore që i bëjnë referendumet të pamundura.
  3. b) Qëndrueshmëria e mandateve qeverisëse 4-vjeçare duhet të kushtëzohet me verifikimin periodik të besimit të zgjedhësve në periudha të ndërmjetme.
  4. c) Zgjedhja e kandidatëve të partive për president të Republikës, deputetë, këshilltarë dhe kryetarë bashkie të bëhet përmes primareve mikse.
  5. V) Të reformohen e demokratizohen me ligj partitë politike duke sanksionuar si më poshtë, por jo vetëm.
  6. a) Të bëhet përmes primareve zgjedhja e përfaqësuesve dhe e drejtuesve në parti.
  7. b) Të përgjithësohen regjistrat elektronikë të partive çdo tre muaj dhe të administrohen sipas standardeve të përcaktuara me ligj nga një qendër e pavarur.
  8. c) Të çregjistrohen nga Gjykata e Tiranës partitë që nuk përmbushin standardet e ligjit.
  9. d) Të garantohen me ligj transparenca e financimeve të partive dhe respektimi i mendimit ndryshe.

VI)

  1. a) Të shtyhen për në muajin tetor 2019 zgjedhjet e 30 qershorit.
  2. b) Reforma Zgjedhore të kryhet përpara zhvillimit të tyre.
  3. c) Zgjedhjet e përgjithshme të afrohen në Qershorin e vitit 2020.

VII) Të mandatohet një qeveri teknike me bazë të gjerë për 12 muajt e ardhshëm. Ajo duhet të përgatisë dhe implementojë Reformën Kushtetuese dhe Reformën Zgjedhore. Largimi i Edi Ramës si kryeministër mbetet një kërkesë, por nuk është një kusht për këtë pakt.

VIII) Të mandatohet nga parlamenti një komision i ri i Reformës së Kushtetutës dhe Reformës Zgjedhore. Ky komision duhet të jetë gjithëpërfshirës. Në krye të tij të vendoset një konstitucionalist, pa parti. Në përbërje të komisionit të jenë tre përfaqësues nga koalicini i PS-së, tre nga koalicioni i PD-së, dy nga LSI, tre nga grupet e deputetëve aktualë të parlamentit të ardhur nga listat e PD, LSI dhe partitë e tjera aleate të tyre në zgjedhjet e 25 qershorit, ish presidentët e Republikës, tre përfaqësues nga partitë e tjera politike joparlamentare, tre konstitucionalistë të njohur që janë të pavarur nga partitë dhe aktivë në jetën akademike, 5 intelektualë të shquar shqiptarë nga diaspora me gradën ‘doktor shkencash’, të studiuar në universitete të njohura e prestigjioze në Perëndim, 3 përfaqësues të shoqërisë civile që janë të pavarur nga partitë, tre gazetarë të pavarur, dy përfaqësues nga Akademia e Shkencave dhe tre gjykatës që kanë kaluar procesin e Vettingut. Ky komision i reformës do të bashkëpunojë ngushtësisht me OSBE/ODIHR-in.

 

P.S. Kushdo mund të heqë dhe të shtojë çfarë të dojë dhe çfarë të mendojë për më mirë nga ky draft. Madje mund ta paraqesë si të vetin këtë dokument. Partia ‘Zgjidhja’ nuk i pretendon të drejtat e autorit. Ne duam vetëm një Shqipëri të lirë, demokratike dhe të pasur, një Shqipëri që i do dhe i mban të gjithë, një Shqipëri që është e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e kryetarëve!

 

6
Fabian Topallaj: Ndryshojmë sistemin, zgjidhim edhe krizën

Fabian Topallaj: Ndryshojmë sistemin, zgjidhim edhe krizën

Që pas ndryshimeve kushtetuese të 2007- 2008, Shqipëria ndodhet në kulmin e një krize ciklike, që përsëritet në vend gjithmonë dhe më e qartë. Në fillim, opozita e drejtuar nga Rama bllokoi bulevardin kryesor të vendit, në një grevë urie të tejzgjatur me kërkesën për të hapur dhe rinumëruar kutitë e zgjedhjeve të 2009, që i shërbeu në atë kohë vetëm Edi Ramës për të ruajtur postin e kreut të Partisë Socialiste. Më pas do të qe Basha, që pothuaj me të njëjtën formë proteste, do të mund të përmbushte pak a shume të njëjtat qëllime. Çadra 90-ditore e demokratëve dhe marrëveshja e 17 majit nuk e forcoi Partinë Demokratike, përkundrazi, por i shërbeu vetëm Lulzim Bashës për të monopolizuar drejtimin e partisë dhe për të pastruar përfundimisht partinë kryesore të opozitës nga çdo individ që mund ta rivalizonte kryetarin në detyrë. Edhe akti i fundit i djegies së mandateve duket se mbart të njëjtat qëllime, zotërimin e kreut të partisë dhe asgjë më shumë se kaq.

Tradita dypolare në vend dhe ndryshimet kushtetuese të 2007-2008 krijuan gjatë kësaj periudhe në Shqipëri një sistem të veçantë, që nuk ka asgjë të përbashkët me demokracitë funksionale, sistemin e partitokracisë dhe liderëve të tyre. Sovran nuk është populli, por partitë kryesore dhe drejtuesit e tyre, që në një gjysmë dakordësi të heshtur rrotacioni, drejtojnë vendin për 2 mandate qeverisëse secila. Dy parti kryesore dhe një e tretë, që për të mbijetuar, përdori edhe më ashiqare se të parat hiletë e këtij sistemi të ri të ndërtuar në vend, ndërrojnë pushtetin me njëratjetrën dhe kontribuojnë bashkërisht për të forcuar sistemin që siguron pushtetin e tyre, duke ngushtuar gjithmonë e më shumë pushtetin e popullit. Prandaj edhe është kaq e rëndësishme të qenit në krye të një prej partive të mëdha dhe drejtuesit e këtyre partive janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë për të mbajtur drejtimin e partive të tyre, të paktën deri sa t’u vijë radha për t’u ngjitur ne krye të pushtetit ekzekutiv.

S’ka si shpjegohet ndryshe që sot më shumë se treçereku i kabinetit qeveritar përbëhet nga individë të pazgjedhur dhe të pavotuar nga populli, ndërsa kupola e partive kryesore opozitare dhe ish-përfaqësuesit e tyre parlamentarë, nga individë gjysmë anonimë, të cilët nuk kanë asnjë kontakt me zgjedhësit e tyre. Partitë kryesore nuk zhvillojnë më as zgjedhje të brendshme për drejtuesit e tyre, duke i zëvendësuar ato me procese farse, zakonisht me një kandidat të vetëm, që në çdo rast siguron më shumë se 90% të votave të anëtarësisë.

Sigurisht që sistemi elektoral, eliminimi i demokracisë brendapartiake si dhe garancitë kushtetuese për paprekshmërinë e mandatit 4-vjeçar të drejtuesit të ekzekutivit, janë disa nga shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e partitokracisë dhe të liderëve të partive. Tri elemente këto, që çuditërisht nuk goditën formalisht as nga opozita e vendit që pavarësisht se pretendon se është e gatshme të bëjë çdo sakrificë për të ndryshuar rendin e gjërave në Shqipëri, deri në djegien e mandateve, nuk artikulon asnjë fjalë dhe nuk ndërmerr asnjë iniciativë institucionale për të goditur shtyllat që mbajnë në këmbë këtë sistem.

 

Sistemit të organizimit politik dhe shoqëror në vend i është bërë një devijim gordian: në thelb, pushteti nuk rrjedh nga vota e popullit dhe ky i fundit nuk zotëron më asnjë element të kontrollit të ushtrimit të pushtetit, por mbajtësit dhe ushtruesit e vetëm të tij janë liderët e partive politike, të cilët duke hermetizuar drejtimin e partive të tyre kanë monopolin e përzgjedhjes së përfaqësuesve parlamentarë dhe rrjedhimisht edhe të institucioneve të tjera në vend, që rrjedhin nga ky produkt.

Zëvendësimi i sistemit maxhoritar të korrigjuar me sistemin proporcional rajonal ishte preludi i themelimit të sistemit të partitokracive në Shqipëri. E drejta e kryetarit të partisë për të përcaktuar listën e deputetëve, vështirësitë e shtuara me dakordësi të dyanshme në kod për garimin e kandidatëve të pavarur apo krijimin e partive të reja joparlamentare, si dhe çimentimi i rolit vendimmarrës të kryetarit të partisë, duke eliminuar çdo fraksion apo mendim ndryshe brenda partive, ka sjellë si produkt që përfaqësuesit popullorë të mos zgjidhen me votën e zgjedhësve, por të përcaktohen nga tre drejtuesit e tri partive kryesore në vend. Askush s’mund të mohojë që në zgjedhjet e fundit të Kuvendit të Shqipërisë, emrat e deputetëve diheshin pak a shumë që ditën e dorëzimit të kandidatëve nga partitë në KQZ, shumë kohë përpara ditës së votimit.

Kriza e përfaqësimit u artikulua më qartë së kurrë më parë nga protesta studentore. Një protestë, kundër të gjithë kastës politikë dhe institucionalë në vend dhe kundër produktit të tyre të përbashkët, siç qe ne atë rast ligji i arsimit të lartë, evidentoi qartësisht se qytetarët ndihen të papërfaqësuar nga opozita e vendit edhe kur dalin të protestojnë përballë qeverisë për padrejtësitë që krijojnë reformat e maxhorancës.

Ndaj, nëse duam të zgjidhim këtë krizë ciklike që na shfaqet në forma dhe kohë të ndryshme, është e nevojshme të shembim tri kolonat që passjellin këtë anomali dhe që mbajnë në këmbë një sistem politik dhe shoqëror origjinal të krijuar ne Shqipërinë e tranzicionit të dhjetëvjeçarit të fundit.

Së pari, është i nevojshëm ndryshimi i sistemit zgjedhor më qëllim hapjen e mundësisë për garë reale midis alternativave dhe individëve me ndikim publik dhe rikthimin e së drejtës së zgjedhjes së përfaqësuesve te populli dhe nga populli, qoftë kjo edhe me riskun e një parcelizimi të skenës politikë, mjafton që këtë monopol të mos e ketë më një grusht i vogël kryetarësh partish që sot numërohen më pak se gishtat e një dore të vetme. Kjo mund të realizohet me ndryshimin e sistemit zgjedhor në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ku variantet më efikase do të ishin një sistem maxhoritar me korrigjim proporcional ose proporcional me lista të hapura, si dhe me ndryshime rrënjësore të Kodit Zgjedhor për të eliminuar monopolin e partive ekzistuese në procesin e numërimit dhe administrimit të procesit zgjedhor në heqjen e të gjitha pengesave për kandidimin e individëve apo grupimeve dhe alternativave të ndryshme politike si dhe në garantimin e një skeme buxhetore të financimit të alternativave tradicionale apo të reja politike, për të siguruar barazi edhe në këtë aspekt.

Gjithashtu, ka ardhur koha e garantimit të demokracive të brendshme të partive politike nëpërmjet një kuadri ligjor normativ. Partitë politike janë institucione shoqërore, të mira publike, që formësojnë alternativat politike për të marrë pushtet dhe për të ushtruar pushtet, ndaj dhe garantimi i mirëfunksionimit të tyre të brendshëm, sidomos në kushtet që gjenden partitë shqiptare sot, është bërë një kërkesë shoqërore që mund të marrë zgjidhje vetëm me ndërhyrje ligjore në këtë fushe. Pavarësisht se mund të tingëllojë herezi, garantimi i garave brenda partiake apo i ekzistencës së fraksioneve midis rrymave me mendime të ndryshme brenda këtyre formacioneve, mund të sigurohet vetëm nga një kuadër ligjor i thjeshtëzuar, por që përcakton rregulla të qarta sesi duhet të funksionojnë partitë politike që ato të mund të jenë organizma demokratike, si parakusht për të ushtruar në mënyrë demokratike pushtetin në çastin e marrjes se tij prej këtyre partive.

Dhe e fundit, por jo për nga rëndësia, është nevoja e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për të rritur kontrollin publik të ushtrimit të pushtetit dhe zbatimin gjerësisht të demokracisë direkte në vend nëpërmjet referendumeve kombëtare apo lokale. Pamundësia pothuaj absolute kushtetuese për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme dhe për të vërtetuar shumicën popullore në rast krizash institucionalo-politike dhe pamundësia e publikut për të marrë vendime në periudhën midis 2 palë zgjedhjesh, ka krijuar një hendek të madh midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve të tyre. Mundësia e publikut për të përcaktuar direkt nëpërmjet referendumeve çështjet me impakt të fortë shoqëror, jo vetëm do të shfrynte këtë hendek, por do të shërbente edhe si indikator periodik i mbështetjes publike të reformave qeveritare dhe alternativës opozitare. Duke e bërë kësisoj qeverinë më të matur e fraxhile dhe opozitën më të duruar dhe konkurruese.

Këto ndryshime duket të jenë edhe e vetmja mundësi për të zgjidhur krizën aktuale të sistemit politik. Një opozitë që ka dalë jashtë sistemit me shpresën se kjo është e vetmja mënyrë për të rrëzuar qeverinë dhe një maxhorancë, që edhe pse e bindur që ky është një akt i dëshpëruar që dëshmon pafuqinë e opozitës dhe konfirmon forcën e saj, përsëri ka mbetur fillikat në fushë, e papranueshme kjo me rregullat bazike të një demokracie funksionale, mund të zgjidhet vetëm me rishkruarjen nga e para të rregullave të lojës. Rregulla këto që kësaj here nuk mjafton të kenë konsensusin e partive ekzistuese, por një dakordësi të gjerë shoqërorë, për të garantuar një sistem konkurrues, ku përcaktues është vetëm vullneti popullor dhe partitë politike janë veçse aktorë, që e bëjnë më të shëndetshëm sistemin politik dhe jo pengmarrës të tij për interesa të ngushta partiake.

1
Koço Kokëdhima: Bandat e kryetarëve

Koço Kokëdhima: Bandat e kryetarëve

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka çertifikuar atë që ‘Zgjidhja’ e thotë çdo ditë: ‘Në Shqipëri “mbretëron” krimi i organizuar.

Është rritur në mënyrë eksponenciale trafiku i kokainës dhe heroinës. Organizatat kriminale shqiptare tashmë kontrollojnë trafikun, nga burimi deri në Europë; Janë rritur dhe fuqizuar ndjeshëm rrjetet e grupeve të krimit të organizuar në Shqipëri’. Është i treti vit rresht, që Departamenti i Shtetit e cilëson Shqipërinë “vend kryesor i pastrimit të parave në botë”.

Qeveria amerikane në raportin e saj thotë që, “Shqipëria mbetet vend i pambrojtur nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal, kontrabandës, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe mjedisit të dobët ligjor dhe institucional qeveritar”.

Ky raport nuk është përpiluar nga “kazanët”, “kadrinjtë” e “derrat e Tiranës”, por nga aleati i vetëm strategjik i shqiptarëve, SHBA-të.

Kjo situatë përsëritet në mënyrë sistematike dhe ciklike për gati 30 vite.

ZGJIDHJA, që në krijimin e vet, e ka deklaruar se partitë e vjetra shqiptare nuk janë organizata politike demokratike, por banda të kryetarëve, grupime parapolitike klepto-kriminale, që kur bëjnë rotacion në pushtet, janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe qeverisin së bashku me krimin dhe bizneset e dyshimta që pastrojnë paratë e tyre. Nën qeverisjen e Ramës kjo simbiozë ka arritur kulmin. E gjithë kjo skemë që e shndërron vendin tonë në parajsë të krimit të organizuar, korrupsionit dhe në një lavatriçe ndërkombëtare të pastrimit të parave të zeza, nis me grabitjen e votës.

Ka ardhur koha që këtë të keqe që po varfëron deri në kufijtë e mbijetesës shqiptarët dhe që po zbraz vendin çdo ditë, ta shkulim nga rrënjët. Krimi i organizuar e ka vendin në burg dhe jo në zyrat e qeverisë dhe në krye të bizneseve.

ZgjidhjaPërShqipërinë

1