Av. Gylsen Zhllima: Elita e vjetër politike, kryefajtore për mosçeljen e negociatave

Av. Gylsen Zhllima: Elita e vjetër politike, kryefajtore për mosçeljen e negociatave

Qeveria shqiptare duhet të kuptojë se vendosja e parakushteve për çeljen e negociatave me BE-në është një realitet i pashmangshëm për Shqipërinë. Është bërë e qartë tani, tre ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Europës, që shumë shtete, përveç Francës dhe Holandës, do të shprehen me rezerva për çeljen e negociatave, sidomos me Shqipërinë. Problemi nuk është i Bashkimit Europian, siç e shet Rilindja, por i sistemit politik të kapur nga oligopolet që kanë shërbyer dhe bashkëpunuar me partitë e vjetra dhe që ka dështuar totalisht me mosçeljen e negociatave.

Politikat e brendshme të qeverisë kanë dështuar me cilësinë e legjislacionit vendas. Ai nuk përputhet  me nevojat e shoqërisë shqiptare, me mosfunksionimin dhe mirëkualifikimin e administratës publike dhe  me mungesën buxhetore në shërbimin civil, ku nevojat janë më të shumta se mbështetja financiare nga ana e qeverisë, për të ofruar shërbimet e duhura për qytetarët.

Dështimi vazhdon dhe me politikën e jashtme. Nëse Shqipërisë nuk i çelen negociatat më 18 tetor, do të thotë se qeveria aktuale nuk i ka përmbushur kriteret e vëna në qershor 2018, por vijon të qeverisë me arrogancë.

BE nuk ka ndërmend të bëjë kompromis me këtë qeveri, nëse ajo nuk plotëson kushtet e vëna brenda qershorit 2020. Reforma Zgjedhore dhe ajo Kushtetuese, ndryshimi i kodit aktual zgjedhor,  transparenca në funksionimin dhe financimin e partive politike; të gjitha këto ndryshime bëhen vetëm me një sistem të ri zgjedhor, i cili garanton zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, pas 18 Tetorit 2019, duhet të mbajnë përgjegjësitë që u takojnë jo vetëm për krizën politike, por edhe për mosçeljen e negociatave me BE-në.

E vetmja rrugë që duhet pranuar nga kjo klasë politike në ikje është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ka objektivat e “Paktit Kombëtar” dhe të “Platformës së Lirisë” të propozuara nga partia “Zgjidhja”. Kjo marrëveshje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse duhet të garantojë që ndryshimi i kodit zgjedhor të ndalojë njëherë e përgjithmonë përvetësimin e lirive republikane, manipulimet zgjedhore dhe pushtetin abuziv të kryetarëve të partive. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duhet të pranojnë të ulen në një tryezë me profesionistë të fushës dhe me aktorët politikë pa asnjë diskriminim, për të përmbyllur sa më parë reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore. Nëse këto dy forca politike nuk pranojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me objektiv të përbashkët rikthimin e sovranitetit te qytetarët shqiptarë, atëherë ata do të marrin mbi supe një faturë e madhe dhe të pashlyeshme, që do t’i flakë nga politika. Ndaj, rruga e vetme është marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe me dialog konstruktiv.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0
Av.Gylsen Zhllima:  “Pakti Kombëtar”, i domosdoshëm për demokracinë reale

Av.Gylsen Zhllima:  “Pakti Kombëtar”, i domosdoshëm për demokracinë reale

 

 

Zgjedhjet e parakohshme që kërkon Partia Demokratike nuk sjellin progres, por vetëm thellimin e krizës me rrethana rënduese ndaj shoqërisë dhe institucioneve në vend. Nëse Shqipëria do të ishte një shtet normal dhe me udhëheqës të ndershëm, atëherë mund të kishim një perspektivë që do të siguronte stabilitet. Por vendi ka parë vetëm kriza dhe pazare, duke mos patur paqe dhe stabilitet. Zgjidhja e krizës politike është një emergjencë kombëtare e domosdoshme për të ecur përpara.

“Platforma…” e propozuar nga Partia Demokratike është një projekt pa frymëzim dhe pa alternativë konkrete për zgjidhjen e krizës. Ajo të kujton kushtet që i kishte vendosur PD qeverisë aktuale, për një qeveri tranzitore e cila jo vetëm, nuk u realizua, por thjesht u harrua. Kushtet e ‘Platformës’ që janë propozuar nga Partia Demokratike, janë loja e radhës  e dy poleve për të përgatitur rotacionin dhe dhënien e pushtetit në tavolinën e KQZ-së partiake. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë lojtarë të vjetër dhe kanë komunikim të vazhdueshëm për pazare dhe për ta shmangur nevojitet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe afatgjatë.

Gjithë kësaj kohe partitë e vjetra këmbëngulin që problemi nuk është te Kodi Zgjedhor, por te mungesa e moralit politik. Partia “Zgjidhja” këmbëngul se pa reformë kushtetuese dhe zgjedhore në vend nuk mund të kemi asnjë shpresë për të instaluar dhe rindërtuar shtetin me vlera dhe parime europiane. Rruga e vetme që kanë partitë e vjetra politike në vend është të pranojnë pikat e “Paktit Kombëtar” dhe “Platformës së lirisë” që ka propozuar partia “Zgjidhja”. Shmangia do të ketë pasoja të rënda ndaj atyre që me kokëfortësi dhe arrogancë mendojnë se karrigia dhe pushteti është i përjetshëm, ndaj është koha që të reflektojnë sa nuk është vonë.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

 

0
Av.Gylsen Zhllima: Marrëveshja gjithëpërfshirëse, parakusht për integrimin europian

Av.Gylsen Zhllima: Marrëveshja gjithëpërfshirëse, parakusht për integrimin europian

Hapja e negociatave është pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë me synim final anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ky është objektiv kombëtar dhe gjithëpërfshirës. Shqipëria, nëpërmjet qeverisjes dhe politikës së brendshme, ka si detyrë që të respektojë vazhdimisht parimet e përgjithshme të demokracisë dhe të drejtat e njeriut që vendit t’i sigurohet çelja e negociatave. Me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që hyri në fuqi në prill 2009,  synimi kryesor ishte forcimi i demokracisë së brendshme dhe e shtetit të të drejtës, stabilitetit politik, ekonomik e institucional dhe së fundi të siguronte një strukturë të përshtatshme për dialog politik. Në prill të vitit 2019, Shqipëria mbushi plot 10 vjet të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, por realiteti është i hidhur dhe qeveritë shqiptare nuk bënë asnjë hap për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje.

Cenimi i  sovranitetit të popullit është bërë me vetëdije nga dy partitë kryesore duke mos marrë në konsideratë asnjë rekomandim të ndërkombëtarëve që kanë monitoruar zgjedhjet parlamentare dhe vendore në Shqipëri, ku, pas vitit 2001 e në vijim, kanë theksuar në çdo raport në mënyrë sistematike nevojën e një sistemi zgjedhor të thjeshtë dhe përfaqësues. Në këto raporte është sugjeruar disa herë, korrektimi i mangësive që vijnë prej konceptimit dhe zbatimit të gabuar të sistemit zgjedhor në Kushtetutë. Si pasojë e injorimit të këtyre raporteve nga partitë e vjetra politike, situata ishte dhe mbetet e tillë, duke mos vendosur Republikën për interes të qytetarëve, që do t’i jepte fund sundimit të pushtetit të katër-pesë njerëzve.

Kriza aktuale politike në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të zgjidhet me marrëveshje midis dy palëve, por vetëm me marrëveshje gjithëpërfshirëse që t’i japim fund sistemit mospërfaqësues skandaloz, trafikimit dhe deformimit të votës në çdo formë që ajo shfaqet, KQZ-së partiake, partitokracisë dhe pushtetit të kryetarëve. Kjo bëhet vetëm me një sistem zgjedhjesh të lira e të barabarta, ku në thelb është procesi i meritokracisë.

Partia “Zgjidhja” gjithmonë e thotë qartë se pa reformë kushtetuese dhe zgjedhore në vend, nuk mund të ketë demokraci përfaqësuese. Beteja për të vendosur Republikën kërkon sakrifica të forta dhe për t’u përballur me padrejtësitë e këtij sistemi që ka kalbur çdo qelizë të shëndetshme të shoqërisë. Instalimi i demokracisë reale kalon vetëm me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dialog konstruktiv.

Sot flitet  për iniciativa nga pozita dhe opozita për reformë zgjedhore, tryeza dhe ftesa publike nga institucione të ndryshme, por asnjë propozim real dhe konkret për zgjidhjen e kësaj krize. Nga loja e kushteve midis palëve, tani ka filluar koha e propagandës nga secili krah.

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duhet të paraqesin një plan konkret për zgjidhjen e krizës, sepse, të dyja bashkë janë fajtore për krizat ciklike në vend. Kuptohet se ato nuk kanë as dëshirë dhe as synim për zgjidhjen e krizës, sepse kështu humbasin pushtetin mbi zgjedhjet dhe u ikën pushteti politik. Por nuk kanë rrugë tjetër. Le të pranojnë tezat dhe rrugëzgjidhjen që japin “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë”, që ka propozuar partia ‘Zgjidhja’. Nuk është me detyrim, por është detyrë e tyre përpara shqiptarëve që të pranojnë dhe përkrahin propozimet e partisë ‘Zgjidhja’ për t’i dhënë fund krizës politike, ekonomike dhe shoqërore, përmes një marrëveshjeje të madhe gjithëpërfshirëse, me të cilën shkojmë ballëlart drejt hapjes së negociatave, në ëndrrën tonë 30-vjeçare  për t’u bërë pjesë e BE-së.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0
Gylsen Zhllima: “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë” i japin fund krizës ciklike

Gylsen Zhllima: “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë” i japin fund krizës ciklike

Av. Gylsen Zhllima

Krizat ciklike në Shqipëri kanë për autore partitë e vjetra. Pas vitit 1991 e në vazhdim, palët janë ulur në shumë tryeza për hir të “interesave kombëtare”, por në realitet i kanë shfrytëzuar vetëm për interesat e tyre personale.

Marrëveshjet midis partive kryesore kanë qenë të shumta, por at kanë qenë pothuajse të njëjta dhe kanë çuar në përsëritjen e krizave ciklike, të tilla si: Marrëveshja e vitit 1992 për përbërjen e KQZ-së, mënyrën e kandidimit dhe administrimin e votës; Reforma zgjedhore të vitit 2000-2001, ku dy forcat kryesore akuzonin njëra-tjetrën për njëanshmëri; Marrëveshja e vitit 2002 PS-PD për zgjedhjen e presidentit konsensual midis palëve; Marrëveshja e vitit 2007, ku Partia Socialiste në opozitë kërkonte garanci për procesin e votimit dhe certifikatat; Marrëveshja famëkeqe e 21 prillit 2008, që vazhdoi me krizën në vitin 2009 me parrulën “Hap kutitë, ose largohu”; dhe në fund marrëveshja skandaloze dhe hipokrite e 18 majit 2017.

Këto marrëveshje bipartizane nuk ka prodhuar stabilitet afatgjatë, por vetëm pazare që e kanë ushqyer krizën, vit pas viti, për të mbërritur te kriza aktuale.

Dy partitë e vjetra i dallon vetëm ngjyra dhe sigla, ndërsa mënyra e qeverisjes ka qenë e njëjtë, duke zëvendësuar njëra-tjetrën në krye të pushtetit politik dhe ekonomik. Edhe pse çdo qeveri ka folur për për zgjedhje të lira e të barabarta, strategji zhvillimi, politika të sigurisë kombëtare, politika ekonomike dhe financiare, shëndetësore, sociale, rregullim territori, politika arsimore, politika të energjisë apo për  bujqësinë, Shqipëria ka vajtur keq e më keq, derisa sot Republika ka rënë, bashkë me zgjedhjet, liritë politike dhe ato ekonomike dhe shqiptarët janë populli më i keqqeverisur dhe më pa liri në Europë.

Partia “Zgjidhja”, gjatë kësaj krize, ka ftuar aktorët politikë që të ndërgjegjësohen dhe të reflektojnë mbi  situatën e prodhuar nga partitë e vjetra. Gjermania, aleati ynë në rrugëtimin për në BE, deklaroi dje se reforma zgjedhore, ajo në drejtësi dhe lufta kundër krimit dhe trafikut të drogës, janë kushte të panegociueshme për hapjen e bisedimeve.

Prej prillit 2019, partia ‘Zgjidhja’ ka propozuar ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e Lirisë’, ku në krye të reformave, është ajo kushtetuese dhe zgjedhore, përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse  politike.

Rrugë tjetër s’ka. Vendosja e Republikës kalon vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që ka në qendër shqiptarët dhe interesat kombëtare. Me reformimin e sistemit zgjedhor vendi do të ketë një politikë  të re, me objektiva të qarta qeverisëse që synojnë fillimisht çeljen e negociatave dhe pastaj anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Që të realizohet kjo marrëveshje duhet që partitë e vjetra të tejkalojnë vetveten dhe të dorëzojnë pushtetin e pamerituar që i kanë marrë sovranit popull.

Pa zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe pa pranuar plotësisht ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e lirisë’ të propozuara nga Partia “Zgjidhja”, s’ka negociata, perspektivë, paqe dhe zhvillim. Rruga e vetme për klasën politike është marrëveshja gjithëpërfshirëse me objektiv të qartë BE-në.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0
Gylsen Zhllima: Pranimi i ‘Paktit Kombëtar’ të partisë “Zgjidhja”, detyrë kombëtare për partitë e vjetra

Gylsen Zhllima: Pranimi i ‘Paktit Kombëtar’ të partisë “Zgjidhja”, detyrë kombëtare për partitë e vjetra

Marrëveshja famëkeqe e 21 Prillit 2008 ka dështuar plotësisht së bashku me elitën e vjetër politike, e cilat ka bërë pazare me kodin aktual zgjedhor. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin vërtetoi që asnjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar, nuk ka patur zgjedhje me standarde dhe se  raportet e mëparshme kanë qenë “pozitive” në çdo palë zgjedhje qendrore apo lokale,sipas interesave të partisë në pushtet.

Koha e vetmisë së kësaj klase politike ka arritur në fund. Tani është koha që nëpërmjet një reforme të thellë dhe e gjithanshme, t’i japim fund modelit të partitokracisë, korrupsionit dhe padrejtësisë që ka partia në pushtet. Rruga e vetme për në Bashkimin Europian kalon nga një marrëveshje, e cila do të garantojë stabilitet afatgjatë politik dhe ekonomik, duke sjellë demokracinë reale në çdo institucion shtetëror, që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe duke garantuar fundin e krizave ciklike.

Loja e Partisë Socialiste dhe e Partisë Demokratike, duke u bazuar te raporti skandaloz i OSBE/ODIHR-it, ka mbaruar. Pa reforma demokratizuese nuk mund të ketë demokraci reale. Elita politike aktuale ka dështuar plotësisht, si teorikisht ashtu dhe praktikisht nga mosveprimet me dashje për të reformuar  sistemin zgjedhor. Koha për veprim ka ardhur dhe duhet që secila nga palët të marrë iniciativa konkrete dhe koherente që përkojnë me interesat kombëtare. Asnjë marrëveshje midis dy apo tre partive nuk mund ta zgjidhë këtë situatë kaotike. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë përgjegjësi të barabarta me marrëveshjet e tyre të viteve 2008 dhe 2017.

Reforma zgjedhore është e pashmangshme. Palët duhet të përkrahin dhe të zbatojnë menjëherë projektin e propozuar nga Partia “Zgjidhja”, përmes “Paktit Kombëtar” dhe “Platformës së Lirisë”. Ky pakt është një detyrë kombëtare dhe duhet të bëhet realitet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i kthejw popullit shqiptar sovranitetin e munguar për gati 30 vite.

Zgjedhjet e lira dhe të barabarta do të krijojnë mundësinë e perspektivës dhe emancipimit. Jo më zgjedhje të parakohshme, por së pari një marrëveshje që ka si destinacion paqen sociale, politike dhe ekonomike, me qëllim që dialogu të jetë transparent dhe frymëzues për të mirën e vendit.

Ftoj Partinë Demokratike që të reflektojë për kërkesën që ka për zgjedhje të parakohshme, pa patur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton stabilitet. Është koha që të ndërgjegjësohen dhe të fillojnë të mendojnë realisht se si mund të zgjidhet kjo krizë. Një gabim i vogël do të jetë fatkeqësi për vendin dhe demokracinë e munguar. Kërkohet përgjegjshmëri, seriozitet dhe maturi për të arritur një pakt kombëtar me destinacion të qartë rikthimin e Republikës.

Detyra e çdo subjekti politik është që nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse të garantojnë që çdo reformë që do të vijë më pas të mos cenohet nga askush që ka interesa të caktuara për të penguar realizimin konkret të tyre. Roli ynë është që të jemi gardianë të çdo reforme që garanton katharsis-in në çdo fushë të jetës politike shqiptare.

*Anëtar I kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

 

0
Gylsen Zhllima: T’i japim fund partitokracisë nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse

Gylsen Zhllima: T’i japim fund partitokracisë nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse

Partitë e vjetra kanë arritur kulmin e papërgjegjshmërisë në misionin e tyre përballë popullit shqiptar. Për gati 30 vite partitë e vjetra kanë instaluar me vetëdije, një regjim partitokracie, i cili ka ecur në drejtim të kundërt me zhvillimet demokratike dhe sot kontrollon gjithçka, administratën publike, drejtësinë, sindikatat dhe shoqërinë civile.

Partitë e vjetra e kanë shkatërruar administratën publike qëllimisht dhe sot kemi një administratë shtetërore që vuan nga mungesa e profesionalizmit dhe kualifikimit. Çdo parti që fiton pushtetin qendror dhe vendor, ndërron komplet administratën, nga zyrtarët e lartë, deri te pastrueset, duke e mbushur me militantë të paaaftë. Sot, administrata publike është thjesht ushtria elektorale e partisë në pushtet që duhet vetëm për vota.

Sistemi i drejtësisë prej dekdash u zhyt në korrupsion aq thellë, me bekimin e partive të vjetra, saqë edhe reforma në drejtësi duket e paaftë për ta pastruar dhe rikthyer në misionin kushtetues të dhënies së drejtësisë për të gjithë.

Sindikatat në sektorin publik dhe privat kanë qenë dhe janë vegla të qeverive, ndaj sot kemi ligje të miratuara që janë kundër interesit të të punësuarve që janë të zhveshur nga të drejtat njerëzore. Në të njëjtën linjë është edhe shoqëria civile që është shitur te qeveria e radhës, duke braktisur oponencën ndaj keqqeverisjes dhe mbrojtjen e vlerave demokratike.

Sot, Rilindja ndjek dhe vazhdon modelin e partitokracisë, me përkushtim të madh duke bashkeqeverisur me të “fortët”. Harbutëria dhe zhvatja janë armët e saj kundër rendit kushtetues, duke degraduar plotësisht dhe tërësisht pavarësinë dhe integritetin e institucioneve shtetërore. Rilindja ka kapur përveç institucioneve publike dhe private, median audiovizive dhe online, duke e blerë mbështetjen me koncesione dhe PPP-të që po zbrazin buxhetin e shtetit. Rilindja duhet të kuptojë sa nuk është vonë se imuniteti i hierarkëve të saj nuk është i përjetshëm dhe do të vijë koha që seicili të japë llogari.

Duhet të kuptojë edhe Partia Demokratike se kriza politike në vend nuk kalon vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe lokale të zhvilluara në një ditë. Zgjidhje të tilla do të jenë thjesht farsa zgjedhore, nëse nuk bëhet reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, siç ka propozuar partia ‘Zgjidhja’ me ‘Paktin kombëtar’ dhe ‘Platformën e lirisë’.

E vetmja rrugë për zgjidhjen e krizave ciklike që përsëriten prej vitesh është një qeveri teknike, që do të ndjekë ndryshimet kushtetuese dhe zgjedhore, pas të cilave duhen bërë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2020. Që të shporrim partitokracinë dhe autoritarizmin duhet fillimisht një sistem zgjedhor që garanton zgjedhje me standarde. Zgjidhja e duhur për të instaluar dhe rindërtuar shtetin e së drejtës, liritë politike dhe ekonomike kalon vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira e të barabarta. ku sovrani do të zgjedhë mbi platformat e seicilit subjekt garues, me lista të hapura dhe me KQZ të depotilitizuar. Asnjë marrëveshje tjetër nuk sjell demokracinë për vendin dhe shqiptarët.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

1
Gylsen Zhllima: Duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të sjellë demokracinë reale

Gylsen Zhllima: Duhet marrëveshje gjithëpërfshirëse për të sjellë demokracinë reale

 

Është koha që partitë e vjetra të lënë mënjanë projektet e tyre antikombëtare dhe të pranojnë e të përkrahin projektin kombëtar për të dalë nga kriza politike që ka pasoja të rënda për vendin. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, duhet të bëjnë propozime reale për të dalë nga kolapsi politik, institucional dhe juridik, që rrezikon paqen sociale dhe ekonominë e vendit.

Sekti i Rilindjes, që ka uzurpuar Partinë Socialiste, po qeveris përmes PPP-ve dhe koncesioneve korruptive, krimit të organizuar dhe blerjes totale të medias kritike. Në 6 vite në pushtet ekonomia është në duart e disa njerëzve të lidhur me qeverinë, që po plaçkitin pasuritë e mbetura shtetërore dhe pronën publike, duke bashkëpunuar ngushtë me të “fortët” e krimit të organizuar.

Marrëveshja famëkeqe e 21 Prillit 2008 shkatërroi parimin e përfaqësimit, parlamentarizmit, shtetin e të drejtës, balancat dhe ndarjen e pushteteve. Marrëveshja antidemokratike që forcoi rolin e dy kryetarëve shkatërroi rolin e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe ato janë  nën kontrollin e partisë në pushtet.

Ndryshimi i klasës politike në vend do të vijë vetëm me ndryshimin e sistemit zgjedhor. Zgjidhja nuk mund të jenë zgjedhjet e parakohshme vendore apo të përgjithshme, që bazohen te sistemi aktual zgjedhor, por vetëm duke pranuar Paktin Kombëtar dhe  Platformën e Lirisë që ka propozuar partia ‘’Zgjidhja’’. Kështu do t’i jepet mundësi ripërtëritjes së klasës politike, ndërtimit të një sistemi të ri, i cili përkrah zhvillimin dhe alternativat e reja qeverisëse, duke instaluar demokracinë e brendshme në partitë politike, financimin transparent të tyre dhe të fushatave elektorale si dhe marrëdhëniet e tyre me shtetin. Vetëm me një sistem zgjedhjesh të lira e të barabarta, rikthehet sovraniteti i munguar te qytetarët. Realizimi i kësaj marrëveshje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse do të sjellë demokracinë reale, stabilitetin politik dhe zhvillimin ekonomik në vend.

Partia ‘Zgjidhja’ ofron platformën qeverisëse dhe vizionin politik që në themel ka interesat kombëtare.  Por, promovimi i saj kalon fillimisht nga një sistem i  drejtë, demokratik dhe transparent, i cili do të sigurojë shprehjen e vullnetit të qytetarëve nëpërmjet zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe me standard, sepse vetëm një sistem ri politiko-shoqëror jep emancipim të qartë në aspektin politik dhe juridik në vend.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0
Koço Kokëdhima: Si vjen fundi i mafies politike?!

Koço Kokëdhima: Si vjen fundi i mafies politike?!

Nëse ka një çështje penale tipike, nga e cila mund të merrej shtysa për të goditur njëherë e mirë krimin më të madh që i është bërë Shqipërisë dhe njëkohësisht, klasa politike të reflektojë që më në fund të hapet  një epoke e re për demokracinë funksionale, ajo është “Dosja 184”.

Aty brenda del qartë, se si, në bashkëpunim perfekt, mafiozët e zonës, shefat e policisë, drejtuesit e administratës lokale dhe deri te kryeministri e  ministrat kryesorë të qeverisë së tij, janë përfshirë në një plan për të blerë, vjedhur dhe marrë me dhunë votat e shqiptarëve.

Pas përgjimeve të publikuara nga `BILD` doli se “objektivat” e kryeministrit për të blerë vota ishin zbatuar me zell dhe përpikmëri; se kreu i fushatës, njëkohësisht ministër i Infrastrukturës, kishte bërë “një tërmet” me votat e mbledhura; se drejtori i Arsimit kërcënonin me vendin e punës mësuesit e drejtorët e shkollave; se shefi i policisë ishte koka e operacionit kriminal, me bekimin e kryetarëve të Komisionit të Sigurisë dhe atij të Ligjeve.

Nuk kishte se si të mungonte në krye të tavolinës që festonte dhe shpërndante “grada” për këtë masakër të votës, as vetë Kumbari Edi Rama dhe ministri i Brendshëm, i cili nga ana e vetë siguronte “ushtarin” e tij në Dibër shef policie, që “të mos e rr….e”.

Kjo dosje tregon qartë, se si ka funksionuar mafia politike në Shqipëri gjatë këtyre 30 viteve, nëpërmjet skemës; bëj vota së bashku me krimin e organizuar për të kapur pushtet; shfrytëzo shtetin për të shpërblyer krimin e organizuar e atë “ekonomik” që këta të bëjnë pasuri; më pas me një pjesë të miliardave të grabitura bli zgjedhjet e radhës, për pushtetin e radhës dhe kështu pambarim.

E reja me rastin e “Dosjes 184” është se Edi Rama dhe organizata e tij po demonstron hapur dhe me arrogancë, se ka kthyer në shërbëtorë të bindur edhe ata që duhej ta hetonin dhe jo ta mbyllnin këtë krim të organizuar nga e gjithë kupola e shtetit dhe partisë në pushtet, siç po ndodh aktualisht.

Kapja e prokurorisë nga mafia politike nuk është një gjë e re, në këto 30 vite. Ajo ka menduar dhe ka investuar një pjesë të mirë të pushtetit dhe pasurisë të grabitur nga shqiptarët, që të mos rrezikohet nga drejtësia. Gangrena 30-vjeçare që ka lënë Shqipërinë në këtë derexhe varfërie dhe depresioni jo vetëm ekonomik, është pikërisht kjo mafie, që shfaqet herë me ngjyrë blu, herë si tani me ngjyrë mavi, e shpesh herë kur rrezikohen të bashkuar në NJË, blu e mavi. Fuqinë kjo organizatë kriminale e maskuar nën petkun e partive dhe të politikanëve, e ka pikërisht te tjetërsimi dhe kapja e votës së lirë të qytetarëve. Ky është thelbi i asaj që partia “Zgjidhja” qysh nga themelimi i saj, e ngre si alarm kombëtar.

Ditën e djeshme u mësua lajmi se organi i akuzës e varrosi “Dosjen 184” duke e quajtur kapjen në flagrancë të të gjithë kupolës së Rilndjes jo “krim i organizuar”, por “bashkëpunim i thjeshtë”.

Po ditën e djeshme në darkë, Lulzim Basha, në një intervistë me gazetarin, Çim Peka, deklaroi qartë për herë të parë se zgjidhja e kësaj krize të paprecedentë ku ka ngecur vendi dhe politika, arrihet vetëm nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Por kushtet dhe mënyra se si e mendon dhe e ka në plan kreu i PD-së këtë, ishte po ajo që kemi dëgjuar gjatë gjithë këtyre kohëve’; vetëm zgjedhje pa Edi Ramën dhe me një qeveri tranzitore.

Sërish asnjë fjalë për përmbysjen e skemës që aplikon mafia politike në këto 30 vite; atë që prodhon “Dibra” e qeveri grabitqare e kriminale si kjo e Ramës prej 6 vitesh në pushtet. Asnjë reflektim për atë që opinioni i brendshëm dhe ndërkombëtarët po e kërkojnë me insistim, madje këta të fundit e kanë vënë si kusht të panegociueshëm (Paralel me instalimin e Drejtësisë së re), reformën kushtetuese dhe zgjedhore për të rrëzuar së pari paktin Berisha-Rama të vitit 2008.

PD nuk po reflekton për Paktin Kombëtar dhe Platformën e Lirisë që ka propozuar partia “Zgjidhja” dhe që është mbështetur nga shumica e shqiptarëve, faktorëve politik ëdhe intelektualë në vend.

Prandaj revolta e PD-së për “varrimin” që po i bëhet `Dosjes 184`, duket se është hipokrizia e radhës. Është fitim kohe derisa mafia politike që është maskuar si `partitë e mëdha`, të bëjë pazarin e radhës dhe jo t’i nënshtrohet Paktit Kombëtar për instalimin e demokracisë përfaqësuese e funksionale, që kërkojnë më në fund pas 30 vitesh shqiptarët;

T’i bëjmë funeralin mafies politike 30-vjeçare. Për këtë ka vetëm një rrugë: çlirimi përfundimtar i votës!

1
Koço Kokëdhima: Tallja me Shkodrën

Koço Kokëdhima: Tallja me Shkodrën

Dje Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ndërpreu buxhetin për financimin e pagesave për bashkinë e Shkodrës që ende mbahet nga PD, ndërsa qeveria zgjodhi në gjysëmilegalitet këshillin e ri bashkiak, në mungesë të kryetarit të ri të bashkisë, që doli i dënuar në Itali, gati dy dekada më parë.

Konflikti i partive të vjetra do ta penalizojë Shkodrën dhe banorët e saj dhe ky është lajm i keq. Lajmi i mirë është se ato në këtë kryeqendër të Veriut janë diskredituar plotësisht, si organizata të kriminalizuara që tallen me këdo, vetëm për të përfituar politikisht dhe materialisht. Në të gjitha rangjet e pushtetit Rama imponon emrat dhe zgjedhjet e tij personale pa pyetur askënd.

Diskutimet e dy ditëve më parë në mbledhjen e zhvilluar në selinë e PS-së Shkodër, për zgjedhjen e kryetarit të këshillit bashkiak, nënkryetarëve dhe anëtarëve për këshill qarku, janë sa denoncuese, aq edhe neveritëse, tregojnë se ku ka përfunduar PS-ja nën thundrën e Ramës. Gati të gjithë përfaqësuesit e PS-së vendore janë kundër urdhrave politikë të ardhur nga Tirana. Lexoni në linkun http://www.gazetadita.al/ne-nuk-jemi-dele-ja-cfare-ka-ndodhur-ne-mbledhjen-e-ps-ne-shkoder/:

“Tereze Brigja: Ne nuk jemi dele që na vini me këta urdhëra. Së pari të vini e të kërkoni falje për kryetarin që kishim. Nuk kam gjë kundra emrit që propozoni! Por e njohu KM Valdrinin që na e solli pa pyet?? Po ashtu pa na pyet e pa e njohtë po na sjell dhe këtë herë! Na turpëruat. U detyrohemi falje njerëzve që përfaqësojmë e mos ta shtojmë turpin…

Senida Mesi:Të mirëkuptoj. Nuk të heq një presje. Por ky është një urdhër politik. Të tillë do të ndeshni shpesh edhe kur të jeni në Këshill Bashkiak.

Blediana Nika: Së pari të vinë të na kërkojnë falje. Edhe ju që jeni aty, po…po. Se nuk u morët vesh ju në këta 2.5 vite jemi në këtë gjendje që na katapultojnë njerëz pa na pyet. Unë flas e kam të drejtë të flas, se kam sjellë më shumë vota se secili në këtë sallë….Dhe mos më drejto gishtin mua kur flet!!….”

Partitë e vjetra nuk pyesin as për forume, as për mendimin e bazës dhe çdo emër del nga xhepi i kryetarit të partisë.

PS dhe PD janë kampione të autokracisë në drejtim dhe vendimmarrje, duke shkatërruar demokracinë dhe garën e brendshme në parti, duke imponuar drejtues pa meritë dhe përkrahje në popull.

Beteja për Shkodrën është qesharake dhe e dhimbshme. PS dhe PD nuk kanë hallin e popullit. Nuk e kanë patur asnjëherë. Duan të kenë apo të marrin një ‘kala’ më shumë për punësime, tendera, vjedhje, rritje taksash.

Shkodra ka patur fatin më të keq në tranzicionin e dhimbshëm shqiptar të këtyre 29 viteve. E ka paguar me gjakun e bijve të saj demokracinë, por nuk e jetoi atë. PD-ja, në emër të kartës së antikomunizmit, e ka mbajtur peng kryeqendrën e Veriut. Sali Berisha e përmbyti dy herë Shkodrën për biznesin e energjisë, në vitet 2010-2012, dhe ende nuk janë dhënë dëmshpërblimet për të përmbyturit. Zona përfitoi shumë pak prej financimeve shtetërore dhe një pedonale është tallje për shkodranët dhe rajonin që ka aq shumë resurse natyrore dhe tradita.

Rama, prej vitit 2013 në pushtet, i ka dhënë bashkisë së Shkodrës fonde qesharake dhe bashkia më e madhe e Veriut të Shqipërisë, ka qenë në fund të listës së financimeve nga Komiteti i Zhvillimit të Rajoneve, duke u renditur pas bashkive Patos, Roskovec apo Vorë. Shkodra ka përfituar 20 herë më pak fonde se Tirana, 9 herë më pak se Korça dhe Durrësi, 7 herë më pak se Elbasani dhe 5 herë më pak fonde se Divjaka.

Sot, qeveria sillet si ajo kuçedra që pret ujin e burimit, duke mos lëvruar thesarin, si beteja e pushtuesve me të rrethuarit, duke harruar se pasojat do t’i vuajnë banorët e bashkisë dhe jo drejtuesit e saj politikë, të cilëve u duket se do të dalin si heronj nga kjo betejë e ndyrë politike.

Zgjidhja për Shkodrën dhe për gjithë Shqipërinë janë zgjedhjet e lira dhe të barbarta, kandidatët e zgjedhur nga populli dhe jo ata të nxjerrë nga xhepi i kryetarëve. Farsat zgjedhore, si ajo e 30 qershorit, do të lënë pas socialistë të turpëruar dhe demokratë që gënjehen ende me kartën e antikomunizmit.

1
Gylsen Zhllima: Pa reforma demokratizuese nuk ka hapje negociatash me BE-në

Gylsen Zhllima: Pa reforma demokratizuese nuk ka hapje negociatash me BE-në

 

Në vendet demokratike betejat midis politikanëve bëhen mbi bazën e programeve, vizioneve dhe alternativave për mirëqeverisjen e vendeve tyre. Kurse në Shqipëri betejat midis politikanëve tanë kanë të bëjnë mbi objektivat personale, se kush do të bëhet kryeministër, duke siguruar karrigen me çdo çmim, me qëllim plaçkitjen e pasurive të vendit. Kështu ka ndodhur prej tri dekadash dhe qeveria pasuese ka qenë më e keqe se ajo që ka ikur, ka bërë më shumë korrupsion, krime ekonomike, koncesione dhe PPP dhe shumë marrëveshje antikombëtare në kurriz të vendit.
Prandaj kemi shkuar keq e më keq dhe, kur njëra palë është në opozitë premton se do të bëjë shumë gjëra më mirë, por kur vjen në pushtet bën më keq se qeveria e mëparshme. Rokada politike e dy palëve në ujdi ka zënë vendin e alternativës politike dhe ekonomike.
Duke u bazuar nga sistemi aktual zgjedhor,partitë e vjetra, posaçërisht Rilindja, ka rol protagonist në instalimin,bashkëpunimin, mbështetjen dhe promovim e të ‘’fortëve’’ duke i dhënë atyre akses në nivel qendror dhe lokal.
Mosreformimi i sistemit politik është pengesa kryesore që vendit të mos i hapen negociatat në BE-në. Klasa e vjetër politike në Shqipëri nuk është e interesuar për afrimin dhe integrimin e plotë të vendit me BE-në, sepse kjo do t’i jepte fund regjimit hibrid të instaluar prej tyre.
Refuzimi i hapjes së negociatave është i përvitshëm, siç pritet, për fat të keq edhe këtë tetor, dhe do të jetë i tillë derisa vendi të mos kryejë reformat demokratizuese. Pakti Kombëtar dhe Platforma e Lirisë që ka propozuar partia ‘’Zgjidhja’’, janë reformat e domosdoshme për vendin, në rrugën drejt BE-së. Reforma kushtetuese, ajo zgjedhore dhe demokratizimi i partive politike janë të vetmet zgjidhje për demokracinë reale, zgjedhjet e lira e të barabarta dhe ku sovraniteti i rikthehet popullit, jo përmes pazareve të ulëta mes partive të vjetra, por me një marrëveshje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

 

0