Koço Kokëdhima: Thika e Ramës për Kosovën nga Berlini

Koço Kokëdhima: Thika e Ramës për Kosovën nga Berlini

 

 

Kryeministri I Shqipërisë sulmoi sot nga Berlini udhëheqësit politikë të Kosovës, që janë kundër idesë të ‘Minishengenit ballkanik’ dhe se shfaqin ‘dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb’.

‘Zgjidhja’ dënon me ashpërsi deklarata të tilla të një megallomani dhe manipulatori të paskrupullt. Rama po dëshmon çdo ditë se është përfaqësues i politikës që nuk i bashkon, por i përçan shqiptarët për llogari të interesave të huaja. Nga njëra anë damkos si ‘provincialë’ liderët e Kosovës që janë kundër një marrëveshje që izolon dhe dëmton edhe më tej Kosovën dhe nga ana tjetër, bashkë me Vuçiç, është i gatshëm ta kthejë Shqipërinë në një ‘provincë’ serbe.

Ideja e ‘Minshengenit’ nuk e ka mbështetjen e popullit shqiptar. Nuk ka as mbështetjen entuziaste të Brukselit. Presidenti Vuçiç e deklaroi më 24 dhjetor 2019, në një intervistë për televizionin serb “O2” se ‘Mini-Shengeni’ nuk kishte mbështetjen entuziaste të kryeqyetete europiane, ku, padyshim, rol kryesor ka Berlini.

“Minishengeni ballkanik’ është një projekt sllav në dëm të ekonominë së Shqipërisë dhe për ta bërë atë vasale ndaj tregut dhe ekonomisë më së zhvilluar sllave në rajon; është një thikë pas shpine ndaj Kosovës që sabotohet dhe pengohet nëpër botë nga shteti dhe qeveria që nuk kanë ndërmend të kërkojnë falje për krimet serbe kundër shqiptarëve dhe që punojnë ditë-natë kundër integrimit dhe prosperitetit të saj.

0
Koço Kokëdhima: Të mashtrosh sërish shqiptarët dhe Europën

Koço Kokëdhima: Të mashtrosh sërish shqiptarët dhe Europën

Lulzim Basha paska dashur që të bëjë opozitën radikale, të vijojë protestat e dhunshme, të kërkojë largimin  e Ramës si përfaqësues i qeverisë së krimit dhe të drogës, të denoncojë korrupsionin zgjedhor dhe batërdinë që bëhet me buxhetin e shqiptarëve. Por ia paskan lidhur duart ambasadorët e huaj që duan një opozitë konstruktive që punon për vendin dhe për rrugëtimin europian.

Kjo alibi që thuhet këto ditë për të justifikuar zbythjen e PD-së dhe uljen në tryezën e kompromiseve, për hir të hapjes së negociatave me BE-në, tingëllon e pështirë dhe mashtruese, për vetë shqiptarët, por edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nuk na duhet një reformë zgjedhore sa për sy e faqe, që të përmbushim një nga nëntë kushtet e Bundestagut Gjerman, që Shqipërisë t’i happen negociatat përpara Samitit të Zagrebit në maj të këtij viti.. Nuk na duhet një ujdi mes tri njerëzve për të vendosur për fatin e 3 milionë shqiptarëve brenda vendit dhe më shumë se aq jashtë kufijve. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të çmontojë sistemin e vjetër politik, ta çlirojë dhe demokratizojë atë, si në çdo vend tjetër anëtar, apo aspirant për në BE.

Nëse ujdia e ndërmjetësuar nga të huajt dhe produkti i reformës zgjedhore do të jetë, siç dyshoj, një pakt antidemokratik dhe antipopullor mes tri politikanëve dhe disa ambasadorëve të huaj, do të përsërisim gabimet e të shkuarës, do të zgjasim dhe rëndojmë krizën politike dhe ekonomike. Zgjidhja nuk është të mashtrosh sërish shqiptarët dhe ndërkombëtarët, por të rikthesh demokracinë.

1
Koço Kokëdhima: Këshilli Politik i partive të vjetra

Koço Kokëdhima: Këshilli Politik i partive të vjetra

 

PS, PD dhe LSI u bënë sërish bashkë në Këshillin Politik që thuhet se do të bëjë reformën zgjedhore për të plotësuar kushtet që Shqipërisë t’i hapen bisedimet me BE-në.

E kam paralajmëruar shumë herë se ata do të bëheshin bashkë, jo për të zgjidhur hallet e shqiptarëve, por për të mbyllur pazaret e tyre. Ndryshe nuk shpjegohet se si, një vit pasi dogjën mandatet e deputetëve, sulmuan me mototovë institucionet dhe u përbetuan se nuk do të uleshin kurrë në një tryezë me Ramën, pse ai përfaqësonte qeverinë e krimit dhe të drogës, PD dhe LSI sot u puthën me shumë mall me PS-në.

I ka ulur në një tryezë vendosmëria për të mos lëshuar zgjedhjet, për të mos u kthyer liritë politike shqiptarëve. Reforma zgjedhore që duan të bëjnë deri më 15 mars mban në këmbë Kodin aktual zgjedhor, administrimin politik të zgjedhjeve, listat e mbyllura të kandidatëve që dalin nga xhepi i kryetarëve, nuk demokratizon as partitë dhe as Shqipërinë.

‘Zgjidhja’ nuk do të bëhet pjesë e këtij pazari të turpshëm të partive të vjetra. Ajo do të vijojë të luftojë bashkë me shqiptarët për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe reformë kushtetuese, kundër proceseve zgjedhore ku tri parti numërojnë dhe ndajnë mes tyre votat e partive të tjera, për kandidatë për deputetë, kryetarë bashkish dhe këshilltarë të dalë nga populli dhe jo xhepat e kryetarëve.

‘Zgjidhja’ paralajmëron miqtë e Shqipërisë, se reforma zgjedhore që do të bëjnë këto tri parti nuk do të përmbushë asnjë rekomandim kyç të OSBE/ODIHR-it dhe nuk do ta zgjidhë krizën në vend, por do ta mbulojë, shtyjë në kohë dhe do ta çojë në rrugën pa kthim të shkatërrimit dhe falimentimit të shtetit shqiptar.

2
Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Aleatët e PD-së njoftuan të martën se janë tërhequr nga kushti për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pas disa vitesh me kërkesa gati ultimative drejtuar SHQUP-it. Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar tha se ata kanë rënë dakord me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha që të vijojë sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura, që ishte pjesë e puçit antikushtetues PD-PS në vitin 2008, duke refuzuar sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura. Ivi Kaso, përfaqësues i PD-së për çështjet zgjedhore deklaroi se çdo ndryshim kushtetues ku përfshihet edhe sistemi elektoral dhe çështja e listave do të jenë në një fazë të dytë diskutimi, pa dhënë ndonjë datë. Për PD-në tashmë më tepër rëndësi ka përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, për votimin dhe numërimin elektronik, për të arritur depolitizimin e administratës zgjedhore. Tani e vetmja çështje e pazgjidhur mes PD-së dhe aleatëve të saj ka mbetur ajo e financimit të partive politike, ku PD kërkon që të jetë 100% nga shteti, ndërsa LSI mbështet idenë e një formule miks, me financim nga shteti dhe privati. Drafti final për propozimet mbi reformën zgjedhore do të publikohet në fund të këtij muaji, por bathët duken që tani. Ndodhi si në fjalën e popullit “Ku ishe? Asgjëkundi. Çfarë bëre? Asgjë”.

Partia ‘Zgjidhja’ e kishte paralajmëruar se SHQUP-i dhe Rilindja janë bashkë për të mos lëshuar zgjedhjet, nga caktimi i kandidatëve për deputetë deri te administrimi zgjedhor, ndërsa disa kryetarë partish rrotull tyre blihen me një emër në listën e sigurtë të deputetëve.

Me kaq mbaron edhe kësaj radhe për SHQUP-in dhe Rilindjen ‘përpjekja titanike’ me të ashtuquajturën reformë zgjedhore, një farsë me kacafytje publike për votën e lirë të shqiptarëve dhe dorështrëngim pas perdes për të mos anuluar marrëveshjen antikushtetuese Berisha-Rama të 21 prillit 2008.

“Zgjidhja’, që në fundvitin 2016, kur ishte lëvizje politike, prezantoi nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua!”, si një përpjekje e organizuar e qytetarëve shqiptarë për të demokratizuar partitë politike, sistemin politik dhe qeverisjen dhe për t’i krijuar popullit mundësinë të përfshihet në qeverisje përmes zgjedhjes së njerëzve më të mirë me votë të drejtpërdrejtë.

Në prill 2019 ‘Zgjidhja’ prezantoi ‘Paktin Kombëtar’ dhe në qershor ‘Platformën e lirisë’. Në thelb ishte kërkesa për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, demokratizimin dhe depolizitimin e zgjedhjeve, shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, kufizimin e mandateve nga kreu i shtetit deri te kryetari i bashkisë, apo rregullat strikte për financimin e partive dhe ndëshkimet penale për abuzuesit me zgjedhjet.

‘Zgjidhja’ përshëndet edhe kontributin e shoqërisë civile në imponimin e ndryshimeve demokratike të zgjedhjeve shqiptare.

Në 29 vitet e shkuara janë mbajtur 17 herë zgjedhje parlamentare dhe vendore dhe janë bërë 12 ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.  Por jemi i vetmi vend në botën demokratike që nuk bëjmë zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe kjo gjendje dramatike është bërë në dijeni të plotë të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Prezencës së OSBE-së.

Ndërhyrja e radhës do të jetë e 13-a, por nuk do të ndryshojë asgjë. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka bërë disa tryeza pa bereqet, ku përfundimisht dështon edhe depolitizimi i administratës zgjedhore, sepse PS ka dalë në përfundimin se nuk ka njerëz jopolitikë për të qenë komisionerë zgjedhjesh, ndaj ato duhet t’i kenë PS-PD.

Bernd Borchardt, ambasador i OSBE-së në Tiranë, deklaronte pak muaj më parë se: ‘Ekziston një rekomandim shumë i fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet jo më vonë se sa një vit përpara zgjedhjeve’. PS dhe PD i tremben si djalli temjanit kësaj teme, edhe pse normalisht zgjedhjet parlamentare janë planifikuar në vitin 2021 dhe reforma zgjedhore është kusht i rëndësishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. ‘Zgjidhja’ i qëndron deklarimeve se Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme, që SHQUP-i dhe Rilindja nuk duan t’ia lejojnë sovranit në rrugë paqësore.

1
Koço Kokëdhima: Që të qeverisin qytetarët jo partito-ambasadorokracia

Koço Kokëdhima: Që të qeverisin qytetarët jo partito-ambasadorokracia

‘Zgjidhja’ e deklaroi që para tri vitesh se Shqipëria qeveriset nga 3 kryetarë partish të vjetra dhe 3 ambasadorë, duke përjashtuar qytetarët. Është një vend unik ku sundon partitokracia dhe ambasadorokracia dhe që nuk do të bëjë kurrë përpara nëse nuk do të ketë demokratizim të sistemit politik, zgjedhjeve, qeverisjes dhe të partive politike që veprojnë si banda të drejtuara prej kryetarëve të kapur, të cilët, si të tillë, shantazhohen lehtësisht nga diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë.

Prandaj u lejua, që në emër të bërjes së reformës në drejtësi, 3 vite më parë, që diplomatët e huaj të shkonin nëpër grupe parlamentare dhe të shantazhonin deputetët shqiptarë sepse ata janë punëtorë të emëruar, nën urdhëra dhe servilë të kryetarëve të partive. Reforma më e rëndësishme për shqiptarët u votua vërtetë me 140 vota më 21 korrik 2016, por nuk ishte konsensuale dhe u përdor si alibi për të rrënuar sovranitetin kombëtar, duke futur në Kushtetutë Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)-në, si në asnjë vend tjetër anëtar apo aspirant të BE-së dhe të NATO-s. Jashtë reformës më të rëndësishme u lanë mendjet e ditura të Shqipërisë, akademikët, gjykatësit, shoqëria civile, ndërsa qytetarët as nuk i vunë në defter.

Kështu jemi pas tri viteve. Një kohë e gjatë e shkuar dëm për vendin, i cili është shumë më i rrënuar, edhe më i braktisur dhe më antidemokratik. Vetëm kryetarët e partive të vjetra dhe disa diplomatë të huaj janë shumë më mirë se atëherë kur niste reforma në drejtësi, sepse reforma është pronë e tyrja, por jo e shqiptarëve.

“Zgjidhja” ka besim të plotë se SHBA-të janë aleati i vetëm strategjik i Shqipërisë dhe BE-ja është destinacioni përfundimtar i saj. Prandaj u ka bërë apel prej trri vitesh që të ushtronin ndikimin e tyre mbi elitën e vjetër politike të Shqipërisë për të zgjidhur përfundimisht dhe plotësisht demokratizimin e parlamentit dhe të zgjedhjeve të kapura shqiptare, reformat nga përcaktohet suksesi i çdo reforme tjetër.

Këtë problem nuk e zgjidhi as pranimi në NATO një dekadë më parë dhe vendi u bë më i padrejtë, më i pashpresë, më depresiv, ndërsa qeverisja edhe më e keqe, më arrogante e më brutale. Sot, edhe pse na mbajnë ‘pending’ hapjen e negociatave, afrimi me BE-në nuk e ka bërë shtetin tonë më të mirë e më të fortë, qeverisjen më të përgjegjshme e më të pastër, popullin më të pasur dhe më të sigurtë. Përkundrazi. Sot jemi në zgripin e gjithçkaje.

Nuk ka krizë besimi mes popullit shqiptar dhe aleatëve tanë strategjikë, por vetëm një krizë vlerash që ka prodhuar kalbëzimi i sistemit politik dhe i institucioneve kushtetuese në Shqipëri. Shqiptarët nuk janë hileqarë dhe të pasinqertë  siç janë politikanët e vjetër që u kanë hipur në qafë. Asnjë qytetar i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, brenda dhe jashtë kufijve, nuk do që partnerët tanë ndërkombëtarë të mbështesin pushtetarët servilë e të korruptuar të Tiranës, që janë pengmarrës të zgjedhjeve të lira dhe të vlerave të demokracisë.

‘Zgjidhja’ këmbëngul që miqtë e Shqipërisë të mos lënë fatet e popullit shqiptar në dorën e disa kryetarëve të partive të vjetra dhe të disa ambasadorëve të përkohshëm në Tiranë. Ata nuk duhet të pajtohen më me ‘konsensus’ si ai për reformën në drejtësi, por për reformën e sistemit dhe atë zgjedhore gjithëpërfshirëse, larg thonjve të kryetarëve të partive të vjetra. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë me njerëzit e saj të ditur dhe të mençur që të realizojë projektin e partisë “Zgjidhja’ për votim e numërim elektronik në qendrat e votimit apo edhe në konsullatat dhe ambasadat tona për emigrantët nëpër botë;  për administratë zgjedhore shtetërore, jopartiake; për sistem të ri elektoral dhe kod të ri zgjedhor të miratuar me konsensus të gjerë; për masa dhe institucione që do të ndalonin përfundimisht çdo deformim dhe tjetërsim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhje.

Fati në duart e sovranit është guri i parë i themelit për shtetin e së drejtës, atë që nuk po premton të na e bëjë realitet reforma ‘konsensuale’ në drejtësi, që doli si produkt i partito-ambasadorokracisë dhe jo i qytetarëve të lirë të Shqipërisë. Fati dhe përfaqësuesit në duart e sovranit mbetet e vetmja rrugë për shpëtimin e kombit shqiptar!

1
Arben Rrozhani: Bunkerizimi i reformës zgjedhore

Arben Rrozhani: Bunkerizimi i reformës zgjedhore

Prezenca e OSBE-së, Zyra e Delegacionit të BE-së dhe Instituti Demokratik Amerikan mbajtën këtë të martë tryezën teknike mbi “Financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore’. Organizatorët ishin kujdesur deri në detaje që tryeza e radhës për reformën zgjedhore të ishte sa më larg medias dhe syve të publikut. Dhjetëra kamera dhe gazetarë u lanë në holl për t’u ngushëlluar vetëm me plane personazhesh që ecnin, disa deklarime të shkurtra mes pushimeve, apo qëndrime të shkëputura nga pjesëmarrësit në tryezë.

OSBE mund të ketë patur probleme kohët e fundit me pozicionin e ambasadorit të saj, Borchardt, ndaj të cilit disa gra protestuan në një takim për median për gishtin e mesit që u nxorri banorëve të Astirit, apo deri te shpallja ‘non grata’ në territorin e Presidencës. Por kjo nuk e justifikon bunkerizimin e debateve për reformën zgjedhore, e cila tashmë duhet të jetë sa më e hapur dhe e debatueshme për median dhe publikun.

Partia ‘Zgjidhja’ i ka përshëndetur dhe ka marrë pjesë në të gjitha takimet e reformës zgjedhore organizuar nga OSBE, apo nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore dhe ka kërkuar që ato të jenë të hapura, gjithëpërfshirëse, ku të ketë vlerë mendimi i çdo përfaqësuesi.

Nëse nuk do të bunkerizohej tryeza teknike e OSBE/BE/NDI-së, shqiptarët do të shihnin me zë dhe figurë se si deputetë të opozitës së re parlamentare ua thonë ndërkombëtarëve në sy se gjërat në Shqipëri kanë shkuar keq e më keq dhe se vetëm ndryshimi i sistemit politik dhe i Kodit Zgjedhor është shpëtim për vendin; se si ambasadori Borchardt e cilëson ditë të madhe dhe “dritare të hapur’ praninë e përfaqësuesit të PD-së në takim, duke paralajmëruar se zgjidhja do të vijë vetëm nga konsensusi PS-PD, pa pyetur as partitë e reja, as shoqërinë civile dhe as ekspertët e zgjedhjeve; se si një përfaqësuese e shoqërisë civile pyeti e habitur për katrahurën e drafteve të Kodit Zgjedhor dhe ku të gjithë i shmangen çështjes më të rëndësishme: depolitizimit të administratës zgjedhore nga KQZ-ja deri te komisionet e numërimit të votave; se si ekspertë të huaj, përpara se të braktisin mbledhjen për të kapur avionin në Rinas, flasin për rregulla loje si në Perëndim, kur shqiptarët janë ende i vetmi popull në rajon dhe në Europë që nuk janë të lirë që të votojnë, ku vota e tyre blihet, vidhet dhe trafikohet; se si, mjerisht, edhe përfaqësues të shoqërisë civile, deri dje luftëtarë për çlirimin e KQZ-së nga thonjtë e 3 partive, i thurin elozhe ‘erës së re’ të bashkëpunimit mes PS-PD-së.

Në atë tryezë teknike u artikuluan shumë nga tezat që partia ‘Zgjidhja’ ka hedhur në tregun politik shqiptar këto dy vitet e fundit. Që reforma zgjedhore duhet bërë me bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë, shoqërisë civile, mendjeve të ndritura, brenda dhe jashtë vendit, njerëzve të pakapur nga kryetarët e partivë të vjetra; depolitizimi i administratës zgjedhore, rrëzimi i ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, demokratizimi i partive dhe rrëzimi nga froni i kryetarëve të plotfuqishëm, zgjedhje të lira dhe të barabarta, si ato që bëhen në çdo vend demokratik, por jo në Shqipëri dhe mbi të gjitha një pakt kombëtar për të dalë nga kriza e stërzgjatur politike, jo një pakt tjetër PS-PD, siç po hinnizohej në atë tryezë, që vetëm do ta zgjaste këtë krizë në kohë.

Dhe në mungesë të mediatizimit të këtyre zhvillimeve reale që ndodhnin në një tryezë të bunkerizuar, media dhe publiku duhet të ngushëllohet me deklaratën rozë të OSBE-së ku thuhet, ndër të tjera, se: “…Veprimtaria e sotme është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të dialogut politik, përmes ofrimit të ekspertizës teknike nga OSBE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtare, në përkrahje të reformave thelbësore…Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme të lehtësojë tryeza, takime pune dhe konferenca të tjera për reformën zgjedhore, si edhe të ofrojë ekspertizë teknike… Ne mbetemi të vendosur ta mbështetim Shqipërinë dhe të gjitha institucionet e saj në një dialog gjithëpërfshirës, sipas mandatit tonë në vend…”.

Pak e shumë si ato shprehjet në raportet përfundimtare për zgjedhjet në Shqipërisë, ku çdo herë thohet se “këto zgjedhje ishin një hap përpara’, por në të vërtetë vendi ka bërë hapa prapa në demokraci.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

0
Arben Rrozhani: Shqipërisë i duhet  një Gjykatë Kushtetuese e pakapur

Arben Rrozhani: Shqipërisë i duhet  një Gjykatë Kushtetuese e pakapur

Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

Qëllimi i Reformës në Drejtësi të nisur 5 vite më parë ishte rritja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe fuqizimi i tij në drejtim të profesionalizmit dhe efiçiencës së magjistratëve gjyqtarë e prokurorë si dhe të luftës kundër korrupsionit.

Përpara ndryshimeve kushtetuese të 21 korrikut 2016, anëtarët e GJykatës Kushtetuese zgjidheshin me propozim të Presidentit dhe miratim me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi. Tashmë 3 anëtarë emërohen nga Gjykata e Lartë, 3 emërohen nga Presidenti dhe 3 nga Kuvendi me shumicë të cilësuar të 3/5 të deputetëve.

Është utopi të mendohet se një Gjykatë e Kushtetuese e pakapur nga politika dhe korrupsioni do të dalë me formulën aktuale të emërimeve nga Gjykata e Lartë, Parlamenti dhe presidenti, apo më keq, me formulën e deformuar, prej ‘kleçkave’ proceduriale që po bëhen orët e fundit mes presidencës dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për fat të keq, kryetarët e partive të vjetra kanë arritur të kapin sistemin e drejtësisë, duke emëruar aty punëtorët e tyre.

Shqipëria ka nevojë urgjente për një Gjykatë Kushtetuese të pavarur, me anëtarë me integritet profesional dhe moral, cilësi që nuk i kishin shumica dërrmuese e ish-anëtarëve të saj, që u përjashtuan nga sistemi i drejtësisë, pas vettingut. Ish-anëtarët e saj ishin vegla të korruptuara të kryetarëve të partive të vjetra. Rasti flagrant dhe pa asnjë bazë ligjore i heqjes së mandatit të deputetit për z.Koço Kokëdhima, në maj 2016, ishte treguesi më i qartë se çfarë mund të bëjë një Gjykatë Kushtetuese e kapur nga politika dhe korrupsioni dhe që i jep vendimet në varësi të urdhrave politikë ose rryshfetit.

Fatkeqësisht dhe qëllmisht, vendi është lënë dy vite pa Gjykatë Kushtetuese edhe pse roli i saj është jetik. Sipas nenit 124 të Kushtetutës, ajo zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj; pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre; pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare; mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore; kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre; shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij; çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre e deri te referendumet, ankesat e individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor.

Shqipëria nuk e ka luksin që të rikthehet sërish te drejtësia e kapur dhe e korruptuar. Ajo minon jo vetëm Reformën në Drejtësi të mbështetur nga miqtë e Shqipërisë dhe të përkrahur nga shumica e shqiptarëve, por edhe rrugën drejt rikthimit të shtetit ligjor, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.

Prandaj partia ‘Zgjidhja’ e ka pjesë të programit të saj politik, zgjedhjen e përfaqësuesve të të gjitha gjitha institucioneve nga populli. Nisma e saj ‘Unë zgjedh deputetin që dua’, mundëson që baza e partisë dhe qytetarët të zgjedhin përmes primareve kandidatët për deputetë, për kryetarë bashkish apo kandidatë për këshilltarë. Parlamenti i dalë nga vota e drejtëpërdrejtë e popullit dhe një president i zgjedhur po nga shqiptarët do të zgjidhnin në sistemin e drejtësisë bijtë dhe bijat më të mirë të tij dhe jo të besuarit e kryetarëve, siç po përsëritet historia edhe këto ditë.

0
Vladimir Lulaj: Rikthimi i Republikës na shpëton nga qeveritë antipopullore

Vladimir Lulaj: Rikthimi i Republikës na shpëton nga qeveritë antipopullore

 

Nënkryetar i partisë ‘Zgjidhja’

 

Pse u përdor policia politikisht te Unaza e Re? Policia nuk është e pushtetit politik, por e shtetit të munguar juridik. Keqpërdorimi i saj është kundër misionit që ka si garantuese e sigurisë së shtetasve, qoftë edhe kur ata janë protestues, sepse protesta është një e drejtë kushtetuese.

Protestuesit e Astirit nuk janë kundër shpronësimit të shtëpive të tyre të ligjshme për hir të interesit publik, por, bazuar në nenet 168 dhe 169 të Kodit Civil, kërkojnë që, përpara se t’u prishen shtëpitë, të legalizohen ato, të çmohen me vlerën e tregut imobiliar dhe t’u jepen lekët për të blerë shtëpi të reja.

Dhuna barbare ndaj protestuesve tregon se në Shqipëri nuk ka demokraci, por diktaturë të pushtetit të përkohshëm politik të despotit të Rilindjes antisocialiste, që ka instaluar regjimin antipopullor të partisë-shtet.

Partia ‘Zgjidhja’ ka kërkuar me forcë që prishjet e ndërtimeve me apo pa leje, duhen vlerësuar me çmimin e tregut. Ndërtimet pa leje u bënë nën hundën dhe me miratimin e qeverive të tranzicionit për qëllime elektorale, ndaj ato duhen legalizuar dhe shpronësuar një më një.

Për partinë ‘Zgjidhja’ këto ngjarje të rënda për jetën e qindra banorëve tregojnë domosdoshmërinë e ndërtimit të diktaturës së ligjit, për të hedhur në koshin e plehrave të historisë partitë-shtet, të cilat duhet të mos kenë më të ardhme në shtetin ligjor.

Por për t’ia arritur kësaj dite të demokracisë duhet çliruar sistemi politik nga zgjedha e kryetarëve të partive të vjetra politike, që emërojnë deputetët-lakej dhe nuk lejojnë që populli t’i zgjedhë vetë përfaqësuesit e vet, me zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Marrëveshja antikushtetuese Berisha-Rama e 21 prillit 2008 e rrëzoi Republikën. Ajo duhet rikthyer përmes reformës zgjedhore dhe kushtetuese, duke ua marrë pushtetin e pamerituar kryetarëve të 2-3 partive të vjetra e duke ia kthyer popullit. Ndryshe do të jemi të gjithë, për gjithë jetën, viktima të qeverive antipopullore që shpronësojnë dhe dhunojnë shtetasit e tyre të pambrojtur.

0
Koço Kokëdhima: ‘Shengeni me sllavët’ mbi ‘Shengenin shqiptar’

Koço Kokëdhima: ‘Shengeni me sllavët’ mbi ‘Shengenin shqiptar’

 

Çdo gjë do të mbetet peng në Ballkan, përderisa Kosova të mos njihet si shtet i pavarur. Edhe tregtia e lirë, edhe i ashtuquajturi ‘Shengeni ballkanik’ që duan të bëjnë presidenti serb, Vuçiç dhe kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Zaev, siç vendosën të dielën në Ohër.

Kur një vit më parë, kryeministri Ramush Haradinaj, vendosi taksën 100 për qind për mallrat që hynin nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina, Kosova kishte kryesimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë (CEFTA) dhe po organizonte takimin e radhës në Prishtinë. Serbia dhe Bosnje-Hercegovina refuzuan të dërgojnë ministrat e Tregtisë, në shenjë proteste për taksën.

Deri në dhjetor 2008, mallrat e Kosovës eksportoheshin në Bosnjë e Serbi pa probleme, meqë ato kishin vulat e Misionit të Kombeve të Bashkuara. Por u bllokuan tërësisht pas kalimit të përgjegjësive nga doganat e UNMIK-ut tek institucionet e vendit. Bosnje-Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa për Serbinë, ajo është ende pjesë e saj. Prej asaj kohe këto dy shtete ndaluan çdo prodhim “Made in Kosova”, ndërsa ato lejoheshin të fusnin prodhimet e tyre të shumta pa taksa.

Në nëntor 2018, qeveria ‘Haradinaj’ vendosi fillimisht taksën 10 për qind për këto dy shtete dhe më pas e bëri 100 për qind si kundërpërgjigje ndaj politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe të diplomacisë serbe për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. Kosova ishte shprehur me kohë kundër marrëveshjes së CEFTA-s, sepse vetëm në një dekadë (2005-2015) kishte importuar mbi 7 miliardë euro (7.259)  apo (88.2%) mallra dhe eksportoi më pak se një miliard euro, me një bilanc tregtar negativ prej rreth 6 miliardë eurosh. Kjo situatë vijoi edhe në vitet më pas, duke e bërë Kosovën shtet të mbytur nga mallrat sllave pa taksa.

Serbisë i kushtoi në një vit rreth 380 milionë euro vendosja e taksës 100 për qind nga Kosova, ndaj po kërkon ta kompensojë me ‘Shengenin ballkanik’, me të cilin Vuçiç thotë se do të kursehen 260 milionë euro, ku më shumë përfiton vendi i tij.

Mediat pranë qeverisë shqiptare thonë se vendi do të përfitojë më shumë se Serbia apo Maqedonia e Veriut nga lëvizja e mallrave dhe e njerëzve pa kufizime. Ato citojnë shifrat zyrtare të vitit 2018, ku Shqipëria eksportoi drejt Serbisë në total 315 milionë dollarë mallra, shumica minerale dhe karburant dhe importoi rreth 170 milionë mallra serbe.

Madje thuhet se do të fitojnë më shumë fermerët shqiptarë, sepse, nëse vitin 2018, Shqipëria eksportoi në Serbi 25 milionë dollarë perime dhe zarzavate, si dhe 6.2 milionë dollarë fruta, shalqi dhe pjepër, pas ‘shengenit sllav’, do të mund të tregtojnë produktet e tyre në një rajon shumë më të gjerë pa taksa doganore. Dhe më tej shtohen si përfitues operatorët turistikë, kompanitë që tregtojnë minerale, materiale ndërtimi si dhe fasonët, apo produktet e detit. Qeveria përllogarit se fermerët shqiptarë mund të përfitojnë deri në 30 milionë dollarë më shumë vetëm nga tregu serb dhe rreth 50 milionë  dollarë në të gjithë ‘minishengenin’.

‘Zgjidhja’ ka paralajmëruar që në korrik 2017, pas samitit të Triestes, kur u hodh ideja e ‘Minishengenit ballkanik’ se Shqipëria do të përmbytet nga produktet sllave të subvencionuara nga qeveritë e tyre ndryshe nga Shqipëria që e ka lënë bujqësinë dhe agropërpunimin në dorën e Zotit.

‘Shqyerja’ totale e tregjeve në rajon, me bujqësinë tonë të falimentuar e thellësisht të prapambetur do t’i shndërrojë konsumatorët shqiptarë në shtojca të tregut sllav, produktet e të cilëve do të mbysin tregun, duke falimentuar fermerët dhe duke i kthyer edhe ata që kanë mbetur në argatë në Greqi dhe Itali e duke lënë djerrë tokat këtu. Maqedonia e Veriut e subvencionon bujqësinë dhe ushqimin me 150 milionë euro në vit vetëm nga buxheti i saj i shtetit dhe e ka mbytur tashmë tregun shqiptar dhe po kështu edhe Serbia.

Partia ‘Zgjidhja e ka prioritet kryesor që Shqipëria ta prodhojë vetë ushqimin bazë të popullit. Rama i harxhoi vitet me spektakëlin ‘patriotik’ Shqipëri-Kosovë, me mbledhje qeverish pa asnjë rezultat. Që prej janarit të vitit 2014 kur u realizua takimi i parë në Prizren, numri i marrëveshjeve të nënshkruara në këto takime arriti mbi 50, por shkëmbimet mes dy vendeve mbeten minimale.

Barrierat kufitare mes dy vendeve shqiptare i kanë bërë këto marrëveshje të pavlera.  Sipas Odës Ekonomike të Kosovës, tregtia me Shqipërinë, përveç tarifave doganore, ka kosto për shkak të tarifave në Rrugën e Kombit dhe një tarifë skanimi, koncesione të Ramës dhe të Berishës, të cilat nuk aplikohen nga vendet e tjera me të cilat Kosova ka bashkëpunim tregtar. Sipas një studimi për tregtinë e jashtme, Kosova ka barrierat më të larta tregtare me Shqipërinë, pasi duhet të plotësohen 8 dokumente, ndërsa me vendet e tjera nuk janë më shumë se 6 a 7 të tilla.

Një biznes shqiptar ka shumë kosto dhe i duhet shumë kohë për procesin e zhdoganimit. Specialistët e ekonomisë janë shprehur se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin modelin e BE për doganat, duke thjeshtuar procedurat dhe kostot deri te implementimi i sistemit fiskal të unifikuar mes dy vendeve dhe përgatitjen e kushteve për heqjen e pikave doganore.

Tregu unik, me pak vizion dhe përpjekje, tashmë mund të ishte krijuar, sepse të dy shtetet kanë struktura të ngjashme të ekonomisë si në bujqësi, industri apo tregti, plus mentalitetit të njëjtë në të dy anët e kufirit dhe, nëse do të unifikoheshin rregullat e tregtisë, taksat dhe politikat ekonomike, tregu i përbashkët Shqipëri-Kosovë do të kishte rreth 5 milionë konsumatorë në një territor prej 39 mijë kilometrash katrorë. Do të ishte një ‘Shengen shqiptar’, shumë herë më përfitues për të dyja vendet, se sa ‘Shengeni me sllavët’ që kërkon Rama, për t’i ngulur një thikë pas shpine Kosovës dhe interesave shqiptare në rajon.

0
Rezart Prifti: Qetësi në Medellín

Rezart Prifti: Qetësi në Medellín

Po po, Medelin! Mbaje në mendje të lutem atë që ke kur dëgjon emrin e këtij qyteti shumë të bukur por dhe famëkeq.

Tani duke mbajtur këtë në mendje shiko rreth e rrotull në këtë Medelinin tonë.

Një qetësi e frikshme ka rënë përreth.

Nuk flitet më për njerëzit se ata janë të parëndësishëm.

Nuk flitet për të rinjtë se ata nuk duken, edhe ata që i vështrojnë i kanë marrë zët, se këtyre të vjetërve të sotëm u kujton kur ishin vetë të rinj dhe sa të frustruar e të ndrydhur kanë qenë.

Nuk flet njeri për mësuesit që padashje po vrasin gjenerata të tëra fëmijësh, madje as prindërit nuk flasin se nuk e dinë se ku i çojnë fëmijët, mendojnë se në shkollë.

Nuk flet njeri për pedagogët, që po bëjnë dosjet çarcaf për të ikur në Kanada dhe po zëvendësohen nga ekonomistë mediokër, Kristalsa dhe madje njerëz me precedentë penal, po rrijnë e denigrohen në mjedise dhe mendësi stallash pa i bërë njeriu përshtypje se është frika e madhe e bukës së kësaj çik elite përballë grykësisë dhe miopisë së Derrave në Fermën e famshme të Orwellit.

Nuk flet njeri për mjekët që po çajnë ferrën, po denigrohen në vendin ku janë, po trajtohen si të pandehur ashtu si nuk trajtohen kriminelët më të mëdhenj të këtij vendi, edhe këta janë zëvendësuar nga kasapë, tru-shkulur që nuk njohin bazat e anatomisë dhe një brez i ri mjekësh kokainaxhinjsh.

Nuk flet njeri për fermerët që u iku jeta përpos mediokritetit, në mjerim. Me një shtet që me mbi 100.000 fermerë bën sikur jep 80 projekte në vit, nuk u mundëson asnjë lloj infrastukture dhe përherë i ka trajtuar si skllevër të kohëve moderne. Fermeri përpos fatkeqësisë që trajtohet nga një shtet i papërgjegjshëm, ka kusurin të bjerë pre e makinacioneve të monpoleve të lloj e sojëve duke derdhur me gjithë injorancën e tyre në rrugë dhe qumështin, domaten, bostanin dhe ç’ka ka bërë në sezon. Në fund asnjë prej tyre nuk ka siguruar për fëmijët e tyre minimumin e daljes nga bataku i mjerimit migjenian.

Nuk flet njeri për artistët që po palosen skenave një e nga një në gërmadhat e një historie të turpshme të shkruar në kohë moderne në mes të Evropit. Ata që mbajtën shpirtin gjallë për festa, në teatro, filma që të edukonin dhe ata që për dekada me rradhë na bënë të qeshnim me humor dhe të qanim me aktrim. Sot ata përballen me mosmirënjohje, me tallava, me mos-vlerësim, me artistë që turpërojnë fjalën artistë.

Këta të fundit sot qajnë vet për të marrë pensionet, qajnë vet për një ndihmë në spital se po vdesin rrugëve, qajnë vet se nuk kanë ku mbajnë një shfaqe. Por prapë qajnë bukur, qajnë me hijeshi, qajnë me romuz e qajnë me dinjitetin e një artisti.

Nuk flitet më për qytetet që janë bërë të pajetueshme. Të pajetueshme nga braktisja masive dhe të lëna në mediokritetin e kotësisë së egzistencës por në mëshirën e bukurisë së natyrës dhe qetësisë. Të pajetueshme nga betoni masiv, rrugët e pambaruara, të shkëlqyera dhe të hapura në pafundësi. Të pajetueshme nga ajri kancerogjen dhe nga zhurma që i ka kthyer gjithë njerëzit në psiqik sepse është kthyer në standardin e qetësisë.

Nuk flitet për fshatrat që jetojnë në mesjetë në mes të evropit si fiset Zulu.

Nuk flitet për natyrën që pemët po ja hanë, ujin po ja thajnë dhe kafshët po i bëjnë pelice, tapete dhe ornamente lokalesh për barbarët te porta.

Por për çfarë flitet?

Një vorbull e punëve të kota krijohet në kësi rastesh dhe është rezultat i dy faktorëve. E para, është sepse Atyre thjeshtë nuk ju kërcet! Po po! Nuk ju kërcet! Nga rehatia e marrjes së hakut të gjithë Shqiptarëve, nga frika e humbjes se çka kanë vjedhur, nga sikleti se një ditë sistemi mund të kthehet me kokë poshtë e tu përmbyset bota, nga therori që u jep se një ditë mund të vendoset drejtësi, qoftë kjo Spakjane apo shqiptare, është e pamundur të shikosh Shqipërinë dhe Shqiptarët se çfarë po u vëlon në kokë dhe u zien në shpirt.

E dyta, ata nuk janë qytetarë të Shqipërisë, ata janë turistë në vendin e tyre. Ata nuk vishen këtu, shumë pak ushqehen këtu, nuk shërohen këtu, nuk arsimohen këtu, madje as seks nuk bëjnë këtu por jashtë.

Këtu flitet për tollovi, për ballkone, për gjuzra, për KÇK-ra, për SPAK-ra, për për horra, për kriminelë, për vrasje, për përdhunim, për depresion, për drogë, për PPP-ra dhe për lloj e soje gjërash që prodhojnë një realitet të frikshëm dhe në nxitje të qelizave kancerogjene dhe stres.

Po këtu edhe ata pako njerëz që flasin nuk dëgjohen!

Nuk dëgjohen ekspertët e ekonomisë që u doli fyti vetëm e vetëm nga ndërgjegjia profesionale se e dinë që nuk i pyet njeri.

Nuk dëgjohen mjekët që ministria kriminele u kërkon të bëjnë më pak operacione.

Nuk dëgjohen studentët që po rrihen në auditore leksionesh.

Nuk dëgjohen nxënësit që po u shpërndahet droga brenda në shkollë.

Nuk dëgjohet ai polici që thotë e di por duhet të mbaj kalamajtë me bukë.

Nuk dëgjohet pedagogu që flet për edukimin por kanari që flet për të kundërtën.

Nuk dëgjohet ai gazetari që thotë shyqyr që lëviza nga ai dreq televizion telenovelash se edhe kur bënim urinën e kishim me kontroll mos shanim qeverinë.

Nuk dëgjohet fermeri për rimbursim se thërritet për ditën e tokës në mes të nëntorit.

Nuk dëgjohet…

Pa me thuaj tani i dashur lexues, a është njësoj me atë që kishe në mendje për Medelinin? Por ti e di që nuk po flas për të, por për këtu…

1