Bashkë për Shqipërinë

Bashkë për Shqipërinë

Silvana Begaj

Në ditët që me padurim prisnim të festonim për Ditën e shenjtë të flamurit tonë, ne morëm lajmin e trishtueshëm për tërmetin që goditi atdheun. Shqipëria u drodh, po ky tërmet më shumë drodhi zemrat e  shqiptarëve në katër anët e botës, nga Europa e Amerika, Australia e deri në vijat e luftës në Afganistan e Afrikë ku shërbejnë trupat tona paqeruajtëse ushtarake. Sepse shqiptarët janë gjithandej nëpër botë si shqiponja.

Ne sot, jemi më të bashkuar se kurrë dhe gjaku i vëllezërve e motrave tona që lagën tokën e shqiponjave është këmbanë për ne, është zëri i patriotëve tanë në shekuj që na thërrasin për bashkim, unitet e dashuri midis nesh.

Duket sikur vringëllijnë shpatat e Agronit e Teutës, sikur për bashkim na thërret Pirro e Leka i madh. Sikur nga dheu ka lëvizur Skënderbeu. Më duket se nga qielli dëgjoj plakun e urtë të Vlorës, Ismail Qemalin,  dhe zërin e trimit të Kosovës Isa Boletini.

Të gjithë thërrasin për bashkim!  Edhe zëri i Hasan Prishtinës e Adem Jasharit, idealet e tyre na ftojnë që të japim dorën njëri-tjetrit, sot më shumë se kurrë.

Po flisja dje me nje mikun tim nga Kosova, dhe më tregonte si ishte ndjerë ditën kur bashkë me Presidentin e Kosovës kishte vizituar Durrësin e Thumanën.  “Silva, nuk i mbaja lotët, ato nëna na shihnin si bijtë e tyre, në sytë e tyre tashmë Kosova, dukej si shpëtimtare, djemtë që dikur, në vitet 1998-1999, kishin shkuar nga Kosova drejt Shqipërisë si fëmijë të ikur nga tmerri, nga masakrat e bëra nga fashistët serbë, tani ishin kthyer si oficerë të Ushtrisë së Kosovës, si policë te Kosovës. Aty e ndjeva dhimbjen e atyre nënave, fëmijëve e burrave që kishin humbur gjithçka nga ky tërmet.

Por edhe krenarinë për djemtë e Kosovës që po rrezikonin edhe jetët e tyre për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Më bëhej sikur e ndjeja edhe falënderimin prej nëne për ata femijët që dikur kishin ikur nga zjarri i luftës e ishin kthyer si shpëtimtar!

Zëri i atyre nënave, fëmijëve, burrave të moshuar, gërmadhat e tmerrit që bashkuan në një vend edhe shpëtimtarë nga vende që deri dje ishin në luftëra mes tyre, si Kroacia e Serbia, shqiptarët e serbët, italianë e francezë, turq, grekë e izraelitë, na thërrasin sot! Së bashku të rindërtojmë atdheun tonë të plagosur, bashkë të gjithë ne të mbyllim plagën e dhembjes së shkaktuar këto ditë!

Politikat e gabuara të cilat e kanë copëtuar dhe ndarë Shqipërinë, deri diku e kanë arritur qëllimin e tyre, por kjo fatkeqësi natyrore ishte një mesazh për botën anë e mbanë.

Shqiptarët nuk i ndan dot një kufi dhe një tra sepse në venat e tyre rrjedh i njëjti gjak dhe ata janë gjithmonë bashkë.

Ne nuk jemi vetëm se Shqipëria është e madhe!

Për ne mërgimtarët dhimbja është më e madhe.

Sigurisht që asnjë nuk mund të ndal dot vullnetin e Zotit dhe forcën e natyrës, por sot na thërret detyra jonë si shqiptare, si njerëz të këtij planeti, të jemi bashkë për të dhënë dorën tonë për ata që kanë nevojën tonë.

A është Shqiperia vetëm në këtë gjendje të  mjerueshme?

JO, JO! Jemi ne të gjithë, janë shqiptarët në të katër anët e botës.

Ne të gjithë do të japim kontributin tonë për rindërtimin e saj. Për ata njerëz, për ato nëna e ata fëmijë.

Për vëllezërit dhe motrat tona!

Për tokën që e bekoi vetë i madhi Zot.

Ndër shekuj të varfër, por nuk na varfëruan dot!

Ndër shekuj të shtypur, por nuk na shtypën dot!

Ndër shekuj të ndarë, por nuk na ndanë dot

Se Shqipëria është NJË!

SOT Bashkë për Shqipërinë!

 

 

0

Leave a Reply