Av.Gylsen Zhllima: Marrëveshja gjithëpërfshirëse, parakusht për integrimin europian

Av.Gylsen Zhllima: Marrëveshja gjithëpërfshirëse, parakusht për integrimin europian

Hapja e negociatave është pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë me synim final anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ky është objektiv kombëtar dhe gjithëpërfshirës. Shqipëria, nëpërmjet qeverisjes dhe politikës së brendshme, ka si detyrë që të respektojë vazhdimisht parimet e përgjithshme të demokracisë dhe të drejtat e njeriut që vendit t’i sigurohet çelja e negociatave. Me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që hyri në fuqi në prill 2009,  synimi kryesor ishte forcimi i demokracisë së brendshme dhe e shtetit të të drejtës, stabilitetit politik, ekonomik e institucional dhe së fundi të siguronte një strukturë të përshtatshme për dialog politik. Në prill të vitit 2019, Shqipëria mbushi plot 10 vjet të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, por realiteti është i hidhur dhe qeveritë shqiptare nuk bënë asnjë hap për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje.

Cenimi i  sovranitetit të popullit është bërë me vetëdije nga dy partitë kryesore duke mos marrë në konsideratë asnjë rekomandim të ndërkombëtarëve që kanë monitoruar zgjedhjet parlamentare dhe vendore në Shqipëri, ku, pas vitit 2001 e në vijim, kanë theksuar në çdo raport në mënyrë sistematike nevojën e një sistemi zgjedhor të thjeshtë dhe përfaqësues. Në këto raporte është sugjeruar disa herë, korrektimi i mangësive që vijnë prej konceptimit dhe zbatimit të gabuar të sistemit zgjedhor në Kushtetutë. Si pasojë e injorimit të këtyre raporteve nga partitë e vjetra politike, situata ishte dhe mbetet e tillë, duke mos vendosur Republikën për interes të qytetarëve, që do t’i jepte fund sundimit të pushtetit të katër-pesë njerëzve.

Kriza aktuale politike në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të zgjidhet me marrëveshje midis dy palëve, por vetëm me marrëveshje gjithëpërfshirëse që t’i japim fund sistemit mospërfaqësues skandaloz, trafikimit dhe deformimit të votës në çdo formë që ajo shfaqet, KQZ-së partiake, partitokracisë dhe pushtetit të kryetarëve. Kjo bëhet vetëm me një sistem zgjedhjesh të lira e të barabarta, ku në thelb është procesi i meritokracisë.

Partia “Zgjidhja” gjithmonë e thotë qartë se pa reformë kushtetuese dhe zgjedhore në vend, nuk mund të ketë demokraci përfaqësuese. Beteja për të vendosur Republikën kërkon sakrifica të forta dhe për t’u përballur me padrejtësitë e këtij sistemi që ka kalbur çdo qelizë të shëndetshme të shoqërisë. Instalimi i demokracisë reale kalon vetëm me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dialog konstruktiv.

Sot flitet  për iniciativa nga pozita dhe opozita për reformë zgjedhore, tryeza dhe ftesa publike nga institucione të ndryshme, por asnjë propozim real dhe konkret për zgjidhjen e kësaj krize. Nga loja e kushteve midis palëve, tani ka filluar koha e propagandës nga secili krah.

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duhet të paraqesin një plan konkret për zgjidhjen e krizës, sepse, të dyja bashkë janë fajtore për krizat ciklike në vend. Kuptohet se ato nuk kanë as dëshirë dhe as synim për zgjidhjen e krizës, sepse kështu humbasin pushtetin mbi zgjedhjet dhe u ikën pushteti politik. Por nuk kanë rrugë tjetër. Le të pranojnë tezat dhe rrugëzgjidhjen që japin “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë”, që ka propozuar partia ‘Zgjidhja’. Nuk është me detyrim, por është detyrë e tyre përpara shqiptarëve që të pranojnë dhe përkrahin propozimet e partisë ‘Zgjidhja’ për t’i dhënë fund krizës politike, ekonomike dhe shoqërore, përmes një marrëveshjeje të madhe gjithëpërfshirëse, me të cilën shkojmë ballëlart drejt hapjes së negociatave, në ëndrrën tonë 30-vjeçare  për t’u bërë pjesë e BE-së.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0

Leave a Reply