Av. Gylsen Zhllima: Elita e vjetër politike, kryefajtore për mosçeljen e negociatave

Av. Gylsen Zhllima: Elita e vjetër politike, kryefajtore për mosçeljen e negociatave

Qeveria shqiptare duhet të kuptojë se vendosja e parakushteve për çeljen e negociatave me BE-në është një realitet i pashmangshëm për Shqipërinë. Është bërë e qartë tani, tre ditë përpara mbledhjes së Këshillit të Europës, që shumë shtete, përveç Francës dhe Holandës, do të shprehen me rezerva për çeljen e negociatave, sidomos me Shqipërinë. Problemi nuk është i Bashkimit Europian, siç e shet Rilindja, por i sistemit politik të kapur nga oligopolet që kanë shërbyer dhe bashkëpunuar me partitë e vjetra dhe që ka dështuar totalisht me mosçeljen e negociatave.

Politikat e brendshme të qeverisë kanë dështuar me cilësinë e legjislacionit vendas. Ai nuk përputhet  me nevojat e shoqërisë shqiptare, me mosfunksionimin dhe mirëkualifikimin e administratës publike dhe  me mungesën buxhetore në shërbimin civil, ku nevojat janë më të shumta se mbështetja financiare nga ana e qeverisë, për të ofruar shërbimet e duhura për qytetarët.

Dështimi vazhdon dhe me politikën e jashtme. Nëse Shqipërisë nuk i çelen negociatat më 18 tetor, do të thotë se qeveria aktuale nuk i ka përmbushur kriteret e vëna në qershor 2018, por vijon të qeverisë me arrogancë.

BE nuk ka ndërmend të bëjë kompromis me këtë qeveri, nëse ajo nuk plotëson kushtet e vëna brenda qershorit 2020. Reforma Zgjedhore dhe ajo Kushtetuese, ndryshimi i kodit aktual zgjedhor,  transparenca në funksionimin dhe financimin e partive politike; të gjitha këto ndryshime bëhen vetëm me një sistem të ri zgjedhor, i cili garanton zgjedhje të lira dhe të barabarta.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, pas 18 Tetorit 2019, duhet të mbajnë përgjegjësitë që u takojnë jo vetëm për krizën politike, por edhe për mosçeljen e negociatave me BE-në.

E vetmja rrugë që duhet pranuar nga kjo klasë politike në ikje është një marrëveshje gjithëpërfshirëse që ka objektivat e “Paktit Kombëtar” dhe të “Platformës së Lirisë” të propozuara nga partia “Zgjidhja”. Kjo marrëveshje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse duhet të garantojë që ndryshimi i kodit zgjedhor të ndalojë njëherë e përgjithmonë përvetësimin e lirive republikane, manipulimet zgjedhore dhe pushtetin abuziv të kryetarëve të partive. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike duhet të pranojnë të ulen në një tryezë me profesionistë të fushës dhe me aktorët politikë pa asnjë diskriminim, për të përmbyllur sa më parë reformën kushtetuese dhe atë zgjedhore. Nëse këto dy forca politike nuk pranojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me objektiv të përbashkët rikthimin e sovranitetit te qytetarët shqiptarë, atëherë ata do të marrin mbi supe një faturë e madhe dhe të pashlyeshme, që do t’i flakë nga politika. Ndaj, rruga e vetme është marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe me dialog konstruktiv.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0

Leave a Reply