Koço Kokëdhima: Thika e Ramës për Kosovën nga Berlini

Koço Kokëdhima: Thika e Ramës për Kosovën nga Berlini

 

 

Kryeministri I Shqipërisë sulmoi sot nga Berlini udhëheqësit politikë të Kosovës, që janë kundër idesë të ‘Minishengenit ballkanik’ dhe se shfaqin ‘dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb’.

‘Zgjidhja’ dënon me ashpërsi deklarata të tilla të një megallomani dhe manipulatori të paskrupullt. Rama po dëshmon çdo ditë se është përfaqësues i politikës që nuk i bashkon, por i përçan shqiptarët për llogari të interesave të huaja. Nga njëra anë damkos si ‘provincialë’ liderët e Kosovës që janë kundër një marrëveshje që izolon dhe dëmton edhe më tej Kosovën dhe nga ana tjetër, bashkë me Vuçiç, është i gatshëm ta kthejë Shqipërinë në një ‘provincë’ serbe.

Ideja e ‘Minshengenit’ nuk e ka mbështetjen e popullit shqiptar. Nuk ka as mbështetjen entuziaste të Brukselit. Presidenti Vuçiç e deklaroi më 24 dhjetor 2019, në një intervistë për televizionin serb “O2” se ‘Mini-Shengeni’ nuk kishte mbështetjen entuziaste të kryeqyetete europiane, ku, padyshim, rol kryesor ka Berlini.

“Minishengeni ballkanik’ është një projekt sllav në dëm të ekonominë së Shqipërisë dhe për ta bërë atë vasale ndaj tregut dhe ekonomisë më së zhvilluar sllave në rajon; është një thikë pas shpine ndaj Kosovës që sabotohet dhe pengohet nëpër botë nga shteti dhe qeveria që nuk kanë ndërmend të kërkojnë falje për krimet serbe kundër shqiptarëve dhe që punojnë ditë-natë kundër integrimit dhe prosperitetit të saj.

0
Koço Kokëdhima: Të mashtrosh sërish shqiptarët dhe Europën

Koço Kokëdhima: Të mashtrosh sërish shqiptarët dhe Europën

Lulzim Basha paska dashur që të bëjë opozitën radikale, të vijojë protestat e dhunshme, të kërkojë largimin  e Ramës si përfaqësues i qeverisë së krimit dhe të drogës, të denoncojë korrupsionin zgjedhor dhe batërdinë që bëhet me buxhetin e shqiptarëve. Por ia paskan lidhur duart ambasadorët e huaj që duan një opozitë konstruktive që punon për vendin dhe për rrugëtimin europian.

Kjo alibi që thuhet këto ditë për të justifikuar zbythjen e PD-së dhe uljen në tryezën e kompromiseve, për hir të hapjes së negociatave me BE-në, tingëllon e pështirë dhe mashtruese, për vetë shqiptarët, por edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nuk na duhet një reformë zgjedhore sa për sy e faqe, që të përmbushim një nga nëntë kushtet e Bundestagut Gjerman, që Shqipërisë t’i happen negociatat përpara Samitit të Zagrebit në maj të këtij viti.. Nuk na duhet një ujdi mes tri njerëzve për të vendosur për fatin e 3 milionë shqiptarëve brenda vendit dhe më shumë se aq jashtë kufijve. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të çmontojë sistemin e vjetër politik, ta çlirojë dhe demokratizojë atë, si në çdo vend tjetër anëtar, apo aspirant për në BE.

Nëse ujdia e ndërmjetësuar nga të huajt dhe produkti i reformës zgjedhore do të jetë, siç dyshoj, një pakt antidemokratik dhe antipopullor mes tri politikanëve dhe disa ambasadorëve të huaj, do të përsërisim gabimet e të shkuarës, do të zgjasim dhe rëndojmë krizën politike dhe ekonomike. Zgjidhja nuk është të mashtrosh sërish shqiptarët dhe ndërkombëtarët, por të rikthesh demokracinë.

1
Koço Kokëdhima: Këshilli Politik i partive të vjetra

Koço Kokëdhima: Këshilli Politik i partive të vjetra

 

PS, PD dhe LSI u bënë sërish bashkë në Këshillin Politik që thuhet se do të bëjë reformën zgjedhore për të plotësuar kushtet që Shqipërisë t’i hapen bisedimet me BE-në.

E kam paralajmëruar shumë herë se ata do të bëheshin bashkë, jo për të zgjidhur hallet e shqiptarëve, por për të mbyllur pazaret e tyre. Ndryshe nuk shpjegohet se si, një vit pasi dogjën mandatet e deputetëve, sulmuan me mototovë institucionet dhe u përbetuan se nuk do të uleshin kurrë në një tryezë me Ramën, pse ai përfaqësonte qeverinë e krimit dhe të drogës, PD dhe LSI sot u puthën me shumë mall me PS-në.

I ka ulur në një tryezë vendosmëria për të mos lëshuar zgjedhjet, për të mos u kthyer liritë politike shqiptarëve. Reforma zgjedhore që duan të bëjnë deri më 15 mars mban në këmbë Kodin aktual zgjedhor, administrimin politik të zgjedhjeve, listat e mbyllura të kandidatëve që dalin nga xhepi i kryetarëve, nuk demokratizon as partitë dhe as Shqipërinë.

‘Zgjidhja’ nuk do të bëhet pjesë e këtij pazari të turpshëm të partive të vjetra. Ajo do të vijojë të luftojë bashkë me shqiptarët për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe reformë kushtetuese, kundër proceseve zgjedhore ku tri parti numërojnë dhe ndajnë mes tyre votat e partive të tjera, për kandidatë për deputetë, kryetarë bashkish dhe këshilltarë të dalë nga populli dhe jo xhepat e kryetarëve.

‘Zgjidhja’ paralajmëron miqtë e Shqipërisë, se reforma zgjedhore që do të bëjnë këto tri parti nuk do të përmbushë asnjë rekomandim kyç të OSBE/ODIHR-it dhe nuk do ta zgjidhë krizën në vend, por do ta mbulojë, shtyjë në kohë dhe do ta çojë në rrugën pa kthim të shkatërrimit dhe falimentimit të shtetit shqiptar.

2
Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Aleatët e PD-së njoftuan të martën se janë tërhequr nga kushti për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pas disa vitesh me kërkesa gati ultimative drejtuar SHQUP-it. Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar tha se ata kanë rënë dakord me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha që të vijojë sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura, që ishte pjesë e puçit antikushtetues PD-PS në vitin 2008, duke refuzuar sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura. Ivi Kaso, përfaqësues i PD-së për çështjet zgjedhore deklaroi se çdo ndryshim kushtetues ku përfshihet edhe sistemi elektoral dhe çështja e listave do të jenë në një fazë të dytë diskutimi, pa dhënë ndonjë datë. Për PD-në tashmë më tepër rëndësi ka përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, për votimin dhe numërimin elektronik, për të arritur depolitizimin e administratës zgjedhore. Tani e vetmja çështje e pazgjidhur mes PD-së dhe aleatëve të saj ka mbetur ajo e financimit të partive politike, ku PD kërkon që të jetë 100% nga shteti, ndërsa LSI mbështet idenë e një formule miks, me financim nga shteti dhe privati. Drafti final për propozimet mbi reformën zgjedhore do të publikohet në fund të këtij muaji, por bathët duken që tani. Ndodhi si në fjalën e popullit “Ku ishe? Asgjëkundi. Çfarë bëre? Asgjë”.

Partia ‘Zgjidhja’ e kishte paralajmëruar se SHQUP-i dhe Rilindja janë bashkë për të mos lëshuar zgjedhjet, nga caktimi i kandidatëve për deputetë deri te administrimi zgjedhor, ndërsa disa kryetarë partish rrotull tyre blihen me një emër në listën e sigurtë të deputetëve.

Me kaq mbaron edhe kësaj radhe për SHQUP-in dhe Rilindjen ‘përpjekja titanike’ me të ashtuquajturën reformë zgjedhore, një farsë me kacafytje publike për votën e lirë të shqiptarëve dhe dorështrëngim pas perdes për të mos anuluar marrëveshjen antikushtetuese Berisha-Rama të 21 prillit 2008.

“Zgjidhja’, që në fundvitin 2016, kur ishte lëvizje politike, prezantoi nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua!”, si një përpjekje e organizuar e qytetarëve shqiptarë për të demokratizuar partitë politike, sistemin politik dhe qeverisjen dhe për t’i krijuar popullit mundësinë të përfshihet në qeverisje përmes zgjedhjes së njerëzve më të mirë me votë të drejtpërdrejtë.

Në prill 2019 ‘Zgjidhja’ prezantoi ‘Paktin Kombëtar’ dhe në qershor ‘Platformën e lirisë’. Në thelb ishte kërkesa për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, demokratizimin dhe depolizitimin e zgjedhjeve, shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, kufizimin e mandateve nga kreu i shtetit deri te kryetari i bashkisë, apo rregullat strikte për financimin e partive dhe ndëshkimet penale për abuzuesit me zgjedhjet.

‘Zgjidhja’ përshëndet edhe kontributin e shoqërisë civile në imponimin e ndryshimeve demokratike të zgjedhjeve shqiptare.

Në 29 vitet e shkuara janë mbajtur 17 herë zgjedhje parlamentare dhe vendore dhe janë bërë 12 ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.  Por jemi i vetmi vend në botën demokratike që nuk bëjmë zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe kjo gjendje dramatike është bërë në dijeni të plotë të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Prezencës së OSBE-së.

Ndërhyrja e radhës do të jetë e 13-a, por nuk do të ndryshojë asgjë. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka bërë disa tryeza pa bereqet, ku përfundimisht dështon edhe depolitizimi i administratës zgjedhore, sepse PS ka dalë në përfundimin se nuk ka njerëz jopolitikë për të qenë komisionerë zgjedhjesh, ndaj ato duhet t’i kenë PS-PD.

Bernd Borchardt, ambasador i OSBE-së në Tiranë, deklaronte pak muaj më parë se: ‘Ekziston një rekomandim shumë i fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet jo më vonë se sa një vit përpara zgjedhjeve’. PS dhe PD i tremben si djalli temjanit kësaj teme, edhe pse normalisht zgjedhjet parlamentare janë planifikuar në vitin 2021 dhe reforma zgjedhore është kusht i rëndësishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. ‘Zgjidhja’ i qëndron deklarimeve se Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme, që SHQUP-i dhe Rilindja nuk duan t’ia lejojnë sovranit në rrugë paqësore.

1
Një kafe më pak për Shqipërinë tonë!

Një kafe më pak për Shqipërinë tonë!

Silvana Begaj

Netët janë të gjata e dimri ka filluar të mbulojë vendin me temperatura gjithnjë e më të ftohta. Qielli,  nuk ka më ndriçimin e zakonshëm. Mendimet tani i kemi grumbulluar të gjithë në një pikë!

Pika e takimit të rrathëve të meridianeve dhe paraleleve shqiptare nga e mbarë bota takohen në një pikë. Në një vend. Në Shqipëri! Fëmijë të pashpresë, të moshuar, nëna që me trupat e tyre mbulojnë fëmijët nga i ftohti! Trishtuese! E rëndë. Është gjaku ynë!

Përderisa shumë nga ne po përgatitemi për festat e fundvitit, a mund tē ndalemi për një sekondë dhe të pyesim veten:  Po si ndjehen fëmijët në Shqipëri? Si ndjehen kur shikojnë një atmosferë festive ku supozohet që babagjyshi i Vitit të Ri të plotëson dëshirat?

Shumë nga ata në vend të bredhave kanë tendat e në vend të dritave të bredhit kanë yjet e qiellit!

Askush, asnjë fëmijë, asnjë nënë, asnjë i moshuar, asnjë njeri në tokë nuk e meriton vuajtjen, por vuajtja e popullit tonë na dhemb më shumë!

Shteti, qeveria dhe institucionet shqiptare kanë mundësi të kufizuara buxhetore. Korrupsioni, keqpërdorimet i zvogëlojnë edhe më shumë mundësitë për rindërtim, për të kthyer sadopak normalitetin në zonat e goditura. Dikush edhe bënë llogaritë e fitimeve, por populli po shikon dorën e shtetit dhe të të gjithë neve se ka nevojë për ndihmë sot!

Kjo fatëkeqësi ka treguar edhe njëherë fuqishëm shpirtin e bardhë të kombit tonë, ka treguar gjithashtu sa shum miq kemi në botë.

Por a mjaftojnë?

Miliona euro po dhurohen nga njerëzit e mirë, fonde të udhëhequra nga njerëz me shpirtin human si Elvis Naçi, Halil Kastrati, Marin Mema e të tjerë po bëjnë të pamundurën për të zbutur dhembjen.

Të famshmet botërore me gjak shiptar si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa, Eliza Dushku e tjerë tashmë e kanë kaluar edhe njëherë provën e lidhjes me tokën e prindërve të tyre! Shqiptarët e Amerikës na e sollën në mendje edhe njëherë vargjet e famshme të Nolit “Mbahu nëno mos ke frikë/ se ke djemtë në Amerikë”! Kosova, Kosova me plagët e saja ende të hapura po ndan edhe bukën. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi janë bashkuar më shumë se kurrë!

Çdo natë shohim shqiptarë anëembanë botës që këto ditë kanë harruar hallet e tyre personale, dhembjet, sëmundjet dhe po ndihmojnë Shqipërinë dhe shqiptarët!

Sot me ne janë bashkuar edhe shumë popuj tjerë, duke treguar respektin, dhembjen dhe përkrahjen për popullin më të vjetër në Europë. Për bijtë e Pellazgëve e Ilirëve të lashtësisë!

Por a mjafton? Një lek, një dollar, një pako cigare më pak në një ditë, një kafe me pak, një dritë në bredhat e festës më pak, një…. shumë gjëra që në një ditë asnjërit nga ne nuk i prishin asnjë punë, thotë shumë për Durrësin, Thumanën, Lezhën… thotë shumë për Shqipërinë! Në këtë fundvit festash, Shqipëria është e para! Gjithmonë e gjithnjë, ajo, e bekuara tokë është e para!

Shqipëria na thërret! Këto ditë të zgjedhim njërin nga fondet e Elvisit apo Marinit, të qeverisë apo… secili nga ne shpenzimet e një paketë cigareje, të nje kafeje, të një drite festash t’i dërgojmë aty! Në Shqipërinë tonë që po lëngon! Një pako cigare, një kafe me pak… një dritë, një shpresë për fëmijët e Shqipërisë!

1
Ku po shkon Shqipëria ime?

Ku po shkon Shqipëria ime?

 

Silvana Begaj

 

Qeshu Rini! Bota është e jotja!

Pasiguri! Tmerr! Skandal! Ekonomi e keqe! Papunësi! Burg! Vrasje! Drogë! Vjedhje! Armë! Protesta! Vip-at! Bosat! Jeta e tyre e luksit, ora të shtrenjta në dorë, pushimet luksoze…

Me këto po buçasin përditë televizionet tona. Si e rritur këto ndikojnë në gjendjen time emocionale, shpirtërore dhe mendore. Po te fëmijët? Adoleshentët dhe ata para pak adoleshencës, që janë përdorues aktiv të rrjeteve sociale dhe që e reflektojnë në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë ndikimin e ekzistencës së këtyre lajmeve. Pothuajse çdo ditë shikojmë video dhune nëpër shkolla, rrugë, lokale etj. Video të cilat publikohen dhe bëhen virale në rrjetet sociale, bëhen lajm nëpër portale, shpërndahen në mënyrë masive dhe janë ndër më të klikuarat. Video të cilat pëlqehen ose gjykohen.

Po, po video të tilla pëlqehen. Dhunuesi bëhet idhull dhe i dhunuari përbuzet. Video të tilla më nervozojnë dhe më prishin ditën. Fjalori i përdorur nga një moshë e tillë më bën pesimiste. Unë nuk dua që fëmijët e mi të rriten në një shoqëri ku duhet të jenë ose dhunuesi ose i dhunuari. Dhe këto janë thjesht video rastësore. Kush e di sa e sa raste të tilla ka të papublikuara.

Brezi i ri, e ardhmja e vendit! Brezi nga i cili ne presim emancipim dhe ndryshime pozitive.

Ku po shkon Shqipëria ime? E ardhmja jote ku po të çon? Pyes veten ku po të çon kjo rini? Por pastaj pyes përseri veten, Ku po e çojmë këtë rini? A nuk është normale sjellja e tyre, reagimi i tyre? A nuk po i mësojmë këtë gjë ne kësaj rinie? Nuk janë pjesë e një dite normale këto veprime?

Ti ose je humbësi ose i forti! Zgjidh! Këto dy zgjedhje të kemi lënë rini!

Por me çfarë do ushqehen portalet? Si do rriten klikimet? Media është influencuesja më e madhe në zgjedhjet e modeleve që të rinjtë dëshirojnë. Reflektoni!

Ku janë psikologët? Pse nuk ngrenë alarmin dhe të flasin me të madhe. Ata e dinë më mirë se kushdo që fëmijët kanë aftësi të jashtëzakonshme të imitojnë sesa të dëgjojnë e mësojnë. Dhe çfarë po bëjmë? Çfarë shembujsh po i japim të imitojnë? Dikë që ka armë, makinë të shtrenjtë, orë të shtrenjtë. Që nuk e dime se kur vete në punë se është gjatë gjithë kohës në pushime luksoze?

Pse nuk lartesohen ata që bëjnë vepra të mira? Ata që janë një shembull i një shoqërie pozitive? Pse nuk ju ofrojmë të rinjve mundësi të zbulojnë pasionet e tyre, talentet e tyre? Mundësira argëtimi të arritshme për të gjitha nivelet ekonomike, por vetëm për të pasurit? Vetëm të pasurit kanë pasione vallë?

Të dashur prindër! E nesërmja është gjithmonë e pastër! Nuk ka gabime në të akoma.

Të fillojmë të ndërtojmë këtë të nesërme me vendosmëri për të ardhmen e brezave pa dhunë, pa agresivitet, pa negativitet. Migjeni thotë: Qeshu Rini! Bota është e jotja!

0
Bashkë për Shqipërinë

Bashkë për Shqipërinë

Silvana Begaj

Në ditët që me padurim prisnim të festonim për Ditën e shenjtë të flamurit tonë, ne morëm lajmin e trishtueshëm për tërmetin që goditi atdheun. Shqipëria u drodh, po ky tërmet më shumë drodhi zemrat e  shqiptarëve në katër anët e botës, nga Europa e Amerika, Australia e deri në vijat e luftës në Afganistan e Afrikë ku shërbejnë trupat tona paqeruajtëse ushtarake. Sepse shqiptarët janë gjithandej nëpër botë si shqiponja.

Ne sot, jemi më të bashkuar se kurrë dhe gjaku i vëllezërve e motrave tona që lagën tokën e shqiponjave është këmbanë për ne, është zëri i patriotëve tanë në shekuj që na thërrasin për bashkim, unitet e dashuri midis nesh.

Duket sikur vringëllijnë shpatat e Agronit e Teutës, sikur për bashkim na thërret Pirro e Leka i madh. Sikur nga dheu ka lëvizur Skënderbeu. Më duket se nga qielli dëgjoj plakun e urtë të Vlorës, Ismail Qemalin,  dhe zërin e trimit të Kosovës Isa Boletini.

Të gjithë thërrasin për bashkim!  Edhe zëri i Hasan Prishtinës e Adem Jasharit, idealet e tyre na ftojnë që të japim dorën njëri-tjetrit, sot më shumë se kurrë.

Po flisja dje me nje mikun tim nga Kosova, dhe më tregonte si ishte ndjerë ditën kur bashkë me Presidentin e Kosovës kishte vizituar Durrësin e Thumanën.  “Silva, nuk i mbaja lotët, ato nëna na shihnin si bijtë e tyre, në sytë e tyre tashmë Kosova, dukej si shpëtimtare, djemtë që dikur, në vitet 1998-1999, kishin shkuar nga Kosova drejt Shqipërisë si fëmijë të ikur nga tmerri, nga masakrat e bëra nga fashistët serbë, tani ishin kthyer si oficerë të Ushtrisë së Kosovës, si policë te Kosovës. Aty e ndjeva dhimbjen e atyre nënave, fëmijëve e burrave që kishin humbur gjithçka nga ky tërmet.

Por edhe krenarinë për djemtë e Kosovës që po rrezikonin edhe jetët e tyre për të shpëtuar atë që mund të shpëtohej. Më bëhej sikur e ndjeja edhe falënderimin prej nëne për ata femijët që dikur kishin ikur nga zjarri i luftës e ishin kthyer si shpëtimtar!

Zëri i atyre nënave, fëmijëve, burrave të moshuar, gërmadhat e tmerrit që bashkuan në një vend edhe shpëtimtarë nga vende që deri dje ishin në luftëra mes tyre, si Kroacia e Serbia, shqiptarët e serbët, italianë e francezë, turq, grekë e izraelitë, na thërrasin sot! Së bashku të rindërtojmë atdheun tonë të plagosur, bashkë të gjithë ne të mbyllim plagën e dhembjes së shkaktuar këto ditë!

Politikat e gabuara të cilat e kanë copëtuar dhe ndarë Shqipërinë, deri diku e kanë arritur qëllimin e tyre, por kjo fatkeqësi natyrore ishte një mesazh për botën anë e mbanë.

Shqiptarët nuk i ndan dot një kufi dhe një tra sepse në venat e tyre rrjedh i njëjti gjak dhe ata janë gjithmonë bashkë.

Ne nuk jemi vetëm se Shqipëria është e madhe!

Për ne mërgimtarët dhimbja është më e madhe.

Sigurisht që asnjë nuk mund të ndal dot vullnetin e Zotit dhe forcën e natyrës, por sot na thërret detyra jonë si shqiptare, si njerëz të këtij planeti, të jemi bashkë për të dhënë dorën tonë për ata që kanë nevojën tonë.

A është Shqiperia vetëm në këtë gjendje të  mjerueshme?

JO, JO! Jemi ne të gjithë, janë shqiptarët në të katër anët e botës.

Ne të gjithë do të japim kontributin tonë për rindërtimin e saj. Për ata njerëz, për ato nëna e ata fëmijë.

Për vëllezërit dhe motrat tona!

Për tokën që e bekoi vetë i madhi Zot.

Ndër shekuj të varfër, por nuk na varfëruan dot!

Ndër shekuj të shtypur, por nuk na shtypën dot!

Ndër shekuj të ndarë, por nuk na ndanë dot

Se Shqipëria është NJË!

SOT Bashkë për Shqipërinë!

 

 

0
Koço Kokëdhima: Që të qeverisin qytetarët jo partito-ambasadorokracia

Koço Kokëdhima: Që të qeverisin qytetarët jo partito-ambasadorokracia

‘Zgjidhja’ e deklaroi që para tri vitesh se Shqipëria qeveriset nga 3 kryetarë partish të vjetra dhe 3 ambasadorë, duke përjashtuar qytetarët. Është një vend unik ku sundon partitokracia dhe ambasadorokracia dhe që nuk do të bëjë kurrë përpara nëse nuk do të ketë demokratizim të sistemit politik, zgjedhjeve, qeverisjes dhe të partive politike që veprojnë si banda të drejtuara prej kryetarëve të kapur, të cilët, si të tillë, shantazhohen lehtësisht nga diplomatët e huaj të akredituar në Tiranë.

Prandaj u lejua, që në emër të bërjes së reformës në drejtësi, 3 vite më parë, që diplomatët e huaj të shkonin nëpër grupe parlamentare dhe të shantazhonin deputetët shqiptarë sepse ata janë punëtorë të emëruar, nën urdhëra dhe servilë të kryetarëve të partive. Reforma më e rëndësishme për shqiptarët u votua vërtetë me 140 vota më 21 korrik 2016, por nuk ishte konsensuale dhe u përdor si alibi për të rrënuar sovranitetin kombëtar, duke futur në Kushtetutë Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)-në, si në asnjë vend tjetër anëtar apo aspirant të BE-së dhe të NATO-s. Jashtë reformës më të rëndësishme u lanë mendjet e ditura të Shqipërisë, akademikët, gjykatësit, shoqëria civile, ndërsa qytetarët as nuk i vunë në defter.

Kështu jemi pas tri viteve. Një kohë e gjatë e shkuar dëm për vendin, i cili është shumë më i rrënuar, edhe më i braktisur dhe më antidemokratik. Vetëm kryetarët e partive të vjetra dhe disa diplomatë të huaj janë shumë më mirë se atëherë kur niste reforma në drejtësi, sepse reforma është pronë e tyrja, por jo e shqiptarëve.

“Zgjidhja” ka besim të plotë se SHBA-të janë aleati i vetëm strategjik i Shqipërisë dhe BE-ja është destinacioni përfundimtar i saj. Prandaj u ka bërë apel prej trri vitesh që të ushtronin ndikimin e tyre mbi elitën e vjetër politike të Shqipërisë për të zgjidhur përfundimisht dhe plotësisht demokratizimin e parlamentit dhe të zgjedhjeve të kapura shqiptare, reformat nga përcaktohet suksesi i çdo reforme tjetër.

Këtë problem nuk e zgjidhi as pranimi në NATO një dekadë më parë dhe vendi u bë më i padrejtë, më i pashpresë, më depresiv, ndërsa qeverisja edhe më e keqe, më arrogante e më brutale. Sot, edhe pse na mbajnë ‘pending’ hapjen e negociatave, afrimi me BE-në nuk e ka bërë shtetin tonë më të mirë e më të fortë, qeverisjen më të përgjegjshme e më të pastër, popullin më të pasur dhe më të sigurtë. Përkundrazi. Sot jemi në zgripin e gjithçkaje.

Nuk ka krizë besimi mes popullit shqiptar dhe aleatëve tanë strategjikë, por vetëm një krizë vlerash që ka prodhuar kalbëzimi i sistemit politik dhe i institucioneve kushtetuese në Shqipëri. Shqiptarët nuk janë hileqarë dhe të pasinqertë  siç janë politikanët e vjetër që u kanë hipur në qafë. Asnjë qytetar i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm, brenda dhe jashtë kufijve, nuk do që partnerët tanë ndërkombëtarë të mbështesin pushtetarët servilë e të korruptuar të Tiranës, që janë pengmarrës të zgjedhjeve të lira dhe të vlerave të demokracisë.

‘Zgjidhja’ këmbëngul që miqtë e Shqipërisë të mos lënë fatet e popullit shqiptar në dorën e disa kryetarëve të partive të vjetra dhe të disa ambasadorëve të përkohshëm në Tiranë. Ata nuk duhet të pajtohen më me ‘konsensus’ si ai për reformën në drejtësi, por për reformën e sistemit dhe atë zgjedhore gjithëpërfshirëse, larg thonjve të kryetarëve të partive të vjetra. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë me njerëzit e saj të ditur dhe të mençur që të realizojë projektin e partisë “Zgjidhja’ për votim e numërim elektronik në qendrat e votimit apo edhe në konsullatat dhe ambasadat tona për emigrantët nëpër botë;  për administratë zgjedhore shtetërore, jopartiake; për sistem të ri elektoral dhe kod të ri zgjedhor të miratuar me konsensus të gjerë; për masa dhe institucione që do të ndalonin përfundimisht çdo deformim dhe tjetërsim të vullnetit të qytetarëve në zgjedhje.

Fati në duart e sovranit është guri i parë i themelit për shtetin e së drejtës, atë që nuk po premton të na e bëjë realitet reforma ‘konsensuale’ në drejtësi, që doli si produkt i partito-ambasadorokracisë dhe jo i qytetarëve të lirë të Shqipërisë. Fati dhe përfaqësuesit në duart e sovranit mbetet e vetmja rrugë për shpëtimin e kombit shqiptar!

1
Pse duhet të luftojmë për të rritur numrin e klasës së mesme?

Pse duhet të luftojmë për të rritur numrin e klasës së mesme?

 

Silvana Begaj

Të pasurit po bëhen më të pasur dhe të varfërit më të varfër. Ndarja po bëhet çdo ditë më edukshme dhe më e qartë. Po shtresa e mesme ku është? Realisht pyetje duhet të shtrohet se a ka shtresë të mesme vendi ynë?

Strategjitë makro dhe mikro që duhen ndjekur për të rritur shtresën e mesme? Sa mundësi ka realisht vendi jonë të ndihmojë në rritjen e shtresës së mesme? A dihet rëndësia e kësaj shtrese? Çfarë pasojash kanë ne ekonomi dhe nga ana sociale?

Në këndveshtrimin social është një prej pikave më të dhimbshme të vendit tonë. Shtresa  e mesme është një klasifikim i njerëzve në mes të hierarkise sociale.

Shtresa e mesme ose ndryshe “kollaret e bardhë” përbëjne 2.1 % të popullsisë.

Presidenti Obama e konsideronte si motorr të ekonomisë dhe e kishte një prej pikamjeve më të rëndesishme gjatë mandatit të tij.

Parimisht ka të drejtë pasi është ajo që ndikon zgjedhjen konsumatore dhe prirjen e konsumit.

  • Një klasë e fortë e mesme promovon zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe të arsimimit.
  • Një klasë e fortë e mesme krijon një burim të qëndrueshëm të kërkesës për mallra dhe shërbime.
  • Një klasë e fortë e mesme prodhon gjeneratën e sipermarresve.
  • Një klasë e fortë e mesme mbështet institucione gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike, të cilat ndikojne ne rritjen ekonomike.

Pse shtresa e mesme është e varur nga zgjedhjet dhe partitë politike në mënyrë të drejtpërdrejtë kur në parim ajo duhet të ishte më e pavaruara?

Shtresa e mesme duhet të jetë ajo që zgjedh politikëberjen më të mirë si pjesa më intelektuale e shoqerisë, por ata sot janë më të varurit nga politika sepse vendi i tyre rrezikohet nga ndryshimet politike.

Një klaseë e sigurt e mesme nuk varet vetem nga te ardhurat e drejta qe ata marin , por sa eshte e mundur te ruajne per te ardhmen. Kur themi për të ardhura të drejta, rol sinjifikant luajne Unionet, Sindikatat.

Por shihet se sindikatat në Shqipëri nuk funksionojn, ose më saktë ato funksionojnë vetëm për një grup njerezish jo për punëtorët!

A ka ndonjë institucion tjetër që vlereson nese kushtet e punës, rroga, ambjenti në punë janë konform ligjeve? A kanë ku të drejtohen ata në rast të padrejtesive?

Kemi dëgjuar shpesh herë bojkot të punës nga mjekët, infermierët, mesuesit apo profesione të tjera për ndryshimin e pagave dhe kushteve të punes, por të gjitha grevat apo organizimet e vogla që mund të kenë nisur menjeherë janë etiketuar si politikë nga kampi kundërshtar politik dhe kanë përfunduar ende pa filluar mirë për shkak të nxerhyrjeve politike por edhe mos organizimit të mirëfilltë sindikal.

Shqipëria, duhet patjetër të punojë një projekt kapital që të tërheqi investimet e huaja dhe biznese të reja.

Të krijojë kushte dhe të jetë i dëshiruar nga kompani të huaja sidomos ato prodhuese  dhe turistike në mënyrë që ata të hapin filialet tona dhe të gjenerojnë vendepune. Shteti patjetër që duhet të verë nën kontroll edhe bizneset fasone të cilat kanë skllavëruar një pjesë të qytetarëve tanë në emer të punës.

Gjithashtu qeveria duhet urgjentisht të vërë në kontroll në bizneset individuale dhe familjare që nuk janë pak në Shqiperi, kjo nuk do të thotë të demtojë ato, por të ndihmojë kështu rritjen e buxhetit të shteti dhe ato taksa ti kthej në investime prapë në ekonomi duke stimuluar bizneset e vogla përmes suvencioneve të ndryshme.

Një shembull të mirë mund ta marrim edhe nga Kosova, ku çdo ditë përcjellim lajme që shteti, si qeveria qendrore ashtu edhe komunat (bashkite) subvecionojnë bizneset e vogla dhe të mesme duke perkrahur timin e vendeve të punës dhe paisjen me makineri por edhe bujqësine duke subvecionuar bujqit me para të gatshme për kulturat e mbjella.

Koha e politikave të mëdha ka kaluar, është koha e fundit që ti kthehemi qytetarëve, mirëqenies së tyre dhe krijimit të kushteve për të ardhme më të mirë.

0
Arben Rrozhani: Bunkerizimi i reformës zgjedhore

Arben Rrozhani: Bunkerizimi i reformës zgjedhore

Prezenca e OSBE-së, Zyra e Delegacionit të BE-së dhe Instituti Demokratik Amerikan mbajtën këtë të martë tryezën teknike mbi “Financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore’. Organizatorët ishin kujdesur deri në detaje që tryeza e radhës për reformën zgjedhore të ishte sa më larg medias dhe syve të publikut. Dhjetëra kamera dhe gazetarë u lanë në holl për t’u ngushëlluar vetëm me plane personazhesh që ecnin, disa deklarime të shkurtra mes pushimeve, apo qëndrime të shkëputura nga pjesëmarrësit në tryezë.

OSBE mund të ketë patur probleme kohët e fundit me pozicionin e ambasadorit të saj, Borchardt, ndaj të cilit disa gra protestuan në një takim për median për gishtin e mesit që u nxorri banorëve të Astirit, apo deri te shpallja ‘non grata’ në territorin e Presidencës. Por kjo nuk e justifikon bunkerizimin e debateve për reformën zgjedhore, e cila tashmë duhet të jetë sa më e hapur dhe e debatueshme për median dhe publikun.

Partia ‘Zgjidhja’ i ka përshëndetur dhe ka marrë pjesë në të gjitha takimet e reformës zgjedhore organizuar nga OSBE, apo nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore dhe ka kërkuar që ato të jenë të hapura, gjithëpërfshirëse, ku të ketë vlerë mendimi i çdo përfaqësuesi.

Nëse nuk do të bunkerizohej tryeza teknike e OSBE/BE/NDI-së, shqiptarët do të shihnin me zë dhe figurë se si deputetë të opozitës së re parlamentare ua thonë ndërkombëtarëve në sy se gjërat në Shqipëri kanë shkuar keq e më keq dhe se vetëm ndryshimi i sistemit politik dhe i Kodit Zgjedhor është shpëtim për vendin; se si ambasadori Borchardt e cilëson ditë të madhe dhe “dritare të hapur’ praninë e përfaqësuesit të PD-së në takim, duke paralajmëruar se zgjidhja do të vijë vetëm nga konsensusi PS-PD, pa pyetur as partitë e reja, as shoqërinë civile dhe as ekspertët e zgjedhjeve; se si një përfaqësuese e shoqërisë civile pyeti e habitur për katrahurën e drafteve të Kodit Zgjedhor dhe ku të gjithë i shmangen çështjes më të rëndësishme: depolitizimit të administratës zgjedhore nga KQZ-ja deri te komisionet e numërimit të votave; se si ekspertë të huaj, përpara se të braktisin mbledhjen për të kapur avionin në Rinas, flasin për rregulla loje si në Perëndim, kur shqiptarët janë ende i vetmi popull në rajon dhe në Europë që nuk janë të lirë që të votojnë, ku vota e tyre blihet, vidhet dhe trafikohet; se si, mjerisht, edhe përfaqësues të shoqërisë civile, deri dje luftëtarë për çlirimin e KQZ-së nga thonjtë e 3 partive, i thurin elozhe ‘erës së re’ të bashkëpunimit mes PS-PD-së.

Në atë tryezë teknike u artikuluan shumë nga tezat që partia ‘Zgjidhja’ ka hedhur në tregun politik shqiptar këto dy vitet e fundit. Që reforma zgjedhore duhet bërë me bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë, shoqërisë civile, mendjeve të ndritura, brenda dhe jashtë vendit, njerëzve të pakapur nga kryetarët e partivë të vjetra; depolitizimi i administratës zgjedhore, rrëzimi i ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, demokratizimi i partive dhe rrëzimi nga froni i kryetarëve të plotfuqishëm, zgjedhje të lira dhe të barabarta, si ato që bëhen në çdo vend demokratik, por jo në Shqipëri dhe mbi të gjitha një pakt kombëtar për të dalë nga kriza e stërzgjatur politike, jo një pakt tjetër PS-PD, siç po hinnizohej në atë tryezë, që vetëm do ta zgjaste këtë krizë në kohë.

Dhe në mungesë të mediatizimit të këtyre zhvillimeve reale që ndodhnin në një tryezë të bunkerizuar, media dhe publiku duhet të ngushëllohet me deklaratën rozë të OSBE-së ku thuhet, ndër të tjera, se: “…Veprimtaria e sotme është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të dialogut politik, përmes ofrimit të ekspertizës teknike nga OSBE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtare, në përkrahje të reformave thelbësore…Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme të lehtësojë tryeza, takime pune dhe konferenca të tjera për reformën zgjedhore, si edhe të ofrojë ekspertizë teknike… Ne mbetemi të vendosur ta mbështetim Shqipërinë dhe të gjitha institucionet e saj në një dialog gjithëpërfshirës, sipas mandatit tonë në vend…”.

Pak e shumë si ato shprehjet në raportet përfundimtare për zgjedhjet në Shqipërisë, ku çdo herë thohet se “këto zgjedhje ishin një hap përpara’, por në të vërtetë vendi ka bërë hapa prapa në demokraci.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

0