Arben Rrozhani: Shqipërisë i duhet  një Gjykatë Kushtetuese e pakapur

Arben Rrozhani: Shqipërisë i duhet  një Gjykatë Kushtetuese e pakapur

Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

Qëllimi i Reformës në Drejtësi të nisur 5 vite më parë ishte rritja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë dhe fuqizimi i tij në drejtim të profesionalizmit dhe efiçiencës së magjistratëve gjyqtarë e prokurorë si dhe të luftës kundër korrupsionit.

Përpara ndryshimeve kushtetuese të 21 korrikut 2016, anëtarët e GJykatës Kushtetuese zgjidheshin me propozim të Presidentit dhe miratim me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi. Tashmë 3 anëtarë emërohen nga Gjykata e Lartë, 3 emërohen nga Presidenti dhe 3 nga Kuvendi me shumicë të cilësuar të 3/5 të deputetëve.

Është utopi të mendohet se një Gjykatë e Kushtetuese e pakapur nga politika dhe korrupsioni do të dalë me formulën aktuale të emërimeve nga Gjykata e Lartë, Parlamenti dhe presidenti, apo më keq, me formulën e deformuar, prej ‘kleçkave’ proceduriale që po bëhen orët e fundit mes presidencës dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për fat të keq, kryetarët e partive të vjetra kanë arritur të kapin sistemin e drejtësisë, duke emëruar aty punëtorët e tyre.

Shqipëria ka nevojë urgjente për një Gjykatë Kushtetuese të pavarur, me anëtarë me integritet profesional dhe moral, cilësi që nuk i kishin shumica dërrmuese e ish-anëtarëve të saj, që u përjashtuan nga sistemi i drejtësisë, pas vettingut. Ish-anëtarët e saj ishin vegla të korruptuara të kryetarëve të partive të vjetra. Rasti flagrant dhe pa asnjë bazë ligjore i heqjes së mandatit të deputetit për z.Koço Kokëdhima, në maj 2016, ishte treguesi më i qartë se çfarë mund të bëjë një Gjykatë Kushtetuese e kapur nga politika dhe korrupsioni dhe që i jep vendimet në varësi të urdhrave politikë ose rryshfetit.

Fatkeqësisht dhe qëllmisht, vendi është lënë dy vite pa Gjykatë Kushtetuese edhe pse roli i saj është jetik. Sipas nenit 124 të Kushtetutës, ajo zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të saj; pajtueshmërinë e marrëveshjeve ndërkombëtare me Kushtetutën para ratifikimit të tyre; pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare; mosmarrëveshjet e kompetencës ndërmjet pushteteve, si dhe ndërmjet pushtetit qendror dhe qeverisjes vendore; kushtetutshmërinë e partive dhe të organizatave të tjera politike, si dhe të veprimtarisë së tyre; shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës dhe vërtetimin e pamundësisë së ushtrimit të funksioneve të tij; çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë dhe papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve të Presidentit të Republikës, të deputetëve, të funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, si dhe me verifikimin e zgjedhjes së tyre e deri te referendumet, ankesat e individëve kundër çdo akti të pushtetit publik ose vendimi gjyqësor.

Shqipëria nuk e ka luksin që të rikthehet sërish te drejtësia e kapur dhe e korruptuar. Ajo minon jo vetëm Reformën në Drejtësi të mbështetur nga miqtë e Shqipërisë dhe të përkrahur nga shumica e shqiptarëve, por edhe rrugën drejt rikthimit të shtetit ligjor, ku të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit.

Prandaj partia ‘Zgjidhja’ e ka pjesë të programit të saj politik, zgjedhjen e përfaqësuesve të të gjitha gjitha institucioneve nga populli. Nisma e saj ‘Unë zgjedh deputetin që dua’, mundëson që baza e partisë dhe qytetarët të zgjedhin përmes primareve kandidatët për deputetë, për kryetarë bashkish apo kandidatë për këshilltarë. Parlamenti i dalë nga vota e drejtëpërdrejtë e popullit dhe një president i zgjedhur po nga shqiptarët do të zgjidhnin në sistemin e drejtësisë bijtë dhe bijat më të mirë të tij dhe jo të besuarit e kryetarëve, siç po përsëritet historia edhe këto ditë.

0

Leave a Reply