Arben Rrozhani: Shanset e humbura të industrisë shqiptare të kanabisit

Arben Rrozhani: Shanset e humbura të industrisë shqiptare të kanabisit

 

Të premten e shkuar ligjvënësit francezë votuan pro lejimit të eksperimentit 2-vjeçar të kanabisit farmaceutik. Historia e kanabisit në vendin e dytë më të zhvilluar të BE-së është gati 3 shekullore, që kur ushtarët e Napoleonit, pushtues të Egjiptit musliman, në mungesë të alkoolit, përdornin hashashin, të cilin e sollën në atdhe më 1801, pas mbarimit të pushtimit të vendit afrikan.

Në vitet ‘800, ‘Klubi i hashashit’ në Paris ishte më i famshmi në Europë dhe klientë të tij ishin emra të famshëm si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Sharl Bodler apo Honoré de Balzak. Madje Bodler shkroi më 1860 librin ‘Parajsa articiale’, për gjendjen kur je nën efektin e opiumit dhe të hashashit.

Në Francën moderne mbajtja dhe përdorimi i kanabist është ende akt kriminal, sipas një ligji të 31 dhjetorit 1970, por kjo nuk ka penguar që atje të ketë rreth 15 milionë përdorues të kanabisit, ndërsa masat ndaj tyre u ulën deri në 200 euro gjobë në vitin 2018.

Kjo ishte pjesë e reformave të premtuara nga presidenti Emmanuel Macron gjatë fushatës elektorale, që u thellua me votën më të fundit të parlamentarëve për lejimin eksperimental të kanabisit farmaceutik dhe pas dy vitesh, ndoshta nisjen e erës së re të legalizimit më të gjerë, siç bënë më parë shumë shtete federale të SHBA-ve, Kanadaja, Holanda, Maqedonia e Veriut apo Greqia.

Legalizimi për qëllime mjekësore do t’u vijë në ndihmë 3000 pacientëve francezë, që vuajnë nga sëmundje të rënda, si epilepsia, dhimbjet neuropatike, skleroza dhe ata që kanë dhimbje të rënda gjatë trajtimit me kemioterapi.

Nëse eksperimenti kalon me sukses, sektori bujqësor francez pritet të marrë autorizimin nga qeveria që të prodhojë vetë kanabisin farmaceutik, pas vitit 2022. Por deri atëherë, Franca, që nuk e lejon prodhimin e kanabisit në territorin e saj, do të duhet ta importojë atë për dy vitet e eksperimentit.

Imagjinoni çfarë ekonomie do të bënte Shqipëria nga eksportimi i kanabisit, qoftë edhe për rastin e Francës, nëse do të ishte krijuar ekonomia shtetërore e kanabisit. Sepse afërmendsh qeveria franceze nuk do të nënshkruante marrëveshje me trafikantët shqiptarë që prej vitesh kanë përmbytur mbarë Europën me marijuanë. Por atë që nuk e ka sot vendi ynë, se ia mohuan politikanët dritëshkurtër, mund ta shfrytëzojnë Greqia apo Maqedonia e Veriut. Kjo e fundit ka lejuar shumë firma që të prodhojnë kanabisin që qëllime mjekësore, por ende nuk ka një ligj për eksportimin e saj, ndërsa Greqia ka licensuar shumë ferma që të bëhet një lider europian i eksportimit të kanabisit.

Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, ishte i pari politikan që kërkoi legalizimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe krijimin e ekonomisë shtetërore të saj që në nëntor 2014. Pas pesë viteve Shqipëria ka humbur shumë kohë dhe ka shumë rrezik që vendi ynë të dalë nga harta europiane dhe botërore e ekonomisë së kanabisit. Kokëdhima, pak kokë më parë, u bëri thirrjen e fundit politikanëve shqiptarë që të mos e penalizojnë vendin dhe ekonominë e tij, dhe të bëjnë atë që fqinjët tanë e përfunduan duke vënë në punë logjikën e ftohtë ekonomike.

Ato 1 miliard dollarë që Kokëdhima llogariste se do t’i vinin ekonomisë shqiptare nga legalizimi i kanabisit për qëllime mjekësore, tani janë llogari të Maqedonisë së Veriut, apo të Greqisë. Franca është, pse jo, tregu i tyre i ardhshëm, të paktën për dy vite. Ndërsa Shqipëria e politikanëve që nuk mendojnë për ekonominë kombëtare dhe popullin e tyre, do të çojë atje, azilkërkues të tjerë, siç tha Macron, më 18 tetor, kur na mbylli derën e negociatave. Çfarë dhimbjeje!

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

 

 

 

0

Leave a Reply