Arben Rrozhani: ‘Serbët’ që po na vjedhin paratë

Arben Rrozhani: ‘Serbët’ që po na vjedhin paratë

Prej tri javësh, Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ka nisur ngritjen e një sistemi kompjuterik që krijon një databazë të të dhënave qeveritare si dhe kujdeset që ato të mos humbin. Të dhënat përfshijnë gjithçka për ekonominë vendase dhe fituese e këtyre informacioneve kyçe është një bashkim kompanish, njëra shqiptare dhe tjetra boshnjake, me qendër në Sarajevë. Tenderi i paracaktuar u bë lajm pak ditë më parë, jo vetëm se ishte në shkelje të prokurimeve publike, siç janë gati shumica e tenderave, por sepse u tha se fituesi nga Bosnje Hercegovina është serb. Në fakt nuk është e vërtetë, sepse kompania ‘ATIA d.o.o.’, nga drejtimi menaxherial deri te shitësat, janë muslimanë të Bosnjes, siç mund të shihet edhe nga faqja e saj. Megjithatë Agjensia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u ka dhënë të huajve të drejtën për të menaxhuar sistemin më të rëndësishëm të ekonomisë dhe të sigurisë së vendit. Bëhet fjalë për 240 institucione të lidhura në rrjetin GOVnet, 420 faqe qeveritare të hostuara në DataCenter-in e AKSHI-t si dhe 590 shërbime elektronike të ofruara në portalin qeveritar e-Albania.

Nuk është e para dhe as do të jetë e fundit, sepse, për fat të keq, ‘serbët’ këtu janë ulur këmbëkryq. Në vitin 2006, trafikanti serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, mik shtëpie i kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha, merrte pjesë edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, edhe pse njihej botërisht si sekser i biznesmenëve serbë të lidhur ngushtësisht me ish-presidentin gjakatar serb Sllobodan Millosheviç; firmat energjetike serbe fitonin dhe ende fitojnë pa garë tenderat për furnizimin e Shqipërisë me energji elektrike shumë më shtrenjtë se në çdo vend të rajonit; qendra e parë tregtare në Shqipëri do të hapej po me mallrat e para serbeë dhe nga një kompani e drejtuar nga Mishkoviç, një miliarder, po i lidhur ngushtë me Millosheviçin; në 2009 të drejtën për të pajisur shqiptarët me pasaporta biometrike dhe ID do t’i fitonte në mënyrë korruptive një firmë e dyshimtë franceze që kishte bërë skandale në Afrikë dhe që sot në shet më shtrenjtë se kudo dokumentet e identifikimit, por mbi të gjitha ka akces në të gjithë të dhënat e shtetasve shqiptarë. Shkurt, zullumi me të dhënat e shqiptarëve është trashur viti pas vit, qeveri pas qeverie dhe s’kanë se çfarë të na vjedhin më.

Halli më i madh është te vjedhja ashiqare që bëhet me çdo prokurorim publik, me çdo lek që del nga thesari i shtetit. Ajo duhet të na dhembë të gjithëve, sepse janë miliarda që lëvrohen në mënyrë korruptive, pa garë dhe pa transperencë. Në rastin në fjalë vlera e tenderit u fiksua nën 2 milionë euro për të shmangur tenderin ndërkombëtar, i cili do të sillte në vend një kompani me emër, dhe jo një firmë sarajevase që u gjet për t’iu bashkangjitur një firme shqiptare që suksesin e saj më të madh në vend e ka me shitjet e kamerave vëzhguese për biznese dhe rrugë.

Për këtë duhet ngritur zëri, sepse institucionet e këtij vendi nga qeveria, deri te pushteti më fundor, vetëm dinë të bëjnë tendera korruptivë dhe të vjedhin paratë e buxhetit të shtetit, paratë tonë, të asfiksojnë konkurencën dhe garën e ndershme, të mos e bëjnë të shëndetshme klimën e investimeve të huaja, serioze dhe me potenciale, që të fitojë ekonomia dhe shqiptarët dhe jo një dorë drejtorësh dhe klientët e tyre të biznesit.

*Sekretar i PR i partisë Zgjidhja

0

Leave a Reply