Arben Rrozhani: Reagimi politiko-ekonomik ndaj rrudhjes së Shqipërisë

Arben Rrozhani: Reagimi politiko-ekonomik ndaj rrudhjes së Shqipërisë

 

Një raport i Organizatës së Kombeve të Bashkuara tha se në një ditë nga Shqipëria largohen 38 emigrantë më shumë se ato që kthehen. Sipas projeksioneve të zyrës “World Population Review”, nga 1 janari deri më 4 tetor 2019, popullsia e vendit tonë u pakësua me 2500 persona. Pakësimi i popullsisë vjen kryesisht për shkak të emigracionit të lartë, duke sfiduar edhe shtesën natyrore pozitive të këtij viti, me 92 foshnja të lindura në ditë, teksa vdiqën 63 persona. Si përfundim numri i vdekjeve dhe i emigracionit neto e kaloi numrin e lindjeve, duke bërë që popullsia e vendit të ketë një rënie në terma të përgjithshëm.

Është e stërthënë që popullsia e Shqipërisë po zvogëlohet nga emigracioni në nivele të larta dhe numri i ulët e lindjeve, ndërsa pritet shumë shpejt që numri i vdekjeve të kapërcejë numrin e lindjeve duke e çuar vendin në një shtesë natyrore negative, rreth vitit 2027. OKB ka bërë parashikime të frikshme, sipas të cilave në skenarin pesimist, brenda 100 viteve Shqipëria do të ketë më pak sesa 1 milionë banorë.

Shkaku kryesor i shpopullimit dhe pakësimit të popullsisë, padyshim u mbetet politikave qeverisëse të dekadave të fundit, që kanë rritur hendekun ekonomik mes një grushti të pasurish dhe një shumice gjithnjë e më të varfër, mungesës dhe degradimit të shërbimeve publike bazë si shëndetësia dhe arsimi, papunësia e lartë dhe rrogat e ulëta, por mbi të gjitha vrasja e shpresës se një ditë këtu do të bëhet më mirë. Si përfundim kemi largimet masive gjatë dekadës së fundit, emigrimin familjarisht apo të brezit të ri dhe kualifikuar si dhe dëshirën e çifteve të reja për të patur më shumë se një fëmijë, për shkak të pamundësisë ekonomike.

Kjo e fundit nuk është tipike shqiptare, por vende të ndryshme kanë zbatuar politika të ndryshme nxitjeje për shtesën natyrore positive të popullsisë.

Një simbolik shembull vjen nga Lestijarvi, një komunë e vogël rurale në Finlandë, 574 km katrorë që ka marrë emrin nga liqeni. Tani ajo numëron 725 banorë, si komuna e dytë më e vogël në Finlandë. 6 vite më parë atje rreth 60 familje morën 10 mijë euro për 10 vite. Pas kësaj nisme, në arsimin parashkollor janë 12 fëmijë, që lindën në vitin kur nisi aplikimi i pagesës për çdo fëmijë.

Nisma tjetër është nga Hungaria, ku qeveria vendosi t’u ofrojë çifteve të martuara kredi pa interes prej rreth 30 mijë euro, nëse ata bënin tre fëmijë. Ndërsa shkalla mesatare e lindshmërisë në BE është 1.59, ndërsa në Hungari është 1.49 fëmijë për çift. Çifti duhet të plotësojë kritere specifike për të marrë kredinë, si të jenë të martuar, njëri nga bashkëshortët duhet ta ketë martesë të parë dhe gruaja duhet të jetë e moshës midis 18 dhe 40 vjeç. Nisma pati sukses, sepse, vetëm 15 ditët e para të korrikut të kaluar, me hyrjen në fuqi të ligjit, rreth 2.400 familje bënë kërkesë për financim.

Bota ofron edhe shumë shembuj të tjetër me stimuj materialë, por e rëndësishme është ajo që mund të aplikojë Shqipëria që rrezikohet nga shpopullimi dhe rrudhja te popullsia që kishte në vitet ’40 të shekullit të kaluar.

Në Shqipëri, pas viteve ’90, nuk ka patur politika të stimulimit të lindjeve dhe përkrahjes sociale për nënat. Pas vitit 2000 u vendos një bonus simbolik prej 5 mijë lekësh, i cili, po t’i besojmë kryeministrit aktual, nuk është dhënë në shumicën e rasteve për bebet e lindura, duke e çuar borxhin e bashkive ndaj prindërve në 5 milionë dollarë.

Nga 1 janari 2019, me nismën e qeverisë ‘Rama’ çdo çift do të marrë 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë fëmija i dytë, dhe fëmija i tretë 120 mijë lekë. Një shumë simbolike ende nuk dihet se sa shumë kushton një fëmijë në një vend ku ka mungesa të theksuara të shërbimeve publike, çmimet janë edhe më të shtrenjta se në vendet e pasura të BE-së.

Partia ‘Zgjidhja’ e ka deklaruar se shkaku kryesor që shqiptarët po lënë atdheun dhe ata që ikën dikur nuk kthehen është se këtu nuk ka më shpresë prej qeverisjes së keqe dhe mungesës së lirive politike dhe ekonomike. Ndaj “Zgjidhja’ ka propozuar një pakt të madh kombëtar për demokratizimin e vendit, duke larguar elitën e korruptuar politike dhe duke rikthyer te shqiptarët të drejtat e mohuara, përfitimet prej të mirave materiale publike dhe pasurimin e tyre. Ardhja e një qeverie të përgjegjshme dhe popullore do të rikthente shpresën dhe besimin, por edhe shqiptarët e larguar në të katër anët e botës. Por deri atëherë duhen politika stimuluese, ‘sipas vlerës së tregut’ që popullsia të mos shkojë sipas parashikimeve pesimiste të OKB-së. Mund të përdoret si stimul shembulli finanlandez, ai hungarez, apo dhjetra të tjerë. S’ka rëndësi. Rëndësi ka që Shqipërisë t’i ndalet pakësimi drastik i shtesës natyrore, vendi të ketë më shumë lindje se sa vdekje dhe të mos katandisemi si një shekull më parë.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

 

0

Leave a Reply