Arben Rrozhani: PS-PD, mashtrimet me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

Arben Rrozhani: PS-PD, mashtrimet me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it

Dy ditët e fundit PS dhe PD debatuan në distancë për reformën zgjedhore që duhet të bëjë Shqipëria, si një nga kushtet më të rëndësishme që duhen plotësuar që Shqipëria të ketë shans që të bisedohet sërish për hapjen e negociatat me BE-në, vitin e ardhshëm.

Në emër të PS-së, kryetari i grupit parlamentar, Taulant Balla, të hënën paradite u bëri thirrje deputetëve të opozitës në parlament që të vijojnë punën për mbylljen e saj deri në fund të vitit, duke bërë ndryshimet në Kodin Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR. Ai e kufizoi reformën vetëm te financimi i partive dhe për të goditur Lulzim Bashën: “Dua të përshëndes vendimin e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore për të bërë edhe ndryshimet e domosdoshme në ligjin për financimet e partive politike. Duhet ta ndryshojmë se kemi pasur një rast tepër të rëndë dy vite më parë teksa kryetari i PD është në akuzë publike për financime të dyshimta”.

Balla bëri edhe një deklaratë tjetër shumë të rëndësishme për depolitizimin e administratës zgjedhore, që çuditërisht nuk figuron askund tashmë, që është A-ja e reformës zgjedhore, sepse ‘heq hajdutët nga votat” dhe të cilën e kanë kërkuar të gjithë aktorët politikë, hiq ata që kanë pjesë në administratën zgjedhore: ‘Nuk ka kuptim që në një vend demokratik partitë që janë në proces të numërojnë votat e tyre dhe të të tjerëve’,

PD-LSI nga ana e tyre që po përgatitin ofertën e tyre për reformën zgjedhore, nuk kanë tentuar, as si rastësisht, të bëjnë deklarime të tilla.

Oerd Bylykbashi, ish-bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore deklaroi të hënën në mbrëmje se: “Nuk është thelbi Reformës sistemi. Sistemi zgjedhor është zemra, por po s’pati gjak nuk bën punë”, një shprehje indirekte se PD-ja nuk është për të ndryshuar sistemin zgjedhor që është në fuqi. Ai e përforcoi këtë me deklaratën e mëposhtme, duke komentuar propozimet e PS-së: “Financimi i partive politike i trajton në mënyrë të pjeshme, pastaj është presioni ndaj administratës. Ka një rekomandim për depolitizimin e komisioneve, por rekomandimi më i rëndësishëm është presioni i punonjësve të administratës publike”.

Depolitizimi i administratës zgjedhore është një rekomandim i hershëm i OSBE/ODIHR-it, pas sfidave zgjedhore ku votat janë vjedhur dhe trafikuar prej mijëra komisionerëve të emëruar nga partitë që administronin procesin dhe që kanë patur në dorë edhe KQZ-në, e cila ka certifikuar rezultatet, siç kanë dashur këto parti.

Në shtator 2017, në raportin final për zgjedhjet e 25 qershorit, OSBE/ODIHR-I, në një nga rekomandimet kryesore shprehej: ‘Qeveria duhet të analizojë efektivitetin e përpjekjeve të mëparshme për të kundërshtuar abuzimin me burimet e shtetit dhe presionet lidhur me punësimin për votuesit. Ligji mund të ndryshohet për të lejuar emërimin jopartiak të komisionerëve të zgjedhjeve dhe duke numëruar anëtarë të ekipit’.

Këto rekomandime u shtuan pas votimeve qesharake të 30 qershorit 2019.  “Rekomandimet që janë prioritare lidhen me angazhimin e aktorëve zgjedhorë në një dialog gjithëpërfshirës mbi reformën elektorale, garantimin e të drejtës së votuesve për zgjedhje të lirë dhe sekrete, eliminimin e problemeve të vjetra të keqpërdorimit të burimeve administrative si dhe fuqizimin e pavarësisë dhe paanësisë së administrimit zgjedhor dhe gjyqësorit, si dhe hetime efektive të dhunimeve zgjedhore.”-thuhej në raportin e publikuar në shtator.

Rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it ishte propozimi për ndryshime ligjore në kodin zgjedhor që të krijohet një administrim i procesit elektoral në mënyrë të pavarur nga forcat politike. “Në përputhje me rekomandimet e mëparshme të ODIHR, në mënyrë që të forcohet besimi i publikut në procesin elektoral, konsideratë duhet t’i jepet formulave alternative për emërimin e anëtarëve të administratës zgjedhore, mbështetur nga masa mbrojtëse procedurale për pavarësinë e tyre”.

OSBE/ODIHR-i i ka thënë qartë rekomandimet e tij, duke kërkuar edhe zbatimin. Por PS-PD, po mashtrojnë publikisht në emër të tyre, duke u marrë me financimet, apo etikën në fushatë, qëllimisht për t’iu larguar thelbit të reformës.

Partia ‘Zgjidhja’ e ka treguar rrugën që duhet të ndjekë reforma zgjedhore që ajo të jetë e vërtetë dhe demokratike. Sipas ‘Paktit Kombëtar’ të propozuar prej saj, reforma duhet të nisë nga shfuqizimi i ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, amendimet e reja kushtetuese për reformimin e sistemit politik dhe vendosjen e një demokracie funksionale; demokratizimin dhe depolitizimin e zgjedhjeve me një KQZ dhe administratë zgjedhore të depolitizuar e tërësisht të pavarur dhe me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja.

Ashtu siç e përsërit OSBE/ODIHR-i në çdo raport të vetin, ‘Zgjidhja’ ka kërkuar një komision gjithpërfshirës të Reformës së Kushtetutës dhe Reformës Zgjedhore dhe jo siç po bëhet sot: një komision që bën PS-ja për hesap të vet dhe një tjetër që bën PD-ja po për hesap të vet, që konvergojnë te hesapet e tyre të përbashkëta: mosndryshimi i sistemit dhe mbajtja peng e zgjedhjeve prej tyre.

Një ditë më parë, gjatë fjalës së saj në konferencën ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor’, e ngarkuara me punë e SHBA, Leyla Moses-Ones, deklaroi se: “…Reforma zgjedhore është bërë projekt kombëtar dhe drejtuesit e Shqipërisë kanë zgjedhur të bëjnë kompromis për hir të së mirës së përbashkët”.

Po, ata kanë ndërmend që të bëjnë një kompromis për hir të mirës së përbashkët që i bashkon, që është e keqja e shqiptarëve. Ndaj nuk duhen lënë që të bëjnë si dekadat e fundit.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

 

0

Leave a Reply