Arben Rrozhani: Kokëdhima dhe mafia qeveritare e kanabisit

Arben Rrozhani: Kokëdhima dhe mafia qeveritare e kanabisit

Televizioni ‘Top Channel’ ia kushtoi emisionin ‘Top Story’ të mbrëmjes së të martës dokumentarit për legalizimin e kanabisit për qëllime farmaceutike. Ishte ndër dokumentarët më utilitarë të prodhuar nga redaksia, sepse mbron interesat ekonomike të Shqipërisë, kujdesin që duhet të kenë pacientët shqiptarë që të përfitojnë nga ilaçet e rëndësishme të prodhuara prej kësaj bime, çlirimin nga burgu të qindra të rinjve të kapur me doza të vogla përdorimi, apo uljen e dënimeve me burg që janë kosto për buxhetin të qindra të tjerëve të dënuar për shpërndarje dhe trafikim, si dhe përfitimet e shumta që do të kishte industria e vendit nga kanabisi.

E gjithë fryma e emisionit, nga nisja me historikun mbi 6000-vjeçar të përdorimit të kanabisit për qëllime mjekësore, shembulli botëror dhe veçanërisht ai i legalizimit në Maqedoninë e Veriut dhe mbyllja me një hartë botërore dhe europiane jeshile dhe vetëm Shqipëria si njollë e bardhë (e zezë, më saktë), të jepte përshtypjen sikur ‘producenti’ e dokumentarit ishte Koço Kokëdhima, politikani dhe biznesmeni i vetëm që kërkoi plot 5 vite më parë legalizimin e kanabisit mjekësor, kthimin e kësaj ekonomie kriminale në ekonomi shtetërore, ndryshimet në Kodin Penal për të nxjerrë nga burgu ata qindra të rinj përdorues të dënuar për një cigare hashash dhe bërjen e vendit, një ekonomi lidere në mesin e ekonomisë botërore të kanabisit.

Por, çuditërisht, aty ku nuk mungonte farmacistja e Tetovës që tregonte çmimet e preparateve me bazë kanabisi, ekonomisti nga Tirana që fliste për dobitë e legalizimit, mjeku maqedonas që tregonte kërkesat e shumta nga rajoni për prodhimet mjekësore maqedonase, apo disa vox-pop-e me qytetarë që ishin pro dhe kundër legalizimit, i munguari i madh në 49 minuta e 16 sekonda emision ishte z.Kokëdhima.

E rastësishme? Tri vite më parë, drejtori aktual i ‘Top Channel’, Ben Blushi, ndërsa sulmonte si deputet i PS-së Ramën dhe partinë e sunduar prej tij, shprehej: “I vetmi propozim ekonomik që bëri Rilindja është se si legalizohet kanabisi. Rilindja është një parti kanabiste”.. E gabuar, sepse partia ku bënte pjesë Kokëdhima, PD-ja apo shumë parti të tjera, e sulmuan deputetin dhe vunë në shërbim edhe mediat që të nxirrnin mendimtarë, mjekë apo studiues se sa i rrezikshëm, kriminal, pa fryt dhe i parakohshëm ishte propozimi për legalizimin e kanabisit farmaceutik.

Sot, televizioni që drejtohet prej Blushit u ngre lapidar qeveritarëve të Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Kroacisë, Gjermanisë, Francës, Holandës, SHBA-ve, Kanadasë e dhjetra shteteve që patën diturinë, nuhatjen ekonomike dhe përgjegjshmërinë qytetare për t’u bërë pjesë e ekonomisë botërore të kanabisit dhe nga ana tjetër i ‘bie kokës me grushte’ që Shqipëria nuk dëgjoi dhe vuri në zbatim idenë e Kokëdhimës të shprehur publikisht më 24 nëntor 2014, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.

Edhe pse emisioni i mbrëmshëm ishte një shërbim i çmuar në elaborimin e kësaj çështjeje që i mohoi Shqipërisë një përfitim vjetor prej 1 miliard dollarësh që do të shkonin direkt për fermerët e varfër, buxheti i rrënuar apo kërkimi shkencor, media shqiptare vijon të jetë në anën e mafies qeveritare të kanabisit. Ajo nuk ka guximin që të mbrojë interesat ekonomike të vendit, as ato të pacientëve shqiptarë, apo të të rinjve. Ajo përgjërohet që të marrë ndonjë thërrime financim nga mafia qeveritare e kanabisit, tallet me vuajtjet e pacientëve shqiptarë që shkojnë në Maqedoninë e Veriut dhe fusin kontrabandë nga kufiri vajin e kanabisit e blerë shtrenjtë atje, duke rrezikuar edhe dënimin me burg, apo e blejnë në vend nga prodhuesit artizanale, siç e tregoi ‘Top Story’. Media, edhe kur bën një shërbim të çmuar për këtë temë, nuk ngrihet dot mbi median e kapur nga partitë e vjetra që nuk duan ta bëjnë kanabisin ekonomi kombëtare ku të përfitojnë të gjithë, por ta mbajnë ekonominë kriminale të disa kriminelëve që bashkëpunojnë me qeveritë, një biznes që nuk i sjell asnjë përfitim vendit, veç humbje, vetëm e kriminalizon dhe e njollos edhe më tepër. Por, gjithësesi, beteja duhet vijuar, që Shqipëria të mos mbetet si në dokumentar, një njollë e bardhë (e zezë) mes një bote jeshile që po e bën kanabisin ekonomi kombëtare.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

0

Leave a Reply