Arben Rrozhani: Bunkerizimi i reformës zgjedhore

Arben Rrozhani: Bunkerizimi i reformës zgjedhore

Prezenca e OSBE-së, Zyra e Delegacionit të BE-së dhe Instituti Demokratik Amerikan mbajtën këtë të martë tryezën teknike mbi “Financimin e partive politike dhe të fushatave zgjedhore’. Organizatorët ishin kujdesur deri në detaje që tryeza e radhës për reformën zgjedhore të ishte sa më larg medias dhe syve të publikut. Dhjetëra kamera dhe gazetarë u lanë në holl për t’u ngushëlluar vetëm me plane personazhesh që ecnin, disa deklarime të shkurtra mes pushimeve, apo qëndrime të shkëputura nga pjesëmarrësit në tryezë.

OSBE mund të ketë patur probleme kohët e fundit me pozicionin e ambasadorit të saj, Borchardt, ndaj të cilit disa gra protestuan në një takim për median për gishtin e mesit që u nxorri banorëve të Astirit, apo deri te shpallja ‘non grata’ në territorin e Presidencës. Por kjo nuk e justifikon bunkerizimin e debateve për reformën zgjedhore, e cila tashmë duhet të jetë sa më e hapur dhe e debatueshme për median dhe publikun.

Partia ‘Zgjidhja’ i ka përshëndetur dhe ka marrë pjesë në të gjitha takimet e reformës zgjedhore organizuar nga OSBE, apo nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore dhe ka kërkuar që ato të jenë të hapura, gjithëpërfshirëse, ku të ketë vlerë mendimi i çdo përfaqësuesi.

Nëse nuk do të bunkerizohej tryeza teknike e OSBE/BE/NDI-së, shqiptarët do të shihnin me zë dhe figurë se si deputetë të opozitës së re parlamentare ua thonë ndërkombëtarëve në sy se gjërat në Shqipëri kanë shkuar keq e më keq dhe se vetëm ndryshimi i sistemit politik dhe i Kodit Zgjedhor është shpëtim për vendin; se si ambasadori Borchardt e cilëson ditë të madhe dhe “dritare të hapur’ praninë e përfaqësuesit të PD-së në takim, duke paralajmëruar se zgjidhja do të vijë vetëm nga konsensusi PS-PD, pa pyetur as partitë e reja, as shoqërinë civile dhe as ekspertët e zgjedhjeve; se si një përfaqësuese e shoqërisë civile pyeti e habitur për katrahurën e drafteve të Kodit Zgjedhor dhe ku të gjithë i shmangen çështjes më të rëndësishme: depolitizimit të administratës zgjedhore nga KQZ-ja deri te komisionet e numërimit të votave; se si ekspertë të huaj, përpara se të braktisin mbledhjen për të kapur avionin në Rinas, flasin për rregulla loje si në Perëndim, kur shqiptarët janë ende i vetmi popull në rajon dhe në Europë që nuk janë të lirë që të votojnë, ku vota e tyre blihet, vidhet dhe trafikohet; se si, mjerisht, edhe përfaqësues të shoqërisë civile, deri dje luftëtarë për çlirimin e KQZ-së nga thonjtë e 3 partive, i thurin elozhe ‘erës së re’ të bashkëpunimit mes PS-PD-së.

Në atë tryezë teknike u artikuluan shumë nga tezat që partia ‘Zgjidhja’ ka hedhur në tregun politik shqiptar këto dy vitet e fundit. Që reforma zgjedhore duhet bërë me bashkëpunimin e të gjithë aktorëve politikë, shoqërisë civile, mendjeve të ndritura, brenda dhe jashtë vendit, njerëzve të pakapur nga kryetarët e partivë të vjetra; depolitizimi i administratës zgjedhore, rrëzimi i ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, demokratizimi i partive dhe rrëzimi nga froni i kryetarëve të plotfuqishëm, zgjedhje të lira dhe të barabarta, si ato që bëhen në çdo vend demokratik, por jo në Shqipëri dhe mbi të gjitha një pakt kombëtar për të dalë nga kriza e stërzgjatur politike, jo një pakt tjetër PS-PD, siç po hinnizohej në atë tryezë, që vetëm do ta zgjaste këtë krizë në kohë.

Dhe në mungesë të mediatizimit të këtyre zhvillimeve reale që ndodhnin në një tryezë të bunkerizuar, media dhe publiku duhet të ngushëllohet me deklaratën rozë të OSBE-së ku thuhet, ndër të tjera, se: “…Veprimtaria e sotme është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të dialogut politik, përmes ofrimit të ekspertizës teknike nga OSBE-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtare, në përkrahje të reformave thelbësore…Prezenca e OSBE-së në Shqipëri është e gatshme të lehtësojë tryeza, takime pune dhe konferenca të tjera për reformën zgjedhore, si edhe të ofrojë ekspertizë teknike… Ne mbetemi të vendosur ta mbështetim Shqipërinë dhe të gjitha institucionet e saj në një dialog gjithëpërfshirës, sipas mandatit tonë në vend…”.

Pak e shumë si ato shprehjet në raportet përfundimtare për zgjedhjet në Shqipërisë, ku çdo herë thohet se “këto zgjedhje ishin një hap përpara’, por në të vërtetë vendi ka bërë hapa prapa në demokraci.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

0

Leave a Reply