Aleatët e opozitës mbështesin Projekt-Paktin Kombëtar të partisë “Zgjidhja”: “Duhet një pakt politik”!

Aleatët e opozitës mbështesin Projekt-Paktin Kombëtar të partisë “Zgjidhja”: “Duhet një pakt politik”!

 

Agron Duka: Në një gjatësi vale me Kokëdhimën, duhet një sistem i ri politik; Dashamir Shehi: Unë jam dakord për shumë nga ato pika; Edmond Spaho: Kriza zgjidhet vetëm duke larguar Ramën; Nard Ndoka: Largimi i Ramës, kusht i panegociushëm. Artur Roshi: Vlerësoj frymën e Kokëdhimës për daljen nga kriza

Aleatë të PD-së, deputetë dhe ekspertë pranë opozitës, në një bisedë për “Shekulli”-n, thanë se e mbështesin Projekt-Paktin Kombëtar të partisë “Zgjidhja” me kryetar Koço Kokëdhimën. Më poshtë, komentet e politikanëve mbi paktin e propozuar për daljen nga kriza politike.

Dashamir Shehi, kryetari LZHK: I kam lexuar propozimet e Koço Kokëdhimës dhe jam dakord. Një pjesë prej tyre janë dhe ide të mijat, si; depolitizimi i zgjedhjeve, mandatet e kufizuara, që mos kenë më shumë sesa dy mandate, duke filluar nga kryeministri, Presidenti dhe kryetarët e bashkive. Këto janë dhe idetë e mija. Unë jam dakord për shumë nga ato pika. Kjo kërkon një mbështetje politike të të gjithë palëve. Sigurisht, që çdo ide politike laborohet, biem apo nuk biem dakord, ky është realiteti. Të ndryshojmë kushtetutën, të ndryshojmë ligjin zgjedhor, duhet të ndryshojmë dhe ligjin për administratat lokale. Ky është një abuzim i madh mbi shqiptarët. Me këtë lloj administratë lokale nuk mund të bëjmë zgjedhje. Nuk ka shërbime. Dmth, mendimi im është ky: Na duhet një pakt i madh politik. Mënyra sesi mund të arrihet teknikisht, të mëson koha vetë nëqoftëse puqen kushtet politike. Një nga kushtet që kërkon dhe krahu jonë, është largimi i Ramës. Atë ditë hapen letrat për alternativa politike, për ndryshime kushtetuese, për ndryshim të ligjit zgjedhor. Ne duam që të ketë një element maxhoritar. Te ketë lista të hapura. Realiteti është ky: Duhet shtruar një bazë politike dhe gjithë nocioni opozitar merr frymë me largimin e Ramës. Nëse nuk ndodh kjo, të gjithë këto ide mbeten të bukura, por të parealizueshme.

Agron Duka, Kryetar i PAA: Na duhet një qeveri puro politike, më politike se kurrë, me një mandat të caktuar dhe përkohësisht. E kam ndjekur me shumë interes propozimin e z. Kokëdhima dhe partisë Zgjidhja. Fryma që përcjellin këto pika janë në një gjatësi valësh me vizionin e PAA-së dhe partive të tjera alternative. Marrëveshja e 21 prillit 2008 është thembra e Akilit e demokracisë sonë. Kemi pasur një periudhë 11 vjeçare për të kuptuar se ato ndryshime kushtetuese nuk i përgjigjen nevojave të shoqërisë shqiptare. Kjo krizë politike dhe institucionale dëshmon se ajo marrëveshje duhet zhbërë një orë e më parë. Për këtë arsye kriza duhet kthyer në një oportunitet, jo për të bërë një marrëveshje që do të lejonte tejkalimin e përkohshëm të situatës, por për të hedhur themelet e një sistemi të ri politik. Në këtë këndvështrim, propozimi i z. Kokëdhima, është një dokument që pasuron një debat, që bashkërisht duhet të nxisim për të prodhuar ndryshime të shumëpritura nga shqiptarët. Nëse do të vendosim përfaqësimin e vullnetit qytetarë, diçka që ky sistem ka hequr nga fjalori politik, në qendër të ndryshimeve, çdo segment tjetër i jetës parlamentare do të pasurohet në dobi të interesit publik. Prandaj depolitizimi i procesit zgjedhor, një sistem mazhoritar me 100 deputetë, limitimi i numrit mandateve të kryeministrit, si dhe zgjedhja e Presidentit nga qytetarët, jo vetëm do të përmirësonin dialektikën politike, por do të ekuilibronin ndarjen e pushteteve. Sigurisht realizimi i këtij procesi nuk do të jetë i shpejtë. Kësodore shtyrja e zgjedhjeve vendore për në tetor, dhe përgatitja e zgjedhjeve të përgjithshme nëpërmjet një qeverie tranzitore për qershorin 2020, janë afate kohore që na japim mundësinë për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës dhe për të kryer ndryshime cilësore dhe afatgjata. Që ky pakt të konkretizohet, madje duke u pasuruar edhe nga kontributi i ekspertëve më të mirë, duhet që gjitha palët të tregohen të përgjegjshme dhe sa më konstruktive, sepse koha që ne të dalim nga rrethi vicioz i krizave është tani.

Edmond Spaho, nënkryetar i PD: Kriza zgjidhet vetëm duke larguar Ramën. Ai është e keqja e të këqijave. Nuk diskutojmë asgjë pa u larguar Rama.

Fatmir Mediu, kryetar i PR: Në parim çdo mendim që kërkon zgjidhje për të larguar të keqen duhet konsideruar.

Nard Ndoka, kryetar i PDK: Pakti Kombëtar i propozuar nga Z.Kokëdhima është për tu përshëndetur në parim. Ndryshimet në kushtetute për zgjedhjen e Presidentit dhe reforma zgjedhore janë domosdoshmëri. Largimi i Ramës dhe krijimi i një klime besimi për zgjedhje të parakohshme është kusht i panegociushëm i Opozitës së Bashkuar. Reforma zgjedhore; ndryshimi i sistemit (proporcional kombëtar preferencial; brenda listës së partive), komisione me trupë zgjedhore profesionale, President me zgjedhje nga populli, reformë administrative; të rritet numri i Bashkive në 98, Reforma në Drejtësi; të rikthehet besimi dhe votimi me konsensus, Integrimi Europian; konsensus kombëtar për 10 vite pozitë-opozitë, pakt kombëtar për; reformën në arsim, shëndetësi, bujqësi, ekonomi (zona të lira ekonomike Elbasan e Shkodër), konsensus për ndërtimin e korridorit blu, Jonian, Velipoje-Sarande, reformë në kodin penal; dënimet alternative.

Artur Roshi, kryetar i PBKD: Vlerësoj frymën e Kokëdhimës për daljen nga kriza

Propozimet e z. Kokëdhima i vlerësoj si profil të realitetit politik dhe një arsyetim mbi këtë realitet. Mbështes frymën e daljes nga kriza politike si sindrom e pushtetit të përqendruar në një dorë të vetme dhe moskalimin sërish në një dorë të vetme. Instalimi i votës së lirë në ullinjtë e ligjshmërisë përtej vullnetit politik është startimi i zgjidhjes së kësaj situate dhe frenimi i situatave të ngjashme dhe sigurisht kjo kalon nga shfuqizimi i ndryshimeve kushtetuese të 2008. Inicimi i një pluripartitizmi mbi votën e lirë duhet të jetë një tjetër objektiv për të shmangur kriza të tilla, si: Nëse sot do kishte të tjera parti në koalicion me z.Rama ato mund të realizonin rrëzimin e tij mbi rrugë parlamentare. Ne sot kemi një ortakëri të pushtetit midis PD dhe PS dhe prandaj ndodhin kriza sa herë që ortakët përplasen. Bipolarizimi i politikës nuk ka ardhur mbi kohezionin e besimit të qytetarëve, pra nga tregu i lirë politik, por në mënyrë artificiale. Në optikën time zgjedhjet lokale duhet shtensionuar si zgjedhje vërtet administrative dhe përveç kufizimit të mandateve të kryebashkiakëve mund të ketë një rrjet ligjor që përcakton kritere të administratës lokale.

4

Leave a Reply