Administrata zgjedhore të çlirohet plotësisht nga PS-PD

Administrata zgjedhore të çlirohet plotësisht nga PS-PD

Deklaratë shtypi e partisë ‘Zgjidhja’

 

Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, deklaroi se: “Sot u prezantua nga ekspertët një nga nismat më të rëndësishme të zgjedhjeve në Shqipëri, që është depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore në të 3 nivelet. Për herë të parë do të sanksionojmë përfundimisht që partitë politike heqin dorë nga zgjedhjet. Partitë politike nuk kanë më asnjë kompetencë në çështjet e administrimit zgjedhor në të gjitha nivelet”.

Depolitizimi i plotë të administratës zgjedhore ka qenë një kërkesë e hershme e partisë ‘Zgjidhja’. Në ‘Paktin Kombëtar’ të propozuar më 2 prill 2019 ‘Zgjidhja’ kërkoi që të demokratizohen dhe depolitizohen zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore të depolitizuar e tërësisht të pavarur, me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja; Votat duhet të ketë të njëjtën peshë për çdo subjekt apo individ dhe të numërohen në Qendrat e Votimit, jo të transportohen të panumëruara.

Kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, gjatë fjalës së tij në takimin e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, dy ditë më parë,  ndër të tjera u shpreh se PS dhe PD nuk mund të rikthejnë zgjedhjet me integritet, prandaj duhet shembur oligopoli i tyre mbi zgjedhjet. “Ne nuk duam zgjedhje të organizuara e administruara nga partitë tuaja”-iu drejtua z.Kokëdhima bashkëkryetarit Gjiknuri.

Drafti i ekspertëve pranë Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore parashikon reformimin tërësor në tri nivele të administrimit zgjedhor në Shqipëri duke e depolitizuar atë, por ia lë në dorë parlamentit që të zgjedhë anëtarët e KQZ-së.

Partia ‘Zgjidhja’ nuk do të pajtohet kurrë me këtë depolitizim fals të KQZ-së. Anëtarët e saj nuk mund t’i zgjedhin deputetët aktualë, sepse ata janë skllevër të tri padishahëve të korrupsionit dhe jo përfaqësues të popullit. “Zgjidhja” ka propozuar që këtë proces jetik për depolitizimin e KQZ-së ta bëjë Gjykata e Lartë, siç ndodh në Greqi për çdo palë zgjedhje, apo Gjykata Kushtetuese.

‘Zgjidhja’, gjithashtu, është skeptike se shtetasit që gëzojnë statusin e nëpunësit civil do të garantojnë depolitizimin e administratës zgjedhore. Partitë e vjetra e kanë shkatërruar administratën shtetërore dhe e kanë njollosur statusin e nëpunësit civil, duke e mbushur me militantë puthadorë, të korruptuar dhe të pashkollë, që kanë mbledhur dhe blerë vota për partinë në pushtet.

‘Zgjidhja’ ka propozuar që pjesë e administratës zgjedhore të jenë studentë të magjistraturës si dhe profesionistë të lirë, noterë apo avokatë, punonjës të bankave etj., duke garantuar besueshmëri dhe pavarësi në administrimin zgjedhor. Gjithashtu, në administratën zgjedhore nuk duhet të pranohen komisionerët e partive të vjetra që kanë marrë pjesë në dy e më shumë palë zgjedhje.

‘Zgjidhja’ do të vijojë ta ndjekë dhe të kërkojë deri në fund depolitizimin e plotë dhe çlirimin e zgjedhjeve nga dy partitë e vjetra, për t’i dhënë fund një tranzicioni dhe historie të turpshme me votën e shqiptarëve dhe demokracinë.

0

Leave a Reply