Koço Kokëdhima: Thika e Ramës për Kosovën nga Berlini

Koço Kokëdhima: Thika e Ramës për Kosovën nga Berlini

 

 

Kryeministri I Shqipërisë sulmoi sot nga Berlini udhëheqësit politikë të Kosovës, që janë kundër idesë të ‘Minishengenit ballkanik’ dhe se shfaqin ‘dhëmbët kërcënues të një politike provinciale që për disa vota dhe për një popullaritet të përkohshëm është gati të hedhë baltë dhe të krijojë hendek me vendin si motër, si vëlla pjesë e të njëjtit komb’.

‘Zgjidhja’ dënon me ashpërsi deklarata të tilla të një megallomani dhe manipulatori të paskrupullt. Rama po dëshmon çdo ditë se është përfaqësues i politikës që nuk i bashkon, por i përçan shqiptarët për llogari të interesave të huaja. Nga njëra anë damkos si ‘provincialë’ liderët e Kosovës që janë kundër një marrëveshje që izolon dhe dëmton edhe më tej Kosovën dhe nga ana tjetër, bashkë me Vuçiç, është i gatshëm ta kthejë Shqipërinë në një ‘provincë’ serbe.

Ideja e ‘Minshengenit’ nuk e ka mbështetjen e popullit shqiptar. Nuk ka as mbështetjen entuziaste të Brukselit. Presidenti Vuçiç e deklaroi më 24 dhjetor 2019, në një intervistë për televizionin serb “O2” se ‘Mini-Shengeni’ nuk kishte mbështetjen entuziaste të kryeqyetete europiane, ku, padyshim, rol kryesor ka Berlini.

“Minishengeni ballkanik’ është një projekt sllav në dëm të ekonominë së Shqipërisë dhe për ta bërë atë vasale ndaj tregut dhe ekonomisë më së zhvilluar sllave në rajon; është një thikë pas shpine ndaj Kosovës që sabotohet dhe pengohet nëpër botë nga shteti dhe qeveria që nuk kanë ndërmend të kërkojnë falje për krimet serbe kundër shqiptarëve dhe që punojnë ditë-natë kundër integrimit dhe prosperitetit të saj.

0
Koço Kokëdhima: Të mashtrosh sërish shqiptarët dhe Europën

Koço Kokëdhima: Të mashtrosh sërish shqiptarët dhe Europën

Lulzim Basha paska dashur që të bëjë opozitën radikale, të vijojë protestat e dhunshme, të kërkojë largimin  e Ramës si përfaqësues i qeverisë së krimit dhe të drogës, të denoncojë korrupsionin zgjedhor dhe batërdinë që bëhet me buxhetin e shqiptarëve. Por ia paskan lidhur duart ambasadorët e huaj që duan një opozitë konstruktive që punon për vendin dhe për rrugëtimin europian.

Kjo alibi që thuhet këto ditë për të justifikuar zbythjen e PD-së dhe uljen në tryezën e kompromiseve, për hir të hapjes së negociatave me BE-në, tingëllon e pështirë dhe mashtruese, për vetë shqiptarët, por edhe për partnerët tanë ndërkombëtarë.

Nuk na duhet një reformë zgjedhore sa për sy e faqe, që të përmbushim një nga nëntë kushtet e Bundestagut Gjerman, që Shqipërisë t’i happen negociatat përpara Samitit të Zagrebit në maj të këtij viti.. Nuk na duhet një ujdi mes tri njerëzve për të vendosur për fatin e 3 milionë shqiptarëve brenda vendit dhe më shumë se aq jashtë kufijve. Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që të çmontojë sistemin e vjetër politik, ta çlirojë dhe demokratizojë atë, si në çdo vend tjetër anëtar, apo aspirant për në BE.

Nëse ujdia e ndërmjetësuar nga të huajt dhe produkti i reformës zgjedhore do të jetë, siç dyshoj, një pakt antidemokratik dhe antipopullor mes tri politikanëve dhe disa ambasadorëve të huaj, do të përsërisim gabimet e të shkuarës, do të zgjasim dhe rëndojmë krizën politike dhe ekonomike. Zgjidhja nuk është të mashtrosh sërish shqiptarët dhe ndërkombëtarët, por të rikthesh demokracinë.

1
Koço Kokëdhima: Këshilli Politik i partive të vjetra

Koço Kokëdhima: Këshilli Politik i partive të vjetra

 

PS, PD dhe LSI u bënë sërish bashkë në Këshillin Politik që thuhet se do të bëjë reformën zgjedhore për të plotësuar kushtet që Shqipërisë t’i hapen bisedimet me BE-në.

E kam paralajmëruar shumë herë se ata do të bëheshin bashkë, jo për të zgjidhur hallet e shqiptarëve, por për të mbyllur pazaret e tyre. Ndryshe nuk shpjegohet se si, një vit pasi dogjën mandatet e deputetëve, sulmuan me mototovë institucionet dhe u përbetuan se nuk do të uleshin kurrë në një tryezë me Ramën, pse ai përfaqësonte qeverinë e krimit dhe të drogës, PD dhe LSI sot u puthën me shumë mall me PS-në.

I ka ulur në një tryezë vendosmëria për të mos lëshuar zgjedhjet, për të mos u kthyer liritë politike shqiptarëve. Reforma zgjedhore që duan të bëjnë deri më 15 mars mban në këmbë Kodin aktual zgjedhor, administrimin politik të zgjedhjeve, listat e mbyllura të kandidatëve që dalin nga xhepi i kryetarëve, nuk demokratizon as partitë dhe as Shqipërinë.

‘Zgjidhja’ nuk do të bëhet pjesë e këtij pazari të turpshëm të partive të vjetra. Ajo do të vijojë të luftojë bashkë me shqiptarët për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe reformë kushtetuese, kundër proceseve zgjedhore ku tri parti numërojnë dhe ndajnë mes tyre votat e partive të tjera, për kandidatë për deputetë, kryetarë bashkish dhe këshilltarë të dalë nga populli dhe jo xhepat e kryetarëve.

‘Zgjidhja’ paralajmëron miqtë e Shqipërisë, se reforma zgjedhore që do të bëjnë këto tri parti nuk do të përmbushë asnjë rekomandim kyç të OSBE/ODIHR-it dhe nuk do ta zgjidhë krizën në vend, por do ta mbulojë, shtyjë në kohë dhe do ta çojë në rrugën pa kthim të shkatërrimit dhe falimentimit të shtetit shqiptar.

2
Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Koço Kokëdhima: Pengmarrësit e zgjedhjeve

Aleatët e PD-së njoftuan të martën se janë tërhequr nga kushti për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pas disa vitesh me kërkesa gati ultimative drejtuar SHQUP-it. Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar tha se ata kanë rënë dakord me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha që të vijojë sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura, që ishte pjesë e puçit antikushtetues PD-PS në vitin 2008, duke refuzuar sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura. Ivi Kaso, përfaqësues i PD-së për çështjet zgjedhore deklaroi se çdo ndryshim kushtetues ku përfshihet edhe sistemi elektoral dhe çështja e listave do të jenë në një fazë të dytë diskutimi, pa dhënë ndonjë datë. Për PD-në tashmë më tepër rëndësi ka përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, për votimin dhe numërimin elektronik, për të arritur depolitizimin e administratës zgjedhore. Tani e vetmja çështje e pazgjidhur mes PD-së dhe aleatëve të saj ka mbetur ajo e financimit të partive politike, ku PD kërkon që të jetë 100% nga shteti, ndërsa LSI mbështet idenë e një formule miks, me financim nga shteti dhe privati. Drafti final për propozimet mbi reformën zgjedhore do të publikohet në fund të këtij muaji, por bathët duken që tani. Ndodhi si në fjalën e popullit “Ku ishe? Asgjëkundi. Çfarë bëre? Asgjë”.

Partia ‘Zgjidhja’ e kishte paralajmëruar se SHQUP-i dhe Rilindja janë bashkë për të mos lëshuar zgjedhjet, nga caktimi i kandidatëve për deputetë deri te administrimi zgjedhor, ndërsa disa kryetarë partish rrotull tyre blihen me një emër në listën e sigurtë të deputetëve.

Me kaq mbaron edhe kësaj radhe për SHQUP-in dhe Rilindjen ‘përpjekja titanike’ me të ashtuquajturën reformë zgjedhore, një farsë me kacafytje publike për votën e lirë të shqiptarëve dhe dorështrëngim pas perdes për të mos anuluar marrëveshjen antikushtetuese Berisha-Rama të 21 prillit 2008.

“Zgjidhja’, që në fundvitin 2016, kur ishte lëvizje politike, prezantoi nismën ligjore qytetare “Unë zgjedh deputetin që dua!”, si një përpjekje e organizuar e qytetarëve shqiptarë për të demokratizuar partitë politike, sistemin politik dhe qeverisjen dhe për t’i krijuar popullit mundësinë të përfshihet në qeverisje përmes zgjedhjes së njerëzve më të mirë me votë të drejtpërdrejtë.

Në prill 2019 ‘Zgjidhja’ prezantoi ‘Paktin Kombëtar’ dhe në qershor ‘Platformën e lirisë’. Në thelb ishte kërkesa për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, demokratizimin dhe depolizitimin e zgjedhjeve, shfuqizimin e ndryshimeve kushtetuese të 21 prillit 2008, kufizimin e mandateve nga kreu i shtetit deri te kryetari i bashkisë, apo rregullat strikte për financimin e partive dhe ndëshkimet penale për abuzuesit me zgjedhjet.

‘Zgjidhja’ përshëndet edhe kontributin e shoqërisë civile në imponimin e ndryshimeve demokratike të zgjedhjeve shqiptare.

Në 29 vitet e shkuara janë mbajtur 17 herë zgjedhje parlamentare dhe vendore dhe janë bërë 12 ndërhyrje në Kodin Zgjedhor.  Por jemi i vetmi vend në botën demokratike që nuk bëjmë zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe kjo gjendje dramatike është bërë në dijeni të plotë të faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të Prezencës së OSBE-së.

Ndërhyrja e radhës do të jetë e 13-a, por nuk do të ndryshojë asgjë. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore ka bërë disa tryeza pa bereqet, ku përfundimisht dështon edhe depolitizimi i administratës zgjedhore, sepse PS ka dalë në përfundimin se nuk ka njerëz jopolitikë për të qenë komisionerë zgjedhjesh, ndaj ato duhet t’i kenë PS-PD.

Bernd Borchardt, ambasador i OSBE-së në Tiranë, deklaronte pak muaj më parë se: ‘Ekziston një rekomandim shumë i fortë nga Këshilli i Evropës dhe OSBE/ODIHR-i që ndryshimi i sistemit zgjedhor të bëhet jo më vonë se sa një vit përpara zgjedhjeve’. PS dhe PD i tremben si djalli temjanit kësaj teme, edhe pse normalisht zgjedhjet parlamentare janë planifikuar në vitin 2021 dhe reforma zgjedhore është kusht i rëndësishëm për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. ‘Zgjidhja’ i qëndron deklarimeve se Reforma Zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë nuk i duan zgjedhjet e manipuluara. Ata duan zgjedhje të lira e të ndershme, që SHQUP-i dhe Rilindja nuk duan t’ia lejojnë sovranit në rrugë paqësore.

1