Av.Gylsen Zhllima: Marrëveshja gjithëpërfshirëse, parakusht për integrimin europian

Av.Gylsen Zhllima: Marrëveshja gjithëpërfshirëse, parakusht për integrimin europian

Hapja e negociatave është pjesë e rrugëtimit të Shqipërisë me synim final anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ky është objektiv kombëtar dhe gjithëpërfshirës. Shqipëria, nëpërmjet qeverisjes dhe politikës së brendshme, ka si detyrë që të respektojë vazhdimisht parimet e përgjithshme të demokracisë dhe të drejtat e njeriut që vendit t’i sigurohet çelja e negociatave. Me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit që hyri në fuqi në prill 2009,  synimi kryesor ishte forcimi i demokracisë së brendshme dhe e shtetit të të drejtës, stabilitetit politik, ekonomik e institucional dhe së fundi të siguronte një strukturë të përshtatshme për dialog politik. Në prill të vitit 2019, Shqipëria mbushi plot 10 vjet të hyrjes në fuqi të kësaj marrëveshjeje, por realiteti është i hidhur dhe qeveritë shqiptare nuk bënë asnjë hap për përmbushjen e kësaj marrëveshjeje.

Cenimi i  sovranitetit të popullit është bërë me vetëdije nga dy partitë kryesore duke mos marrë në konsideratë asnjë rekomandim të ndërkombëtarëve që kanë monitoruar zgjedhjet parlamentare dhe vendore në Shqipëri, ku, pas vitit 2001 e në vijim, kanë theksuar në çdo raport në mënyrë sistematike nevojën e një sistemi zgjedhor të thjeshtë dhe përfaqësues. Në këto raporte është sugjeruar disa herë, korrektimi i mangësive që vijnë prej konceptimit dhe zbatimit të gabuar të sistemit zgjedhor në Kushtetutë. Si pasojë e injorimit të këtyre raporteve nga partitë e vjetra politike, situata ishte dhe mbetet e tillë, duke mos vendosur Republikën për interes të qytetarëve, që do t’i jepte fund sundimit të pushtetit të katër-pesë njerëzve.

Kriza aktuale politike në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të zgjidhet me marrëveshje midis dy palëve, por vetëm me marrëveshje gjithëpërfshirëse që t’i japim fund sistemit mospërfaqësues skandaloz, trafikimit dhe deformimit të votës në çdo formë që ajo shfaqet, KQZ-së partiake, partitokracisë dhe pushtetit të kryetarëve. Kjo bëhet vetëm me një sistem zgjedhjesh të lira e të barabarta, ku në thelb është procesi i meritokracisë.

Partia “Zgjidhja” gjithmonë e thotë qartë se pa reformë kushtetuese dhe zgjedhore në vend, nuk mund të ketë demokraci përfaqësuese. Beteja për të vendosur Republikën kërkon sakrifica të forta dhe për t’u përballur me padrejtësitë e këtij sistemi që ka kalbur çdo qelizë të shëndetshme të shoqërisë. Instalimi i demokracisë reale kalon vetëm me marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe me dialog konstruktiv.

Sot flitet  për iniciativa nga pozita dhe opozita për reformë zgjedhore, tryeza dhe ftesa publike nga institucione të ndryshme, por asnjë propozim real dhe konkret për zgjidhjen e kësaj krize. Nga loja e kushteve midis palëve, tani ka filluar koha e propagandës nga secili krah.

Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duhet të paraqesin një plan konkret për zgjidhjen e krizës, sepse, të dyja bashkë janë fajtore për krizat ciklike në vend. Kuptohet se ato nuk kanë as dëshirë dhe as synim për zgjidhjen e krizës, sepse kështu humbasin pushtetin mbi zgjedhjet dhe u ikën pushteti politik. Por nuk kanë rrugë tjetër. Le të pranojnë tezat dhe rrugëzgjidhjen që japin “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë”, që ka propozuar partia ‘Zgjidhja’. Nuk është me detyrim, por është detyrë e tyre përpara shqiptarëve që të pranojnë dhe përkrahin propozimet e partisë ‘Zgjidhja’ për t’i dhënë fund krizës politike, ekonomike dhe shoqërore, përmes një marrëveshjeje të madhe gjithëpërfshirëse, me të cilën shkojmë ballëlart drejt hapjes së negociatave, në ëndrrën tonë 30-vjeçare  për t’u bërë pjesë e BE-së.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0
Gylsen Zhllima: “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë” i japin fund krizës ciklike

Gylsen Zhllima: “Pakti Kombëtar” dhe “Platforma e lirisë” i japin fund krizës ciklike

Av. Gylsen Zhllima

Krizat ciklike në Shqipëri kanë për autore partitë e vjetra. Pas vitit 1991 e në vazhdim, palët janë ulur në shumë tryeza për hir të “interesave kombëtare”, por në realitet i kanë shfrytëzuar vetëm për interesat e tyre personale.

Marrëveshjet midis partive kryesore kanë qenë të shumta, por at kanë qenë pothuajse të njëjta dhe kanë çuar në përsëritjen e krizave ciklike, të tilla si: Marrëveshja e vitit 1992 për përbërjen e KQZ-së, mënyrën e kandidimit dhe administrimin e votës; Reforma zgjedhore të vitit 2000-2001, ku dy forcat kryesore akuzonin njëra-tjetrën për njëanshmëri; Marrëveshja e vitit 2002 PS-PD për zgjedhjen e presidentit konsensual midis palëve; Marrëveshja e vitit 2007, ku Partia Socialiste në opozitë kërkonte garanci për procesin e votimit dhe certifikatat; Marrëveshja famëkeqe e 21 prillit 2008, që vazhdoi me krizën në vitin 2009 me parrulën “Hap kutitë, ose largohu”; dhe në fund marrëveshja skandaloze dhe hipokrite e 18 majit 2017.

Këto marrëveshje bipartizane nuk ka prodhuar stabilitet afatgjatë, por vetëm pazare që e kanë ushqyer krizën, vit pas viti, për të mbërritur te kriza aktuale.

Dy partitë e vjetra i dallon vetëm ngjyra dhe sigla, ndërsa mënyra e qeverisjes ka qenë e njëjtë, duke zëvendësuar njëra-tjetrën në krye të pushtetit politik dhe ekonomik. Edhe pse çdo qeveri ka folur për për zgjedhje të lira e të barabarta, strategji zhvillimi, politika të sigurisë kombëtare, politika ekonomike dhe financiare, shëndetësore, sociale, rregullim territori, politika arsimore, politika të energjisë apo për  bujqësinë, Shqipëria ka vajtur keq e më keq, derisa sot Republika ka rënë, bashkë me zgjedhjet, liritë politike dhe ato ekonomike dhe shqiptarët janë populli më i keqqeverisur dhe më pa liri në Europë.

Partia “Zgjidhja”, gjatë kësaj krize, ka ftuar aktorët politikë që të ndërgjegjësohen dhe të reflektojnë mbi  situatën e prodhuar nga partitë e vjetra. Gjermania, aleati ynë në rrugëtimin për në BE, deklaroi dje se reforma zgjedhore, ajo në drejtësi dhe lufta kundër krimit dhe trafikut të drogës, janë kushte të panegociueshme për hapjen e bisedimeve.

Prej prillit 2019, partia ‘Zgjidhja’ ka propozuar ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e Lirisë’, ku në krye të reformave, është ajo kushtetuese dhe zgjedhore, përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse  politike.

Rrugë tjetër s’ka. Vendosja e Republikës kalon vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që ka në qendër shqiptarët dhe interesat kombëtare. Me reformimin e sistemit zgjedhor vendi do të ketë një politikë  të re, me objektiva të qarta qeverisëse që synojnë fillimisht çeljen e negociatave dhe pastaj anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Që të realizohet kjo marrëveshje duhet që partitë e vjetra të tejkalojnë vetveten dhe të dorëzojnë pushtetin e pamerituar që i kanë marrë sovranit popull.

Pa zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe pa pranuar plotësisht ‘Paktin Kombëtar’ dhe ‘Platformën e lirisë’ të propozuara nga Partia “Zgjidhja”, s’ka negociata, perspektivë, paqe dhe zhvillim. Rruga e vetme për klasën politike është marrëveshja gjithëpërfshirëse me objektiv të qartë BE-në.

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

0
Gylsen Zhllima: Pranimi i ‘Paktit Kombëtar’ të partisë “Zgjidhja”, detyrë kombëtare për partitë e vjetra

Gylsen Zhllima: Pranimi i ‘Paktit Kombëtar’ të partisë “Zgjidhja”, detyrë kombëtare për partitë e vjetra

Marrëveshja famëkeqe e 21 Prillit 2008 ka dështuar plotësisht së bashku me elitën e vjetër politike, e cilat ka bërë pazare me kodin aktual zgjedhor. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it për 30 qershorin vërtetoi që asnjëherë në historinë e pluralizmit shqiptar, nuk ka patur zgjedhje me standarde dhe se  raportet e mëparshme kanë qenë “pozitive” në çdo palë zgjedhje qendrore apo lokale,sipas interesave të partisë në pushtet.

Koha e vetmisë së kësaj klase politike ka arritur në fund. Tani është koha që nëpërmjet një reforme të thellë dhe e gjithanshme, t’i japim fund modelit të partitokracisë, korrupsionit dhe padrejtësisë që ka partia në pushtet. Rruga e vetme për në Bashkimin Europian kalon nga një marrëveshje, e cila do të garantojë stabilitet afatgjatë politik dhe ekonomik, duke sjellë demokracinë reale në çdo institucion shtetëror, që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe duke garantuar fundin e krizave ciklike.

Loja e Partisë Socialiste dhe e Partisë Demokratike, duke u bazuar te raporti skandaloz i OSBE/ODIHR-it, ka mbaruar. Pa reforma demokratizuese nuk mund të ketë demokraci reale. Elita politike aktuale ka dështuar plotësisht, si teorikisht ashtu dhe praktikisht nga mosveprimet me dashje për të reformuar  sistemin zgjedhor. Koha për veprim ka ardhur dhe duhet që secila nga palët të marrë iniciativa konkrete dhe koherente që përkojnë me interesat kombëtare. Asnjë marrëveshje midis dy apo tre partive nuk mund ta zgjidhë këtë situatë kaotike. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë përgjegjësi të barabarta me marrëveshjet e tyre të viteve 2008 dhe 2017.

Reforma zgjedhore është e pashmangshme. Palët duhet të përkrahin dhe të zbatojnë menjëherë projektin e propozuar nga Partia “Zgjidhja”, përmes “Paktit Kombëtar” dhe “Platformës së Lirisë”. Ky pakt është një detyrë kombëtare dhe duhet të bëhet realitet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse që do t’i kthejw popullit shqiptar sovranitetin e munguar për gati 30 vite.

Zgjedhjet e lira dhe të barabarta do të krijojnë mundësinë e perspektivës dhe emancipimit. Jo më zgjedhje të parakohshme, por së pari një marrëveshje që ka si destinacion paqen sociale, politike dhe ekonomike, me qëllim që dialogu të jetë transparent dhe frymëzues për të mirën e vendit.

Ftoj Partinë Demokratike që të reflektojë për kërkesën që ka për zgjedhje të parakohshme, pa patur një marrëveshje gjithëpërfshirëse që garanton stabilitet. Është koha që të ndërgjegjësohen dhe të fillojnë të mendojnë realisht se si mund të zgjidhet kjo krizë. Një gabim i vogël do të jetë fatkeqësi për vendin dhe demokracinë e munguar. Kërkohet përgjegjshmëri, seriozitet dhe maturi për të arritur një pakt kombëtar me destinacion të qartë rikthimin e Republikës.

Detyra e çdo subjekti politik është që nëpërmjet marrëveshjes gjithëpërfshirëse të garantojnë që çdo reformë që do të vijë më pas të mos cenohet nga askush që ka interesa të caktuara për të penguar realizimin konkret të tyre. Roli ynë është që të jemi gardianë të çdo reforme që garanton katharsis-in në çdo fushë të jetës politike shqiptare.

*Anëtar I kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

 

0