Koço Kokëdhima: Gjithçka për tepsinë dhe timonin

Koço Kokëdhima: Gjithçka për tepsinë dhe timonin

Rilindja i bëri votimet e 30 qershorit. Synimet e saj, si në farsën zgjedhore të 25 qershorit 2017, ishin vetëm tepsia dhe timoni. I arriti, madje pa i ndarë me askënd.

Pamjet tragji-komike me bravandreqës që thyejnë dyer bashkish, deri dje të djathta, për të futur brenda fituesin pa rivalë të Rilindjes, pas Devollit u përsëritën në Kavajë dhe do të jenë telenovela pa surpriza në të gjitha bashkitë që deri më sot mbahen me kyçe nga PD apo LSI.

Duket se rilindasve të rinj të pushtetit vendor u ‘hanë duart’ për punë dhe prandaj kryetari i ri i Devollit shkoi të hënën në zyrë që në orën 06.30 (!) ndërsa ky i Kavajës që në 07.45!

Është e faktuar se makutëria dhe hajdutëria e kryebashiakëve të katër viteve të shkuara sabotoi edhe reformën e rëndësishme të ndarjes së re territoriale. Një raport i KLSH-së, i disa muajve më parë, tregoi se ajo nuk çoi në konsolidimin fiskal, rritjen e të ardhurave dhe eficiencën e shpenzimeve. Pushteti vendor rriti vetëm vlerën e rreth 20 lloje taksash dhe tarifash, por jo ofrimin e shërbimeve. Ndërsa një raport i hartuar nga Shoqata e Bashkive konstatoi se reforma shtoi shpenzimet e bashkive dhe numrin e nëpunësve bashkiakë me 50 për qind, por uli shërbimet ndaj qytetarëve.

Duke kopjuar çdo të keqe të qeverisjes qendrore, bashkitë e majta dhe të djathta u kthyen në makineri tenderash korruptivë. Sipas “Open Procurement Albania”, deri në 7 maj 2019, 61 bashkitë e vendit shpallën tenderime me vlerë 15.8 miliardë lekë, 6.24 miliardë lekë më shumë se të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një pjesë e tyre ishin me ‘flamur të kuq’, për shkak të risqeve të larta, parregullsive dhe problematikave në garë, siç ndodhi në Tiranë, Shkodër dhe Kamëz. Në këtë paradë tenderash korruptivë nuk kishte si të mos kryesonte Tirana e cila në 4 muajt e parë të vitit 2019, tenderoi më shumë se të gjitha bashkitë e tjera të vendit.

Harxhimi i qindra milionë eurove për tendera korruptivë u shoqërua edhe me rritjen e taksave dhe të tarifave vendore për familjarët dhe bizneset. Shumica e bashkive rritën çmimet e ujit të pijshëm, edhe pse  furnizuan abonentët me më pak ujë. Nga Tirana deri në bashkitë më periferike, ndërmarrjet e Ujësjellës-Kanalizimeve u përdorën për të gjobitur qytetarët, për të bërë korrupsion dhe vende punësimi për militantët.

Më dramatike ishte politika sociale e strehimit të familjeve pa të ardhura. Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, në dekadën e fundit, ndërsa qeveritë nuk dhanë fonde për programet sociale të strehimit, asnjë bashki nuk ndërtoi vetë banesa sociale apo bleu nga tregu për t’i ofruar si banesa me kosto të ulët. Nga frika e dyndjeve në skemën e strehimit social, bashkitë madje nuk ofruan as regjistrin kombëtar mbi numrin e të pastrehëve dhe investimeve në banesa sociale.

Por kjo nuk i pengoi ato të jepnin me qindra leje ndërtimi. Shembulli më domethënës dhe më akuzues është Erjon Veliaj, i cili, katër vite pasi u mori votat qytetarëve të Tiranës me premtimin “zero ndërtime”, lejoi të ndërtohet edhe mbi parqe. Një vit më parë, në Tiranë u dhanë 388 leje ndërtimi, për një sipërfaqe prej 940 mijë metrash katror, nga 521 mijë metra katrorë në vitin 2017.

Edi Rama thotë sot se sheh vetëm dy kulla në Tiranë, ato të ndërtuara para 10 vitesh, por jo këto që kanë mbirë në çdo cep, nga qendra në periferi. Ndjehet krenar se në vitin 2018 bashkia arkëtoi 52 milionë euro, nga rritja e taksave për ndërtuesit, të cilët e kanë trasferuar rritjen e detyrimeve te çmimi i shitjes së apartamenteve dhe zyrave deri në 40 për qind. Por veç ndërtuesve, Veliaj po ua merr shpirtin famlijarëve dhe bizneseve me ‘Tarifën e pastrimit”, “Taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, “Taksën e përkohshme të infrastrukturës”, “Tarifën për parkimin e automjeteve”, ‘Për zënien e hapësirave publike’ etj, që e kanë bërë Tiranën ndër kryeqytetet më të shrenjtë të Europës për banorët e saj të përhershëm, në raport me të ardhurat e tyre.

Kjo është filozofia e tepsisë: mbyt me taksa, tarifa dhe gjoba, mos afro asnjë shërbim bazë shtetëror dhe devijoi ato me skema tërësisht korruptive te privati që merr buxhetin përmes PPP-ve dhe koncesioneve. Një skemë hajdutërie që nisi nga qeverisja qendrore dhe përfundon te bashkitë e falimentuara të një vendi të kapur nga një bandë në pushtet, që e ka kthyer në ves paranë dhe pushtetin, tepsinë dhe timonin.

0
Gylsen Zhllima: Reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, rruga për të dalë nga kriza

Gylsen Zhllima: Reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, rruga për të dalë nga kriza

Votimet e 30 qershorit ishin një farsë e sistemit vjetër politik. Ato faktuan se elita politike në Shqipëri është zhgënjim për vendin dhe për këdo që mendon të jetojë ende në atdhe.

Partia Socialiste, e cila mbështet ende vizionin e Rilindjes, përveçse ka trashëguar pushtetin e keqqeverisjes se vjetër, vazhdon me krenari dhe me ambicie thellimin e krizës në politikë, ekonomi, drejtësi, shëndetësi, arsim, mjedis, infrastrukturë dhe në shoqëri. Në 28 vite kriza nisi nga e majta  dhe u trashëgua nga e djathta dhe pastaj anasjelltas. Këtij vizioni ricikues Rilindja ia mori dorën dhe u bë një ndër misionaret  më të mëdha të PPP-ve, koncesioneve, tenderëve, oligopoleve dhe korrupsionit. Shoqëria civile është duke ‘kënduar’ nëpër hotelet me 5 yje se sa keq është katandisur Shqipëria nga emigrimi masiv i të rinjve, kurse Partia Demokratike, kërkon zgjedhje të lira dhe të ndershme, por pa patur dhe pa pranuar një projekt që e nxjerr vendin nga kriza që po kalon.

Krizat ciklike, të çfarëdolloj natyre, janë krijuar dhe janë risjellë nga elita e vjetër politike, me qëllim mbajtjen e pushtetit në çdo lloj forme dhe për interesa të ngushta personale. Nëse kjo elitë politike do të dëshironte të ndryshonte veten dhe Shqipërinë (e parealizueshme, sipas mendimit tim), do të ishte momenti që të prezantohej  qartë, pastër e bukur, reforma e re zgjedhore.

Ekziston vetëm një rrugë që  garanton stabilitetin afatgjatë politik. Ajo që partia ‘Zgjidhja’ ka propozuar për zgjidhjen e krizës së thellë dhe të rëndë:  Paktin Kombëtar dhe Platformën e Lirisë si dhe vullnetin për të bërë reformat më të thella për demokracinë. Gjithçka nis nga reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore, pa të cilat, çdo marrëveshje mes drejtuesve të partive të vjetra, do të ishte një pazar i ulët që vetëm e thellon krizën.

#ZgjidhjaPerDemokracinë

 

*Anëtar i kryesisë së partisë ‘Zgjidhja’

1
Koço Kokëdhima: Tre vitet e Reformës

Koço Kokëdhima: Tre vitet e Reformës

Tre vjet më parë parlamenti e votoi me shumicën absolute, 140 vota, Reformën në Drejtësi. Padyshim që drejtësia e re do të jetë më profesionale, më e përgjegjshme dhe më e sofistikuar se drejtësia e kaluar. Disa nga institucionet e saj janë krijuar dhe janë vënë në lëvizje. Rezultatet e para janë mbështetur nga shumica e qytetarëve. Por edhe skeptikët e kundërshtarët kanë tani më shumë gurë në duar. Ka qenë trishtuese të shikoje që të futen në një thes të gjithë gjyqtarët e prokurorët, të paragjykohen në grup si kriminelë e të korruptuar apo të vuajnë për gjëra që nuk lidhen as me profesionin e tyre dhe as me kohën e ushtrimit të tij. Opinioni publik është shqetësuar jo pak kur u pa të shkarkoheshin edhe gjyqtarë e prokurorë të ndershëm e të aftë. Po bëhet shumë kohë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë. Si vakuumi edhe përpjekja për t’i zëvendësuar me trupa të përkohshme të pavetuara kanë ushqyer mosbesim të shtuar. Njerëzit shqetësohen se shumëkush po përpiqet të kontrollojë drejtësinë e re. Nga tre vite më parë, euforia e ndërkombëtarëve është zbehur, ndërsa populli, si mbështetësi më i madh i saj, nuk shpreson më se do t’ia shohë hajrin së shpejti.

Është bërë edhe më e qartë se qeveria e Ramës nuk donte drejtësinë e reformuar. Donte vetëm kapjen e saj. Ishte presioni i ambasadorëve të huaj dhe shantazhi i tyre ndaj kryeministrit që ajo të bëhej. Kjo çoi në ndryshimet e Kushtetutës, që ju dhanë një rol të madh e të pamerituar disa ambasadorëve të huaj edhe pse ata nuk zgjidhen nga shqiptarët dhe nuk japin llogari për mbarëvajtjen e punëve të tyre.

Partia  ‘Zgjidhja’ e ka mbështetur si ulëritëse nevojën për një reformë të suksesshme në drejtësi, e vetëdijshme se pa reformimin e institucioneve të tjera kushtetuese, shoqëria dhe sistemi ynë politik nuk mund të dalin nga agonia 28-vjeçare.

Rrënimi i drejtësisë, i sundimit të ligjit, i institucioneve dhe administratës shqiptare nuk duhej t’u shërbente si alibi palëve vendase dhe të huaja të përfshira në përgatitjen, miratimin dhe implementimin e Reformës në Drejtësi, për të bërë secila interesat e veta dhe për t’i imponuar vendit gabime të reja e të rënda. Reforma në drejtësi nuk mund të ecë mirë si produkt i marëveshjeve okulte PS-PD, aq më pak vetëm si vullnet i shumicës aktuale të fryrë me deputetë droge, krimi e korrupsioni.

Shumica e majtë parlamentare e vitit 2016 e çoi fillimisht reformën për drejtësi në Parlament, me idenë se do t’i “kaparoste” dy-tre deputetë besëthyer nga grupi i opozitës. Janë gjithnjë e më shumë njerëzit që mendojnë se ajo duhet të zhvillohet në të gjitha fazat e saj me transparencë, me konsensus kombëtar dhe gjithpërfshirës dhe në përputhje të plotë me standardet e kushtetutave të demokracive të konsoliduara parlamentare të BE-së. Vetëm kjo do t’i shërbente forcimit të paqes dhe integrimit real të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërsa tentativa për ta bërë reformën vetëm me deputetët e PS-së dhe pa prekur aspak përqëndrimin e të gjitha pushteteve dhe burimeve në duart e tre-katër njerëzve, është rruga e rrezikimit të paqes së vendit, rruga e përçarjes dhe e shkatërrimit të bashkimit kombëtar.

Perëndimi e diktoi reformën në drejtësi për të garantuar interesat e tij gjeopolitike në hapësirën shqiptare dhe mirë bëri. Por ai nuk bëri asnjë përpjekje reale për demokratizimin e qeverisjes, shtetit dhe të zgjedhjeve shqiptare. Përkundrazi, mbylli sytë dhe toleroi në gati tri dekadat e fundit gërryerjen, tkurrjen dhe përkeqësimin deri në absurditet të demokracisë shqiptare.

Reforma në drejtësi manifestoi aspektet e një puçi institucional. Ajo shkeli në mënyrë flagrante sovranitetin kombëtar dhe Kushtetutën e vendit. Është e paimagjinueshme që reformën në drejtësi do ta realizojë qeveria përgjegjëse për kanabizimin e vendit, shkatërrimin e lirive politike, ekonomike e njerëzore, korrupsionin endemik dhe kriminalizimin e çdo qelize të shtetit dhe shoqërisë sonë. Është gjithashtu e pabesueshme se reforma në drejtësi do t’i bëjë shqiptarët të barabartë përpara ligjit. Padrejtësia është në sistem e në ligj. Madje ligji këtu bëhet pikërisht për të vjedhur interesat e shumicës dhe për të favorizuar sundimin e një grushti njerëzish. Drejtësia e re do ta mbrojë më mirë regjimin shtypës dhe antidemokratik që sundon Shqipërinë me ligjet dhe kushtetutën që bëjnë kryetarët e partive si tu dojë qejfi përmes deputetëve që vetë i emërojnë. Kjo drejtësi nuk e reformon dot sistemin, nuk e rikthen dot demokracinë dhe sovranitetin e popullit, nuk e kufizon dot pushtetin sulltanor të kryetarëve të partive të vjetra, nuk i ndalon dot ambasadorët e huaj që të mbështesin autokratët e Tiranës që shërbejnë me servilizëm haptazi dhe fshehtazi planet dhe veprimet që janë kundër interesave të larta të shtetit dhe të kombit shqiptar, nuk i ndalon ambasadorët e huaj as të sillen si guvernatorë apo sikur Shqipëria të ishte protektorat dhe jo shtet sovran dhe i pavarur.

Kriza e thellë politike, ekonomike, demografike dhe institucionale vazhdon. A ka rol reforma në fjalë në këtë situatë? Palët në konflikt e paraqesin Reformën në Drejtësi si kalin e betejës në rreshtimin e tyre në përpjasjen më irracionale të tranzicionit që po zhvillohet gjatë këtij viti me krizën që kulmoi në 30 qershor. Padyshim që ato duan imunitet penal dhe përjetësim të pushtetit të liderëve të tyre. Në momentin kur këta do të marrin garancinë se nuk do të jenë subjekte të drejtësisë së reformuar, atëherë do të ketë edhe marrëveshje të reja mes tyre për ti shkaktuar plagë të reja pavarësisë së drejtësisë.

‘Zgjidhja’ në qeverisje nuk do të lejojë që reformat kushtetuese të bëhen në kurriz e në dëm të sovranitetit kombëtar, të rolit dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë në demokraci. Ne jemi falenderues e mirënjohës për mbështetjen e vendeve mike, por për interesa personale e partiake nuk do të pranonim në asnjë rast të përkrahim apo të përkrahemi në qëndrime e projekte që janë kundër interesave tona kombëtare edhe nëse plane të tilla fitojnë mbështetjen e hapur ose të heshtur të vendeve në fjalë.

Partia ‘Zgjidhja’ është kundër pazareve të mëkatarëve të mëdhenj të tranzicionit, kërkon mbështetjen dhe çuarjen deri në fund me paanshmëri dhe me shpejtësi të Reformës në Drejtësi, plotësimin e trupave të kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë me persona që kanë kaluar vettingun dhe me mandat të plotë kushtetues, thellimin dhe konsolidimin e pavarësisë së gjyqësorit.

#ZgjidhjaPerShqipërinë

1
Arben Rrozhani: Pranimi pa bujë i projektit ‘Kokëdhima’

Arben Rrozhani: Pranimi pa bujë i projektit ‘Kokëdhima’

Pak javë më parë, në një studio televizive, Koço Kokëdhima shprehej për partinë që themeloi dhe drejton prej prillit 2017: “ ‘Zgjidhja’ ka bërë një punë shumë të madhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik, për të vërtetën e vendit tonë dhe për t’u treguar shqiptarëve rrugën e daljes nga kjo gjendje e pashpresë. Ne kemi një narkoshtet të izoluar ndërkombëtarisht, qoftë nga pikëpamja diplomatike, qoftë nga pikëpamja ekonomike. Sot ‘Zgjidhja’ nuk ka prioritet luftën për marrjen e pushtetit. Ajo është e përqëndruar në luftën për ndryshimin e sistemit dhe çlirimin e zgjedhjeve. Ky është objektivi kryesor i saj në këtë periudhë të historisë sonë”.

Kjo është e vërteta e partisë ‘Zgjidhja’, projektit ‘Kokëdhima’, tezave të hedhura prej fundvitit 2016, Paktit Kombëtar dhe Platformës së Lirisë dhe faktit se, në mungesë të projekteve të tyre, PS, PD dhe LSI i kanë marrë dhe po i bëjnë të vetat këto teza.

Le të bëjmë pak histori:

Në fund të shkurtit 2017, Koço Kokëdhima po bënte takimin e radhës në Durrës, pas disa takimeve të tjera me mbështetësit e ‘Zgjidhja’-s. Në nisje të fjalimit, shprehej: ‘Ironia qëndron në faktin se, në krye të luftës për zgjedhje të lira e të ndershme janë vënë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Ata sot ndihen të kërcënuar nga një sistem zgjedhor i ndërtuar nga vetë Berisha dhe Rama. Kodi zgjedhor që kemi në fuqi është pikërisht ai që la Berisha përpara 3 vitesh e gjysëm. Lidershipi i Partisë Socialiste është përgjegjës edhe për faktin se gjatë këtij mandati nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i pastruar zgjedhjet e qershorit dhe për ta shëruar përfundimisht këtë kancer që nuk e lejon Shqipërinë që të ngrejë kokë’.

Gati dy vite e gjysëm më vonë ironia është me më shumë ‘ngjyra’. Berishës dhe Bashës i janë shtuar Kryemadhi e LSI-së, por edhe vetë kryetari i PS-së, Rama që flasin për zgjedhje të lira dhe për dorëzimin e administrimit të zgjedhjeve nga partitë: të gjithë kopjacë hileqarë në vjedhjen e tezave për Shqipërinë demokratike. Ashtu siç është edhe pjesa serioze e marrjes dhe shpërndarjes së ideve: përfaqësues të politikës, intelektualë, veprimtarë të shoqërisë civile dhe individë me peshë në opinion publik, që tashmë po zgjohen nga ‘letargjia’, ku kishin rënë, për të kuptuar se ishin pengje të një sistemi të marrë peng nga disa kryetarë partish të vjetra.

‘Dashuria’ e madhe e partive të vjetra për projektin e demokratizimit të vendit, shpërtheu sodomos pas disfatës së tyre në votimet e 30 qershorit 2019, me pjesëmarrjen historikisht të ulët, rreth 16 për qind, dhe një refuzim total që votuesit u bënë si qeverisë, por edhe partive të opozitës.

Tani kryefjala e përfaqësuesve tipikë politikë të tranzicionit shqiptar janë bërë vota e lirë, administrata zgjedhore jopolitike, votim dhe numërim elektronik, kthim pushteti te Sovrani…

A e duan këto këtë ndryshim dramatik dhe kërcënues për bashkësitë e tyre politikie, por të paevitueshëm?

Jo, nuk e duan, por do të duhet ta pranojnë, nëse duan të mbijetojnë.

Në janar 2017, PS-ja u shpreh zyrtarisht kundër votimit elektronik, kur pas 5 muajsh ishin planifikuar zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 18 qershorit 2017. Katër vite me radhë, PS-ja anashkaloi atë që kishte kërkuar 8 vite në opozitë: votimin dhe numërimin elektronik, si mënyrë për të hequr nga duart e partive vjedhjen e zgjedhjeve. Koço Kokëdhima kishte nisur betejën publike qysh në nëntor 2016 për çmontimin e pushtetit absolut të kryetarëve të partive dhe kthimin e të drejtës së votës dhe të zgjedhjes së deputetëve, këshilltarëve dhe drejtuesve të pushtetit vendor te anëtarësia. Ai propozoi një projekt me pesë pika që do të modernizonin dhe pastronin zgjedhjet në Shqipëri. Ndryshe nga PS-PD që flisnin vetëm për një votim elektronik në disa vendvotime, duke e cilësuar thjesht si projekt pilot, Kokëdhima propozoi votim elektronik dhe numërim elektronik në qendrën e votimit; këmbëngulte për një administratë zgjedhore apartiake; një kontroll të rreptë dhe të plotë mbi financimin e zgjedhjeve; një kuadër masash ligjore që kriminalizojnë çdo shkelje në procesin elektoral, duke i cilësuar si përgjegjësi të rënda penale shit-blerjen e votave, manipulimin, trafikimin si dhe trajtimin si krime të rënda penale urdhrat që japin kryetarët e partive.

Këto teza të artikuluara nga Kokëdhima, copy-paste u morën nga Lulzim Basha për të motivuar dhe dizenjuar projektin e “Republikës së Re”, me të cilën luajti 3 muaj në ‘Çadrën e lirisë’, por që e shiti për disa poste bashkëqeverisëse me Ramën më 18 maj 2017.

‘Zgjidhja’ i bojkotoi zgjedhjet e 25 qershorit 2017 dhe u bëri thirrje partive të tjera të bënin të njëjtën gjë. Nuk dëgjuan dhe dështuan. Kokëdhima e shpjegoi shumë thjeshtë: ‘Sistemit ynë elektoral është pervers. Partive të mëdha u mundëson deputetë me 7-8 mijë vota, ndërsa të voglave nuk u mundëson asnjë deputet për shumë më tepër vota se kaq. Ato dështuan sepse nuk janë të përgatitura siç duhet, nuk kanë struktura, burime njerëzore, materiale dhe financiare, institucione, programe alternative qeverisëse, strategji e taktika të mirëstudiuara elektorale. Ato konkurojnë në kushte krejtësisht të pabarabarta. Shkuan në zgjedhje pa standarde dhe pa aftësi për t’u përballur me kurthet e pafundme që ju ngrenë Rilindja dhe partitë e vjetra’.

‘Zgjidhja’ i bojkotoi edhe votimet farsë të 30 qershorit 2019 dhe sërish u bëri thirrje partive të tjera, sidomos atyre të reja të mos bëheshin pjesë e farsës. Sërish nuk dëgjuan dhe tani ‘gjuajnë’ me ankimime në KQZ-në e PS-së fitoren me 107 për qind të kandidatëve të Rilindjes.

Tani edhe i superpushtetshmi, Edi Rama do ndryshimin e rregullave të lojës, të paktën në aspektin  propagandistik.  ‘Kjo ishte hera e fundit që zgjedhjet administrohen nga partitë politike. Do duan apo s’do duan bojkotuesit e këtyre zgjedhjeve që ikën, ne do ta depolitizojmë administratën zgjedhore. Besoj edhe me mbështetjen e opozitës parlamentare”-deklaronte ai, gjatë fjalimit në Kuvend, të hënën e shkuar, më 8 korrik 2019.

Por kjo lojë mund të bëhet edhe nëse Rama dhe partia e tij nuk e do ndryshimin e sistemit. Atë mund ta imponojë opozita, nëse është e sinqertë në betejën për ndryshimin e gjendjes aktuale.

Në shtator 2017, PD-ja u duk se reflektoi ndaj apeleve të partisë ‘Zgjidhja’ se reforma zgjedhore është mëma e reformave në Shqipëri dhe se ajo duhet bërë me urgjencë. Ajo dorëzoi kërkesën për të ngritur një komision parlamentar ad hoc për Reformën Zgjedhore, me dy pika kryesore: shitblerjen dhe manipulimin e votës dhe votimin elektronik.

‘Zgjidhja’ e përshëndeti këtë hap dhe kërkoi nga Lulzim Basha dhe Edi Rama që të bëjnë “Mea culpa” publike për krimet elektorale që kanë bërë në Shqipëri PD dhe PS.

‘Zgjidhja’ paralajmëroi se nëse reforma zgjedhore do të mbetej në një kuadër bipartizan PD-Rilindje siç ka ndodhur në të kaluarën dhe nëse reforma zgjedhore nuk shoqërohej me një reformë rrënjësore të partive politike në Shqipëri, kjo përçapje gjysmake vetëm sa do t’i përkeqësojë zgjedhjet.

Ashtu siç edhe ndodhi.

PS-PD ranë dakort për të mos ndryshuar Kodin Zgjedhor, për të bërë ca retushime dhe mundësuar votimin e emigrantëve dhe e lanë reformën në fillim të rrugës.

‘Zgjidhja’ këmbënguli që objekt të reformës zgjedhore të ishin edhe: depolitizimi i administratës zgjedhore, sepse dy-tri parti nuk mund të administrojnë zgjedhjet ku garojnë edhe shumë parti të tjera dhe ku komisionerët e caktuar nga partitë shqyejnë votat; Pa demokratizim të partive politke nuk mund të ketë demokratizim të qeverisjes dhe të sistemit. Të hiqet me ligj monopoli që kanë kryetarët e partive për të caktuar kandidatët në zgjedhje, ndërsa u duhen prerë financimet partive politike që nuk do t’i caktojnë kandidatët për deputetë, kryetarë dhe këshilltarë bashkie me zgjedhje primare nga populli dhe përmes një procesi të garantuar me ligj.

Edi Rama nuk ka preferuar të flasë ende për këto tema të nxehta që çojnë në heqjen e pushtetit abuziv të kryetarëve të partive. Ndërsa Lulzim Basha, parimisht, është evaziv, i paqartë dhe i përgjithshëm. Më 7 mars 2019, Basha duke prezantuar një formulë për zgjidhjen e krizës politike, foli për anulimin e marrëveshjes Rama-Berisha të 21 prillit 2008 si dhe për një formulë që zbeh kompetencat e kryetarëve të partive.

Kokëdhima e përshëndeti këtë deklaratë të Bashës, edhe pse e cilësoi të pamjaftueshme. ‘Ai duhet të deklarohet prerazi e përfundimisht për barazinë e zgjedhjeve dhe për depolitizimin e administratës zgjedhore. Këtë që premton sërish Basha përpara shqiptarëve, unë ia kërkova zyrtarisht që në janar 2017, kur i bëra thirrje që të pranonte krimet elektorale që kishte bërë PD në të shkuarën dhe t’i bashkohej projektit të ‘Zgjidhja’ që kandidatët për deputetë të zgjidhen nga populli përmes sistemit të primareve”-deklaronte Kokëdhima. Dy ditë më parë, përmes një video-mesazhi Basha premtoi edhe në emër të partive të tjera opozitës se do të prijë aspiratën e tyre për ndryshim. ‘Zgjedhjet e lira e të ndershme do t’i hapin rrugën transformimit politik dhe ekonomik që ka nevojë Shqipëria, ndryshimit që kërkojnë shqiptarët’-shprehej ai. Pas tij, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI-së, në një status në Facebook, mes të tjerave, shprehej: ‘Shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme…’.

‘Zgjidhja’ u ka bërë thirrje të gjithëve që të bashkohen rreth projektit të Paktit Kombëtar, për Reformën Zgjedhore dhe Kushtetuese me qëllim çlirimin përfundimtar të votës së lirë, procesit zgjedhor, parlamentit, qeverisjes dhe të vetë partive. Në aspektin deklarativ, të gjithë janë dakort. Mungojnë vetëm partnerët tanë ndërkombëtarë që e dinë shumë mirë të vërtetën se ende nuk bëjmë dot zgjedhje të lira e me standarde si në vendet e tjera të Europës dhe kanë në të pjesën e tyre të fajit.

Projekti ‘Kokëdhima’ tashmë është një realitet i pranuar gjerësisht, për t’i ikur sa më parë dramës së sotme. Sa më shpejt të zbatohet, aq më mirë është për të gjithë, veçanërisht për Shqipërinë. Ai ka paralajmëruar sistematikisht prej tri vjetësh: Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër!

3
Koço Kokëdhima: Shqipëria është gati për ndryshimin hyjnor

Koço Kokëdhima: Shqipëria është gati për ndryshimin hyjnor

 

E nderuar redaksi! E lexova pyetësorin tuaj, që hapte dje gazetën ‘Dita’.

Ju perifrazoni korrekt Edi Ramën të thotë shpesh që më të mirë se qeveria e tij Shqipëria “nuk ka patur, nuk ka dhe nuk do të ketë për ca kohë”. Realiteti është krejt ndryshe. Shqipëria ka qeverinë më të papërgjegjshme, më mizore, më antikombëtare, më vasale, më arrogante, më të korruptuar dhe më të lidhur me krimin se të gjitha qeveritë e 29 viteve të fundit. Qeveria është vetë krimi në pushtet.

Edi Rama është maniak për pushtet dhe për pasuri. Për to ai ka bërë dhe bën gjithçka. Ndaj jemi këtu, të fundit në gjithçka, në rajon. Vendi më i varfër, plot me njerëz të uritur dhe në mjerim, me të pashpresë, të ndrydhur, të vrarë, të përbuzur, të vjedhur dhe të zvetënuar nga gjithçka, që ka përzënë pjesën më vitale dhe më të ditur rrugëve të botës.

Fajtore është elita e vjetër politike që është rrotulluar në shtratin e pushtetit në këto tri dekada dhe që ka pjellë këtë sistem politik të deformuar, antidemokratik, autokratik: thjesht një regjim despotik që nuk e llogarit popullin, por e rrjep atë. ‘Zgjidhja’ që drejtoj e ka vënë në shënjestër këtë elitë që është armike e lirisë dhe e demokracisë, që ka marrë peng një popull të tërë.

Kështu nuk mund të vazhdohet më. Kemi vite që e themi. Duhet të marrë fund sundimi i kësaj klase të dështuar politike. Sepse Shqipëria nuk e meriton varfërinë, padijen dhe arrogancën e pushtetit. EUROSTAT tha dje se Shqipëria është në fund fare në rajon për rritjen e të ardhurave për frymë, kur fqinjët tanë po i rritin thelbësisht, edhe pse s’kanë as burimet tona të çmuara natyrore, as pozitën tonë gjeografike, as njerëzit tanë të mrekullueshëm dhe punëtorë.

Këto para që u merren shqiptarëve, shkojnë në llogaritë e bajlozëve të korrupsionit, kryetarëve të partive të vjetra, qeveritarëve dhe klientëve të tyre, të gjithë të pangopur. Nuk mund të krahasohemi me asnjë nga vendet ish-komuniste. Shumica janë me kohë në BE, kanë prosperuar bindshëm. Madje na ka lënë pas edhe Kosova që ka vetëm 11 vite shtet i pavarur, probleme të shumta politike e etnike dhe luftën e sabotimin e përditshëm të Serbisë.

Partitë e vjetra nuk kanë asnjë projekt për ta bashkuar Shqipërinë me pjesën tjetër të botës demokratike. U leverdis status-quo-ja. PD dhe LSI adhurojnë rotacionin e pushtetit, jo hapjen dhe demokratizimin e sistemit.

Kjo duhet të marrë fund, ndryshe Shqipërisë po i vjen fundi, në çdo kuptim. Fatkeqësi! Votimet e 30 qershorit paralajmëruan fundin e elitës së vjetër politike, e cila prej 25 vitesh vjedh vota për të grabitur vendin. Siç thotë poeti Arben Duka: ‘Sot kemi përballë dy kampe armike, krejt ka degraduar, kjo klasë politike!’ Detyra jonë është t’i bëjmë funeralin kësaj kufome që po qelb dynjanë.

Ju pyesni: A ka ardhur koha për një forcë të re politike, jo prej atyre që prodhohen në laboratorët e të njëjtëve dhe a është Shqipëria gati?

‘Zgjidhja’ që nisi si lëvizje brenda PS-së në vjeshtën e vitit 2016, nuk ishte prodhim laboratori i të njëjtëve. Ndryshe nuk do ta sulmonte Rilindja bashkë me mëkatarët e mëdhenj të tranzicionit me aq armiqësi, të më përndiqte mua dhe bashkëpunëtorët e mi, duke mos lejuar demokratizimin dhe hapjen e PS-së.

Kjo nuk pranoi të bëhej demokratike për të nisur demokratizimin e qeverisjes, institucioneve dhe të vetë partive të tjera, që janë thjesht bashkësi parapolitike, organizata kriminale që plaçkisin shtetin dhe popullin për pushtetin dhe pasurimin e kryetarëve të tyre. ‘Zgjidhja’ është forca e re politike që i duhet vendit. Prej mëse dy vitesh e gjysmë udhëheq debatin politik, tezat e saj janë bërë gjithnjë e më popullore, thithen dhe shpërndahen në debatin politik nga partitë, shoqatat dhe individët.

Pakti Kombëtar për zgjidhjen e krizës nuk është pranuar vetëm nga partitë e vjetra që shohin te ai rrëzimin e tyre dhe dorëzimin e pushtetit që i kanë rrëmbyer popullit. ‘Zgjidhja’ nuk kërkon pushtet për veten, por liri për shqiptarët. Pakti Kombëtar dhe Platforma e Lirisë që ‘Zgjidhja’ propozon janë rruga e vetme e shpëtimit.

Sa më shpejt ta kuptojnë këtë gazetarët, studentët, akademikët, intelektualët dhe sipërmarësit, aq më shpejt do të ndodhë ndryshimi hyjnor. Ndjej keqardhje të thellë kur shoh nëpër studiot televizive, çdo mbrëmje, përfaqësues të grupeve të mësipërme që gjejnë pa fund arsye për të përligjur skllavërimin e shoqërisë.

-Për shkak të rrethanave, thonë ata, është mirë që mamuthët e korrupsionit t’i ushtrojnë edhe për disa kohë të drejtat e sovranit! Kur populli të bëhet sovran dhe zot i fateve të tij, në atdheun tonë do të rilindë shpresa dhe zhvillimi.

Atëherë kjo qeveri dhe Mëkatarët e Mëdhenj të tranzicionit do të duken ashtu siç janë në të vërtetë, turpi i turpit të historisë!

Në fakt, Shqipëria është gati, shqiptarët janë gati për këtë ndryshim!  Ata që adhurojnë dhe shërbejnë shtypësit e gjithëpushtetshëm nuk do të luftojnë kurrë për lirinë e tyre, aq më pak për lirinë e vendit.

 

*Botuar sot në gazetën DITA

0
Koço Kokëdhima: Loja mori fund!

Koço Kokëdhima: Loja mori fund!

 

Menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017, OSBE/ODIHR, në raportin përfundimtar, përpiloi edhe disa “rekomandime kyçe”, të cilat duhej të ishin realizuar nga parlamenti dhe qeveria përpara se të vinte koha e votimeve të radhës për pushtetin lokal:`Thembra e Akilit` cilësohet Reforma Zgjedhore e cila duhej bërë, “gjithëpërfshirëse, e zhvilluar në kohë dhe e mbështetur në analiza të plota të politikave, me qëllim trajtimin e rekomandimeve të këtij raporti”. Theksohej gjithashtu se ajo (Reforma Zgjedhore) duhet të përfshinte harmonizimin e “dispozitave në ligje të ndryshme, që kanë të bëjnë me zgjedhjet”.

Rekomandimet kyçe ishin:

– “Përpjekje serioze […] për të trajtuar çështjen e vazhdueshme të blerjes së votës, si nëpërmjet një fushate për ndërgjegjësimin qytetar, ashtu edhe nëpërmjet ndjekjes penale, me qëllim forcimin e besimit te procesi zgjedhor. [..]Një refuzim publik nga ana e politikanëve për të pranuar mbështetje financiare nga individë me të kaluar kriminale do të ndihmonte në ndërtimin e besimit të publikut në integritetin e zgjedhjeve.

– Ngritjen e “një organi transparent, të pavarur dhe përfshirës” me detyrën e ndjekjes “së veprës për abuzim me burimet e shtetit dhe ushtrimin e ndikimit mbi votuesit”.

– Emërimin mbi baza jopartiake të komisionerëve zgjedhorë dhe anëtarëve të grupeve të numërimit.

– Kufizimet e së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuar mendore duhet të hiqen dhe “heqja automatikisht e zgjedhësve të moshës 100 vjeç”.

– Dispozitat penale për shpifjen duhet të shfuqizohen duke u dhënë përparësi zgjidhjeve juridike civile të hartuara për të rivendosur në vend reputacionin e dëmtuar.

Në mënyrë të përmbledhur është kërkuar që, Komisioni i Reformës Zgjedhore në parlament duhej që gjatë këtyre 2 viteve e gjysmë (në fakt mbeti i kyçur “për meritë” të dy palëve, PS e PD),  të rishikonte dhe të harmonizonte të gjithë legjislacionin që i përket deformimit të zgjedhjeve në mënyrë sistematike, gjatë këtyre 29 viteve.

Thelbi i detyrave që ju vendosën kësaj klase politike kishte të bënte me krijim e një sistemi të ri, i cili do të bënte të mundur; shkëputjen e politikës nga krimi i organizuar në operacionet e tyre për grabitjen, blerjen dhe shantazhimin e votës; Krijimin e një organi të pavarur të monitorimit të fushatave zgjedhore: Depolitizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe të të gjithë komisioneve të tjera zgjedhore; Zgjerimin e të drejtës së  votimit (emigrantët); si dhe ndryshimin e Kodin Penal.

Kjo reformë e cila duhej të ishte mbyllur përpara muajit qershor të këtij viti u vendos, edhe si kusht nga ministrat e Jashtëm të vendeve të Bashkimit Europian, për hapjen e negociatave.

Por çfarë ndodhi?!

Sot, gati 2 vite e gjysmë më pas, jo vetëm që nuk është plotësuar asnjë nga këto rekomandime, por bëmë shumë hapa pas me votimet e turpshme mono-partiake të 30 qershorit. Të gjitha palët përgjegjëse me ndërgjegje të plotë e sabotuan këtë reformë jetike sepse e dinë që implementimi i saj dhe çlirimi i votës, shënon edhe fundin e sundimit të tyre. Nëse ka një marrëveshje mes PS-së së Ramës dhe PD-së së Lulzim Bashës, e cila deri më tani ka qenë e  paprekshme, ishte pikërisht kjo; mosndryshimi i këtij sistemi malinj që jo vetëm e pengon vendin në rrugëtimin drejt BE-së, por është edhe mëma e korrupsionit, lidhjes së shtetit dhe politikës me krimin, varfërisë dhe eksodit masiv të shqiptarëve. Por loja ka ndryshuar. Në fushë është futur populli!

Nuk duhet harruar se edhe vetë përfaqësuesit e OSBE/ODIHR-it në Tiranë dhe në Vjenë, si dhe Delegacioni i BE-së, jo vetëm nuk kanë bërë presionin e duhur për implementimin e kësaj reforme, por përkundrazi, vetëm kanë bërë sehir se si PS dhe PD talleshin me rekomandimet dhe kushtet e tyre.

Dje, Edi Rama, gjatë fjalimit të tij të përçartur në parlament, duke folur për votimet e 30 qershorit që komisionierët e partisë së tij i masakruan deri në komedi deklaroi se, “ato ishin të fundit me komisionerë partiakë”!

Eureka! Edi Rama, më në fund, me gjysmë zëri dhe i ngecur në kurthin që i ka ngritur vetvetes, pranon që të heqë dorë nga kontrolli partiak i zgjedhjeve…

Partia “Zgjidhja” ka 3 vite rresht (më herët se të shkruheshin në letër nga OSBE/ODIHR-i) që kërkon jo vetëm këtë gjë, por edhe më tej; ndryshimin rrënjësor të sistemit, përfshirë edhe kushtetutën e masakruar për këtë çështje nga Berisha-Rama në vitin 2008.

‘Zgjidhja’ sistematikisht i ka kërkuar kësaj klase politike që të reflektojë, duke iu bashkuar projektit të Paktit Kombëtar, për një dakordësi të përgjithshme për  Reformën Zgjedhore dhe Kushtetuese me qëllim çlirimin përfundimtar të votës së lirë, procesit zgjedhor, parlamentit, qeverisjes dhe të vetë partive.

Ky Pakt me të cilin janë pajtuar shumica e opinionit publik dhe mjaft faktorë e aktorë politikë, akademikë, grupe interesi dhe nga shoqëria civile, është shansi i vetëm që vendi të shpëtojë jo vetëm nga kriza aktuale vrastare, por edhe nga tranzicioni 29-vjeçar.

Mes të tjerave, atë që i kemi kërkuar gati çdo ditë kreut të PD-së Lulzim Basha, që në mënyrë të njëanshme të heqë dorë nga komisionet partiake zgjedhore e kapi si “varkë shpëtimi” Edi Rama, kryepuçisti kundër republikës, sovranitetit të popullit dhe zgjedhjeve.

Nga ana tjetër, Luzim Basha, në fjalën që mbajti gjatë protestës së të hënës, foli për herë të parë për një “epokë të re dhe sistem të ri”.

“Detyra më e madhe, prioriteti numër një, është t’u japim shqiptarëve ndryshimin e vërtetë, fundin e tranzicionit, Shqipërinë e lirive, mundësive dhe mirëqenies për të gjithë’, tha Basha.

Por si do ta mbyllin këta të dy tranzicionin shqiptar?!

Ata spërdridhen dhe nuk deklarohen përfundimisht, të paktën për rekomandimet e mësipërme të cilat janë mykur në Kuvend.

Votimet e 30 qershorit, në fakt, ishin një referendum popullor, që tregoi se qytetarët janë pështirosur nga zgjedhjet fake dhe kriminale që bën kjo klasë politike. Për votën e lirë nuk ka më vend për negociata dhe as mashtrime të dala boje prej 3 dekadash. Shqiptarët tashmë janë të ndërgjegjshëm se ku çalon demokracia e tyre; se përse vidhen në mënyrë kaq të pamëshirë; se përse janë populli më i varfër në Europë dhe më tej.

Këtë e ka kuptuar, edhe Edi Rama e Lulzim Basha. Loja mori fund!

Së shpejti, vrasësit e demokracisë kemi për t’i parë si partizanë të reformave, duke synuar të shpëtojnë sa të munden nga anijet e tyre që po mbyten.

Por me Ata, apo pa Ata, ka ardhur koha që në Shqipëri të çlirohet vota dhe vendi të futet më në fund në një sistem të demokracisë funksionale, njësoj si gjithë popujt e Europës.

Këtë nuk e negociojnë më shqiptarët. Të tjerat janë “politikë”!

 

1
Koço Kokëdhima: Hap kutitë, ose largohu!

Koço Kokëdhima: Hap kutitë, ose largohu!

Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri, i vënë në këtë post pas marrëveshjes okulte Rama-Basha, mesnatën e 18 majit 2017 për bashkëqeverisje PS-PD, por i lënë në minorancë pasi PS-ja ka katër anëtarë, propozoi një ditë më parë hetim administrativ të votimeve të 30 qershorit dhe hapjen e kutive të votimit. Por socialistët ia rrëzuan me alibinë se “Ky propozim është hedhje në erë e të gjithë procesit zgjedhor”, edhe pse të dielën e kaluar vetëm proces zgjedhor nuk pati.

Në aspektin administrativ, kërkesa e Zgurit është e drejtë dhe mjaft minimaliste. Siç argumentoi ai, i gjithë procesi u vëzhgua vetëm nga 4 komisionerë të PS-së dhe të gjithë duhet të jenë mosbesues. Është minimalist sepse transparenca e kutive duhet të garantohet në çdo rast kur ka dyshime të arsyeshme dhe pretendime nga palët e interesuara. Kjo duhet të zgjidhet me ligj një herë e përgjithmonë. Është minimaliste edhe sepse kërkohen vetëm procesverbalet e mbylljes së qendrave të votimit dhe listat, ku tregohet qartësisht se kush dhe sa persona kanë votuar.

Shumica në KQZ u shpreh se mish-mashi i shifrave që rriteshin orë pas ore ndodhi edhe në zgjedhjet e vitit 2017, për shkak se u bënë publike informacione paraprake dhe jo të zyrtarizuara.

Politikisht kërkesa e kryetarit të KQZ-së është korrekte dhe për ironi të faktit shkon me betejën e dikurshme të shumicës në pushtet, që çoi te greva e urisë dhe pajtimi me “Darkën e Krokodilit’.

Po kthehem gati një dekadë më pas.

Më 3 dhjetor 2009, kur PS-ja e Ramës ishte në opozitë, ai do të deklaronte, duke iu referuar Berishës, atëherë kryeministër: ‘Kuptoi më në fund se e vërteta e kutive të 28 qershorit nuk mund të asgjësohej më bashkë me kutitë dhe se opozita ka vendosur të sakrifikojë deri në fund, për t’i dhënë fund traditës së mbrapshtë të sakrifikimit të lirisë e ndershmërisë së zgjedhjeve në Shqipëri. Nga njeriu që mori peng kutitë për të fshehur  vjedhjen e madhe të zgjedhjeve, Sali Berisha u ndje i gjithi peng i kutive që mban forcërisht mbyllur. Me sa duket edhe tentativat e bëra tinëz për të rregulluar kërdinë e kyçur në kuti deri këtu kanë dështuar’.

Rama e akuzoi Saliun se: ‘Harroi mësimin e vyer të vitit 1996, kur me prekjen e votës së popullit filloi në fakt fundi i sundimit të Saliut të Parë’, se ‘Tanimë për opozitën kutitë nuk janë i vetmi objektiv’ se ‘Hap kutitë ose largohu’-, kjo do të jetë kryefjala e protestës sonë’.

‘Hap kutitë ose ik. Deri në fund. Deri në ditën e lirisë  së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran’-e mbyllte fjalën e tij, në emër të votës së lirë dhe të paprekshme  të Sovranit, ish-kryetari i opozitës së atëhershme dhe kryeministri i sotëm, prej gati 6 vitesh.

Ai kishte plotësisht të drejtë në këtë kërkesë, sa ç’mund të ketë kreu i KQZ-së sotme dhe çdo shqiptar i pablerë prej qeverisë së tij, në të drejtën për të zbardhur farsën e votimeve të 30 qershorit, ku Rilindja ishte vetë organizatore, vetë votuese, vetë numëruese dhe vetë certifikuese.

Jam i bindur se Rama, siç ia kaloi Saliut në vjedhje, korrupsion, trafiqe, lidhje me krimin e organizuar, koncesione dhe marrëveshje antikombëtare, e la shumë mbrapa edhe në vjedhjen e hapur e të fshehtë të zgjedhjeve, jo vetëm më 30 qershor 2019, por edhe në vitin 2015, edhe në Dibër më 2016, edhe në 2017-ën.

Nuk ka shqiptar që nuk e di këtë, përveç trutharëve, të verbërve e skllevërve, përveç të blerëve nga qeveria me një rrogë  administrate, me ndere e favore dhe me paratë e buxhetit. Në votimet e 30 qershorit morën pjesë deri në orën 18.00 të të dielës, sipas KQZ-së, rreth 670 mijë nga të cilët rreth 95 mijë vota ishin të pavlefshme. Në ditët që pasuan shtuan edhe 140 mijë votues.

Rama dhe Rilindja e tij e ka mbyllur në kuti këtë maskaradë dhe bashkë me materialet zgjedhore do t’i djegin në shtratin e lumit Erzen, siç ka mbyllur gjithë ndyrësirat që ka bërë këto 6 vite me Sovranin.

Partia ‘Zgjidhja’ i kujton sot thirrjen që ai ia bëri Saliut, një dekadë më parë: ‘Hap kutitë ose ik. Deri në fund. Deri në ditën e lirisë së vërtetë të zgjedhjeve dhe të së vërtetës së lirë të popullit sovran’.

Rama bashkë me Saliun, janë pengmarrësit e Sovranit, të së sotmes dhe të së ardhmes së tij.

1
Koço Kokëdhima: Kosova, Shqipëria dhe BE

Koço Kokëdhima: Kosova, Shqipëria dhe BE

Drejtimi i ri në Bashkimin Europian do të jetë një sfidë veçanërisht për shqiptarët e  Kosovës. Edhe pse politika e Prishtinës i ka mirëpritur emrat e rinj, ka shumë skepticizëm për ndihmën që do të ketë Kosova nga Brukseli, veçanërisht në kohën  kur Shqipëria është e zhytur në krizë të thellë.

Shefi i ri i diplomacisë europiane, ministri i Jashtëm Spanjoll Josep Borrell, do të rikthehet në krye të politikës së jashtme të BE-së, pasi shërbeu si president i Parlamentit Europian në vitet 2004-2007.

Ai përfaqëson Spanjën, një nga 5 vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe ndryshe nga paraardhësja, italianja Federica Mogherini, nuk shihet si ndihmues për dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. E kuptoj përgjigjen diplomatike të Ministrit të Punëve të jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, kur thotë se qeveria e Kosovës nuk beson që politika e jashtme e BE-së të varet nga origjina kombëtare e një vendi apo politikani të BE-së. Por e paramendoj qëndrimin e diplomatit spanjoll ndaj Kosovës qoftë edhe me atë episod që tregoi Pacolli, se si Borrell, në Samitin e Sofjes për Ballkanin Perëndimor, refuzoi të ulet në një tavolinë me Presidentin e Kosovës, Thaçi.

‘Hidhërimi’ në Kosovë është, afërmendsh, gëzim në Serbi, edhe pse presidenti Vuçiç thotë se zgjedhja e Borrell “është një lajm i mirë për ne, por situata mbetet e vështirë dhe nuk zgjidhet çështja e Kosovës me atë që kemi një ose dy njerëz në anën tonë”.

Shpresat e Kosovës, megjithatë, mbeten te ardhja në krye të Komisionit Europian e gjermanes Ursula von Der Leyen, bashkëpunëtore e vjetër e kancelares Merkel dhe besohet edhe e politikës së saj në mbështetje të Kosovës.

Sipas mediave kosovare, me Josep Borrellin në krye të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, pozicioni i Kosovës në dialogun me Serbinë do të jetë më i vështirë, pasi diplomati spanjoll ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe, për më tepër, ai nuk ka kursyer as vendlindjen e tij, Katalonjën, duke u shprehur kundër ndarjes nga Spanja.

Në këtë kohë kur drejtimin e diplomacisë së BE-së, e merr një kundërshtar i Kosovës së pavarur, Prishtina zyrtare nuk mund të ndihmohet as nga Shqipëria. Kjo e fundit bën më shumë demagogji me mbledhjet e përbashkëta të qeverive, apo thirrjet intimiduese ndaj fuqive të mëdha se, po nuk iu dhanë vizat Kosovës dhe po nuk iu hapën negociatat Shqipërisë, ato do të bashkohen në një shtet.

Shqipëria sot është në pozitën më të keqe diplomatike në sytë e botës. Ka mbyllur një farsë votimesh monopartiake që qeveria të rrëmbejë edhe pushtetin vendor; ka paralajmërimin për rikthim të regjjimit të vizave nga Komisoneri për Migrim, Punët e Brendshme dhe Shtetësi, z. Dimitris Avramopoulos për shkak se numri i azilkërkuesve u rrit me 30 për qind në katër muajt e parë të vitit 2019; Brukseli sapo rrëzoi një kërkesë të Mbretërisë së Holandës për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë, pas shqetësimit për rritjen e krimit të organizuar dhe numrit të azilkërkuesve, ndërsa edhe Franca ka patur disa herë apele për të ndaluar fluksin e azilkërkuesve ekonomikë nga Shqipëria.

Me këtë imazh të rënë përtokë Shqipëria është e ftuar në Konferencën e Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Poznan të Polonisë, në kuadër të nismës të njohur si Procesi i Berlinit, të iniciuar nga kancelarja Merkel. Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Maqedonia e Veriut të cilat duan anëtarësim në BE, radio shtetërore gjermane DË citonte vetëm kryeministrin Zaev, si më të preferuarin e zonjës Merkel për t’u marrë shembull në rajon.

Dy javë më parë ishte presidenti i Maqedonisë së Veriut, Pendarovski, që kërkoi ndarjen e vendit të tij nga Shqipëria në procesin e hapjes së bisedimeve me BE-në, në tetor, sepse ‘çiftëzimi’ me të do ta pengonte Shkupin zyrtar në këtë proces.

Një Shqipëri në kaos politik dhe institucional vetëm sa e dëmton Kosovën, aq më pak të pretendojë ta përfaqësojë dhe ta mbrojë. Prandaj, edhe për këtë arsye, në Tiranë duhet të nisë sa më parë zgjidhja e krizës së rëndë politike.

Partia ‘Zgjidhja’ e ka deklaruar shpeshherë se zgjidhja duhet të vijë nga brenda, me një marrëveshje konsensuale dhe gjithëpërfshirëse, mes të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit, shoqërisë civile dhe intelektualëve të pavarur për reformimin e Kushtetutës e të zgjedhjeve dhe për demokratizimin e vendit.

Vetëm një Shqipëri demokratike dhe jo peng i partitokracisë dhe ambasadorokracisë do të ishte e zonja e vetes brenda dhe jashtë si dhe do të arrinte të mbronte kauzën e drejtë të Kosovës si një shtet i pavarur, me kufij të paprekshëm, e respektuar dhe e pranishme si e tillë në çdo tavolinë bisedimesh të diplomacisë së huaj, edhe pse aty nuk do të denjonte të ulej ndonjë ministër ‘antiseparatist’ edhe kur është fjala për vendlindjen e tij.

1
Frank Shkreli: 30 Qershori, poshtërsi e qeverisë dhe turp i ndërkombëtarëve

Frank Shkreli: 30 Qershori, poshtërsi e qeverisë dhe turp i ndërkombëtarëve

Ish-Drejtor i VOA-s për Euroazinë

Ja erdhi dhe shkoi edhe 30 qershori i “votimeve” të Edi Ramës, sepse zgjedhje këto nuk mund të quhen, bazuar në asnjë standard ndërkombëtar. Gjatë viteve, nëpërmjet shkrimeve modeste, jam përpjekur të shpreh mendimet e mia modeste – për mirë e për keq – mbi zhvillimet politike të këtyre 3-dekadave post-komunizëm në Shqipëri, në Kosovë dhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Prandaj, kësaj radhe, nuk dua të përsëris zhgënjimet e mia të njohura, në lidhje me klasën aktuale politike dhe mungesën e zhvillimeve të një demokracie të vërtetë në trojet tona shumë të vuajtura. Sepse po të bëja një gjë të tillë, do të mërzisja, jo vetëm lexuesin por edhe veten time. Prandaj, me këtë rast, dua të shpreh, shkurtimisht, zhgënjimin tim personal mbi votimet e fundit në Shqipëri – në përputhje, pak a shumë me reagimet e shprehura në media nga disa kolegë të mi të nderuar nga Amerika, si Profesor Sami Repishti, Profesor Nikolla Pano dhe Dejvid Filips. Në qoftë se këto fjalë të mia mund t’iu duken pakëz si të ashpra, iu kërkoj falje, por dalin nga zemra e një shqiptaro-amerikani, i cili e do Kombin e vet, dhe që mendon dhe beson, se Kombi shqiptar – pas njërës prej diktaturave më të egra komuniste në botë – meriton shumë më mirë se kaq. Në të vërtetë unë jam zhgënjyer edhe nga mos reagimet e diasporës e, sidomos komunitetit shqiptaro-amerikan në lidhje me gjendjen e krijuar në Shqipëri. U garantoj se po të ishte imponuar kjo gjendje sot nga të huajt – nga sllavi, greku, turku ose italiani – shqiptarët e Amerikës do i shikoje me pllakata në protesta para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe Shtëpisë së Bardhë. Por ç’të bëjmë tani, të protestojmë para botës, shqiptari kundër shqiptarit?!

-Si mund të quhen zgjedhje, votimet me një pjesëmarrje prej më pak se 20% e shqiptarëve që kanë të drejtë vote, ndërkohë që në shumicën e rasteve, kandidatët socialistë ishin pa asnjë kundërshtar?

-Çfarë qeverie, kudo qoftë, do të ndihej krenare për organizimin e një spektakli të tillë të shëmtuar?

Organizimi i tyre ishte i turpshëm dhe mbrojta e atij procesi, nga nivelet më të larta të qeverisë dhe të partisë në pushtet, është një ofendim i inteligjencës së shqiptarëve por edhe i ndërkombëtarëve, për të mos thënë poshtërsi për vetë procesin.

Ky ishte një ushtrim i kotë politik, krejtësisht pa asnjë vlerë. Një humbje e madhe për qeverinë dhe kryeministrin e saj! As opozita të mos festojë, se nuk ishte fitore as për opozitën e bashkuar. Mos mendoni se shumicën e 80% të shqiptarëve që nuk votuan të dielën që kaloi, i kini me vete, sepse unë e di dhe ju e dini mirë se nuk janë as me ju. Duhet ta dini gjithashtu se populli shqiptar është lodhur me të gjithë ju. Fatkeqësisht, me këto votime, kjo klasë politike i mbetet besnik trashëgimisë së saj edhe pas 30-vjet post-komunizëm: e “fikur dhe e koritur”, para Kombit dhe para botës.

Ç’të them për ndërkombëtarët dhe reagimin e tyre me këtë rast, përfshirë atë të OSBE/ODIHR-it?

Unë dua të rrëfej se që nga viti 1989 e këtej, si pjesë e punës kam ndjekur me kujdes dhe për nga afër misionet e OSBE-së anë e mbanë botës ish-komuniste dhe kam pasur gjithmonë respektin më të madh për punën e tyre. Kam pasur fatin, madje, të jem edhe disa herë anëtar i delegacioneve për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në vendet ish-komuniste, përfshirë edhe delegacionin e parë të Departamentit Amerikan të Shtetit në zgjedhjet e para pluraliste në mars/prill 1991 në Shqipëri. Megjithëse me shumë të meta dhe mungesa serioze standardesh, me keqardhje më duhet të them se organizimi i atyre zgjedhjeve nga regjimi i Ramiz Alisë, pothuaj 30-vjet më parë, i plotësonte më shumë standardet e zgjedhjeve të përcaktuara nga OSBE-ja, në krahasim me votimet e organizuara nga qeveria Rama të dielën që kaloi – tre dekada pas shembjes së komunizmit.

Prandaj, deklarata e delegacionit të OSBE-së të hënën që kaloi ishte zhgënjyese, në krahasim me ato që vërtetë duhej të thoshin për votimet vendore në Shqipëri. Konstatuat se ishin të qeta! Është ky një prej standardeve, por të qeta ishin zgjedhjet edhe në kohën e komunizmit, por a mund të thoni se këto ishin të lira, të drejta dhe demokratike – standardet kryesore për cilësimin e zgjedhjeve në një vend që e quan veten demokratik dhe anëtar i NATO-s?! Unë nuk dua t’ju mësoj ju të nderuar Zonja e Zotëri, se cili duhej të kishte qenë raporti i juaj paraprak për këto zgjidhje, sepse ju jeni ekspertët ndërkombëtarë.

Por dua t’ju pyes:

-Në cilin vend tjetër të Evropës do e pranonin procesin e zhvillimit të votimeve si ky që u mbajt në Shqipëri fund javën që kaloi,

me një pjesëmarrje më pak se 20% dhe

në shumicën e rasteve vetëm me paraqitjen e kandidatit të Partisë Socialiste – pa kundërshtar?

Demokratike ishin këto?!

Unë si shtetas amerikan prej pothuaj gjysmë shekulli dhe si një shqiptaro-amerikan që, për arsye të ish-detyrës, kam pasur fatin të bashkëpunoj gjatë karrierës sime me shumë diplomatë amerikanë, jo vetëm në Shqipëri, por anë e mbanë botës dhe për të cilët kam zhvilluar dhe ruaj gjithnjë respektin më të madh për punën e tyre në rrethana shpesh të vështira – më habiti edhe reagimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë për këto votime, ashtu siç ka habitur edhe shumë shqiptaro-amerikanë me të cilët kam biseduar kohët e fundit, e të cilët janë shumë të shqetësuar me zhvillimet e fundit atje, e sidomos me reagimet/mosregaimet ndërkombëtare ndaj atyre zhvillimeve.

“Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, citon deklaratën e Ambasadës Amerikane në Tiranë, sipas të cilës, “Shtetet e Bashkuara mirëpresin përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave votimet bashkiake të 30 qershorit u zhvilluan, përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave”, thekson deklarata e cituar nga VOA shqip. “Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar – qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan – ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”. Deklarata e Ambasadës dakordësohet gjithashtu me OSBE/ODIHR-in se, “Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve”, duhet të presin një ent juridik që, sot për sot, nuk ekziston, “Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë se do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”, thuhet në atë deklaratë.

Reagimet e ndërkombëtarëve ndaj votimeve të së dielës në Shqipëri po konsiderohen nga shumë ekspertë brenda dhe jashtë Shqipërisë si mbështetje prej tyre e një procesi ilegal dhe jashtë standardeve ndërkombëtare. Një mik i imi këtu në Amerikë më solli ndër mend kohën e fashizmit kur Italia dërgonte në Shqipëri njerëz gjysmakë, sidomos në fushën e mjekësisë, duke i arsyetuar si, “e buono per Albania”.

A mendojnë ndërkombëtarët se qeveria që kanë shqiptarët, “e buono për Albania”, sepse kaq meritojnë shqiptarët?

Pse deklaratat e juaja mbi aktualitetin politik nuk pasqyrojnë të vërtetën e zhvillimeve në atë vend, përfshirë korrupsionin në të gjitha nivelet?

Thoni të vërtetën!

Kaq presin shqiptarët prej jush.

Unë nuk e kuptoj, se pse duhet të pritet dy muaj që OSBE/ODIHR të lëshojë një raport mbi këto votime, kur është tejet e qartë se çfarë ndodhi, jo vetëm në sytë e ndërkombëtarëve, por mbi të gjitha, populli shqiptar e sheh mirë se ç’po ndodh në vendin e tij dhe janë duke votuar më këmbë, duke u larguar vazhdimisht nga trojet e veta mijëravjeçare.

Në qoftë se ndërkombëtarët nuk mund të ndihmojnë gjendjen, atëherë do i këshilloja që të pakën mos ta ndërlikojnë edhe më keq se ç’është, me deklaratat e tyre ose gjysmë deklarata, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin e gjendjes në Shqipëri! Më mirë heshtni fare! Sepse në fund të fundit, është kjo një gjendje e krijuar nga vetë klasa aktuale politike dhe është detyrë dhe përgjegjësi morale dhe atdhetare e saj, që sa më shpejt – nëpërmjet dialogut politik dhe me pjesëmarrje të gjerë edhe të shoqërisë – të dalë nga ky qorrsokak politik, para se të bëhet vonë – me qëllim të mënjanimit të një fatkeqësie kombëtare, përballë të cilës gjendet sot Kombi Shqiptar – falë papërgjegjësisë së saj politike dhe kombëtare.

Klasa politike shqiptare duhet që sa më shpejt të marrë përgjegjësitë e veta për gjendjen e krijuar në vend dhe, ndërkombëtarët duhet gjithashtu të reflektojnë thellë për rolin e tyre gjatë këtyre dekadave – ashtu që i vetmi fitues të jetë Kombi Shqiptar në marrëdhënie të ngushta dhe të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me aleatët e tjerë atlantiko-veriorë.

Koha është tani, jo nesër, jo pas nesër, jo dy muaj pas sodit, në pritje të një raporti të OSBE-së, jo kur të krijohet ky ose ai ent juridik ose politik!

Shqiptarët kanë pritur mjaft dhe janë të lodhur. Por shqiptarët presin një fillim të ri. Në qoftë se jeni shqiptarë, dialogu gjithëpërfshirës për një fillim të ri duhej të kishte filluar dje – në interesin madhor të KOMBIT!

Marrë nga Telegraf

0