Platforma e Lirisë e prezantuar sot nga kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima

Platforma e Lirisë e prezantuar sot nga kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima

Platforma e Lirisë e prezantuar nga kryetari i partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima

 

 

Partitë politike, shoqatat, grupet e interesit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe individë të pavarur, të mbledhur sot më 28 qershor 2019 konstatuan se vendi është i zhytur në një krizë ciklike politike dhe institucionale me pasoja shumë të rrezikshme afatshkurtëra dhe afatmesme për vendin.

Kjo krizë shumëdimensionale buron nga problemet e mëdha që ka legjislacioni ynë, nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008, nga cënimi i rëndë i sovranitetit të popullit, shkatërimi i integritetit të zgjedhjeve, keqpërdorimi i pushtetit, mungesa e vullnetit për të ndërtuar shtetin ligjor dhe mbizotërimi i kulturës së mosndëshkimit, qeverisja joefektive që gjithmonë e më shumë po distancohet nga interesat e popullit, demokracia e munguar në jetën dhe organizimin e partive politike, kriminalizimi i zgjedhjeve dhe i politikës.

Deklarimet, sjellja dhe qëndrimet e dy blloqeve politike po kontribuojnë në ashpërsimin e kësaj krize.

Për të zgjidhur dhe për të parandaluar rishfaqjen e krizave të tilla në të ardhmen dhe për të bërë të mundur që kjo krizë të zgjidhet në favor të Shqipërisë, ne vendosëm të firmosim e ndjekim këtë Platformë të Lirisë (Pakt Kombëtar) gjithpërfshirëse dhe konsensuale, të domosdoshme për zhvillimin dhe për realizimin e objektivave që kemi si shtet anëtar i NATO-s dhe vend që aderon hapjen e negociatave për antarsim në BE:

Ky pakt nënkupton një dakordësi kombëtare dhe mes të gjithë aktorëve politikë, grupeve të interesit, shoqërisë civile, trupave akademike, shtypit dhe inteligjencës, njerëzve të thjeshtë, rinisë, mëkatarëve dhe të tërë të tjerëve shqiptarë të interesuar.

Të gjithë pranojnë të angazhohen për realizimin e një reforme të thellë në gjithë korpusin legjislativ të vendit. Objekt i kësaj reforme duhet të jenë Kushtetuta dhe legjislacioni që rregullon çështje që janë të lidhura me sistemin qeverisës të vendit, Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjen e Presidentit nga populli, institucionin e Kryeministrit, ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe Kodit zgjedhor, ligjin për referendumet, ligjin për partitë politike, etj.

Reforma legjislative konsensuale duhet t’i bëjë reale dhe të zbatueshme parimet e demokracisë përfaqësuese dhe të demokracisë së drejtëpërdrejtë, konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës dhe forcimin e kapaciteteve që garantojnë kushtetutshmërinë dhe kapërcimin e konflikteve të mundshëm mes tyre.

Palët bien dakort të pranojnë, por duke mos u kufizuar vetëm që:

a) Reforma Legjislative të zhvillohet si një proces intensiv mbarëshoqëror me asistencë ndërkombëtare dhe brenda një periudhe kohe 3-4 mujore.

b) Të shfuqizohen ose korrektohen plotësisht ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Deputetët dhe këshilltarët bashkiakë të zgjidhen me sistem mazhoritar të korrektuar me propocional ose me sistem propocional të pastër kombëtar me lista të hapura.

c) Të ndalohen me kushtetutë kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri që të zgjidhen për më shumë se dy mandate.

d) Të garantohen zgjedhjet nga ndikimi i strukturave qeverisëse dhe funksionet e tyre shtetërore. Qeveria e zgjedhjeve të jetë e përkohshme dhe me bazë të gjerë.

e) Të vendosen me ligj postet politike në administratë, ku të përcaktohet se kush mund të largohet në rastet e ndryshimit të pushtetit.

f) Të demokratizohen dhe depolitizohen zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore tërësisht të pavarur;

me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja. Në administratën zgjedhore të përfshihen individë nga institucione që janë larg politikës, numëruesit e votave të mos jenë përfaqësues apo militantë të partive politike. Kutitë e votimit të mos transportohen më të panumëruara.

g) Të respektohen rregulla strikte për financimin e partive dhe të vendosen ndëshkime penale për rastet e abuzimit dhe shkeljes së rregullave.

h) Të hetohen individët e përfshirë në skandale të trafikut të votës dhe të forcohet legjislacioni penal për ndëshkimin e abuzuesve dhe të shkelësve të rregullave zgjedhore.

i) Të hiqen barrierat ligjore për referendumet. Për këtë të ndjekim modelet e vendeve demokratike europiane. Përmes referendumeve t’i jepet mundësi popullit që të vendosë në mënyrë të drejtpërdrejtë për çështje nga më të ndryshmet që nuk cenojnë integritetin territorial dhe sovranitetin kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

Ne biem biem dakort që procesi i hartimit, negociimit dhe dakordësimit të Reformës Legjislative do të kryhet nga një komisjon politik gjithëpërfshirës që mund të udhëhiqet nga një ekspert i Kombeve të Bashkuara, KE ose OSBE-së.

Kjo Platformë Lirie kërkon krijimin e një qeverie teknike me bazë të gjerë, me kohëzgjatje deri në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme dhe me mandat të:

1) përfundojë implementimin e Reformës në Drejtësi;

2) implementojë Reformën Legjislative dhe Reformën Zgjedhore për demokratizimin e sistemit;

3) të përmbyllë detyrat dhe marrëveshjen për çeljen e negociatave të pranimit në BE;

4) përgatisë dhe zhvillojë zgjedhjet e reja të përgjithshme dhe vendore të parakohshme.

Shqipëria nuk është vetëm e tre-katër njerëzve të gjithpushtetshëm. Ajo është e tërë shqiptarëve, prandaj pret t’i dalin për zot të gjithë ata që ndjejnë se ju rrjedh gjak shqiptar në zemër.

Tiranë më 28 qershor 2019

 

2
Koço Kokëdhima: Vota e shqiptarëve dhe presioni i munguar ndërkombëtar

Koço Kokëdhima: Vota e shqiptarëve dhe presioni i munguar ndërkombëtar

Pak ditë, përpara 30 qershorit, diplomatët e huaj nuk kursyen takimet, apo bisedat me qeverinë dhe opozitën. Të hënën, ministri i Jashtëm italian, Enzo Moavero, zhvilloi biseda telefonike me kryeministrin Rama ashtu dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Basha. Sipas zyrës së shtypit, kreu i diplomacisë italiane theksoi se pavarësisht divergjencave të vlerësimeve mes forcave politike është thelbësore të shmangen të gjitha format e dhunës dhe opinionet e qëndrimet përkatëse të shprehen në mënyrë demokratike.

Dy ditë më parë, e Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Shqipëri, Leyla Moses-Ones takoi në selinë e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën. Pas saj, edhe Ambasadori i BE-së Luigi Soreca i shkoi në zyrë kreut të PD-së, që u shpreh më pas se zgjedhje pa opozitën nuk ka më 30 qershor.

Nuk është e vështirë të kuptohet tema e bisedës së diplomatëve të huaj me kreun e PD-së. Ata janë të fokusuar te garantimi i 30 qershorit pa dhunë, duke frenuar militantët dhe drejtuesit qendrorë e vendorë të PD-së apo LSI-së që të bllokojnë me çdo mënyrë procesin e votimeve.

Partia ‘Zgjidhja’ e ka vlerësuar rolin e ndërkombëtarëve në reduktimin e dhunës gjatë protestave të PD-LSI-së. Ajo është deklaruar se protesta është një e drejtë kushtetuese, që nuk duhet njollosur nga lëndimi i njerëzve, aktet vandale, shkatërrimi i pronës publike dhe private dhe se asnjë pushtet i marrë me dhunë nuk ka të ardhme.

Por ‘Zgjidhja’ është e shqetësuar që diplomatët e huaj kanalizuan energjitë e tyre për të frenuar dhunën në protesta apo më 30 qershor, dhe ‘harruan’ gjatë viteve të shkuara për të bërë presionin demokratik ndaj partive të vjetra që ato ta heqin nga planet e tyre ‘rezervë’ dhunën fizike, apo atë institucionale ndaj votuesve shqiptarë.

E kam deklaruar shpeshherë se zgjidhja e krizës ciklike të Shqipërisë duhet të vijë nga brenda, nga ndërgjegjësimi i faktorit të brendshëm politik, apo i inteligjencës së vendit dhe se nuk mund të presim përjetësisht që të huajt t’i zgjidhin problemet e shtëpisë tonë. Por, nga ana tjetër, kam apeluar për presionin dhe rrethimin demokratik të autokracisë së Tiranës, që ajo të pranojë rregullat e lojës së demokracive perëndimore, të heqë dorë nga metodat staliniste të proceseve elektorale ku populli voton, partitë numërojnë. Ndaj i kam përdorur si referenca deklarimet e Departamentit të Shtetit, apo kushtin për reformën zgjedhore të Progres-raportit të BE-së në vitin 2018, nëse Shqipëria donte të merrte hapjen e negociatave.

Me këtë shqetësim qytetar dhe politik që në 18 korrik 2017 u dërgova një letër ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt; ambasadorit Peter Tejler, kreu i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të 25 qershorit si dhe për dijeni z.Donald Lu, ish-ambasador i SHBA-ve dhe Romana Vlahutin, ish-ambasadore e BE-së. Në letër shpreha shqetësimi për hapin prapa që u bë në zgjedhjet e 25 qershorit si dhe u kërkova partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të vendoseshin përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të kapur të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, sepse pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

E ilustrova këtë me rinumërimin e 64 kutive në Tiranë që ishte shembulli emblematik i asaj çfarë  ndodhi më 25 qershor 2017 në mbarë vendin. Vetëm në 7 kuti nuk ishte deformuar vullneti i zgjedhësve, ndërsa në 57 kutitë e tjera votat e partive të vogla u numëruan për llogari të katër partive që administruan zgjedhjet.

Thashë, me të tjerash, se zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit do të prodhonin deformime edhe më të thella, korrupsion, keqqeverisje, stanjacion ekonomik, kriminalitet, varfëri, papunësi, emigrim të madh dhe destabilizim.

Prej asaj kohe kanë kaluar dy vite. Nuk i kam rreshtur përpjekjet e mia për të ndërgjegjësuar faktorin ndërkombëtar, përmes letrave në kancelaritë e huaja, ashtu siç vijoja takimet dhe artikulimet e tezave që tashmë janë bërë aq popullore dhe perifrazohen nga partitë dhe shoqëria civile.

Tetorin e shkuar zhvillova një takim edhe me kreun e OSBE-së në Tiranë, z.Borchardt dhe tre muaj më parë edhe me Zëvendës Shefen e Delegacionit të Bashkimit Europian Monika Bylaite, në mungesë të z.Soreca.

U kam parashtruar të gjithëve një kërkesë minimaliste: ‘Na ndihmoni edhe ne që të bëjmë zgjedhje të lira dhe të barbarta, siç i bëni prej shekujsh dhe dekadash në vendet tuaja’. U kam kërkuar që të na ndihmojnë në përpjekjen tonë për të çliruar zgjedhjet nga administrimi i partive, që si askund në ndonjë vend demokratik, kontrollojnë gjithçka, nga procesi i votimit deri te numërimi dhe përfitojnë rezultatin që dëshirojnë.

Përmes Paktit Kombëtar kam kërkuar një reformë zgjedhore dhe kushtetuese, gjithëpërfshirëse, administratë zgjedhore jopolitike, siç është në çdo vend jashtë kufijve të Shqipërisë dhe jo të kapur nga dy-tre parti, nga KQZ-ja, deri te numëruesit e votave. Pra jo siç janë bërë zgjedhjet deri më sot dhe do të bëhen votimet e 30 qershorit.

Nuk ka tallje më të madhe me popullin, por edhe me vëzhguesit e huaj dhe miqtë e Shqipërisë se drama që gatuhet nga partitë nga KQZ-ja deri te grupet e numërimit të votave. Ja p.sh. dje, KQZ-ja  vendosi që të plotësojë grupet e numërimit të 30 qershorit, në mungesë të përfaqësuesve të PD-së dhe të LSI-së. Në vend të tyre do të jenë dy përfaqësues nga PS dhe dy “përfaqësues së shoqërisë civile” që do t’i gjejë sërish PS-ja. Këto trupa numëruesish me shumicë PS-je do të numërojnë votat e 30 qershorit, ku në 31 bashki ka kandidatë vetëm PS-ja.

Këto votime qesharake do të mbahen mend gjatë në Shqipëri, dhe jo prej dhunës parazgjedhore dhe asaj prej asaj që pritet të ndodhë më 30 qershor. E garantoj këtë. Do të jenë qesharake si paragrafët e raportit paraprak të misionit të OSBE/ODIHR-it që thotë si përherë se:‘Këto zgjedhje do të mbahen në një klimë tejet të polarizuar politike’, kur Shqipëria, në fakt, rrezikon përplasjen civile. Të shqetësuar për dhunën, ndërkombëtarët po presin të certifikojnë votimet që i organizojnë po ata që bënë maskaradën zgjedhore në Dibër në vitin 2016, duke blerë 120 mijë lekë katër vota, duke vënë në rresht administratën dhe duke i kërkcënuar ata dhe familjarët e tyre me bukën e gojës, pra duke ecur në rrugën e krimeve zgjedhore që kishte bërë ndër vite PD-ja dhe PS-ja. Po kështu edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Dhe po kështu edhe për votimet e 30 qershorit, ku, edhe pse pa kandidatë rivalë, PS-së i duhet pjesëmarrja e lartë në votime, duke shpërndarë formularë me personin e patronazhit, emrat e votuesve, qendrën e votimit e deri edhe vendet ku do të takohen për të siguruar votën.

Unë mbetem besnik i idesë se zgjidhja për krizën që rrotullohet mbi kokat e shqiptarëve prej vitesh duhet të vijë nga brenda. Por, sërish, nuk mund të rri pa apeluar miqtë e Shqipërisë: Na ndihmoni të shpëtojmë nga dhuna e partive të vjetra që kanë kapur për fyti Shqipërinë. Na ndihmoni, me presionin dhe rrethimin demokratik, që ato të lëshojnë zgjedhjet, që shqiptarët të votojnë si në çdo vend demokratik. Atëherë s’do të keni më nevojë të silleni si guvernatorë, sepse qeverisjen do ta ketë në dorë populli dhe jo partitë.

 

1
Kim Mehmeti: Më 30 qershor Shqipëria do të votojë turpin e saj!

Kim Mehmeti: Më 30 qershor Shqipëria do të votojë turpin e saj!

Shqipëria ishte edhe mbretëri dhe mbeti e braktisur nga Mbreti, që ia vodhi dhe ia morri thuajse të gjitha, duke ia lënë vetëm robërinë, por duke mos mundur t’ia rrëmbejë idealin për liri dhe duke mos mundur ta bëjë të turpërohet nga vetvetja.

Më shumë se katër dekada me radhë, Shqipëria ishte e harruar nga e gjithë bota dhe e jetoi burgun e diktaturës komuniste, por ajo nuk u bë ‘gazi’ i botës, nuk harroi cila ishte dhe nuk kishte pse të turpërohet nga vetvetja.

Dhe sot, tridhjetë vite pas rënies së komunizmit – për dallim nga gjitha vendet tjera postsocialiste të Ballkanit – Shqipëria ende nuk është e aftë të organizojë zgjedhje të lira demokratike. Dhe përfundoi si shtet i përshtatshme vetëm për ‘butakët’ pa bosht kurrizorë që i përkulen piktorit Kryeministër dhe e pabanueshme për ata që posedojnë portret të qartë individual. Me çka asaj ia morën thuajse të gjitha, e bënë të jetë ‘gazi’ i botës, madje duke e bërë të turpërohet nga vetvetja! Dhe ku Kryeministri shkon në fushatë parazgjedhore i shoqëruar nga mijëra policë, ashtu siç nuk i ka ndodhur as ‘babait’ të narkomanisë – Eskobarit!

Pra, sot Shqipëria është shtet që e jeton ‘diktaturën’ shumëpartiake të ‘rilindësve’, të cilin shtet, Piktori me ambicie diktatoriale, e shndërroi në pronë të veten edhe atë, jo duke i kontrolluar të vërtetat publike, por duke i vënë nën kontroll gënjeshtrat për vetveten, duke mos i mbyllur kufijtë dhe duke mos i vrarë në kufi ata që e braktisin shtetin që ai drejton, por përkundrazi: duke i nxitur dhe duke i detyruar të gjithë kundërshtarët e vet politik ta braktisin vendin.

Dhe kështu – njësoj si Enveri që dikur ndërtonte shtet vetëm për të dëgjueshmit e vet – edhe Piktori, ndërton Shqipëri të banueshme vetëm për ata që i përkulen atij. Andaj edhe nuk ka ndonjë dallim mes diktaturës së Enverit që të vriste kur e kaloje kufirin e Shqipërisë, nga diktatura e Piktorit Kryeministër, që të ‘vret’ pse nuk e kalon kufirin e nuk e lejon atë të ndërtojë shtet vetëm për ‘vëllazërinë’ e kriminelëve të vet.

Dhe kështu pra, pas thuajse tri dekadave ‘demokraci’, Shqipëria e sotme thuajse me asgjë nuk dallon nga ajo e diktaturës komuniste, kur ndërtoheshin përmendore kur të donte dhe ku të donte Xhaxhi Enver, nga kjo e sotmja, e cila i ngjan një lëndine pa pronar, ku ‘rilindësit’, ngrenë nga një kullë ku të duan dhe kur të duan. Pra i ngjanë një vendi që e jeton turpin e vet, duke mos mundur të organizojë zgjedhje të lira edhe pas tri dekadave ‘demokraci’, apo duke organizuar zgjedhje ‘demokratike’ me Kryeministrin rilindës, përndryshe piktor i dështuar, që ka veshmbathje ‘firmato’ që kushtojnë sa prona e tërë një fshati shqiptarë?

Andaj sot, nuk duhet të flitet për atë se çka do sjellë 30 qershori, por duhet të debatohet për atë si ta shpëtosh Shqipërinë nga diktatura ‘demokratike’, e cila mbështetet mbi varfërinë e popullit, mbi spektaklet me të cilat mbulohet realiteti i mjerueshëm, mbi kontrollimin e gënjeshtrave që publikohen nëpër media, e që duhet t’i fshehin të vërtetat për ‘rilindësit’ e Piktorit.

E sa i përket 30 qershorit, atë ditë Shqipëria do votojë për turpin e saj. Do votojë pra për vetveten të rënë në duart e Piktorit, i cili i ngriti në ‘vlera’ demokratike paturpësinë, papërgjegjësinë dhe përbuzjen ndaj gjithë atyre që e kundërshtojnë e që i thonë: Zotëri, t’i mundë të dalësh me prapanicën cullak ku të duash e kur të duash, por mos na mbajë për budallenj neve që themi se turpi, ndershmëria dhe ndërgjegjshmëria, janë bosht i rëndësishëm mbi të cilat qëndron njerëzorja! Dhe që themi se Piktori e bëri Shqipërinë vend ku thuajse është turp të turpërohesh dhe ku hajduti e bardi, krimineli e i ndershmi, i pafytyri e i ndërgjegjshmi…, stehohen nën të njëjtin kulm të institucioneve shtetërore dhe njësoj pasurohen e majmen nga varfëria shqiptare!

0
Koço Kokëdhima: Lufta për Republikën e ‘shpëton’ edhe Presidentin!

Koço Kokëdhima: Lufta për Republikën e ‘shpëton’ edhe Presidentin!

Enigma e këtyre zgjedhjeve lidhet me ndërkombëtarët. Ata i monitorojnë, i certifikojnë, i quajnë zgjedhjet “kuazi demokratike”, me “standarde”, “të pranueshme” me “shkelje”… Paradoksalisht nuk është rezultati i votimeve ai që e mundon opinionin për 30 qershorin, sepse SHBA dhe BE mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve me një palë. Po ashtu, nuk ka rëndësi raporti që do të përpilohet për zgjedhjet. Publikimi  i përgjimeve nga gazeta ’’Bild” i ka bërë të duken pa peshë këto raporte. Pas kuintave, diplomacia perëndimore po përgatit një plan për atë që fillon më 1 korrik. Liderët e tri partive të vjetra po njihen dalëngadalë me detajet dhe shprehin kënaqësinë ose pakënaqësinë herë me protestë shumë paqësore, herë me kërcënim se zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë, herë me aksionin për shkarkimin e presidentit dhe shumë rrallë duke përdorur fjalët dialog apo kompromis. Nëse do të vazhdonim ta shtronim problemin në këtë mënyrë, do të zbulonim edhe skemat që kanë palët për 30 qershorin.

Përplasja dukshëm po i afrohet kufirit të kuq të konfliktit civil, të cilin e duan të dy palët për të justifikuar një pazar sa më të madh pas 30 qershorit. E ndërsa ne përpiqemi te gjejmë të panjohurën, kryeministri dhe presidenti qëndrojnë ballë për ballë, kurse ushtritë e spektatorëve brohorasin pas çdo goditjeje të ndërsjelltë. Kryeministrit i intereson ta personalizojë sa më shumë këtë luftë për pushtet, duke e paraqitur atë vetëm dhe gjoja si vazhdimin e llogarive të lëna në mes që nga viti 2013 kur u bashkuan në koalicion. Qëllimi i shumicës është që opozita të marrë goditjen e dytë, eliminimin e mbrojtjes që i jep asaj presidenti. Ai po përpiqet të ndihmojë opozitën, e cila nuk arrin të bëhet popullore. Çfarë kërkon populli nuk përputhet me kërkesat e opozitës rreth PD-së. Kjo palë nuk luftoi për demokratizimin e Shqipërisë, por vetëm për rotacionin e pushtetit. Prandaj, Presidenti i Republikës lipset në këtë moment të dëgjojë mirë zërin e njerëzve, kërkesat imediate të shoqërisë shqiptare për reformë kushtetuese dhe zgjedhore.

Rrugët e përplasjes janë ligjore dhe politike. E para, përplasja ligjore, është institucionale, të jep kohë të qëndrosh në zyrë, të presësh verdiktin e gjykatave, të grumbullosh argumentet, të mbrohesh dhe të fitosh mbështetje nga të huajt, siç po bën kryeministri, etj. Vendimi i Kolegjit Zgjedhor, që indirekt nuk e njohu dekretin e dytë mbi datën e zgjedhjeve tashmë ka ndodhur. A do të qëndrojë në zyrë Presidenti, duke pritur shkarkimin nga ky parlament dhe më pas nga Kushtetuesja? A do presë Meta që të fitojë të drejtën në Gjykatën e Strasburgut në se ndodh shkarkimi i tij? Një shkëndijë shprese u dërgoi Presidenti njerëzve në deklaratën e sotme, me fjalët “nga ky institucion do të nisë ringritja e Republikës”. Shpërndarja e parlamentit mund të ishte një tjetër veprim institucional, por as kjo nuk çon tek qëllimi, sepse gjithçka fillon tek zgjedhjet, po ashtu edhe ringritja e Republikës.

Presidenti nuk ka shumë kompetenca dhe imunitet. Ai nuk i ka bërë detyrat ndaj popullit të tij dy vjet me rradhë. Nuk e ka ndihmuar popullin të çlironte zgjedhjet dhe qeverisjen nga krimi dhe vjedhja. Ai gjendet tani përballë një kundërshtari të pacipë që e kërcënon me shkarkim, por edhe përballë ndërkombëtarëve që e shohin si një pengesë për të kaluar normalisht raportin për zgjedhjet e radhës të pranueshme për Shqipërinë. Ndoshta ai ishte më i fortë kur opozita ishte në parlament, por tashmë rrezikon të pozicionohet në cakun e dobët si president vetëm i opozitës. Rruga politike është e vetmja për të zgjidhur këtë krizë, pavarësisht mjeteve ‘ligjore’ që mund të provohen ende edhe pak ditë. Pra, në kushtet kur rrugët e dialogut duken të pamundura, të paktën, jo para 30 qershorit, Presidenti Meta duhet të shpallë nisma të vërteta politike për të bashkuar të gjithë faktorët, përfshirë opozitën për të rrëzuar këtë qeveri, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, bërjen gati të bazës së pajtimit kombëtar, që është reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore. Duhet të bëjë pikërisht ato që nuk ka bërë dy vite resht që qëndron në atë post.

E kemi mirëpritur opozitën kur në çadrën e protestës e bëri të sajën këtë tezë të hedhur nga Partia ‘Zgjidhja’, për rikrijimin e Republikës, por kjo mbeti në atë kohë vetëm retorikë. Presidenti Meta i kundërshtoi ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008 që e zhveshën popullin nga sovraniteti dhe presidentin nga kompetencat dhe e transferuan të gjithë fuqinë e pushtetit tek kryeministrat dhe kryetarët e  partive. Por, partia e presidentit, LSI, nuk bëri asnjë përpjekje minimaliste për demokratizimin e shtetit, qeverisjes, zgjedhjeve dhe partive.

Ambasadorët e OSBE/ODIHR-it, BE-ja, dhe SHBA-të mbështeten te diplomacia dhe, pavarësisht vlerave të larta të demokracisë që ata mbrojnë në vendet e tyre, nuk mund t’i ofrojnë popullit tonë një zgjidhje afatgjatë, por një pazar apo kompromis që do ta shtyjë në kohë krizën. Ndërkombëtarët veprojnë mbi korniza institucionale, mbi të gjitha duan status quo-në dhe stabilitetin. Ajo që duan shqiptarët në këtë moment është larg nga vullneti i partnerëve ndërkombëtarë, jashtë kornizës, sepse në radhë të parë kërkojnë ndëshkim moral, ligjor dhe politik për vjedhjen dhe korrupsionin. Populli ynë nuk mund të presë drejtësi derisa të mbarojë reforma në drejtësi, që zgjat të paktën 10 vjet. Nuk mund të votojë i lirë, kur kryeministri i kapur për vjedhje votash s’jep dorëheqje dhe kur votat i numërojnë militantët kriminelë të tri partive të vjetra. Nuk mund të besojë tek zgjedhjet e radhës, kur opozita jo vetëm s’ka një plan për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, por nuk jep asnjë shpresë se është e gatshme për çlirimin e tyre. Presidenti, si garant i unitetit të kombit, duhet të iniciojë dhe drejtojë këtë lëvizje popullore për ringritjen e Republikës. Asnjë ndërkombëtar nuk do të mund të kundërshtonte një vullnet për të rivendosur sovranitetin e popullit, që mbi të gjitha shprehet tek vota. Kjo është e vetmja rrugë për Shqipërinë.

0
Intervista e kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, me gazetarin Lutfi Dervishi  në emisionin ‘Përballë’, në TVSH

Intervista e kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, me gazetarin Lutfi Dervishi  në emisionin ‘Përballë’, në TVSH

Z.Kokëdhima, në fjalimin tuaj në Kongres ju theksuat që ‘Zgjidhja’ është partia e katërt në vend, për nga numri i anëtarëve dhe mbështetja në popull. Por është e para për nga projekti, vizioni dhe qëllimet. Nëse në këtë katërshe largojmë Partinë Socialiste si pjesë e qeverisë dhe partisë së madhe, i bie që në llogaritë tuaja, “Zgjidhja” është pas PD-së dhe LSI-së.

Po, sigurisht.

Por nuk e shohim në terren. Në format klasike, siç e kemi parë politikën në Shqipëri dhe ndonjëherë ‘Zgjidhja’ duket sikur është më tepër një Think-Tank, që ofron analiza të mira dhe receta, sesa një lëvizje që kërkon pushtetin. Ndoshta dhe me pak forcë.

Kjo ka lidhje me situatën dhe me kushtet konkrete historike. Partitë dhe zgjedhjet këtu janë të kapura, qeveria është e kapur, pushtetet dhe institucionet e tjera, gjithashtu. Aksioni elektoral do të ishte i përshtatshëm në një mjedis demokratik. ‘Zgjidhja’ ka bërë një punë shumë të madhe për të ndërgjegjësuar opinionin publik, për të vërtetën e vendit tonë dhe për tu treguar shqiptarëve rrugën e daljes nga kjo gjëndje e pashpresë. Ne kemi një narkoshtet të izoluar ndërkombëtarisht, qoftë nga pikëpamja diplomatike, qoftë nga pikëpamja ekonomike. Sot ‘Zgjidhja’ nuk ka prioritet luftën për marrjen e pushtetit. Ajo është e përqëndruar në luftën për ndryshimin e sistemit dhe çlirimin e zgjedhjeve. Ky është bjektivi kryesor i saj në këtë periudhë të historisë tonë.

Sot 13 vende të Bashkimit Evropian, kanë nisur një proces, “non-paper”, i thonë, për të avancuar mundësinë që Shqipëria, të marrë hapjen e negociatave. A ndodhemi në një pozitë paradoksale, ku shtete si Italia, Austria, Çekia, vendet Baltike, rreshtohen dhe bëjnë lobim që Shqipëria të hapë negociata, ndërsa ne nuk jemi të aftë të negociojmë me njëri-tjetrin?

Do të ishte diçka shumë e lumtur që ne të përparonim drejt hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, sepse kjo do të ishte një energji e re, edhe për transformimet demokratike që duam në Shqipëri. Por, nuk kam besim që kjo mund të ndodhë, në terma afatshkurtra. Nuk është e mundur të ndodhë, sepse procesi i integrimit është një proces plotësimi kushtesh dhe standardesh. Elita jonë politike, jo vetëm që nuk e integron Shqipërinë, por e largon nga Bashkimi Evropian. Nuk e besoj që elita politike e Shqipërisë ka vullnet për ta integruar vendin. Është tjetër gjë mënyra se si flasin politikanët dhe tjetër gjë mënyra se si veprojnë. Një nga kushtet e hapjes së negociatave është reforma zgjedhore. Ky kusht nuk është plotësuar vetëm për mungesë vullneti. Si nga Partia Socialiste ashtu dhe nga Partia Demokratike. Politikat e tyre janë të mbyllura, të pasinqerta, përjashtuese dhe jotransparente. ‘Zgjidhja’ punon për të ngritur një proces dialogu ndërshqiptar gjithë përfshirës e konsensual.

.Kokëdhima, ju folët në analizën tuaj pak më përpara për një situate të rëndë, ose nga pikëpamja institucionale, më e keqe që ka kaluar ndonjëherë Shqipëria. Në gjykimin tuaj kthimi në një normalitet, në një mjedis demokratik, bëhet dot nga aktorët vendas, apo kemi nevojë për një ndërhyrje nga jashtë, për të kthyer një lloj normaliteti.

Ne kemi nevojë për bashkëveprimin e faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Zgjidhja nuk mund të importohet, nuk mund të vijë nga jashtë. Ne e kemi theksuar shumë herë këtë gjë. Zgjidhja e kësaj situate duhet të vijë nga brenda. Nga ndërgjegjësimi i opinionit të gjerë publik dhe i njerëzve të mençur që ka Shqipëria. Njerëzit nuk po e kuptojnë se shteti, ekonomia, liritë dhe të drejtat tona janë marrë peng nga tre-katër burra dhe nga nevojat e tyre për pushtet dhe pasurim. Kjo është një përgjegjësi e rëndë për shqiptarët,  sepse nuk është se na kanë pushtuar të huajt. Nuk na kanë pushtuar shtete dhe fuqi të mëdha botërore. Ne jemi gjithashtu peng i këtij sistemi antidemokratik të krijuar në vite.

Pra ju zgjidhjen e shikoni në përmbysjen e elitës aktuale politike dhe daljen e diçkaje të re, apo brenda faktorëve aktualë që janë?

Ne zgjidhjen e shikojmë te reforma komplekse e sistemit politik të Shqipërisë; te demokratizimi i Shqipërisë, prej të cilës pastaj do të burojë përtëritja paqësore e elitës politike. Ne nuk mendojmë se mund të ikë kjo elitë dhe të vijë një tjetër që ta bëjë Shqipërinë demokratike. Por, ne besojmë në një proces demokratizues dhe gjithëpërfshirës. Nuk mundet që ta zgjidhim situatën e rëndē të Shqipërisë, vetëm tre liderët e partive historike të tranzicionit. Ata i gjenerojnë krizat.

Për momentin kanë edhe gurin edhe arrën në dorë. Si do ia heqësh gurin ose arrën nga dora?

I kemi ftuar për të kuptuar se situata e Shqipërisë po degjeneron dhe degradon çdo ditë. Në këtë proces mendojmë se duhet ndërgjegjësuar i gjithë faktori i brendshëm, duhet ndërgjegjësuar edhe faktori i jashtëm, i cili, për hir të së vërtetës duhet thënë, se shpesh herë ka mbajtur anën e autokratëve të Tiranës. Nuk ka mbështetur zhvillimet e mirëfillta dhe me standarde të demokracisë në Shqipëri.

Ju keni lëshuar edhe akuza të rënda ndaj ndërkombëtarëve. Keni thënë që Bashkimi Evropian po mbështet autokracinë. Për hir të stabilitetit ka mbyllur sytë. Por pyetja ime ka të bëjë me një model që na dhanë ndërkombëtarët. Nëse nuk do të ishte presioni i hapur i ndërkombëtarëve, ne nuk do t’i ishim futur reformës në drejtësi. A mendoni se ndoshta do të duhet që ndërkombëtarët, të luajnë në një formë apo në një tjetër, të njëjtin rol edhe për reformën zgjedhore, një nga kërkesat kryesore tuaja, për ta çliruar, siç thoni, nga kthetrat e kryetarëve të partive?

Reforma në drejtësi, nuk ka për të dhënë kurrë rezultatet e dëshiruara, në qoftë se nuk shoqërohet me reformat e tjera demokratizuese të Shqipërisë.

Por ama këtë nuk e bëmë vetë. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se reformën në drejtësi nuk e bëmë prej ndërgjegjësimit, nuk e bëri vajtja e thikës në palcë, nuk e bëri trashja e zullumet në gjyqësor, e bëri ndërhyrja dhe presioni ndërkombëtar. Pyetja është për të tjerat.

Jam shumë dakord. U bë nga presioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i Bashkimit Evropian. Pa dyshim që ne kemi nevojë për këtë mbështetje edhe për transformimet e tjera politike që duhen bërë në Shqipëri. Reforma në drejtësi do të japë efektet e saj maksimale, vetëm nëse do të aplikohen reformat e tjera demokratike. Reforma kushtetuese do të garantojë liritë republikane dhe ndarjet e pushteteve. Reforma zgjedhore do të plotësojë standarde, që duhet të ishin realizuar shumë kohë më përpara. Depolitizimi i administratës zgjedhore do të shoqërohet me vendosjen e një sistemi të kombinuar mazhoritar me propocional kombëtar me qëllim që 70 për qind e deputetëve të zgjidhen me sistem mazhoritar me lista të hapura. Proporcionali kombëtar për 30 për qind të vendeve do garantojë përfaqësim adekuat të votuesve shqiptarë në një parlament të vërtetë pluralist. Partitë duhen demokratizuar me ligj etj. Në këto çështje duhet të përqëndrohet politika e brendëshme.

Ju thoni që demokratizimi i partive politike, nuk duhet lënë në vullnetin e partive, si njësi autonome, por duhet bërë me ligj?

Patjetër.

Pra kërkoni një element ndëshkimor, një element force, detyruese. Për reformat e tjera të mëdha, që ju thoni, që duhet të shoqërojnë reformën në drejtësi, si reforma zgjedhore, reforma në administratë, e shikoni ju që ka energji të brendshme dhe dëshirë për t’i bërë vetë, apo do të duhet sërish imponim nga jashtë?

Shqipëria ka tri parti që kontrollojnë gjithçka dhe një sistem zgjedhor që nuk lejon parti të tjera. D.m.th, sistemin e kanë bërë të tillë që të mos lejojë të lindi asgjë jashtë kontrollit të tyre. Tani këta tre njerëzit që vendosin gjithçka në këtë vend i kanë marrë peng partitë e tyre politike, i kanë kapur, i kanë kthyer si të ishin pronat dhe shpk-të e tyre. Partitë politike në Shqipëri janë organizata kriminale.

Të gjitha partitë?

Të gjitha partitë që kanë qeverisur tranzicionin e Shqipërisë, janë të kriminalizuara deri në palcë. Mund të rendisim shumë krime të rënda të tyre. Kanë shkatërruar administratën e shtetit, kanë shkatërruar institucionet e shtetit, kanë shkatërruar zgjedhjet. Detashmentet e tyre janë detashmente kusarësh, ku pasi plaçkitin zgjedhjet, kthehen dhe plaçkitin shtetin. Plaçkitin të mirat dhe burimet e këtij vendi. Këto parti nuk kanë asnjë element demokratik në jetën e tyre të brendshme. Asnjë! Demokratike kanë vetëm retorikën e kryetarëve. As listat e anëtarëve të partive nuk u vihen në dispozicion konkurrentëve të kryetarëve.

Çfarë u duhet këtyre tre-katër kryetarëve të partive për të vazhduar ta mbajnë gjithmonë peng Shqipërinë? Për ta mbajtur për jetë peng parlamentin? Për të vazhduar tërë jetën ta mbushin këtë parlament me servilë e puthadorë të tyre? Çfarë u duhet? Asgjë tjetër nuk ju duhet përveç se të ruajnë kontrollin mbi partitë e tyre dhe të mbajnë në këmbë këtë sistem e proces zgjedhor. Asgjë tjetër, po e përsëris. Me këtë sistem, në politikën e Shqipërisë nuk hyn dot asnjë njeri tjetër. Nuk zgjidhet dot asnjë person, jashtë vullnetit të këtyre tre kryetarëve të partive. Nuk zgjidhet dot asnjë këshilltar edhe në bashkinë më periferike të Shqipërisë.

Si zhbllokohet situata?

Duhet Pakt Kombëtar.

Nëse flisni për Paktin Kombëtar kjo do të thotë që këto tre parti të jenë pjesë e paktit?

Sigurisht duhet të jenë pjesë e paktit.

Organizata kriminale siç thoni ju. Atëherë ku ishim?

Po patjetër, sepse kjo është Shqipëria. Na duhet të ngremë një sistem demokratik. Ky sistem demokratik dhe liritë që gjenerohen prej tij, do i japin mundësi popullit që të përtërijë këtë elitë drejtuese. Nuk besoj se një fuqi ndërkombëtare do të imponojë largimin e këtyre liderëve dhe demokratizimin e Shqipërisë.

Z.Kokëdhima, ju e njihni mirë politikën, por nëse hedhim sytë rrotull, shikojmë që Tsipras në Greqi, ‘Pesë Yjet’ në Itali, ‘Podemos’ në Spanjë, lëvizje të tjera që nuk është se kanë dashur shumë kohë, nga 2 deri në 5 muaj dhe janë kthyer në lëvizje popullore në parti parlamentare. Pse Shqipëria nuk e ka këtë, ose duket që nuk e ka këtë tharm për lëvizje të reja politike. Pse ‘Zgjidhja’ nuk është në këtë shtrat?

Sepse nuk është demokratike Shqipëria. Sepse Shqipëria nuk ka asnjë hapësirë që loja politike të zhvillohet mbi vlera, mbi parime, mbi platforma, mbi ide. Shqipëria është e kapur. Edhe korrupsioni nuk është ves i elitës. Korrupsioni tek ne është epidemi. Korrupsioni prek detashmente të tëra, dhjetëra e qindra mijë njerëz të këtyre partive. Kjo është Shqipëria jonë, e vogël dhe pa burime njerëzore, me një inteligjencë të kompromentuar, me një inteligjencë të frikësuar, me një inteligjencë të kompleksuar, me një inteligjencë të varur. Shqipëria nuk ka energji të brendshme që të bëjë ato zhvillime që do të duheshin.

Nëse Shqipëria është kështu siç thoni ju, çfarë iu bën ju të qëndroni në Shqipëri?

Është vonë për mua që të mendoj një alternativë tjetër për pjesën tjetër të jetës time.

Po për fëmijët tuaj?

Fëmijët e mi janë qytetarë të Europës. Dëshira ime si e çdo prindi tjetër është ti kem pranë e ti shoh përditë. Nga ana tjetër unë do vdes optimist dhe luftëtar. Kështu do mbetem deri në ditën e fundit të jetës. Kam besim tek e ardhmja e Shqipërisë, pavarësisht vështirësive të mëdha dhe situatës kritike në të cilën ajo ndodhet.

Në këto 20 minuta, asnjë grimasë optimizmi nuk shfaqët?

Jo. Ju duhet ta shikoni këtë te puna, te lufta dhe te përpjekjet që ne bëjmë. Ne kemi sakrifikuar interesa shumë të mëdha ekonomike e financiare dhe qetësinë personale, jemi përfshirë në një luftë të pakompromistë me të gjitha qeveritë dhe me tërë njerëzit e gjithëpushtetshëm të këtij vendi, kemi paguar kosto të jashtëzakonshme për të mbrojtur interesat publike dhe kauzat e mëdha të popullit tonë. Këtë e kemi bërë sepse besojmë tek e ardhmja demokratike e popullit tonë. Ne nuk do tërhiqemi nga këto qëllime. Nuk do thyhemi në asnjë rrethanë. Në dy vite e gjysëm jetë të lëvizjes sonë politike kemi bërë një punë shumë të madhe. Nuk po kërkojmë asnjë meritë për këtë. As për vete dhe as për kolegët e mi në Partinë ‘Zgjidhja’. Platforma, tezat, idetë, konceptet dhe programet tona, fillimisht dukeshin si metafora, të parakohëshme dhe si utopira. Por sot tezat tona janë bërë kaq popullore, i dëgjon çdo natë në gojë të tjera dhe në çdo studio televizive. Tani ka shumë aktorë të rinj, që po i zhvillojnë të gjitha këto shtylla të platformës politike të partisë ‘Zgjidhja’. Mund të konstatojmë se këto probleme thelbësore të Shqipërisë projekti jonë i ka shtruar për zgjidhje. Dhe, siç thuhet në matematikë, shtrimi i drejtë i problemit është gjysma e zgjidhjes së tij.

E keni fjalën për nismën #Thurja apo…

E kam fjalën edhe për nismën #Thurja, sigurisht. E kam fjalën edhe për dhjetëra gazetarë, drejtues programesh dhe intelektualë të angazhuar. E kam fjalën edhe për partitë e vjetra që i marrin këto teza herë pas here jo për t’i zbatuar por për t’i relativizuar. Unë e kam  fjalën këtu edhe për mjaft studiues të huaj, diplomatë dhe kancelari, që i artikulojnë këto reforma për ditë e më shumë si jetike dhe si rrugëdalje nga kjo situatë për Shqipërinë. Edhe sot një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, deklaroi se opozita duhet të bashkëpunojë me qeverinë për reformën zgjedhore. E vuri theksin pikërisht te kjo plagë e rëndë. Gjendja që po përjetojmë tani është anormale, atipike, e paprecedentë.

Nëse mund të flasim për dy hapa, le të themi, zgjidhje afatshkurtër dhe zgjidhje afatgjatë, për çfarë do të ishte ‘Zgjidhja’?

Votimet nuk janë zgjidhje për Shqipërinë.

E keni fjalën për 30 qershorin?

As 30 qershori dhe as 30 tetori, në qoftë se do ishte si 30 qershori. Këto lloj zgjedhjesh nuk sjellin progres në jetën e Shqipërisë. Ne na duhen zgjedhje të reformuara dhe jo rotacioni i pushtetit. PD dhe LSI nuk kërkojnë reformimin e zgjedhjeve, duan thjesht pushtetin dhe zgjedhjet e kapura. Rama është plotësisht i diskredituar. Qeveria e tij mafioze është moralisht e vdekur. Por, nëse zgjedhjet nuk reformohen, më mirë të rrinë atje ku janë qeveria e Ramës dhe ky moçali i politikës. Kriza dhe konfliktet do thellohen dhe shteti do shkojë drejt falimentimit të plotë. Kjo do na angazhojë të gjithëve për zgjidhjen e vërtetë. Rotacioni i pushtetit pa demokratizimin e zgjedhjeve do jetë mirazhi i radhës, mashtrimi i ri dhe një iluzjon e zhgënjim tjetër që do e zgjasë edhe 20 vjet të tjera tranzicionin. Nuk do i kurojë rrënjët e krizës. Do e lërë kancerin në trupin e shtetit shqiptar.

Partia juaj ka një emër që quhet ‘Zgjidhja’. Nga analiza që ju bëni, ka plot përkrahës, ka edhe kritikë që thonë që është edhe më zi seç e bëni ju. Çështja është si do të dalim? Nuk funksionon administrata, nuk ka “check and balance” të pushteteve, nuk ka konkurrencë, ekonomia është e bllokuar. Kemi një situatë shumë reale. Ju thoni që duhet Pakti, ose përndryshe këtë do ta zgjidhë vetë populli, në mënyrën e tij anarkike e kaotike. Në ç’formë e shikoni kaosin dhe pse?

Në qoftë se Shqipëria nuk gjen rrugën, ajo do të shkojë në kaos dhe në dështim akoma më të rëndë. Shqipëria e ka humbur rrugën. Kush kërkon të na manipulojë dhe të na mbajë në gjumë, nuk e bën këtë për të mirën e popullit shqiptar.

Këtu e keni fjalën për të huajt?

E kam fjalën për qeverinë, e kam fjalën për institucionet e shtetit shqiptar, e kam fjalën për inteligjencën e Shqipërisë që është përgjegjëse për të ndriçuar mendërisht dhe shpirtërisht popullin tonë, e kam fjalën dhe për ata që janë miq të Shqipërisë apo që ndihen si të tillë. Të gjithë këta kanë përgjegjësi për këtë situatë. Ne prezantuam Paktin Kombëtar, që në fakt është një paketë propozimesh. Ajo paketë ka synim të reduktojë pushtetin e këtyre tre-katër njerëzve që na kanë marrë peng dhe t’ia kthejë këtë pushtet popullit.

Z.Kokëdhima, ju flisni për pakte, flisni për zgjidhjen që duhet kërkuar me njerëzit që janë pjesë e problemit.

Duhen përfshirë të gjithë.

Nga ana tjetër qeveritë autokratike të Tiranës, nuk rrinë dot asnjë ditë në këmbë, pa mbështetjen financiare, politike dhe ushtarake të Perëndimit?

Është e vërtetë.

Pse Perëndimi është i interesuar të mbështesë qeveri autokratike dhe të korruptuara?

Qëndrimet e Perëndimit në përgjithësi janë udhëhequr nga stabilokracia dhe jo nga vlerat demokratike europiane. Prandaj dhe jemi kritikë me Bashkimin Evropian, sepse nuk ka  bërë sa duhet që në Shqipëri të sundojnë vlerat demokratike të shoqërive të civilizuara të perëndimit. Ata mbyllin sytë për hir të stabilitetit. Ne nuk themi që stabiliteti është diçka e keqe. Ne nuk themi që stabiliteti nuk ka rëndësi të madhe. Por themi një gjë tjetër. Që stabiliteti në kurriz të demokracisë është fals. Nuk është një stabilitet i vërtetë. Fakti që Shqipëria shkon nga kriza në krizë, besoj se duhet të na bindë për këtë argument. Shqipëria ka një tranzicion të mbushur me kriza. Vetëm këto 10-12 vitet e fundit kemi pasur mbi 6 bojkote parlamenti, dy greva urie, dy shtyrje zgjedhjesh dhe djegien e padëgjuar të mandateve. Për çfarë ndodhin të gjitha këto? Ndodhin sepse kryetarët e partive e kanë kthyer Shqipërinë në plaçkë dhe sulltanat të tyre.

Çfarë do t’i detyronte sulltanët e partive të hiqnin dorë nga pushteti i tyre?

Duhet ndërgjegjësim dhe një presion i madh nga poshtë. Së dyti, ndërgjegjësimi i faktorit ndërkombëtar dhe rritja e presionit të tij. Shqipëria po bie çdo ditë, kush nuk e shikon këtë është ose qorr, ose i papërgjegjshëm. Shtetet rrinë në këmbë e fuqizohen në qoftë se janë të afta të përmbushin misionin e tyre dhe të bëjnë ekonomi të fortë e konkurruese, të bëjnë drejtësi, institucione të besueshme dhe zhvillim të gjithanshëm. Shtete që nuk i bëjnë dot këto janë të destinuara të shpërbehen dhe të shuhen. Ne duam që shteti ynë të forcohet, që kombi jonë të lulëzojë dhe populli ynë të jetojë i lumtur dhe i begatë në atdheun e tij. Prandaj kemi nevojë për një pakt të madh, për një fillim të ri, për një ndryshim të madh. Duhet të ndryshojmë. Nuk mund të mashtrojmë më veten.

Diskursi politik në Shqipëri, zakonisht dominohet nga personalitetet dhe nga personat. Edhe ju nuk i keni shpëtuar dot marrjes në mënyrë individuale me emrat. Po lexoj vetëm tre katër fjali. “Basha nuk kërkon të zgjidhë krizën, kërkon tepsinë”. “Basha e ka ngrënë turpin me bukë”. “Veliaj është i pa kulturuar dhe i pa shkollë”. “Erion Veliaj është Fake Leader”. “Veliaj është dashnor i kullave të betonit”. “Shqipëria është narkoshtet”. Pse duhet të përqendrohemi në debat rreth personave dhe liderëve dhe jo drejt institucioneve, çështjeve dhe politikave? Pse edhe ‘Zgjidhja’ ka rënë në këtë grackë?

Nuk kemi rënë në asnjë grackë. Ne deklarojmë faktet dhe përgjegjësitë e njerëzve të gjithpushtetshëm të vendit. Kur i drejtojmë gishtin Lulzim Bashës, e bëjmë këtë gjë sepse ai dhe partia e tij kanë një përgjegjësi shumë të madhe për situatën e rëndë të Shqipërisë. Kështu bëjmë edhe për të tjerët. Me vërtetësi dhe etikë. Ne u kemi ofruar bashkëpunim të gjitha palëve. I kemi ftuar që të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjen, sepse Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve. Nuk është vetëm e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt. Sot institucioneve tona ju imponohet vullneti i tre-katër njerëzve. Këta janë Dinastia e Re e Shqipërisë. Ne duam që pushteti i kësaj dinastie të bjerë dhe të ngrihet pikërisht sundimi i ligjit dhe pushteti i institucioneve të shtetit.

Ku e shikoni Partinë ‘Zgjidhja’ të testuar në beteja elektorale?

Kur marrim vendime nuk udhëhiqemi nga interesi partiak, por nga interesi kombëtar. Bojkotimi i zgjedhjeve është një sakrificë e jashtëzakonshme. Sepse një parti e re rritet vetëm përmes betejave elektorale.

Por këto janë zgjedhjet e dyta që bojkotoni.

Këto nuk janë zgjedhje, prandaj i bojkotojmë. Nëse në vitin 2017 do të ishte dëgjuar apeli ynë për të bojkotuar e bllokuar zgjedhjet e pareformuara të 25 qershorit, do ishte kursyer kriza e rëndë në të cilën jemi zhytur tani. Zgjedhjet më parë duhet të reformohen dhe të demokratizohen. Duhet të ikin të gjithë komisionerët e partive dhe të vendoset një KQZ tërësisht e pavarur. Po të qe dëgjuar apeli ynë dy vjet më parë, sot do të kishim hapur negociatat e pranimit me Bashkimin Evropian. Por kjo nuk u bë. Pse? Sepse u pëlqeu tepsia, sepse në vend të reformës zgjedhore u bë kompromisi PS-PD për të ndarë pushtetin në tavolinë. Shikoni se ku na sollën.

Do të bëhet më keq para se të bëhet më mirë, apo do të bëhet më mirë?

Ne do të luftojmë që të bëhet më mirë. Më vjen shumë keq që nuk po kemi mundësi të debatojmë platforma, ide, programe e reforma, ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore, të cilat do të begatonin tregjet dhe do të bënin një zhvillim të shpejtë e të shëndetshëm të Shqipërisë. Ne do të bashkëpunojmë me të gjithë shqiptarët. Me njerëzit e ndershëm dhe me mëkatarët. Kjo për hir të interesave të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët dhe veçanërisht inteligjencën, t’i përqafojnë tezat e ‘Zgjidhjes’ për t’i dhënë një rrugë të mirë Shqipërisë dhe për të mos e lejuar as edhe një ditë më shumë këtë agoni që po na merr frymën deri në fund.

 

 

0
Këshilltari ekonomik i CDU-së, Martin Henze: Situata në Shqipëri është katastrofike

Këshilltari ekonomik i CDU-së, Martin Henze: Situata në Shqipëri është katastrofike

 

Protesta e djeshme e opozitës ishte në vazhdën e protestave dhe reagimeve që opozita shqiptare ka ndërmarrë. Gjermania është renditur te vendet skeptike të Bashkimit Evropian në raport me Shqipërinë. Një nga problemet më të mëdha janë zgjedhjet në vend dhe raporti i tyre me votën e lirë. Martin Henze, këshilltari për çështjet ekonomike tek CDU-ja gjermane, në intervistën e dhënë për gazetën “Shekulli”, thekson se, Shqipëria ndodhet në një situatë shumë të rrezikshme dhe katastrofike. Pjesë e këtij problemi është blerja e votës dhe mos zbatimi i duhur i kritereve të Kopenhagenit.

Shqipëria ka marrë një përgjigje negative nga Këshilli i BE. Negociatat shtyhen në tetor. Si e shihni këtë situatë?    

Vendimi për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë Veriore është shtyrë deri në tetor. Hapja e bisedimeve me Shqipërinë është e mundshme. Kjo është shumë e kuptueshme. Qeveria Rama, e cila është ende në pushtet, në asnjë mënyrë nuk i ka plotësuar kushtet e Deklaratës së Kopenhagenit dhe kushteve të vendosura nga ministrat e jashtëm të BE-së në maj 2018. Ata duhet të pranojnë qartë se qeveria Rama ka vënë gjyqësorin në vitin 2018 si një shtojcë jofunksionale dhe kështu edhe parlamenti është jashtë rendit. Krimi e korrupsioni janë rritur dhe tani del se zgjedhjet parlamentare në vitin 2017 u manipuluan masivisht nga partia në pushtet. Protokollet e përgjimit zyrtarisht janë një fyerje për popullin shqiptar dhe bashkësinë ndërkombëtare. Z. Rama nuk ka bërë detyrat e shtëpisë, një marrëveshje shumë të keqe kjo e qeverisë, për popullin shqiptar.

Një çështje tjetër është shqetësimi i BE-së për liberalizimin e vizave. A mendoni se Shqipëria është në një situatë të rrezikshme për këtë problem?  

Shqipëria është në një situatë jashtëzakonisht delikate. Nëse nuk ka ndryshime të menjëhershme politike në Shqipëri, zbatimin e kritereve të Kopenhagenit, përmbushjen e kërkesave të Ministrave të Jashtëm të BE-së, rivendosjen e shtetit demokratik kushtetues, minimizimin e korrupsionit dhe respektin për opozitën e zgjedhur dhe dekretet kushtetuese dhe korrekte të Presidentit e Republikës, të drejtat e njeriut do të jenë shumë problematike. Qeveria e tyre përshkruhet nga mediat ndërkombëtare si një “qeveri mafioze” dhe kjo dokumentohet me kaseta të verifikueshme të shërbimeve të inteligjencës. Këto janë probleme masive për Shqipërinë dhe jo për BE-në. BE-ja përbëhet nga 28 shtete anëtare dhe anëtarësimi nuk do të jetë falas. Manipulimi i zgjedhjeve parlamentare në vitin 2017, që ndodhi, po paraqet gjithnjë e më shumë problem. Një proces i tillë sigurisht që mund të korrigjohet vetëm me zgjedhje demokratike, të lira dhe kombëtare.

Po në lidhje me qëndrimin e elitës politike shqiptare ndaj BE-së? Kryeministri Edi Rama po përpiqet të thotë se BE është prekur nga populistët ekstremiste. Por partitë e tjera këtu në Shqipëri po thonë se gabimi kryesor është qeveria. A jeni dakord me këtë konkluzion?

Anëtarët e Bashkimit Evropian janë shtete të civilizuara. Kërkesa të qarta janë bërë nga Bashkimi Evropian dhe anëtarët e saj. Situata në Shqipëri është bërë katastrofike që nga viti 2013, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Përgjegjësia politike për këtë fatkeqësi dhe dështimi për të filluar bisedimet qëndrojnë tërësisht mbi qeverinë e Rama dhe personat e përfshirë në parti, si krye bashkiaku i Tiranës.

Cilat janë shqetësimet kryesore të Shqipërisë sot?    

Pyetja duhet të marrë përgjigje nga shqiptarët. Sigurisht që ata tani janë duke u përballur me një ndërthurje trafiku shumë vendimtare si një komb. Nëse vazhdojnë si më parë, nuk shoh një të ardhme ekonomike dhe politike. Nëse përpiqen të organizojnë një ndryshim thelbësor ekonomik dhe politik, siç e kam përshkruar atë, si një komb, një tregim në një demokraci, atëherë ata do të kenë një të ardhme të begatë. Shqipëria, sipas mendimit tim, ka burime të mjaftueshme dhe njerëz mjaft të talentuar dhe të përkushtuar.

Korrupsioni

Martin Henze analizon se: Kuadri ligjor kombëtar i Shqipërisë nuk është i lirë nga dispozitat mbi konfliktet e interesit, veçanërisht në fushën e qeverisjes, të cilat njihen si çështje më të rrezikuara nga “ndërhyrja”, por as rregulloret private apo ato publike nuk përmbajnë një përkufizim të plotë të “konfliktit të interes” dhe nuk japin udhëzime operacionale për ata që mund të marrin vendime organizative që mund të ndryshojnë rezultatin e proceseve të biznesit. Kjo sigurisht përfshin vetëdijen e qeverisë dhe të nëpunësve civilë për të drejtën e ndalimit të korrupsionit. Në të njëjtën kohë, zhvillimi i rregullave të ligjit rrallë jep informacion praktik mbi menaxhimin e fenomenit. Menaxhimi i konflikteve të interesit në proceset e biznesit përfshin një kompromis midis dëshirës për të ruajtur funksionimin e duhur të biznesit dhe për të zvogëluar rrezikun e reputacionit dhe humbjen e vlerës që një transaksion ose partner mund t’i sjellë biznesit dhe palëve të interesuara. Qeverisja dhe korrupsioni tani janë në qendër të çdo debati mbi zhvillimin ekonomik dhe për këtë arsye të ardhmen e Shqipërisë dhe popullit të saj. Shtypi ndërkombëtar dhe institucionet ndërkombëtare raportojnë për një rritje masive të trafikut të drogës dhe korrupsionit pas marrjes së përgjegjësisë qeveritare nga qeveria aktuale e Rama”.

Masat që duhet të marrë qeveria, 6 rekomandimet

Martin Henze jep gjashtë rekomandime të cilat duhet të merren nga ana e politikës dhe qeverisë shqiptare.

  1. E drejta e lirisë së shtypit, mbledhja, shprehja dhe pjesëmarrja në zgjedhjet demokratike në Shqipëri është një kriter parësor. Qasja e qeverisë aktuale Rama, në një sistem jofunksional ligjor dhe parlamentar si ai në Shqipëri, defekti i të cilit u shkaktua nga vetë qeveria Rama, me një qeveri të ngarkuar me korrupsion, ku duket se ka lidhje me mafien dhe përjashton të gjithë opozitën e zgjedhur demokratike të Shqipërisë, që duan të mbajnë zgjedhjet lokale më 30 qershor 2019, pavarësisht faktit se Presidenti i Shqipërisë, Meta, anuloi këtë datë zgjedhore në përputhje me nenin 93 të Kushtetutës Shqiptare, është një tipar i rëndësishëm i qeverisjes së keqe.
  2. Duhet të merret parasysh paqëndrueshmëria politike dhe akte të tjera dhe shkaqet e dhunës brenda Shqipërisë. Veprimi i tanishëm masiv i policisë së shtetit dhe e shtetit kundër demonstrimeve paqësore të shtetasve shqiptarë që duan të parandalojnë zgjedhjet e anuluara nga presidenti dhe nga ana tjetër hetimet e ngadalta kundër krimit qeveritar dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës janë më tej tregues të keq qeverisjes.
  3. Kapaciteti qeveritar ose, cilësia e shërbimeve publike, burokracia dhe formulimi dhe zbatimi i masave të politikave. Kjo gjithashtu përfshin shkallën e pavarësisë së institucioneve publike nga presioni politik. Një çështje e rëndësishme e qeverisë aktuale Rama në Shqipëri.
  4. Një çështje tjetër është aftësia e qeverisë për të zbatuar politika dhe rregullore të shëndosha për një sektor privat miqësor ndaj tregut. Kushdo që vendos një gjykatë kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë, dhe kështu Parlamentin, në një shtet jofunksional dhe nuk pengon politikisht rritjen e korrupsionit dhe trafikimit të drogës, do të lejonte përfundimin se politika aktuale rregullatorë e qeverisë Rama është shumë problematike, qeverisje e keqe.
  5. Fokusi do të jetë në cilësinë e zbatimit të kontratave dhe ashpërsinë e masave policore dhe gjyqësore. Sistemi gjyqësor në Shqipëri është jofunksional, prandaj nuk ka siguri ligjore në sistem, dhe sjellja jo kushtetuese dhe veprimet e qeverisë Rama dhe administratës së saj, aktualisht nuk mund të rishikohen dhe/ose të parandalohen.
  6. Së fundi, niveli i “kontrollit të korrupsionit” do të duhet të marrë parasysh shkallën në të cilën fuqia e besuar përdoret për përfitime private dhe kapjen e shtetit. Nëse shikojmë tani rezultatet e treguesve individualë, mund të shihet se Shqipëria aktualisht ka vlera jashtëzakonisht të ulëta ose një cilësi të ulët të qeverisjes së mirë. Kjo sugjeron që qytetarët shqiptarë kanë pak fjalë në shumë prej çështjeve, se Shqipëria përballet me paqëndrueshmëri ekstreme politike, performancë të dobët të qeverisë, politikë rregullatore shtetërore dhe sundim të ligjit, si dhe kontroll të dobët korrupsioni; Shqipëria duket se ka një qeverisje të keqe. Një qeveri e ardhshme demokratike në Shqipëri nuk duhet të lërë luftën kundër korrupsionit vetëm agjencive të zbatimit të ligjit, por duhet të përfshijë të gjithë ata që janë përfshirë – shteti, shoqëria civile dhe sektori privat. Për më tepër, lufta kundër korrupsionit duhet të bëhet një projekt shqiptar. Si hap i parë, “ishujt e integritetit” duhet të krijohen në të gjitha shtetet, ku sektorët individualë me vetëdije po trajtojnë masat antikorrupsion (si deklaratat publike, marrëveshjet kundër korrupsionit ose transparencën në dhënien e kontratave) dhe kjo vlen edhe për ato OJQ të infiltruar nga korrupsioni. Gjëja thelbësore dhe e rëndësishme është një politikë e mençur dhe efikase ekonomike dhe sociale. Rritja ekonomike nënkupton vende pune, vende pune, vende pune, fitime për sipërmarrësit dhe të hyra tatimore për shtetin shqiptar. Si rezultat, baza për korrupsion do të ishte tharë. Në fund të fundit, ai mund të gjykohet, kufizimi i korrupsionit duhet parë si pjesë jo vetëm e qeverisjes së mirë në Shqipëri, por edhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

 

3
Rocco Buttiglione: Shqipëria drejt grushtit të shtetit, rreziku i mafies dhe zgjedhjet farsë

Rocco Buttiglione: Shqipëria drejt grushtit të shtetit, rreziku i mafies dhe zgjedhjet farsë

Shqipëria është një vend i afërt dhe mik i yni, me lidhje historike e ekonomike prej mijëra vitesh. S’mund të qëndrojmë indiferentë ndaj krizës që po e copëton atë komb dhe po e çon buzë luftës civile. Qeveria e tanishme “Rama” u zgjodh në 2017-n me një epërsi shumë të brishtë, por po vepron në një klimë frikësuese, duke lëvizur në kufijtë e ligjshmërisë, bile edhe duke i kapërcyer këta kufij. Shumë hetime kanë provuar bashkëpunimin e mjaft funksionarëve të nivelit të lartë, bile edhe të disa anëtarëve të qeverisë me kartele të trafikut të drogës dhe armëve. Shqipëria po rrezikon të kthehet në qendrën e mafies ndërkombëtare të Mesdheut. Për këtë situatë të rëndë kanë ngritur zërin jo vetëm opozitat e ndryshme brenda vendit, por edhe shtypi ndërkombëtar, por pa rezultat. Gjermanja “Bild” publikoi gjashtë përgjime të Prokurorisë shqiptare, në të cilat shfaqej bashkëpunimi i mafies në falsifikimin e zgjedhjeve të 2017-s, me të cilat erdhi në pushtet Edi Rama.

Opozita, duke parë padobishmërinë e aksionit parlamentar, në fund vendosi të tërhiqej nga parlamenti, duke i hapur udhë një serie mbresëlënëse manifestimesh (8 deri më tani), të cilat gjithsesi, deri më tani s’kanë mundur të lëkundin vendosmërinë e qeverisë për t’i imponuar vendit një regjim autoritar. Ato nuk mundën të siguronin as një hetim të paanshëm mbi lidhjet e mafies me politikën në Shqipëri. 30 qershorin e ardhshëm duhet të mbaheshin zgjedhjet lokale. Opozita, e drejtuar nga Partia Demokratike, vendosi bojkotimin e tyre, duke mos paraqitur kandidatë. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se nuk është e mundur që në këtë klimë intimidimi të mbahet një fushatë zgjedhore dhe se ka prova evidente që tregojnë se forcat qeveritare po përgatisin një manipulim gjigant të zgjedhjeve.

Evidentohen anomali të mëdha në procesin e regjistrimit të zgjedhësve dhe shumë prej kandidatëve qeveritarë të Partisë Socialiste janë të lidhur me bandën e Avdylajve, veçanërisht kandidati për bashkinë e Durrësit, qyteti i dytë më i madh në vend. Qeveria nuk pranon dialog me opozitën dhe ka refuzuar të japë garanci mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Në këtë gjendje, presidenti i Republikës Ilir Meta, shpalli shtyrjen e zgjedhjeve. Sipas kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, presidenti i republikës është garanti i unitetit kombëtar, ndërkohë që përcaktimi i datës së zgjedhjeve është ekskluzivisht një prerogativë presidenciale. Në dekretin e pezullimit të zgjedhjeve, Ilir Meta theksonte qartësisht se nuk ekzistojnë kushtet për një proces zgjedhor dhe se në gjysmën e bashkive kishte vetëm një kandidat të regjistruar. Edhe në gjysmën tjetër, kandidatët i përkasin vetëm një partie ose një koalicioni zgjedhor.

Shihet qartë se kryebashkiakët e zgjedhur në këto kushte assesi s’mund të përfaqësojnë komunitetet e tyre dhe legjitimiteti i tyre nuk do të njihej nga një pjesë e madhe e komunitetit, mbase nga shumica e tij. Presidenti ka njoftuar se do të marrë të gjitha nismat e duhura për të rifilluar dialogun politik dhe për të mundësuar kushtet e një ballafaqimi paqësor elektoral. Pas dekretit, Edi Rama, kreu i qeverisë, e fyeu Kreun e Shtetit, tha se zgjedhjet gjithsesi do të bëhen dhe ka nisur një proces parlamentar për ta vënë nën akuzë Presidentin e Republikës. Por në fakt, kreu i shtetit thjesht ka ushtruar kompetencat që i janë atribuar nga kushtetuta dhe gjithsesi parlamenti nuk ka asnjë mundësi të vendosë nën akuzë Kreun e Shtetit. Rama po lëviz qartësisht jashtë kufijve që i përcakton kushtetuta. Është një Grusht Shteti. Italia duhet t’i dënojë pa ekuivok sjelljet e qeverisë shqiptare, duhet ta bëjë për miqësinë që na lidh me popullin shqiptar, i cili, pas rënies së komunizmit, ka mundur të ndërtojë me vështirësi një ekonomi funksionale dhe një shtet të së drejtës. Por tani, të gjitha këto arritje mund të vaniten dhe rrezikojmë të gjendemi me një Shqipëri ekonomikisht të çekuilibruar dhe në dorë të mafies.

Duhet ta bëjmë sepse po humbasim të gjitha avantazhet e arritura në çështjet e zhvillimit ekonomik, të drejtave civile dhe zhvillimit kulturore, përmes bashkëpunimit të frytshëm të gjithë këtyre viteve. Rrezikojmë të kthehemi në kohët kur Kanali i Otrantos ishte rruga e kontrabandës së armëve, si dhe trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore. Duhet ta bëjmë sepse është në interesin e Shqipërisë dhe në interesin e Italisë që Shqipëria të hyjë në Bashkimin Evropian, por kjo Shqipëri nuk mund të hyjë në BE dhe do të jetë – siç tashmë është – një faktor konflikti dhe destabilizimi në të gjithë Ballkanin. Italia mund të bëjë shumë, nëse flet me zë të fortë e të qartë. I kërkojmë qeverisë ta bëjë atë energjikisht dhe e vendosur.

 

*Ish-ministër për Europën, Itali

 

0
Koço Kokëdhima: Ta zgjidhim krizën pa kërkuar ‘Vranitzky’-n

Koço Kokëdhima: Ta zgjidhim krizën pa kërkuar ‘Vranitzky’-n

 

Mazhoranca kërkon të bëjë zgjedhje e vetme, presidenti kërcënohet të rrëzohet dhe opozita ngre Aleancën Qytetare, si komitetet e shpëtimit të vitit 1997.

Në maj 1996, zgjedhjet parlamentare u vodhën masivisht nga Berisha dhe u dënuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Partitë opozitare bojkotuan procesin. PD fitoi 122 nga 140 vende në parlament.

Në 1997, shembja e skemave piramidale solli humbjen e parave të qytetarëve dhe nxiti protesta të gjera antiqeveritare. Presidenti Berisha shpalli shtetrrethimin në 1 mars 1997 kur grupe të armatosura morën kontrollin e qyteteve. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian dërgoi në Shqipëri një mision këshillues të drejtuar nga kancelari Franz Vranitzky, i cili ndihmoi në zbutjen e krizës politike, duke iniciuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës. E majta erdhi në pushtet me një mbështetje të madhe popullore dhe shkroi kushtetutën e vitit 1998, që niste me fjalët: ne populli shqiptar…

Pajtimi që i bëri OSBE politikanëve shqiptarë, i shoqëruar me amnisti për krimet e tyre, u kthye në model, që në fakt përjashton vullnetin popullor, përfshirë edhe të drejtën për t’u zemëruar.

Qysh nga viti 1997, marrëveshja e dy partive të vjetra ka rrënuar sundimin e ligjit dhe demokracinë pluraliste në Shqipëri.

Të huajt do të ishin pjesë, hartues dhe garantues të pakteve, ndryshimeve ligjore dhe certifikimit të pushtetit në këto 22 vjet të errët të demokracisë shqiptare. Marrëveshjet do ta përçudnonin kushtetutën, aq sa sot nuk ka më ekuilibër dhe reputacion të institucioneve.  Ministri i Jashtëm grek, Katrougalos, i cili  ka punuar si këshillltar i reformave zgjedhore të viteve 2000, në Shqipëri, tani mund të vërë re përkeqësimin.

Pakti Nano-Berisha i vitit 2002 për zgjedhjet ishte baza e marrëveshjeve të mëvonëshme Rama-Berisha dhe Rama-Basha. Pjesë e negociatave të vitit 2002 ishin edhe përfaqësuesi i OSBE-së Geert Ahrens dhe danezi Jorgen Grunnet i Këshillit të Europës. Më 17 mars 2002 është bërë një takim në OSBE, në zyrat e ambasadorit Ahrens. Aty u shkrua protokoll- marrëveshja PS-PD. Këtu u fut termi “reforma bipartizane konsensuale”.  Ishte thjesht ndarje pushtetesh në tryezë. Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje u vendos që të zgjidhej presidenti konsensual. Një ditë pas këtij takimi u shkarkua Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi. Firmat e Nanos dhe Berishës do të hidheshin në zyrat e OSBE-së në 5 prill 2002. Fotot e shtrëngimit të duarve të “dy armiqve” në atë kohë, iu mjaftonin njerëzve për të justifikuar çdo pakt që ata do të bënin. Në këtë rrugë, Edi Rama në vitin 2008 firmosi ndryshimet kushtetuese famëkeqe dhe në vitin 2012 ato për Kodin Zgjedhor.

Marrëveshja e partive të vjetra është mbi ligjin dhe kushtetutën. Ato e kanë zhveshur popullin nga të gjitha të drejtat. Kryetarët e partive të vjetra kanë kapur shtetin, parlamentin, partitë, zgjedhjet, ekonominë, burimet, administratën etj. Gjithçka është në duart e këtyre tre-katër burrave. Popullit i vijnë fatkeqësi edhe nga bashkëpunimi e marrëveshja edhe nga lufta mes tyre. Sepse asnjë luftë apo marrëveshje e tyre nuk bëhet për interesat e shqiptarëve! Asnjë!

Pse sot na udhëheq marrëzia dhe askush nuk kupton çfarë po ndodh? Pse është çmendur ‘kali’? Pse sot në protesta kërkohet vetëm koka e Edi Ramës? Pse nuk kërkohen reformat jetike për vendin? Si ka mundësi që kur ua do puna këtyre dy-tre liderëve ne mbetemi pa parlament, pa deputetë, pa paqe e siguri, pa zgjedhje, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pa reformë zgjedhore? Mirë se punë, zhvillim e mirëqenie nuk po shpresojmë më! A nuk ju duket si e sajuar kjo situatë lufte? Çfarë është prishur që sot shantazhohemi me përplasje e konflikt civil dhe nuk po gjendet një pazar i ri si shumë të tjerë më parë?

“Është ekonomia, budalla”, thotë një shprehje e famshme e Klintonit në 1992. Përveç makutërisë së paparë e të padëgjuar ndonjëherë për të grumbulluar të gjitha pushtetet e Republikës në dorën e tij, Edi Rama ua kaloi në mënyrë të frikshme paraardhësve me pushtetin ekonomik që krijoi përmes hashashit, krimit, korrupsionit dhe PPP-ve duke krijuar fonde e pasuri gjigande për vete dhe për klientët e tij. Por jo vetëm kaq. Duke përdorur mafien e marijuanës dhe kriminelët e çdo lloji, ai arriti të prishë të gjithë ekuilibrat. Raportet duket se kanë ndryshuar në mënyrë të thellë. Kundërshtarët e tij ndihen të kërcënuar edhe penalisht, përveç se politikisht. PD e ka akuzuar Ramën se prishi konsensusin e 22 korrikut 2016 për të bërë reformën në drejtësi. Me pak fjalë, PD dhe LSI duan prokurorin e përgjithshëm dhe të kenë veto në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të shtyjnë në kohë krijimin SPAK, që e kontrollojnë SHBA dhe BE, sipas ndryshimeve kushtetuese. Si reagim, opozita bllokoi për herë të parë, pas 15 vitesh pseudoreformën konsensuale zgjedhore.

Kjo përplasje i intereson kryeministrit. Edhe ai ndihet i kërcënuar për krimet që ka kryer në qeverisje. Vetëm në kushtet e kaosit, si ai i vitit 1997, mund të vihet në tryezë gjithçka bashkë me zgjedhjet, përfshirë Drejtësinë dhe amnistinë për veten e tyre.

Sot po përballet një autokrat që kërkon sundim dhe pasuri dhe një opozitë e pasinqertë, e paaftë dhe e pabesueshme, që nuk ka vizion dhe as një platformë përbashkuese, por vetëm detashmentet e militantëve, që po i riorganizon në formën e komiteteve të shpëtimit.

Sot, me përpjekje teatrale në Bruksel, në Berlin e gjetkë, kryeministri po mundohet t’ua pikturojë situatën zyrtarëve të BE-së, në mënyrën sa më mirë për qeverinë. Ata e mbështetin të bëjë zgjedhjet i vetëm në 30 qershor. Duket sikur duan të shohin finalen e tragjikomedisë shqiptare. Një ndryshim tjetër në tablo vjen nga presidenti. Ai ka nxjerrë një dekret për shtyrjen e zgjedhjeve. Presidenti i dha kohë dhe mundësinë që të merren vesh Edi Ramës dhe opozitës rreth PD-së. Nëse kjo kohë harxhohet me komitete e aleanca shpëtimi, do të shkohet drejt kaosit dhe konsolidimit të tiranisë. Nëse zhvillohet një platformë kombëtare gjithëpëfshirëse e konsensuale me qëllim demokratizimin e qeverisjes, shtetit, partive dhe zgjedhjeve, paqja do të garantohet, sovraniteti i popullit do të rivendoset dhe do të ngushtohet në mënyrë domethënëse pushteti i kryetarëve të partive. Jo një pazar mes kryetarëve të partive. Jo një pazar si ai i 18 majit dhe as si shumë të tjerëve përpara tij. Ne të partisë ‘Zgjidhja’ këtë e quajmë Pakti Kombëtar për kapërcimin përfundimtar të krizës, Pakt Kombëtar për stabilitet demokratik dhe jo për stabilitet autokratik. Është momenti ta nisim këtë proces dhe t’ia mbërrijmë pa kërkuar një Franz Vranitzky të ri. Kjo është një sprovë e re që do vendosë shumë për të ardhmen e Shqipërisë. Të mos humbim kohë. Duhet të shembim sundimin e marrëveshjes së tre-katër njerëzve jo të lartë dhe të vendosim lirinë dhe rendin e ligjit në tokën tonë.

0
Shenasi Rama: Të gjitha palët politike janë bashkë në këtë lojë, Meta ka interesa jetike

Shenasi Rama: Të gjitha palët politike janë bashkë në këtë lojë, Meta ka interesa jetike

 Intervista për gazetën ‘Shekulli’,  ish-lideri i dhjetorit, Prof. Shenasi Rama, analizon situatën e fundit politike në vend dhe përpjekjet e Edi Ramës për të shkarkuar kreun e shtetit. Prof. Rama nuk lë mënjane edhe rolin e ndërkombëtarëve

 

Vendimi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta për të vendosur shtyrjen e zgjedhjeve lokale, ka lënë të pa kënaqur mazhorancën në vend. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar që të marrë në shqyrtim fletët e votimit dhe të fillojë me përgatitjen e zgjedhjeve lokale. Por pavarësisht kësaj, duket se roli i ndërkombëtarëve është akoma i padukshëm. Këtë e vë në dukje edhe Prof. Shenasi Rama, si ish-themelues i Partisë Demokratike dhe lider i lëvizjes së Dhjetorit 1990. Të gjithë bien dakord se kjo është një krizë e brendshme politike dhe për këtë arsye bashkësia ndërkombëtare e ka lënë në dorë të politikës së brendshme për të zgjidhur këtë krizë. Sipas Prof. Ramës, Shqipëria ndodhet në një gjendje tepër të vështirë, pasi ndërkombëtarët kanë vendosur një bllokadë ndaj Shqipërisë. E gjithë situata sipas Prof. Ramës është tepër e rëndë dhe shteti është i kapur nga krimi dhe droga. Në të njëjtën kohë theksojmë se, procedurat për shkarkimin e Presidentit nisin me kërkesën e një të katërtës së deputetëve, ose 36 prej tyre, ndërsa vendimi duhet të merret me të paktën dy të tretat ose 94 vota, të cilat shumica e vetme nuk i ka. Sidoqoftë, edhe nëse parlamenti e aprovon, fjalën e fundit do të duhet ta thotë Gjykata Kushtetuese, e cila për momentin është jashtë funksionit, me vetëm 1 nga 9 anëtarët e saj.

Çfarë mund të ndodhë tani me situatën politike në vend? 

Tani ka dy rrugë: ose Edi Rama vendos që të shkojë në zgjedhje me të vetët si në qeveri ashtu edhe në opozitë, e natyrisht edhe në përplasje rruge dhe në përfundim të vendosë një sistem totalitar, sepse e ka mbështetjen me shumicën që ka PS, i ka numrat dhe ka një shtet të mbushur me besnikë e rrogëtarë që jetojnë për skllavërinë e rrogës. E dyta, për të ruajtur veten dhe sistemin, Edi Rama do të ndjekë procedurat ligjore, do të humbë me nder votimin për shkarkimin e presidentit në kuvend, ua lë fajin ligjeve dhe kështu do të ketë respekt për marrëveshjen që kanë bërë në fshehtësi. Për të ruajtur sistemin bashkë bëjnë një qeveri tranzitore, ndryshojnë ca ligje dhe i mbajnë zgjedhjet ose në vjeshtë ose në pranverë. Vera nuk duhet me kenë me probleme, këta duan të shkojnë me pushime, kthehen emigrantët, vijnë të huajt, dhe vlon paraja. Nuk e prishin verën për protesta asnjëra palë. Në fund të javës mbyllet ky teatri i kukullave shqiptare dhe në dy javë bëjnë qeverinë me shkelmat mediatike dhe me shumë zhurmë dhe me 26 shkojnë me pushime.

A njeh Shqipëria precedentë të tillë, në të cilën Presidenti i Republikës ka shtyrë zgjedhjet?

 Po zgjedhjet janë shtyrë edhe më parë. Janë shtyrë në vitin 1991 kur nuk ishin kushtet e duhura për zgjedhje. Janë shtyrë edhe më 2007, megjithëse për arsye të tjera nga KQZ. Shqipëria është vendi i absurdit dhe në situatë absurde edhe zgjidhja nuk ka me kenë normale.

Si e komentoni propozimin e Edi Ramës për të shkarkuar Presidentin Meta?

Janë takuar dhe janë pajtuar pjesërisht. Nga ana e vet Ilir Meta ka në këtë lojë interesa jetike dhe luajti e do të luajë fort. Por mos harroni se këta janë të gjithë bashkë në këtë lojë. Askush prej tyre nuk e do ndryshimin që i rrezikon. Pra ose do të ngrihen e mbahen bashkë, ose do të bien të gjithë bashkë. Në këtë kontekst dhe në këtë teatër kabuki që luhet në Tiranë, Kryeministri Rama nuk ka rrugë tjetër përveçse që të duket shumë i fortë politikisht dhe si njeriu i vetëm që mund të dalë fitues mbi kundërshtarët. Tani, me sa kuptoj unë, për të shkarkuar presidentin duhen 94 vota nga këta 122 që janë në Kuvend. PS ka 79 vota të vetat. Kjo do të thotë se në tre ditët që vijojnë, deri të enjten, kryeministri do të duhet të mbledhë votat e një pjese të deputetëve që hynë në Kuvend mbas djegies së mandateve. Nuk është e vështirë sepse vetë i ka paguar disa, por ajo që ndodh na jep të kuptojmë se çfarë do të ndodhë. Kjo është një lojë që duhet interpretuar kështu: nëse Edi Rama shtyn fort dhe i bind këta që të japin votat, ose me para ose me kërcënime, këta do të bëhen si ata deputetët që zgjodhën Bamir Topin.

Po ashtu, kjo do të interpretohet sikur ai është i bindur se do të ecë në rrugën e mbajtjes së pushtetit me dhunë. Dhe kjo do të çojë në përplasje në rrugë. Nga ana e tyre deputetët që janë në Kuvend kanë një interes jo të vogël në këtë lojë. Ata duhet të pranojnë të shiten, zakonisht çmimi nuk është shumë i lartë, dhe të dalin hapur se janë vegla, gjë që mund të bëhet me disa nga të PD-së por nuk besoj me këta të LSI-së, që i urdhëroi Ilir Meta që të rrinë në Kuvend. Ama, në se nuk i mbledh votat, qëllimisht e me vendosmëri, atëherë kjo tregon se Edi Rama ka marrëveshjen me kundërshtarët dhe po përpiqet të ruajë kontrollin mbi PS. Duke e lënë përgjegjësinë për dështimin mbi anën ligjore, ai lan duart dhe del vetë i larë. Kështu, mbyllet kjo punë, ai del me nder sikur po mbron kushtetutën dhe shtetin, rri në krye të PS, fiton zgjedhjet e ardhshme, ndoshta me më pak vota, dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme e të përbashkëta me zgjedhjet vendore. Me gjasë kjo mund të ndodhë nga Tetori ose edhe në Pranverë sepse asnjë nga këta nuk ka kohë të prishë pushimet e verës. Ndërkohë bëhet një qeveri tranzitore dhe ndahet torta e punësimit të përkohshëm në qeveri. Pra, propozimi për ta shkarkuar Metën, ndonëse duket sikur është shenjë vendosmërie, është qartësisht një rrugëdalje nga kriza që e ruan Ramën nga dështimi dhe sistemin nga kolapsi. Paria ka një interes jetik që të ndodhë kjo dhe besoj se kështu do të ndodhë.

Po roli i ndërkombëtarëve ku qëndron në këtë mes? Ata janë deklaruar se nuk do të ndërhyjnë në punët e brendshme të Shqipërisë?

Shiko, rituali i lojës politike ne lojën e parisë ka qenë që kur kanë dashur të shmangin diçka, ose të zgjidhin sherret e brendshme, ose të mos bëjnë atë që u është kërkuar e kanë plasur sherrin, pastaj kanë ardhur të huajt si ndërmjetës, dhe me gjithë lojën komplekse, është ofruar një zgjidhje e kënaqshme për parinë. Tani të huajt refuzuan që të vijnë e të bëjnë këshillin e lagjes. Kjo e prishi ritualin dhe i ka lënë lojtarët kryesorë pa asnjë zgjidhje. Tani paria zgjidhjen do ta gjejë zgjidhjen vetë dhe do ta gjejë në rregullat institucionale. Një gjë më shumë: mos ndërhyrja në punët e brendshme është një parullë që po përdoret për të maskuar izolimin e shtetit shqiptar. Shteti shqiptar është në karantine diplomatike. Të huajt nuk erdhën dhe me mosardhjen e mos përzierjen ua prishën skemën. I kanë lenë në atë që bënë vetë dhe pa dyshim në këtë pike paria e Tiranës është e diskredituar dhe e kriminalizuar. Shteti është i bojkotuar në diplomaci. Është ne karantine në nivel ekonomik dhe krejt i izoluar politikisht. Atë që nuk e bënë shqiptarët kane dy vite që po e bëjnë të huajt: jo bojkot, por kanë vendosur një karantine murtaje vijnë vetëm për kontroll, për detyra shtëpie, dhe nuk ka asnjë ftese për zyrtarët shqiptarë, përveç rasteve kur duhet me kenë dikush se prishet fotoja.

Besoni se protesta e Partisë Demokratike do t’ia arrijë qëllimit të saj, apo nuk do të mund t’i realizojë ato?

PD është parti në grahmat e fundit të saj. Tani është thjesht një parti e Saliut, e Trustit të gështenjave të Tropojës dhe e mbeturinave të lidhura me të. Nuk e ka fuqinë të bëjë atë që ka bërë në të shkuarën dhe mbas kësaj katrahure duhet të tkurret edhe më shumë e pse jo, edhe të shpërbëhet. Ndasitë shoqërore kanë ndërruar e janë transformuar. Tani në shtetin shqiptar ndasitë jetike janë rajonale, fetare dhe të mbështetura në pronën. Edhe partitë e reja politike që do të dalin do ti reflektojnë këto ndasi.

Si e shikoni Shqipërinë përballë Evropës. Besoni se vendet skeptike do të japin dritën jeshile për integrimin ne BE?

Shqipëria është shtet i dështuar, pa të ardhme kështu si është dhe në izolim total. Nuk ka të ardhme për këtë republikë të krimit që evropianët e shohin si çiban në anë të Evropës. Asnjë ndryshim, asnjë pranim. As ju nuk jeni evropianë, as evropianët nuk ju konsiderojnë të tillë, nuk përmbushni asnjë kusht, nuk keni shanse të përmbushni ndonjë kusht, BE nuk do zgjerim deri në vitin 2035 dhe keni dështuar në të gjithë drejtimet. Plotësisht e tërësisht. Tani do të hani veten e njeri tjetrin se këtë gjellë keni gatuar ju dhe ata që ju sundojnë. Jeni shteti i skllevërve të krimit, të drogës dhe të parisë, trajtoheni si te tillë dhe sa më shpejt ta kuptoni aq më mirë do të jetë. Nuk keni të ardhme në BE.

 

0