Arben Rrozhani:‘Amnezia’ për krimet zgjedhore

Arben Rrozhani:‘Amnezia’ për krimet zgjedhore

Drejtuesja e misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit në Shqipëri, Audrey Glover, shmangu retorikën politike ndërsa fliste për zgjedhjet si një punë e mbaruar që tashmë paska nevojën vetëm të vëzhgimit nga të huajt dhe vendasit që të jenë në përputhje me normat demokratike.

Ambasadorja me më shumë përvojë në zyrën e ODIHR-it dhe mjaft e njohur për politikën shqiptare prej 23 vjetësh, i shmangu paralelizmat me zgjedhjet e 26 majit 1996, raportimi për të cilat e bëri armike të Sali Berishës, asokohe president. ‘Amnezia’ politike e zonjës Glover se: “Nga ’96-ta ka kaluar shumë kohë dhe kam frikë se nuk më kujtohen të gjitha detajet” nuk duket dhe aq bindëse për një grua që në 14 zgjedhjet e Shqipërisë, ku ka marrë pjesë OSBE/ODIHR-i, ka folur me shifra dhe fakte.

Shprehja se: ‘Është e nevojshme të shohim nga e ardhmja pasi janë më të rëndësishme se ajo që ka kaluar’, mund të vlejë për çdo vend tjetër demokratik, por jo për Shqipërinë.

Nga zgjedhjet e Libofshës në vitin 1994, te kulmimi më 26 maj 1996 dhe më pas te të gjitha sfidat zgjedhore në Shqipëri, manipulimi, vjedhja dhe blerja e votave, kanë qenë tiparet kryesore të të dielave që në vend që ishin festa për elektoratin, u kthyen në drama me pasoja të rënda mbi vendin.

Shumë pak ka ndryshuar nga masakra publike zgjedhore e vitit 1996 me vjedhjet e kamufluara çdo palë zgjedhje në Shqipëri. Raporti i OSBE/ODIHR-it i 23 viteve më parë deklaronte se: “procesi i numërimit nuk u bë në mënyrë të rregullt dhe të besueshme, ose sipas ligjit të zgjedhjeve. Në disa raste vëzhguesit vunë re manipulimin e rezultateve dhe vendimet u morën në mënyrë arbitrare nga kryetari i caktuar nga qeveria”…në Berat pjesëmarrja ishte 105%; në Lushnjë megjithëse kishte 940 vota në kuti, në listën e votuesve kishte vetëm 880 firma; në Gjirokastër votat e një partie të opozitës u llogaritën për PD…’.

13 vite më vonë po misioni i OSBE/ODIHR-it, kryesuar nga zonja Glover, deklaronte për zgjedhjet e qershorit 2009 se: “në 1/3 e qendrave të votimit, votat u numëruan keq ose shumë keq’, mjaftueshëm  që të tjetërsonte rezultatin. E megjithatë, sipas vëzhguesve “zgjedhjet përmbushën shumicën e angazhimeve ndaj OSBE, por s’iu përmbajtën plotësisht standardeve për zgjedhje demokratike”.

E njëjta panoramë mashtrimesh zgjedhore edhe në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, për të cilat po bëhet prej tre muajsh lufta e egër politike mes PS, PD dhe LSI-së. Vetëm një rinumërim fare i papërfillshëm në Tiranë tregoi se si ishin trafikuar votat mes partive që kishin komisionerë.

“Në 64 kuti votimi të hapura dhe të rinumëruara, vetëm 7 kuti rezultuan me të dhëna të sakta, ndërsa në 57 të tjera, gjithçka ishte manipuluar. Nga rinumërimi rezultoi se Partia Socialiste kishte përfituar 85 vota, Partia Demokratike 77 vota, LSI 80 vota, PDIU-ja 52 vota etj”.

Kjo u përfshi në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, në shtator 2017 me paragrafin e mëposhtëm, por që sipas vëzhguesve nuk ndryshonte asgjë nga rezultati:

‘Tre KZAZ u apeluan kundër vendimeve për miratimin e rezultateve të distriktit. PDIU dhe PS sfiduan rezultatet në Tiranë, ndërsa PD-ja apeloi kundër rezultateve në Berat. Të tre ankesat u referoheshin parregullsive gjatë procesit të numërimit. PDIU kërkoi rinumërimin e rezultateve nga 41 qendra votimi, ndërsa PS kërkoi rinumërime në 23 qendra votimi dhe PD në një tjetër. Këto kërkesa u dhanë dhe më 13 dhe 14 korrik KQZ tregoi rezultatet e 68 qendrave të votimit. Rrëfimet nuk zbuluan mospërputhje që ndikonin në ndarjen e mandateve. Asnjë vendim i KQZ-së nuk u apelua në Kolegjin Zgjedhor pas zgjedhjeve’.

Me këtë bilanc tragjik, kur votat e të gjitha partive i numërojnë dy partitë e mëdha, ku mashtrimi zgjedhor vdes çdo parti të re duke ia rrëmbyer votat në mes të Tiranës, pale më jashtë saj, OSBE/ODIHR-i kërkon që të bëhen zgjedhjet e 30 qershorit, thjesht si procedurë e radhës. Pastaj do të bëjë raportin, që në fakt nuk ka ndryshuar asgjë nga pushteti i prodhuar prej zgjedhjeve që administrohen nga dy-tre parti dhe trafikohen nga ushtria e komisionerëve partiakë. “Ne do të vëzhgojmë gjithë procesin zgjedhor dhe nuk mund të flasim gjatë procesit.  Mënyra se si ne operojmë është se nuk i përmendim parregullsitë në momentin që i konstatojmë, përgatitet një raport dhe pastaj deklarohen të gjitha ato që kemi parë nga vëzhgimet’-tha zonja Glover. Duke mos mësuar asgjë nga historia tragjike e zgjedhjeve shqiptare, që nuk janë as të lira, as të barabarta dhe ku populli nuk vendos për asgjë, si në asnjë vend tjetër demokratik.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

0
Koço Kokëdhima: Zgjidhja nuk duhet kërkuar nga jashtë

Koço Kokëdhima: Zgjidhja nuk duhet kërkuar nga jashtë

Ndërkohë që vendi është zhytur në krizë, sa vjen e shtohen zërat që zgjidhja duhet të na vijë nga ndërkombëtarët. Kjo nuk është një krizë e panjohur për Shqipërinë. Është ciklike. Jemi pengu i saj prej 25 vitesh. Po vdesim e po zhbëhemi si shtet dhe si komb, por nuk shpëtojmë dot prej saj. Nuk është shkaktuar nga largimi i deputetëve të opozitës dhe as me refuzimin për të marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Është e kundërta. Kjo është krizë e sistemit, krizë zgjedhjeve dhe e përfaqësimit, krizë e shkaktuar nga kapja e partive të vjetra dhe e shtetit.

Aktualisht jemi në një fazë të rrezikshme, kur të dyja palët që kanë dominuar tranzicionin, herë në luftë dhe më shumë në marrëveshje për ndarjen e pushtetit dhe pasurive të vendit, kanë degraduar në shkallën më të fundit. Nga njëra anë Rilindja dhe nga ana tjetër PD-LSI me ushtritë e tyre të militantëve, premtojnë vetëm luftë. Po shkojnë turravrap drejt një përplasjeje, nga e cila po e pësojnë vetëm qytetarët shqiptarë.

Në këtë situatë, shqiptarët po presin një arbitër ndërkombëtar. Kjo lloj zgjidhjeje ka shumë pak gjasa të ndodhë. Por edhe nëse ata ndërhyjnë, ashtu siç e kemi parë në këto 25 vjet, nuk do të kemi një zgjidhje përfundimtare të krizës. Prezenca ndërkombëtare në Shqipëri nuk ka qenë e interesuar për vlerat dhe standardet e demokracisë, ka mbështetur liderët autokratë dhe të koruptuar, ka certifikuar e mbështetur kodet, ligjet dhe proceset zgjedhore antidemokratike.

Shqipëria është i vetmi vend në botë ku ndërkombëtarët pranohen “në rolin e Zotit”. Për këtë nuk është faji i tyre, por i kësaj klase politike 30-vjeçare, që në vend të sundimit të ligjit dhe të institucioneve ka instaluar sundimin e dy kryetarëve, të PS-së dhe PD-së.

‘Zgjidhja’ e ka theksuar sistematikisht që kjo fazë e krizës së pambarueshme, mund të jetë edhe një shans historik për t’i dhënë fund tranzicionit. E ripërsërisim, që lidershipi i PS-së dhe i PD-së të heqin dorë nga marrëveshja për të sunduar këtë vend dhe t`ia kthejnë përfundimisht sovranitetin e grabitur popullit shqiptar.

Me afrimin e 30 qershorit po afrohet edhe rreziku i një përçarjeje dhe përplasjeje edhe më të madhe mes shqiptarëve. Qeveria e ka për detyrë që të bëjë e para një hap pas. Opozita, nga ana tjetër, duhet të heqë dorë nga thirrjet për luftë dhe të reflektojë për përgjegjësitë e saj për kapjen e zgjedhjeve dhe të shtetit. Këto dy palë po e mbajnë vendin në darët e një praglufte civile, kanë përgjegjësinë që të tërhiqen nga lojërat shkatërrimtare për pushtet. Të reflektojnë edhe pse është shumë vonë, përndryshe do të tregojnë edhe një herë se janë tumori i këtij vendi dhe armiq të betuar të Shqipërisë europiane.

Një projekt për zgjidhjen e krizës e kanë mbi tavolinë, atë të partisë ‘Zgjidhja’, i cili është përkrahur nga opinioni i gjerë publik.

Situata po agravon me shpejtësi. ‘Zgjidhja’ sërish ju bën thirrje të gjithë faktorëve, për t’i dhënë vendit një marrëveshje përfundimtare.

Ajo nuk ka për të ardhur nga ndërkombëtarët. Duhet të vijë nga brenda vendit, nga tryeza gjithëpërfshirëse dhe konsensuale e tërë faktorëve dhe përfaqësuesve të politikës, institucioneve, shoqërisë civile dhe grupeve të interesit. Kush e do këtë vend dhe nuk mendon vetëm si makut pasurimi e pushteti, duhet të ndërgjegjësohet se koha është tani.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

0
Arben Rrozhani: Ambasadori Borchardt dhe ‘armiku i popullit’ shqiptar

Arben Rrozhani: Ambasadori Borchardt dhe ‘armiku i popullit’ shqiptar

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, z.Gerd Borchardt, si asnjëherë më parë gjatë shërbimeve diplomatike në Shqipëri, bëri dje një narrativë historike 2000-vjeçare për të shpjeguar termin ‘armiku i popullit’. Nga Neroni I Perandorisë Romake te Robespieri i Revolucionit Francez, më vonë te Lenini apo Hitleri, diplomati gjerman tentoi të bëjë një paralelizëm me Shqipërinë e djeshme dhe të sotme, armiqtë e popullit dje dhe sot dhe dëmet e pakorrigjueshme që i kanë shkaktuar Shqipërisë.

Ne që kemi jetuar Shqipërinë e djeshme dhe jetojmë të sotmen e dimë se çfarë do të thotë armik i popullit dhe fundin e tyre. Në diktaturë ishte partia që të shpallte armik të popullit dhe të dënonte me farefis, nga dënimi me vdekje deri te internimi degradues. Prej vitit 1991 armiqtë e popullit janë në pushtet dhe në mënyrë informale, në emër të shtetit demokratik, dënojnë shqiptarët, po sërish me vdekje dhe në vend të internimit brenda vendit është emigrimi deri në fund të botës, jo vetëm degradues, por edhe shpërbërës i një kombi.

Diplomati gjerman është shumë familjar me problemet e shqiptarëve, në Kosovë dhe Shqipëri, sepse prej 21 vitesh ka qenë mes tyre. Ishte ambassador I RFGJ-së në vitet 2007-2010, kur në Shqipëri qeveriste Berisha dhe shquhej për tonet e forta antiautokratike dhe prej vitit 2016 në krye të Prezencës së OSBE-së. Falë kësaj përvoje diplomatike, z.Borchardt e ka shumë të lehtë të bëjë dallimin mes demokracisë në Shqipëri dhe vendeve ku ai shërbeu si në Kosovë, Rumani, Estoni, Afrikë e Jugut, apo në Guinea-Bisau të Afrikës Perëndimore.

Ambasadori Borchardt huazon pyetjet e filozofit Karl Popper për abuzimin me pushtetin, kontrollin e tij nga populli dhe shtetin ligjor të pakorruptuar. Duke perifrazuar Popper, ai pyet: Si të kontrollojmë përdorimin e pushtetit, si të pengojmë abuzimin e pushtetit dhe përgjigjet: Zgjedhjet e rregullta me pjesëmarrje të gjerë, institucionet e pavarura, shteti ligjor i pakorruptuar, shoqëritë e hapura, ku qytetarët kanë të drejtën e informimit, në mënyrë që të kontrollojnë pushtetin dhe të marrin vendimet duke pasur në dorë faktet-janë përgjigjet e tij thelbësore.

Edhe votuesi për thesin e miellit e di që në Shqipëri zgjedhjet kurrë nuk kanë qenë të rregullta. Ato janë të blera nga partitë që kanë fondet e zeza, që i sigurojnë përmes abuzimit me pushtetin qendror dhe vendor, nga lidhjet me botën e krimit dhe armatën e nëpunësve të administratës të shtrënguar me bukën e gojës për të trafikuar votat dhe kryer krime zgjedhore për interes të pushtetit. Zgjedhjet shqiptare nuk kanë pjesëmarrje të gjerë, sepse, zgjedhje pas zgjedhjesh, shtohet elektorati gri, ai që nuk voton. Në zgjedhjet e shkuara parlamentare Legjislativi u zgjodh me votën e rreth 36 për qind të shtetasve me të drejtë vote, që është më e ulëta deri më sot. Ajo pritet të shkojë edhe më poshtë nëse qeveria vendos që të mbajë zgjedhjet vendore pa opozitën më 30 qershor. Zgjedhjet shqiptare ndyhen nga mungesa e institucioneve të pavarura. Sot ato janë të gjitha nën kontrollin e qeverisë. Por mbi të gjitha zgjedhjet ndikohen nga kontrolli i KQZ-së dhe administratës zgjedhore të mbi 5500 qendrave të votimit, që historikisht janë mbushur me militantët e partive që administrojnë procesin zgjedhor. Ato janë ‘armiku I popullit’ për njëra-tjetrën, por kur vjen puna për të ndarë bashkë votat e shqiptarëve ‘martohen’ çdo dy vjet, kur janë zgjedhjet periodike vendore, apo parlamentare. Këtu populli nuk ka asnjë vlerë dhe asnjë rol. Ai nuk zgjedh askënd edhe pse quhet zyrtarisht zgjedhës, sepse kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie, apo këshilltarë i zgjedhin kryetarët e partive. I gjithi ky është një model që z.Borchardt nuk besoj se e ka parë as në Kosovë, apo deri në Guinea-Bisau. Dhe megjithatë është avokat i mosndryshimeve me themel, depolitizimit të administratës zgjedhore dhe çlirimit të zgjedhjeve nga partitë. Ai e quan këtë një ‘stad ideal’ dhe shprehet pesimist për kohën kur do të arrihet sepse ‘rruga është e mbushur me sfida, madje edhe në demokracitë shekullore’-sipas tij dhe premton se Prezenca e OSBE-së është këtu për ta ndihmuar Shqipërinë që të vijojë të ecë në këtë rrugë.

Shqiptarët sot, besoj, kanë vetëm një lutje: Nuk duam që të bëhemi si demokracitë shekullore. Duam të arrijmë standardet zgjedhore të Kosovës, shtet prej 11 vitesh, apo të Guinea-Bisau, shtet prej 46 vjetësh. Thjesht nuk duam që zgjedhjet të mos zgjidhin asgjë dhe në krye të kemi sërish ‘armiqtë e popullit’, pa thonjëza.

*Sekretar i PR i partisë ‘Zgjidhja’

0
Koço Kokëdhima: Qepalla Rama-Basha

Koço Kokëdhima: Qepalla Rama-Basha

“E mira nuk ekziston, kërkoni të Keqen më të vogël”! Këtë përgjigje u jep publicisti i mirënjohur Artur Zheji njerëzve që e pyesin “Kush është më i mire, Basha apo Rama?”. Zheji, duke qenë një personalitet me ndikim tek opinioni, po i nxit qytetarët të lëvizin, të shtyjnë rrotën, e cila xhiron në vend, duke nxjerrë sipër (në pushtet) atë që është poshtë (PD+LSI) dhe që “ka radhën” të ngjitet. Si qytetar, si kryetar i partisë ‘Zgjidhja’, dhe si botues unë apeloj se ky kryeministri ynë nuk ka moral që të qeverisë asnjë ditë tjetër. Ai mbjell vetëm shkatërrim e katastrofa. Ai është përgatitës dhe nxitës i apokalipsit të Shqipërisë. Ka një mijë arsye që u japin të drejtë atyre që kërkojnë largimin e tij. Por, kjo teza e thjeshtuar e të keqes që lufton të keqen rezulton e pavërtetë. Kjo ide është përpunuar kaherë si platformë filozofike dhe politike për masën e gjerë, nga Fatos Lubonja dhe Mustafa Nano, që kur ata komentonin te gazeta “Shekulli”. Idea e tyre konsistonte në atë se “Nano më i mirë” do të luftojë “Berishën e keq” dhe më pas në raportin e kundërt: “Nano më i keq” do të luftohet nga “Berisha më i mirë”. Kohët shkuan dhe tezat e tyre nuk u provuan, sepse analiza nuk e prekte sistemin. Sa herë ndërrohet pushteti, shqiptarët bien nga një e keqe në një tjetër akoma edhe më të madhe. Aftësia universale dhe hyjnore e çdo populli për të zgjedhur të keqen më të vogël funksionon vetëm në njē sistem të hapur dhe demokratik. Kjo nuk funksionon në një sistem të mbyllur ku e keqja vetëm alternohet.

Edi Rama ia doli që të gënjente fillimisht socialistët, se ai do të ishte më i mirë se Nano dhe më progresist se Ilir Meta. Ndërsa njerëzve të thjeshtë u deklaronte se do të ishte “përtej të mirës dhe të keqes”, as i majtë dhe as i djathtë. Sapo u akomodua në pushtet, kryeministri aktual përpunoi sërish një pilulë politike: “Nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka”.  Në praktikë, i gjendur përballë skandaleve që nuk mund t’i mbulosh gjithë kohës, kjo pilulë u përshtat për të mbrojtur shtypjen dhe vjedhjen e popullit. Sa herë plas skandali i rradhës, këta nxjerrin ndonjë skandal që ka bërë Berisha, ose më keq, tregojnë se po vazhdojnë atë vepër që ka nisur Berisha. Unaza? Po vazhdojmë të keqen që nisi Basha. Koncesionet? Berisha i bënte më keq, ne i bëjmë PPP. Bombat molotov? Palët pyesin se kush ishte më i keq: “21 janari i Ramës” apo “11 maji i Bashës?!”.  Kësisoj, me gjithë thirrjen që njerëzit të zgjedhin “të keqen më të vogël”, këto të këqija e kanë barazuar tashmë veten, madje e kërkojnë me ngulm barazimin. E keqja duhet shkulur me rrënjë. Këtë mësim që na e kanë dhënë bujqit dhe filozofët, është koha që ta mësojmë, më në fund. E keqja në qeverisje, në shtet dhe në jetën tonë mbahet e paprekur nga sistemi politik i ndërtuar nga Rama e Berisha. Ky sistem mbahet në këmbë nga PS, PD dhe LSI. E keqja është gozhduar në Kushtetutë, natën e 21 prillit të vitit 2008. Aty u eliminua sovraniteti i popullit, e drejta për të zgjedhur dhe pë t’u zgjedhur. Pushteti kaloi plotësisht në duart e dy kryetarëve të partive. U eliminuan plotësisht liritë republikane.

Kauzën e demokracisë sot e mbron Partia “Zgjidhja”. Ajo konsideron se çelësi i zgjidhjes përfundimtare të krizës politike është pikërisht hapja dhe ndryshimi i sistemit, çlirimi dhe demokratizimi i zgjedhjeve. Imperativi i kohës për Shqipërinë nuk është rotacioni i pushtetit, por shembja e këtij sistemi politik me një Kod të Ri Zgjedhor, me reformë kushtetuese dhe me të gjitha rrugët që propozon ‘Zgjidhja’ në platformën e Paktit Kombëtar. Përndryshe do të kemi një 17-18 maj të dytë Rama-Basha dhe një zhgënjim të ri nga “qepallimi” i tyre i radhës.

2
Zef Preçi: PPP-të dhe gabimi i qeverisë me rrugën Tiranë-Durrës

Zef Preçi: PPP-të dhe gabimi i qeverisë me rrugën Tiranë-Durrës

 

Vetëm gjashtë muaj më parë (19 nëntor 2018) u mbajt ne Bali (Indi) takimi vjetor i Bankës Botërore. Nuk di nëse ndonjë zyrtar i lartë qeveritar shqiptar mori pjesë ose jo, sepse nuk kam ndjekur kronikën e kohës për këtë veprimtari ndërkombëtare. Në atë mbledhje u prezantua raporti: “Historia e përsëritur: Si Partneritetet Publike Private janë duke dështuar”. Në analizën e këtij raporti listohen një numër risqesh që shoqërojnë përfshirjen e investimeve private në investime publike, domethënë në atë që në ekonominë e sotme të Shqipërisë përben në fakt edhe kërcënimin kryesor për financat dhe borxhin publik. E kam fjalën për të ashtuquajturin “Partneritet Publik Privat”, një formë koncesionare e cila po gërryen financat publike si dhe përbën një problem serioz edhe për periudhat që vijnë, sikurse u evidentua edhe në raportin zyrtar të vlerësimit pas programit të Misionit të FMN-së mbi ekonominë shqiptare. Meqenëse një numër gjetjesh përkojnë me konstatimet dhe kritikat tona ndaj politikës së vënies së taksave që do të mblidhen gjatë 20-30 viteve të ardhshme nën kontrollin e oligarkëve dhe klientëve të qeverisë së radhës, mendoj se ja vlen t’i risjellim në vëmendje të lexuesit këto gjetje rreth PPP-ve në renditjen që përdor Banka Botërore në raportin e saj.

– Përgjithësisht projektet PPP rezultojnë me kosto të lartë për sektorin publik, një nivel të tepruar të rrezikut për Buxhetin dhe, për rrjedhojë, një barrë e rëndë për qytetarët, sidomos në periudhën afatmesme dhe afatgjatë. Është tashmë një fakt i njohur që kontratat koncesionare të tipit PPP janë ndërtuar kryesisht falë veprimtarisë lobuese të kompanive që qëndrojnë mbas tyre (oferta te pakërkuara), domethënë kanë rezultuar më të rrezikshme për shtetin se sa për vete kompanitë private të përfshira, pasi në to është parashikuar që sektori publik të merrte kostot, duke vendosur kompanitë në pozite të favorizuar edhe juridikisht, përveçse financiarisht.

– Ndikimi i përgjithshëm i zbatimit të kontratave të PPP-ve, në ndryshim nga propaganda zyrtare dhe pritshmëritë e shpallura publikisht nga qeveria, rezulton negativ te shtresat më të varfra dhe kanë kontribuar në thellimin e polarizimit social, pra të dallimit midis të pasurve dhe të varfërve.

– Një numër projektesh PPP-të kanë rezultuar në impakte serioze negative sociale dhe mjedisore. Mungesa e transparencës në procesin e përzgjedhjes së kompanive, studimet e mangëta të fizibilitetit, planifikimi i dobët dhe mungesa e mbikëqyrjes nga ana e autoriteteve përgjegjëse shtetërore kanë lejuar këto impakte negative e të padëshirueshme.  Përgjithësisht projektet PPP karakterizohen nga mungesa transparencës dhe nuk janë konsultuar me komunitetet e prekura, posaçërisht te taksapaguesve, duke dëmtuar kështu llogaridhënien demokratike.

– Edhe në rastet kur PPP-të janë rinegociuar, mungesa e kapacitete specifike të institucioneve qeveritare për të negociuar në interesin publik, por edhe korrupsioni për shkak të vendimmarrjeve tërësisht klienteliste në përzgjedhjen e kompanive “fituese” ka bërë që ky proces (rinegocimi) të rezultojë me kushte edhe më të rënda për financat publike. Nuk njihet asnjë rast kur kontratat PPP të jenë anuluar, ose edhe nëse është bërë në ndonjë rast për kontrata pa filluar zbatimin e tyre, vihet ré se kjo ka ndodhur në kushte financiare tepër të rënda për buxhetin dhe në mungesë të plotë të përgjegjësive personale të autoriteteve shtetërore përgjegjëse që kanë cenuar kështu interesin publik, madje për një numër syresh ka edhe dyshim të bazuar për favorizim dhe korrupsion në vendimmarrjet për PPP-të. Asnjë zyrtar, vendimmarrës direkt apo i tërthortë që përmes ushtrimit të pushtetit ka sjellë këto pasoja negative mbi financat publike, nuk është ndëshkuar dhe hetimet formale të nisura nga organi i akuzës nën presionin e shqetësimit në opinionin publik janë mbyllur pa filluar akoma…

Pas kësaj parashtrese, cilido mund të pyesë se mbi ç’bazë apo strategji jepet si “sihariq” lajmi se edhe arteria kryesore e komunikacionit tokësor, rruga Tiranë-Durrës – që lidh pjesën qendrore të vendit do të shndërrohet në rrugë me pagesë? Personalisht mendoj se është një vendim tejet i nxituar i qeverisë shqiptare i ndërmarrë nën presionin e oligarkëve dhe në dëm të interesave publike që duhet pezulluar. Është e domosdoshme që të publikohen paraprakisht studimet e fizibilitetit, analiza e impaktit të përgjithshëm të politikave të tilla që po sjellin ditë pas dite deformime serioze të konkurrencës, por edhe po cenojnë nivelin e jetesës së shtresave të gjera të popullsisë së vendit.

0
Rezolutë e Kongresit të I-rë të partisë ‘Zgjidhja’

Rezolutë e Kongresit të I-rë të partisë ‘Zgjidhja’

11 maj 2019

Anëtarët e partisë ‘Zgjidhja’, të mbledhur sot në Kongresin e I-rë, të shqetësuar për situatën kritike ku ndodhet vendi, për shkak të krizës politike e institucionale ciklike e shumëvjeçare, gjendjes së rëndë social-ekonomike dhe në prag shpërthimi, ndërsa krimi ka marrë përmasa të frikshme dhe palët politike flasin vetëm për përplasje civile:

U bëjnë thirrje lidershipit të PS-PD-LSI, përgjegjës për këtë situatë, që të ngrihen mbi interesat e ngushta vetjake dhe të bashkohen në një pakt të madh kombëtar me nevojën imediate për reformimin dhe hapjen e sistemit, si e vetmja rrugë shpëtimi nga kriza dhe garantimi të stabilitetit politik afatgjatë. Palët në konflikt të bëjnë hapa prapa, për të bërë të gjithë së bashku një hap të madh përpara, që do të rikthejë përfundimisht votën e lirë, sundimin e ligjit, sovranitetin e popullit dhe hapjen e sistemit. Vetëm kjo do t’i japë fund tranzicionit lëngues të vendit. Ju bëjmë thirrje partive dhe militantëve të tyre, që të heqin dorë urgjentisht nga kërcënimet dhe planet për të çuar vendin në një përplasje të madhe civile, me rastin e zgjedhjeve të 30 qershorit.

Kongresi konstatoi:

1-Burim i krizës është bllokimi i Reformës kushtetuese dhe asaj elektorale me marrëveshjen PS-PD për të mos lejuar çlirimin e zgjedhjeve dhe me lojën me Komisionin e Posaçën të Reformës Zgjedhore, për të mos shfuqizuar Kodin Zgjedhor.

2-PS-PD duhet të pranojnë se kriza nuk zgjidhet me pazare, por me reformat që bëjnë të mundur rikthimin e lirive republikane dhe të të drejtave të sovranit të uzurpuara prej kryetarëve të këtyre partive, duke:

a)Shfuqizuar ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, me marrëveshjen Berisha-Rama.

  1. b) Shtyrë zgjedhjet e 30 qershorit për në muajin tetor 2019. Reforma zgjedhore duhet të kryhet përpara zhvillimit të tyre.

c)Mandatuar një qeveri teknike me bazë të gjerë e cila duhet të përgatisë dhe implementojë Reformën Kushtetuese dhe Reformën Zgjedhore, përmes një komisioni gjithpërfshirës.

d)Demokratizuar zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore të depolitizuar e tërësisht të pavarur,  me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja, ndërsa votat duhet të ketë të njëjtën peshë për çdo subjekt apo individ dhe të numërohen në Qendrat e Votimit.

  1. dh) Demokratizuar dhe reformuar me ligj partitë politike, të cilat duhet të zgjedhin përfaqësuesit dhe drejtuesit përmes primareve në parti.

e: Kaluar në një parlament me 100 deputetë dhe në një sistem mazhoritar të hapur me 70 zona, të korrektuar me propocional kombëtar për 30 deputetët e tjerë.

ë)Ndaluar me kushtetutë që kryebashkiakët, Presidenti i Republikës dhe Kryeministri të zgjidhen për më shumë se dy mandate.

  1. f) Hequr të gjitha pengesat ligjore që i bëjnë referendumet të pamundura.

Kongresi vlerëson se:

3) Hyrja e partisë ‘Zgjidhja’ në zgjedhjet e 30 qershorit nuk do t’i përmirësonte standardet e tyre të munguara dhe se zgjedhjet jo gjithpërfshirëse e përçajnë dhe e destabilizojnë edhe më keq Shqipërinë.

Prandaj vendosi që:

4) Partia ‘Zgjidhja’ të bojkotojë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të kërkojë shtyrjen e tyre për në vjeshtë.

‘Zgjidhja’ fton edhe partitë e tjera që janë regjistruar në KQZ që të tërhiqen nga zgjedhjet e 30 qershorit.

5)’Zgjidhja’ apelon trupin diplomatik në Tiranë, veçanërisht selitë e vendeve të BE-së dhe atë të SHBA që me përgjegjësi të lartë në këtë situatë të informojnë qeveritë e tyre për rrezikun që i paraqitet Shqipërisë, por edhe rajonit, nga një konflikt i mundshëm i partive të vjetra, për të mbajtur apo rimarrë pushtetin. Ato duhet të bëjnë presionin demokratik që të zbatohet rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e plotë të administratës zgjedhore dhe për garantimin me ligj të standardeve zgjedhore përmes një procesi gjithpërfshirës.

Miqtë ndërkombëtarë të popullit shqiptar të rrisin presionin mbi Qeverinë e Shqipërisë dhe mbi krerët e PD-LSI, që të ulen urgjentisht me të gjithë faktorët politikë dhe të tjerët të interesuar, për të firmosur një pakt kombëtar për dhënien fund të krizave që përsëriten në vend prej shumë vitesh.

 

0
Fjala e kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, në Kongresin e I-rë

Fjala e kryetarit të partisë ‘Zgjidhja’, Koço Kokëdhima, në Kongresin e I-rë

 

Në vend të hyrjes

 

Të dashur pjesëmarrës, anëtarë të Kongresit të Parë të Partisë ‘Zgjidhja’, miq dhe të ftuar, ju falenderoj nga zemra për pjesëmarrjen tuaj!

Kongresi i sotëm është i një rëndësie historike për partinë tonë sepse ai mblidhet për herë të parë, do të analizojë situatën politike në vend, do të miratojë veprimtarinë e organeve drejtuese gjatë dy viteve të fundit dhe do të marrë vendime shumë të rëndësishme për aksionin politik, elektoral dhe organizativ të partisë në muajt dhe vitet e ardhshëm. Sot do të zgjedhim me një mandat 4-vjeçar anëtarët e Forumit Kombëtar të ‘Zgjidhja’-s dhe Komisionin e Garancive Statutore të partisë. Ky është një hap i madh drejt organizimit të plotë të strukturave të zgjedhura në vend të atyre të përkohshme. Në emrin tuaj ju shprehim nderimin më të madh të gjithë anëtarëve të derisotëm të këtyre organeve drejtuese të partisë.

Në një kohë relativisht të shkurtër kemi ndërtuar të gjitha institucionet e partisë. Ne u jemi mirënjohës atyre që i janë bashkuar ‘Zgjidhja’-s, anëtarëve dhe simpatizantëve në të gjitha qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë, në diasporë, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi e gjetkë. Me mbajtjen e këtij kongresi është plotësuar arkitektura e institucioneve politike dhe ekzekutive të partisë.

‘Zgjidhja’ është një parti e mirëorganizuar dhe e aftë për të përmbushur misionin e saj historik, udhëheqjen politike të popullit shqiptar në luftën e tij për prosperitet e bashkim kombëtar. Nga sot fillon faza e dytë e zgjerimit të partisë, ajo e konsolidimit të forumeve dhe e plotësimit të degëve të saj në të gjitha bashkitë dhe rajonet e vendit.

‘Zgjidhja’ është partia e katërt në vend për nga numri i anëtarëve dhe mbështetja në popull. Por ajo është e para, për nga projekti, vizioni dhe qëllimet e saj. Partitë e vjetra që dominojnë elektoratin e ruajnë ndikimin e tyre përmes pushtetit abuziv, parave e financimeve të paligjshme, përmes korrupsionit, punësimeve në administratë dhe kapjes së zgjedhjeve. Ato kanë zëvendësuar partinë-shtet me shtetin e partive. Ne do ta bëjmë ‘Zgjidhja’-n parti të madhe dhe të fuqishme falë punës së palodhur të mijëra mbështetësve të saj nga të gjitha anët e vendit. Në veçanti dëshiroj të shpreh mirënjohjen tuaj për disa nga kontribuesit më të spikatur si Gylsen Zhllima, Silva Bello, Foto Bufi, Pandora Kumanaku, Vladimir Lulaj, Vanina Këllezi, Sulejman Abazi, Arjola Tashi, Shaban Kupe, Meralda Golemi, Kadri Metra, Fatbardha Nesturaj,  Shpëtim Jazexhiu, Hyzrie Tota, Shpëtim Xharri, Trëndafile Mustafa, Ilir Cuhaj, Bashkim Fasho etj.

 

  1. Rruga e së ardhmes

 

Dy vitet e para të jetës së partisë janë të mbushura me një veprimtari të jashtëzakonshme politike e organizative. Ajo që në themelim u përcaktua si një lëvizje e vendosur, e fuqishme dhe e orientuar për hapjen, ndryshimin dhe reformimin e sistemit. ‘Zgjidhja’ është lëvizja dhe forca e parë politike antisistem në Shqipëri, është platforma e parë për përmbysjen e partitokracisë dhe restaurimin e shtetit të së drejtës.

Elitat politike kudo në vendet demokratike përtërihen paqësisht e përmes zgjedhjeve. Këtu janë po të njëjtët anadollakë e primitivë gjithmonë. Në çdo demokraci normale ujrat rrjedhin pa kthim. Projekti i ‘Zgjidhja’-s është i pari projekt që garanton çarjen dhe bonifikimin e kënetës politike shqiptare me qëllim që burrat e gratë më të mira të kombit tonë të vihen në krye të punëve të shtetit, të popullit e të ekonomisë.

‘Zgjidhja’ denoncoi ujdinë famëkeqe PS-PD e cila ka rrëzuar sundimin e ligjit dhe republikën, demokracinë, institucionet dhe zgjedhjet e lira e të barabarta. Projekti politik i ‘Zgjidhja’-s jo vetëm shpjegon traumat, frakturat dhe deformimet e mëdha të sistemit, por mundëson edhe përmirësimin rrënjësor të situatës, përcakton ndryshimet dhe reformat e domosdoshme për rivendosjen e lirive politike, ekonomike dhe njerëzore. Mirëqenia, siguria dhe dinjiteti i popullit përcaktohen nga niveli i lirive, rendi i ligjit dhe politikat e mira.

Projekti i partisë ‘Zgjidhja’ është rruga e vetme që ka populli ynë për mirëqenie, siguri dhe paqe. Pas 30 vitesh tranzicion Shqipëria përballet me kriza shumë të rënda, me papunësi dhe varfëri ekstreme. Liderët e PS-së dhe PD-së gjatë këtyre viteve na kanë manipuluar duke na treguar përrallat e përparimit dhe të mirat që do të kishim nën qeverisjen e tyre. Por këto ishin vetëm gënjeshtra! Na mashtruan e na vodhën! Bënë pasuri për vete dhe shqiptarët i dëbuan nga sytë këmbët në punët më të rënda nëpër oqeane e kontinente.

Zhgënjimi dhe ikja e shqiptarëve janë biblike. Vetëm liderët e partive të vjetra me shpurat e tyre ndihen të lumtur. Ata dhe një grusht monopolesh e kanë bërë pronë e plaçkë të tyre Shqipërinë. Qytetarët nuk kanë as vend dhe as të drejta këtu. ‘Zgjidhja’ ka paraqitur në këto dy vite projektin e saj alternativ dhe të kundërt me projektet e mëparshme politike në qëllime, në vizion dhe në ide.

Kur ne i bëmë publike tezat e ‘Zgjidhja’-s në fund të vitit 2016, askujt nuk ja merrte mendja se vetëm për pak kohë ato do bëheshin kaq popullore. Kërkesat për zgjedhje të lira e të barabarta, për bashkëqeverisje me popullin, për rrëzimin e amendamenteve kushtetuese të vitit 2008 dhe për shtyllat e Republikës së Re, sot janë pjesë e debatit publik.

Tezat tona u goditën me të gjitha fuqitë e makinës propagandistike të qeverisë dhe oligarkisë së korrupsionit kapilar. Ushtri të tëra me qelbësit e tyre anonimë në rrjetet sociale dhe me opinionistë e gazetarë të paguar, provokatorë e shpifësa nuk lanë gjë pa thënë për ta bërë të pabesueshme partinë ‘Zgjidhja’. Ne u ndeshëm me vendosmëri me këta mëditës të errësirës në çdo studio televizive e medium dhe i mbrojtëm idetë tona të drejta. Ne hodhëm dritë mbi të vërtetën. Tani janë me mijëra shqiptarët që e kuptojnë se projekti ynë për rivendosjen e republikës dhe sovranitetit të popullit nuk ka alternativë.

Një nga aksionet e para politike që ndërmori ‘Zgjidhja’ në janar të vitit 2017 ishte nisma ligjore: ‘Unë zgjedh deputetin që dua’. Kjo nismë synon t’u heqë kryetarëve të partive të vjetra të drejtën që të emërojnë deputetët dhe t’ia kthejë këtë të drejtë të uzurpuar popullit sovran. ‘Zgjidhja’ zhvilloi një komunikim të jashtëzakonshëm për të sensibilizuar, sqaruar e ndërgjegjësuar qytetarët. Ne shohim tani shumë aktorë të tjerë të përfshirë.

Këto ditë në rrugët e Tiranës Nisma #Thurja udhëheq peticionin: ‘Bashkohuni për të ndryshuar sistemin’. Kjo është në përputhje të plotë me platformën tonë për ndryshimin dhe hapjen e sistemit. Për këtë shkak e kemi mbështetur pa rezerva Nismën#Thurja. Nxitini të gjithë qytetarët, të afërmit dhe komshinjtë tuaj, simpatizantët dhe anëtarët e partisë tonë ta firmosin këtë peticion.

Edhe deputetët e rinj që kanë zënë vendet e opozitës parlamentare që ka dorëzuar mandatet, janë pro tezave të ‘Zgjidhja’-s për hapjen e sistemit, për demokratizimin dhe reformimin e zgjedhjeve.

‘Zgjidhja’ është e ardhmja, partitë e vjetra janë e shkuara; ‘Zgjidhja’ është rruga e suksesit për Shqipërinë, partitë e vjetra janë rruga e shkatërrimit të shtëpive të banorëve; partitë e vjetra janë rruga si pasurohen kryetarët e tyre dhe varfërohet populli, ‘Zgjidhja’ është rruga si mund të bëjmë shumë pasuri për popullin; partitë e vjetra janë rruga e monopoleve dhe e shkatërrimit të plotë të ekonomisë, ‘Zgjidhja’ është rruga e mundësive për të gjithë; partitë e vjetra janë rruga e zhbërjes së vlerave, ‘Zgjidhja’ është rruga e meritës dhe administratës që shërben popullin; partitë e vjetra janë hienat që e mbushën shtetin me sekserë, injorantë, bedelë e kacavjerës pushteti, ‘Zgjidhja’ është kult i lirisë.

Projekti ynë është inovativ, strategjik, patriotik dhe shkencor. Ai mbështetet në përvojat dhe vlerat e afirmuara demokratike. Vetëm kupolat e tri partive të vjetra nuk janë dakort me ‘Zgjidhja’-n. Shumica dërmuese, mbi 75% e shqiptarëve mbështesin idetë tona.

 

  1. Kriza politike

 

Vendi ynë po përjeton një krizë të rëndë politike dhe institucionale. Opozita parlamentare ka dorëzuar mandatet dhe proteston në rrugë. Koalicioni i saj i dogji mandatet për shkak se “kanë dalë në dritë fakte” që tregojnë se zgjedhjet e 25 qershorit janë blerë. Djegia e mandateve u shoqërua me refuzimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet vendore të vitit 2019. Tashmë të gjitha afatet ligjore për regjistrim janë tejkaluar. Në kuvend kanë hyrë deputetë pa parti të listave të kryetarëve. Qeveria e mohon krizën. Gjithçka e paraqet si normale. Ajo thotë se zgjedhjet do mbahen në 30 qershor dhe se parlamenti do vazhdojë punën deri në vitin 2021. Ndërkombëtarët formalisht mbështesin qeverinë.

Kjo situatë tregon edhe një herë drejtësinë e qëndrimeve të partisë ‘Zgjidhja’. Ne e paralajmëruam PD-në në pranverën e vitit 2017 që të mos bënte pazar me Ramën dhe të mos hynte në zgjedhjet e pareformuara të 25 qershorit. Ne i bojkotuam ato zgjedhje. Ju kujtohet fushata intensive që ne zhvilluam për braktisjen e tyre? Vetëm 36 % e qytetarëve morën pjesë. PD-ja bëri marrëveshjen okulte të 18 majit për të ndarë pushtetin në tavolinë. E gjithë ajo grevë dhe protestë 90 ditore në çadër nuk kish pasur qëllim tjetër.

PD nuk është e sinqertë. Reformimi i zgjedhjeve dhe pastrimi përfundimtar i tyre nuk i intereson fare. Ajo i certifikoi zgjedhjet e 25 qershorit edhe pse e dinte se ato do të bliheshin, do të vidheshin e do të deformoheshin. Lufta e saj ka vetëm një motiv: pushtetin! Askush në Shqipëri nuk ka bërë më shumë krime elektorale se sa detashmentet e komisionerëve dhe numëruesve partiakë. Pritja gati dy vjeçare e PD-së për të gjetur ‘faktet e reja’ të vjedhjes dhe blerjes së votave është si të kërkosh ‘gjëlpërën në kashtë’.  Kusarët dhe sekserët e votave janë kudo në oboret e PS-së, PD-së dhe LSI-së. Në 90% të kutitë që u hapën dhe u rinumuruan në Tiranë pas zgjedhjeve të 25 qershorit rezultoi se këto tri parti kishin vjedhur e ndarë mes tyre votat e partive të tjera.

Bojkoti i parlamentit nuk ka për qëllim të rregullojë zgjedhjet. Dy vjet në parlament PD-ja nuk u ndje për reformimin e tyre. Megjithëse ky është kusht për çeljen e negociatave të pranimit me BE. Politikanët tanë mediokër e mbajnë peng integrimin e Shqipërisë. Nëse ata nuk do kishin kapur zgjedhjet, askush nuk do fliste më për ta, do ishin tejkaluar. Emri i tyre do të ishte harruar. Por këta janë bërë njerëzit më të rëndësishëm dhe kërthiza e këtij vendi jo sepse meritojnë. Kjo ka ndodhur vetëm për faktin se ata kanë bllokuar demokracinë, e kanë shndërruar pluralizmin në farsë, kanë kapur partitë dhe të gjitha pushtetet.

Lidershipi i PD-së nuk ka vullnet për të rregulluar zgjedhjet dhe për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Një nga këto rekomandime është depolitizimi i administratës zgjedhore. PS-ja thotë se do depolitizohet administrata vendore, por jo KQZ-ja. Por si mund të quhet e depolitizuar kjo administratë që rekrutohet, udhëzohet, trainohet e drejtohen nga KQZ-ja e këtyre partive?! Nuk pranojmë që votat tona t’i numërojnë dy parti konkurente me ne. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu. Ky është një konflikt i hapur interesi.

Njerëzit nuk duhet të gënjehen nga shpjegimet propagandistike për krizën aktuale të djegies së mandateve. Kjo nuk është një krizë rastësore. Përkundrazi, është një krizë ciklike dhe e qëndrueshme. Në 12 vitet e fundit kemi pasur 6 bojkote parlamenti nga opozita e radhës, dy greva të grupeve parlamentare dhe dy herë shtyrje të zgjedhjeve.

Kryetari i PD urdhëroi deputetët të digjnin mandatet. A do ishte e mundur kjo nëse deputetët do tëzgjidheshin nga populli? Deputetët tanë nuk zgjidhen, emërohen nga kryetarët e partive. Të bëhesh deputet nuk ka nevojë të jesh qytetar i mirë, as të kesh zotësi dhe as të jesh besnik e shërbëtor i popullit. Mjafton të jesh servil dhe shërbëtor i pushtetit të kryetarit. Përndryshe karriera jote merr fund, ai nuk të vendos më në listë. Sa herë që rrezikohet lidershipi i kryetarit të partisë ai prodhon një krizë parlamentare dhe e lë vendin pa opozitë. Parlamenti nuk është i qytetarëve, por i kryetarëve.

Populli shqiptar nuk e ka mundësinë që të zgjedhë më të mirët në pushtet dhe as të keqen më të vogël. Sistemi që kanë ngritur Rama e Saliu është sikur ta detyrosh popullin të zgjedhë vetëm mes gjarpërit dhe krokodilit. O do shkojë me Saliun dhe me pasardhësin e tij ose do rrijë me Ramën dhe me trashëgimtarin e tij. Rrugë tjetër s’ka. Sa herë që këta hipin në pushtet bëhen më të poshtër edhe në raport me modelin e tyre në mandatin paraardhës. Ligësia, arroganca dhe paudhësia vetëm thellohet. Në çdo katër vite, populli bie nga shiu në breshër. Fati i këtij populli është o në dorë të një “gjarpëri”, o në dorë të një “krokodili”, o në dorë të bashkëpunimit të tyre.

Rama e Basha u thonë shqiptarëve: s’keni nga shkoni. Në kështjellën e pushtetit nuk ka vend për banorë të tjerë. Janë këta dhe disa ndihmës, servilë, oborrtarë dhe lajkatarë të tyre. Asnjë shqiptar tjetër nuk hyn dot aty. Do apo s’do populli, do të durojë sundimin e njërit prej tyre. Të gjitha tregjet, pasuritë, të drejtat dhe atdheu i shqiptarëve janë pengje të këtyre dy burrave të kështjellës. Ata sillen njësoj si përdhunues me këtë popull. Rrinë në pushtet me forcë. Populli është i lodhur. Nuk përballet dot me ta. Kush nuk pranon pushtetin e tyre ka vetëm një rrugë: të ikë në dhe të huaj.

Që të marrësh pushtet sot nuk është e nevojshme të kesh ide. Nuk është e nevojshme as të kesh virtyt, aftësi, nder e vullnet të mirë. Duhet vetëm të kesh gjak ose të jesh i përzgjedhur nga këta dy burra. Në kështjellën e pushtetit nuk hyn dot askush tjetër veç pasardhësve të Dinastisë së Re. Dinastia e Re janë këta tre-katër burra. Ata i emërojnë vetë trashëgimtarët, njësoj siç emërojnë e punësojnë që nga deputetët e deri te rojet dhe pastruesit e institucioneve shtetërore. Dhe këta baballarët e dinastisë kanë konsumuar aq shumë sjellje të këqia në pushtet saqë me të drejtë kushdo mund të pyesë: pse Saliu e jo Rama? Pse Rama e jo Basha? Pse Basha e jo Saliu?

Burrat e Dinastisë së Re nuk është e nevojshme as të bëjnë premtime. Mjafton të shahen me njëri-tjetrin dhe të mbajnë të mbyllur sistemin. Mjafton të mos lëshojnë zgjedhjet dhe të mbajnë në zotërim partitë e tyre. Ata do alternohen patjetër në pushtet. Dinastia e Re përbëhet nga kryetarët e partive të vjetra. Nuk kanë gjak blu. Kanë gjak të zi korrupsioni. Rama e Berisha shembën pushtetet e republikës përmes puçit kushtetues të 21 prillit 2008 dhe grabitën tërësisht sovranitetin e popullit. I kthyen shqiptarët në dele, në leshko e në skllevër. Baza sociale e Dinastisë së Re përbëhet nga vulgu i militantëve të partive të vjetra që vjedhin zgjedhjet dhe plaçkisin shtetin.

Basha nuk kërkon të zgjidhë krizën, kërkon tepsinë. Shkaku i djegjes së mandateve është marrëveshja e thyer e 18 majit. Sipas asaj marrëveshjeje, pas zgjedhjeve të 25 qershorit PS dhe PD do qeverisnin së bashku në një qeveri të integrimit. Kriza nuk mund të zgjidhet me pazare.

PD me të vetët është Opozita e Vjetër. ‘Zgjidhja’ dhe forcat e tjera progressive përbëjnë Opozitën e Re. Opozita e Vjetër nuk ka projekt për zgjidhjen e krizës. Ajo lufton me shumicën për të ndarë apo marrë pushtetin dhe bashkëpunon e ngjan me të për shumë çështje të tjera. Pak ditë më parë ne u njohëm me detyrat e Qeverisë Tranzitore që propozoi koalicioni i Opozitës së Vjetër. Nuk ka asnjë ndryshim nga detyrat dhe objektivat e qeverisë së 18 majit.

Basha e ka ngrënë turpin me bukë. I konsideron njerëzit budallenj. Nuk ka asnjë ide. Asnjë propozim. Nuk kërkon asnjë ndryshim në sistem, as reformë zgjedhore, as depolitizim të administratës, as demokratizim të partive, as lista të hapura, as kufizim mandatesh, asgjë! Ju ka ikur tinëzisht të gjithave. Tani ai kërkon vetëm një pazar tjetër, vetëm 4 deri në 6 muaj mandat për qeverinë tranzitore pa Ramën. ‘Zgjidhja’ ruan vlerësim për disa figura të nderuara e të pavarura të partive të koalicionit të PD-së si Shehi, Duka e të tjerë dhe ka pritur që ata të kushtëzojnë pjesëmarrjen në të me pranimin nga PD të një projekti të qartë të reformave të mëdha që i duhen vendit.

Kërkesa për qeveri tranzitore është e drejtë. ‘Zgjidhja’ ka spjeguar se kjo qeveri duhet të jetë me bazë të gjerë dhe me akademikë e profesorë me profil të lartë dhe paparti. Edhe kërkesa për largimin e Ramës nga kryeministër është gjithashtu e drejtë. Por largimi i Ramës dhe qeveria tranzitore nuk e zgjidhin krizën. Në vitin 2006 u kolapsuan dhe u shtynë zgjedhjet vendore. Por atëhere kryeministër ishte Saliu. Në vitin 2009 u bojkotua parlamenti për 6 muaj, por edhe atëhere kryeministër ishte Berisha e jo Rama. Në vitin 2010 ishin deputetët e PS-së në grevë urie, por kryeministër ishte Sali Berisha dhe jo Rama. Pas zgjedhjeve të 8 majit 2011 PS bojkotoi parlamentin. Kryeministër ishte Saliu.

Rama erdhi në pushtet si kalorës i krizave parlamentare e politike të njëpasnjëshme. Të njëjtën gjë po përpiqet të bëjë edhe Basha. Teoritë dhe propozimet e tyre për tejkalimin e krizës janë fiasko. Ata përpiqen të na hedhin hi syve dhe ta mbulojnë krizën si vullkani që zë kore dhe hesht për të shpërthyer përsëri pas pak kohësh me më shumë pasoja, dëme dhe jetë të humbura.

Basha në ‘Çadrën e lirisë’ dhe i “çliruar” nga mandati i deputetit i artikuloi pothuajse të gjitha reformat që zgjidhin përfundimisht krizën. Besoj ju kujtohet se vetëm pak javë më parë ai tha se duhen shfuqizuar amendimet kushtetuese të vitit 2008. Këtë e bëri vetëm për të shantazhuar Ramën se ai mund ta prishte në mënyrë të njëanshme pallatin e pushtetit të Dinastisë së Re. Por vetëm pak ditë më parë ai e hodhi poshtë vetveten kur deklaroi se sistemi zgjedhor është i mirë. Njësoj si Rama që tha se sistemi ynë është më i miri në botë.

Për të kuptuar politikanët duhet të shohim veprat dhe pasojat e gjërave që bëjnë, jo deklaratat e tyre. Kriza e sotme ka të paktën tri ndikime të qarta: kompromenton axhendën e integrimit europian të vendit, vonon progresin e reformës në drejtësi dhe bllokon reformimin e zgjedhjeve. Këto ju interesojnë të dy blloqeve të vjetër të politikës shqiptare. Ata janë njësoj përfitues në kurriz të popullit, janë të dy palët armiq dhe përbuzës të standardeve dhe vlerave demokratike, janë të dy palët të korruptuar, vjedhës, blerës e trafikantë votash. Mos e thëntë zoti që edhe kjo krizë të jetë “lojë” me marrëveshje të dy palëve.

‘Zgjidhja’ ka mbështetur të gjitha protestat paqësore kundër qeverisë. Ne i kemi ftuar edhe mbështetësit tanë të shprehin gjithë revoltën që kanë. Por nuk ju bashkuam protestave të PD-së sepse kjo është parti e pasinqertë, manipulon popullin, është e kriminalizuar dhe jo demokratike. ‘Zgjidhja’ nuk bëhet farsë e asnjërës palë.                       Ajo është besnike e interesave të popullit.

Si për sistemin politik, partitë e vjetra janë në marrëveshje të plotë për shumë çështje të tjera. Në pushtet, grabisin vendin me PPP-të dhe prokurimet korruptive. Të njëjtët oligarkë e kriminelë u shërbejnë të dy palëve dhe ndërrojnë padronin sipas rotacionit. Kush është në opozitë manipulon, kush është në pushtet shtyp dhe vjedh pa mëshirë të varfërit e këtij shteti. Kush vjen në pushtet i harron çfarë ka thënë në opozitë dhe i shpie më përpara veprat e këqija të atyre që ikin nga pushteti për të vazhduar të njëjtat zakone kur të rikthehen pas tetë vitesh.

Ne kemi pritur shumë më tepër nga BE për mbrojtjen e vlerave dhe standardeve demokratike europiane në Shqipëri. BE, për fat të keq, ka mbështetur autokratët e Tiranës. Perëndimi diktoi reformën në drejtësi për të garantuar interesat e tij gjeopolitike në hapësirën shqiptare dhe mirë bëri. Por ai nuk ka bërë asnjë përpjekje reale për demokratizimin e qeverisjes dhe të zgjedhjeve shqiptare. Përkundrazi ka mbyllur sytë dhe ka toleruar në njëzet vitet e fundit, kur demokracia shqiptare është gërryer, tkurrur dhe përkeqësuar deri në absurd.

Politikën europiane ndaj Shqipërisë e ka udhëhequr stabilokracia. Populli ynë është ndër popujt më proeuropjanë edhe se vetë popujt europianë. Por Europa ka qëndruar në anën e udhëheqësve të korruptuar të Tiranës dhe jo në anën e qytetarëve. Qeveritë autokratike e të korruptuara të Tiranës nuk rrinë dot asnjë ditë në këmbë pa mbështetjen financiare, politike dhe ushtarake të Perëndimit. Shumë herë e kemi deklaruar se stabiliteti dhe zhvillimi që sakrifikon demokracinë është fals.

 

  1. Pakti për zgjidhjen e krizës

 

Kriza e tanishme është tejet e rrezikshme. Vendi rezikon të bjerë në kaos. Zgjidhja e saj duhet të vijë nga brenda vendit. Kjo krizë buron nga deformimet e rënda të sistemit, është krizë e mospërfaqësimit të popullit dhe i ka rrënjët te standardet e munguara zgjedhore. Si e tillë ajo nuk mund të zgjidhet vetëm nga partitë e vjetra që i kanë krijuar dhe shtresëzuar vit pas viti shkaqet e krizës. Kryetarët e partive të vjetra shkatërruan interesin e përbashkët, liritë dhe shtetin, sundimin e ligjit dhe burimet e ekonomisë vetëm për pushtetin, pasurimin dhe privilegjet personale.

Për të zgjidhur krizën aktuale dhe të tjerat që do të pasojnë në mënyrë të pashmangshme, ‘Zgjidhja’ propozoi një pakt kombëtar për një sistem dhe fillim të ri për të gjithë, për popullin dhe për shtetin tonë, për qytetarët e urtë, për rininë dhe pensionistët, për militantët e papërgjegjshëm dhe për vulgun, për elitën drejtuese, për ata që çmojnë lirinë mbi gjithçka dhe për të tjerët që nuk e kanë problem të jetojnë në shtypje e robëri.

Tejkalimi i krizës kërkon një Pakt Kombëtar konsensual e gjithpërfshirës, përndryshe ky vend do të vazhdojë të shkretohet, të braktiset dhe të thahet edhe më shpejt nga çdo burim. Nën diktaturën komuniste ishim pa liri, por kishim shpresa dhe besim te e ardhmja demokratike dhe europiane e Shqipërisë. Tani jemi më të pashpresë se kurrë. Qeveria bën gjithçka për të na mbajtur në gjumë dhe për të mos lejuar popullin të kuptojë humnerën ku ka rënë.

Pakti Kombëtar për një fillim të ri do na ndihmojë të kthejmë shpresën dhe besimin, punën dhe përkushtimin, zhvillimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe demografik, virtytin dhe shëndetin e gjithanshëm të shoqërisë, jetën, gëzimin dhe entusiazmin e popullit dhe të rinisë. Nevoja për një pakt të madh e historik kombëtar duhet të na bëjë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, pavarësisht xhelozive, përçarjes dhe urrejtjes që na kanë mbuluar me planin dhe me nxitjen e atyre që e sundojnë, e shtypin dhe e vjedhin këtë popull si të ishin pushtues të huaj. T’i shembim muret e partive të vjetra që na ndajnë. Të bashkohemi për Shqipërinë. Të mos zihemi e përdoremi për pushtetin e atyre që na sundojnë.

Na duhet të punojmë me mençuri për të rizgjuar vetëdijen tonë qytetare e kombëtare, për të ushqyer respektin ndër ne dhe për të ndaluar të ndihmojmë qëllimet e armiqve të Shqipërisë. Urrejtja dhe zemërata me njëri-tjetrin nuk na shpien askund. Edhe mashtrimet e qeveritarëve që e paraqesin situatën si normale, vetëm e zgjasin agoninë dhe e përkeqësojnë gjëndjen tonë. Nuk duhet të humbasim më kohë. Edhe një herë sot i ftojmë solemnisht të gjitha palët të tejkalojnë vetveten dhe të vendosin mbi gjithçka interesat e larta të kombit e të shtetit tonë.

Përmes Paktit të madh Kombëtar do të biem dakort ndër ne për të shpëtuar vendin nga ngërçet dhe rreziqet e mëdha. Ne duam një Shqipërinë të lirë, demokratike dhe të pasur, një Shqipëri që i do dhe i mban të gjithë, një Shqipëri që është e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e kryetarëve! Një popull militant dhe mbështetës i verbër ndaj liderëve autokratë e të gjithpushtetshëm nuk mund të ketë as liri dhe as mirëqenie.

Kriza jonë mund të zgjidhet vetëm duke kuruar në themel shkaqet e saj. Për këtë kërkohet çmontimi i pushtetit absolutist të kryetarëve dhe rivendosja e republikës. Duhet t’i jepet fund regjimit hibrid që ka prodhuar marrëveshja e partive të vjetra. Nuk ka zgjidhje të krizës pa eleminuar kapjen e shtetit nga kryetarët e partive. Të drejtat e uzurpuara praj tyre duhet t’i kthehen popullit dhe institucioneve kushtetuese në një demokraci funksionale me një parlament pluralist e përfaqësues dhe me kryetar shteti, kryeministër dhe kryetarë bashkish që nuk lejohen për më shumë se dy mandate.

Shqipëria nuk mund të ringrihet e të ecë përpara pa nxitur e përfshirë të gjitha energjitë krijuese të qytetarëve tanë. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar nga proceset demokratike për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit. Populli duhet të ushtrojë lirisht sovranitetin e vet përmes votës së drejtpërdrejtë në referendume e në zgjedhje. Jetëgjatësia katër vjeçare e mandateve të përfaqësuesve duhet të kushtëzohet me verifikimin e ndërmjetëm periodik të ruajtjes së besimit të zgjedhësve. E keni dëgjuar Ramën kur thotë se iki nga pushteti vetëm kur dua unë!

Partitë duhet të demokratizohen me ligj dhe jo me vullnetin e kryetarëve. Një parti jodemokratike nuk mund të prodhojë një qeverisje demokratike. Sot kemi gjithë këto parti politike. Shumica e tyre kanë vetëm nga një kryetar dhe nga një vulë. Numri i tyre i madh është i lidhur me mungesën e demokracisë së brendshme dhe me korrupsionin elektoral në partitë e vjetra. Nga ana tjetër ky numër është nxitur nga vrasësit e pluralizmit. Ata duan të thonë se Shqipëria nuk vuan nga mungesa e lirive politike, por nga tepria e tyre. Standardet e partive politike të garantohen me ligj.

 

  1. Zgjedhjet e 30 qershorit

 

Njerëzit me të drejtë pyesin: çfarë do bëjë Zgjidhja’? A do hyjë ajo në zgjedhjet e 30 qershorit? Në se po, a do ishte kjo diçka e drejtë? Më tej akoma; a do t’i lëmë ne në baltë mbashtetësit dhe simpatizantët e thjeshtë të PD-së e LSI-së? Ata janë shqiptarë që protestojnë të revoltuar rrugëve dhe shesheve kundër qeverisë. Seicili prej tyre ka një arsye të madhe që proteston, paçka se është ftuar nga lidershipi i PD-së dhe LSI-së.

Ne e ftuam lidershipin e PD-së të distancohet nga krimet elektorale të së shkuarës dhe t’i bashkohet dëshirës së mbi 90% të shqiptarëve për hapjen e sistemit dhe demokratizimin e zgjedhjeve. Ky ishte kushti ynë që ne të përfshiheshim në një front opozitar me të. Ju kërkuam të heqin dorë nga administrimi partiak dhe uzurpimi i zgjedhjeve. Por Lulzim Basha është po aq autokrat sa Edi Rama. Të dy këta mbrojnë me çdo mjet pushtetin e Dinastisë së Re, janë armiq të vendosur të lirive dhe integrimit të Shqipërisë në rradhën e kombeve të civilizuara dhe të mirëqeverisura.

Partia ‘Zgjidhja’ ka deklaruar se nuk shkon në zgjedhje që i organizon PS dhe PD. Ne e dimë se një vendim i tillë është shumë i vështirë. Ne jemi regjistruar si subjekt elektoral në KQZ. Kemi mbledhur edhe firmat mbështetëse. Por është ky kongres që do vendosë në se do t’i dorëzojmë në KQZ dhe në ZAZ-të listat e kandidatëve dhe firmat mbështetëse apo do ta bojkotojmë 30 qershorin. Ne kemi propozuar që zgjedhjet vendore të shtyhen për në vjeshtë dhe që të paraprihen nga reforma zgjedhore domosdoshmërisht. Ne nuk tërhiqemi! Por zgjedhje të pareformuara në Shqipëri nuk duhet të bëhen më.

Qeveria thotë se do bëjë zgjedhje pa PD-në. Rama tallet me shqiptarët. Ai e di se zgjedhjet nuk janë të pavarura nga PD. Janë peng dhe ekskluzivitet i PS-së dhe PD-së. Zgjedhjet nuk mund të bëhen në mënyrë të njëanshme. Të çosh vendin në zgjedhje të njëanshme me këtë ligj e sistem zgjedhor do të thotë ta çosh vendin në ndarje të thellë, në luftë civile e në destabilizim. Që kriza të marrë fund dhe Shqipëria të mos jetë më funksion i nevojave të katër burrave për pushtet e pasuri, duhet që zgjedhjet të pavarësohen nga partitë.

Kemi një vit që përgatitemi për zgjedhjet vendore. Kandidatët tanë për kryetarë bashkie kanë bërë një punë shumë të madhe paraprake. Qindra njerëz kanë kandiduar për këshillat bashkiakë. Në emrin tuaj i falenderojmë të gjithë. Ata janë pararoja, janë kontribuesit më të mëdhenj në partinë tonë. Nuk rritet dot një parti jashtë betejave elektorale. Shpresoj në mirëkuptimin e tyre të plotë për cilindo opsion që do vendosim sot për 30 qershorin.

Duke shfrytëzuar këtë komunikim i ftoj qytetarët më të mirë të Shqipërisë dhe të Tiranës të vendosin kandidaturat e tyre për këshilltarë dhe për kryetarë bashkie me partinë ‘Zgjidhja’. Asnjë të mos rrijë indiferent. Të marrim përgjegjësi! Në se doni ta ndryshojmë për mirë qeverisjen dhe jetën e popullit, ky është momenti: kandidoni me ‘Zgjidhja’-n! T’u marrim sa më shumë fuqi e pushtet partive të vjetra. Të mësohemi të punojmë bashkërisht. Dhe të kontribojmë përpara se të kërkojmë.

Kam takuar njerëz që nuk kanë punuar asnjë ditë në jetë dhe kërkojnë të vendosen vetëm të parët në listë. Kam takuar të tjerë që kanë ikur me vendbanim nga zonat e largëta në Tiranë dhe kërkojnë të vendosen të parët në listat e këshilltarëve në zonat e tyre të origjinës. Kjo nuk është e drejtë, nuk është e pranueshme. Duhet të përvetësojmë e mbartim idetë dhe tezat e programit të ‘Zgjidhja’-s. Si mund të përfaqësojnë ‘Zgjidhja’-n ata që nuk njohin asgjë nga politikat e saj.

Ne nuk e japim me qira stemën dhe të drejtën e përfaqësimit të partisë. Kush nuk meriton të përfaqësojë popullin nuk kandidon dot nën siglën e ‘Zgjidhja’-s. Ne nuk japim për askënd letra të bardha e të vulosura. Absolutisht jo! Ne mandatojmë vetëm ata që besojnë te projekti ynë dhe meritojnë të drejtojnë. Kush kontribuon do nderohet. ‘Zgjidhja’ as nuk e shet mbështetjen dhe as nuk e blen përfaqësimin. Janë të ftuar të vinë tek ‘Zgjidhja’ të gjithë ata që duan të kontribojnë me zemër për Shqipërinë, të gjithë ata që besojnë tek e ardhmja e atdheut dhe e popullit tonë.

Ne kemi mbledhur mijëra firma mbështetëse në 20 bashki. Pjesa më e vështirë lidhet me hezitimin e qytetarëve për të dhënë fotokopjet e kartave të identitetit siç e kërkon oligopoli elektoral i partive të vjetra dhe KQZ. Por falë mbështetjes së madhe të qytetarëve ne morrëm firmat mbështetëse për bashkitë kryesore të vendit. Më lejoni që në emrin tuaj tju shpreh mirënjohjen tonë të thellë të gjithë zgjedhësve shqiptarë që kanë firmosur për pjesëmarrjen e kandidatëve tanë në zgjedhje.

Me këtë rast i sigurojmë ata se nuk do i zhgënjejmë. Do t’i përfaqësojmë me besnikëri. Prandaj ne i ftojmë ata që siç na dhanë firmën mbështetëse ashtu të na japin edhe votën në çdo palë zgjedhje. Kush voton ‘Zgjidhja’-n voton për vete, voton për mirëqeverisjen dhe për mirëqenien e familjes së tij, voton për lumturinë e popullit dhe interesat e larta të atdheut.

 

  1. Sfida për të drejtuar Bashkinë e Tiranës

 

Pjesëmarrja e partisë sonë në zgjedhjet vendore përbën një kontribut të madh. ‘Zgjidhja’ mbështet decentralizimin dhe respektimin e autonomisë së pushtetit vendor, përfshirjen e qytetarëve dhe komunitetit në qeverisje dhe afrimin e saj me qytetarët. Pushteti vendor duhet modernizuar. Ai duhet të pajiset me aftësi, ekspertizë, logjistikë, dije dhe buxhete. Ai duhet të planifikojë zhvillimin afatmesëm dhe afatgjatë. Rritja e buxhetit vendor nuk duhet të bazohet te rritja e tarifave dhe taksave.

‘Zgjidhja’ ka të drejtë të kërkojë besimin e kryeqytetit për të menaxhuar Bashkinë e Tiranës. Kam deklaruar gadishmërinë time për të kandiduar përballë Erjon Veliajt. Nuk mjaftohem të them se në krye të bashkisë, unë do të sjell modelin e kryetarit më të mirë të historisë. Kjo po e po! Do t’u vërtetoj në më pak se një vit se ky qytet nuk ka pasur administrator katër vitet e shkuar. Nuk ka qenë vetëm pa zot. Kjo do ishte e keqja më e vogël. Tirana ka pasur në krye një njeri të korruptuar dhe totalisht të paaftë. Një gënjeshtar të pacipë që të tjera thotë e të tjera bën.

Veliaj është i pakulturuar dhe i pashkollë. Ai i ngjan një magazine dijesh të shkëputura e pa lidhje. Kjo është forma më brutale e injorancës. Është i padrejtë, mizor dhe i pashpirt me të dobëtit, servil, puthador dhe shërbëtor me të pushtetshmit dhe me të pasurit. Ai s’ka bërë asnjë punë në jetë. Gjithë njerëzit e bashkisë i ka vënë të bëjnë komente dhe pëlqime për të në rrjetet sociale. Nuk ka rëndësi sa punojnë. E rëndësishme është sa lajka e lavde bëjnë për kryetarin. ‘Zgjidhja’ dhe unë në krye të bashkisë të Tiranës do sjellim një politikë të re. Një politikë e re, një fillim i ri!

Rritja galopante e taksave dhe tarifave në Tiranë nuk është shoqëruar me përmirësim të shërbimeve. U rrit çmimi i ujit nga 40 deri në 70% dhe u zvogëlua furnizimi nga 11 orë në 10,2 orë në ditë. E vetmja gjë që ndryshoi në UKT ishtë dyfishimi i fuqisë punëtore.

U shumëfishuan taksat e parkimeve dhe të transportit urban. Çfarë u përmirësua për qytetarët? Asgjë! Transporti urban është skandaloz si nga kushtet e mjeteve ashtu edhe nga funksionimi. Shumë nga punëtorët që lëvizin me transport publik kanë humbur punën për shkak të vonesave të panumërta të linjave. Trafiku në Tiranë është një vuajtje e përditshme, është në kolaps. Pse? Sepse Veliaj nuk është i zoti për asgjë. Ai është bërë si aktor Hollivudi dhe si modele pasarelash. Kujdeset vetëm për imazhin e tij mediatik. Erjon Veliaj është fake leader. Çdo ditë bën kaseta duke mbjellë pemë. Ky është kasetaxhiu më i madh i historisë politike. Ato transmetohen nga gjithë televizionet që janë në shërbim të Erjonit, sepse ky i mbulon me ndere. Nderet e Erjonit janë sakrifica që populli bën për pushtetin dhe lumturinë e tij.

Veliaj është dashnori i kullave dhe i betonit. Luftoi me gjithë kapacitetet e tij për ta përçarë e për ta thyer rezistencën e artistëve që mbrojnë më heroizëm e përkushtim të pashoq Teatrin Kombëtar. Një nga tragjeditë dhe njollat më të errëta në historinë e qeverisjes vendore të Tiranës do të mbetet prishja e shtëpive të banorëve ne Shkozë, Astir, në Bregun e Lumit e gjetkë. Këto janë krime monstruoze. ‘Zgjidhja’ ka projektin e duhur. Asnjë shtëpi shqiptari nuk do prishet pa u shpronësuar dhe pa u paguar.

Pushteti i Veliajt është jo efektiv dhe çnjerëzor. Tenderat e tij dhe të Rilindjes vunë çmime rekord për punët publike, 15 mln euro për një km. Për një punë që kushton 1 mln dollarë, Veliaj paguan 20 mln dollarë. Erjon Veliaj ka bërë rrush e kumbulla 200 mln euro.

Unë në krye të Tiranës do bëj ulje drastike të taksave dhe përmirësim rrënjësor të shërbimeve. Do ta bëjmë Tiranën  një qytet funksional dhe të jetueshëm. Veliaj përfaqëson mutacionin e veseve më të këqija të elitës politike të tranzicionit. Ju e dini ëndrën e tij si princi i kurorës së Rilindjes. Deshiron të bëhet trashëgimtar politik i Edi Ramës. Sikur të bënte vaki diçka e tillë Rama e Berisha do ju dukeshin lule shqiptarëve. Për pushtet e pasuri personale Veliaj nuk njeh limite, sakrifikon edhe gjithë popullin e Tiranës dhe të Shqipërisë, po qe nevoja. Prandaj është detyra jonë të ndihmojmë popullin dhe ta dërgojmë në shtëpi Erjonin.

Unë kërkoj mbështetjen tuaj për të kandiduar në zgjedhjet vendore për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Qysh javës së ardhshme do të mobilizojmë staf elektoral për çdo njësi administrative. Jemi shumë të interesuar të bashkëpunojmë me gjithë qytetarët që dëshirojnë të përfshihen në ekipet e fushatës elektorale dhe më pas në projektet e Bashkisë së Tiranës. Mirëpresim çdo sugjerim, çdo propozim e ide. Me ‘Zgjidhja’-n bashkia bëhet e  qytetarëve. Ne nuk shesim shpresa, ne ndërtojmë të ardhmen. Ne nuk bëjmë propagandë, ne do zgjidhim probleme dhe do prodhojmë pasuri për popullin. Sot do kërkojmë drejtimin e Tiranës, nesër do kërkojmë drejtimin e Shqipërisë. Kandidatura ime është e konfirmuar. Megjithatë ata që mendojnë se mund të drejtojnë më mirë se unë bashkinë e Tiranës të mos hezitojnë, të paraqesin kandidaturat për të konkuruar nën siglën dhe programin e partisë ‘Zgjidhja’.

 

  1. Për diplomacinë dhe Çëshjen kombëtare

 

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Kjo është vendimtare për sigurinë tonë kombëtare. Orientimi euroatlantik i saj është i natyrshëm. Anëtarësimi në BE është aspiratë e palëkundur e shqiptarëve. BE është destinacion i popullit tonë në rrugëtimin e tij drejt prosperitetit.

Parimi i politikës së jashtme të ‘Zgjidhja’-s është se i vetmi partner strategjik i Shqipërisë janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria jonë e çoroditur ka shpallur tetë partnerë strategjikë të Shqipërisë. Sa herë këto shtete e organizata përplasen, Shqipëria nuk di nga të shkojë.

Ne mbështesim të gjitha përfshirjet që respektojnë interesat e Shqipërisë dhe nuk janë diskriminuese për të. Politika e jashme e Partsë ‘Zgjidhja’ bazohet në të drejtën ndërkombëtare, në parimet e miqësisë së mirë, reciprocitetit dhe respektit të ndërsjelltë me vendet fqinje.

‘Zgjidhja’ i përmbahet të vërtetës se shqiptarëve u është hyrë në hak nga historia. Territoret e tyre etnike janë copëtuar dhe sot ata jetojnë në 6 shtete në ballkan. Është detyra e Shqipërisë të mbështesë e mbrojë të drejtat e tyre kombëtare, kulturore, politike e njerëzore në Serbi, në Maqedoninë e Veriut, në Greqi dhe në Mal të Zi.

Ne nuk ngremë rivendikime teritoriale ndaj Greqisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Serbisë. Por jemi shumë të ndjeshëm ndaj respektimit të të drejtave të shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

Ne duam marrëdhënie shumë të mira me Greqinë por çështja çame ekziston. Greqia dhe Shqipëria duhet ta përballojnë këtë problem. Nuk mund ta fshehin dhe as ta injorojnë. Greqia duhet të respektojë të drejtat njerëzore të Çamërisë.

Politika e ‘Zgjidhja’s kërkon të ndalet zbrazja e mëtejshme nga popullsia shqiptare e trojeve të saj etnike në Serbi, Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi. Retorika boshe e qeverisë së Tiranës nuk na mjafton. Të dy qeveritë shqiptare duhet të marrin përgjegjësi të plota e masa për ta frenuar, ngadalësuar dhe ndaluar plotësisht diskriminimin dhe shpopullimin e trojeve shqiptare në këto shtete. Askush nuk mund të justifikohet nëse shumë shqiptarë të Medvegjes, Preshevës e Bujanovcit ndihen vetëm dhe të harruar.

‘Zgjidhja’ është kategorikisht kundër idesë së shkëmbimeve të teritoreve të Kosovës me Serbinë. Kosova nuk ka asnjë centimetër katror tokë serbe brenda kufive të saj. Përkundrazi, ajo rrethohet nga territore shqiptare që kanë mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë dhe Kosovës. Kosova nuk mund të shkëmbejë teritore shqiptare me teritore shqiptare. Ne nuk e harrojmë copëtimin e viseve tona në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20. Këto janë plagë shumë të reja në trupin e kombit tonë. Janë plagë që nuk mund të mbyllen kurrë.

Implikimi jotransparent i Edi Ramës në favor të planit të Vuçiçit për të ndryshuar kufijtë e Kosovës, është tradhëti kombëtare. Një hetim parlamentar dhe një hetim nga drejtësia duhet të hedhin dritë mbi këtë akt të kryeministrit të Shqipërisë, pas zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

‘Zgjidhja’ ka mbështetur kryeministrin e Kosovës dhe të gjithë faktorët e tjerë politikë e qytetarë që nuk iu nënshtruan presionit të gjithanshëm dhe e refuzuan vendosmërisht planin e Vuçiçit për ndarjen e Kosovës. Taksa 100% mbi mallrat e origjinës serbe është një masë efektive për t’u kërkuar të gjithëve të respektojnë sovranitetin dhe pavarësinë e saj.

Një nga shtyllat e programit të partisë tonë është bashkimi i Shqipërisë me Kosovën. Ëndrra jonë për bashkim kombëtar është legjitime. Padyshim që bashkimi i plotë do të ndodhë kur Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në BE. Por bashkimi i Shqipërisë me Kosovën në një shtet të vetëm do të mundësojë zhvillim dhe aftësi për të mbrojtur interesat tona në rajon e më gjerë.

Në këtë proces do të shkojmë përpara në dakordësi të plotë me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por nga ana tjetër nuk duhet të shpërdorojmë kohë. Mbedhjet e përbashkëta propagandistike të dy qeverive nuk mjaftojnë. Duhen hequr të gjitha barrierat që na ndajnë. Reformat dhe zhvillimi i legjislacionit në të dy shtetet duhet të udhëhiqen nga vizioni që e konsideron si një shtet dhe si një treg hapësirën shqiptare. Ja pse është krejtësisht e papërshtatshme taksa në Rrugën e Kombit.

Gjëja më e rëndësishme është të bashkohemi shpirtërisht e kulturalisht. Të mbajmë të gjallë në zemrat e rinisë atdhedashurinë, vetëdijen, respektin dhe nderimin për identitetin, trashëgiminë dhe sakrificat e popullit shqiptar në shekuj, ëndrrën e bashkimit kombëtar dhe aspiratën për një shtet modern e të fuqishëm të shqiptarëve në Ballkan. Korrupsioni dhe turpërimi që i bëjnë shtetit tonë autokratët e Tiranës është me pasoja të rënda për këtë proces me rëndësi jetike për kombin tonë.

Ne jemi vendi me popullsinë më emigruese në botë. Diaspora jonë ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm financiar e shpirtëror. Ne kemi përgjegjësinë historike për ta bërë Shqipërinë një vend të nderuar e të respektuar në botë, një vend të begatë ku respektohen të drejtat njerëzore dhe ku sundon ligji.

Çdo shqiptar i diasporës duhet të jetë i mbështetur, i nderuar dhe krenar për Shqipërinë; të jetë një ambasador kudo ku jeton, për të promovuar kulturën, gjuhën dhe produktet tona, si dhe për të importuar turistë, dije, standarde, teknologji e kapitale në vendin tonë. ‘Zgjidhja’ do të përfshijë në përpjekjet dhe angazhimet për ta bërë Shqipërinë energjitë, forcën, aftësitë, shpirtin krijues dhe burimet e diasporës sonë.

Diplomacia e ‘Rilindjes’ ka dështuar. Sot vendi ynë është më larg se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor nga BE. Qeveria jonë është e izoluar dhe pa mbështetje ndërkombëtare. Reputacioni i saj është përtokë. Investimet e huaja tashmë janë inekzistente. E gjithë diaspora jonë ndihet e përjashtuar dhe e pambështetur.

Shqipëria nuk ka përfituar as nga ekonomia e madhe e vendeve europiane, as nga ekonomia e madhe amerikane, as nga ekonomia e madhe kineze dhe as nga ekonomitë e tjera të mëdha të botës. Paaftësia dhe diletantizmi i kryeministrit dhe qeverisë janë monumentale. Tre takime të nivelit më të lartë me Kinën u shfrytëzuan nga kryeministri ynë vetëm për t’i treguar homologut kinez barsaleta me qen, mace dhe luanë. Të gjitha vendet e rajonit tonë kanë thithur miliarda investime nga programi 16+1 (17+1). Shqipëria ka përfituar zero projekte. Zero lekë. Vetëm një vizitë për të parë Kinën punonjësit e kryeministrisë. Në vend që kryeministri ynë të na tregojë se sa produkte bujqësore eksporton në Rusi dhe sa turizëm përfiton prej saj, ai përgojon nëpër konferenca ndërkombëtare e studio televizive Putinin dhe qeverinë e tij.

 

  1. ‘Zgjidhja’ bojkoton më 30 Qershor

 

Një hyrje e jona në zgjedhje nuk do t’i përmirësonte standardet e tyre dhe do ta izolonte edhe më shumë PD-në dhe koalicionin e saj. Ne nuk u kemi asnjë borxh atyre. Por zgjedhjet që nuk janë gjithpërfshirëse e përçajnë dhe e destabilizojnë edhe më keq Shqipërinë. Ndërkohë dhjetra mijëra demokratë e mbështetës të këtij koalicioni janë vëllezërit tanë të një gjaku, janë shqiptarë që vuajnë shtypjen e tiranisë së krimit dhe korrupsionit njësoj si ne. Ne nuk mund t’i lëmë ata vetëm përballë një qeverie antipopullore, antikombëtare dhe të korruptuar. Nuk mund të vihemi as përballë tyre. Zgjedhjet janë ngjarje të mëdha e festive në jetën e një populli; janë pikërisht për ta bashkuar dhe jo për ta përçarë e për ta lënduar atë.

Për një parti politike, pjesëmarrja në zgjedhje është jetike. Ne kemi pasoja jo të mira nëse bojkotojmë edhe këto zgjedhje, siç bëmë edhe me ato të vitit 2017.  E kemi shumë të nevojshme të marrim pjesë, por këto nuk janë as zgjedhje të reformuara, as me standarde dhe as gjithpërfshirëse. Si të tilla ato e dobësojnë Shqipërinë edhe më shumë. Për ne e para është Shqipëria dhe jo partia. Siç duket qartësisht, ende nuk janë krijuar kushtet elementare për zgjedhje të lira, të drejta e të barabarta. Në këto rrethana unë ju propozoj të vendosim që të bojkotojmë zgjedhjet e 30 qershorit dhe të kërkojmë shtyrjen e tyre për në tetor.

Ne nuk jemi naivë dhe nuk kemi iluzione. E dimë shumë mirë se Partia Demokratike mbetet një forcë e kapur dhe antidemokratike që do bëjë gjthçka mundet për të penguar demokratizimin e zgjedhjeve. Por lufta jonë bëhet në emër të interesave të mëdha të popullit shqiptar. Ftoj edhe partitë e tjera që janë regjistruar në KQZ që të tërhiqen nga zgjedhjet e 30 qershorit. Ky është një investim për bashkimin e Shqipërisë. Është një investim për paqen dhe lirinë. Është një investim për çlirimin e zgjedhjeve.

Edhe një herë sot u bëj thirje ambasadorëve të vendeve mike dhe misioneve të huaja në Tiranë që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre dhe të mos i lejojë zjarrvënësit e partive të vjetra ta çojnë Shqipërinë në përplasje e konflikte të rënda sociale. Trupi dhe ekonomia e saj nuk përballojnë dot më një konflikt të ri social e politik. Është e domosdoshme që zgjedhjet të shtyhen, reforma zgjedhore të përmbushet dhe një qeveri tranzitore me akademikë e njerëz pa parti të përgatisë e zhvillojë zgjedhjet vendore në vjeshtë.

 

  1. Pasurimi i shqiptarëve

 

Të dashur bashkatdhetarë që jeni duke na ndjekur përmes transmetimeve televizive dhe rrjeteve sociale!

‘Zgjidhja’ ka në fokus nevojat tuaja ekonomike, luftën ndaj varfërisë dhe polarizimit ekstrem të shoqërisë. Të gjitha të mirat materiale të Shqipërisë janë përqendruar te një grusht njerëzish. Çdo buxhet, pasuri nëntokësore e mbitokësore, e drejtë zhvillimi apo tjetër, zotërohet nga një grup i vogël zyrtarësh të lartë dhe biznesesh të lidhura me ta pa konkurencë, si dhe duke diskriminuar interesin publik dhe operatorët e tjerë.

Shqipëria është një vend me pasuri të shumta natyrore për frymë. Ka peisazh të bukur, minerale, dritë, temperaturë, ujë, male, lumenj, bregdet, pozicion gjeografik të favorshëm dhe gjithçka është e nevojshme që populli të jetojë i lumtur e i kamur. Programi ynë ka për qëllim të bëjë reformat e duhura strukturore dhe të prodhojë pasuri për të gjithë. Partitë e vjetra dhe politikanët e tranzicionit treguan se si varfërohet dhe shkatërrohet një komb e një shtet për të pasuruar e mbajtur në pushtet 5 burra.

Ju keni mundësinë të kuptoni se liderat e tranzicionit nuk duan që populli të ketë mirëqenie. Në se populli ynë do bëhet i pavarur ekonomikisht, pushteti i tyre do të bjerë dhe ata do duhet të përgjigjen përpara ligjit dhe përpara jush për gjithë të këqijat që kanë bërë. Ja pse ata do përpiqen t’ju mbajnë të shtypur e të varfër.

Ju kujtohet besoj lufta që ne këmi bërë për legalizimin e kanabisit. Ne e nisëm këtë debat ndër të parët në Europë dhe padyshim të parët në rajon. Por çndodhi në pak vite? Qeveritarët bënë vetë një megakartel të marijuanës dhe mbytën kontinentin me hashash. Bënë miliarda euro për vete dhe shqipatëve u hodhën në kokë tërë sharjet e popujve të tjerë. Po vendet tona fqinje çfarë bënë? Ato legalizuan kanabisin dhe thithën miliona investime të huaja për farmaceutikën, industrinë ushqimore, tekstilet e kështu me rradhë. Të gjithë fitojnë nga ekonomia e kanabisit që është ekonomia me rritjen më të madhe në botë. Vetëm shqiptarët nuk munden të fitojnë nga kjo ekonomi. Liderët e Partisë Demokratike u bënë xhelozë se pse po fitonte Rama me të vetët. Ata nuk paraqitën asnjë projekt për të ngritur ekonominë tonë kombëtare të kanabisit.

Si kanabisi janë dhjetra e më shumë shanse të humbura për shqiptarët. Vuan bujqësia dhe fshatari ynë. Katastrofë është tregu i pasurive të patundëshme. Arsimi, shëndetësia, futbolli dhe sportet janë si mos më keq. Asnjë treg nuk është i rregulluar dhe nuk sjell mjaftueshëm begati. Shkatërrimi i konkurencës së ndershme i ka varfëruar të gjithë. Vendi ynë mund të bëjë ekonomi për të gjithë. Vetëm pasuria jonë ujore është e jashtëzakonshme. Derdhim në det 37 mld metër kub ujë në vit përmes lumenjve tanë ndërkohë që uji është gjithnjë e më i çmuar në botë.

Mundësitë i kemi. Por nuk kemi qeveri të drejtë e të zonjën. Kryeministrat tanë dhe kryetarët e bashkive mburren se bëjnë tendera të shumtë. Po kjo nuk është aspak meritë. Dhe thonë se kemi bërë punë. Po kjo s’është e vërtetë. Punët i bëjnë punëtorët, specialistët dhe kontraktorët. Ja të sjellim edhe një shembull tjetër. Për çdo tender qeveritarët marrin nga 20% deri në 50% të parave të kontratës në dorë, nga firmat private. Ato para shteti ja paguan kontraktorit që t’i vendosë si material, makineri dhe fuqi puntore në vepër. Paratë që këta kontraktorë ia japin qeveritarëve i heqin nga veprat publike që ndërtojnë dhe nga shërbimet që furnizojnë. A duhet ta pranojmë në këtë rast atë që thotë Veliaj se kemi bërë shumë punë?!

Zotësia e qeveritarëve duhet treguar se sa mirë i administrijnë paratë e taksapaguesve. Që punët publike t’i bejnë me cilësi të lartë dhe me çmim të ulët. Të rrisin e mirëmenaxhojnë pronën dhe të mirën e përbashkët. Që të krijojnë kushte të barabarta të punojnë e të fitojnë të gjithë dhe jo vetëm vëllai i Veliajt dhe miqtë e Ramës. Jo të fitojnë kryeministri dhe ministrat. Duhen që të fitojë populli.

Në se do pyesim qytetarët se çfarë mbajnë mend nga ‘Zgjidhja’, njerëz të ndryshëm do të thonë përgjigjie të ndryshme. Njëri do e kujtojë Zgjidhja-n për legalizimin e kanabisit, një tjetër për primaret, një tjetër për nismën ‘Unë zgjedh deputetin që dua’, një i katërt për kritikën e sistemit, një i pëstë për Paktin Kombëtar për tejkalimin e krizës, i gjashti për projektin e reformës zgjedhore e kështu me radhë. Përgjigjia më e saktë do qe: ‘Zgjidhja’ është partia politike që ka vullnetin, vizionin dhe aftësinë të bëjë ekonominë dhe të pasurojë popullin dhe shtetin e Shqipërisë.

Kongresin e ardhshëm do t’ia kushtojmë programit tonë për ekonominë e shqiptarëve.

Rroftë Shqipëria! Rroftë partia ‘Zgjidhja’! Zoti ju bekoftë! Faleminderit!

 

 

 

0
Koço Kokëdhima: Armiqtë e lirisë dhe integrimit të Shqipërisë!

Koço Kokëdhima: Armiqtë e lirisë dhe integrimit të Shqipërisë!

Ata janë liderët e PS dhe PD. Duket si koincidencë, por nuk është. Në të njëjtën kohë (Dt. 2 maj 2019) Rama dhe Basha, mblodhën njerëzit e tyre dhe na treguan planet që kanë për “zgjidhjen” e krizës dhe çfarë e pret vendin, sipas tyre. I pari përpara deputetëve të tij, përmendi dhjetëra herë fjalën burg, por theksoi se nuk do të kishte ndryshime në Kushtetutë dhe në  Kodin Penal për “mëmën e të këqijave” që përjeton ky vend në këto gati 30 vite pluralizëm: Vjedhja e zgjedhjeve.

Edhe Lulzim Basha nga ana tjetër tregoi më në fund “planin” e tij, që nuk ishte tjetër gjë veçse një “17 Maj 2017, Nr. 2”, pra një vetë-ofrim në tepsinë e pushtetit. Edhe ky theksoi se sistemi zgjedhor është i mirë dhe çdo gjë do të zgjidhet me një qeveri tranzitore 4-6 mujore, e cila do të merret me gjithçka, por jo me zgjidhjen përfundimtare të krizave ciklike të tranzicionit.

As njëri dhe as tjetri nuk zunë në gojë hapjen dhe ndryshimin e sistemit. Rama dhe Basha as nuk e mendojnë, që të heqin dorë nga kapja e shtetit, uzurpimi i zgjedhjeve dhe kryetaro-kracia.

“Zgjidhja” e ka paralajmëruar me kohë se këta dhe satelitët e tyre janë në marrëveshje të përhershme dhe nuk heqin dorë nga ndarja e pushtetit në tavolinë. PS e PD janë dy Sh.p.k.-të e kryetarëve me të cilat ata kanë kapur parlamentin, qeverisjen, mediat, ekonominë, të tashmen dhe të ardhmen e popullit tonë. Nuk heqin kurrë dorë as nga ndarja e tepsisë dhe as nga oligarkët dhe kriminelët që bashkë i kanë, por herë-herë i shkëmbejnë, sipas rotacionit.

Lulzim Basha dhe të tijtë, ngazëllehen për “dushin e ftohtë” që iu bë Ramës në Samitin e Berlinit nga Merkel dhe Macron, siç shkruante prestigjiozja britanike “Financial Times”. “Rregullo njëherë punët në vendin tënd, pastaj flasim për negociatat”, ishte thelbi i asaj që dëgjoi Rama në Berlin.

Në nëntor të vitit 2016, delegacioni faktmbledhës i Bundestagut gjerman i nxorri të palarat qeverisjes sonë klepto-kriminale dhe i vuri 7 kushte mes të cilave edhe Reformën Zgjedhore.

Rama atëherë deklaroi: “Është e natyrshme që të ketë deputetë, që kanë pikëpamjet e tyre në parlamentet e ndryshme të vendeve të BE-së. Por dhjetori nuk ka të bëjë fare me Bundestagun gjerman, dhjetori ka lidhje me qëndrimin e qeverisë gjermane dhe të qeverive të tjera për rekomandimin e Komisionit Europian”.

Sipas Ramës, parlamenti gjerman “llapte” kot sepse fatin e negociatave për Shqipërinë e paskësh në dorë vetëm kancelarja Merkel dhe qeveria e saj. Tani pas rreth 3 vitesh mashtron përsëri dhe thotë të kundërtën: “Unë nuk shkova të njihem me vendimin e Gjermanisë në zyrën e kancelares, se dihet që ky vendim kalon përmes Bundestagut”.

Të gjithë e kemi ditur që vota gjermane pro Shqipërisë kalon nga parlamenti gjerman, por kryeministri ynë nuk ka cipë, as nuk zverdhet, as nuk skuqet.

Është e nevojshme që Ramës e Bashës tju kujtojmë se çfarë kushtesh i ka vënë Shqipërisë ky parlament.

Në shtator të vitit të kaluar, gjatë një vizite në Tiranë në krye të një delegacioni parlamentar, deputeti Gunther Krichbaum, deklaroi hapur pakënaqësinë, për përparimin që ka bërë qeveria Rama për të plotësuar kushtet e vëna nga BE dhe Bundestagu.

Zoti Krichbaum, përveç luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, theksoi edhe një kusht tjetër, për të cilin veshët e Ramës dhe të Bashës vazhdojnë të qëndrojnë të dyllosur: “Nëse zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen sipas ligjit të vjetër zgjedhor, nuk shoh ndonjë shans real për hapjen e negociatave për anëtarësim në 2019-ën”, tha ai prerë.

Kuptohet qartë se kush dhe për çfarë arsye e pengon dhe nuk e do ecjen përpara të Shqipërisë drejt klubit të BE-së. Dita-ditës shqiptarët e kanë kuptuar përfundimisht, se PS-PD dhe LSI ekzistojnë vetëm për të bërë plaçkë e pasuri, duke vjedhur vendin me njerëzit më të varfër në Europë. Rama e Basha janë armiq të lirisë dhe prosperitetit të këtij populli. Sundimi i tyre jeton mbi shtypjen e pamëshirshme të popullit. Ata mbrojnë me çdo mjet status-quo-në 30-vjeçare, që i ka bërë shqiptarët skllevër në shtëpitë e tyre. Ata ndihmoen nga ushtria e vulgut më të errët të kombit shqiptar, militantët trutharë e mjeranë të PS-së e PD-së.

‘Zgjidhja’ fton popullin shqiptar dhe të gjithë faktorët progresistë që të ndjekin projektin e saj për flakjen në koshin e historisë, të kësaj elite drejtuese e cila nuk e fsheh më se di të bëjë vetëm shushunjën në trupin kockë e lëkurë të Shqipërisë që po jep shpirt!

0
‘Air Albania’ ose ‘Hallall Airlines’ me pilotë e pasagjerë të bërë synet, që hanë bakllava dhe mallkojnë domuzin

‘Air Albania’ ose ‘Hallall Airlines’ me pilotë e pasagjerë të bërë synet, që hanë bakllava dhe mallkojnë domuzin

 

Enver ROBELLI

Çdo kompani serioze ajrore respekton rregullat e ushqimit të pasagjerëve. Nëse fluturoni me kompaninë zvicerane «Swiss» nga New Yorku në Zürich dhe nëse në avion ka pasagjerë hebraikë besimtarë, do të vëreni se ata marrin ushqim sipas rregullave hebraike të ushqimit. Si myslimanët edhe hebrenjtë e konsiderojnë derrin si kafshë të papastër. Është e lejueshme të hahet vetëm mishi i kafshëve gjitare ripërtypëse. Derri nuk është kafshë që ripërtyp ushqimin. Para uturimit pasagjeri mund të porosisë ushqimin në përputhje me bindjet e tij fetare ose ushqim vegjetarian, nëse beson në mrekullitë e gjetheve, kungullit dhe lakrave.

Kompania ajrore «Air Albania», e themeluar nga «Turkish Airlines», duket se ka vendosur që përmes një ete t’ia bëjë me dije paraprakisht çdo pasagjeri se ushqimet që shpërndahen në bord janë të përgatitura sipas «parimeve islame». Kjo është e pazakonshme dhe e panevojshme – madje edhe në qoftë parodi. Së pari: për shkak se «Air Albania» fluturon në një vend ku rreth një e treta e popullsisë nuk është myslimane. Së dyti: nuk duhet harruar edhe numri i ateistëve (edhe ata janë njerëz!). Së treti: fluturimi për në Tiranë nuk është uturim për në Riad. Së katërti: përjashtimi I gjuhës shqipe si gjuhë e komunikimit nga «Air Albania» është fyes ndaj shqiptarëve. Së pesti: ka mënyra shumë më diskrete për të treguar se një ushqim nuk ka mish derri – për shembull siç bën kompania zvicerane «Edelweiss», e cila në ambalazhin e ushqimit e bën transparente se një prodhim nuk ka mish derri.

Por duket se «Turkish Airlines» synon që përmes ilmihallëve mbi ushqimin të tregojë se Shqipëria është vetëm një krahinë e Anadollit. Çfarë udhëzimesh priten në të ardhmen në avionët e «Air Albania»? Mund të fluturojnë vetëm pasagjerët e bërë synet? Mund të fluturojnë vetëm motrat myslimane të mbuluara me shami dhe pasi në pistën e aeroportit në Rinas një zyrtar për çështje religjioze i Rexhep Taip Erdoanit të verikojë nëse gratë i kanë lidhur shamitë sipas rregullave të «Diyanet İşleri Başkanlığı» (presidencës turke për çështje fetare)? Edhe më mirë do të ishte që avionët e «Air Albania» ose «Hallall Airlines» të drejtohen nga pilotët e bërë synet. Kanë mundur përgjegjësit e «Turkish Airlines» t’u tregojnë shqiptarëve se në fluturimet e «Air Albania» menyja do të përbëhet na jahnia, sytliaçi dhe sidomos nga Yaprak Dolmasi, Arnavut Cigeri, Patlican Ezmesi, Kabak ve Patlican Kizartmasi, Seytinyagli Fasulya, Tarhana Corbasi, Patlicanli Cöp Kebabi, Bulgur Pilavi, Tel Kadayif, Peynir Helvasi, Tavuk Gögsü.

Në përpjekje për të imponuar agjendat e tij për islamizimin e çdo pjese të shoqërisë, regjimi i Rexhep Taip Erdoanit nuk njeh kufi. Së paku gjysma e turqve e hedhin poshtë këtë politikë. Ndonëse Erdoan ka lejuar bartjen e shamisë kudo në institucione, megjithatë fushata e tij nuk ka arritur suksesin e dëshiruar. Sipas institutit të njohur Konda para 10 vitesh çdo e dyta turke mes moshës 15 dhe 29-vjeçare nuk ka bartur shami. Sot janë gati 60 për qind që nuk bartin shami. Për të mos humbur votat e grave partia e Erdoanit madje tregon njëfarë mirëkuptimi për gratë që nuk bartin shami. E ngarkuara për çështje të grave në Diyanet, Ajshe Suçu, deklaroi së fundi se mbulimi i grave nuk është pjesë e pesë shtyllave të islamit. Por Erdoan i ka shpallur luftë rakisë, Yeni Rakisë së famshme dhe të gjitha pijeve të tjera të dala nga xhehenemi. Kur Erdoan erdhi në pushtet një shishe raki kushtonte rreth 1 euro, ndërsa sot kushton rreth 23 euro. Raki Skrapari në avionin e «Air Albania», i cili bart emrin e ortodoksit Lasgush Poradecit? E paimagjinueshme! Vetëm nëse e kontrabandon bektashiu Ilir Meta me ndihmën e katolikut Edi Rama.

Marrë nga dialogplus.ch

0