Koço Kokëdhima: Bandat e kryetarëve

Koço Kokëdhima: Bandat e kryetarëve

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka çertifikuar atë që ‘Zgjidhja’ e thotë çdo ditë: ‘Në Shqipëri “mbretëron” krimi i organizuar.

Është rritur në mënyrë eksponenciale trafiku i kokainës dhe heroinës. Organizatat kriminale shqiptare tashmë kontrollojnë trafikun, nga burimi deri në Europë; Janë rritur dhe fuqizuar ndjeshëm rrjetet e grupeve të krimit të organizuar në Shqipëri’. Është i treti vit rresht, që Departamenti i Shtetit e cilëson Shqipërinë “vend kryesor i pastrimit të parave në botë”.

Qeveria amerikane në raportin e saj thotë që, “Shqipëria mbetet vend i pambrojtur nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal, kontrabandës, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe mjedisit të dobët ligjor dhe institucional qeveritar”.

Ky raport nuk është përpiluar nga “kazanët”, “kadrinjtë” e “derrat e Tiranës”, por nga aleati i vetëm strategjik i shqiptarëve, SHBA-të.

Kjo situatë përsëritet në mënyrë sistematike dhe ciklike për gati 30 vite.

ZGJIDHJA, që në krijimin e vet, e ka deklaruar se partitë e vjetra shqiptare nuk janë organizata politike demokratike, por banda të kryetarëve, grupime parapolitike klepto-kriminale, që kur bëjnë rotacion në pushtet, janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe qeverisin së bashku me krimin dhe bizneset e dyshimta që pastrojnë paratë e tyre. Nën qeverisjen e Ramës kjo simbiozë ka arritur kulmin. E gjithë kjo skemë që e shndërron vendin tonë në parajsë të krimit të organizuar, korrupsionit dhe në një lavatriçe ndërkombëtare të pastrimit të parave të zeza, nis me grabitjen e votës.

Ka ardhur koha që këtë të keqe që po varfëron deri në kufijtë e mbijetesës shqiptarët dhe që po zbraz vendin çdo ditë, ta shkulim nga rrënjët. Krimi i organizuar e ka vendin në burg dhe jo në zyrat e qeverisë dhe në krye të bizneseve.

ZgjidhjaPërShqipërinë

1
Fjala e kryetarit Koço Kokëdhima në Forumin Kombëtar të partisë ‘Zgjidhja’

Fjala e kryetarit Koço Kokëdhima në Forumin Kombëtar të partisë ‘Zgjidhja’

Forumi Kombëtar përfshin në rradhët e veta njerëzit më të përgjegjshëm dhe më të devotshëm. Ju keni luajtur dhe po luani një rol të madh, keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për Partinë “Zgjidhja”. Ju u ndeshët me gjithë brutalitetin, goditjet, ofendimet, joshjet, etiketimet dhe diskriminimet e pushtetit. Drejtuesit e qeverive të Tiranës vunë në lëvizje tërë arsenalin keqbërës të sektit të Rilindjes në pushtet për tju detyruar të tërhiqeni, të mos përfshiheni, të frikësoheni dhe të mos dilni hapur në mbrojtje të tezave dhe ideve të Partisë “Zgjidhja”.

Ata kërcënuan dhe ndëshkuan me pushime nga puna disa nga anëtarët e Zgjidhjes, juve apo të afërmit dhe familjarët tuaj, ju goditën me ndërprerje të shërbimeve publike, ju bënë objekt të presioneve, shantazheve dhe sulmeve e ofendimeve më të ulëta në mediat sociale kryesisht dhe jo vetëm, nga detashmentet e qelbësve të tyre që i paguajnë me paratë e buxhetit të shtetit. Ju u përballët me guxim dhe e bëtë “Zgjidhja”-n të njohur në çdo fshat e qytet të Shqipërisë. Zgjeruat radhët me anëtarë të rinj, sollët në parti miqtë e të njohurit tuaj, punuat me përkushtim dhe po e fuqizoni atë çdo ditë. Kushdo e njeh ‘Zgjidhja’-n tashmë. Tërë shqiptarët e çmojnë partinë tonë, guximin e saj për tu përballur me armiqtë e lirisë dhe mirëqenies së popullit dhe për tu treguar njerëzve të vërtetën. Ju e ngritët ‘Zgjidhje’-n në lartësinë e alternativës politike për Shqipërinë.

PS, PD dhe LSI i tremben projektit të ‘Zgjidhje’-s. Rilindja bën një kujdes të madh që të mos përballet me tezat tona. Autokratët e Tiranës përpiqen t’i ikin ballafaqimit me ‘Zgjidhje’-n, heshtin, e anashkalojnë, bëjnë sikur nuk ekziston, përpiqen ta lënë jashtë tryezave të debatit politik e mediatik. Në tryezat e debatit ftojnë rëndom gazetarët që janë palë e në shërbim të partive të vjetra apo zgjatimet e tyre, ftojnë përfaqësuesit e partive inekzistente, ata që kanë vetëm nga një vendim gjykate dhe nga një vulë, ftojnë servilët dhe satelitët e tyre.

Partitë e vjetra i vjedhin tezat dhe formulimet tona. Jo për t’i zbatuar. E bëjnë këtë për të relativizuar ‘Zgjidhje’-n, për të zhvlerësuar dhe për të penguar zbatimin e këtyre tezave.

Partitë e vjetra kanë frikë që tezat e ‘Zgjidhje’-s të diskutohen e debatohen në publik. Përpiqen të bllokojnë dhe eleminojnë praninë dhe zërin tonë në media. Ata duan ta mbajnë popullin të manipuluar dhe të përjetësojnë sundimin e tyre. Disa programe televizive financohen nga paratë që liderët e këtyre partive i bënë me korrupsion dhe duke vjedhur popullin. Ju e dini se mediat e Shqipërisë i kontrollojnë në një masë të madhe partitë e vjetra edhe duke blerë pronarët e TV-ve ose duke i shantazhuar ata me forma të ndryshme. Pavarësisht kësaj, projekti i ‘Zgjidhje’-s ka depërtuar në çdo mjedis dhe diskutohet kudo. Askush nuk e bllokon dot ‘Zgjidhje’-n. Askush nuk e anashkalon dot atë. Ne jemi të bashkuar dhe të vendosur për të përmbushur misionin tonë historik, shembjen e partitokracisë dhe rivendosjen e Republikës.

Bashkërisht do të ndërtojmë Shqipërinë demokratike, do të punojmë me vendosmëri, pa ju nënshtruar asnjë presioni e shantazhi, pa u tërhequr nga asnjë rrezik dhe gjithmonë në rrugë paqësore për të çliruar zgjedhjet, për të përmbysur oligopolin e partive të vjetra dhe për të rikthyer pushtetin dhe sovranitetin në duart e popullit përmes reformave të domosdoshme politike. Ju falenderoj nga zemra për kontributin!

Duke pasur parasysh se “Zgjidhja” është një parti e re dhe në zgjerim të vazhdueshëm, statuti që kemi miratuar, në Nenin 13 parashikon të drejtën e Forumit Kombëtar të Zgjidhjes që të kooptojë anëtarë të rinj deri në 5 % të numrit të përgjithshëm në vit. Kështu do ta përmirësojmë më tej përbërjen e FKZ me aktivistë të shquar të partisë tonë dhe me intelektualë, studentë, inxhinjerë, njerëz të punës e sipërmarrës të zotë, individë të spikatur që i bashkohen Zgjidhjes kohë pas kohe. Punoni me këmbëngulje dhe pa u lodhur që të afrojmë në forumet tona njerëzit më të mirë të Shqipërisë.

Ne ju shprehim vlerësim e mirënjohje të gjithëve ju dhe anëtarëve, veprimtarëve politikë dhe mbështetësve të shumtë të cilët nuk janë sot në këtë sallë. E dimë se të bëhesh me qytetarët e thjeshtë të Shqipërisë është sakrificë dhe shoqërohet me privacione. Kjo kohë ka shumë lajkatarë të pushtetit. I ftoj të gjithë qytetarët e vendit të ndjekin shembullin tuaj. Unë dua tju them atyre: mos ju servilosni autokratëve të korruptuar! Mos shkoni pas pushtetit. Braktisini Rilindjen e SHQUP-in. Bëhuni me popullin, bëhuni me ‘Zgjidhje’-n.

Të gjithë duhet të vendosim nga një tullë në projektin tonë. Shkruani dhe postoni në rrjetet sociale, merrni pjesë, fotografoni dhe publikoni eventet tona në FB, Twiter e Istagram, në WhatsApp e në platforma të tjera, jepni pëlqime, shpërndani postimet e Zgjidhjes, merrni pjesë në debatet mediatike dhe në diskutimet e gjalla, anëtarësoni një tjetër njeri në rradhët tona, rekrutoni një mbështetës të ri të ‘Zgjidhje’-s. Çdo veprim i tillë është një tullë në projektin tonë për Shqipërinë e nesërme. Punoni me gjithë të zhgënjyerit e tranzicionit.

Prej ditësh kemi filluar aksionin e grumbullimit të firmave mbështetëse për t’i mundësuar ‘Zgjidhje’-s të regjistrohet pranë KQZ-së si pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të këtij viti. Kërkohen jo më pak se 1% dhe jo më shumë se 3000 vota për një bashki. Vështirësia kryesore qëndron në kërkesën e KQZ-së që çdo mbështetës të na vërë në dispozicion kartën e tij të identitetit. Të gjithë duhet të jenë të sigurt se “Zgjidhja” i ruan në mënyrë shumë konfidenciale të dhënat personale dhe askush nuk duhet të ketë merak nga fotokopjimi i kartës së identitetit. Po punojmë në 20 bashkitë më të rëndësishme të vendit. Përfshihuni të gjithë në këtë aksion. Mobilizoni anëtarët e ‘Zgjidhje’-s dhe qytetarët e bashkive tuaja. Kur punojmë të bashkuar përmbushim çdo detyrë me sukses të plotë.

Në këto 20 bashki ne do kemi listën e plotë të këshilltarëve, e alternuar, një femër një mashkull ose anasjelltas. Në përbërje të listave tona do të jenë njerëzit më të mirë që dëshiron populli, burra e gra të pa korruptuar, të përkushtuar për punët e komunitetit, njerëz që nuk kanë ushtruar pushtet ekzekutiv në emër të partive të vjetra. Në listat tona do duhet të kemi përfaqësues nga të gjidha besimet, komunitetet, njësitë administrative, moshat dhe grupet e interesit. Ftojini njerëzit e mirë të këtyre bashkive të përfshihen në listat e ‘Zgjidhje’-s. Në listat tona përfshihen edhe njerëz që nuk janë anëtarë të partisë. Mjafton që ata të gëzojnë besimin e popullit dhe ta përqafojnë programin tonë.

Në listat tona nuk është e nevojshme të të propozojë partia. Mund të vetëpropozohet kushdo që dëshiron. Ne verifikojmë në se kandidati i plotëson kriteret e ligjit. Renditja e kandidatëve në listë bëhet përmes zgjedhjeve paraprake, me primare të hapura. Pra renditjen e kandidatëve në lista nuk e bën Kryetari i Partisë, as Kryesia e Partisë. Renditjen e kandidatëve në listat tona e bën populli dhe anëtarësia e partisë përmes votës së fshehtë. Anëtarët e Kryesisë, kryetarët dhe sekretarët e rajoneve, koordinatorët e qarqeve, kryetarët dhe sekretarët e partisë në bashki duhet të bëjnë një punë të madhe dhe të ftojnë çdo ditë njerëz të zotë, të sinqertë e të mirë në listat e kandidatëve për këshilltarë. Të punojmë ditë-natë. Zyrat e partisë që kemi hapur, të gumëzhijnë.

Të dashur anëtarë të Forumit Kombëtar. Sot kemi marrë një vendim shumë të rëndësishëm: në datën 4 Maj do të mblidhet Kongresi i Partisë. Ky është Kongresi i parë dhe si i tillë është i një rëndësie historike për Zgjidhjen. Ai do të analizojë situatën politike në vend. Do të miratojë Statutin e Partisë dhe një numër vendimesh shumë të rëndësishme politike e organizative. Gjatë muajit prill do të zgjidhen 800 anëtarët e parë të Kongresit. Në krye të këtij procesi do të punojnë, kryetari i Forumit Kombëtar, nënkryetarët, sekretarët ekzekutivë dhe të gjithë funksionarët e tjerë politikë të Partisë. Anëtarët e kongresit nuk mund të jenë njerëz të mefshët e anemikë, por aktivistë të zjarrtë të luftës për liri e mirëqenie që bëjnë populli dhe kombi ynë.

Në këtë kongres do paraqesim e miratojmë edhe prioritetet e Partisë “Zgjidhja” për qeverisjen vendore. “Zgjidhja” mbështet decentralizimin e pushtetit, përfshirjen e qytetarëve dhe komunitetit në qeverisje dhe afrimin e qeverisjes dhe pushtetit me qytetarët. Pushteti vendor duhet modernizuar. Ai duhet të pajiset me aftësi, ekspertizë, logjistikë, dhe buxhete. Ai duhet të planifikojë zhvillimin afat-mesëm dhe afat-gjatë. Rritja e buxhetit vendor nuk duhet të bazohet vetëm te rritja e tarifave dhe taksave. Në Bashkinë e Tiranës, “Zgjidhja” do ta rrëzojë rritjen galopante të taksave dhe tarifave rrjepëse që vendosi Rilindja dhe Erion Veliaj. “Zgjidhja” do përgjysmojë të gjitha taksat dhe tarifat vendore në Bashkinë e Tiranës.Pushteti vendor i ‘Zgjidhje’-s do të garantojë transparencë dhe gjithpërfshirje. Me prioritet, pushtetarët tanë vendorë, do të shërojnë plagën e rëndë të shkaktuar nga prishjet e shtëpive pa legalizim e shpronësim që u janë bërë qytetarëve të vendit në emër të projekteve dhe investimeve publike. Këto e të tjera prioritete të programit tonë për qeverisjen vendore, do të bëhen publike në javët e ardhshme.

Ne veprimtarët politikë, anëtarët dhe mbështetësit e Partisë “Zgjidhja” besojmë në vullnetet tona të lira dhe bashkohemi me idealet më të shenjta në zemër. Ne jemi të vendosur të punojmë për një të ardhme të përbashkët të denjë e të lumtur në vendin tonë. Ne nuk kërkojmë nga partia vende pune në shtet, tendera, koncensione e pasuri publike, celularë, thasë me miell, privilegje të paligjshme, shpërblime materiale e para. Ata që vijnë me idenë se do marrin shpërblime të tilla në parti janë shumë të gabuar. Idealet tona nuk kanë çmim. Ne nuk e shesim shpirtin! Kush kërkon gjëra të tilla të mos vijë te “Zgjidhja”. Të shkojë te PS, PD dhe LSI. Ato janë shpellat dhe puset e mëkateve të tranzicionit shqiptar. Ato shkatërruan funksionet natyrore të shtetit për të bërë pushtet e para për kryetarët e tyre. E mbushën administratën, kuvendin dhe qeverinë me sekserë votash, me tutkunë, me hajdutë e kriminelë, me kushërinj e militantë, me njerëz që i blejnë me lekë e me vota vendet e punës.

Vendimi i sotëm i Forumit tonë të politikave për thirrjen e kongresit të parë shënon një nga hapat dhe ngjarjet më të rëndësishme për ‘Zgjidhje’-n dhe për përgatitjen e saj si alternativë politike qeverisëse për Shqipërinë dhe Republikën e Re. Nga ky kongres “Zgjidhja” do t’i kërkojë popullit besimin për të qeverisur Shqipërinë në nivel kombëtar dhe në nivel vendor.

Statuti i Partisë që do i paraqitet Kongresit ka shumë pak ndryshime nga versioni që Forumi ynë Kombëtar miratoi në korrikun e vitit të kaluar. Ky statut përcakton në preambulën e vet vlerat dhe parimet e pranuara nga anëtarësia, simpatizantët dhe votuesit e ‘Zgjidhje’-s, vlerat më të larta të lirisë, drejtësisë dhe paqes; vlerat më të mira të popullit dhe kombit tonë, mendimin më të arrirë inovator e progresiv; vizionin e saj strategjik e kombëtar për një zhvillim të shpejtë e të gjithanshëm të Shqipërisë në çdo fushë; misjonin e saj për shëmbjen e partitokracisë dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës, depolitizimin e administratës, rikthimin e pushtetit dhe sovranitetit në duart e popullit, përmes demokratizimit të zgjedhjeve, rrëzimin e regjimit hibrid dhe tiranisë shtypëse të krimit, korrupsionit, varfërisë dhe papunësisë.

Statuti i Partisë “Zgjidhja” sanksionon dhe vendos standardet dhe institutet e një partie moderne me demokraci të brendshme të lartë, ku përfaqësuesit për organet e pushtetit qëndror dhe të pushtetit vendor zgjidhen nga populli përmes primareve të hapura dhe mikse, përfaqësuesit në organet e larta të partisë nuk përzgjidhen nga kryetari, por nga anëtarësia e gjerë e partisë me primare të mbyllura; garanton mendimin ndryshe në parti, të drejtën e fraksioneve, mocioneve dhe platformave alternative që të dëgjohen, të respektohen dhe të votohen. “Zgjidhja” është partia e qytetarëve. PS-ja, PD-ja dhe LSI-ja janë partitë e kryetarëve, janë bashkësi parapolitike, që drejtohen si të ishin bandat e tyre.

Muajin e kaluar opozita parlamentare, Partia Demokratike dhe LSI-ja dorëzuan vullnetarisht mandatet e deputetëve. Kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këtë e motivojnë me faktet e reja që kanë dalë në dritë për blerjen e zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit. Kishin menduar se do kolapsonin pushtetin legjislativ. Janë viktima të listave dhe paudhësive të tyre. I mirëkuptojmë deputetët që nuk pranuan të dorëzojnë mandatet. I mirëkuptojmë gjithashtu edhe disa të tjerë nga listat që janë ndier të përdorur e të zhgënjyer nga lidershipi i PD-së dhe LSI-së. Por ajo komedi që po ndodh me të përzgjedhurit e kryetarëve në listat e mbyllura shumemërore tregon kalbësinë e plotë të sistemit politik dhe elektoral të Shqipërisë.

Të kujt janë deputetët që dorëzuan mandatet? Të popullit janë? Kush ju kërkoi atyre të ikin nga parlamenti, populli? JO! E megjithatë ata ikën sepse ju a kërkoi partia! Pra i bie që deputetët e listave të mbyllura janë të partive dhe jo të popullit. Të kujt janë deputëtët e listave të që shkuan në parlament dhe morën mandatet që lanë kolegët e tyre megjithëse u urdhëruan nga partitë respektive të mos shkojnë? Të Partisë janë këta? JO! Pra i bie që deputetët e listave nuk janë as të partive! Ata në fakt janë deputetët e emëruar nga kryetarët. Prandaj i quajnë tradhëtarë Basha e Kryemadhi. Po të krahasoheshin me kryetarët e partive të tyre për veprat që kanë kryer kundër popullit e atdheut, këta deputetët që sot akuzohen si tradhëtarë do të dalin me të drejtë si engjëj për në parajsë, ndërsa liderët e partive të tyre, kandidatë për në flakët e ferrit. Kriza e parlamentit e ka burimin te kriza e sistemit politik, tek kriza e zgjedhjeve dhe e mungesës së përfaqësimit të popullit.

Qeveria do që ta mohojë krizën, do që ta mbulojë atë dhe shpreson ta kapërcejë me sajesa. Rama është autokrat dhe i korruptuar. Kur shkon në Itali u thotë gazetarëve se “nuk jam Musolini’. E ka ‘mizën në kësulë’. Opozita e tij ka djegur mandatet, ashtu si ajo e kohës së fashizmit në Itali, që bojkotoi dhe u mblodh në malin Aventino. Prej dy vjetësh nuk e pret asnjë kancelari Evropiane, prandaj është investuar me spektakle e skenografi, kongrese e mitingje që ju ngjajnë atyre mitingjeve të Piazza ‘Venezia’ dhe Nuremberg-ut. I mbledh punonjësit e shtetit me kuç e me maç, me banka e me karriget e shkollave dhe në sejcilin prej këtyre eventeve shpenzon qindra mijë euro të shqiptarëve të varfër. Dëshiron t’u thotë ndërkombëtarëve se ky i bën zap shqiptarët dhe se vetëm ky garanton sigurinë dhe stabilitetin e vendit!

Sado të pafajshëm që janë deputetët e sajuar të listave, kjo situatë është e paprecedentë, me pasoja të rënda dhe e rrezikshme. Edhe ndërkombëtarët gabohen kur mendojnë se mund ta kapërcejmë duke e plotësuar parlamentin me këta deputetët e paparti të listave të kryetarëve. Duhet të korigjohet burimi i krizës, të reformohen sistemi politik, kushtetuta dhe zgjedhjet përmes një procesi gjithpërfshirës, konsensual dhe të udhëhequr nga prezenca e OSBE-së në Tiranë. Nuk ka stabilitet afatgjatë Shqipëria në se autokratët e tri partive nuk lëshojnë pushtetin abuziv që kanë rrëmbyer në dëm të sovranit dhe të pushteteve që do duhesh të ishin të pavarura.

“ZGJIDHJA” e konsideron fatkeqësi kombëtare marrëveshjen famëkeqe të partive të vjetra, të realizuar përmes amendimeve kushtetuese të 21 prillit 2008 për të likuiduar republikën dhe zgjedhjet e lira. Kjo marrëveshje e shndërroi në farsë demokracinë pluraliste. Partitë e vjetra janë në ujdi të plotë për shumë çështje, si dhe për sistemin politik dhe elektoral. Edhe pse luftojnë e shahen, ato garantojnë imunitet penal dhe riciklojnë njëra-tjetrën në pushtet, kanë zhbërë liritë dhe konkurencën politike, e kanë mbyllur tregun dhe nuk lejojnë aktorë të rinj në politikë, bëjnë të njëjtat sjellje në pushtet, përfitojnë të dyja palët nga grabitjet që i bëjnë popullit dhe vendit PPP-të dhe prokurimet korruptive. Cila prej tyre e ka radhën të jetë në opozitë, manipulon popullin, bën sikur është me të, ndërsa cila ka radhën të qeverisë, shtyp e vjedh pa mëshirë dhe e pa shqetësuar popullin.

Marrëveshja në fjalë mes PD dhe PS-së është në fuqi dhe mbrohet vendosmërisht nga PS dhe PD edhe sot. Qeveria thotë se sistemi ynë zgjedhor është më i miri. Vetëm një i pacipë guxon të thotë gjëra të tilla. PD dhe LSI dogjën mandatet me flamurin e zgjedhjeve të lira, por nuk kanë asnjë kërkesë reale për përmirësimin e sistemit zgjedhor. E vetmja kërkesë që kanë ata është të ikë kryeministri. “Zgjidhja” e krizës kërkon reformë kushtetuese dhe reformë zgjedhore, pra kërkon ligje që nuk mund të bëhen pa shumicë të cilësuar dhe pa shumicën e sotme. Si do i bëjnë ata këto ligje duke përjashtuar PS në? Duket se ata nuk janë të interesuar ta zgjidhin krizën. Mos e dhëntë zoti që të jenë në marrëveshje me Ramën edhe për djegien e mandateve. PD dhe LSI janë krejtësisht të pasinqerta në ato që thonë e bëjnë. Ato nuk kanë projekt për zgjidhjen e krizës. Kjo tregon se misioni i këtyre partive të vjetra ka mbaruar. Ato e konsiderojnë Shqipërinë pronë, plaçkë dhe zotërim të tyre, ndërsa popullin të tepërt dhe të panevojshëm!

Le të mendojmë për një çast se ato vërtet duan zgjedhje të lira dhe të ndershme. Po të qe kështu do të pranonin rekomandimin e OSBE/ODIHR për depolitizimin e administratës zgjedhore. Krimet më të rënda elektorale i kanë bërë komisionerët, numëruesit, militantët dhe drejtuesit e PD-së dhe PS-së. Nëse PD do reflektonte, logjika normale e do që të kemi dy reagime: së pari, PD duhet të kërkojë falje për të gjitha mëkatet që i njeh vetes qysh nga zgjedhjet e Libofshës në 1994, tek zgjedhjet e përgjithshme të 1996 dhe deri më sot. Së dyti, do duhesh të deklarohesh për tërheqje të njëanshme nga administrimi partiak i zgjedhjeve, duke filluar nga QV-të e deri në KQZ. Si mund të pranohen si të depolitizuara zgjedhjet që organizon dhe drejton KQZ-ja e PD-së, PS-së dhe LSI-së?! Turp ta mendosh!

Kur dëgjon përfaqësuesit e partive të vjetra nëpër emisionet televizive e kupton se në vend të reformës zgjedhore dhe depolitizimit të zgjedhjeve ata kërkojnë politizimin e mëtejshëm të tyre, kërkojnë forcimin e partitokracisë dhe eleminimin përjetë të sovranitetit të popullit, ata kërkojnë të konsolidojnë shtetin e partive dhe jo shtetin e së drejtës, duan të çimentojnë sundimin e marëveshjes PD-PS si burim i të gjitha krizave dhe si instrument i vetëm i reagimit ndaj tyre. Këta shfaqen kështu edhe të poshtër edhe të marrë njëkohësisht!

Asnjë shpresë nuk duhet të kemi tek lidershipi i partive të vjetra. PS, PD dhe LSI duhen flakur në koshin e historisë. Ato janë peng i të shkuarës së tyre dhe do të mbeten deri në fund armike të lirive republikane, armike të betuara të zgjedhjeve të lira e të barabarta. Ne e dëgjuam çadrën e PD-së për 90 ditë të tëra të këndonte tezat e programit tonë politik për demokratizimin e zgjedhjeve, partive dhe të qeverisjes, për Republikën e Re dhe për aplikimin e primareve, për rivendosjen e sovranitetit të popullit, për votimin dhe numurimin elektronik etj, etj, etj. Në fund i tradhëtuan të gjitha këto teza dhe bënë marrëveshjen e 18 majit për të ndarë pushtetin në tavolinë. Të gjitha tezat e reformimit të kushtetutës, zgjedhjeve dhe sistemit politik u përdorën nga PD-ja vetëm për të shantazhuar Ramën se mund ta shkatërronte marrëveshjen e tyre për kapjen e shtetit dhe të zgjedhjeve dhe ti jepte rrokullimën sistemit bipartizan që i sundon shqiptarët. Për të njëjtën arsye me sa duket PD shantazhoi mazhorancën pak javë më parë me rrëzimin e amendamenteve kushtetuese të 21 prillit 2008.

Ata nuk duan Republikën e Re. Duan që të çojnë përpara marrëveshjen e thyer të 18 majit. Sipas asaj marrëveshjeje, pas zgjedhjeve të 25 qershorit PS dhe PD do bënin një qeveri të përbashkët, qeverinë e integrimit dhe do i garantonin njëri-tjetrit amnistim dhe imunitet penal për krimet e korrupsionit që kanë kryer të dy palët në qeverisjen e tranzicionit. Për këtë ndofta ju duhen zgjedhjet e parakohshme që do e zvogëlonin Rilindjen nën 70 deputetë dhe do i hapnin rrugë kësaj marrëveshjeje. Nuk është çudi që në situatën e krizës së tanishme të djegies së mandateve, kjo qeverie e përbashkët të bëhet edhe pa shkuar në zgjedhje të parakohshme, por duke e justifikuar si një imperativ kombëtar për të mos kompromentuar hapjen e negociatave dhe axhendën europiane të Shqipërisë. Kështu edhe kjo krizë, me shumë gjasa do përfundojë në një pazar të ri, por tashmë tri palësh. Liderët e partive të vjetra kanë halle të rënda, kanë halle të mëdha. Nuk duan të rezikojnë lëkurën e tyre. Nga ana tjetër ata nuk jetojnë dot pa pushtet. Nuk i mbajnë dot njerëzit e tyre pa vjedhur popullin dhe shtetin.

“Zgjidhja” e mbështeti protestën e PD-së në 2017. Nuk u regjistruam as në zgjedhje. PD bëri pazar me PS dhe hyri në zgjedhje. Ne ishim deklaruar ashtu si PD, se, nuk hyjmë në zgjedhje të pareformuara dhe jo gjithëpërfshirëse. Prandaj i bëmë thirrje popullit dhe partive politike të bojkotonin zgjedhjet e qershorit. Për ne nuk kishte asnjë dyshim se ato zgjedhje do bliheshin e do vidheshin siç edhe ndodhi. Koha na dha të drejtë. Po të ishte bërë reforma e vërtetë zgjedhore përpara 25 qershorit, nuk do kishte ndodhur kriza e tanishme e djegies së mandateve.

Kërkesa për qeveri teknike është e drejtë. Një qeveri tranzitore e përbërë nga akademikë, profesorë, e teknicienë, është një instrument i domosdoshëm për të hartuar dhe implementuar Reformën Zgjedhore të shumë kërkuar. Kësaj qeverie me mbështetje të gjërë duhet ti jepet koha e mjaftueshme dhe e drejta për të zhvilluar zgjedhjet e ardhshme Vendore dhe Parlamentare. Vetëm qeveria tranzitore pa reformë të thellë zgjedhore, nuk e zgjidh krizën. Edhe largimi i Ramës si kryeministër nuk e zgjidh krizën. Është e qartë se PD-ja dhe LSI-ja po përpiqen të merren vesh më Rilindjen në një pazar të ri. Kjo do të garantonte vetëm një paqe të përkohshme që do t’u mundësonte këtyre tri partive të vazhdojnë plaçkitjen e votave dhe pasurive të shqiptarëve. Kjo nuk do ta zgjidhte krizën, por do të zgjaste për një periudhë të re, agoninë e sistemit dhe të pushtetit të tyre. Kjo krize nuk zgjidhet nëqoftëse autokratët nuk lëshojnë pushtetin e uzurpuar dhe nëqoftëse popullit nuk i lejohet të bëhet Zot i fateve të tij. Nëse PD-ja dhe LSI-ja nuk përqafojnë këto kauza të drejta të popullit tonë, ato do të shkrihen e përvëlohen dhe do të dalin nga skena politike.

Edhe një herë sot dëshiroj t’i dërgoj një mesazh prezencës së OSBE-së, delegacionit të BE-së dhe ambasadave të vendeve mike në Tiranë. Ne e çmojmë si të pazëvendësueshëm kontributin tuaj për Shqipërinë dhe për integrimin europian të saj. Por, në këto 25 vite Shqipëria dhe asistenca ndërkombëtare ndaj saj kanë dështuar të mundësojnë progresin e dëshiruar. Ka 22 vite që zgjedhjet shqiptare çertifikohen si një hap para, me probleme dhe të pranueshme. Fatkeqësisht, zgjedhjet në Shqipëri nuk janë përmirësuar. Ato vazhdojnë të vidhen, blihen dhe deformohen nga një administratë politike bipartizane. Ne konstatojmë me keqardhje se asnjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR nuk është parashikuar të përmbushet në kuptimin që ka. Reforma Zgjedhore nuk po bëhet. PS dhe PD nuk kanë vullnet politik për ti demokratizuar zgjedhjet.

Lideri i Rilindjes shpalli me gjysëm zëri në Kongres se më në fund qenka dakort me një biçim reforme në prag të zgjedhjeve vendore. Bile, ai është i gatshëm të tolerojë në këto zgjedhje edhe votimin elektronik, qe deri tani e kishte tabu. Pa “ju dridhur qerpiku” la të kuptohet se do të ketë burg për ata që do të kapen në akte të shitblerjes së votës. Çfarë ironie?! Përdhunuesi i votës së lirë hiqet tani si “mbrojtësi “më i flaktë i saj! Me siguri, këto fjalë boshe dhe pa asnjë vlerë i lëshon për ti hedhur hi syve ndërkombëtarëve dhe opinionit të brendshëm se gjoja po bën çdo gjë që ka në dorë, per te evituar bojkotin e zgjedhjeve nga opozita.”ZGJIDHJA” denoncon edhe një herë demagogjinë e paskajshme të kryeministrit. Nëse kryerilindasi e ka seriozisht, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në një tryeze të rrumbullakët me të dhe me të gjitha partitë e opozitës në prani të OSBE-së.

“Zgjidhja” nuk heq dorë nga kërkesa legjitime që administrata zgjedhore të depolitizohet, që të shfuqizohen ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008, të shfuqizohet atributi i kryetarëve për të bërë listat e mbyllura të deputetëve dhe kjo e drejtë ti jepet popullit, të vendoset barazia dhe të hiqen barrierat ndaj partive të reja dhe aktorëve të rinj, të garantohet ndershmëria e zgjedhjeve dhe pluralizmi. Për këto dhe për shumë pika të tjera që lidhen me reformën zgjedhore, ne jemi të gatshëm të debatojmë përpara kamerave dhe publikut me Ramën dhe me këdo tjetër, ku të duan dhe dhe kur të duan. Këto çështje mund të zgjidhen vetëm përmes një debati të hapur e gjithpërfshirës.

Njerëzit e partisë tonë, por edhe opinioni publik duan të dinë se çfarë do të bëjë “Zgjidhja”, a do të përfshihemi ne në zgjedhjet vendore të këtij viti? E kemi deklaruar shumë herë, se Partia “Zgjidhja” nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje që nuk janë gjithpërfshirëse. Këto lloj zgjedhjesh vetëm e përçajnë Shqipërinë dhe e destabilizojnë atë, prandaj ne nuk mund të nxitohemi në një vendimarrje të tillë. Vetëm Kongresi i Partisë tonë i 4 Majit të këtij viti do të vendosë për këtë çështje. Aspekti tjetër i kësaj vendimarrje është i lidhur me reformën zgjedhore. Partia jonë është deklaruar shumë herë se nuk dëshëron të përfshihet në zgjedhje të pareformuara. Ne nuk mund të pranojmë që votat tona ti numërojne kusarët e PS, PD dhe LSI. Kjo është diçka e paimagjinueshme për shekullin ku jetojmë, por duke vlerësuar mprehtësinë e çështjes dhe faktin se pjesmarrja në betejat elektorale është jetike për një parti politike, edhe këtë çështje do ta konsiderojë e vlerësojë Kongresi yne i 4 Majit. Deri atëherë ne do të punojmë intensivisht dhe do të përgatitemi për të konkuruar minimalisht në 20 bashkitë kryesore të vendit.

Një pyetje tjetër që e ndeshim shpesh nga simpatizantët dhe anëtarët tanë në bazë është se kush është qasja e Zgjidhjes ndaj blloqeve dhe partive politike. A është e mundëshme që ne të hyjmë në koalicion me ta? Është një shqetësim i drejtë po të kemi parasysh situatën politike e zgjedhore të shqipërisë e cila favorizon pikërisht partitë e mëdha dhe koalicionet e tyre.

“Zgjidhja” është Partia e Re politike që do të udhëheqë vendin për të dalë nga ky tranzicion dramatik dhe anti demokratik. PS, PD dhe LSI investojnë shumë për ta demonizuar ‘Zgjidhje’-n dhe lidershipin e saj, për ta paraqitur atë si pjesë të sistemit dhe bashkëpërgjegjëse me të tjerët. Ata duan të vrasin besimin e popullit tek “Zgjidhja” sepse projekti ynë politik kërkon të përmbysi sundimin 30-vjeçar të partive të vjetra. “Zgjidhja” dhe unë nuk kemi asnjë përgjegjësi për mënyrën se si është qeverisur Shqipëria. “Zgjidhja” është krijuar në pranverën e vitit 2017 dhe unë nuk kam qenë kurrë në pushtet. Kam punuar gjithë jetën si sipërmarrës privat. Partia e Re që i duhet vendit nuk do vijë nga qielli, nuk do vijë as nga diaspora. Nuk do lindi nga hiçi dhe as nga njerëzit e panjohur. Partia e Re që do udhëheqë Shqipërinë është “Zgjidhja”. Ajo ka të drejtë të kërkojë besimin e popullit.

Ne nuk e përjashtojmë se anëtarët dhe simpatizantët e PS-së, PD-së dhe LSI-së janë shqiptarë si gjithë të tjerët me apo pa parti. Ne nuk i shohim me armiqësi këta njerëz e këto parti. Të gjithë shqiptarët janë vëllezër të një gjaku dhe duhet të punojnë së bashku e si të tillë pavarësisht dallimeve politike, fetare e kulturore. Por jemi të vetëdijshëm dhe të qartë se lidershipi i këtyre partive të vjetra ka zhgënjyer shpresat dhe ka tradhëtuar interesat e qytetarëve shqiptarë, e kanë zhveshur popullin nga të gjitha të drejtat, e shtrinë korrupsionin në çdo degë e qelizë të qeverisjes, mbollën kudo varfërinë, skamjen dhe papunësinë, e boshatisën vendin nga rinia dhe forcat e afta, shkatërruar sundimin e ligjit, administratën dhe institucionet e shtetit, sigurinë dhe rendin, arsimin, shëndetësinë dhe ekonominë, meritën dhe liritë politike, ekonomike e njerëzore, mjedisin, burimet natyrore, pejsazhin dhe zhvillimin e kontrolluar urban. Ata punojnë kundër populli. Na kanë bërë dëme më shumë se çdo pushtues. E kthyen Shqipërinë në një vend të turpshëm e të pajetueshëm.Të gjitha këto i bënë për të grumbulluar pushtet dhe pasuri kryetarët e tyre dhe zyrtarët e lartë. Këta gënjejnë, shtypin e vjedhin popullin sa herë janë në qeverisje.

Këto parti nuk mund të ndryshojnë. Ato janë të pabesueshme. Gënjejnë edhe të vdekurit. Ne nuk bëhemi kurrë pjesë e këtyre sjelljeve dhe politikave. Mund të bashkëpunojmë me të tri këto parti vetëm për Reformat e mëdha kushtetuese e politike, për Reformën Zgjedhore dhe axhendën e integrimit europian të Shqipërisë. Në mënyrë shumë të natyrshme ne u përpoqëm të bashkëpunojmë me PD dhe LSI si parti opozitare për Reformën dhe demokratizimin e zgjedhjeve. U kërkuam atyre të distancoheshin nga e kaluara e tyre kriminale me Zgjedhjet dhe të pranonin përmbushjen e Rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ato nuk e bënë kurrë këtë gjë. Në këto rrethana na kanë mbyllur çdo mundësi që ne të përfshihemi në një front opozitar me ta. Mbetemi të hapur për të bashkëpunuar me PAA dhe AK-në. Sidoqoftë, do ndjekim me kujdes zhvillimet dhe në çdo rast do të vendosim në mënyrën më të mirë për vendin. Ne e kemi zgjedhur të jemi në aleancë me qytetarët e thjeshtë të këtij vendi kudo që ata ndodhen, në trojet tona apo në emigracion.

Edhe pse situata duket e vështirë ne kemi besim të palëkundur te vlerat, kauzat dhe parimet tona, kemi besim të madh te vullnetet, lufta, puna dhe bashkimi ynë, kemi besim të pathyeshëm te e ardhmja e begatë demokratike dhe europiane e popullit tonë, kemi besim te “Zgjidhja”. Faleminderit!

 

0
NJOFTIM  PËR MBLEDHJEN E KONGRESIT TE PARTISE “ZGJIDHJA”

NJOFTIM  PËR MBLEDHJEN E KONGRESIT TE PARTISE “ZGJIDHJA”

Tiranë më 29.03.2019

 

Lënda: Thirrja e Kongresit të Partisë “ZGJIDHJA” dhe rendi i ditës

 

Forumi Kombëtar i Partisë “Zgjidhja”, njofton anëtarët e Kongresit të Partisë “Zgjidhja”, që më datë 11.05.2019, ora 10:30, në adresën: Sheshi “Skenderbej”, pranë qendrës Kulturore, pas Katedrales së Kishës Ortodokse në Tiranë, do të mbahet Kongresi i Partisë “Zgjidhja”, për të diskutuar çështjet e përfshira në rend dite si më poshtë vijon:

  1. Raporti rreth veprimtarisë së Partisë “Zgjidhja” nga themelimi i saj deri në ditën e kongresit;
  2. Miratimi i ndryshimeve në Statutin e Partisë “Zgjidhja”;
  3. Miratimin e Rezolutës së Partisë “Zgjidhja” për Zgjedhjet e Qeverisjes Vendore të datës 30. Qershor 2019;
  4. Zgjedhja e Komisionit të Garancive Statutore të Partisë “Zgjidhja”.

PARTIA POLITIKE “ZGJIDHJA”

Forumi Kombëtar

0
Pakt Kombëtar për Republikën e Re

Pakt Kombëtar për Republikën e Re

Deklaratë shtypi e partisë ZGJIDHJA

Partia “Zgjidhja” mbështet plotësisht protestën e nesërme të qytetarëve të vendit si një mundësi dhe hap drejt artikulimit dhe përmbushjes së aspiratës mbarëpopullore, për shembjen e këtij sistemi politik dhe qeverisjes autokratike, rivendosjen e lirive republikane dhe të sundimit të ligjit, ndarjen dhe ballancimin e pushteteve, demokratizimin e zgjedhjeve dhe të qeverisjes, rivendosjen e sovranitetit të popullit dhe çlirimin përfundimtar të votës.

ZGJIDHJA kërkon shmangien e çdo akti dhune dhe demonstrim paqësor. E kundërta çon ujë në hullinë e klepto-krimo-kracisë, që kanë instaluar në këto vite të tranzicionit Edi Rama me Rilindjen dhe PD e LSI.

Ne mbështesim gjithashtu thirrjen e ambasadës së BE-së se: ‘Është shumë urgjente që të kapërcehet situata politike aktuale duke krijuar një platformë kombëtare, për dialog ndërmjet të gjitha palëve të interesuara’.

Kjo thirrje e cila konvenon me qëndrimin e kahershëm të Partisë “ZGJIDHJA”, duhet konsideruar nga të gjithë aktorët, veçanërisht nga PS-PD-LSI.

Vendi është në një situatë tejet të rrezikshme, ndaj ky Pakt Kombëtar, duhet të marrë udhë sa më shpejt. Por kjo nuk do të thotë, që të lejojmë sërish një Marrëveshje-Pazar, mes tre partive të vjetra. Kërkohet një Pakt Kombëtar gjithëpërfshirës për çdo faktor politik në vend, pa asnjë përjashtim; për partitë politike, shoqërinë civile dhe të gjitha grupet e interesit, për çdo shtresë të shoqërisë shqiptare.

Kjo është e vetmja rrugëdalje nga ky ngërç i rrezikshëm ku e kanë futur vendin tri partitë, që kanë sunduar për 29 vite shqiptarët.

#ZgjidhjaPërRepublikën

3
Arben Rrozhani: Gërdeci, një krim që shlyhet me largimin e politikës së vjetër

Arben Rrozhani: Gërdeci, një krim që shlyhet me largimin e politikës së vjetër

Në 11-vjetorin e tragjedisë qeveritare të Gërdecit, të dënuarit e vetëm janë viktimat dhe familjarët e tyre. Këta të fundit nuk kanë reshtur së shpresuari se fajtorët e krimit më monstruoz të dekadave të fundit do të vihen përpara drejtësisë.

Zamira Durdaj, nëna e Erisonit 6-vjeçar që u shkri nga zjarri biblik i shpërthimit të depos së demontimit të municioneve, thotë se nuk e fal gjakun e djalit, sepse edhe sot nuk ka asnjë të dënuar! Ajo nuk do të rreshtë asnjë sekondë duke kërkuar drejtësinë e munguar.

Regina, bashkëmoshatare e Erisonit, shpëtoi, por la një krah dhe trupi ende nuk i është shëruar nga plagët, por ato të shpirtit nuk do t’i mbyllen kurrë.

Lista e viktimave është e gjatë. Ajo e të mbijetuarve edhe më e gjatë. Plot akuza, revoltë dhe zhgënjim. Hipokrizia e ish-opozitës së Gërdecit të paktën nuk bëri paradë këtë vit, duke ua kursyer talljen të mbijetuarve të asaj dite që u gatua dhe shpërtheu me vendim qeverie, angazhim të plotë të strukturave qeveritare dhe mbështetjen në hije të kundërshtarëve politikë. Rrahja e supeve të Sali Berishës nga Edi Rama, mesditën e 15 marsit 2008, në ambientet e Spitalit të Traumës, ishte gjesti i amnistisë politike që do të bëhej më vonë për autorët e një biznesi kriminal qeveritar, makutërisë për të fituar, mbi gjakun dhe djersën e njerëzve të thjeshtë dhe të pambrojtur.

Politika e vjetër ishte dhe është në unison që ky krim të mos ndëshkohet kurrë. Siç është edhe për 21 janarin 2011 dhe për dhjetra e dhjetra krime politike dhe ekonomike të kryera gjatë këtyre dekadave, për të cilat kanë paguar vetëm shqiptarët e thjeshtë.

Zamira Durda është simboli i shqiptarit të vrarë dhe të sakatuar në shpirt, të rrënuar dhe të tradhëtuar nga qeveritë, por të paepur për të vënë drejtësinë në vend, me çdo çmim. Është shqiptari që nuk pranon të dorëzohet, të ikë dhe t’I bëjë m***tin këtij vendi të mallkuar nga elita e vjetër politike, e cila gjasme shahet dhe lufton sy publikut mes vetes për të drejta dhe parime demokratike, por nga ana tjetër bëhet bashkë në krim dhe në korrupsion.

ZGJIDHJA u thotë shqiptarëve se shkaktarët e Gërdecit janë të korruptuarit e politikës së vjetër. Siç janë shkaktarë për të gjitha tragjeditë që u kanë ndodhur ndër vite. Ata, si me VKM-në që ligjëroi Gërdecin, kanë bërë me ligje zaptimin e lirive politike dhe ekonomike të shqiptarëve, kanë kufizuar të drejtat kushtetuese për të ndryshuar rregjimin hibrid që kanë instaluar, u kanë hequr të drejtën e votës së lirë dhe të barabartë, pra mundësinë që të heqin nga pushteti këtë elitë të korruptuar politike.  Shqiptarët duhet të luftojnë për t’i rimarrë këto të drejta, ndryshe Gërdecë të tjerë do të shpërthejnë mes tyre.

*Sekretar i PR i partisë ZGJIDHJA

1
Koço Kokëdhima: Shkaktarët e Gërdecit, të korruptuarit e politikës së vjetër

Koço Kokëdhima: Shkaktarët e Gërdecit, të korruptuarit e politikës së vjetër

Në 11-vjetorin e tragjedisë së Gërdecit, ndodhur më 15 mars 2008, kur shpërtheu një punishte demontimi që ishte ndërtuar me lejen e qeverisë së Sali Berishës, kryetari i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, thotë se shkaktarët e saj janë të korruptuarit e politikës së vjetër.

‘Sot bëhen 11 vite nga tragjedia qeveritare e Gërdecit. Familjarët e viktimave ende kërkojnë drejtësi për 26 të vrarë dhe 300 të plagosur. Shkaktarët e saj janë të korruptuarit e politikës së vjetër’-shkruan Kokëdhima në Twitter.

0
Eriston Ziu: Të shpëtojmë Shqipërinë nga partitë atdheshkatërruese!

Eriston Ziu: Të shpëtojmë Shqipërinë nga partitë atdheshkatërruese!

 

Shqipëria është i vetmi vend “demokratik” në Europë që ka një Kod Zgjedhor, të hartuar dhe të mbështetur me fanatizëm të pashoq përfitimi nga partitë e vjetra politike, të akuzuara për dramën social-ekonomike që vuan populli shqiptar.

Në parim, Kodi zgjedhor, zgjedhjet i quan të lira dhe demokratike, por në çdo prononcim publik KQZ kërkon lejen e partive politike që e komandojnë për të zhvilluar të ashtuquajturin ‘proces zgjedhor të lirë e demokratik’. Është thjesht një marifet i vjetër, pasi, në të vërtetë, zgjedhjet janë të kushtëzuara, ose e thënë më troç ‘Me ne ose kundër nesh’, bandave të shkatërruesve dhe grabitësve të shpirtit të popullit shqiptar, të organizuara në trinomin PS+PD+LSI.

Zyrtarisht, Shqipëria është shoqëri kapitaliste, e iniciativës së lirë. Kjo nënkupton që Kushtetuta, ligjet dhe organet shteterore në “parim” e në “praktikë”, i japin të drejtë çdo qytetari dhe sipërmarrësi që të prezantohet në publik me risitë që ai ofron. Por këtu qëndron paradoksi: Kodi Zgjedhor nuk e përfshin veten te parimet kushtetuese, sepse nuk është gjë tjetër veçse instrumenti ‘legal’ i përdorur për shuarjen që në gjenezë të risive, pengimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve, instrument i partive-shtet.

E quajmë veten shtet që garanton, mbron dhe mbështet të drejtën e qytetarëve për t’u organizuar në grupime politike dhe që fjalën e tyre ta shprehin lirshëm. Parimisht është e vërtetë. Por Kodi Zgjedhor aktual i dënon me vdekje që pa lindur partitë e reja, duke mbështetur vetëm padronët e politikës së vjetër.

Partitë e vjetra duan me çdo kusht dhe me çdo çmim që të shkojnë në zgjedhjet e 30 qershorit, së bashku, për të mos lëshuar asgjë nga vullneti i popullit që kanë rrëmbyer për të kryer krimet politike dhe ekonomike të këtyre tri dekadave të fundit.

ZGJIDHJA është partia e vetme politike që lufton për zgjedhje të lira dhe të barabarta. Ajo e ka mision atdhetar për të çliruar zgjedhjet nga sundimi i tri partive të vjetra, depolitizimi i tyre, rikthimi i votës së shtetasve si e vetmja rrugë për të shpëtuar Shqipërinë.

Çdo reformë tjetër e premtuar dhe e realizuar nga partitë e vjetra, në bashkëpunim me njëra-tjetrën, është varrosja e vullnetit të shqiptarëve për të ndryshuar me votën e tyre të lirë fatet e vendit, ndryshimin e elitës politike dhe garantimin e një shteti ligjor që punon për të mirën e vendit dhe të qytetarëve të saj.

#ZgjidhjaPerShqiperine

*Sekretar për Zgjedhjet në partinë ZGJIDHJA

1
Koço Kokëdhima: Koalicioni i turpit

Koço Kokëdhima: Koalicioni i turpit

Edi Rama e ka kuptuar se fundi i tij politik është çështje kohe. Tani nuk e zë më me gojë fjalën “Rilindje” dhe bërtet me të madhe “Partia Socialiste”. Përpiqet të shfrytëzojë kockat e fundit që kanë mbetur nga ajo pasuri kombëtare të cilën e shkatërroi në mënyrën më kriminale.

Timoni qeverisës që mori duke mashtruar të majtë, të djathtë e pa parti dhe duke blerë  vota në bashkëpunim me krimin e organizuar, i është thyer. Prandaj dje mblodhi “frontin e majtë” me partitë aleate fantazma.

Kjo është e turpshme dhe tallëse. Vuri në rresht 25 sigla partish që nuk ekzistojnë, pasi, ai së bashku me PD-LSI, i shtypën, i blenë, i përdorën, i gënjyen, i poshtëruan, i korruptuan, i vodhën, i shkrinë dhe i zhbënë që në lindje këto pseudoparti.

ZGJIDHJA e ka bërë të qartë se këto gjoja-parti kanë vetëm kryetarët me nga një vulë në xhep dhe asgjë tjetër, as anëtarë, as mbështetës, as kauza, as burime, as standarde, as institucione. Kryetarët e tyre rrinë në pritje gjithë kohën dhe vrapojnë pas kockave që u hedhin Rilindja dhe SHQUP-i sa herë vijnë zgjedhjet lokale apo të përgjithshme.

Edi Rama nuk përfaqëson as të Majtën dhe as Qendrën. Lëvizja e tij me “frontin” e 25 partive të majta është një përpëlitje mashtruese e një kryeministri që më së miri përfaqëson krimin e organizuar, korrupsionin, monopolet si dhe pjesën më të errët të horrave që bëjnë biznes me paratë e buxhetit të shtetit.

E vetmja rrugë që e shpëton Shqipërinë dhe ardhmërinë e saj, por edhe fut në lojën e demokracisë çdo forcë politike, është ajo që ka parashtruar ZGJIDHJA që nga krijimi: shembja e sistemit politik 29-vjeçar të kapur dhe çlirimi përfundimtar i votës së lirë!

Këto Edi Rama dhe partitë e vjetra nuk kanë për t’i lëshuar kurrë, sepse ky do të ishte edhe fundi i tyre.

Një gjë është e sigurtë: Rama ka mbetur lakuriq dhe i vetëm. Ai ka përjashtuar qytetarin nga pjesëmarrja në qeverisje, ka përvetësuar Shqipërinë dhe të mirat e saj, ka mohuar të drejtat e inteligjencës, shoqërisë civile dhe kundërshtarëve politikë, ka uzurpuar e shkatërruar shtetin dhe institucionet, liritë politike, ekonomike e njerëzore, ka dëbuar nga atdheu rininë dhe forcat aktive, po vjedh ditë e natë buxhetin dhe pasuritë e popullit, ka marrë peng të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Koalicionin me parti fantazma do ta përdorë si “gjethe”. Nuk ka gjë që ta mbulojë. Është i turpshëm dhe i neveritshëm!

#ZgjidhjaPërShqipërinë

0
Vladimir Lulaj: Të kthejmë demokracinë funksionale të Shqipërisë

Vladimir Lulaj: Të kthejmë demokracinë funksionale të Shqipërisë

‘Dialogu politik të bëhet në parlament-artikulojnë disa ambasadorë të akredituar në Tiranë. Partia ‘Zgjidhja’ thotë: “Parlamenti, të nderuar miq ndërkombëtarë, nuk ka pse të jetë ‘arena e luftës politike’ midis partive-shtet, sepse pushteti shtetëror legjislativ është ‘shtëpia e shenjtë’, ku miratohen ligjet organikë të nevojshëm për funksionalitetin e shtetit ligjor.

‘Dialogu në Parlament ndihmon për të pasur një imazh pozitiv të vendit’-na mësojnë ndërkombëtarët.. Dakord, miq dashamirës, u përgjigjet partia “Zgjidhja”. Keni të drejtë, por thelbi nuk është imazhi tani, kur Republika në Shqipëri ka 11 vite që ka rënë, por përmbajtja funksionale e shtetit të munguar ligjor. Dialogu në parlament nuk është axhendë e pushteteve të përkohshëm politikë, por imperativ kategorik për funksionalitetin e shtetit.

Nëse “dialogu politik” konsiderohet teatër për pushtet politik, kjo dëmton interesin e përgjithshëm.

Në Shqipëri, për 28 vite rresht, nuk ka funksionuar shteti ligjor, por vetëm shteti politik destruktiv, që përdor si skllav pushtetet shtetërore, të kapur dhe keqpërdorur nga partitë-shtet. Pa u ndarë njëherë e pëgjithmonë partitë politike nga shteti ligjor, kurrë nuk do të kemi stabilitet strategjik në të gjitha drejtimet, sepse dihet dhe pranohet nga gjithë politologët e botës, se partitë politike nuk mund të konceptohen dhe përdoren si “shtet brenda shtetit”, ose si mafia partiake që komandon shtetin ligjor.

Zëdhënësi i grupit të partisë së Merkelit, z. Florian Hanh, në intervistën e dhënë më datë 27 shkurt 2019 për “Deutsche Welle”, deklaroi se: “Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, jo bojkotit dhe dhunës nga opozita”.

Ky opinion nuk mban parasysh situatën reale në të cilën gjendet Shqipëria, ku nuk ekziston as Republika, por as deputetët e popullit. Sipas konceptit filozofik dhe juridik, deputetët zgjidhen nga populli dhe e përfaqësojnë atë dhe jo subjektet politike, që, për fat të keq, i kundërvihen shtetit ligjor..

Sikur 55 deputetët e “opozitës politike” PD-LSI ta ndjenin veten sadopak “deputetë të popullit”, atëherë kurrë nuk do të guxonin të “digjnin” mandatet nga pikëpamja proceduriale me vendime politike të pushteteve të deleguar partiakë, siç ka ndodhur.

Si një nga drejtuesit e partisë “Zgjidhja” druhem të artikuloj idenë, aspak paragjykuese, se demokracia shqiptare është e brishtë dhe ka nevojë për ndihmesën strategjike të faktorit vendimarrës ndërkombëtar në kuptim të realizimit të demokracisë reale. Sigurisht, referuar thënies klasike të perandorit të filoziofisë botërore, Hegelit: “Çdo popull meriton qeverisjen që ka”, por si e meriton populli shqiptar keqqeverisjen antipopullore këto 28 vite, kur asnjëherë nuk i është dhënë e drejta të votojë i lirë dhe i pavarur nga partite-kuçedra?

Si mund të heshtin përfaqësuesit kryesorë të OSBE-së në Shqipëri, sikur gjoja në Tiranë ende nuk ka rënë Republika, kur ajo është rrëzuar nga marrëveshja antikushtetuese Berisha-Rama më 21 prill 2008?  Kush nga ndërkombëtarët ka mbështetur, në vendet e tyre, rrëshqitjen nga sistemi politik republikan drejt sistemit despotik, siç ka ndodhur me Shqipërinë pas ndryshimit të 11 neneve kushtetuese, brenda gjysëm ore; që sanksionuan shndërrimin e kryeministrit llogaridhënës në “Luigji i 14-të i Shqipërisë’, duke e bërë ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryeministrin ekzistues Rama “mbret jollogaridhënës, ose despot pa kurorë”?

Populli shqiptar do të meritonte despotët, mbretërit pa kurorë, ose qeverisjet barbare, destruktive dhe antipopullore të triadës PS-PD-LSI, sikur ligji elektoral të parashikonte një Komision Qendror të Zgjedhjeve krejt të pavarur nga forcat politike, të cilat konkurojnë për pushtet politik të deleguar nga sovrani popull.. Por ka 28 vite që pushtetet jollogaridhënëse të partive-shtet emërojnë KQZ-në, nuk lejojnë organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta, madje  organizojnë, numërojnë, vjedhin, blejnë, shesin dhe grabisin votat e elektoratit, duke vendosur rezultatin jo siç e delegon populli, por siç e dëshirojnë partitë –shtet destruktive.

Asnjë vend në kontinentin Europian nuk ka votuar dhe as ka pranuar të miratojë sistemin elektoral proporcional të pakorrektuar nga sistemi proporcional kombëtar. Vetë sistemi elektoral D’hond në Monarkinë Konstitucionale të Spanjës, privilegjon “partitë e mëdha”, por atje KQZ-ja nuk është partiake, si në Shqipëri, por shtetërore. Në Spanjë, për sistemin proporcional rajonal janë vendosur në dispozicion 350 karrike deputetësh, nga gjithsej 450 që ka ‘dhoma e deputetëve të popullit’; kurse 100 karrike parlamentare shpërndahem sipas sistemit proporcional kombëtar dhe procedurës konkuruese, sipas të cilës përfitojnë deputetë të gjitha subjektet konkuruese, që në rang kombëtar kanë fituar votbesimin e 3% të censusit të përgjithshëm elektoral. Por në Shqipëri nuk ekziston korrektimi sipas konceptit proporcional kombëtar, pra kemi të bëjmë me kundërvënie të pushteteve politike ndaj verdiktit elektoral të popullit. Pse harrohet ky fakt?.

Si mundet të mos kuptoni se PS, PD dhe LSI, këto tre parti të vjetra, destruktive dhe antipopullore, e kanë kryer misionin e tyre dhe tashmë nuk duhet të ekzistojnë më, sepse nuk përpiqen t’i shërbejnë, por duan ta sundojnë arbitrarisht popullin?

Partia “Zgjidhja”, ku janë grupuar intelektualët dhe rinia avangarde dhe moderne e kombit mbart në vetvete shpëtimin e demokracisë reale. Programi dhe altermativa e shtetit të munguar juridik dhe e mirëqënies së përgjithshme popullore që mbart në vetvete ‘Zgjidhja’ dhe kryetari i saj, Koço Kokëdhima, synon dhe do të luftojë që populli të votojë në mënyrë plebishitare për rikthimin e Republikës, votës së lirë dhe të barabartë, shtetit të munguar ligjor si dhe kundër partive-shtet, PS-PD-LSI, që kanë marrë peng demokracinë shqiptare.

*Nënkryetar i partisë ZGJIDHJA

1
Gylsen Zhllima: Policia e Shtetit në mbrojtje të abuzimeve të Shërbimit Përmbarimor

Gylsen Zhllima: Policia e Shtetit në mbrojtje të abuzimeve të Shërbimit Përmbarimor

 

Abuzimet e zyrave përmbarimore në Republikën e Shqipërisë janë në top listën e kërkesë-padive në gjykatë. Rastet konkrete janë: kundërshtim veprimesh përmbarimore, pavlefshmëri ankandi, pezullim ekzekutim e shumë të tjera. Situata e djeshme, në Tiranë dhe jo vetëm, tregon se profesioni i përmbaruesit cenon ligjshmërinë, respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, moralin shoqëror dhe qetësinë publike.

Ligji aktual duhet të qartësojë më mirë procedurat e ekzekutimit dhe mënyrat e tij. Kurse udhëzimi i përbashkët Polici e Shtetit dhe Përmbarues Gjyqësor i vitit 2017 duhet të zbatohet duke u bazuar plotësisht në transparencën e çdo akti procedural, i cili ndërmerret nga dy palët.

Parada e Policisë së Shtetit dje për t’i ardhur në ndihmë përmbaruesit gjyqësor, ishte një turp institucional dhe moral. Asnjë nuk kundërshton vendimin e gjykatës, por mënyra barbare e një policie që rrethon një shtëpi private, me trupa policore që tejkalonte 50 burra e gra me uniformë ishte një skandal. Dje u shoqëruan banorët e asaj zone në komisariat, kurse pronari ‘DH Albania’ që falsifikoi letrat për 30 milionë euro te Unaza e Re dhe në OST është ende i pakapur nga policia.

Qeveria aktuale nuk ka vullnet që të përmirësojë ligjin e përmbaruesit Gjyqësor,sepse problemi çalon te Oborri dhe kur Oborri kënaqet me abuzimet, edhe fushata bëhet më romantike. Sot, qeveria ngelet shikuese kur shkelen të drejtat e njeriut dhe të pronës, se sa të shuajë konfliktet. Konfliktet nuk shuhen vetëm duke hequr shefat e policisë, pse kanë qenë të ministrit të vjetër, por duke bërë ndryshime ligjore që i përkasin realitetit social në vend.

ZGJIDHJA e ka deklaruar përherë se është kundër prishjeve të ndërtimeve pa leje, ose në proces legalizimi, sepse ato janë lejuar nga qeveritë e tranzicionit, në këmbim të votave. Pronat e tyre duhen dëmshpërblyer sipas vlerës së tregut dhe atyre u duhet siguruar strehë nga autoritetet shtetërore dhe mbështetje për biznesin, sepse qeveria e ka për detyrë që të ndërtojë shtet social dhe jo pushtet policor, të ndërtojë ekonomi zhvilluese dhe jo diskriminuese dhe mbi të gjitha të respektojë të drejtat kushtetuese të njeriut, të jetës dhe të pronës.

#ZgjidhjaPerPronen

*Anëtar i kryesisë së partisë ZGJIDHJA

0