Koço Kokëdhima: Europa nuk duhet ta braktisë Shqipërinë

Koço Kokëdhima: Europa nuk duhet ta braktisë Shqipërinë

Një grup eurodeputetësh mbylli sot me një konferencë shtypi vizitën dy ditore në Tiranë me një paralajmërim për PD dhe LSi që të kthehen në kuvend dhe me mbështetje të hapur për qeverinë dhe parlamentin si organe legjitime.

Në harkun kohor të dy viteve, ky është misioni i dytë i Parlamentit Europian për të zgjidhur krizën e politikës shqiptare, historikisht në krizë.

Pa dashur të bëjmë profecira, nisur edhe në kriza më e fundit, ajo e pranverës 2017, Parlamenti Europian nuk i ka ‘larë duart’ me ndërmjetësimin për kacafytjen e radhës në politikën shqiptare. Këtë herë, ndikuar edhe nga zgjedhjet e ardhshme në Parlamentin Europian, nuk pritet ndonjë angazhim total i të dërguarve të PE-së, por gjithsesi, sado vonë, ata do të arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët mes qeverisë dhe PD-LSI.

ZGJIDHJA e ka theksuar se nuk do që këta burra të nderuar të Parlamentit Europian të vijnë këtu thjesht si zjarrfikës, sepse ata vetëm do të vënë nën kontroll flakët, por nuk do ta shuajnë vatrën e zjarrit që rindizet sa herë palët politike janë në luftë për pushtet. Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckestein dhe homologët e tij europianë duhet të vijnë dhe të merren seriozisht me thelbin e krizës në Shqipëri. Ata nuk duhet të stepen për të marrë anë. As të mbrojnë qeverinë dhe parlamentin e PS-së si legjitimë, as të mbrojnë kauzat e PD-LSI si kërkesa të drejta të pakicës. Ata duhet të marrin anën e popullit shqiptar, i cili është përjashtuar nga vendimmarrja për fatet e tij dhe të vendit.

Ashtu si në ndërmjetësimet e viteve 2010 apo 2017, kriza e vitit 2019 e ka gjenezën te superpushteti që kanë rrëmbyer disa parti politike në vend, krimet e pafundme politike dhe ekonomike që kanë bërë në dy dekadat e fundit dhe kufizimi alarmant i të drejtave të popullit shqiptar për të ndryshuar elitat politike me votë.

Zotërinjtë europarlamentarë duhet të kuptojnë një gjë shumë jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët: Këtu vota nuk vlen për asgjë. Ajo mund të konvertohet nga partitë shqiptare me një thes miell, 50 apo 500 euro, ose një vend pune në administratën shtetërore, por nuk ka vlerë për ndryshime politike.

750 europarlamentarët e sotëm dhe ata të rinjtë, do të zgjidhen nga elektorati i vendeve të tyre përmes votës së lirë dhe të bararbartë, siç bëjnë në vendet e tyre për zgjedhje të përgjithshme, vendore, apo për referendumet (këto të fundit janë ekzekutuar nga politika shqiptare, edhe pse ironkisht jemi cilësuar për mundësi zhvillimi si Zvicra e Ballkanit).

ZGJIDHJA i sfidon europarlamentarët që ishin deri para pak orësh në Tiranë me ca pyetje të thjeshta: Do t’i pranonit zgjedhjet në vendet tuaja, si ato që bëhen në Shqipëri? P.sh. z.Knut Fleckenstein në vendlindjen e tij në shtetin federal gjerman të Hessen-it;  z. Cristian Preda në kryeqendrën e Rumanisë; apo z. Tunne Kelam në Estoninë e tij?

Drama e zgjedhjeve në Shqipëri nuk është ‘punë shqiptarësh’ siç mund të thuhet rëndom në Bruksel apo në Strasburg nga europarlamentarët e lodhur me dy dekadat e krizave shqiptare. Kosova është vetëm 11 vite shtet i pavarur dhe 92 për qind e popullsisë së saj është shqiptare, por atje kurrë s’ka patur probleme me zgjedhjet. Po ashtu, Maqedonia e Veriut, ku shqiptarët përbëjnë më tepër se 40 për qind të popullsisë dhe janë element shtetformues. Vetëm zgjedhjet në Shqipëri janë bërë një problem europian dhe do të jenë të tilla, derisa të mos ndërhyhet te thelbi i krizës: Heqja e votës së shqiptarëve nga duart e tri partive dhe rikthimi i saj te votuesit e thjeshtë, të cilët duhet të kenë të drejtë të votojnë direkt për deputetët, drejtuesit e pushtetit vendor dhe të vendosin me referendume për çështje shumë jetike për komunitetin apo për vendin.

ZGJIDHJA i këshillon zyrtarët e Brukselit dhe të Strasburgut që të mos lexojnë vetëm letrat konfidenciale, apo të hapura që marrin nga qeveria e PS-së apo PD-LSI. Duhet ta kuptojnë se ata nuk janë të sinqertë dhe janë në konflikt të hapur interesi, ndërsa flasin dhe argumentojnë lirinë e votës dhe legjitimitetin e institucioneve në Shqipëri. Këto tri parti janë bashkëpërgjegjëse për krimet elektorale dhe ekonomike që kanë bjerrë vlerat demokratike të Shqipërisë. Janë këto parti që kanë administruar procesin zgjedhor në vend, kanë numëruar dhe ndarë për vete votat e të gjithëve dhe kush ka vjedhur më shumë ka marrë pushtetin dhe ai që mori më pak, mbeti në opozitë. Ato të gjitha i kanë futur krahët deri në llërë në batakun e zgjedhjeve shqiptare.

ZGJIDHJA nuk ka kërkuar një model jashtëtokësor për zgjedhjet shqiptare. Ka kërkuar modelin më të thjeshtë që ekziston në një vend demokratik: votë të lirë dhe të barabartë, që nis nga një KQZ e depolitizuar, një administratë zgjedhore të çliruar nga militantët e partive, por të mbushur me njerëzit me të ndershëm dhe më të shkolluar të vendit, një proces transparent votimi dhe numërimi, deputetë dhe pushtetarë vendorë që dalin direkt nga vota popullore dhe jo nga listat e zeza të kryetarëve të partive.

ZGJIDHJA po kërkon dhe do të kërkojë pa u lodhur dhe pa u tërhequr këto që u renditën më sipër e të tjera dhe që janë normë qindra vjeçare në vendet demokratike të BE-së apo të globit.

Kjo kërkesë ‘minimaliste’ do të thotë shumë për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Rikthimi i votës, i të drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, do të jetë investimi më i madh i Europës për Shqipërinë. Qindra milionë euro nga BE me ndihma për konsolidimin e demokracisë, shoqërisë civile, institucioneve, programeve mbështetëse për bujqësinë, drejtësinë apo për përafrimin e legjislacionit do të jenë nul, nëse Parlamenti Europian nuk imponon zgjedhje të lira dhe të barabarta në vend.

Europa nuk duhet ta braktisë Shqipërinë, nuk duhet ta lërë në duart e mafies së partive të vjetra, sepse ato me luftë, apo me marrëveshje, do ta gjejnë gjuhën e përbashkët. Ajo nuk duhet të braktisë shqiptarët, të cilët, edhe 28 vite pas rënies së rregjimit komunist ende kanë si parrullë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa’.

 

 

1
Pandora Kumanaku: Qeveria mashtroi me bursat, ekselentët u zëvendësuan me militantë

Pandora Kumanaku: Qeveria mashtroi me bursat, ekselentët u zëvendësuan me militantë

 

 

 

Studentët e ekselencës po denoncojnë se nuk i marrin dot bursat në kohë, ashtu siç kishte premtuar qeveria në kuadër të ‘Paktit për universitetin’. Për muajin janar, në llogaritë e tyre bankare janë hedhur vetëm 1200 lekë, nga 10 mijë që përcakton VKM-ja e qeverisë. Qindra studentë, edhe pse është fundi i shkurtit, nuk kanë marrë pagesën jetike për janarin, edhe pse i dorëzuan dokumentet që në fillim të vitit 2019.

Në Fakultetin Juridik, gjendja është edhe më e rëndë. Zyrtarisht aty nuk ka më ekselentë që përfitojnë bursat nga buxheti i shtetit, edhe pse ekselentët janë të shumtë. Qeveria ka shpëtuar prej tyre, duke i hequr nga lista, duke bërë lista të reja që janë mbushur me militantë të Rilindjes.

Fakulteti i Drejtësisë ishte ‘kështjella’ e fundit e protestës studentore që nisi në dhjetor 2018. Shumica e studentëve ishin mosbesues ndaj premtimeve të qeverisë për plotësimin e ‘8 pikave +’ dhe ata kishin të drejtë. Koha e vërtetoi se VKM-të e qeverisë ishin vetëm për të shuar zjarrin e protestës, e cila lëkundi elitën e vjetër politike të vendit. Por studentët nuk do të mposhten. Ata do të ringrihen sërish si në dhjetor, sepse nuk kanë asgjë për të humbur.

*Studente e Fakultetit të Drejtësisë dhe anëtare e kryesisë së partisë ZGJIDHJA

0
Shenasi Rama: PD dhe PS e kryen misionin, nuk duhet të ekzistojnë më

Shenasi Rama: PD dhe PS e kryen misionin, nuk duhet të ekzistojnë më

Z. Rama, si e shikoni situatën politike në Shqipëri, në një vështrim të përgjithshëm?

Gjendja është katastrofë. Sistemi dhe e gjithë shoqëria është në një krizë të thellë. Por ujku mjegull do dhe kjo gjendje amullie e kaosi totalitar dhe të mirë organizuar iu shërben vetëm klaneve të parisë së Tiranës. Kështu do të vazhdojë në kënetën që ecte politika e Tiranës.

Partia Demokratike dhe opozita në përgjithësi ka vendosur për djegien e mandateve të tyre politike. Si e komentoni ketë masë radikale të tyre?

Është një përpjekje e fundit për të mbajtur gjallë një parti që ka vdekur dhe është e konsumuar. Reagimi ka qenë i vakët. Këtyre u ka dalë boja. Dhe duhet një forcë e re, sepse elektorati i vërtetë në shtetin shqiptar nuk janë më ata që mbështesin PD-në, por ata që nuk duan asnjërën nga partitë ekzistuese. Por detyra e tyre nuk është të djegin mandatet për të bërë opozitën e duhur politike në Kuvend. Të flasin me shifra, me raste, me të gjithë mënyrat dhe të ruajnë vendin nga shkatërrimi. E ketë nuk e bëjnë sepse janë në një shtrat me PS-në. Thjesht duan të hanë nga shteti, sepse iu është tharë zorra tash gjashtë vite.

Sipas jush, çfarë lideri është Lulzim Basha? A ka dhënë ai sa duhet për Partinë Demokratike?

Si lider është i pashëm dhe simpatik dhe buzëqesh gjithë kohën me ëmbëlsi e dashamirësi. Ai ka bërë detyrën që i ka caktuar Saliu. Berisha e vuri, sepse, përmes një vegle të tillë që është përdorur keq si në Kosovë, ashtu edhe brenda e jashtë, krijoi përshtypjen se e la PD-në, në duart e dikujt që kishte lidhje me qendrat e huaja të vendimmarrjes. PD e pati një shans të fundit dhe e shfrytëzoi sa mundi. Tetë vite në pushtet u diskreditua shumë keq dhe tashmë as nuk duhet të ekzistojë si parti. E ka kryer misionin e vet. Por ky bën atë që do Sali Berisha dhe PD është Sali Berisha e jo militantët që përdoren për fushata dhe sa herë i duhen Saliut.

 Si e komentoni rolin e ndërkombëtarëve në lidhje me protestat e opozitës në Shqipëri?

Shumë të arsyeshëm. Kur sheh grerëzat që bëjnë sherr pse të fusësh dorën në folenë e tyre? Aq më shumë që e dinë se nuk kanë asnjë mundësi influence. Çdo i huaj që ka ndërhyre ka hyrë dhe ka dalë si karagjoz, sepse paria ia ka arritur t’i zhvlerësojë si ia ka marrë asaj mendja. Tani rrinë mënjanë sepse edhe fushata që e patën aq shumë për zemër iu dështoi. Shenjë jo e mirë, por edhe kësaj indiference të studiuar do t’i dalë tymi shpejt.

Ku po gabon qeverisja Rama?

Gabimet janë gabime, kur nuk e di çfarë po bën. Kur e di çfarë po bën dhe e bën, atëherë bën faj. Kur e di se çfarë po bën dhe e bën sepse do t’i shkaktosh dëm një populli, atëherë bën krim. Po me një rreshtim sipërfaqësor e pa u thelluar në detajet do të kisha thëne se krimet më të tmerrshme të kësaj qeverie, njëlloj si të tjerave para saj, se nuk kanë ndonjë dallim, janë: 1. Shkatërrimi i qëllimte i kombit shqiptar dhe thellimi i përçarjes ndërfetarë, ndëretnike, dhe krahinore;  2. Fuqizimi i pakicave në dëm të shqiptarëve; 3. Marrëveshjet e rrezikshme me fqinjët; 4- Oligarkizimi i ekonomisë. 5. Dhënia me koncesion e burimeve dhe investimeve strategjike të huajve. 6.  Rritja e borxhit të jashtëm. 7- Zbrazja e shtetit nga shqiptarët. 8- Politikat diskriminuese ndaj prodhuesve vendore. 9. Korrupsioni i administratës. 10- Shpërdorimi i buxhetit të shtetit. 11- Kriminalizmi i mëtejshëm dhe varësia nga familjet kriminale. 12 – Mungesa e kryerjes si duhet të reformës në drejtësi. 13- riorganizimi i sistemit politik dhe zgjedhor. 14- Mosintegrimi si duhet i emigrantëve të kthyer; 15- Dështimi për të ndalur emigracionin. 16 – Personalizimi i politikës.  E kështu me radhë shkohet tek dështimet lidhur me varfërimin, mungesën e arsimit të duhur, të shërbimeve, të punësimit, e të tjera. Për mua është një qeverisje e dështuar. Më mirë të quhet një fushatë propagandistike në qeverisje, sepse çdo herë që vij, realiteti është që gjej një shtet e një popull edhe me të varfër e më të lodhur.

*Marrë nga gazeta Shekulli

0
Koço Kokëdhima: Sadija sot iu bashkua shokut të saj të jetës, Dritëroit

Koço Kokëdhima: Sadija sot iu bashkua shokut të saj të jetës, Dritëroit

Sadije Agolli ndërroi sot jetë në moshën 76-vjeçare. Iu bashkua shokut të saj të jetës, të madhit Dritëro Agolli, dy vite pas ndarjes fizike. Kam patur fatin t’i takoj disa herë, të dy bashkë dhe të pandarë, në apartamentin e tyre të thjeshtë, por të mbushur më shumë dashuri, poezi dhe jetë. Kemi pirë raki dhe biseduar gjatë në takime të paharrueshme për mua.

Sadija ishte gjysma më e mirë e Dritëroit dhe ashtu mbeti edhe pas shuarjes së tij. Kishte dëshirë të madhe që të jetonte me shokun e saj, edhe pse në mungesë fizike, ndaj u përkujdes çdo ditë për veprën e tij të pambaruar. Sot, mendoj, se nuk do ta kishim Dritëroin kaq të madh dhe kaq frymëzues me veprën e tij, nëse pranë tij, për 52 vite, nuk do të kishte qenë Sadija, lexuesja, kritikja dhe këshilluesja e tij e parë dhe e pandarë.

Tani më pëlqen t’i mendoj sërish të dy bashkë, në banesën e përjetshme, si në apartamentin e katit të tretë, mbështetur në supin e njëri-tjetrit. Veprën e pambaruar të Dritëroit dhe të Sadijes tashmë e ka për detyrë ta përmbyllë vajza e tyre e dashur, Elona.

I paharruar qoftë kujtimi i tyre!

2
Iris Topalli: Shëndetësia falas” na çoi të fundit në Europë

Iris Topalli: Shëndetësia falas” na çoi të fundit në Europë

Indeksi i Shëndetit Konsumator 2018 i matur nga instituti suedez, ‘Health Consumer Powerhouse’ e renditi Shqipërinë të fundit mes 35 shteteve europiane, duke e zbritur me tre vende krahasuar me një vit më parë. Merita e vendit të parë nga fundi i takon padyshim Rilindjes dhe ‘Shëndetësisë falas’ që ajo ka instaluar, duke shkatërruar shërbimin shëndetësor në spitalet publike dhe duke majmur operatorët privatë.

‘Shëndetësia falas’ e Rilindjes i ka tashmë të gjitha të ‘mirat’. Ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor, të parandalimit të sëmundjeve, produkte të këqija farmaceutike, shpenzimet më të ulëta për frymë për kujdesin shëndetësor, numrin e pakët të doktorëve për 100 mijë banorë, aksesin e ulët në trajtimin e kancerit, nivelin më të lartë të vdekshmërisë foshnjore në Europë, normën e lartë të vetëvrasjeve, transplantet shumë të pakta të veshkave, kujdesin inekzistent shëndetësor për të moshuarit mbi 65 vjeç dhe për vdekjet nga aksidentet.

Dështimi i Shqipërisë është spektakolar, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit. Serbia vijon të ngjitet në renditje, duke zënë vendin e 18-të, ndërsa edhe Mali i Zi ka përmirësuar renditjen, duke u ngjitur në vend të 23-të.

ZGJIDHJA e ka denoncuar shkatërrimin e shërbimit shëndetësor publik në favor të klientëve të qeverisë. Koncesioni më i fundit, ai i laboratorëve, pret firmën e qeverisë dhe ajo do t’ia japë një kompanie fantazëm, pas të cilës fshihet klienti i saj.

‘Shëndetësia falas’ do të bëhet realitet kur ZGJIDHJA të vijë në pushtet dhe të rritë buxhetin për sistemin publik shëndetësor, të anulojë kontratat dhe koncesionet që kanë vrarë shëndetin publik dhe të ndalojë eksodin e vazhdueshëm të mjekëve dhe të infermierëve nga vendi.

#ZgjidhjaPerShendetesine

*Kryetare e Forumit Kombëtar të Politikave në Partinë ZGJIDHJA

 

0
Koço Kokëdhima: Imagjinoni zgjedhje si tonat në Anglinë tuaj, z.Wilton!

Koço Kokëdhima: Imagjinoni zgjedhje si tonat në Anglinë tuaj, z.Wilton!

I nderuar z.Wilton! E shijova shqipen tuaj të bukur me theks verior, ndërsa flisnit në një takim në Shkodër, këtë fundjavë. Por ëmbëlsia e shqipes së një anglezi më mbeti në fyt kur folët për zgjedhjet shqiptare. Thatë: “Ka patur probleme me shitblerjen e votës: Po! A mund të ndryshonin këto rezultatin e zgjedhjeve: Jo! A është vetëm një subjekt me këto probleme: Jo! Votuesit kanë patur mundësi për të shprehur zgjedhjen e tyre, pasi e kanë vetë në dorë”.

I nderuar z. Wilton, më vjen keq, por jeni disa herë gabim. Qoftë nga pozicioni juaj si zv.ambasador i OSBE-së, qoftë si mik dhe njohës i problemeve të Ballkanit, qoftë nga profesioni juaj si shkrimtar, qoftë edhe nga fakti se jeni anglez.

Po ju bëj një panoramë mikse që do t’u ndihmojë juve, që të kuptoni problemet me zgjedhjet në Shqipëri, që ju si anglez, edhe pse numri dy i OSBE-së prej vitit 2013 në Shqipëri nuk i paskeni kuptuar.

Zgjedhjet këtu u vranë më 26 maj 1996. Besoj e dini se çfarë ndodhi atëherë në Shqipëri. E majta u tërhoq nga komisionet e votimit, sepse manipulimet ishin flagrante, ndërsa e djathta e Sali Berishës, atëherë president, përfitoi dhe me makutëri mbushi kutitë e votimit, dhe rezultati ishte edhe…120 për qind në favor të PD-së. Qesharake dhe tragjike…Besoj e keni dëgjuar emrin e një zonje që është britanike si dhe ju. Audrey Glover quhet. Ishte kryesuese e zyrës së ODIHR-it dhe misioni i quajti të papranueshme dhe të pavlefshme këto zgjedhje, rezultatin e të cilave do ta kishte zili edhe ish-diktatori komunist që fitonte me 99 për qind të votave.

Berisha ende e urren zonjën Glover, sepse e preku te ëndrra e tij për t’u vetëshpallur mbret në një republikë parlamentare. Por juve jo. Sepse ju, deri më sot, keni legjitimuar lojën e tij dhe të të ngjashmëve me të në politikë.

Kam votuar gjithmonë pranë vendbanimit tim. Në komision ishin fqinjtë e mi. Një me PD-në, tjetri me PS-në, tjetri me LSI-në…dhe ca nga ata që nuk e pëlqenin orientimin tim politik më shihnin shtrembër. Kështu ka qenë jetë e mot, po aq kohë sa ka OSBE-ja juaj në Shqipëri. Për ju si anglez është çmenduri një administratë e tillë zgjedhore, por këtu është e tillë prej 28 vitesh. Dhe ju si OSBE nuk ua keni prishur skemën partive politike shqiptare që administrojnë zgjedhjet, si në asnjë vend tjetër demokratik të botës. Më thoni një vend tjetër në Europë, ku zgjedhjet bëhen si në Shqipëri, ku ato i organizojnë tri parti pjesëmarrëse? PS, PD dhe LSI kanë përfaqësues në KQZ, kanë anëtarët e tyre në KZAZ, kanë edhe anëtarët e tyre në Grupet e Numërimit të Votave. Partitë e tjera mund të kenë vetëm vëzhgues që duhet të rrinë në distancën që përcaktojnë shiritat kufizues nga ku nuk mund të shohin se si numërohet vota e tyre. E imagjinoni këtë të ndodhë në Anglinë tuaj, z.Wilton?

E imagjinoni që Laburistët dhe Konservatorët të kenë në dorë komisionerët në të gjithë hierarkinë e tyre dhe ata të vendosin kë votë duhet të kalojnë si të tyren dhe kë si të partive të tjera? E imagjinoni ju thagmën tjetër të zgjedhjeve shqiptare që në një qendër votimi mund të votohet, por nuk mund të numërohet dhe kutitë e mbushura me vota duhet të transportohen nga këta militantët e tri partive për në komisionet e numërimit pranë ZAZ-ve dhe si zakonisht rrugës ato “përpunohen” dhe më pas u dorëzohen po komisionerëve zonalë të këtyre tri partive?

Ju sugjeroj që të lexoni ndonjërën nga dosjet e prokurorisë për zgjedhjet shqiptare, bie fjala dosjen “Ruzhdia”, që mban emrin e një fshati në jug të Shqipërisë, ku  dhe ju siguroj se novela, zhanri juaj i preferuar si shkrimtar, që mund ta trajtojë si subject, do të jetë një bestseller në Perëndim. Këto realitete të mjera shqiptare do t’u duken fantazi të shfrenuara lexuesve perëndimorë.

Ju përmendni zgjedhjet e fundit, ato të 25 qershorit 2017. Pranoni se ka patur probleme me shitblerjen e votës, por se ato nuk mund ta ndryshonin rezultatin. Por ja çfarë ndodhi realisht:

Nga rinumërimi i 64 kutive të qarkut të Tiranës me kërkesë të PDIU-së dhe PS-së doli në pah elementi i konsumimit të veprës penale nga dhjetëra numërues. Nga 64 kuti, vetëm 7 tabela rezultatesh përputheshin me votat që ndodheshin brenda kutisë. Në 57 kuti të tjera votat ishin tjetërsuar dhe numërimi i parë me atë të dytin nuk përputheshin thuajse në asnjë parti. Në total, Partia Socialiste kishte marrë padrejtësisht 69 vota më shumë, ndërsa Partia Demokratike 47 të tilla. LSI-ja ka marrë padrejtësisht 74 vota më shumë, ndërsa PDIU është e vetmja me bilanc negativ, ku edhe pse i kishin hequr 5 vota në total, ajo vetë kishte përfituar padrejtësisht 52 vota, ndërsa i kishin marrë 57 të tilla. Nga këto lëvizje vërtet nuk ndryshonte rezultati në nivel qarku, por së pari duhet të dini se ka edhe shumë manipulime të tjera që nuk mund të dokumentohen nga rinumërimi i kutive, dhe së dyti, duket sheshit se shumë numërues të partive kanë konsumuar veprat penale të falsifikimit të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve, parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal dhe për ta dënimi do duhej të ishte me burgim 3-7 vjet.

Partia ZGJIDHJA e kishte parashikuar këtë maskaradë zgjedhore, ndaj i bojkotoi këto zgjedhje. Duke marrë shkas nga rinumërimi në Tiranë dhe legjitimimi që ndërkombëtarët u kanë bërë sistematikisht zgjedhjeve shqiptare, në cilësinë e kryetarit të partisë ZGJIDHJA, më 18 korrik 2017, u dërgova një letër ambasadorit të OSBE-së, Bernd Borchardt; ambasadorit Peter Tejler, kreu i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të 25 qershorit si dhe për dijeni z.Donald Lu, ish-ambasador i SHBA-ve dhe Romana Vlahutin-it, ish-ambasadore e BE-së. Aty shprehej shqetësimi për hapin prapa që u bë në zgjedhjet e 25 qershorit si dhe u kërkohej partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë që të vendoseshin përfundimisht në anën e popullit shqiptar dhe jo në anën e politikanëve të korruptuar e autokratë të Tiranës që blejnë, vjedhin dhe manipulojnë zgjedhjet me paratë e marijuanës dhe të krimit, sepse pa zgjedhje të lira dhe pa demokratizimin dhe modernizimin e partive politike ky vend nuk do të ketë as përparim, as liri të vërtetë dhe as stabilitet.

Me këtë shqetësim, kërkova takim me shefin tuaj, ambasadorin Borchardt, dhe ai u bë në zyrat tuaja, më 12 tetor 2018.

I thashë eprorit tuaj se Shqipëria ka probleme të mëdha me zgjedhjet, se ato nuk janë të lira dhe të barabarta. Në vend të zgjedhjeve të lira, në vend të sundimit të ligjit, në Shqipëri sundon marrëveshja PS-PD. Ato kanë zëvendësuar praktikisht institucionet demokratike të një republike. Rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it, sipas partisë ZGJIDHJA, prej të cilit varet çlirimi i zgjedhjeve, është depolitizimi i tyre.

Misioni juaj mendon se administrimi i zgjedhjeve mund të vazhdojë të bëhet nga PS dhe PD, edhe pse Shqipërisë i nevojitet një depolitizim i plotë i administratës zgjedhore. Mirëpo për këtë duhet domosdoshmërisht që në krye të procesit zgjedhor të jetë një institucion me njerëz krejtësisht të pavarur nga partitë.

PS dhe PD thonë sot se KQZ-ja jonë, që është siç ka qenë, do të vazhdojë të drejtojë dhe administrojë zgjedhjet, do të marrë vendimet decizive për zgjedhjet, do të licensojë dhe kualifikojë anëtarët e komisioneve të tjera. Trupa që duhet të administrojë zgjedhjet nuk duhet t’i nënshtrohet një selektimi nga kriteret që vendos KQZ-ja e PS+PD+LSI. Ajo duhet të përbëhet nga njerëz që zgjidhen për shkak të një cilësie ekstrapartiake, si p.sh., janë punonjës të bankave, profesorë të universiteteve, noterë, gjykatës, prokurorë, studentë ekselentë etj.

Depolitizimi i KQZ-së dhe çlirimi i zgjedhjeve nga administrata partiake është ndryshimi i parë thelbësor dhe i rëndësishëm për demokratizimin dhe pastrimin e zgjedhjeve.

OSBE-ja me të drejtë ka kërkuar që zgjedhjet të mos prodhojnë diskriminim për askënd dhe në rastin konkret, pa kontributin e organizmave ndërkombëtare, veçanërisht të OSBE/ODIHR-it, nuk mund të hiqen pengesat artificiale mbi partitë e reja dhe joparlamentare dhe nuk mund të bëhen zgjedhje të lira dhe të barabarta, ashtu siç e përkufizon Kushtetuta e Shqipërisë.

  1. Z. Wilton! Në Shqipëri janë cenuar qartësisht dhe diskriminohen partitë e reja gjatë zgjedhjeve. Dy-tri parti i ndajnë me marrëveshje në tavolinë votat e partive të tjera. Partitë e reja janë si filizat e rinj që sapo janë mbjellë dhe partitë e vjetra ua marrin votat, sepse liderët e tyre nuk duan konkurencë, nuk duan pluralizëm, nuk duan askënd që t’ua prishë ëndrrën për ta sunduar përjetësisht këtë vend. Në këto kushte këtu s’mund të lindë kurrë një elitë e re politike. N.q.s. një partie këta i mohojnë 5 deri në 10 vota për çdo qendër votimi, i bie që në rang republike PS dhe PD t’i vjedhin kësaj partisë në fjalë, 27 mijë deri në 53 mijë vota. Ju kujtoj i nderuar zv/ambasador i OSBE-së se PS dhe PD nxjerrin deputetë me 5-6 mijë vota. Kështu këto dy parti-kuçedra, nuk e lejojnë këtë partinë e re të ketë dyfishin e votave dhe të deputetëve në zgjedhjet e ardhshme, sepse e gllabërojnë dhe e zerojnë qysh në sprovën e parë. Dhe në këtë rast ju thoni se rezultati i zgjedhjeve nuk u ndikua nga ky krim monstruoz, sepse kjo foshnja politike që vdiq nuk qe aq e madhe dhe nuk mund ta ndryshonte raportin e forcave!

ZGJIDHJA e ka thënë shpesh se nëse zgjedhjet s’janë të barabarta dhe nuk administrohen në mënyrë të besueshme, individët më të mirë të Shqipërisë nuk do të kenë kurajon për t’u përfshirë në politikë dhe Shqipëria kurrë s’do të jetë një partnere e vlerave europiane.

Zgjedhjet që ju përmendët ishin, sipas jush, “një hap përpara”, por për shqiptarët ishin një maskaradë zgjedhore, e certifikuar nga OSBE/ODIHR-i.

Kështu nuk mund të vazhdohet më. Fatkeqësisht ju i justifikoni deri në fund këto palo zgjedhje që u imponojnë shqiptarëve PS, PD dhe LSI, nën mbikqyren dhe mbrojtjen e OSBE-së. Imagjinoni, i dashur z.Wilton, sikur në Anglinë tuaj të bëheshin një palë zgjedhje të tilla! Populli shqiptar meriton të drejtat dhe standartet demokratike si të gjithë popujt e tjerë. Prandaj ju lutem të mos pajtoheni me paragjykimet e disa njerëzve se populli shqiptar është i prapambetur dhe nuk meriton liritë dhe të drejtat që gëzojnë gjithë qytetarët e vendeve demokratike në botën e civilizuar.

ZGJIDHJA kërkon që çështja e zgjedhjeve në Shqipëri të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Nuk ka një kohë tjetër për ta zgjidhur këtë problem. Nëse Shqipëria nuk e zgjidh këtë çështje, ne besojmë që situata e saj do të vështirësohet akoma më shumë, ekonomia do të degradojë më tej dhe stabiliteti nuk do të jetë i dëshiruari.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

6
Koço Kokëdhima: Rruga e vetme, që shpëton Shqipërinë!

Koço Kokëdhima: Rruga e vetme, që shpëton Shqipërinë!

 

Pavarësisht se përfaqësuesit e dy partive, PD-LSI, në KQZ i firmosën dhe i njohën rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2017, për të gjithë ishte e qartë se Edi Rama dhe Rilindja, edhe pse pa asnjë program dhe madje pa asnjë premtim, i kishte fituar ato më së shumti, si shpërblim dhe pasojë e asaj që ndodhi në vitin 2016, me kanabizimin e vendit dhe lulëzimin e trafikut të drogës, me kapjen e shtetit dhe të zgjedhjeve. Nëse opozita parlamentare këtë gjë e deklaroi vetëm pasi pa që Edi Rama nuk po i përmbahej marrëveshjeve të fshehta me liderët e tyre, ZGJIDHJA, nëpërmjet thirrjes për bojkot që gjatë fushatës elektorale, ishte e qartë dhe e sigurt për atë që po ndodhte dhe pasojat që do të vinin nga një qeverisje e dalë nga votat e mbledhura, në bashkëpunim me krimin.

Në tryezën e Frontit Opozitar, mbajtur më 18 tetor 2017, në fjalën time si kryetar i “Zgjidhja” u kërkova Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit, që vendi duhej të shkonte urgjentisht në zgjedhje të parakohshme pasi qeveria e drogës në vazhdim do të prodhonte vetëm kriza dhe fuqizim të krimit në çdo fushë, veçanërisht në ekonomi. Kërkova që ky Front Opozitar që vdiq po aq shpejt sa lindi, të rriste presionin nëpërmjet nisjes së një lëvizjeje popullore, për të ndërprerë qeverisjen e Edi Ramës dhe për futjen e vendit në zgjedhje të reja, por me një kusht madhor: Krijimin e një qeverie tranzitore që do të përgatiste një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse përgjatë vitit 2018, e cila do të çlironte zgjedhjet nga kthetrat e partive dhe rrjedhimisht edhe nga bashkëpunimi me krimin e organizuar.

Kërkova që atëherë atë që artikulon sot Gjermania zyrtare, krijimin e një dosjeje për bëmat kriminale dhe korruptive të Ramës dhe të organizatës që ai drejton në pushtet dhe vënien kështu të tij, nën hetim.

Nuk dëgjuan dhe ja ku jemi sot pas kaq kohësh të humbura kot nga opozita parlamentare, e cila nuk e mbështeti atë projekt të partisë “Zgjidhja”, duke shpresuar në lojëra dhe marrëveshje të fshehta dhe të hapura me Edi Ramën, siç ka ndodhur mes këtyre partive gjithmonë.

Vendi, parlamenti, sistemi, politika dhe ajo pak demokraci formale që kishim janë bllokuar dhe rrezikohet, që Shqipëria të përfshihet në kolaps dhe konflikte të mëdha sociale. Ne jemi deklaruar pro dhe e kemi përshëndetur vendimin e partive opozitare parlamentare, për të dorëzuar në bllok mandatet-fasadë. Por gjithashtu ne dimë dhe duhet ta dinë të gjithë shqiptarët që në këtë pikë u arrit, vetëm pasi u prishën zgjedhjet dhe liritë republikane u zëvendësuan me marrëveshjet e fshehta dhe të hapura të tri partive të vjetra.

Gjithsesi kur të shkruhet historia politike e tranzicionit shqiptar post-diktaturë, do të kemi një bilanc për atë që i kanë bërë në të vërtetë të gjitha këto parti vendit dhe ardhmërisë së shqiptarëve.

Shqiptarët, po veçanërisht krerët e opozitës ish-parlamentare, e dinë se marrëveshjet e fshehta tashmë, nuk pranohen as nga militantë e tyre më të thekur. Pra jemi në një situatë që Edi Rama, me ndihmën e disa segmentëve ndërkombëtarë të politikës dhe diplomacisë, pasi ka ngelur në çarkun që ngriti vetë, po bën gjithçka që të përsërisë diçka të ngjashme me “postçadrën”.

Pala tjetër nuk do duhej ta pranonte këtë ofertë, sepse jo vetëm që nuk do zgjidhnin dot asgjë, por revolta brenda forcave të tyre politike, do t’i çonte në shkrirje e shpërbërje.

Sot jemi në një pikë që mund të konsiderohet, edhe si një shans për t’i dhënë fund tranzicionit. Uji është qelbur dhe turbulluar deri në atë farë feje, sa që e vetmja rrugë që ka është të rrjedhë dhe të kthjellohet.

Por si, cilat janë rrugët?

Pas lëvizjes së paprecedentë të ish-partive parlamentare, situata është kjo.

Edi Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet nga rruga që ka zgjedhur vetë dhe ne i themi: Zoti ta shtoftë inatin!

Nga ana tjetër, ish-opozita parlamentare, pas mbledhjes së kryesisë së PD-së dhe Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së, ka shpalosur një plan protestash afatgjata në çdo zonë të vendit.

Plani dhe retorika e tyre, përmblidhet vetëm në pikat: “Të largojmë Ramën dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike”.

Të gjitha këto janë të drejta dhe të domosdoshme, por krejtësisht të pamjaftueshme.

Duhet kuptuar se Shqipëria sot nuk është thjesht në një krizë politike dhe parlamentare, por në një bllokim dhe dështim total të sistemit politik.

Opozita ish-parlamentare ose ish-pushtetarët që tani janë në opozitë, duhet që në këto kohë të tejkalojnë veten si bashkëfajtorë në këtë tranzicion kriminal. Është koha që të tregojnë me vepra, se nuk synojnë thjesht një rotacion pushteti, një marrëveshje me Ramën dhe më gjerë për të siguruar imunitet penal për lidershipin e tyre nga Reforma në Drejtësi për krimet dhe korrupsionin që ata kanë kryer gjatë viteve që kanë qeverisur. Duhet të punojmë për hapjen e një epoke të re për Shqipërinë. E vërteta e hidhur është se PD dhe LSI nuk janë të gatshme të ndahen nga kjo e kaluar. Sa kohë që ato të përpiqen të ruajnë kontrollin partiak mbi zgjedhjet, asnjëherë nuk do t’i ndihmojnë dot kauzat e mëdha të popullit shqiptar. Përkundrazi, ata, së bashku me Rilindjen. do të vazhdojnë të mbajnë në shtypje, varfëri dhe keqqeverisje qytetarët tanë. Ne i ftojmë të reagojnë.

Vendi është në një situatë të jashtëzakonshme dhe reflektimi i të gjithë faktorëve, duhet të jetë i tillë.

Hapi i parë drejt kësaj është një projekt i qartë për një qeveri tranzitore së cilës i duhet dhënë kohë e mjaftueshme dhe mbështetje e plotë për një reformë përfundimtare elektorale dhe kushtetuese, për demokratizimin e zgjedhjeve dhe të partive politike shqiptare.

Kjo qeveri nuk duhet të ketë në gjirin e saj përfaqësues partish politike, por personalitete të spikatura të jetës akademike dhe publike të vendit, figura me integritet të plotë dhe ndershmëri personale dhe profesionale të gjithë-pranuar nga shqiptarët. Vendi ynë ka figura të lëna mënjanë nga politika e vjetër që janë të aftë dhe të gatshëm, për t’u angazhuar në këtë projekt historik për rithemelimin e një Republike ku elitat qarkullojnë dhe përtërihen normalisht.

Detyra themelore e kësaj qeverie, (edhe me një asistencë të kualifikuar ndërkombëtare) duhet të jetë çlirimi i votës, nëpërmjet ndryshimit total të Sistemit Zgjedhor, hapja e tregut për forcat e reja dhe për individët e pavarur, zhdukja e pabarazive dhe diskriminimit për partitë e reja; Garantimi i zgjedhjeve të ndershme ku vota të ketë të njëjtën peshë për të gjithë konkurentët, rikthimi i listave të hapura që populli të mund të zgjedhe drejtpërdrejt përfaqësuesit e tij; Renditja e deputetëve në propocional të bëhet nga lista emërore e mazhoritarit sipas votave që përfiton çdo kandidat i cili ka konkuruar, por nuk ka fituar në mazhoritar; Depolitizimin e KQZ dhe komisioneve partiake, që menaxhojnë procesin zgjedhor. Zgjedhjet duhet të administrohen nga një administratë jopartiake e përbërë nga punonjësit e bankave, noterët, gjykatësit, prokurorët, studentët e ekselencës së fakulteteve etj. Asnjë person që ka qenë komisioner dhe numërues i zgjedhjeve nga viti 1996 e deri sot nuk duhet të lejohet të përfshihet në administratën zgjedhore; Vendosjen e sistemit elektronik në votim dhe numërim, jo me teste dhe eksperimente, por njëherësh në të gjithë vendin. Nuk duhet lejuar më që të transportohen kuti të panumuruara për në ZAZ. Votat duhet të numërohen në qendrat e votimit; Forcimin e ligjit për financimin e partive dhe fushatave; Reformimin e plotë të ligjit të partive, i cili duhet t’i detyrojë forcat politike për zbatimin e rregullave të brendshme demokratike, primareve, debatit, fraksioneve, standartet e partive moderne demokratike etj; Vendosjen e referendumeve lokale e kombëtare si praktikë normale për çështje madhore që prekin drejtpërdrejt interesat e qytetarëve; Ndryshimet ligjore që do mundësojnë president të zgjedhur nga populli dhe deputetë pa asnjë imunitet në ligje ose në Regulloret e Kuvendit; Vendosjen e dënimeve shumë të forta në Kodin Penal për veprat kriminale të shitjes, blerjes, falsifikimit, shantazhit, ofrimit ose premtimit të vendeve të punës në shtet, etj, në funksion të mbledhjes së votës dhe manipulimit të procesit zgjedhor.

Kjo është e vetmja rrugë që Shqipëria të dalë nga kjo krizë dhe situatë e rëndë dhe komplekse.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

 

8
Koço Kokëdhima: Nuk na duhen zjarrfikës të huaj politikë, por zgjedhje demokratike

Koço Kokëdhima: Nuk na duhen zjarrfikës të huaj politikë, por zgjedhje demokratike

Situata politike në vend nuk është e papritur. ZGJIDHJA e kishte parashikuar këtë që do të ndodhte që dy vite më parë. Ajo kishte mbështetur protestën e PD-së për ‘Republikën e Re’, kërkesën për zgjedhje të parakohshme parlamentare pa qeverinë e Edi Ramës dhe një reformim të thellë të procesit zgjedhor, ku të mos ndodhte më që populli voton dhe partitokracia numëron votat. PD-ja i tradhëtoi këto kauza me pazaret në tavolinë.

Tani jemi rikthyer dy vite pas. PS-PD-LSI po kacafyten jo për t’i kthyer pushtetin popullit, por për pushtetin, interesat dhe amnistimin e krimeve të tyre. Pasojat e përleshjes së tyre nuk do t’i vuajë askush më shumë se sa vendi dhe populli.

Faktori ndërkombëtar pritet që të ndërhyjë sërish për t’i pajtuar në tavolinë, që ata t’i bëjnë lëshime, t’i japin garanci, imunitet, alternim dhe përjetësi në pushtet njëri-tjetrit. Kjo nuk i duhet askujt përveç mafies së tri partive.

Kriza të tilla kemi parë mjaftueshëm këto dy dekadat e fundit. Ndërkombëtarët, në emër të stabilitetit, kanë mbyllur sytë dhe veshët përballë rrënimit të shtetit ligjor dhe vlerave demokratike, kanë mbështetur qeveritë dhe partitë, duke braktisur popullin shqiptar.

Kjo nuk duhet përsëritur në vitin 2019. Një stabilitet fals për të garantuar paktin e tri partive vetëm sa e zgjat agoninë e Shqipërisë, shton radhët e shqiptarëve që braktisin vendin, rrënon shpresat për hapjen e negociatave me BE-në dhe e mban Shqipërinë në një gjendje ku eksplozioni social mund të ndodhë nga momenti në moment.

Nuk na duhet as një ‘Crocodile’. Nuk na duhet më një dërgatë europiane, një marrëveshje ‘Mac+’ dhe një 17-18 maj tjetër. Shqipërisë i duhet sot një reformim i thellë i sistemit politik si në demokracitë perëndimore dhe jo shpikje për një vend të botës së tretë ku vihet paqe mes tribuve në luftë për territore dhe pasuri. Të tilla kemi parë që nga marrëveshja e Triestes në vitin 1997. Sot kemi të njëjtat parti që mbajnë peng vendin për interesat e tyre politike dhe ekonomike.

ZGJIDHJA kërkon nga ndërkombëtarët që të mos vijnë këtu me misionin dhe kostumin e zjarrfikësve. Ata mund ta shuajnë flakët e momentit, por kështu nuk mund të ndalin rrënimin e Shqipërisë. Ata duhet të vijnë këtu si bartës dhe mbrojtës të vlerave europiane. Duhet të imponojnë me forcë, siç bënë me reformën në drejtësi, reformën elektorale bazuar në standardet dhe vlerat e një republike të vërtetë demokratike. Duhet të ndjejnë peshën e fajit sepse në Shqipëri, si në asnjë vend tjetër demokratik, tri parti kanë në dorë procesin zgjedhor dhe ia kanë hequr popullit çdo të drejtë, kur vendet e Europës tashmë duan që gjithçka të ketë miratimin referendar, me votë direkte nga populli. Nëse nuk vijnë me këtë mision, më mirë të mos mundohen. Por të mos harrojnë se fiks 22 vite më parë, sollën mijëra forca paqeruajtëse për të mbrojtur dhe ushqyer me ndihma humanitare popullin shqiptar, që ishte çuar në krizë dhe anarki nga këto parti dhe nga kjo klasë politike.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

1
Kokëdhima: Jo qeverisje me marrëveshje PS-PD-LSI, por reformë kushtetuese dhe zgjedhore

Kokëdhima: Jo qeverisje me marrëveshje PS-PD-LSI, por reformë kushtetuese dhe zgjedhore

Ndërsa vendi është në krizë të thellë politike, pas vendimit të PD-LSI për të djegur mandatet dhe refuzimit të qeverisë për qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme, disa zyrtarë të Parlamentit Europian, pritet që të vijnë të mërkurën e ardhshme në Tiranë, për të nisur dialogun mes palëve. Por kreu i partisë ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, u shpreh se vendi nuk ka nevojë për një pakt të ri mes palëve politike, por për reforma të thella. “Kujtesë për ndërkombëtarët: Shqipëria nuk duhet të qeveriset nga marrëveshja PS-PD-LSI. Asaj i duhen reforma kushtetuese dhe ajo zgjedhore. Krizat vijnë nga sistemi politik dhe zgjedhjet e kapura’-u shpreh Kokëdhima në një status në Twitter.

 

1
Deklaratë shtypi e partisë ZGJIDHJA: Protesta e këpucëve për shqiptarët e larguar

Deklaratë shtypi e partisë ZGJIDHJA: Protesta e këpucëve për shqiptarët e larguar

 

 

Këto foto trishtuese janë bërë dje në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut. MIjëra qytetarë në Shkup lanë para bashkisë këpucët e të afërmve të tyre që janë detyruar të emigrojnë nga politikat e këqija shtetërore.

Dhe në Maqedoninë së Veriut, shumica e të larguarve janë shqiptarë që nuk gjejnë mundësi jetese në një shtet ku ende vijojnë politikat diskriminuese të autoriteteve slave.

Por mendoni pak se sa këpucë do të vendosnin shqiptarët e Shqipërisë për të afërmit e tyre që janë detyruar të braktisin në masë vendin prej shkurt-marsit 1991, të përzënë nga politikanët e tyre. Shqipëria e sotme ka mbetur me vetëm 2.8 milionë banorë, ndërsa mbi 1.5 milionë janë larguar në emigrim. Vetëm në 5 vitet e fundit rreth 400 mijë shqiptarë u larguan, sepse vendi i tyre nuk u ofron asgjë.

Do të ishte një protestë simbolike, por shumë kuptimplotë dhe akuzuese për të gjitha qeveritë që nuk punuan një ditë për ta, por e zbrazën vendin, e bënë të pashpresë dhe të braktisur. Shqiptarët duhet t’I çojnë këpucët e të afërmve përpara kryeministrisë dhe selisë së kryesisë së Kuvendit, atje ku është burimi i shkatërrimit të vendit, aty ku është parajsa për një grusht politikanësh dhe klientësh të tyre dhe ferri për popullin. Një protestë e organizuar jo nga partitë e vjetra dhe për to, por kundër tyre, qytetare dhe akuzuese.

1