Antimafia italiane, si ZGJIDHJA, kërkon monopol shtetëror mbi kanabisin

Antimafia italiane, si ZGJIDHJA, kërkon monopol shtetëror mbi kanabisin

“T’i japim shtetit italian monopolin e prodhimit e shitjes së drogave të lehta”. Kështu është shprehur me kurajo Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti. Deklarata e tij më jep personalisht jo pak krenari. Para tre vjetësh, si deputet i Shqipërisë, isha i pari dhe i vetmi që kërkova që edhe Shqipëria të legalizojë kanabisin, ta kthejë kultivimin dhe tregtimin e tij në një industri fitimprurëse nën kontrollin e shtetit, për qëllime ekonomike, farmaceutike, industriale dhe eksporte me leverdi për vendin. E hodha këtë ide i qartë se sulmi i Edi Ramës me ushtrinë në Lazarat nuk do ta zgjidhte aspak problemin e marijuanës, por do ta thellonte atë në përmasa të paimagjinueshme, ashtu siç e vërtetoi rrjedha e ngjarjeve. Nga plani ogurzi i dyshes Rama-Tahiri lindi me dashje një krijesë e mirëfilltë Frankejshtani. Lindi si një përbindësh mafia më e tmerrshme që ka njohur ky vend, mafia shtetaro-kriminale e marijuanes, e cila, pasi ka vënë nën thundër, institucionet e Shqipërisë, është nisur të bëjë hatanë dhe në anën tjetër të Adriatikut. Uragani i kanabisit që ka përmbytur Italinë, veçanërisht 2 vitet e fundit nga Shqipëria e Edi Ramës, duket se ka “gjunjëzuar” edhe një shtet me struktura të fuqishme antikrim. Ne fjalën e tij në kongresin vjetor të gjyqtarëve italianë, Franko Roberti u shpreh me vendosmëri se përballë rrezikut të pushtimit të Italisë nga mafia e drogave të lehta me epiqendër Shqipërinë, “i kemi kërkuar qeverisë dhe parlamentit italian një zgjidhje të pashmangshme: t’i japim shtetit monopolin e prodhimit e shitjes së drogave të lehta. Legalizimi i drogave të lehta do të ishte një goditje e rëndë e klaneve kriminale. Shteti duhet të prodhojë e të shesë droga të lehta të cilësisë më të mirë e me çmime më konkuruese se ato të trafikuara nga klanet kriminale”. Ky është opsioni që kanë zgjedhur dhe vende të tjera fqinje të Shqipërisë si Maqedonia, Greqia apo Kroacia.
Edi Rama, në vend që këtë aset ta shfrytëzonte për eksporte legale në favor të financave të shtetit, ai e vuri biznesin e kanabisit në dispozicion ekskluziv të krimit për pasurimin e klanit te tij dhe mbajtjen e Rilindjes ne pushtet me vota të blera dhe të vjedhura. Tani jemi në një situatë të paprecedentë në historinë e vendit. Vetëm ZGJIDHJA në pushtet do ta pastrojë Shqipërinë, qeverinë dhe institucionet nga kriminelët dhe mafiozët dhe do ta kthejë marijuanën në një të mirë të madhe për njerëzit dhe për buxhetin e shtetit. Koha dhe deklaratat e shefit italian te Antimafias Franko Roberti po i japin tërësisht të drejtë ZGJIDHJA-s !

0
Intervista e kryetarit të ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, në Radio Tirana

Intervista e kryetarit të ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, në Radio Tirana

Zoti Kokëdhima çfarë po ndodh me vendin tonë?

Çfarë po ndodh me vendin tonë është një pyetje që shqetëson të gjithë njerëzit, sepse punët e Shqipërisë nuk po shkojnë mirë. Vendi është në varfëri dhe në papunësi shumë të lartë. Të rinjtë dhe të rejat, njerëzit e aftë dhe të zotë, talentet e reja të Shqipërisë, të gjithë po e lënë vendin, po emigrojnë. Këtu çdo ditë e më shumë shtohen njerëzit në pension, ka më shumë pleq, fëmijë dhe të sëmurë. Në vend sundojnë monopolet, liritë ekonomike dhe politike janë inekzistente, sepse në politikë është në fuqi sistemi i partitokracisë, sundimi i 3-4 njerëzve. Roli i sovranit është eliminuar, praktikisht. Populli nuk zgjedh dot as përfaqësues, as kryetar, as këshilltarë bashkish, as deputetë, asgjë. Të gjithë i zgjedhin tre kryetarë partish. Ata i imponohen popullit dhe populli voton listat e kryetarëve. Institucioni i zgjedhjeve është totalisht i pabesueshëm. Shqipëria nuk bën dot zgjedhje të lira dhe të ndershme. Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në kontinent ku zgjedhjet i administrojnë dy-tre parti të vjetra, që numërojnë votat e të gjithë kundërshtarëve të tyre. 2017-a është një moment përkeqësimi i situatës së zgjedhjeve në Shqipëri, kur ato u dominuan si asnjëherë tjetër nga bandat kriminale të marijuanës dhe paratë e tyre vendosën fatin e këtyre zgjedhjeve. Pra, jemi në momentin kur të gjitha institucionet kushtetuese në Shqipëri afektohen nga këto grupe kriminale. Jemi në momentin kur këto grupe kriminale lajnë hesapet rrugëve, në mes të ditës, qytetit, diellit. Ato kontrollojnë de facto territorin.

Kujt i përkasin këto grupe kriminale, pozitës, apo opozitës?

Krimi dhe kriminelët nuk janë as të majtë dhe as të djathtë. Janë kthyer në një shqetësim të madh për Shqipërinë dhe kriminalizimi i politikës në të vërtetë ka filluar herët. Është Berisha dhe Partia Demokratike ajo që kriminalizoi politikën në vitet e shkuara…

Në periudhën e Berishës ju keni qenë një biznesmen i fuqishëm. Vazhdoni ta ushtroni këtë fuqi në biznes? E keni ndjerë si biznesmen trysninë e këtyre bandave që sapo përmendët?

Nuk kam asnjë raport ndikimi të drejtpërdrejtë, por ato ndikojnë në gjendjen e përgjithshme në Shqipëri, në mbarëvajtjen e saj, rendin, sigurinë, nivelin e besimit të njerëzve, optimizmin e shoqërisë e kështu me radhë. Në këtë pikëpamje të gjithë ndikohen nga këto lloj historish.

Në vitin 2014 ju kërkuat në parlament legalizimin e kanabisit. Patët kundërshtime të forta ndërkohë që sot jemi në një situatë politike ku ministrat akuzohen se kanë qenë pjesë e bandave të kanabisit. I qëndroni përsëri tezës suaj për legalizimin e kanabisit? Po në programin e partisë që ju drejtoni keni përfshirë programin tuaj për kanabisin, se si mund të administrohet?

ZGJIDHJA e ka pjesë thelbësore të programit ndërtimin e ekonomisë kombëtare, legale të marijuanës.

Do të kishte përfitime vendi?

Vendet fqinje e kanë legalizuar që të gjitha. Greqia, Maqedonia, Kroacia, që të treja e kanë bërë këtë proces. Kur e nisëm ne historinë për legalizimin e kanabisit farmaceutik, këtë ide e kemi bërë publike dhe e kemi debatuar që në mesin e vitit 2014, vendet fqinje ende nuk e kishin nisur debatin publik për kanabisin. Ata e filluan më vonë, e përfunduan dhe e miratuan dhe tani janë në fazën që bëjnë të ardhura me kanabisin. Ne predikuam luftën represive ndaj kanabisit si qeveri, si institucione dhe e injoruam atë që bënin shtetet e tjera, atë që bënin popujt e tjerë në Evropë, në Amerikë, në Kanada në emër të “kujdesit të madh” të qeverisë për popullin dhe për rininë. Të tjerët bënë përpara në një mjedis kur kultura dhe vlerësimi për kanabisin bënte progres ndryshe nga çfarë predikonin zyrtarët e Shqipërisë. Kanabisi nuk është bimë e keqe, është një bimë e bekuar nga Zoti, ka vlera dhe cilësi të jashtëzakonshme. Me kanabis prodhohen 50 mijë artikuj të dobishëm për njeriun. Prodhohen ushqime, produkte industriale, ilaçe. Mbi 170 sëmundje kurohen me kanabis dhe në masë të madhe të këtyre sëmundjeve nuk ka kurim efektiv alternativ. Sigurisht që unë gjithmonë kam predikuar që rinia nuk duhet të provojë eksperienca të varësisë ndaj substancave narkotike dhe specifikisht ndaj kanabisit. Bëj pjesë te njerëzit që jam shumë sensibël për këtë çështje. Ne nga ana tjetër, nuk mund t’ia lëmë hapësirën dhe territorin mafies së kanabisit, siç ndodh në Shqipëri praktikisht. Përkundrazi, ne duhet që të marrim masa afektive që të bëjmë rezultate, të bëjmë para me kanabisin, jo të shpenzojmë para dhe para të bëjë vetëm mafia, ndërsa qeveria vetëm të shpenzojë dhe populli vetëm të vritet dhe të implikohet penalisht në një veprimtari kriminale në përmasa të tilla si këto që përjetoi Shqipëria gjatë këto 2-3 viteve të fundit.

Cili është projekti që ka ZGJIDHJA për kanabisin?

Ne kemi shpjeguar që të përmirësohet legjislacioni për kanabisin, për kërpin, sepse edhe në çështjen e kërpit ne kemi legjislacion dhe pozitë inferiore.

Ka qenë një bimë industriale në kohën e Hoxhës…

Sigurisht dhe është një bimë që përdoret në industri për shumë përfitime. Edhe këtu në këtë çështje ne kemi kufizime absurde të pakuptueshme dhe askush nuk merr mundimin që t’i rregullojë këto gjëra. Ne kemi kërkuar prerazi që të dekriminalizohet përdorimi i marijuanës, që të mos dënohet asnjë person, asnjë i ri dhe e re, si përdorues, se i kapin me 2 apo 10 gram kanabis.

Mund të sjellë varësi kjo? Duke qenë se nuk do të dënohen atëherë mund ta marrin rregullisht dhe të krijojnë varësi nga kanabisi?

Kudo që është liberalizuar kanabisi është ulur konsumi i tij, nuk është shtuar. Duhet të kuptohemi, ne jemi prindër të gjithë dhe të gjithë kemi merak se ndoshta fëmijët tanë ekspozohen ndaj përvojave të konsumit të kanabisit, por ne duhet të kemi kurajë t’i shohim si janë të vërtetat. Kanabisin e shpërndajnë mafiozët në çdo shkollë, lagje, shtëpi. Nuk i kufizon askush dhe ne nuk mund të themi se duke e mbajtur këtë qëndrim të sotëm, nuk jemi duke e zgjidhur çështjen e njerëzve që janë të ekspozuar ndaj rrezikut të konsumimit të kanabisit. Familjet me fëmijë që kanë varësi ne nuk i ndihmojmë si shtet në një kohë që duhet t’i ndihmojmë. Duhet t’i nxjerrim këto fëmijë nga thonj e shpërndarësve dhe të kriminelëve të drogës. Nuk duhet të lejojmë që fëmijët tanë të kenë raporte konfidente me njerëz të botës së krimit. Kanabisi duhet të jetë në farmacitë e shtetit dhe duhet të evidentohet plotësisht edhe një person që blen kanabis me autorizim. Shteti duhet të ketë dije të plota për gjithçka.

Pra, ju thoni që do të funksionojë një praktikë që, ai që blen kanabis do ta blejë ligjërisht dhe do të regjistrohet për blerjen e produktit?

Sigurisht! Prodhimi i kanabisit duhet rregulluar me ligj, me licencat e shtetit dhe duhet drejtuar nga shteti. Shteti duhet të jetë blerësi i atij prodhimi që autorizohet të bëhet. Po shteti duhet ta grumbullojë dhe ta autorizojë industrinë përpunuese dhe shpërndarjen e tij. Në këtë mënyrë ne do të kemi mundësi që edhe të bëjmë të mira për njerëzit edhe të bëjmë para, sepse ne kemi nevojë për çdo gjë. Nuk mundet që të bëjmë sikur nuk shikojmë kur të gjithë trafikantët marrin fëmijët dhe gratë dhe i bëjnë dru në parcelat e kanabisit, pa asnjë mbrojtje ligjore, pa asnjë kusht pune, pa mjetet e duhura. I shfrytëzojnë dhe pastaj nuk ua japin as paratë. Prandaj kjo histori duhet të zgjidhet. Por çfarë ndodh në Shqipëri? Ajo që ndodhi në Shqipëri është shumë e shëmtuar, shumë dramatike. Në Shqipëri qeveria, nga kryeministri, me ministrin e Brendshëm dhe me funksionarë dhe zyrtarë të lartë të shtetit e bën kanabisin në të gjithë vendin një industri kriminale ku fitimet kryesore i mori po kjo kupolë që drejton qeverinë dhe vendin. E tmerruam Europën, e diskredituam Shqipërinë si kurrë ndonjëherë. Kur mafiozët, banditë ordinerë të provincave, në komunikimet e tyre, tregojnë dhe rrëfejnë me njëri-tjetrin se si mbajnë llogaritë financiare me ministrin e Brendshëm, se si takojnë grande kapot e Shqipërisë. E çnderuan deri në fund shtetin tonë dhe emrin e Shqipërisë dhe i shkaktuan gjithë këtë pasojë të rëndë pozitave dhe interesave të vendit tonë në të gjithë botën.

Cilët janë politikat qeverisëse të partisë ZGJIDHJA?

ZGJIDHJA është një alternativë që synon ta përmbysë elitën politike që qeverisi këtë vend në këto 25 vjet. Shqipëria ka një situatë, ku liritë politike dhe ekonomike janë eliminuar. Këtu sundojnë kryetarët e partive, monopolet, koncesionet dhe oligarkët e lidhur me ta. Zgjidhja ka si qëllim të instalojë lirinë e konkurencës në politikë, të çmontojë pushtetin e kryetarëve të partive. Ajo dëshiron që të largojë këto parti që e kanë kapur shtetin, qeverisjen, ekonominë dhe gjithçka. ZGJIDHJA do të mundësojë që djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë më të mirë të këtij vendi, t’i vendosim në krye të punëve të shtetit dhe të popullit. Nuk bëhesh dot sot deputet, këshilltar, as kryetar bashkie po nuk të vuri kryetari i partisë.

Si mund të zhbëhet ky sistem?

Projekti i ZGJIDHJA-s është pikërisht për ta zhbërë këtë sistem. ZGJIDHJA nuk do t’i zgjedhë përfaqësuesit nga forumet e larta të partisë, as nga kryetari i saj. Përfaqësuesit e ZGJIDHJA-s për pushtetin vendor dhe qendror do të zgjidhen nga populli përmes zgjedhjeve paraprake. Edhe në zgjedhet e ardhshme vendore, ne do t’i çojmë kandidaturat tona dhe të konkurojmë me çdo qytetar që vetëregjistrohet tek ne për t’u zgjedhur këshilltar apo kryetar bashkie. Përmes zgjedhjeve paraprake, këtë kompetencë ne ja kalojmë popullit dhe ne nuk pengojmë në këtë mënyrë asnjë qytetar që kërkon të konkurojë nën siglën e ZGJIDHJA-s, respektivisht për këshilltar apo deputet.

Ju jeni të gatshëm të pranoni edhe të pakënaqurit nga partitë e tjera?

Ne nuk i ndajmë njerëzit në të kënaqur apo të pakënaqur, por kur ofrojmë këtë projekt politik, abstragojmë nga emrat dhe personat e përveçëm dhe flasim për parime dhe një projekt politik. ZGJIDHJA dëshiron të çlirojë situatën në vend nga mungesa thelbësore e lirisë kushtetuese për t’u zgjedhur apo për të zgjedhur lirisht.

Do të pranonit koalicion me partitë e mëdha?

Partitë që kanë qeverisur Shqipërinë, janë pjesë e sistemit politik, e kësaj elite të diskretituar politike dhe ne nuk do të bëjmë koalicion me asnjë nga këto parti. As me Partinë Demokratike as me Partinë Socialiste, as me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ne nuk do të bëjmë asnjëherë koalicion elektoral. ZGJIDHJA bisedon dhe do të bisedojë me të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë në Shqipëri. Nuk kemi asnjë paragjykim që të shkojmë në çdo tryezë e të shpalosim pikëpamjet tona. Por ne nuk do të bëjmë koalicion. Ne i kemi kundërshtare këto parti. Do të përpiqemi që t’i largojmë nga drejtimi i Shqipërisë këto njerëz që i kanë kapur këto parti.

Çfarë ofron ZGJIDHJA në këndvështrimin ekonomik, duke qenë se jeni edhe biznesmen?

Ne mund ta ngrejmë ekonominë e Shqipërisë, mund t’i japim një rrugë Shqipërisë. Çdo popull dhe çdo shtet ka nevojë për një skemë të grumbullimit të pasurive. Çdo popull duhet të pasurohet. Në çdo vit që kalon një komb duhet të bëjë pasuri dhe duhet të ketë më shumë pasuri se një vit më parë. Fatkeqësisht Shqipëria po varfërohet, nuk po pasurohet sepse nuk ka një skemë, një mënyrë sesi të pasurohet sepse nuk ka menduar njeri për këtë punë. Nuk e qeverisin Shqipërinë njerëzit e zotë, por e qeverisin tutkunët dhe kusarët, tutkunët dhe të korruptuarit, tutkunët dhe të mallkuarit. Këta e qeverisin Shqipërinë. Ndërkohë që ne do ta ndryshojmë këtë histori. Bujqësia sot është totalisht e braktisur. Kemi gjithë atë popull që mund të jetonte me bujqësinë, por është një sektor që nuk i jep gjë buxhetit të shteti, as populli nuk është i lumtur dhe as kontributet për sigurimet shoqërore nuk vijnë nga shumica e fshatarëve dhe e ardhmja e tyre në moshën e pensionit do të jetë copë-copë, do të jetë komplet e pambështetur dhe prodhimi i madh bujqësor nuk ekziston. Praktikisht as ushqimin e popullit ne nuk e bëjmë dot me gjithë këtë diell. Gjithë historinë, Shqipëria ka prodhuar bujqësi dhe blegtori. Edhe në kohët më të errrëta të pushtimeve të gjata. Ndërsa sot nuk bëjmë dot as mishin për vete. Sot edhe mishin Shqipëria e importon nga Brazili e Argjentina dhe marrin ato mishra që kanë nga 20 vjet nëpër frigoriferë dhe populli nuk di se çfarë ha. Plani ynë është që të bëjmë një bujqësi efektive dhe konkurruese në rajon, jo siç e kanë bërë këta që e kanë katandisur Shqipërinë që nuk konkuron as me Maqedoninë. Nuk eksporton dot Shqipëria në Maqedoni, ndërsa maqedonasit eksportojnë produktet e tyre bujqësore dhe blegtorale në Shqipëri. 150 milionë euro subvencione jep Maqedonia në bujqësi. Bashkimi Europian i jep gati 60 miliardë euro në vit subvencione bujqësisë dhe ushqimit të Europës, ndërsa këta tallen me bujqësinë dhe i japin 7-10 milionë dollarë në vit. Por edhe ato ia japin atyre që u bëjnë vota për kryetarët. ZGJIDHJA ka një projekt kompleks për ta nxjerrë bujqësinë nga kushtet e saj mesjetare, primitive dhe për ta vendosur bujqësinë në baza moderne për të organizuar prodhimin e madh bujqësor dhe blegtoral. Shqipëria dhe Kosova, sipas projektit të ZGJIDHJES do të prodhojnë së bashku, në mënyrë komplementare, ushqimin bazë të popullit shqiptar. Populli shqiptar në Ballkan duhet të ushqehet me prodhimet bazë të vetat dhe ne duhet të eksportojmë produkte ushqimore. Edhe në vitin 1989 ne kemi eksportuar 150 milionë dollarë të asaj kohe, perime dhe zarzavate, ndërsa sot gjendja e bujqësisë është mjerane. ZGJIDHJA do të realizojë atë kuadër ligjesh që mbështetin prodhimin e madh, ato politika fiskale dhe financiare që e nxjerrin bujqësinë nga prapambetja, që të kontribojë në buxhetin e shtetit që të bëjë të mundur që fshatarët tanë të jetojnë me punën e tyre, të jetojnë me dinjitet dhe populli shqiptar të ushqehet me ushqime shumë të mira që mund t’i bëjmë këtu.

Ju keni politika për ndryshimet fiskale të të ardhurave?

Rritja ekonomike e Shqipërisë, edhe sikur ta besojmë propagandën e qeverisë dhe informacionin që shpërndan, sipas së cilës është nga 2-4 për qind në vit, për një ekonomi inekzistente është praktikisht qesharake dhe nuk ka asnjë shpresë që shqiptarët të mund të krijojnë të ardhura mesatare vjetore të krahasueshme me vendet e tjera. As për 50 vjet nuk ndodh kjo gjë. Shqipëria duhet të ketë një rritje ekonomike 15-20 për qind. Mund të garantohet në Shqipëri një rritje e tillë, por jo nga këta qeveritarë, jo nga kryetarët e partive, jo nga këta të korruptuar dhe të paaftë që e kanë marë peng Shqipërinë dhe liritë e saj. Kjo nuk bëhet pa u dhënë hapësirë talenteve, aftësive krijuese të popullit tonë, pa u dhënë mundësi djemve dhe vajzave të zotë të Shqipërisë, burrave dhe grave të zotë të Shqipërisë, emigrantëve që janë pjesa më vitale, më e aftë dhe më e ndershme, pjesa më e mirë e Shqipërisë. Dhe ata të shtyrët mënjanë nga politika e sotme dhe kryetarët e partive. Nuk i qasin njerëzit e ndershëm, njerëzit e zotë. Po nuk qe i bërë pis nuk të mbajnë në politikë dhe në institucionet e shtetit.

E njëjta gjë ndodhi dhe me ju në politikë? Kjo ishte arsyeja e largimit tuaj?

Modeli im politik i tmerronte ata. Unë isha 30 muaj deputet. Por nuk ka ndodhur në historinë e domokracisë shqiptare që një deputet i thjeshtë, siç isha unë, i ardhur nga jashtë politikës, t’i trazojë ujërat e politikës në atë farë feje siç i trazova unë. Përvoja ime, sjellja ime politike, praktika dhe puna ime, ishin uthull dhe acid në plagët e kësaj politike që qeveris sot Shqipërinë. Ishin uthull dhe acid në kupolën e Partisë Socialiste, në kupolën e Partisë Demokratike dhe të partive të tjera që qeverisën Shqipërinë gjatë tranzicionit. Mua nuk është se më hoqën dot nga politika. Ndërprenë përpjekjet e mia për ta ndryshuar politikën dhe për ta reformuar Partinë Socialiste, por nuk më nxorrën nga politika, sepse nuk jam një burrë që tërhiqem, përkundrazi. Tani kam krijuar këtë projekt politik me idenë që t’i përmbysim këta politikanë dhe këto elita politike që i kanë tradhtuar interesat e popullit dhe të shtetit tonë. Pra dy degët prioritare, bujqësia dhe ushqimi nga njëra anë dhe turizmi nga ana tjetër janë dy degë që ZGJIDHJA i vlerëson si shtylla shumë të rëndësishme të ekonomisë së nesërme të Shqipërisë. Dhe në funksion të këtyre dy degëve do të zhvillonim politika shumë efektive dhe nuk do të bënim siç bën Edi Rama dhe siç ka bërë Saliu parpara tij që bëjnë fjalime gjithë kohën, u shplajnë trutë shqiptarëve me makinerinë e propagandës së tyre me demek turizmin dhe detin e mbytin çdo vit me fekale. Nëse ka një shans që ekonomia e Shqipërisë të ngrihet dhe të vendoset në binarët e rritjes së shpejtë, ne do ta bëjmë realitet. Këta dinë vetëm të marrin borxhe e t’i vjedhin, dinë vetëm të marrin borxhe e t’i bëjnë rrush e kumbulla me oligarkët e tyre. Këta dinë të humbin para, por jo të investojnë paratë e popullit dhe të shtetit atje ku ato kthehen më parë mbrapsht dhe të kenë mundësi t’i riinvestojnë. Nuk e dinë çfarë është eficensa, çfarë është efektiviteti, këta janë thjeshtë çiban në qafën e popullit. U bëj apel njerëzve që të mos dorëzohen, të mos trishtohen, të mos dekurajohen. Duhet të kemi besim te vetvetja, duhet të kemi besim te e ardhmja. Dhe gjithë njerëzit e zotë të këtij vendi duhet të marrin përgjegjësi. Ikja nuk është opsion që u jep zgjidhje plagëve të Shqipërisë. Është një opsion për disa individë, sigurisht, por ajo që duhet të apeloj unë është që njerëzit e zotë duhet të bashkohen. I keni provuar të gjithë këto politikanë. Njerëzit e zotë duhet të bashkohen rreth një alternative siç është ZGJIDHJA. Një rrugë e re politike dhe qeverisëse për Shqipërinë. Një alternativë e re për ndërtimin e shtetit, për ndërtimin e ekonomisë, të institucioneve, lirisë së shqiptarëve dhe për zhvillimin e këtij vendi. Ky është apeli im.

0
Fjala ime në tryezën e frontit opozitar

Fjala ime në tryezën e frontit opozitar

Të nderuar pjesëmarrës!
Tryeza jonë e frontit të bashkuar opozitar mblidhet në një nga momentet më të vështira të historisë së shtetit tonë që nga mbarimi i luftës së dytë botërore. Shqiptarët brenda dhe jashtë kufive shtetërorë ndihen sot të tronditur dhe të tradhëtuar nga qeveria e tyre. Shpreh besimin se pjesëtarët e kësaj tryeze do të dinë të ngrihen mbi interesat e ngushta partiake dhe do të venë mbi gjithçka, interesat e larta të vendit duke marrë përgjegjësitë e duhura për të sotmen dhe të ardhmen e popullit tonë dhe të brezave që vinë.
Saimir Tahiri është një kriminel që ka punuar për llogari të Edi Ramës. Rama është autori i vetëm i projektit kriminal të kanabizimit të Shqipërisë. Është shefi i kartelit të marijuanës dhe përfituesi kryesor i të ardhurave të tij. Ai e refuzoi projektin e ZGJIDHJA-s për ngritjen e ekonomisë kombëtare legale të kanabisit vetëm për t’i hapur rrugë projektit të tij mafioz. Forcat politike në Shqipëri nuk i kuptuan tendencat e tregjeve botërore e rajonale dhe prirjet kulturore të shoqërive të sotme për marijuanën. Ato nuk ngritën projekte politike si fqinjët tanë dhe shtetet e tjera në Europë e Amerikë, por i lejuan Edi Ramës ta kthente Shqipërinë në parajsën e mafies. Të gjitha vendet e tjera e shporrën këtë mafie dhe bëjnë biznes shumë fitimprurës për shtetet dhe shoqëritë e tyre me kanabisin.
Tahiri është vegël e verbër dhe e urdhëruar e Ramës. Ai i përdori gjithë dosjet e mijëra njerëzve të implikuar me shkelje penale në këtë aktivitet kriminal për të ndikuar vullnetin e zgjedhësve në 25 qershor. Tahiri shërbeu si banka dhe sekseri i Kryeministrit për të korruptuar deputetët e partive të tjera dhe të partisë së tij që të votonin planin për kapjen e drejtësisë dhe të reformës së saj, për të financuar gjithë intrigat dhe intrigantët në shërbim të pushtetit të Ramës, pagoi dhe rekrutoi deputetë nga të gjitha krahët për të kapërcyer rrezikun e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë në korrikun e vitit 2016, pagoi disa parti që u përdorën kundër rezistencës së opozitës dhe të forcave që kërkonin reformimin e zgjedhjeve në mars-prill-maj të vitit 2017. Pagoi e bleu gazetarë, opinionistë, media, diplomatë, shoqëri civile, komisionerë, numërues, kandidatë për deputetë, kundërshtarë e të pashpresë, vota e karta identiteti, parti dhe vëzhguesë, miq e armiq, të fortë e kriminelë etj.
Përgjimet e Habilajve treguan se sa para kanë destinuar ata çdo javë për blerjen e zgjedhjeve. Janë shumë banda të drogës si kjo e Habilajve që kontrollohen nga Rama e Tahiri. Rama i bleu zgjedhjet e 25 qershorit me miliardat e drogës dhe korrupsionit. ZGJIDHJA kishte aq të drejtë kur e ftoi popullin të bojkotonte 25 qershorin ose t’i bënte fletët e votimit të pavlefshme duke u vendosur atyre një Z të madhe. Ja pse gabuan partitë shqiptare, diplomatët e huaj dhe partnerët ndërkombëtarë që mbështetën Ramën për zgjedhjet në 25 qershor.
Rama ka uzurpuar partinë, qeverisjen dhe institucionet e shtetit, ka instaluar sundimin e plotë të oligarkisë së krimit, drogës dhe korrupsionit. Edhe në të kaluarën politika ka bashkëpunuar e flirtuar me krimin, por asnjëherë më parë mafia e drogës dhe bandat kriminale nuk kanë arritur të kontrollojnë qeverinë, parlamentin dhe institucionet e shtetit si tani. Rama e Tahiri i kthyen shefat e policisë në punëtorë krahu të brigadave të trafikantëve, ndërsa drejtorët e policisë në magazinjerë e sekserë të tyre. Të gjithë këta shefa e drejtorë u emëruan personalisht nga Rama dhe jo nga Tahiri. Kurrë Shqipëria nuk ka qenë më e turpëruar se sot. Rama ka kriminalizuar çdo qelizë të politikës dhe shoqërisë shqiptare, ka blerë mediat dhe me paratë e buxhetit ju bën lavazh truri shqiptarëve të varfër që jetojnë nën dhunën dhe terrorin e bandave kriminale, ka shkatërruar besimin e popullit, administratën, liritë politike dhe ekonomike, nderin, reputacionin dhe interesat e larta të shtetit tonë, ka cenuar rëndë sigurinë, rendin juridik dhe marrëdhëniet me fqinjët, ka kompromentuar perspektivën dhe integrimin europian të Shqipërisë, ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e shqiptarëve dhe interesat strategjike të shtetit dhe kombit tonë në rajon dhe në botë.
Saimir Tahiri si shefi i “policisë që duam”, si simboli i qeverisë “Rama”, si ministri i brendshëm më jetëgjatë dhe një nga dy “princat trashëgimtarë të Rilindjes” nuk mund të hetohet e gjykohet me Edi Ramën kryeministër. Dorëheqja e Edi Ramës është e domosdoshme për të krijuar kushtet minimale që drejtësisë t’i hapet rruga të hetojë Tahirin dhe Ramën. Rama duhet të vendoset nën hetim. Pa largimin e këtij kryeministri, nuk mund të ketë hetim, të vërtetë dhe drejtësi.
ZGJIDHJA nuk pret që Rama të bëjë vetë dorëheqje. Fronti i madh i opozitës me popullin, inteligjencën dhe shoqërinë civile do ta detyrojë atë të largohet. Lufta për rikthimin e besimit të qytetarëve te forca e tyre, te shteti, drejtësia, ligji dhe demokracia është gjëja më e rëndësishme që na ka mbetur të bëjmë.
Produktet e zgjedhjeve të blera nga mafia e drogës në 25 qershor janë ilegjitime. ZGJIDHJA propozon që zgjedhjet e reja të mbahen të parakohshme dhe detyrimisht pas reformës zgjedhore. Reforma zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Ajo nuk mund të bëhet në dëm të partive të reja, të lirisë së konkurencës apo si rezultat i pazareve mes partive të vjetra. Reforma zgjedhore duhet t’i çlirojë zgjedhjet nga partitë. Zgjedhjet duhet të administrohen nga një administratë shtetërore. Reforma zgjedhore të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së dhe të implementohet gjatë vitit 2018.
Fronti i bashkuar i opozitës do të koordinojë luftën opozitare dhe lëvizjen popullore për largimin e Edi Ramës nga kryeministër, në pastrimin e qeverisë, policisë dhe institucioneve nga kriminelët e drogës dhe të korruptuarit, do mbështesë zgjedhjen e një qeverie të re me një kryeministër të paimplikuar në krime e korrupsion, do të investohet në realizimin e reformës zgjedhore dhe në përgatitjen e zgjedhjeve të reja vendore e qendrore me standarde të larta si në të gjitha vendet e tjera të demokracive perëndimore. Aktiviteti politik i partive të frontit të bashkuar, përfshi axhenda e tyre parlamentare do të duhesh të kushtëzohesh kryesisht në funksion të këtyre objektivave. I ftoj partitë parlamentare ta braktisin parlamentin e parave të drogës dhe të luftojnë së bashku me opozitën jo parlamentare dhe qytetarët e Shqipërisë për këto objektiva madhore. Faleminderit.

0
Rama të dorëhiqet, Tahiri të arrestohet

Rama të dorëhiqet, Tahiri të arrestohet

Saimir Tahiri deklaronte publikisht në “Top Story” në shtator 2015: “Pse duhet të jap dorëheqjen, se ma kërkon opozita, se del një punonjës i policisë, që sot duhet të ishte në arrest, se paskam ca kushërinj të largët të cilëve iu kam shitur makinën dhe kjo qenka problem? Nëse zotërinjtë për të cilët bëhet fjalë gjenden fajtorë nga prokuroria dhe rezulton që janë trafikantë, po atëherë do i kërkoj falje publikut se iu paskam shitur makinën ca trafikantëve!”.
Dje u arrestua Moisi Habilaj, kushëriri në fjalë i Saimir Tahirit. Shërbimet Italiane kanë nje dosje me 416 faqe përgjime ku rezulton se Saimir Tahiri është i përfshirë direkt si mbështetës dhe përfitues milionash nga trafikantët e hashashit.
ZGJIDHJA nuk pret asnjë ndjesë nga ish-ministri i kartelit të drogës, që kanabizoi vendin, mbushi me drogë mbarë Europën, fuqizoi krimin e organizuar dhe e la vendin në dorën e bandave që lajnë hesapet rrugëve të qyteteve dhe fshtatrave të terrorizuara të Shqipërisë.
Çmontimi i kartelit shumë të rrezikshëm të drogës, që është në pushtet prej 4 vitesh duhet të nisë nga dorëheqja e Edi Ramës dhe arrestimi i Saimir Tahirit dhe dhjetra drejtuesve të lartë të policisë që u vunë në shërbim të trafikantëve, me dhe pa lidhje farefisnore, por me lidhje të fuqishme interesash për të nxjerrë milionat nga ekonomia kriminale e kanabisit. Agjensitë e huaja partnere të Shqipërisë i kanë të dokumentuara plotësisht se çfarë i bënë Shqipërisë dhe Europës këta trafikantë të veshur me pushtet.
ZGJIDHJA e ka denoncuar me qindra herë se pas trafikut të mariuanës qëndrojnë Edi Rama dhe Saimir Tahiri dhe se mafia e mariuanës ka kapur gjithçka dhe drejton vendin.
ZGJIDHJA inkurajon prokurorinë që të çojë deri në fund hetimet e nisura mëse dy vite më parë, t’i vlerësojë akuzat e ish-punonjësve të ndershëm të Policisë së Shtetit që u tradhëtuan, u shkarkuan apo u detyruan të lënë vendin dhe të kërkojnë azil politik në Europë, pasi mbetën në mëshirë të trafikantëve.
ZGJIDHJA do punojë për qetësimin e vendit, rikthimin e rendit dhe të sigurisë, drejtësisë dhe shtetit ligjor, për çmontimin përfundimtar të kartelit të drogës, që nis nga kryeministria dhe përfundon te trafikantët e mëdhenj. ZGJIDHJA do ngrejë ekonominë legale të kanabisit në favor të shtetit, do e dekriminalizojë përdorimin, do lirojë nga burgjet dhe do amnistojë të dënuarit si përdorues dhe do e zhdukë mafien e hashashit në Shqipëri.
Rama, në vend të spektaklit mediatik, me të cilin ua shplan trurin përditë shqiptarëve të mjerë të cilët jetojnë nën rregjimin e bandave të drogës dhe oligarkisë së krimit dhe të korrupsionit, duhet të paguajë çmimin për uzurpimin dhe rrënimin e shtetit, për shkatërrimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të institucioneve, qeverisë dhe interesave të larta ekonomike e shtetërore, për kriminalizimin e çdo qelize të shoqërisë dhe të shtetit, për shkatërrimin e lirive politike dhe ekonomike dhe për vendosjen e sundimit të plotë të oligarkisë së krimit dhe të korrupsionit në Shqipëri.
#ZgjidhjaPërShqipërinë

0
Sot u hapën dyert e universiteteve

Sot u hapën dyert e universiteteve

Mbi 145 mijë studentë, nga të cilët rreth 22 mijë të rinj, nisën sot vitin e ri akademik 2017-2018. ZGJIDHJA përfiton nga ky rast që t’u urojë atyre dhe trupës pedagogjike një vit të mbarë e të suksesshëm. Arsimi i lartë, si shumë sektorë të tjerë të jetës ekonomike dhe sociale, është, për fat të keq, në ditët më të zeza të historisë së tij, gati 80-vjeçare.
Mijëra të rinj, janë të privuar për të ndjekur shkollën e lartë. Reforma klienteliste në arsim, e propaganduar aq shumë nga Rilindja, e ka bërë të pamundur ndjekjen e shkollës së lartë për shtresat e varfëra. Shumica e studentëve të rinj, kanë zgjedhur të studiojnë në universitetin publik, të goditur aq ashpër nga një kompani e ashtuquajtur britanike, që u vë “yjet” e akreditimit universiteteve shqiptare, sipas dëshirave të klientelës së Rilindjes.
Qeveria e tutkunëve nuk i do të diturit dhe të shkolluarit. Ajo u përulet vetëm injorantëve dhe servilëve të pushtetit. Kjo është arsyeja pse shumë prej të rinjve që janë diplomuar ose bëjnë punë të rëndomta, jashtë shkollimit të tyre, ose kanë ikur nga sytë këmbët për të mos u shkuar dëm dijet dhe vitet e bukura të rinisë në një vend që përzë bijtë më të mirë të saj. Kjo është arsyeja pse mijëra prindër kanë vendosur që për hir të shkollimit dhe të ardhmes së fëmijëve të tyre, të kërkojnë azilin dhe qëndrimin illegal në vendet e Europës Perëndimore.
ZGJIDHJA është në krah të studentëve dhe prindërve të tyre. Ajo u bën thirrje që të mos ligështohen dhe të mos e humbin shpresën se ky vend do të bëhet një ditë. ZGJIDHJA do të jetë në krye të lëvizjes per për reformimin e arsimit dhe për përmbysjen e oligarkisë që ka kapur gjithçka në këtë vend, duke lënë mes katër rrugëve bijtë më të mirë të Shqipërisë. Ajo do bëjë të mundur që siç kanë thënë rilindasit “Drit’ e diturisë përpara të na shpjerë”.
#ZgjidhjaPerArsimin

0
Një libër i çmuar i TRUMP në shqip

Një libër i çmuar i TRUMP në shqip

Me shtëpinë time botuese MAX, sapo kemi hedhur në treg librin e tretë të Zotit DONALD TRUMP në gjuhën shqipe. Ky është një libër shumë i çmuar për gjithë sipërmarrësit, por sidomos për të interesuarit për biznesin e pronave të patundshme. TRUMP jo vetëm që ka krijuar një eksperiencë të jashtëzakonshme biznesi, por ka studjuar dhe zbatuar dijet e ekspertizën e njërëzve më të shquar në tregun e pronave të patundshme në botë. Secili nga ju që ka ndër mend të blej ose shesi një pronë, do të fitonte ose shpëtonte shumë para nëse e lexon këtë libër të shquar të Zotit TRUMP.

1
Rama nuk ia bën dot hesapet Europës, era e punëve të këqija i ka dalë ngado

Rama nuk ia bën dot hesapet Europës, era e punëve të këqija i ka dalë ngado

Një e përditshme gjermane ka botuar intervistën e Edi Ramës: “Kryeministri shqiptar shprehet se po i mbaron durimi me Evropën”. Kur gazeta e pyeti Ramën se pse Junker ka përmendur vetëm Serbinë dhe Malin e Zi për mundësi anëtarësimi në vitin 2025, ndërsa Shqipërinë as që e zuri në gojë, Rama u përgjigj: “Nuk e kuptoj këtë frikë të pabesueshme të udhëheqësve europianë. Kjo është çmenduri. Ndonjëherë pyes veten nëse këta liderë evropianë, e kanë menduar realisht se çfarë janë duke bërë!”. Të çmendur nuk janë evropianët që nuk ja hapin derën Shqipërisë. I çmendur është Rama që e ka vënë Shqipërinë nën pushtimin e trafiqeve më të ndyra që e lëndojnë ndërgjegjen e civilizuar evropiane. Vendin e zotëron mafia e marijuanës dhe oligarkia e korrupsionit. Atë e ka mbytur papunësia, padrejtësia, varfëria, dëshpërimi dhe dëshira e ethshme e njerëzve për të ikur një orë e më parë nga kjo skëterrë e Rilindjes. Tregjet, paratë, puna, licencat, mundësitë dhe resurset, kontratat dhe koncensionet janë përqendruar vetëm në duart e klientëve të koorporatës së kreut të Rilindjes dhe të oborrit të tij! Imazhi i Shqipërisë në Evropë dhe më gjerë ka rënë nën nivelet e kohëve më të mbrapshta të Sali Berishës. Shqipëria e Edi Ramës është shndërruar në sinonim i një kanceri social, që jo vetëm s’mund të integrohet në BE, por që duhet mbajtur për një kohë të pacaktuar në karantinë në mënyrë që mos të infektojë Europën nga trafiqet e saja të panumërta dhe të pashoqe. Vendi ynë, për fat të keq, përbën sot një njollë të zezë. Shumë shtetas tanët e fshehin kombësinë e tyre sepse kanë turp e kompleks të thonë se janë shqiptar. Rama ia lëshoi vendin mafies së drogës dhe kriminelëve që sot po e tërheqin prej hunde, jo drejt integrimit europian por drejt dezintegrimit të Shtetit! Rilindja i hodhi gjysmën e shqiptarëve të mbetur këtu drejt një eksodi të ri e të paimagjinueshëm nëpër vendet e Evropës për bukë, ujë e çati mbi kokë! Ndërkohë që Rama i ka uzurpuar zgjedhjet dhe i organizon ato me metodat dhe standardet e regjimeve mafiokratike! ZGJIDHJA paralajmëron edhe një herë se Shqiptarëve dhe Europës po u soset durimi me Edi Ramën! Çdo ditë me Ramën është kohë e humbur dhe regres për Shqipërinë. ZGJIDHJA është e vetmja forcë politike moderne, demokratike, atdhetare dhe mbartëse e vizionit dhe politikës së re që do e udhëheqë Shqipërinë me vendosmëri e sukses drejt vlerave më të larta të civilizimit perëndimor dhe integrimit real e të plotë të saj në familjen e kombeve të qytetëruara të Europës! ZGJIDHJA do ngrejë shtetin modern të shqiptarëve, ekonominë e vendit, do të instalojë e garantojë liritë e konkurrencës perfekte në politikë, ekonomi dhe në çdo sektor tjetër të jetës së vendit. Do e lartësojë e pastrojë emrin shqiptar, do ta bëjë çdo qytetar krenar për identitetin tonë shtetëror e kombëtar, shteti ynë do jetë mbrojtës dhe ndihmues për çdo atdhetar. ZGJIDHJA do bëjë të mundur që të zhvillohen e lulëzojnë energjitë krijuese dhe talentet e mëdha të burrave dhe grave të këtij populli. #ZgjidhjaPërKombinShqiptar

0
Shqipëria e Ramës është parajsa e krimit dhe e drogës

Shqipëria e Ramës është parajsa e krimit dhe e drogës

Rama po e çon deri në fund shkatërrimin e shtetit, ekonomisë, besimit, shpresës dhe të imazhit të shqiptarëve në botë. Faqja zyrtare e Këshillit Evropian ka publikuar mbrëmë një artikull të titulluar “Çfarë mund të bëjë Evropa për Ballkanin Perëndimor”.
Për Shqipërinë shkruhet specifikisht: “Shqipëria ka ndarje të thella politike, në të cilat politikat dhe marrëdhëniet e klaneve ndërthuren me një rrjetë hakmarrëse dhe korrupsioni. Trafikimi i drogës dhe pastrimi i parave lulëzojnë në mjedisin shqiptar. Në vend që t’iu përgjigjet këtyre dështimeve të qeverisjes, Edi Rama, kryeministri shqiptar kohët e fundit e ka bërë më keq, duke rritur nacionalizmin, duke përmendur “Shqipërinë e Madhe” dhe duke ushqyer spektrin e shovinizmit shqiptar në Maqedoninë fqinje”.
ZGJIDHJA i ka paralajmëruar me dhjetra herë opinionin e brendshëm dhe përfaqësitë diplomatike të Europës dhe Amerikës për të vërtetat e hidhura të situatës politike, social-ekonomike dhe psikologjike të Shqipërisë dhe mbështet këtë vlerësim të KE-së.
Vetëm ZGJIDHJA do ta nxjerrë Shqipërinë nga ky batak ku e zhytën Rama, PD-ja dhe ata që na qeverisën këto vite.
#ZgjidhjaEvetmjaShpresë

0
Shteti i timonierit ka ikur për lesh

Shteti i timonierit ka ikur për lesh

Sot mafia e kanabisit kontrollon gjithë territorin. Kriminelët lajnë hesapet rrugëve! ZGJIDHJA paralajmëroi 100 herë se vendi do të përgjaket dhe krimi do të lulëzojë dhe kontrollojë gjithçka nëse nuk do të zbatohej plani i saj për legalizimin e marijuanës. Por Rama e Tahiri, në vend të ekonomisë ligjore të kanabisit për shtetin dhe për njerëzit, bënë kartelin e drogës për vete dhe i vunë popullit tonë në qafë krimin dhe mafien!
#ZgjidhjaPërQytetarët

0
Intervista ime në UTV News me gazetarin Alen Xhelili

Intervista ime në UTV News me gazetarin Alen Xhelili

Z.Kokëdhima! Po të ktheheshim në kohë, para zgjedhjeve, keni ndryshuar qëndrim që nuk u përfshitë në zgjedhje?

Ne bëmë thirrje për bojkot dhe nuk jemi penduar për këtë. Nuk ishte një qëndrim i nxituar, por ishte i menduar. E para: Ne ishim të kushtëzuar nga situata kur opozita e vendit ishte në çadër, në një protestë që zgjati 90 ditë, dhe kur ishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. Atëherë kemi bërë dy kushtëzime. Së pari thamë që ne nuk përfshihemi në zgjedhje që nuk janë gjithëpërfshirëse, sepse vendi nuk mund të bëjë zgjedhje pa opozitën, sepse ato nuk prodhojnë stabilitet, zhvillim, as zgjedhje, nuk përmbushin as qëllimin dhe shndërrohen nga festa që duhet të jenë për popullin në burim fatkeqësie dhe konfliktesh. Kështu që ne kishim vendosur që në zgjedhje të tilla nuk do të hynim dhe kjo vlen edhe për të ardhmen. Ne nuk do të përfshihemi në zgjedhje edhe në të ardhmen nëse përjashtohet opozita në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim ose në mënyrë të tërthortë, përmes veprimeve ose mosveprimeve nga qeveria. Kushtëzimi ynë i dytë ishte se ne nuk shkojmë në zgjedhje pa standarde, në zgjedhje që nuk paraprihen nga reforma zgjedhore që do t’i çlironte përfundimisht ato, sepse Shqipëria nuk bën zgjedhjet të lira dhe të ndershme. Shqipëria është i vetmi vend në rajon dhe në Europë që nuk bënë dot zgjedhje me standarde. Këto dy kushte që ne kemi vendosur qëndrojnë edhe sot. Edhe sot ne jemi në të njëjtin qëndrim, sot e në të ardhmen. Politika jonë është e tillë që ne duam çlirimin e zgjedhjeve me qëllim që Shqipëria të ketë zgjedhje të lira.

Me duket se kjo nuk i ka prishur aspak punë kryeministrit Rama dhe PS-së për t’u rimandatuar edhe me më pak vota se ç’mori më parë dhe për të qeverisur e vetme me një pakicë shqiptarësh që e mbështetën krahasimisht me pjesën tjetër?

Unë nuk mendoj për interesat Ramës dhe një grushti të vogël njerëzisht, klientët e tij me të cilët ai ushtron dhe ndan pushtetin dhe të mirat e tij. Ne nisemi nga pozitat e interesit të popullit shqiptar, nisemi nga parimet e larta dhe nga standardet që duhen të respektojnë zgjedhjet në Shqipëri dhe nga fakti se, a i shërbejnë këto zgjedhje çuarjes përpara të demokracisë, a i shërbejnë këto zgjedhje përtëritjes së elitës politike, a i shërbejnë këto zgjedhje përmirësimit të cilësisë së përfaqësuesve dhe lirisë së konkurrencës së individëve, që burrat dhe gratë më të mirë dhe më të zotë të vendit të shkojnë në drejtim e punëve të shtetit, të popullit, të institucioneve, apo jo. Ramës nuk i prishet punë edhe sikur mos të bëjë zgjedhje fare. Madje, ai është më i lumtur të mos bëjë zgjedhje fare, por ne do të nisemi nga interesi publik.

Ndoshta duhet të rregulloni pak shënjestrën e të bërit opozitë, z. Kokëdhima?

Mendoj se jemi shumë të qartë dhe e kemi shënjestrën ashtu siç duhet. I kemi shenjuar armiqtë e zgjedhjeve të lira në Shqipëri, në zemër e në ballë.
Kush janë armiqtë?
Armiqtë e zgjedhjeve të lira i di gjithë Shqipëria. Janë Rama, Saliu, Rilindja dhe PD-ja. Sigurisht që ka edhe bashkëpunëtorë të tyre, ka edhe anëtarë të tjerë të “tepsisë” që janë armiq të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Këto i kanë degjeneruar zgjedhjet në Shqipëri, në këto 25 vjet. Partia Demokratike fillimisht e instaloi kulturën e vjedhjes, manipulimit, blerjes dhe dhunimit të zgjedhjeve dhe PS-ja, e udhëhequr nga Edi Rama, e sofistikoi dhe e çoi edhe më larg këtë kulturë. Sot zgjedhjet janë të marra peng në Shqipëri. A ripërtërihet elita politike përmes zgjedhjeve? Jo, nuk ripërtërihet! Çdo vend demokratik në botë i ripërtërin elitat politike. Nuk ndodh që një vend për 30 vjet të ketë një apo dy udhëheqës.

Përjashto Gjermaninë, Rusinë, apo Turqinë…

Gjermania ka një koalicion partish që qeverisin. Në fakt për të katërtën legjislaturë rresht ka një koalicion partish dhe jo një parti e vetme që qeveris. Është superfuqia e Europës dhe një nga fuqitë më të mëdha të botës. Flasim për gjëra krejtësisht të ndryshme, nuk flasim për një vend që lëngon në skamje. Është një vend tërësisht demokratik, me standarde të larta të ligjit dhe të demokracisë. Ku ta gjenim ne të ishim si Gjermania, qoftë në zgjedhje, qoftë në ushtrimin e pushtetit, qoftë në zhvillim. Ku ta gjenim ne që të kishim udhëheqës që ta bënin Shqipërinë jo sa Gjermania por thjeshtë sa një e mijta e saj, të përmirësonim gjërat çdo vit dhe ne do i linim të na qeverisnin deri sa të vdisnim, do i shpallnim mbretër nëse do na qeverisnin siç qeveris klasa politike gjermane.

Ju me të drejtët përmendët në gjykimin tuaj PS-në dhe PD-në si dy forcat kryesore të cilat më së shumti në këto 27 vite nuk kanë dashur të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për më tepër po t’i rikthemi vitit 2008 këto dy forca politike miratuan së bashku ndryshimet për reformën zgjedhore. Ka gjasa që pikërisht këto dy forca politike të bëjnë të njëjtën gjë ndërkohë që do diskutohet këto ditë reforma zgjedhore dhe çfarë do të bëni për ta ndaluar që të mos rikthehemi në të njëjtën situatë?

Kur flasim për PD-në dhe për PS-në, kur flasim për Rilindjen duhet të bëjmë një diferencë të qartë mes lidershipit dhe bazës së tyre. Nuk është anëtarësia e këtyre partive ajo që ka prishur zgjedhjet në Shqipëri. Edhe pse unë dëshiroj ta shfrytëzoj këtë komunikim publik me ju për të përcjellë mesazhin se janë shumë njerëz të thjeshtë të Shqipërisë përgjegjës për këtë katastrofë në të cilën ndodhet Shqipëria. Ka shumë servilë të pushtetit në Shqipëri, ka shumë servilë të kryetarëve të partive, edhe në të majtën, edhe në të djathtën, dhe ka shumë njerëz të thjeshtë që, për një interes fare qesharak, shesin interesat e shtetit, të vendit, të komunitetit dhe në fund të fundit, në terma afatmesme dhe afatgjata shesin dhe tradhtojnë interesat e larta të fëmijëve të tyre, të brezave që vijnë në Shqipëri. I bëj apel popullit që të përmirësohet, të marrë përgjegjësi për fatet e veta, të mos vazhdojë t’i bëjë fresk këtyre politikanëve që e kanë marrë në qafë këtë vend, të mos i serviloset këtyre, por të bëjë rezistencë. Edhe anëtarët e partive politike të mos u servilosen kryetarëve, por të marrin përgjegjësitë që u takojnë dhe të marrin në dorë fatet e familjeve dhe vendit të tyre. Po nuk u rregullua Shqipëria, nuk do të rregullohen familjet e tyre. Edhe ata njerëz që do të bëjnë sukses, nuk do të kenë familje se do tu ikin fëmijët e tyre. Edhe ata që bëjnë korrupsion do të mbesin këtu si kukudh të vetmuar, do të mbeten pleq të vetmuar në një vend të varfër dhe të falimentuar. Prandaj është koha që t’i thërrasin ndërgjegjes të gjithë. Unë nuk i bëj bashkë njerëzit e partive politike me lidershipin. Kryetarët e partive, Edi Rama, Saliu dhe të tjerët nuk përfaqësojnë anëtarësinë e tyre. Ata thjeshtë e kanë shkelur anëtarësinë e partive të tyre, e kanë gjunjëzuar, e kanë eliminuar si zë, si mendim dhe e kanë kthyer thjeshtë në lolo, në mbështetës vetëm të interesave të tyre. Janë kryetarët e partive që i kanë marrë peng zgjedhjet vetëm për pushtetin e tyre personal. Ata i kanë kapur Shqipërinë, partitë, qeverisjen, institucionet e shtetin dhe prandajë këtu nuk ka as liri ekonomike, as politike. Ka liri politike këtu? Jo! Ka të drejtë ndonjëri të zgjidhet deputet sepse i pëlqen atij? Jo! Deputet zgjidhet vetëm ai që do kryetari i Partisë Demokratike, i Partisë Socialiste, apo kryetari i LSI-së. Nuk futesh në asnjë listë, nëse nuk do kryetari. S’ka asnjë garanci që të përmbushet për ndonjë individ e drejta kushtetuese e Shqipërisë që thotë se “Ke të drejtë të zgjidhesh dhe të zgjedhësh lirisht”. Kjo nuk vlen në Shqipëri, sepse kryetarët e partive e kanë zhbërë këtë liri kushtetuese. Kanë zëvendësuar pushtetin e ligjit e të kushtetutës me pushtetin dhe fuqinë e tyre personale. Prandaj ata i japin hapësirë vetëm servilëve dhe atyre që punojnë për pushtetin e tyre personal. Çfarë duhet të bëjmë ne? Duhet ta zhbëjmë këtë situatë!

Konstatimi është shumë i zymtë, z. Kokëdhima, por duhet të vijmë tek zgjidhja. Është i zymtë, por, fatkeqësisht, ka nota të së vërtetës.

Nuk ka nota të së vërtetës, është thjeshtë e vërteta dramatike e këtij vendi. Janë shkatërruar plotësisht liritë politike dhe liritë ekonomike. Ka ndonjë kompani sot në Shqipëri që mund të fitojë një tender me garë? Asnjë kompani nuk e fiton dot një tender me garë. Në të shkuarën si ishte? Kishte shumë korrupsion, shumë ndërhyrje, por nuk ishin kaq keq sa tani. Çdo tender e ndan kryeministri me ekipin e tij të ngushtë, me 2-3 njerëz të tij, e ndajnë ministrat dhe kryetarët e bashkive. Nuk mundet të marrësh një tender nëse nuk paguan kryetarin e bashkisë, ministrin ose ekipin e kryeministrit. Po nuk u pagove këtyre 20 përqindëshin, nuk bëhet fjalë që të fitosh tender. Nuk mund të marrësh në Shqipëri një licencë po nuk pagove taksën tek sekserët e qeverisë. Nuk mund të bësh një investim të huaj po nuk i dhe pjesë në kapital ministrave dhe sekserëve të kryeministrisë. Prandaj nuk ka investime në Shqipëri. Nuk ka këtu liri konkurrence, as ekonomike, as politike, nuk zgjidhesh e nuk zgjedh.

Ju nuk është se nuk e njihnit z. Rama, përkundrazi. Jeni nga radhët e miqve të zotit Rama që nuk do u mjaftonin besoj katër vjet për të arritur në këto konkluzione.

Nuk jam duke folur për Ramën këtu, e as për Saliun. Jam duke folur për mënyrën se si këta ushtrojnë pushtetin dhe mënyrën se si këta e kanë ushtruar pushtetin. Për përgjegjësitë e tyre politike. Unë kam qenë në politikë vetëm 30 muaj dhe gjithë jetën time jam marrë me punët e shtëpisë time, familjes time, me detyrat e mia si biznesmen, si qytetar, si prind, etj. Në politikë gjithmonë kam këshilluar në mënyrën më të drejtë dhe institucionale vetëm gjëra të shëndetshme për vendin. Asnjë politikan, as Rama, nuk mund të thotë që unë kam këshilluar diçka të ndryshme nga këto qëndrime që mbaj sot. Kushdo që është këshilluar, nga PS-ja, nga PD-ja që nga 1991 e deri më sot ka marrë nga unë vetëm këshilla korrekte, parimore, koherente me këto qëndrime që unë shpreh këtu sot. Askush prej tyre nuk ka ndarë pushtetin me mua. Për 30 muaj që qëndrova deputet, isha energjia kryesore reformuese në PS, isha njeriu që kërkonte të çante moçalin e politikës së vjetër, isha deputeti i parë në historinë e 26 vjetëve të politikës në Shqipëri që i trazova ujërat e politikës si askush tjetër. Gjysmën e kohës opozita e harxhonte duke u marrë me mua dhe 50 për qind të kohës pushteti dhe qeveria jonë e shpenzonte me truke e komplote për të më eliminuar mua e zërat e tjerë si unë në atë Partinë Socialiste. Unë mbajta qëndrimet që i takonin të mbante një burri të përgjegjshëm që donte ti ndryshonte gjërat për mirë, e jo thjeshtë të fliste. I ftova ndershmërisht këta njerëz të reformonim sistemin politik në Shqipëri, të reformonim zgjedhjet. Edhe sa i përket zgjedhjeve atje ku drejtova unë, shkoni e pyeteni kundërshtarët, nuk lejova të numërohej gabim asnjë votë e vetme. Rama nuk ka ndarë asnjë ditë pushtetin me mua. Në 30 muaj si deputet, i jam imponuar atij në gjërat që kam bërë, me forcën e argumentit dhe me vlerën e parimeve që mbështesja. Nëse do të ndante me mua pushtetin dhe interesa nga ato për të cilat ai rri në pushtet, nuk do të bashkëpunonte me Saliun dhe me kryetarët e tjerë të partive kundër mandatit tim e nuk do komplotonte me ta për të më përjashtuar nga politika pa asnjë shkak e motiv. Nga kjo politikë që ndoqa unë përfituan shumë njerëz në zonën time. 16 mijë të reja e të rinj solla në poste kyç në parti dhe në institucione dhe i hapa rrugën reformimit të Partisë Socialiste në zonën ku isha drejtues politik. E njëjta gjë do të ishte bërë në kudo nëse PS-ja do e kishte zbatuar atë reformë në të gjitha rajonet e Shqipërisë. Do ta kishim hapur konkurrencën që djemtë dhe vajzat më të mirë e më të përgatitur të vinin në pushtet dhe nuk do të vazhdonim akoma, në vitin 2017, ta zgjidhnin Gramoz Ruçin, sekretar të Përgjithshëm të PS-së pa konkurrencë. Po të më dëgjonte Edi Rama do të ishte bërë tjetër, ajo që ia propozova që posti i Ruçit të zgjidhej me konkurencë mes njerëzve të tjerë.

Ju nuk keni qenë kundër, por thjesht të zhvillohej garë brenda PS-së për zgjedhjen e Ruçit?

Jo, nuk kam qenë kundër. As nuk e kam aspiruar postin e Ruçit asnjëherë. Dhe të ma dhuronin nuk e merrja kurrë, nuk e doja dhe nuk ishte ky qëllimi im. Sa i përket Gramoz Ruçit unë kam qenë kritik me punën e tij. Ai për mua nuk e bënte detyrën e tij, nuk e drejtonte PS-në. PS-ja ishte blozë, ishte shkatërruar plotësisht nga brenda, nuk kishte as demokraci, as standarde, as procedura, as nivel, as organizim dhe për këtë ky zotëria nuk mbante asnjë përgjegjësi. E kishin partinë 200 veta nëpër xhepa si letra bakalli, dhe nuk kishte asnjë bazë të dhënash. Ai nuk bënte asnjë punë dhe nuk mbante asnjë lloj përgjegjësie, ishte gjithmonë fitues. Humbte apo nuk humbte partia, ai gjithmonë fitonte. Propozimi im për Edi Ramën ishte shumë i thjeshtë: Unë nuk kam interes, por ky post duhet të zgjidhet me konkurrencë. I kam propozuar lidershipit të PS-së kandidatë konkretë që të garonin me Gramoz Ruçin. I propozova Lindita Nikollën dhe Blendi Çuçin për t’u bërë sekretar të Përgjithshëm të PS-së dhe ta rinovonim atë parti. Gramozi nuk ishte asnjë arsye që të vazhdonte pa konkurrencë të emërohej sekretar i përgjithshëm aq më pak kryedeputet i Shqipërisë. Qëndrimet unë i kam mbajtur njësoj, si atëherë edhe tani.
Keni këshilluar shumë deputetë të majtë e të djathtë, siç thatë. Do t’u jepni një këshillë edhe qytetarëve në lidhje me zgjidhjen?

Kush është zgjidhja, thoni ju, për ta kapërcyer këtë histori?

Së pari, ne duhet ta zhbëjmë pushtetin e këtyre individëve. Këta individë kanë marrë peng Shqipërinë. Janë 3-4 njerëz që e kanë marrë peng Shqipërinë, pasurinë e njerëzve, buxhetin e popullit, të drejtën për të punuar në këtë vend. Kanë marrë peng të drejtën për të përfaqësuar në këtë vend, të drejtën për t’u zgjedhur, të drejtën e popullit për të ripërtërirë elitën politike, kanë eliminuar të drejtën e popullit për të qenë sovran, për të zgjedhur vetë përfaqësuesit e tij, për të vendosur me referendum fatin e mjedisit të tij, për të vendosur me referendum fatin e zhvillimit të tij, e kështu me radhë. Pushteti i këtyre njerëzve duhet zhbërë. Kryesore është ta zhbëjmë pushtetin e këtyre uzurpatorëve që janë 3-4 kryetarë partish, tu a marrim pushtetin dhe t’ia kthejnë qytetarëve të thjeshtë të Shqipërisë.
Ju pyes sepse jo më larg se dy ditë më parë kanë nisur aplikimet për lotarinë amerikane. Shifrat ishin të frikshme. Rreth 200 mijë qytetarë donin të largoheshin.

Po të ishin të kënaqur në këtë vend nuk do të ishte kjo shifra e largimit nga vendi apo azilkërkuesit në Europë? Si zgjidhet kjo?

Keni shumë të drejtë. Është gjëja që më dëshpëron më shumë. Ikja e forcave të afta, e njerëzve të kualifikuar, të ndershëm, e veçanërisht të rinisë. Ikja e tyre është duke e tharë këtë vend. Nuk e di se kush do e bëjë këtë vend kur ikin njerëzit e mirë, të zotë e të aftë. Sa më shumë njerëz të tillë të largohen, aq më pak shpresë dhe energji reformuese ka në Shqipëri. Por unë nuk jam tip që kapitulloj, as që tërhiqem, as që dorëzohem, dhe unë i ftoj njerëzit që të mos ikin. Ata që duan të ikin nga Shqipëria janë shumë më tepër se sa këta që mbajnë peng Shqipërinë dhe që i detyrojnë këta njerëz të ikin, janë shumë më tepër nga këta që kanë uzurpuar dhe i kanë shkatërruar institucionet e shtetit shqiptar, kanë çnderuar shtetin tonë dhe e kanë bërë popullin tonë aspak krenar që të thotë se “jam shqiptar”. Kështu që, këta që janë më të shumtë duhet të bëjnë një gjë tjetër. Duhet të bashkohen që t’i përmbysim këta që na kanë marrë peng, me çdo mjet. Sot këta pengmarrës na rrezikojnë ekzistencën si popull, jetën e gjithçka dhe ne kemi të drejtën e Zotit ta udhëheqim popullin jo vetëm në një rezistencë, por në një goditje me çdo mjet ndaj tyre. Nëse këta do të bëjnë një marrëveshje të re për të mbajtur peng zgjedhjet tani e mbrapa, për të mos lejuar reformimin e zgjedhjeve, nëse këta do të refuzojnë që ti lëshojnë nga thonjtë e tyre zgjedhjet, atëherë duhet të përballen me zemërimin e njerëzve, me energjinë e kësaj pjese që nuk do ta lërë atdheun, por që është e gatshme të vdesë këtu për ta ndriçuar Shqipërinë. Kanë shekuj shqiptarët që luftojnë për një vend të begatë, sovran, për një vend ku mund bëjnë pasuri dhe jetë të lumtur. Ne kemi përgjegjësi si për brezat e shkuar edhe për gjeneratat që vijnë dhe këtë përgjegjësi do ta ushtojmë. Nuk do të trembemi këta dinosaurë të cilët e kanë forcën vetëm te pushteti dhe paraja. Ata, pa pushtet dhe pa paratë e vjedhura janë asgjë, janë frikacakë, janë tigra prej letre. Ata janë njerëz pa kulturë, pa aftësi, nuk janë burra shteti, janë burracakë pushtetit dhe ne do t’u tregojmë këtyre burracakëve se ky vend nuk do të vdesë në këmbët e tyre.

Nëse do të ndodhte një përmbysje, do të sillte në krye të vendit burra shteti?

Pyetja është shumë e drejtë. Çfarë ka ndodhur në Shqipëri?
Çdo herë kemi hequr një qeverisje dhe kemi sjellë një më të keqe se e para. Çfarë deklaronte Fatosi (Nano) në ‘97? Deklaronte se do t’u largoheshin të gjitha sjelljeve të këqija të pushtetit të Saliut, do t’i largoheshin manipulimit dhe vjedhjes së votës, do t’i largoheshin përfshirjes së të fortëve dhe të dhunshmëve nga punët e shtetit. Çfarë bënë kur erdhën në pushtet? Bënë thagmat që ia kaluan edhe Saliut. Çfarë thoshte Saliu përpara vitit 2005? Do i zhbëj privatizimet dhe konçensionet e Fatosit, thoshte, do i vë rruspën ministrave të korruptuar të Nanos. Në qeveri ia kaloi edhe Fatosit. Me çfarë shprese erdhëm ne në 2013?..

S’po thoni asgjë më shumë se çmendojnë qytetarët, të zhgënjyer nga klasa politike?

Shiko çfarë ndodh! Ne kemi rënë gjithnjë e më keq. Fundi i Ramës është i qartë. Ditët e tij numërohen mbrapsht. Ju them në mënyrë të sigurtë se, me këtë politikë që ai bën, i ka ditët e numëruara. Por nuk është ky problemi kryesor. Problemi është çfarë vjen mbrapa. Çdo kryeministër që është bylmez, në kuptimin e ushtrimit të përgjegjësive, si burracak pushteti, e gjen vetë rrugën e humbjes dhe e çon vetë në humbje pushtetin e tij. Rikthehemi tek argumenti i sipërpërmendur. Ai meriton një meditim të fortë nga populli ynë, nga inteligjenca. Si shpjegohet se gjithmonë biem nga një qeveri e keqe në një tjetër akoma më të keqe? Duhet të prodhojmë alternativa të mira. Ato parti politike që mund të sjellin burra shteti. Sovrani ka aftësinë për të zgjedhur mirë. Por, ne kemi rënë nga një fatkeqësi në një tjetër sepse nuk zgjedh populli, zgjedhin kryetarët. Vetëm Fatos Nano ka ikur nga pushteti, të tjerët janë këtu prej 30 vitesh.

Z. Kokëdhima ju ku e shihni veten të pozicionuar në këtë revolucion qytetar?

Nuk dua që të flas për veten, por them këtë gjë: Kurrë unë nuk abuzoj me pushtetin. Unë nuk shkoj në politikë për të bërë para apo padrejtësi. Unë nuk shkoj në politikë që të ngre njerëzit e mi. Kam kulturë institucionale dhe do të sillem si burrë shteti dhe do ta udhëheq ZGJIDHJA-n si një parti tërësisht demokratike. Dua që të rivendosen kolonat e demokracisë në Shqipëri. Zgjedhjet e lira janë kolona e parë dhe demokratizimi i partive politike është kolona e dytë. Duhet liria e plotë e konkurencës politike dhe ekonomike. Çdo individ duhet të fitojë me mbështetjen e popullit. Populli ta zgjedhë, jo kryesia, ajo koka e mafies së partive. Populli duhet të votojë për përfaqësuesit, qoftë për deputetë, këshilltarë, kryetarë bashkie, qoftë për kryeministër apo president. Populli të zgjedhë kandidatët dhe pastaj le të funksionojnë proçedurat dhe sistemi elektoral sidoqoftë, por gjithmonë mbi kandidaturat që zgjedh populli. ZGJIDHJA është një projekt i ri që ka dy shtylla, dy objektiva themelore. I pari: të zhbëjë pushtetin e kapur të këtyre burracakëve të pushtetit që mbajnë peng Shqipërinë dhe së dyti të krijojë një strukturë tërësisht demokratike dhe moderne që t’u japë mundësi qytetarëve që të zgjedhin vetë përfaqësuesit e tyre, të çajë këtë moçal dhe t’i japë popullit mundësinë që të ripërtërijë klasën politike që burrat dhe gratë e këtij vendi ta qeverisin popullin modestisht, jo si të fortë, por si njerëz të dalë nga ky popull, jo të vijnë këtu si pushtues, por të sillen si njerëz me njerëzit. Këtë do të bëjmë ne, këtë gjë do të bëjë ZGJIDHJA.

Rama tani e ka vetëm timonin. E shikon si rrezik të shtuar apo si një zhvillim të mirë?

Nuk pres më asnjë të mirë nga qeverisja e Ramës. Rama ka vetëm degradim në të ardhmen dhe asgjë tjetër. Ai ka vetëm një shans: të dëgjojë me kujdes. Por ai nuk dëgjon. Ai, kur është në opozitë, sillet si dëgjues i mirë. Për dy arsye e kam mbështetur unë Ramën në të shkuarën. E para: sepse hiqesh si dëgjues shumë i vëmendshëm në opozitë, konsultonte njerëzit etj. Por, ai nuk e ka kulturë dëgjimin. Shtirjen si i tillë e ka instrument manipulimi dhe teknologji për të përfshirë të tjerët në mbështetjen ndaj tij. E dyta: Në atë periudhë kur pushteti i Saliut dhe Fatosit nuk respektonin liritë, nuk e donin sipërmarrjen e vendit, ishin xhelozë dhe të pamëshirshëm, i vinin taksa, pengesa, i shihnin si pula që duhet t’i shkulnin pendët sipërmarrësit që shkonin nëpër zyrat e shtetit, i shikonin me armiqësi, Rama sillej si mik dhe mbështetës ndaj biznesit vendas. Nuk manifestonte urrejtje, por një qasje të re. Por, këto ishin vetëm sjellje të jashtme, jo të brendshme. Të këqijat e Saliut janë ku e ku me këto të Ramës. Njerëzit duhet të thonë o të keqen o Sali me atë degjenerim që iu bëri shefi i Rilindjes këtyre treguesve. Rama nuk ka vesh të dëgjojë. Shkatërroi çdo institucion në parti. Nuk dëgjon asnjë njeri. Ju kujtoni se ai dëgjon njerëzit në ato takimet që bën poshtë e lart nëpër Shqipëri?! Nuk dëgjon asgjë! Ai shkon vetëm për të folur. Flet në televizion dhe thotë dëgjesë publike. Ai inserti që dhatë këtu është bërë në kishën e Vunoit. Aty ishte edhe ministrja e kulturës. Ata e quanin dëgjesë publike për prishjet në Dhërmi. E konsideronin se kjo ishte dëgjesë. Foli Kumbaro, foli Rama, iku dhe tha bëra dëgjesë publike. Dhe në atë komunikimin që u bë më prapa unë i them: dëgjesë publike nuk është të flasësh ti në televizion dhe të ikësh. E shihni? Shkon në OKB. E keni parë ndonjëherë të mbledhë grupin parlamentar ose të bëjë një seancë në parlament ose të miratojë fjalimin që do të mbajë Shqipëria në OKB? Keni dëgjuar ndonjëherë që të shkojë ky të konsultohet me presidentin e vendit dhe të thotë që do iki në OKB do themi këtë, apo atë gjë, kush do flasë? Asnjë! Shkoi firmosi procesin e Berlinit dhe nuk u tha asgjë shqiptarëve. Ua mbante të fshehta. Kur ishte reforma në drejtësi thoshte se unë nuk e lexoj kushtetutën dhe e firmos në të bardhë çdo letër që do perëndimi!!. Kush është ky? Ky e konsideron plaçkën e tij, partinë, qeverisjen dhe shtetin. Ky i konsideron sh.p.k.-në e tij këto dhe nuk dëgjon askënd. Unë për të mirën e tij dhe të popullin po i them dhe një herë sot: Dëgjo me kujdes, me vëmendje dhe çliro Shqipërinë, çliro zgjedhjet nga thonjtë e tu! Reforma zgjedhore duhet të jetë e tillë që PS dhe PD nuk duhet të kenë asnjë të drejtë për të administruar zgjedhjet në Shqipëri. Pa çlirimin e zgjedhjeve nga këto dy parti nuk do të ketë kurrë zgjedhje të lira dhe të ndershme, nuk do ketë kurrë ekonomi, ndalim eksodi apo një shoqëri më të mirë. Të çlirojë zgjedhjet, është çështja e parë dhe çështja e dytë është të miratojë projektligjin që kemi përgatitur ne për të demokratizuar partitë politike. Nuk mund të votojnë më shqiptarët në zgjedhje listat që bën ky zotëria dhe Saliu nga krahu tjetër. Nuk do të shkojnë më shqiptarët që të votojnë oborrin e tij, të votojnë sulltanatin e tij, çifligun e tij. Jo! Duhet të votohen përfaqësuesit e popullit. Këto janë këshillat. Dhe sa për qytetarët e këtij vendi, unë i them që të mos jeni servilë të pushtetit! Njerëz, mos e keqtrajtoni vendin tonë dhe mos i vishni këtij populli këtë marketing të zi që i vishet sot! Këta ju tradhtojnë, këta ju fusin fadromat, këta votoni! Jo! S’duhet të jetë kështu. Të mbështesni projektin e ZGJIDHJA-s. Jo se dua unë të më mbështesni mua. Unë, do të mbështes qytetarët e Shqipërisë në çdo aspiratë të drejtë, nuk do të më mbështesin ata mua. Unë po mbështes ZGJIDHJA-n, nuk do të më mbështesë ZGJIDHJA mua. Do të mbështes popullin tonë, përpjekjen e qytetarëve të vendit, njerëzit e lirë, inteligjencën, gazetarët, shkrimtarët, krijuesit dhe njerëzit e thjeshtë që duan një Shqipëri tjetër, që janë gati t’i vënë përpara këta horra, që po i marrin shpirtin këtij shteti dhe këtij mileti! Të hapim një kapitull të ri për Shqipërinë. Ta mbështesim ZGJIDHJA-n, të mbështesim idetë e mira të saj! Mos shikoni dhe mos u ndikoni nga urithët që ka mbledhur Rama në bodrumet e kryeministrisë dhe i lëshon nëpër rrjetet sociale, ata që paguhen me paratë e popullit dhe i çon që të nxijnë gjithë kundërshtarët, të sulmojnë Kokëdhimën, familjen e tij, ta cënojmë moralisht, ta bëjmë këtë njeri që të tërhiqet etj. Gjithë këta njerëz parazitë, s’bëjnë asnjë vepër të mirë. Çfarë rritje mund të pësojë një njeri që ne e vëmë të shpifë dhe të shajë ditë e natë?! Profesioni i këtyre njerëzve të Ramës është “sharës”, “pisbërës”, “fëlliqës”. Ky është profesion?! Çfarë u mëson këtyre njerëzve Rama? Çfarë të mirash publike, çfarë të mirash për shtetin ka kjo që ai paguan portale dhe killera të tillë që sulmojnë këdo? Asgjë! Ja, asgjënë sjell ky kryeministër. Ky e bën Shqipërinë pis me këto gjëra, pa asnjë vlerë, pa asnjë standard. Nuk sillet si burrë shteti. Nuk përballet me kundërshtarët. Nuk është pronë e tij, Shqipëria. S’ka parti të vogla dhe parti të mëdha. Duhet t’i dëgjosh gjithë zërat në këtë vend dhe të reflektosh. Shqipëria është shtëpia jonë e përbashkët, habitati ku jetojmë, vendi ynë dhe kemi të gjithë të drejta dhe detyrime për të.
Kërkoj gjithë vëmendjen tuaj dhe gjithë mediabërësve të tjerë: të mos blihen nga pushteti, të mos ndikohen, sepse sa shohim moderatorët e emisioneve e kuptojmë kush ja ka bërë gungën popullit përmes Ramës. Të përqëndrohemi te çështjet e mëdha. Shtypi e di shumë se çdo të thotë të reformohen zgjedhjet në Shqipëri, e di shumë mirë të vërtetën e këtyre gjërave që them unë për uzurpimin dhe kapjen që u kanë bërë partive, qeverisë dhe institucioneve. Shtypi duhet të luftojë me këto të këqija. Mbështeteni ZGJIDHJA-n, sepse është rruga që në këtë vend pushteti të mos jetë më në duar të këqija. Projekti i ZGJIDHJA-s është për këtë gjë: të ndalojë rënien e mëtejshme të pushtetit nga një palë maskarenjsh në një palë maskarenj të tjerë dhe të mundësojë që përfaqësuesit e popullit të zgjidhen ata që përpiqen me mish e shpirt për të bërë më të mirën për të.

0