Raporti i OSBE/ODIHR-it i dha të drejtë ZGJIDHJA-s për 25 qershorin

Raporti i OSBE/ODIHR-it i dha të drejtë ZGJIDHJA-s për 25 qershorin

Raporti përfundimtar për zgjedhjet e 25 qershorit i OSBE/ODIHR-it vërtetoi konstatimet, shqetësimet dhe paralajmërimet e ZGJIDHJA-s, se ato ishin zgjedhje të molepsura si të tjerat, se votuesi shqiptar nuk votoi i lirë, se vota u ble dhe se komisionerët e partive trafikuan votat. OSBE/ODIHR-i thotë se shkaqet e bojkotimit masiv të zgjedhësve dhe pjesëmarrja vetëm e 36.6 për qind të votuesve, si kurrë më parë, është pasojë e blerjes së votave dhe e presionit ndaj votuesve që bëjnë partitë e vjetra. Raporti është një akuzë direkte për Edi Ramën. Ai gjithashtu vendosi të shtyjë me një orë mbylljen e qëndrave të votimit, në mënyrë antiligjore, për të shtuar vota të blera për Rilindjen, edhe pse në shumicën e qendrave nuk pati qytetarë që nuk kishin patur mundësi të votonin.

ZGJIDHJA përshëndet gjetjet, përfundimet  dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, për të ndryshuar ligjin për grupet e numërimit dhe ato të mos jenë më politike, por të departizuara që vota të mos u lihet në dorë komisionerëve të dy-tre partive që numërojnë votat e partive të tjera. ZGJIDHJA bashkohet me shqetësimin e OSBE-së për shitblerjen e votes për 5 mijë lekë apo për një thes miell, duke e cilësuar atë si vepër penale që duhet ndëshkuar me burg. Shitblerja e votës është pasojë e veprimtarisë së kriminelëve që janë në krye të partive të vjetra dhe që me paratë e korrupsionit dhe të drogës blejnë votën e mjeranëve të Shqipërisë.

ZGJIDHJA është në një linjë me OSBE-në për hartimin e një reforme të re zgjedhore gjithëpërfshirëse. Ajo këmbëngul që OSBE-ja ta udhëheqë këtë reformë jetike për Shqipërinë.  Partitë e vjetra dhe paktet mes PD-së dhe Rilindjes kanë pjellë vetëm krime elektorale dhe kode që deformojnë dhe trafikojnë votën e shqiptarëve.

Fronti i bashkuar i partive politike opozitare, është angazhuar të luftojë për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri. Ai do të këmbëngulë që Reforma zgjedhore, e udhëhequr nga prezenca e OSBE-së, të përfundojë deri në 31 mars 2018 që Shqipëria të bëjë zgjedhjet vendore të vitit 2019 të reformuara. Kodi i ri zgjedhor duhet të garantojë identifikimin biometrik të zgjedhësit, votimin dhe numërimin elektronik, që listat të mos dalin nga kryetarët, por të hartohen në rrugë demokratike, përmes zgjedhjeve primare, dhe që ku kod t’i shpëtojë zgjedhjet nga monopolet dhe oligopolet e partive të vjetra dhe nga paratë e krimit, korrupsionit dhe oligarkëve të lidhura me to. Sfida jonë është e qartë dhe e thjeshtë: të shpëtojmë zgjedhjet nga Edi Rama dhe nga kryetarët e partive të vjetra që kanë “kapur” zgjedhjet dhe shtetin dhe po e çojnë këtë popull e këtë vend në humnerë. Rama dhe kryetarët e partive të vjetra janë armiq të egër të votës së lirë.

#ZgjidhjaPërVotën

0
Kokëdhima poston foton ikonë dhe akuzon qeverinë e Ramës

Kokëdhima poston foton ikonë dhe akuzon qeverinë e Ramës

 

 

Kryetari i ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, postoi një foto-ikonë të shkrepur 11 vite më parë, për të bërë një akuzë të rëndë ndaj qeverisë së Ramës se po sillet me shqiptarët si pushtues dhe jo si kryeministër i një qeverie të përgjegjshme dhe njerëzore. “Edhe një njeri i vetëm mund të përballet me brutalitetin e qeverisë! Kur shoh këtë foto mendja më shkon tek Shkoza, Transballkanikja Vlorë, Stacioni i trenit Tiranë, populli i Dhërmiut, Himarës dhe të gjitha rastet e shumta të shqiptarëve që Rama ju ka prishur shtëpitë dhe i ka nxjerrë në qiell të hapur, pa i paguar dhe pa ju dhënë strehë tjetër!”-shkruan Kokëdhima në profilin e tij në “Facebook”, duke risjellë foton që fitoi çmimin Pulitzer dhe që paraqet një vajzë të re, të vetme përballë dhjetra forcave policore, duke u përpjekur t’i pengojë për të shkatërruar disa shtëpi.

Paralelizmi që bën kryetari i ZGJIDHJA është një akuzë e rëndë për qeverinë e Ramës e cila prej 4 vitesh ka prishur me qindra ndërtime me dhe pa leje, duke lënë mes katër rrugëve, dhe pa asnjë shpërblim me mijëra shtetas të braktisur nga instancat shtetërore. Foto që përdori Kokëdhima për të akuzuar Ramën është bërë ikonë prej një dekade. Ajo paraqet një studente, Nilin, që ishte pjesë e protestuesve në Ramallahun Perëndimor, në Paletstinë, kundër ushtrisë izraelite që po tenton të shkatërrojë shtëpitë e palestinezëve. Foto e shkrepur nga fotografja izraelite, Oded Balilty u shpërnda rrufeshëm nëpër botë më 2006-ën dhe u quajt “turpërimi i Izraelit”.

ZGJIDHJA është shprehur kundër prishjeve brutale dhe pa dëmshpërblim për banorët dhe ka kërkuar legalizim dhe kompensim me çmimin e tregut, ndërsa Rama, si në rastin  e Shkozës, i ka injoruar kërkesat dhe ka vijuar me shkatërrimet.

0
Reforma zgjedhore është e pakthyeshme

Reforma zgjedhore është e pakthyeshme

Njoftimi për shtyp i tryezës së frontit të bashkuar të partive politike opozitare

 

Përfaqësuesit e partive politike opozitare që luftojnë për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve në Shqipëri, të mbledhura sot në një tryezë në Tiranë, me shqetësimin e thellë pse Shqipëria nuk ka arritur përparimin e duhur drejt demokracisë, deklaruan se ne jemi vendi i vetëm në rajon që nuk arrin të bëjë zgjedhje të lira, të barabarta dhe të ndershme. Tryeza e sotme e partive politike konstatoi se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave. Pa reformën zgjedhore, asnjë reformë tjetër nuk mund të japë rezultatet që dëshirojmë dhe presim. Kjo tryezë mori vendime dhe rekomandoi e miratoi propozimet si më poshtë:

1-Krijimin e një delegacioni me përfaqësues të partive politike dhe të shoqërisë civile që të fillojë një raund takimesh dhe konsultimesh për reformën zgjedhore me aktorët politikë, OSBE-në dhe ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë.

2-Reforma zgjedhore duhet të udhëhiqet nga prezenca e OSBE-së. Kjo reformë duhet të përfundojë deri në 31 mars 2018 me qëllim që zgjedhjet vendore të vitit 2019 të reformohen. Pretendimi i qeverisë që e kushtëzon reformën me listat dhe të drejtën e votës së diasporës nuk ka bazë. Vota e diasporës nuk është e domosdoshme për zgjedhjet vendore.

3-Partitë e vjetra politike, duhet të heqin dorë nga administrimi i zgjedhjeve. Ato kanë kryer krime të rënda elektorale dhe kanë shkatërruar zgjedhjet e lira në Shqipëri. PD dhe Edi Rama duhet të kërkojnë ndjesë publike për krimet elektorale që kanë kryer ndër vite. Zgjedhjet shqiptare duhet t’i zhvillojë një administratë zgjedhore shtetërore, e pavarur dhe apartiake si në të gjitha vendet normale demokratike në Europë. Rilindja dhe PD-ja nuk mund të vazhdojnë të numërojnë votat e partive të tjera.

4-Kodi i ri zgjedhor duhet të garantojë identifikimin biometrik të zgjedhësit, votimin dhe numërimin elektronik. Ky kod duhet të ndalojë që listat zgjedhore të hartohen nga kryetarët e partive. Listat të mos dalin nga kryetarët, por të hartohen në rrugë demokratike, përmes zgjedhjeve primareve, me pjesëmarrjen e gjerë të militantëve të bazës, anëtarësisë së partive dhe qytetarëve të vendit. Kodi i ri elektoral duhet të garantojë realisht e plotësisht përmbushjen e të drejtës kushtetuese të çdo qytetari shqiptar për të zgjedhur e për tu zgjedhur lirsht.

5-Reforma zgjedhore duhet të realizohet me transparencë dhe jo me pazar mes Rilindjes dhe PD-së, përmes një procesi të hapur e gjithpërfshirës dhe jo përjashtues e në dëm të partive të reja. Drejtuesit e PD-së dhe LSI-së të mos flasin në asnjë rast në emër të opozitës shqiptare, por vetëm në emër të partive të tyre. Ato mund të flasin në emrin e frontit të opozitës së bashkuar vetëm kur të kenë edhe miratimin e tryezës sonë.

6-Kodi i ri zgjedhor duhet t’i shpëtojë zgjedhjet nga monopolet dhe oligopolet e partive të vjetra dhe nga paratë e krimit, korrupsionit dhe oligarkëve të lidhura me to. Ky kod duhet të garantojë jo vetëm lirinë e konkurencës dhe të përfaqësimit të qytetarëve, individëve dhe partive e grupimeve politike, por edhe përfaqësimin e drejtë me mandate në kuvend e në këshillat bashkiake të votës propocionale të popullit.

7-Tryeza falenderon atë pjesë të shoqërisë civile që është përfshirë në luftën për reformën zgjedhore dhe pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve dhe fton të gjithë shoqërinë civile dhe inteligjencën e vendit që t’i bashkohet kësaj kauze jetike për të ardhmen e Shqipërisë dhe për fatet e popullit.

0
Rama na mashtroi për integrimin, NATO e nxjerr zbuluar

Rama na mashtroi për integrimin, NATO e nxjerr zbuluar

Në analizën, “Tranzicioni Ekonomik në ballkanin Perëndimor-Një Vlerësim”, Asambleja Parlamentare e NATO-s thotë se pengesa kryesore për integrimin e shpejtë të Shqipërië në BE është korrupsioni masiv dhe mungesa e sundimit të ligjit. Madje aty citohet se Komisioni Europian i ka thënë Tiranës zyrtare në fund të vitit të kaluar se data e negociatave nuk do të caktohej pa u plotësuar dy kushte: rihapja e dialogut politik me opozitën parlamentare si dhe reforma cilësore në fushat e administratës publike, sundimit të ligjit, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe të drejtave themelore të njeriut.

Edi Rama deklaroi dy javë më parë se BE-ja ka probleme të brendshme të thella dhe askush nuk është dakord për bisedime që do të çonin drejt zgjerimit të bllokut. Por dy ditë më parë, Federica Mogherini, përfaqësuese e BE për politikën e jashtme dhe komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, gjatë takimit me kryeministrat e vendeve ballkanike në Nju Jork, thanë se dyert e BE-së janë të hapura për vendet e Ballkanit Perëndimor, pasi ato të kryenin reformat e kërkuara.

Edi Ramës tani nuk i ka mbetur kartë tjetër për të luajtur. Shqipëria, edhe pse e nisi procesin e anëtarësimit më herët se vendet e tjera, do të presë shumë vite pasi të anëtarësohen në BE, Serbia dhe Mali i Zi.

ZGJIDHJA ka paralajmëruar se Rilindja ka dështuar ta anëtarësojë Shqipërinë në BE. Në vend të kësaj ajo po na integron në Jugosllavinë e Re të udhëhequr nga Serbia. Rama nuk ka ndërmend të përmbushë asnjë kusht për reforma, as të luftojë krimin dhe korrupsionin, sepse është marrë peng prej tij. Vetëm largimi i tij nga qeverisja dhe rikthimi i pushtetit në duart e popullit do ta çojë Shqipërinë drejt BE-së. ZGJIDHJA do të jetë në krye të luftës për përmbushjen e kësaj aspirate 27-vjeçare të shqiptarëve.

#ZgjidhjaPërShqipërinë

0
Rama, tentativë mizore për rritjen drastike të çmimit të ilaçeve

Rama, tentativë mizore për rritjen drastike të çmimit të ilaçeve

 

Rama ka nisur me shpejtësi të vërë në zbatim synimin e tij të vërtetë: jo bashkëqeverisje me popullin, por me oligarkët. Përveç ligjit famëkeq të importit të plehrave, në kalendarin dy javor të punimeve të parlamentit, ka infiltruar pa bujë, një tjetër projektligj që ka të bëjë direkt me shëndetin dhe xhepat e qytetarëve. Bëhet fjalë për një rritje drastike të çmimit të barnave mjekësore. Në janar të vitit 2014, Rama deklaroi se do të anulonte koncesionin e pullave të ilaçeve, sepse ishte i papranueshëm dhe do ta kthente këtë shërbim te Ministria e Financave. Por ashtu siç bëri me shumë premtime të tjera, edhe për këtë koncesion ai u dorëzua në prehrin e oligarkëve, duke firmosur një vendim qeverie në tetor 2016, sipas të cilit rritet çmimi i pullës së kontrollit të ilaçeve, e cila është e detyrueshme për çdo paketë barnash. Kjo do të thotë që nga afërsisht 2 lekë për çdo paketë barnash që është sot (14.43 euro për 1 mijë copë pulla) çmimi për çdo pullë do të bëhet 2,4 për qind e çmimit të barit, duke rritur çmimin e pullës për çdo bar më të shtrenjtë se 83 lekë. Edi Rama dështoi në dy përpjekje që bëri për të miratuar në Kuvend këtë projekt në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017. Tani që ai e ka marrë i vetëm edhe timonin edhe tepsinë, projektligji është rifutur i pandryshuar në kalendarin e katër javëve të ardhshme të Kuvendit dhe miratimi i tij pritet që të jetë thjesht një formalitet. Nëse ndodh kjo, për barnat e shtrenjta rritja e çmimit të pullës do të jetë deri në dhjetëra herë më i lartë, kurse për barnat e rralla që kurojnë sëmundje të rënda, do të jetë marramendëse.

Shumëfishimi i çmimit të pullës së kontrollit do të çojë direkt në rritjen e vetë çmimit të barnave, pasi kostoja e pullës do t’i kalohet si gjithmonë konsumatorëve për barnat që shiten në farmaci dhe buxhetit të shtetit për barnat që furnizojnë spitalet dhe klinikat shtetërore. Nga kjo rritje, të ardhurat e koncesionarit, shtohen afërsisht 25 herë më shumë. Aktualisht të ardhurat nga pulla fiskale për barnat janë rreth 200 mijë euro në vit, ndërsa me formulën e re, koncesionari do të marrë rreth 5,3 milionë euro, në tregun tonë farmaceutik që është gjithsej 128 milionë euro në vit.

Ky është një fitim i jashtëzakonshëm pa bërë asnjë investim të ri. Rama po ia “dhuron” koncesionarit monopolist këto para, duke rrjepur shtresat më delikate e më të varfëra të shoqërisë. Koncensioni i  pullave fiskale që është dhënë që në vitin 2011 nga Berisha, nuk ka garantuar asnjë përmirësim të tregut farmaceutik në Shqipëri. Këtu vijnë masivisht ilaçet e skaduara dhe ato me cilësinë më të ulët të kontinentit.

ZGJIDHJA u bën thirrje deputetëve të shumicës, që të mos e votojnë këtë gjobë të re të vënë nga Rama dhe oligarkët e tij, për të sëmurët, të moshuarit dhe qytetarët e Shqipërisë. Të gjithë tashmë e dinë se Rama nuk është as i majtë dhe as socialist, por, duke futur duar edhe te paratë e ilaçeve e të varfërve që luftojnë të mbijetojnë, ai po tregon edhe pjesën më të errët: anti-humanizmin ekstrem dhe frymën mizore të qeverisjes së tij!

#ZgjidhjaPërPopullin

 

0
Rilindja është e pabesë, importi i plehrave të ndalohet me kushtetutë

Rilindja është e pabesë, importi i plehrave të ndalohet me kushtetutë

Nën presionin e opinionit publik dhe të partive radikalisht kundër importit të mbetjeve si ZGJIDHJA, Rilindja duket se u dorëzua më në fund. Ajo është e gatshme që të tërhiqet nga iniciativa e turpshme e importit të plehrave në Shqipëri. Ne jemi të bindur se Rilindja po bën një tërheqie taktike e të pasinqertë vetëm për të vënë në gjumë opinionin publik dhe për të fituar kohë. Ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Rilindja do përpiqet sërish të gjejë ndonjë shteg për importin e plehrave. Prandaj ZGJIDHJA kërkon që importi i plehrave të ndalohet me kushtetutë. Vetëm kjo do t’i japë garancinë përfundimtare shqiptarëve se politikanët e paskrupullt nuk do të luajnë me jetën e popullit dhe fatet ekologjike të vendit, siç e duan interesat e tyre të ngushta dhe fitimet përrallore që nxjerr ekomafia!

0
KokKokëdhima: “Tërheqja” nga plehrat, taktikë djallëzore. Të përgatitemi për “luftë!”

KokKokëdhima: “Tërheqja” nga plehrat, taktikë djallëzore. Të përgatitemi për “luftë!”

Kryetari i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, u bëri thirrje shqiptarëve që të përgatiten për “luftë”, për të mos lejuar qeverinë e Edi Ramës që të kalojë në Kuvend ligjin për mbetjet. Në një reagim në Twitter, Kokëdhima u shpreh: “Qeveria nuk ndahet nga plehrat. “Tërheqja” është taktikë djallëzore. Rilindja po na vret! Të përgatitemi për luftë!”.
Reagimi i Kokëdhimës erdhi pak pas debateve që u bënë sot në Komisionin Parlamentar të Aktiviteteve Prodhuese, ku përfaqësuesi i PS-së, Eduard Shalsi, në cilësinë e propozuesit të projektligjit për “Mbetjet” u shpreh se qeveria është tërhequr, pas keqkuptimeve të krijuara. Por opozita dhe shoqëria civile dyshojnë se këto veprime janë për t’u hedhur hi syve nga qeveria që është munduar prej dy vitesh që të kalojë me çdo çmim ligjin për importin e mbetjeve, gjoja për të shpëtuar falimentimin e industrisë ricikluese vendase nga mungesa e lëndëve të para, por që do të ketë pasoja fatale për ekonominë dhe shëndetin e banorëve.

0
Qeveria kërkon që ta shtyjë reformën zgjedhore në kalendat greke

Qeveria kërkon që ta shtyjë reformën zgjedhore në kalendat greke

Taulant Balla, njoftoi hapjen e konsultimet për reformën zgjedhore, një kërkesë e vazhdueshme e ZGJIDHJA-s, e mbështetur së fundmi edhe nga PD-ja. Sipas tij, mazhoranca angazhohet për një reformë zgjedhore më 2021! E pangopur me krimet elektorale të 25 qershorit, Rilindja shpreson që ta mbajë në fuqi kodin zgjedhor aktual edhe në zgjedhjet vendore të vitit 2019. Ne u themi një “Jo” të prerë këtyre manovrave të ulëta elektorale. Kodi i ri të votohet brenda 6 muajsh. ZGJIDHJA fton fuqimisht opozitën tjetër që të na ndjekë në këtë kërkesë legjitime, përndryshe ajo të mos vijë të qahet kur Rama të vjedhë e të blejë masivisht edhe votat për bashkiaket . Rilindja po përpiqet që ta lidhë reformën zgjedhore me dhënien e të drejtës për votim emigrantëve. Në zgjedhjet vendore nuk është e domosdoshme vota e diasporës. Ne e denoncojmë këtë përpjekje të Edi Ramës për të sabotuar kodin e ri zgjedhor. Bashkohuni me ZGJIDHJA-n për pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve.
#ZgjidhjaPërVOTËNeLirë

0
Kokëdhima këmbëngul: Reforma Zgjedhore duhet bërë për vendoret 2019

Kokëdhima këmbëngul: Reforma Zgjedhore duhet bërë për vendoret 2019

Kryetari i ZGJIDHJA-s, Koço Kokëdhima, këmbënguli sot që reforma zgjedhore të nisë urgjentisht dhe të përfundojë përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2019. Në një postim në Twitter, Kokëdhima, u shpreh se: “Reforma Zgjedhore duhet bërë për vendoret 2019. Rilindja s’mund t’i mbajë peng zgjedhjet dhe popullin shqiptar”. Reagimi i Kokëdhimës erdhi pas deklaratave të kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, se reforma zgjedhore duhet të jetë gati për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2021, për t’u dhënë mundësi shqiptarëve jashtë vendit që të votojnë të gjithë. Por ZGJIDHJA e konsideron këtë një hile të Rilindjes për ta shtyrë deri në fund procesin dhe për ta lënë vendin pa një reformë zgjedhore demokratike, që do ta kthente pushtetin e votës te zgjedhësit dhe do t’ua hiqte monopolin e zgjedhjeve partive kryesore, PS dhe PD. Në fundjavë, PD-ja propozoi ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc që duhet të nisë menjëherë reformën zgjedhore.
Referuar edhe faktit që ZGJIDHJA bëri thirrje dhe bojkotoi zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, si të kontrolluara dhe të truktuara nga partitë që kishin komisionerë, Kokëdhima është shprehur se reforma zgjedhore është mëma e të gjitha reformave dhe se duhet bërë urgjentisht.
Sipas ZGJIDHJA-s, Reforma Zgjedhore duhet të jetë e hapur dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha forcat politike dhe shoqërinë civile dhe jo produkt i marrëveshjeve të Rilindjes me PD-në, sepse ata kanë kryer krime të shumta elektorale. Ajo kërkon që të futet votimi elektronik në qendrat e votimit, që administrata zgjedhore të jetë e depolitizuar, që të hiqet me ligj monopoli që kanë kryetarët e partive për të caktuar kandidatët në zgjedhje, që t’u priten financimet partive politike që nuk do t’i caktojnë kandidatët për deputetë, kryetarë dhe këshilltarë bashkie me zgjedhje primare nga populli dhe përmes një procesi të garantuar me ligj. ZGJIDHJA kërkon që kjo reformë të mos bëhet pa transparencë dhe pa themele, siç kanë ndodhur në të shkuarën pazaret mes Berishës e Ramës dhe që ajo të udhëhiqet nga Prezenca e OSBE-së.

0
Kokëdhima fton qytetarët: Solidarizohuni me banorët e Shkozës!

Kokëdhima fton qytetarët: Solidarizohuni me banorët e Shkozës!

 

ZGJIDHJA u bëri thirrje banorëve të Tiranës që të solidarizohen me protestën e banorëve të Shkozës, që për të tretën ditë rresht po prostesojnë kundër planit të qeverisë për të prishur 153 banesa, pa u dhënë dëmshpërblim. Në një postim në tëeeter, kreu i ZGJIDHJA-s. Koço Kokëdhima, ftoi këdo që të bashkohet me banorët, që thonë se janë mashtruar nga deputetët socialistë, të cilët u premtuan legalizim përpara zgjedhjeve të 25 qershorit për t’u marrë votën, ndërsa tani duan t’i lënë mes katër rrugëve pa u dhënë asnjë dëmshpërblim. “ZGJIDHJA fton çdo qytetar të Tiranës që të solidarizohet me protestën e banorëve të Shkozës. Jo represionit qeveritar! Nesër do të jesh ti i kërcënuar!”-shkroi Kokëdhima në Tëeeter, pak orë pasi qindra banorë marshuan nga Shkoza në drejtim të ambasadës amerikane, ku kërkuan ndërhyrjen e diplomatëve të huaj, që të mos u shkatërrohen shtëpitë.

Nesër banorët e Shkozës kanë paralajmëruar një protestë tjetër, kësaj radhe përpara selisë së qeverisë shqiptare, ndërsa premtojnë se do t’i shkojnë deri në fund betejës për të mbrojtur shtëpitë e tyre. Qeveria planifikon prishjen e 153 banesave që janë ndërtuar para dhe pas viteve ’90 për t’i hapur rrugë projektit të rehabilitimit të lumit Lana. Përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, kandidatët për deputetë të PS-së u premtuan banorëve se qeveria do të nxirrte një VKM të posaçme për legalizimin e banesave të tyre, ndërsa tre ditë më parë fadromat e IKMT-së shkuan në Shkozë për të nisur prishjen e banesave.

ZGJIDHJA u bëri thirrjeve autoriteteve që të legalizonin banesat e banorëve dhe të dëmshpërblenin çdo centimetër, sipas çmimeve të tregut.

0